Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Njoftim për Media : Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit

Shko poshtë

Njoftim për Media : Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit Empty Njoftim për Media : Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jun 20, 2009 5:09 pm

Njoftim për Media : Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit


NJOFTIMI PËR MEDIA/

Njoftim për Media : Ribotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit Ae-1996-sRibotohet libri "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" i Prof. Abas Ermenjit


Ditët e fundit, me rastin e 6-vjetorit të ndarjes nga jeta së ish-kryetarit të Ballit Kombëtar, Prof. Abas Ermenjit, u ribotua libri i tij i titulluar "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë"

"Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" është një studim mjaft interesant i historisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar. I shkruar nga Prof. Abas Ermenji dhe i botuar për herë të parë në vitin 1968 në mërgim nga Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", ky libër u ribotua në vitin 1996 në Tiranë nga Shtëpia Botuese Çabej.

Menduam se ishte koha për një botim të tretë në një periudhë kur, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, shqiptarët kërkojnë të dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre kombëtare dhe politike. Pyetjeve të tilla është shpesh më e lehtë t'iu përgjigjesh duke hedhur sytë nga e kaluara, dhe ky studim ka vetinë që ta sjellë përpara lexuesit dhe ta tregojë këtë histori me një besnikëri dhe saktësi mahnitëse, duke kaluar me një lehtësi të admirueshme nga ngjarje të veçanta në zhvillime të përgjithëshme, duke mënjanuar detajet e panevojshme dhe duke u përqendruar tek ajo që është thelbësore për kombin shqiptar.

Në libër kemi ruajtur gjuhën origjinale, siç është shkruar nga Prof. Abas Ermenji, gjuhë e cila ka shumë elemente të epokës para-komuniste dhe ka disa ndryshime të vogla nga ajo që sot quhet gjuhë letrare. Menduam se libri do të humbiste pak nga vlera e tij nëse do të përshtatej në gjuhën e sotme.

Libri është i këndshëm në të lexuar dhe futesh me lehtësi në botën e tij. Leximi i parë i këtij libri është një surprizë e këndshme, sepse historia e treguar në të ështe e gjallë, tërheqëse dhe larg stereotipeve të mërzitshëm.

Ky libër mund të lexohet nga të gjithë shqiptarët që duan të dijnë për identitetin e tyre, sidomos nëse janë të pasionuar pas historisë. Por njëkohësisht është edhe një studim shkencor, i cili do të jetë shumë i vlefshëm për studentët e historisë dhe historianët. Në fund të librit kemi vendosur një indeks për ngjarjet, vendet dhe personazhet me rëndësi që në një mënyrë apo në një tjetër kanë hyrë në historinë e Shqipërisë.

Libri i Prof. Ermenjit u ribotua me përkujdesjen e Botimeve Balli i Kombit (BBK). Për më tepër informacion, ju lutemi të vizitoni webfaqen e BBK:

http://botimet.ballikombit.org/
Email: botimet@ballikombit.org
Kontakt: Xhemil Meço, xmeco@yahoo.com



/LIBRI/

Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë


Titulli: Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë
Autori: Abas Ermenji

Botimet Balli i Kombit
Botimi i tretë
Data e botimit: mars 2009
ISBN: 978-1-4092-6594-8
Historiku i botimeve:
Botimi parë: 1968 , Komiteti Kombëtar Demokrat "Shqipnija e Lirë"
Botimi i dytë: 1996, Tiranë, Shtëpia Botuese Çabej
Karakteristikat e librit:
478 faqe, formati 15,24cm x 22,86 cm
Çmimi: €31.30
Së shpejti i disponueshëm në Amazon.Com dhe në librari të tjera në Internet.

/AUTORI/

Abas Ermenji

Abas Ermenji (1913-2003) lindi në Ermenj të Skraparit më 12 dhjetor 1913. Studimet fillore i kreu në Berat, kurse studimet e mesme në gjimnazin e Shkodrës. Në vitet 1934-1938 kryen në Sorbonë, Paris, Fakultetin e Letërsisë me specializim Historinë.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1938 dhe emërohet profesor në Liceun e Korçës ku jep mësim deri në muajin nëntor të vitit 1939. Arrestohet nga italianët si një nga organizatorët e rinisë korçare në manifestimet e 28 Nëntorit 1939 kundër pushtimit fashist dhe internohet në ishullin e Ventotenes, prej ku lirohet në vitin 1941.
Sapo kthehet në Shqipëri merr pjesë në organizimin e rezistencës së armatosur kundër pushtimit të huaj në zonën Skrapar-Berat dhe zhvillon disa beteja kundër italianëve. Ishte një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit qendror të tij.

Pas fitores së revolucionit komunist në Shqipëri, detyrohet të largohet nga atdheu dhe të marrë rrugën e gjatë të mërgimit. Vendoset në Paris ku drejton Komitetin Kombëtar Demokrat "Shqipëria e Lirë", i cili ka lozur një rol të madh në përpjekjet për një Shqipëri të lirë nga diktatura komuniste si dhe për çlirimin e Kosovës nga shtypja dhe tirania e Serbisë.

Pas rikrijimit të Ballit Kombëtar në Shqipëri në vitin 1991, zgjidhet kryetar i kësaj partie dy herë radhazi në vitet 1994 dhe 1998. Gjatë kësaj periudhe, megjithë moshën e tij të madhe, ka dhënë një kontribut të madh në ngritjen e ndjenjës kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet një serie konferencash në të gjithë Shqipërinë.
Profesor Ermenji ka qenë një mbrojtës i flaktë i çështjes dhe kombësisë shqiptare, me artikuj të shumtë, të botuar tek "Flamuri", "Balli i Kombit", përmbledhja "Albania" etj. Por kryevepra e tij është studimi "Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë" - një apologji madhështore e kombësisë shqiptare.


--
Botimet Balli i Kombit
botimet@ballikombit.org
http://botimet.ballikombit.org
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi