SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË DHE SHQIPTARËT
Faqja 1 e 1
SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË DHE SHQIPTARËT
SHËNJTËRESHA NËNË TEREZË DHE SHQIPTARËT
“Un nuk jam veçse një laps i vogël në duart’ e Zotit. Është Ai që shkruan, është Ai që mendon, është Ai që vendos”
NËNË TEREZA E KALKUTËS
4 shtatori 2016 do të jetë një datë e skalitur me shkronja të ndritëshme në histori. Shënjtërimi i Nënë Terezës, në shekull Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, një bijë e popullit tonë, e lartësuar me hirin e Jezu Krishtit në botën e së vërtetës hyjnore, krahas gëzimit, entuziazmit, kënaqësisë deri në krenari për gjakun e saj shqiptar, mendoj se është edhe një shtysë përsiatjeje të thellë mbi të shkuarën tonë, veçanërisht në lidhje me Të.
Historia e Shenjtëve të Krishterimit është shumatorja e historive të njerëzve, burra e gra, të cilët Perëndia i përzgjodhi mes krijesave njerëzore, i pajisi me frymën e saj dhe i ngarkoi secilit misionin që të vinte në jetë mësimet e saj. Ato apo ata patën jetë të gjata apo të shkurtëra, në mundime, vuajtje e dhimbje, në shembëllim të Birit të Zotit, kaluan Kalvarin e tyre, duke vërtetuar çdo ditë se njeriu nuk është një qënie e përsosur, se në të bashkëjetojnë e mira dhe e keqja, se megjithë vështirësitë e mëdha të luftës brënda vetes, me frymën e Qielllit dhe vullnetin e tokës njerëzit mund të gjejnë rrugën e Zotit. Shënjtët janë modelet, shëmbujt, udhërrëfyesit, ata që lindin një në qindra milionë, përçues të dritës Hyjnore mes mëkatarëve e vdekëtarëve të thjeshtë.
Një e tillë ishte edhe Nënë Tereza e lumturia e jonë, si shqiptarë, qëndron në faktin se edhe në mes të popullit tonë, jo shumë i dalluar në historinë e tij për fuqinë dhe qëndrueshmërinë granitike të besimit fetar, Jezu Krishti dhe Virgjëresha Marie zgjodhën një vajzë të thjeshtë si “drita e tyre ndërmjet të varfërvet”, duke e bërë këtë vajzë zëdhënësen e Tyre më besnike e më të ndritur në botën e shekullit më mizor të historisë së njerëzimit.
Anjeze Gonxhe Bojaxhiu ishte brumë i magjes shqiptare, i gatuar me miellin zero të grurit të fushave të Kosovës, e mbruajtur me respektin e fjalës së dhënë e me plotësimin, deri në vetmohim, të misionit të marrë përsipër. Ajo ishte pjellë e Shqipërisë së traditës, që njihej në dyshen e bashkangjitur “Fè e Atme”, të kënduar nga poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Por këtu mbaron roli i Shqipërisë në veprimtarinë e bijës së saj, edhe se ajo mbeti në zemrën e saj të përvëluar nga malli, aq sa të pohojë botërisht në ceremoninë më të rëndësishme të jetës së saj botërore, kur i u dha Ҫmimi Nobel : “Nga gjaku dhe origjina jam shqiptare....”
Shqipëria, e dalë nga gati gjysmë mijëvjeçari pushtimi osman, së cilës, për të krijuar një ndërgjegje kombëtare, të domosdoshme për jetën e saj të pavarur, i duhej të ushqehej me mite heronjsh të vërtetë e të sajuar, me legjenda lashtësie e qëndrese mbijetese, e përcolli me një farë heshtjeje rrugën e murgeshës së re, që kishte zgjedhur Urdhërin e Loretos, në Hindinë e largët, për të vënë në jetë mësimet e Jezusit mbi mëshirën e krishterë. E shkëputur nga familja e atdheu, e kushtuar tërësisht për rreth pesëmbëdhjetë vjet arsimimit, jo vetëm të vajzave të familjeve të pasura të Kalkutës, por edhe fëmijëve të varfër të saj, murgesha Terezë kalonte jetën e saj misionare, në qetësinë e rreptësinë e Kuvendit dhe në intimitetin e lutjeve. Deri më 1948 Motra Terezë ishte një nga shërbyeset e heshtura të Jezusit, ndërmjet mijërave të tilla në të katër anët e botës. Jeta e saj e njohur shoqërore filloi me daljen nga Urdhëri e shtytur nga një vizion hyjnor i një bisede me Krishtin dhe Virgjëreshën, e me themelimin e shoqatave të saj të bamirësisë e të “Misionareve të Mëshirës”.
Kjo jetë mbeti krejtësisht e panjohur për shqiptarët e republikës popullore, jo vetëm për zotimin kundër fetar skajor të regjimit, por edhe për mungesën e theksuar të njohurive dhe lajmeve e, ndoshta, edhe për një mospërputhje mendësie mes fakteve të kujdesit të murgeshës shqiptare për më të varfërit e të varfërvet të Hindisë, duke u pastruar me dorë krimbat nga mishi i “arixhinjve” dhe koncepteve të “burrërisë” e “trimërisë” shqiptare. Shqipëria zyrtare qe e ftohtë dhe mospërfillëse kundrejt veprës së saj madhore me përmasa planetare, deri sa Akademia Suedeze e Shkencavet, më 1979, do t’i jepte asaj Ҫmimin Nobel për “Mbrojtjen e Paqes”. Mërgata shqiptare jashtë mbante lidhjet me murgeshën e madhe, por hendeku mes saj dhe regjimit të Vendit të saj të lindjes që, në gjysëm shekulli, qe shprehja më e përkryer e gjithshkaje t’errët e mizore, që ishte në gjëndje të prodhonte kombi shqiptar, u thellua e u zgjerua në përmasa katastrofale. Regjimi i Enver Hoxhës, me cinizmin karakteristik të huajtur nga OZNA serbe apo GPU-ja sovjetike, modelet e policive politike të admiruara e të përvehtësuara deri në përnjisim nga Sigurimi i Shtetit shqiptar e quajti murgeshën Terezë të Kalkutës si njeri që “përdorej gjërësisht nga Vatikani dhe Gjon Pali i II për aktivitete propagandistike kundër vendt tonë”, “një agjente e rrezikëshme”, “një armike” që duhej mbajtur në mbikqyrje edhe në Hindinë e largët, mbasi “rrezikonte” lirinë e Shqipërisë.
Si pasojë e kësaj mendësie u arrit në kulme të cinizmit kriminal, të shfaqur nga zyrtarë të lartë të rangjeve të ndryshme, që nga ambasadorët shqiptarë në Vende të huaja, deri tek znj. Vito Kapo në Meksikë, e cila lutjeve të nobelistes shqiptare, të veshur me sarin hindian, për të biseduar me të i u përgjigj me mospërfilljen dhe vrazhdësinë e spikatur të kastës së saj se”nuk kemi çfarë të bisedojmë bashkë”. Ky qe çasti kulmor i i keqtrajtimit të hapur të Shënjtëreshës shqiptare, qe një thikë e ngulur në shpirtin e saj të madh, qe plaga më e thellë që mori “krenaria” për gjakun shqiptar që i rrihte në deje. Por dhimbja më therëse, e kthyer në një torturë të përherëshme, që shoqëroi pjesën e dyzuar të personalitetit të saj, atë të jetës intime, të kujtimeve të dashurive familjare të fëminisë e të rinisë së parë, e skalitur në kujtesën e saj prej tetëmbëdhjetë vjeçareje në figurat e nënës e motrës, qe pamundësia për t’i parë edhe njëherë ato. Janë të njohura përpjekjet e ndërhyrjet e drejtuesve kryesorë të botës së atëherëshme pranë autoriteteve shqiptare për të bërë të mundur bashkimin e Nënë Terezës me familjaret e saj, të mbetura në Shqipëri. Ato i përgjigjen emrave të një Xhon F. Kenedi, të një Sharl dë Goli, të një U Thant-i, të një Indira Gandi e sa e sa të tjerë. Por Shqipëria, që kishte patur, në të shkuarën e pushtimit nazifashist, burra shteti që kishin shpëtuar qindra jetë hebrenjsh me guximin dhe bujarinë shqiptare të tyre nuk gjeti, tek drejtuesit e saj komunistë, asnjë shkëndijë bujarie e shpirtmadhësie për të bashkuar, para fundit të jetës, një familje të ndarë të popullit të saj....
Të gjitha këto fakte e konsiderata i njohin mjaft shqiptarë, sigurisht i njohin mirë drejtuesit aktualë të shtetit, të pranishëm dukshëm në ceremoninë historike të 4 shtatorit 2016 në Vatikan. Por në fjalët, intervistat apo shkrimet e tyre nuk preken aspak veprimet e turpëshme që janë kryer kundrejt figurës më madhore të lindur në truallin shqiptar, ata anashkalohen sikur heshtja të kishte fuqinë e shlyerjes. Besoj se shumëkush në atë ditë të madhe, një nga ato që të detyrojnë t’i nënshtrohesh edhe kolektivisht provimit të ndërgjegjes, do të kenë pritur nje kërkim faljeje të sinqertë, zyrtare, të pamëdyshje të Shtetit shqiptar drejtuar Zotit dhe shpirtit të bardhë të Shënjtëreshës Terezë, për plagët e hapura të martirizimit të shërbyesve të fesë së Krishtit, madje të gjithë fevet. Drejtuesit e sotëm, kryetari i shtetit apo kryetarët e tjerë të institucioneve, në sajë të moshës së tyre mund të përligjin heshtjen prej struci ndaj të këqijave të parardhësve të tyre, por një qëndrim i tillë nuk nderon ata e nuk i shërben së vërtetës historike, e cila, edhe mbas gjysëm shekulli masakrimi, ende është tepër larg pohimit të saj.
Por nëse në simpoziumet studimore apo hipokrizitë politike mund të vazhdohet ende “t’i shitet sapuni për djathë” shqipfolësvet, në ditën e shënjtërimit të një bashkatdhetareje, ngjarje aq e rrallë sa, për të hasur një të ngjajshme, duhet të kthehemi 1500 vjet mbrapa, duhet të kishte qënë një farë “rrëfimi”kombëtar. Do të vlente një veprim i tillë edhe për të treguar se, më së fundi, e kemi përnjisuar mesazhin e jetës së Shënjtores tonë, se falënderojmë Zotin për dhuratën e saj e se jemi gati, të penduar për mëkatet tona të stërmëdha, të kërkojmë hirin e saj si “Mbrojtëse e Shqipërisë”. Kjo gjë nuk ndodhi e besoj se të gjitha fjalët e bukura, të zbrazura pa kursim n’ato ditë, duhen shumëzuar me zero, mbasi e shkuara jonë kriminale vazhdon të jetojë ende e strukur në strofkat e fshehta të zemrave të politikanëve tanë.
E gjithë retorika mbi “kombin që i dhuroi botës një shërbëtore si Nënë Tereza, si kombi që ka brënda tij njerëz të cilët i përkasin pjesës së njerëzimit që është aq shumë e lidhur me dëshirën që të ndeshet me të keqen...” (Presidenti Bujar Nishani) është një demagogji bajate dhe e rëndomtë, në sintoni me atë të njohurën e së shkuarës, nëse nuk paditet me forcën e duhur e keqja, zotëruese e së kaluarës, e nuk gjen shprehjen e vet pendesa e thellë e sinqertë, jo hipokrizia e rradhës. Madje vetë koncepti për personazhin si “shërbëtore e botës” tregon se presidenti me gjithë vullnetin e tij, nuk arrin te shkëputet nga interpretimi laik i dukurisë. Shënjtëresha e Kalkutës nuk ishte një “shërbëtore e botës”, por një shërbyese e Jezu Krishtit dhe Virgjëreshës Marie, të cilët i kishin ngarkuar asaj misionin e shërbimit ndaj të braktisurvet e të varfërvet të botës. Së treti, nuk ishte kombi që i dhuroi njerëzimit Nënë Terezën, por Shën Tereza që, me dritën e saj të bijës së Krishtit, të ngjitur në qiell me hirin e Zotit, i dha Shqipërisë mundësinë e afrimit me Perëndinë dhe brezave të ardhshëm shëmbullin më të shkëlqyer të një jete në përputhje me fjalën e Zotit dhe vlerat më të larta të moralit njerëzor.
Presidenti, si përfaqësuesi më i larë i Shtetit shqiptar, që edhe në ditën madhështore të 4 shtatorit, nuk ka ende një ambasador në Shtetin e Vatikanit, duhet të bënte një “mea culpa” të thellë, sepse është krejtësisht e papranueshme që, në më shumë se gjashtë muaj që ishte caktuar data e shënjtërimit të një shqiptareje, të mos ngriheshin marrëdhëniet me Vatikanin në rang ambasadash. Mos pranimi i presidentit për të emëruar dy përfaqësuesit e fundit të Shqipërisë në Vatikan, nga zgjedhjet më të mira të bëra nga Qeveria aktuale, si dy nga intelektualët më të spikatur të botës shqiptare, e ngarkon atë me një përgjegjësi tepër të madhe, para së cilës frazeologjia e intervistës dhënë Radio-Vatikanit, nuk ka asnjë vlerë. Fjalët e bukura për Shën Terezën zbehen krejtësisht kur Visar Zhitit, një të përndjekuri të ndritur të komunizmit, një poeti me përmasa botërore, i cili ka qënë i pari që ka shqipëruar e bërë të njohura lutjet dhe poezitë e Shën Terezës në kulturën shqiptare, për teka të pakuptueshme, nuk i jepet emërimi si ambasador në Shtetin e Vatikanit, për t’u paraqitur me atë titull të merituar tek Papa Françesku që, në një kohë tepër të shkurtër dekretoi Shënjtëreshën shqiptare.
Këto ishin disa nga përsiatjet vetiake të asaj dite të madhe, që nxori në pah edhe njëherë, mbas evropianit të futbollit, dëshirën dhe pasionin e shqiptarëve, kudo në botë, të festojnë të bashkuar vlerat e tyre kombëtare. Le t’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Terezë e Kalkutës, që nga amëshimi në dritën e Zotit, të bekojë e ndriçojë popullin që e lindi, duke ndërmjetësuar tek i Plotfuqishmi për faljen e mëkateve të tij.
Shtator 2016
Eugjen Merlika
Lek- Numri i postimeve : 142
Registration date : 17/12/2010
Similar topics
» Afrim Asllani:Nënë Tereze e Botës mbarë
» Afrim Asllani:Nënë Tereze e Botës mbarë
» Miratohet programi kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezë
» Ndue Ukaj: Nëna Terezë dhe shqiptarët
» Kujtimi për Nënën Terezë-Clinton: “Nënë Tereza, Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar”
» Afrim Asllani:Nënë Tereze e Botës mbarë
» Miratohet programi kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezë
» Ndue Ukaj: Nëna Terezë dhe shqiptarët
» Kujtimi për Nënën Terezë-Clinton: “Nënë Tereza, Ajo që më bëri ta dua kombin shqiptar”
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi