Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Shko poshtë

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh Empty Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 19, 2009 10:31 pm

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Lexi KROCK
SPIUNAZHI, Aventurat më spektakolare/Identitet i dyfishtë, tradhti dhe komplote

Somerset Maugham qe një prej shkrimtarëve më popullorë britanikë në kohën e tij. Ai u lind në ambasadën britanike në Paris në 1874 dhe u rrit në një familje ku fliteshin dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht. I ati dhe gjyshi kishin qenë gjyqtarë të njohur në Angli dhe Francë, dhe ndonëse Maugham dukej i destinuar të ecte në gjurmët e tyre, ai kishte një problem të madh, sepse i mbahej goja dhe kjo nuk do ta lejonte asnjëherë të argumentonte në sallën e gjyqit. Në vitin 1915, Maugham u takua me një zyrtar të shërbimit të fshehtë, i cili e rekrutoi për SIS, Shërbimin e Fshehtë të Britanisë. Romani i tij i parë, "Mbi lidhjet njerëzore", sapo ishte botuar. Zyrtari i sugjeroi që të bashkohej me shërbimin e fshehtë, pasi aftësitë e tij në të shkruar do të ishin shumë të nevojshme dhe ai mund të përdorte të shkruarit si mbulesë për veprimtarinë e spiunazhit.
Si agjent i SIS, detyra e tij e parë qe në Gjenevë, ku u vendos si një dramaturg francez dhe pati sukses në rolin e tij si ndërmjetës mes agjentëve të tjerë në terren, si dhe autoritetet e lartë të spiunazhit në Britani. Maugham dërgonte mesazhe të koduara, shpeshherë të ndërthurura në dorëshkrime, që hynin e dilinin nga vendi pa tërhequr vëmendjen e policisë zvicerane. Ai punoi për SIS pa pagesë, si një gjest patriotik. Në 1917, Maugham mendoi se detyra e tij në SIS kishte përfunduar, por kur shpërtheu Revolucioni në Rusi, shefi i shërbimit të fshehtë britanik në SHBA, Sir William Weisman e bindi të shkojë në Shën Petërburg në një tjetër mision. Maughamit iu kërkua të mbledhë informacione zbulimi në rrjetin gjerman të spiunazhit që po krijohej në kryeqytetin rus dhe të mbështeste menshevikët, duke iu kundërvënë planeve të bolshevikëve për të tërhequr Rusinë nga lufta. Duke u shfaqur si shkrimtar për botime amerikane, Maugham u takua me Aleksandër Kerenskin, liderin socialist. Kerenski e dërgoi Maughamin në Londër me një kërkesë të dëshpëruar që aleatët të krijonin një ushtri antibolshevike. Maugham dërgoi informacione shumë të rëndësishme në Londër, si dhe krijoi një plan për llogari të SIS që të mbante një grup agjentësh në Rusi, me qëllim që të luftonin ndikimin gjerman mbi qeverinë e përkohshme përmes propagandës dhe spiunazhit.
Maugham ka shkruajtur disa tregime për përvojat e tij në spiunazh. I paralajmëruar para botimit se disa tregime shkelnin ligjin britanik për Sekretet Zyrtare, ai dogji shumicën e tyre. Tregimet që mbijetuan, përfshirë një rrëfim për misionin e tij në Rusi, u botuan në librin e tij të 1928, "Ashenden". Në libër, ai ofron një personazh me emrin Somerville, pikërisht emri që ky vetë kishte përdorur gjatë veprimtarisë së vet reale të spiunazhit në Shën Petërburg. Besohet se Somerset Maugham është i pari autor i librave të spiunazhit, që ka qenë edhe vet spiun. Ndonëse jeta si spiun i ofroi goxha material për librat e tij, ai nuk ka patur kurrë shumë entuziazëm për këtë punë. Në parathënien e Ashenden, ai shkruan: "Puna e një agjenti në Departamentin e Zbulimit është në tërësi monotone. Një pjesë e madhe e saj është e padobishme".
Mata Hari
Margarete Gertrud Zelle, e njohur për brezat e mëvonshëm si Mata Hari, është një prej spiuneve më të "poshtëra" të shekulit XX. Sipas të gjithë rrëfimeve, Zelle nuk ka qenë një spiune e suksesshme, megjithatë historia e saj mishëron të gjithë elementët - guximin, ekzotizmin, si dhe një person kameleonik - që i bën të gjithë rastet e spiunazhit kaq tërheqës për njerëzit. Në moshën 17-vjeçare, Zelle u martua me John Macleod, një zyrtar britanik në Inditë Lindore dhe shkoi bashkë me të në Java. Me të pati dy fëmijë, një prej të cilëve vdiq që foshnjë, ndërkohë që iu desh t'i nënshtrohet për 9 vite brutalitetit, abuzimeve, dehjeve, si dhe sjelljeve të tij rrugaçërore, deri kur ai në fund e braktisi, duke marrë me vete edhe të bijën. Ndonëse Zelle mori më vonë të drejtën e rritjes së të bijës, në 1905 ajo e la me familjen në Holandë dhe u zhduk.
Zele u rishfaq pak kohë më vonë në Paris si Mata Hari, një kërcimtare ekzotike që thoshte se kish lindur në fiset Hindu. Në fillimin e Luftës së Parë Botërore, Mata Hari hyri në shërbimin e fshehtë gjerman, pasi ishte rekrutuar nga një prej të dashurve të saj, kreu i policisë së Berlinit. Vijoi të kërcejë në skena luksoze në Londër, Paris, Antverp dhe Bruksel, ndërkohë që lufta ziente e në të njëjtën kohë duke transmetuar raporte të fshehtë zbulimi për Gjermaninë, të cilat i siguronte prej shumë klientëve të saj diplomatë.
Pas një sinjalizimi prej shërbimit të fshehtë italian, autoritetet francezë kuptuan diçka dhe nisën të vëzhgojnë me kujdes lëvizjet e saj. Pa patur prova të mjaftueshme që ta dënonin për spiunazh, por duke dashur ta dëbojnë, autoritetet nisën procedurat e dëbimit. Gjithnjë e zgjuar dhe e mprehtë, Mata Hari bindi dëbuesit e saj se nuk qe një agjente për Gjermaninë dhe e dëshironte, që të spiunonte për aleatët si dhe të provonte besnikërinë e saj ndaj kauzës së tyre. Për të testuar këtë besnikëri, autoritetet franceze vendosën ta dërgojnë me mision të fshehtë në Brukselin e pushtuar. Edhe pse nisi të marrë pjesë në veprimtari të shkallës së ulët të spiunazhit për aleatët, Mata Hari vazhdoi të marë urdhëra nga Gjermania. Ajo kërkonte shuma të mëdha parash për shërbimet e saj, si nga gjermanët ashtu dhe nga francezët, ndërkohë që i binte kryq e tërthor kontinentit.
Më vonë, Mata Hari shkoi në Spanjë ku u takua me urdhëruesit e saj gjermanë dhe ra dakord të dërgojë një seri informacionesh për në Berlin. E kreu më së miri detyrën, ndonëse përdori një kod, të cilin gjermanët e dinin se tashmë francezët e kishin zbërthyer. Veprimet e saj u dukën si një përpjekje e qëllimshme për të mos shërbyer më për gjermanët, të cilët nuk mund të paguanin më shumat e mëdha që ajo kërkonte. Gjermanët e pushuan pas kësaj gafe të përllogaritur, i paguan shumën e fundit dhe e urdhëruan të kthehet në Francë. Në Paris, Mata Hari u arrestua me në duar çekun që i kishin paguar gjermanët. Në fund të gjyqit dyditor, u dënua me vdekje për spiunazh dhe tradhëti. Mata Hari u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi në 15 tetor 1917.
Agnes Smedley
Agnes Smedley, një agjente e trefishtë që punoi për sovjetikët, komunistët kinezë dhe nacionalistët indianë, ka qenë një prej spiuneve femra më të spikatura të shekullit XX. Ndryshe nga shumë agjentë të kohës, që ishin goxha eruditë, Smedley nuk kishte arsim formal dhe vinte nga një familje e varfër. Në moshë të rritur, Smedley bëri përpjekje të kompensonte disi arsimin e saj minimal, duke marrë pjesë në leksione dhe klasa në universitete sa më shpesh të mundej. Në çdo universitet, ajo futej gjithnjë në turma të sofistikuara dhe intelektualësh, dhe lidhjet që krijoi e drejtuan për të bërë një jetë prej spiuneje.
Në Universitetin e Nju Jorkut në 1912, Smedley u afrua me një grup studentësh nga India, që ishin agjitatorë në lëvizjen nacionaliste të vendit të tyre. Shumë shpejt, hyri në Miqtë e Lirisë së Indisë, një organizatë sekrete që mbikëqyrej me kujdes nga qeveria amerikane. Ndonëse më vonë u largua nga Nju Jorku, kauza e nacionalistëve indianë mbeti në zemrën e saj. Në vitin 1918, ndërkohë që ishte studente në Universitetin e Kalifornisë, ajo u arrestua në shoqërinë e Salindranath Ghose, një nacionalist i njohur indian dhe u akuzua se mbështeste veprimtari spiunazhi. Pak kohë pas dënimit, Smedley la SHBA për të shkuar në Berlin. Ajo u afrua me fraksionin komunist të lëvizjes nacionaliste indiane në Gjermani dhe u martua me një lider nacionalist komunist indian, Virendranath. Gjatë martesës së tyre, Smedley udhëtonte shpesh mes Moskës dhe Berlinit, duke përdorur emrat Znj. Petroikas dhe Alice Bird, me sa duket për të përcjellë informacionet mes autoriteteve sovjetike dhe Partisë Komuniste, të cilës i përkiste. Ndërkohë që ndodhej në Berlin, ajo jepte mësim në Universitetin e Berlinit, krijoi të parën klinikë lindjesh në qytet dhe botoi librin e saj të parë, Bija e Tokës. Po kështu, pati edhe një periudhë sëmundjeje mendore.
Në 1928, Smedley u largua për në Shangai përmes Moskës. Agjentët atje i kërkuan të mbante informacione në lidhje me policinë e trinuar dhe drejtuar nga britanikët në Shangai, si dhe të mbështeste kauzën e komunistëve atje. Smedley nisi një marrëdhënie profesionale dhe romantike me Richard Sorge, një spiun i lindur në Rusi dhe që punonte për rusët në Shangai. Përmes kontakteve japonezë dhe gjermanë që i ofroi Smedley, Sorge mblodhi informacione të detajuara mbi qëllimet dhe aftësitë ushtarake të japonezëve dhe gjermanëve. Përpara se Sorge të ekzekutohej për spiunazh në Tokio në vitin 1944, ai shkruajti se veprimtaria e spiunazhit u bë e mundur vetëm prej ndihmës së Smedley.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Smedley jetoi herë pas here në SHBa dhe shërbeu si këshilltare e gjeneralit amerikan Joseph Stilwell, i cili ishte këshilltar ushtarak i Chiang Kai-Shek, lider i Kinës jokomuniste. Smedley përdori pozitën e saj për të rekomanduar që Stilwell të dërgonte fshehtësisht një sasi të kufizuar furnizimesh ushtarakë për komunistët kinezë, në rast se këta do të mund të ndihmonin SHBA kundër një sulmi të mundshëm prej japonezëve. Stilwell miratoi kërkesën e Smedley. Në 1950, mes zyrtarëve amerikanë nisën të dëgjohen zëra për identitetin e Smedley si agjente sovjetike. FBI caktoi një ekip agjentësh për të vëzhguar veprimtarinë e saj. E ndodhur nën trysni, Smedley u largua për në Angli. Ajo vdiq tre vjet më vonë në Angli. Hiri i saj u përhap në një varrezë të revolucionarëve në kryeqytetin kinez.
MOE BERG
Moe Berg luajti në një total prej 15 ndeshjesh në Ligën e Parë të Bejsbollit në SHBA, me Chicago White Sox, Cleveland Indians, Boston Red Sox dhe Washington Senators, e megjithatë shumë pak arritje i pati në fushë. Megjithëkëtë, në 1934, pesë vite pasi u largua nga bejsbolli, Berg u mor për t'iu bashkuar ekipit të yjeve amerikanë të bejsbollit në një udhëtim në Japoni. Tifozët nisën të pyesin përse një lojtar me një nivel kaq të dobët ishte përzgjedhur në ekipin e All-Star, bashkë me lojtarë të tillë të mëdhenj si Lou Gehrig de Babe Ruth. Përse ai u zgjodh, nuk u bë kurrë e ditur, e megjithatë, në kohën që ekipi i All Star ishte në Tokio, Berg, që fliste japonisht u shkëput fshehtas dhe nisi të filmojë hapësirën qiellore të Tokios, portin e Tokios si dhe fabrikat e municioneve, që nga ndërtesat më të larta të qytetit.
I lindur në 2 mars 1902 në Manhatan, me prindër ruso-hebrenj, Berg kish qenë gjithmonë një tip misterioz. Kur ishte 7 vjeç, nisi të luajë bejsboll në një ekip lagjeje me pseudonimin që vetë e krijoi, Runt Wolfe. Një student brilant që fliste shtatë gjuhë, Berg u dërgua të studiojë gjuhët moderne në Pricneton, ku vijoi të luajë bejsboll, shpesh duke zgjedhur të flasë vetëm latinisht apo sanskritisht. Pavarësisht arritjeve akademike dhe intelektuale, Berg zgjodhi të luajë bejsboll për shkak të dashurisë për këtë sport. Biografët thonë se e gjithë karriera si lojtar profesionist bejsbolli ka qenë thjesht për të mbuluar aktivitetin e tij si spiun në shërbim të SHBA.
Në 1942, Zyra e Shërbimeve Strategjike e SHBA, paraardhësja e CIA, rekrutoi Moe Berg. Ai do të punonte për pothuajse dhjetë vjet. Misioni i tij i parë ishte në fakt një rrugë për të testuar gatishmërinë e liderëve politikë latino-amerikanë për të marrë krahun e SHBA në rast lufte. Me kthimin nga Amerika Latine, Berg u bë një spiun i ngarkuar për të zbuluar aftësitë bërthamore të Gjermanisë naziste dhe ai qe pjesë e një misioni të mundshëm për vrasjen e Werner Heisenberg, drejtori i programit të bombës atomike në Gjermaninë naziste. Duke qenë se fliste rrjedhshëm gjermanisht dhe qe në gjendje të përthithte informacione të komplikuar shkencorë, ai u dërgua në Zyrih për të marrë pjesë në një leksion që Heisenberg jepte në lidhje me bombën atomike për autoritetet naziste. Berg vendosi se mundësia e një bombe atomike nga nazistët qe e largët dhe komploti i vrasjes u anullua.
Përpara se të vdiste më 1972, pa qenë asnjëherë i martuar, ai kish planifikuar të shkruante autobiografinë e tij, e cila kishte thënë se do të zbulonte të gjithë detajet për karrierën e tij në spiunazh. Sidoqoftë, libri nuk u shkrua kurrë dhe historia e plotë e veprimtarisë së tij si spiun vdiq bashkë me të.
ALGER HISS
Ndonëse Alger Hiss, një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA u akuzua se spiunoi për Bashkimin Sovjetik dhe u burgos, ai nuk u dënua asnjëherë nën akuzën për spiunazh. Përgjatë të gjithë jetës së tij, Hiss mohoi çdo lloj përfshirjeje në spiunazh dhe shumë historianë kanë mbetur për vite të polarizuar në lidhje me çështjen e tij; disa besojnë se dokumente të deklasifikuar vërtetojnë që ai ka spiunuar për sovjetikët, ndërsa të tjerë i shohin këto akuza si të pabaza. Në fundin e viteve '30, Hiss ishte një zyrtar i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit gjatë viteve të krijimit të OKB. Ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm në takimin e San Franciscos në 1945, në të cilin u krijua OKB. Por, në 1939, Whitaker Chambers, një ish-anëtar i Partisë Komuniste të SHBA, i tha Asistent Sekretarit të Shtetit, Adolf Berle, se Hiss ishte komunist. Berle, shefi direkt i Hiss, u tall me këtë akuzë. Shumë shpejt, informacione të ngjashme erdhën nga shërbimet francezë të zbulimit. Gjithashtu, Igor Gouzenko, një dezertor sovjetik, ngriti akuzën se një zyrtar në Departamentin e Shtetit është spiun sovjetik dhe FBI nisi në fshehtësi të hetojë Hiss si të dyshuar.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh Empty Re: Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 19, 2009 10:33 pm

Hiss u largua nga Departamenti i Shtetit për t'u bërë, në 1947, president i Carnegie Endowment for International Peace. Brenda një viti pas largimit të tij nga Departamenti i Shtetit, Chambers, një redaktor në revistën TIME, i tha Komisionit të Kongresit për Veprimtaritë Joamerikane se Hiss kish qenë një komunist në vitet '30 dhe i kishte dhënë atij dokumente të Departamentit të Shtetit, që më pas i ishin kaluar sovjetikëve. Zbulimi i Chambers pasoi dëshminë e Elisabeth Bentley, një agjente sovjetike, e cila i tha komisionit se kish kaluar dokumente të marra nga një zyrtar i lartë, i paemër në Departamentin e Shtetit.
Duke mohuar akuzat, Hiss paditi Chambers për shpifje. Për t'iu kundërvënë akuzave të Hiss, Chambers ofroi memo të shkruajtura me dorë, si dhe përmbledhje me makinë shkrimi të dokumenteve të Departamentit të Shtetit. Si provë u paraqit edhe një makinë shkrimi Woodstorck. Ekspertët dëshmuan se Hiss kish shkruajtur si përmbledhjet, ashtu edhe korrespondencën personale me këtë makinë shkrimi. Hiss dhe ekspertë në anën e tij argumentuan se makina e shkrimit ishte përgatitur për të dhënë rezultatet e provave. Chambers ishte ruajtur, duke mos ofruar shumë copëza filmimesh 35 mm. Më në fund, ekzistenca e këtyre provave mbërriti në veshët e Komisionit, i cili më pas nxiti kongresmenin Richard Nixon që të nxjerrë një thirrje për materialet. Nën këtë thirrje, Chambers drejtoi hetues të kongresit në një parcelë kungujsh në fermën e tij në Maryland. Të fshehura në një kungull ishin ato që më vonë u bënë të njohura me emrin "Dokumentet e kungullit" - disa printime të dokumenteve të Departamentit të Shtetit nga vitet '30. "Dokumentet e kungullit" u shfaqën kundër Hiss në gjykatë, aty ku ai u akuzua se kish gënjyer kur kishte thënë se nuk kish kaluar dokumente tek Chambers. Hiss u dënua me dy vite burg, ndonëse i mohoi akuzat gjatë të gjithë jetës. Në 1996, pak pas vdekjes së Hiss, u bënë publikë disa dokumente të Venonas. Një prej mesazheve, i datës 30 mars 1945, përmend një amerikan me emrin e koduar Ales. Sipas mesazhit, Ales ishte agjent sovjetik që punonte në Departamentin e Shtetit, që shoqëroi Presidentin Ruzvelt në takimin e Jaltës në 1945 dhe më pas fluturoi për në Moskë, të dy këto gjëra që Hiss i kish bërë. Më tej, mesazhi tregon se Ales u takua me Andrei Vyshinsky, Komisari i Marëdhënieve me Jashtë dhe u përgëzua për ndihmën që u kish dhënë sovjetikëve. Analistët në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë kanë thënë se Ales mund të ketë qenë vetë Alger Hiss.
Elisabeth Bentley
Ashtu si shumë spiunë amerikanë, Elizabeth Bentley përshkruhej sinjë tip tamam amerikane, e pashme dhe e arsimuar. E lindur në Conecticut dhe arsimuar në Vassar College në Columbia University, Bentley udhëtoi shumë herë për në Itali në vitet e shkollimit, për të mësuar gjuhën. Ndoshta për shkak të përballjes me fashizmin në Itali, Bentley u bashkua me Lidhjen Amerikane kundër Luftës dhe Fashizmit, një organizatë komuniste ilegale në 1935. Pak kohë më vonë, ao hyri në Partinë Komuniste të SHBA. Në 1938, Bentley nisi të punojë si sekretare e Jacob Golos, një emigrant rus që ishte nënshtetas amerikan. Edhe ai një anëtar i Partisë Komuniste, Golos punonte për Shoqërinë për Ndihmë Teknike Rusisë Sovjetike, një front për spiunazhin industrial sovjetik. Ai qe njëkohësisht instruktor i Harry Gold, një prej spiunëve të Venonas.
Megjithatë, fillimisht Golos nuk e rekrutoi Bentleyn për spiunazh. Ishte një bashkëpunëtore, Juliet Poyntz që e kishte rekrutuar, kur Bentley punonte njëkohësisht edhe në Librarinë italiane të Informacionit. Për një vit, Bentley e përdori pozicionin në librari për të grumbulluar dhe përcjellë informacione për veprimtarinë profashiste që kryhej në librari. Pasi mbaroi punë në librari, Bentley nisi të kryejë spiunazh të nivelit të ulët për Golo dhe të dy u lidhën romantikisht. Me nxitjen e Golos, Bentley zuri një punë si sekretare e Richard Waldo, një biznesmen konservator dhe spiunoi për kontaktet e tij, bashkëbisedimet, si dhe lëvizjet, duke ia ofruar në detaje Golosit. Ajo merrte informacione si dhe dokumente të qeverisë së SHBA, që më pas ua jepte agjentëve dhe korrierëve të tjerë dhe argëtonte burra të ndryshëm me porosi të Golosit, me qëllim që t'i spiunonte. Më vonë, dekriptimet e Venonas tregonin se Bentley vepronte nën emrin Vajza e Mirë.
Në 1945, një vit pasi Golosi vdiq, Bentley hoqi dorë nga komunizmi dhe zbuloi të kaluarën e saj në spiunazhin sovjetik para FBI-së dhe më pas përpara një gjykate federale. Ajo ofroi gjithashtu detaje të një rrjeti spiunazhi që përfshinte njerëz në New York City dhe në Washington. Anëtarë të rrjetit, sipas saj, ishin shumë zyrtarë të qeverisë. Më vonë, Bentley publikoi historinë e saj, duke dëshmuar në 1948 përpara një Nënkomisioni të Senatit. Dëshmia e saj krijoi një epokë të plotë dyshimesh sa i përket komunistëve në qeverinë e SHBA, disa të vlefshme e të tjera të pabaza. Në të vërtetë, vendi i saj në historinë e spiunazhit ka të bëjë më shumë me atë çfarë ofroi me dëshmitë e saj, se sa me çfarë ofroi si spiune. Në vitet e saj si ish-komuniste, Bentley botoi një autobiografi, "Brenda Organizatës Ruse të Spiunazhit", ku rrëfen me detaje përvojën e saj në spiunazh. Vdiq nga sëmundja e zemrës në 1963, në moshën 55-vjeçare.
Ian Fleming
Ian Fleming njihet më mirë si autori që krijoi protagonistin e famshëm të spiunazhit, James Bond 007. Lindur në Oxfordshire, Angli në një familje të pasur e të njohur, Fleming u rrit me çdo avantazh të mundshëm. I ati ishte deputet (që vdiq gjatë Luftës I) dhe e ëma ishte një grua e njohur, që mes shumë miqve të saj numëronte dhe Winston Churchillin.
Fleming, ashtu si vëllai i tij më i madh dhe ashtu si babai dhe gjyshi përpara tij, ndoqi shkollën në prestigjozin Kolegjin Eton, por u largua para se të diplomohej. Ai ishte i vendosur të ndiqte fatin e tij, në vend që të ecte në gjurmët e familjes në Oksford. Ai u regjitrua dhe ndoqi për pak kohë Akademinë Ushtarake Sendhwrst, por edhe aty u mërzit dhe kish probleme me përshtatjen me rregullat strikte ushtarake.
Me shpresën që të zhvishej nga barra e emrit të familjes, Fleming u vendos në Austri dhe kreu atje punë të ndryshme. Më pas, u bë reporter për Reuters dhe u ngarkua të mbulonte një gjyq spiunazhi në Bashkimin Sovjetik, një histori kjo që zgjoi kureshtjen dhe nxiti interesin e tij për spiunazh. Në 1933, pas vetëm pak kohësh tek Reuters, ai e la edhe këtë punë dhe nisi një tjetër si bankier në Londër, me shpresën për të fituar pavarësi financiare.
Gjatë kohës që punoi për Reuters, Fleming kish patur kontakte të shumta me shërbimin e fshehtë britanik, të cilat i ruajti edhe në vitet që punoi si bankier. Në vitin 1939, ai krejt papritur u largua nga kjo punë dhe u kthye në Bashkimin Sovjetik për të mbuluar një lajm për London Timer. Sipas të gjithë gjasave, Fleming kish krye punë të vogla spiunazhi në vitet që punoi si bankier, por veprimtaria e tij pësoi një rritje kur ai u kthye në BS në vitin 1939. Puna në London Times ishte një maskim i një misioni të fshehtë të organizuar nga shërbimi britanik.
Në maj të vitit 1939, Fleming hyri zyrtarisht në Zyrën e Zbulimit të Marinës Britanike, ku shërbeu si asistent i Drejtorit, Admiralit Xhon Godfrej. Fleming vërtetoi se ishte njeriu i duhur për spiunazh, gjë që i lejoi atij të përdorë imagjinatën e ndezur për planifikimin e misioneve të rrezikshëm dhe mirëpërgatitur, shumica e të cilëve ishin të suksesshëm.
Drejt fundit të Luftës së Dytë Botërore, Fleming, tani një Komandant në Zyrën e Zbulimit, mori drejtimin e Njësisë 30 të Sulmit, një grup komandosh specialë që dërgoheshin në misione po specialë të zbulimit. Njësia e Fleming kopjoi dhe rrëmbeu shumë dokumente të vlefshme të nazistëve dhe arriti të infiltrojë në njësitë gjermane të zbulimit. Për punën e kësaj njësie, Fleming u vlerësua jashtëzakonisht shumë. Pas luftës, Fleming u vendos në Xhamajkë dhe nisi karrierën e tij si shkrimtar. Librat e tij, ka thënë ai vetë, ishin saktësisht lloji i librave që do të donte të lexonte, plot me detaje, aksion dhe spiunazh. Fleming u martua dhe pati një fëmijë, por ai vdiq i ri nga zemra në 12 gusht 1964.
Kim Filbi
Në vitet tridhjetë, Bashkimi Sovjetik rekrutoi pothuajse 40 studentë të Universitetit të Kembrixhit si spiunë, në një kohë kur shumë intelektualë britanikë dhe amerikanë po sfidonin politikën dhe ekonominë e Perëndimit. Shumë studentë të zhgënjyer iu bashkuan Internacionales Komuniste, apo Kominternit, një organizatë që e shiste veten si një mënyrë për të bashkuar komunistët e të gjithë botës, por që në fakt ishte një mekanizëm për të promovuar llojin sovjetik të komunizmit.
Ndonëse shumë prej të rekrutuarve të Kembrixhit u angazhuan shumë dhe për vite të tërë pasi u larguan nga Kembrixhi, vetëm Harold Kim Filbi, Donald Meklin dhe Gaj Borges - e ashtuquajtura "Treshja e Kembrixhit" - ia dolën mbanë të siguronin sekrete britanike dhe amerikane në nivelet më të lartë të qeverisjes. Ata siguruan informacione për përpjekjet e SHBA në antispiunazh, planet për prodhimin e bombës atomike, si dhe strategjitë ushtarake gjatë Luftës koreane, të cilat ua kaluan sovjetikëve.
Nga historitë e Treshes së Kembrixhit, ajo e Kim Filbit është më tronditësja, ndoshta sepse Filbi u rrit profesionalisht më shumë se dy të tjerët, mbijetoi më gjatë pa u zbuluar dhe u duk se e kishte më seriozisht qëllimin e tij specifik të tradhtisë ndaj vendit të tij, SHBA, sekreteve të tyre dhe operacioneve të tyre.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh Empty Re: Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 19, 2009 10:33 pm

Filbi, që mori pseudonimin Kim, sipas një personazhi spiun në një histori të Kipling, ndoqi Universitetin e Kembrixhit nga 1929 deri në 1933, duke u diplomuar fillimisht në histori e më pas në ekonomi. Në Kembrixh, Filbi nisi miqësinë me Meklin dhe Borges, dhe të tre ndanin një interes të madh në marksizmin. Pasi të tre u rekrutuan në spiunazh prej sovjetikëve, këta të fundit i orientuan që të zbulojnë gjithë sa munden për praktikat e kundërspiunazhit në SHBA dhe Britani.
Pas diplomimit, Filbi u martua me Eliz Fridman, një komuniste në vendlindjen e saj, Vienë. Të sapomartuarit udhëtuan në Spanjë, ku Filbi nisi një punë si gazetar duke mbuluar Luftën Civile të Spanjës për "London Times". Atje, ai u paraqit si fashist dhe në 1939 u detyrua të ndahet nga Lici, se mos zbulohej reputacioni i saj si komuniste (Më vonë, Filbi u divorcua nga Lici, mbeti i ve nga gruaja e dytë, u divorcua nga e treta dhe u rimartua për herë të kartërt).
Në fund të Luftës civile në Spanjë, Filbi nisi punë në departamentin e kundërzbulimit në Shërbimin e Fshehtë britanik, pikërisht "në zemrën e botës sekrete", siç ka shkruajtur ai në kujtimet e tij. Shumë shpejt ai u ngjit në radhët e SIS, duke u bërë një prej agjentëve më të besuar dhe për pothuajse tetë vite shërbeu si spiun për sovjetikët. Ndonëse dy herë gjatë karrierës së tij në Britani, Filbi ishte shumë pranë zbulimit - në të dy rastet, dezertorë sovjetikë u thoshin britanikëve se një zyrtar i lartë në Shërbimin e Fshehtë britanik kish qenë agjent i sovjetikëve që nga viti 1930 - ai arriti t'i shpëtojë zbulimit për më shumë se 30 vjet. Në vitin 1945, ai mori medaljen e Urdhërit të Perandorisë Britanike për punën e tij në zbulim gjatë luftës.
Në vitin 1949, Filbit iu ofrua një pozicion në Uashington si i dërguar i shërbimit të fshehtë britanik në CIA dhe FBI, një pozicion me ndjeshmëri të lartë në të cilin do të kishte akses në informacione për shumicën e operacioneve të shërbimit të fshehtë amerikan. Edhe Burges e Meklin kishin pozicione të larta në SHBA, të dy në ambasadën britanike.
Jo shumë kohë pasi Filbi u vendos në postin e ri, një thyerës kodesh në Uashington e informoi për rezultatet e punës së tij në deshifrimin e një koleksioni kabllosh, i ashtuquajturi operacioni Venona i deshifrimeve. Një prej tyre, mësoi Filbi, përmendte Homerin, një agjent sovjetik që punonte në ambasadën britanike në Uashington, nga viti 1944 deri në 1945.
Filbi e dinte se shoku i tij Meklin ishte Homeri. Ai informoi KGB-së se Meklin shumë shpejt mund të zbulohej. Ai lajmëroi gjithashtu Burges dhe Meklin dhe u bëri thirrje të dezertojnë. Më pas, në një lëvizje për vetëmbrojtje, Filbi i telefonoi SIS-it në Londër, duke u kujtuar zyrtarëve se dy dezertorë sovjetikë kishin përshkruar një spiun brenda Foreign Office që kish punuar për sovjetikët që nga viti 1930. Kjo gjë, mendoi ai, me siguri do të rriste dyshimet për Meklin dhe do të largonte vëmendjen e tyre nga ai vetë, sidomos tani që zyrtarët e SIS dhe CIA kishin mësuar se Meklin ishte arratisur.
Filbi gabohej. Ndonëse Burges dhe Meklin u arratisën në Bashkimin Sovjetik në maj të 1951, Filbi u vu menjëherë nën dyshim nga SIS dhe shërbimi i fshehtë amerikan. Por, çuditërisht, për dhjetë vitet e ardhshme ai shmangu hetimin e plotë, kryesisht për arsye se shumë zyrtarë, si në Foreign Office ashtu edhe në Parlamentin britanik, thjesht refuzonin të besonin provat kundër tij. Nëse provat do të kishin qenë të vërteta, arsyetonin ata, këto do të provonin një poshtërim shumë të madh si për qeverinë e SHBA, ashtu edhe atë britanike.
Më në fund, në 1962, mbi 30 vjet pasi ishte rekrutuar prej sovjetikëve, agjentët britanikë i vunë përballë Filbit prova të mjaftueshme për ta dënuar për spiunazh. Atij iu ofrua imunitet nëse do të bashkëpunonte dhe tregonte ato që dinte për rrjetin sovjetik të spiunazhit. Filbi ra dakord dhe lejoi zyrtarët e SIS të regjistrojnë deklaratat e tij për tre ditë shumë të gjata, ndonëse asnjëherë nuk u ndalua. Pas ditës së tretë, Filbi u arratis për në Rusi përmes një anije sovjetike të siguruar prej KGB.
Filbi u bë nënshtetas rus, u martua me një ruse 20 vjet më të re dhe pas vdekjes së tij në 11 maj 1988, u varros me nderimet e një gjenerali të KGB.
Aldrich Ames
Aldrich Ames, një zyrtar amerikan i CIA që në 1994 u arrestua nën akuzat për spiunazh në favor të BS dhe më vonë Rusisë, është njeriu që ka kryer infiltrimin më të kushtueshëm për historinë e CIA. Zyrtarët tani dinë se Ames zbuloi më shumë se 100 operacione të fshehtë dhe tradhtoi më shumë se 30 operativë që spiunonin për CIA dhe shërbime të tjerë perëndimorë.
Përpara shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991, Ames u ofroi sovjetikëve informacione për 2 operacione shumë të sofistikuar të CIA-s në Rusi. Ai u dha atyre informacione të detajuara për tunele ku ndodheshin pajisje dëgjimi me fibra optike, që ishin të lidhura me impiantin hapësinor të Moskës. Ai gjithasshtu u zbuloi rusëve karakteristikat e një pajisjeje të teknologjisë më të fundit, që përdorej për të numëruar sa koka mbushjeje bërthamore mbanin raketat interkontinentale sovjetike.
Ames, që fliste rusisht dhe ishte kreu i Departamentit të Kundërzbulimit për BS në CIA, nisi të spiunojë në 1985. Sekretet e parë që ai shiti ishin identitetet e dy agjentëve të dyfishtë të KGB që kishin punuar në Ambasadën sovjetike në Uashington dhe ishin rekrutuar nga SHBA. Të dy ata, së bashku me dhjetë rusë të tjerë që Ames zbuloi, u ekzekutuan.
Duke parë ekzekutimin e tyre, në 1986 hetues të CIA nisën të kërkojnë për një spiun brenda agjencisë. Ames qëndroi jashtë radarit të tyre për shumë vite, ndërkohë që kërkimi nxori zbuluar dy spiunë të tjerë brenda CIA, një agjent që kish dezertuar në 1985, si dhe një roje sigurie të marinës që ishte dënuar në 1985 për spiunazh në Ambasadën e SHBA në Moskë.
Në periudhën 1986-1991 u zhdukën edhe tre agjentë të tjerë të dyfishtë në Uashignton dhe hetuesit konfirmuan se nuk mund të fajësohej asnjë prej të dyshuarve të tyre potencialë. Në 1991, CIA u këshillua për herë të parë me FBI-në për ndonjë spiun të mundshëm brenda agjencisë dhe Fbi nisi mejëherë një hetim me emrin e koduar "Nightmover". Emri i Aldrich Ame ishte në listën e 20 të dyshuarve, por ai i kaloi dy teste poligrafi.
Në fund të 1991, në një përpjekje për të ngushtuar listën e të dyshuarve, FBI sugjeroi që Ames të transferohej nga Departamenti i Kundërzbulimit në CIA. Ai u vendos në departamentin e kundërnarkotikëve, ndonëse arriti të vazhdojë veprimtarinë e spiunazhit me po atë lehtësi si më parë. Megjithatë, këtë herë FBI po e vëzhgonte nga afër. Në 1992, ata siguruan lejen për të përgjuar telefonin e Ames, si dhe të instalonin në fshehtësi kamera dhe përgjues në të gjithë shtëpinë e tij, si dhe brenda kompjuterit që përdorte.
Përmes përgjuesve në shtëpinë e tij, FBI mësoi se Ames kishte gënjyer për një palë pushime personale në tetor 1992. Ndonëse kishte thënë se do të udhëtonte drejt Kolumbisë për të vizituar familjen e të shoqes, përgjuesit zbuluan se ai kish zhvilluar takime në Karakas, Venezuelë. Agjentë të FBI e kapën në kamera Ames gjatë një takimi me agjentë rusë në Karakas.
Duke dashur ta kapin Amesin në momentin e dhënies apo marrjes së materialeve për padronët e tij rusë, FBI e shtyu arrestimin deri në 21 shkurt 1994, kur ndien se nuk mund të prisnin më gjatë. Ames u arrestua një ditë përpara se të vizitonte Moskën, në një vizitë zyrtare të CIA për çështjen e antinarkotikëve. Nuk dihet nëse Ames do të ishte rikthyer nga ai udhëtim. Eshtë e mundur që në Rusi të kishin të dhëna në lidhje me faktin që Ames mund të ishte zbuluar.
Kur u pyet në një intervistë për CNN në vitin 1998 në lidhje me motivet e spiunazhit të tij, Ames u përgjigj se ato ishin "personale, banale dhe kishin të bënin në realitet me babëzinë dhe marrëzinë". Sipas Ames, motivi i tij kryesor për spiunazhin që kishte kryer ishte të fitonte disa para më shumë dhe ia doli në fakt të fitojë afro 2.7 milion dollarë. Ames është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë apelimi.
Xhon Pollard
Xhon Pollard, një analist civil i shërbimit të fshehtë në ushtri, dëshironte kaq shumë të bëhej spiun, saqë ai madje mendonte se ishte i tillë shumë përpara se të ndodhte kjo. Si student kolegji në Stenford ai mburrej se kishte kontakte me agjentë të shërbimit të fshehtë izraelit dhe se i ati ishte një agjent i CIA që punonte në Pragë. Të dy pretendime të rremë. Në aplikimet për vende pune ai fuste informacione të rremë për arsimin dhe përvojën dhe njëkohësisht i dërgonte vetvetes telegrame nën llagape që i sajonte po vetë. Çuditërisht, asnjë prej këtyre detajeve të çuditshme që lidheshin me personalitetin e tij nuk ishin të përfshirë në raportin e kontrollit të tij në Marinë.
Pollard u bë analist në Marinë në vitin 1979. Fillimisht, pati një besim shumë të madh ndaj tij, gjë që u lëkund disi kur ai pati disa kontakte të dyshimta me një atashe nga Ambasada e Afrikës së Jugut.
Në 1984, ai u ngrit në pozitën e analistit në NIS (the Naval Criminal Investigation Service) dhe njëkohësisht u rikthye besimi kundrejt tij. U vendos në një njësi të re, Qendra e Alarmit Antiterrorizëm, ku pati mundësi të shohë fotografi satelitore dhe raporte të CIA. Të paktën tre të njohur të Pollard kanë thënë se pak muaj pasi mori postin e ri, ai u postoi koleksione të pakërkuar informacionesh sekretë, pa patur ndonjë arsye të dukshme.
Pak kohë pasi nisi të punojë në NIS, Pollard takoi një oficer të shërbimit të fshehtë izraelit në Nju Jork, me emrin Avi Sela. Sela kërkoi informacione të fshehtë prej Pollard dhe i tha se do të paguhej. Pak ditë më vonë, Sella dhe Pollard u takuan në Uashington. Pollard i ofroi informacione të detajuar mbi impiante kimikë irakenë. Për këtë transaksion të parë, Pollardi mori një diamant 10 mijë dollarësh, si dhe një unazë safiri për të fejuarën e tij, An Anderson, si dhe u pagua me 10 mijë dollarë të thata. Sela ra dakord gjithashtu t'i paguajë 1500 dollarë në muaj për veprimtari spiunazhi sa kohë që do të vazhdonin.
Sipas vetë dëshmisë së tij, Pollard u kaloi izraelitëve më shumë se 800 dokumente sekretë dhe mbi 1000 telegramë, ndoshta sasia më e madhe e materialeve që ka kaluar ndonjëherë përmes spiunazhit. Në një moment, kur bashkëshortja e re e Pollard po shpresonte të intervistohej në një kompani ndërkombëtare marrëdhëniesh publike me degë në Kinë, ai solli në shtëpi pesë studime të fshehta mbi Kinën. Prezantimi i saj u vlerësua si brilant.
Pollard u kap në 18 nëntor 1985 tek largohej nga zyra me 60 dokumente top-secret në çantë. Supervizorët ishin bërë dyshues nga konsumi i madh i materialeve prej tij. Sekretari i atëhershëm i Mbrojtjes, Kaspar Vainberger, do të thoshte: "E kam të vështirë ... të marr me mend ndonjë dëm më të madh që mund t'i bëhej sigurisë kombëtare".
Pollard u shpall fajtor për spiunazh dhe u dënua me burgim të përjetshëm. E shoqja u dënua me pesë vite burg për posedim të paautorizuar dkumentesh qeveritarë. Kur doli nga burgu, An Anderson u divorcua nga i shoqi. Në 1993, Sekretari i Mbrojtjes, Les Aspin tha se Pollard ishte përpjekur 14 herë të zbulonte informacione të fshehtë përmes letrave dërguar marrësve të ndryshëm, që nga qelia e tij.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh Empty Re: Sa kohë që ka patur sekrete të vyera, ka patur edhe spiunazh

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi