REXHEP SHAHU - MINAT SERBE – SPIUNAT SERBË
Faqja 1 e 1
REXHEP SHAHU - MINAT SERBE – SPIUNAT SERBË
REXHEP SHAHU
MINAT SERBE – SPIUNAT SERBË
Marsi erdhi përsëri. Marsi i luftrave. Marsi i minave. I minave serbe. I minave njerëz. I minave serbe njerëz. Marsi i demokracisë. Marsi i lig, i zi e i bardhë për shqiptarë.
Po mbushen nëntë vjet që ka përfunduar lufta për Kosovën. Më saktë – beteja e fundit e luftës së gjatë për Kosovën. Mes shqiptarëve vendas dhe serbëve ardhës. Luftë që i pakësoi shqiptarët në njerëz e troje, por nuk i zhduku. Luftë që flijoi mijëra e mijëra bij e bija Kosove. Që shpërnguli ndër shekuj miliona shqiptarë nga trojet e tyre, por që, dashti edhe zoti, nuk u zbraz Kosova, nuk u shua fara e raca jonë.
Falë, mbase, nënës shqiptare që lindi "pesë për luftë, me u vra me shkiet e pesë për jetesë”, që mëkoi bijtë me ninulla për trimëritë e herojve të Kosovës, (jo për keto biçim heronjsh, që duan të jenë edhe heronj, edhe të gjallë, edhe legjendarë... Që i presin me banderola "MIRËSEVJEN HEROI YNË I GJALLË LEGJENDAR...", shkruar nga ato lloj sërvilësh, si për Titon apo Enverin dikur ... veç sot bezi i parullave është i bardhë dhe boja e germave është blu...), që asnjë betejë e re (si këto të 1998 e 1999), nuk ua zbeh rrezatimin e trimërisë e madhështisë.
Dhe këto "heronjtë e gjallë" edhe "legjendarë", qyshse lejojnë të thirren kështu (mbase edhe urdhërojnë vetë...), fyejne përditë Adem Jasharin, Agim Ramadanin, Sali Çekun, Fehmi e Xheve Lladrovcin... Azem e Shote Galicën, Sylejman Vokshin, derdhin mosmirënjohje mbi Haxhi Zekën, Ahmet Delinë, Shaban Polluzhën, Tahir e Nebi Mehën...
Marsi na gjeti me pavarësi të Kosovës. Edhe Pavarësia e saj si dhe liria, për shqiptarët në Kosovë, erdhi falë shpirtit të dhimbshëm të shqiptarëve, që s'bën dot masakra mbi asnjë qenie njerzore, siç kanë bërë serbët mbi shqiptarët, falë LOTIT TË BURRAVE, grave e fëmijëve të Kosovës, po, po, falë lotit, (PLEQTË nuk nxorën lotë...), lotë që drodhën zemrat e qytetarëve amerikanë dhe evropianë, falë edhe gjakut që kanë derdhë vetë e që ka çliruar energji dhe shpresa tek kushdo...
Liria e Pavarësia erdhi, po po, erdhi se e sollën miqtë e shqiptarëve, amerikanë e evropianë, ata që na e thanë me gojën e Klintonit, në Ferizaj, “ne bëmë luftën, ju bëjeni paqen”.
Por ne shqiptarët duket se dimë vetëm të harrojmë. Dhe në ditën e shpalljes së pavarësisë mu duk se ne thamë atë fjalën e mosmirënjohjes proverbiale “Kalova lumin ta q… kalin”.
Liria e pavarësia ndjehet e kërcenuar prej minave serbe. Të minave prej hekuri e tritoli dhe prej mishi e gjaku. Prej njerëzve - mina. Hafije të UDB - së. Minat prej hekuri e tritoli serbët i kanë mbjellë përgjatë kufirit Kosovë - Shqipëri. Në të dyja anët e tij. Që të mbetet, sipas tyre, e ndarë Kosova me Shqipërinë.
Të dytat, minat serbe - njerëz, Serbia i ka mbjellë në mesin tonë. Lum si ne... me mina serbe nëpër këmbë, nëpër udhë, zyra, seli, dikastere, partira, arkiva, muzeume, policira, drejtorira, seksione, akademira, institute, fondacione. Nëpër administrata, kadastra, OJQ, kafe, redaksira radiosh, gazetash, revistash, axhensishë, televizionesh... Nëpër ambasada, konsullata, përfaqësi, nëpër diasporë... Lum si ne... Mina me dashje e padashje, me dije e pa dije, me vëtëdije e pavetëdije... Lloj lloj markash e racash... Vendas e të huaj... Të rinj e të vjetër... Me efekt të menjëhershëm e me efekt të ngadaltë. Me mision urgjent por edhe afatmesëm apo afatgjatë... Që të pengohet Shqipëria. Të pengohet Kosova. Të ndalohet njësimi i tyre. Që të mos lejohet kurrë shembja e murit të Berlinit mes shqiptarëve. Por ta thellojnë hendekun mes shqiptarëve, atë hendek që e pati krijuar dhe ruajtur Serbia edhe me ndihmën e ketyre minave serbe - njerëz. Që ta mbjellin sa më thellë mendimin se presidenti, kryeministri apo ministri i Shqipërisë është president, kryeministër, apo ministër shqiptar. Për të nënkuptuar se është i gjithë shqiptarëve. Ose se shqiptarë janë vetëm këto që janë brenda Shqipërise së cunguar administrative dhe s'ka kund tjetër shqiptarë... Dhe të ndalohet kushdo tjetër të quhet shqiptar. Të mos i besohet nëse thotë se jam shqiptar... Duke shpallur kështu se kjo është Shqipëria. Se presidenti, kryeministri, ministri i Kosovës nuk është shqiptar... Dhe nuk na duhet më, më shumë Shqipëri... Nuk na duhen më, më shumë shqiptarë... Se duket e dinë mirë se po të bëhet Shqipëria - Shqipëri as për llustraxhi këpucësh s'dalin më të denjë... Ata, "baballarët e kombit" që u thirrën shqiptarëve, (sikur t'u drejtoheshin grekërve apo kinezëve) "shqiptarë, hapni portat për vëllezërit tuaj..." pasi shqiptarët i kishin hapur portat vetë, pritur dhe strehuar shqiptarët e Kosovës që mbërritën në Shqipërinë administrative, pa lejen, urdhërin apo thirrjen e"baballarëve të kombit".
Serbët janë të bindur se Kosovën s'do ta kenë kurrë më as për ta shfrytëzuar e për t'u pasuruar me të, as për t'i përdorur shqiptarët si skllevër, as për të ushtruar eksperimentet e tyre (më saktë masakrat).
Historia e luftrave të serbëve ndaj shqiptarëve nuk njeh luftë të ndershme, por veç masakra mbi civilë, fëmijë, gra, pleq shqiptarë. Të ndezur tej çdo mase prej inferioritetit që ndjejnë, të irrituar pse Amerika s'i la ta bënin Kosovën tokë të djegur e të pastër prej shqiptarëve, vendosën ta mbjellin tokën shqiptare me vdekje. Me vdekje të papritur. Të përditshme. Të përjavshme. Të përmuajshme e të përvitshme. Vendosën t'u shkaktonin zi pas zije shqiptarëve. Dhe e mbollën tokën tonë përveçse me mina serbe - njerëz edhe me mina serbe anti njeri e anti tank ...
Në fakt, serbët kishin mbjellë mina ndër shqiptarë shekuj me radhë. Por sidomos pasi e bënë shtetin e tyre. Që nga koha e Garashaninit, e Çubrilloviçit, Rankoviçit, Titos, Milosheviçit...
Nëse minat që i ka mbjellë në tokën tonë, që janë prej hekuri, baruti, tritoli, me kauçuk mbështjellë, me kapsolla a ku ta di çfarë, Serbia i ka prodhuar vetë (dhe vetë mina si minë s'ka faj, anipse mallkimin e ka në shpinë), minat serbe - njerëz Serbia i ka blerë. Herët e vonë... I ka blerë edhe në mesin e shqiptarëve. Me pare, me dinarë, me marka, me dollarë... Që flasin edhe shqip... (E thotë Vaso Çubrilloviqi në traktatin e tij Shpërngulja e shqiptarëve se në Shqipëri bën punë paraja, kur shtrohet çeshtja për të gjetë njerëz që ndihmojnë politikat serbe këtu.) Që nuk mendojnë shqip. Që hanë bukën e pinë ujin e shqiptarëve. Që jetojnë në tokën e shqiptarëve. Që marrin rrogë nga shteti i shqiptarëve. Në bordero bashkë me shqiptarët... Që shpesh marrin edhe votën apo miratimin për t'u bërë drejtues të shqiptarëve diku, prej shqiptarëve. Që të gjitha të mirat dhe privilegjet i duan prej shqiptarëve, por vetë të punojnë kundër shqiptarëve. Kundër gjuhës së shqiptarëve. Për t'ia përdhosur leksikun dhe sintaksën. Për të vënë mbiemrin para emrit... Që ndonjë bashkëtingëllore të zhurmëshme të shqipes të përbërë prej dy germave të forta ta "zbusin"...
Që këngë shqipe apo melodi shqiptare mundësisht të mos degjohet në asnjë skaj të Shqipërisë cunge, në asnjë lokal, kafe, bar, restorant. Në asnjë mjedis.
Që në mediat e reja servile shqiptare dhe keshe moderne të mos lejohen këngë e melodi shqipe. Se janë shumë anakronike dhe injorante... Veç sa më shumë të huaja... Dhe ato shqiptarë që punojnë si argatë te i huaji thonë se edhe ndonjë zog mali po gaboi e këndoi apo fërshelleu shqip, të huajt e vrasin dhe e djegin...
Që punojnë kundër trashëgimisë, dokeve, zakoneve e traditave shqiptare. Dhe shpesh përpiqën t'i bëjnë serbe... Si këngët popullore shqiptare që i përkthejnë në serbishte apo zhargone të saj dhe i trumpetojnë si serbe...
Që serbët të mos shkulen nga memoria e shqiptarëve. Që përmbi pllakën e varrit të shqiptarit të vdekur nga minat serbe të shkruhet : vdekur nga minat serbe... Që sakatët të mbetur pa duar, këmbë apo sy, të tregojnë : më lanë sakat minat serbe... Që mallkimi ndaj serbëve të jetojë. Dhe shqiptarët të tremben gjithmonë...
Që nga pranvera e 1998 e deri sa hyri NATO në Kosovë, kufiri Shqipëri - Kosovë u mboll me mina serbe. Në gjithë rajonin e Tropojës, Hasit dhe Kukesit kufiri është plot mina serbe. Thellësia e teritorit të minuar arrin deri në 2000 m në brendësi të teritorit të Shqipërisë administrative, duke filluar nga 30, 50 e 500 m. Bile, (siç u tha në TVSH,) deri 25 km. Gjatësia e kufirit të minuar është mbi 100 km. Sipërfaqja e mbjellë me mina është 1400 ha. "Milosheviçi iku, serbët e thyen qafën, por na e lanë tokën të mbjellme plot me Milosheviçë të vegjël, plot ushtarë serbë që s'shihen e po duhet me i shkelë me këmbë, por që po na vrasin e po na lënë sakatë përditë" - thonë në Letaj të Hasit, në lagjen e Kurpalëve.
Shkelzen Kurpali, veç në oborrin e shtëpisë së vet ka mbledhur 200 mina antinjeri apo Milosheviçë të vegjël, siç i quan ai. I ka mbledhë vetë me duart e veta, pa asnjë mjet mbrojtës. I ka çaktivizuar dhe i ruan në një thes... E pamë dhe filmuam bashkë me ekipin e axhencisë Rojter me Benet Kolekën e kolegët e tij. Këtë lagje të Letajve serbët e patën pushtuar që nga data 29 prill 1999 deri me datën 12 qershor 1999. Aty në kullat e Kurpalëve kanë ngrënë e pirë ushtarët serbë pushtues. Banorët e Kurpalëve i patën leshuar kullat. Se nuk i mbrojtën dot. As nuk u doli kush zot. As ushtria jonë “legjendare”.
Pas luftës dhe fitores së NATO, pasi ikën serbët që mbollën 1400 ha me mina serbe në teritorin e Shqipërisë administrative, shumkush u dekorua, u gradua, u mbush me pllaka, me lule, me urdhëra, medalje për trimërinë që duhej të tregonte ose që e pati ndër mënd ta tregonte për të mbrojtur teritorin (të paktën) e Shqipërisë administrative, për të ruajtur integritetin e shtetit të Shqipërisë. Për qëndresën...
Megjithëse nuk e di a quhet cënim integriteti e shkelje e teritorit shtetëror prej pushtuesve serbë, kur ato kanë ardhur në këmbë në teritorin tonë dhe kanë gërmuar me vegla pune për të mbjellë mina serbe në tokën tonë në një sipërfaqe 1400 ha (sipas ekspertëve të E O D - së dhe popullit të rrethuar prej minave serbe)...
Nuk e di a përbën dot shkak për t'u kundërshtuar një dhunim i tillë... Aty, mbase (ose diku rrotull), kanë qenë ushtarët dhe policët tanë kufitarë trima, kur ushtarët serbë kanë ardhë dhe kanë patur nge të mbjellin mina edhe nëpër oborret e shtëpive hasjane apo tropojane përgjatë kufirit me Kosovën...
Aty, pranë (ose diku rrotull), kanë qenë patjetër, në mbrojtje të teritorit të Republikës së Shqipërisë dhe të flamurit shqiptar nëpër postat e kufirit (që i patëm lënë pa flamur dhe i patëm lëshuar për ca kohë "për levizje taktike", ua patëm lënë për nevojtore ushtarëve serbë, sa për t'u përgatitur për mësymjen e madhe për t'i "shafëjtë" serbët) policët e kufirit (që sot janë pak të zhgenjyer pse s'u këndohet ndonjë këngë trimërishte...).
Aty, pranë kanë qenë, mbase nëpër restorantet e Kukësit, ose, të futur nëpër tanke, p. sh: në fshatin Gjegjan të Kukësit, poshtë minierës së bakrit, veç 12 km larg kufirit me Kosovën, ushtarët e ushtarakët “trima e të lavdishëm” të ardhur prej Tirane, me tanke a ku ta di çfarë, që shkruajnë historira të turpshme trimërishte (që kanë patur ndër mend të tregojnë po t'u jepej rasti) me luftë imagjinare në Gjegjan të Kukesit (ushtarët e fundit serbë që kanë kaluar nëpër ato vende që thonë ato, i përkasin periudhës së vitit 1913 kur serbët patën masakruar Përbregun... si dhe deri nga 8 dhjetori i vitit 1921...), mbi 12 km në brendësi të teritorit të Shqipërisë administrative, dhe i botojnë në gazetën "Ushtria" e paçavure të tjera.
Pra, 1400 ha të mbjella me mina. 1400 ha, varr i hapur që pret kufoma përditë. Që nga pranvera e 1998 e deri sa mbaroi lufta në qershor 1999, zoti veç e di sa njerëz kanë mbetur në mina. Sa kanë vdekur e sa janë sakatë. Flas për banorët e Kosovës.
Ndërsa për Tropojën, Hasin, Kukësin, dihen keto shifra : Nga qershori 1999 deri në qershor 2001 kanë vdekur nga minat 22 banorë të prefekturës së Kukësit. 150 banorë të tjerë kanë mbetur invalidë me duar a këmbë të këputura ose pa sy. I aksidentuari i 147 -të është Giovanni San Filipo, shtetas italian, njëri ndër 27 punonjësit e kompanisë "Ronco", plagosur 200 m në thellësi të teritorit të Shqipërisë administrative, në afërsi të fshatit Letaj pranë Qafë Prushit tek po çaktivizonte një minë... Sipërfaqja e markuar (e kufizuar apo rrethuar) prej ushtrisë së Shqipërisë është 200 ha. Boll është, nuk i thonë shaka... Tash do të kemi suksese. Kemi komitet antimina... Do të gjejmë donatorë për dollarë... Do të...
Që ta besosh apo ta dish se ç'janë minat dhe ç'do të thotë teritor i minuar apo kufi i ruajtur e i pakalueshëm prej minave, duhet t'i shohësh. Duket e pabesueshme për një njeri që s'ka qenë në keto anë. Sidomos për të huajt, duket edhe tregim fantastiko - shkencor.
Dhe, se heqin mina vetë banorët, kjo ngjan me një përrallë. Por në fakt është një nga realitetet tragjike shqiptare. Duhet t’i shohësh të vdekurit kufomëcoptuar prej minave. Duhet t'i shohësh sakatët që kanë mbetur kështu prej minave. Të shkosh në lagjen Kolosh i Poshtëm në fshatin Bele të Kukësit dhe ta shohësh 27 vjeçarin Shaqir Koloshi që s'ka më këmbë se ia kanë këputur të dyja minat në shtator 1999 në kufirin Shqipëri - Kosovë. Vajza e tij e vetme 3 vjeçe mallkon serbët që "kanë fshehë mina në tokë me ma vra babën...". Mallkon edhe Shaqiri që ka 10 muaj pa u ngritur në këmbë. Pa u kujdesur askush në këtë botë për të. E rroftë e qoftë pastaj Kryqi i kuq. Rrofshin OJQ - të... Pastë jetë qeveria... Rroftë shoqëria civile humane...
Nga të mbeturit pa këmbë, një pjesë e vogël ka marrë proteza nga Kryqi i Kuq. Por shumica jo. As shpresë jo... Vërtetë janë shumë viktima minash që kanë nevojë për ndihmë. Por do të ketë edhe më shumë nesër e pasnesër. Se minat nuk kalben... Ndokush ka vënë proteza duke i ndërtuar vetë. Sipas Rojterit, kjo ka ndodhur në një fshat të Tropojës. E ka turpëruar shtetin që çirret gjithë ditën se jam human. Ka turpëruar edhe kryqin e kuq... Kjo që ka ndodhur është vetëm fillimi. Tmerri do të vazhdojë.
Izet Ademi nga Bardhoci i Kukësit s'do të ketë më këmbë të veten për të ecur. Korab Mula, 18 vjeçar, gjimnazist i shkollës së Golajve, nga Dobruna e Hasit s'do të ketë më duar për ta mbajtë lugën a gotën e ujit... Që të mos flasim për të vdekurit si Xheladin Dauti nga Golaj apo Hamdi Mulaj që s'mund të flasin më. Si dhe 17 - të të tjerët, për të cilët flasin varret, që thonë troç se Shqipëria është e pushtuar prej minave serbe që në Has i quajnë "Milosheviçë të vegjël"...
Për një vit askush s'e vu ujin në zjarr pse 1400 ha tokë në teritorin e Shqipërisë administrative është e mbjellë me mina serbe. Ndërsa sa dimë prej shtypit, në Kosovë përgjatë kufirit me Shqipërinë, të gjitha shifrat që përmendëm shumëzoji me tre.
Dhe nuk po flasim asnjë fjalë për bagëtitë e pafajshme që kanë mbetur në mina dhe po mbesin përditë. Ato janë me qindra.
S'po flasim as për shtëpitë e shkatërruara.
As për arat që kanë mbetë djerrë e livadhet pa kositë po prej minave serbe.
Banorët e këtyre zonave janë të rrethuar. S'kanë ku ti nxjerrin bagëtitë për kullotë. S'shkojnë dot te burimi a puseta e ujit prej minave. Jetë i thënshin...
Një jetë njeriu u pagua nga qeveria e Shqipërisë me një milionë lekë të vjetra. Ose rreth 650 dollarë amerikanë. Kush vdiq prej minave mori për familjen e tij një milion lekë të vjetra... Kontribut e jo shaka... Ndoshta të shtyrë edhe nga ky biznes... shumë banorë po provojnë të luajnë me vdekjen. Meqë s'ka ndihmë nga askush për të heqë mina, anipse bëhen seminare, shkruhen parulla e pankarta kundër minave, hahen dreka kundër minave, si në Novosej të Kukësit, ku s'ka patur mina kurrë, nga një OJQ..., bëhen programe nga ndonjë anglishtbëlbëzues e merren dollarë kunder minave... nga OJQ të ndryshme, fondacione të ndryshme që marrin e japin para sikur është bërë propagandë kundër minave, duke bërë letra sekrete, nënshkrime sekrete..., biznes - mashtrim e jo shaka, e organizma antiminë, apo struktura shtetërore antiminë..., banorët kanë hequr e po heqin mina vetë.
Kanë hequr e grumbulluar me mijëra mina. I kanë nëpër shtëpia. Mbase edhe se pati dalë llafi se do ti blejë minat NATO - ja. Kjo doli rrenë. Por banorët i kanë heqë "me çelë sytë tonë he burrë. Me shku te kroi, te baçja... Me nxjerrë dhentë a lopën prej vathe... se berret s'na kanë faj he burrë...".
Ka ardhë një kompani "Ronko" me heqë mina në Has. E specializuar. Për 20 ditë, me mbi 20 specialistë, ka pastruar 4, 5 dynym teritor dhe ka heqë 51 mina... Punon as nje km larg shtëpisë së Shkelzen Kurpalit, i cili ka hequr i vetëm 200 "Milosheviçë të vegjël".
Kështu i pamë edhe minat që kishte mbledhë Skënder Bajaziti apo Gent Ramadani të cilit ia kishin këputur edhe këmbën në Kodrën e Zezë të Borjes. Ndërsa fenomen është një 13 vjeçar në Kamenicë të Tropojës që ka turpëruar edhe ushtrinë (ushtarakët e kanë urdhëruar të mos heqë më mina). Ka hequr me dorën e vet 406 mina, deri në fillim të qershorit (sipas gazetës "Shekulli").
Shumëçka e keqe që ndodh në Shqipëri vjen prej minave serbe. Prej minave metalike që sakatojnë e vrasin individë, por kryesisht prej minave – njerëz, që vrasin shpresat dhe ardhmërinë, që tellallojnë se shqiptarët janë vetëshkatërrues. Dhe bota, zonja botë, shpesh i beson. Se minat flasin si njerëz. Flasin edhe shqip. Por flasin edhe gjuhet që deshirojnë ekspertët e botës...
Rreziku prej minave të tilla është shumëfish më i madh se i minave metalike të mbjellura në 1400 ha përgjatë kufirit me Kosovën. Këto lloj minash nuk shpërthejnë kollaj. Janë shumë të sofistikuara. Shumë të durueshme. Mund të presin me dhjetra e mbase me qindra vjet. Ato shpërthejnë veç kur urdhërohen. Ato janë edhe të trashëgueshme. Po. Të trashëgueshme nga i ati te i biri. Nëse s'i ka rënë të shpërthejë i ati, duhet të presë e të bëhet gati i biri. Se paratë janë paguar. I ka marrë i ati. Ani pse ka vdekur. Shpërthimin duhet ta bëjë i biri... Por përgjithësisht minat serbe - njerëz nuk shpërthejnë përditë. Ato veç flasin. Ashtu urtë e butë. Për të mbjellë ca simpati për Serbinë... Ëmbël. Në vendin dhe kohën e duhur. Në një çast si padashje. Në një mjedis edhe të papërshtatshëm. Dhe shpesh veshur edhe me petkun e të nervozuarit për shkak të prapësive shqiptare. (...për fajin tonë bre...ne nuk dimë të bëjmë shtet...Nuk dimë të qeverisim... Bota po shkon drejt zhdukjes së kufijve, drejt Evropës së Bashkuar e Berisha zgjon nacionalizmin bre burë... Nacionalizmi në shekullin e 21... Paradoks. Berisha na çon në shekullin e 18... Ah, bre burë...Ne nuk jemi vitalë si serbët... Shih si na e kanë mbushur vendin me toponimet e tyre... Ende edhe sot ne s'kemi mundur të krijojmë shtet. Le më, të kemi ushtri... Shih gjuhën tonë, bre Rexhep, plot sllavizma e serbizma e kemi... ). Kështu "shpërthen" kjo lloj mine me fjalët e Vlladan Gjorgjeviçit që duket se kanë humbë autorsi me qëllim dhe edhe shqiptarët i bëjnë si të tyret këto teza, ndoshta edhe nga padija ndonjëherë. Pak nga pak e herë pas here. Prej më se një shekulli, pa u mërzitur, pa ju humbur durimi, pa u thyer prej deshtimeve, serbët kanë minuar dhe shpesh hedhur në erë, përpjekjet shqiptare. “Ne shqiptarët krijuam shtet vonë, universitet shumë vonë, bre Rexhep, akademi shumë vonë. Në krahasim me serbët, ne jemi në pelena, bre Rexhep...". Kjo minë ha bukë me ne, flet si ne dhe shpesh ia kemi bërë nderet si më të mirit shqiptar... Duke i dhënë poste e zyra në këtë shtetin e "vobektë", besuar edhe institucione shpirtërore, që nuk ju duken boll. Duan të sajojnë e të shpallin, si fillim, "minoritete kulturore", për t'u përfaqësuar në veprimtari kombëtare shqiptare. Ashtu urtë e butë. Pa derdhur pikë djerse. Jo më të bëhet fjalë për me derdhë gjak... Me i nxjerrë gështenjat prej zjarri me gishtat e duart e shqiptarëve... Ecin drejt synimit me çapin e breshkës, por ecin, nuk ndalën, deri sa një ditë "të shpëtojnë prej përsekutimit e terrorit shqiptar... prej mospohimit e heshtjes vrasëse të shqiptarëve...".
Po thonë se dikush paska pa një ëndërr. Po rriheshin, vriteshin e priteshin do njerëz që dinin një gjuhë e një biçim, prej do njerzve që dinin veç një gjuhë. Ndeshja po zhviillohej tek një shesh pranë një... Viktimat po kërkonin të drejtat e tyre. Si njëherë e një kohë. Pushtet të pakicës mbi shumicën. Natyrisht, pushtet jetik... e shpirtëror. Dhe po piskatshin në kupë të qiellit sa dielli, hëna edhe yjet ishin ndalë e kishin kthye kryet për me pa... Policia kishte ndërhyrë. Megjithëse policët kishin mbajtë anën e të shumtëve, prapë do njerëz i kishte rrasë në burg. Gjykatat, që e dinë mirë nga "kcen kandari", do njerëz i kishte dënuar me gjoba e do me heqje lirie... Si shqiptarët e Kosovës, de. Që u rritën nëpër protesta. U kalbën burgjeve... U vranë e prenë e derdhën gjak vetëm për pak të drejta. Për një "grimë" pavarësi... Për një shuplakë flamur kombëtar... Për një trohë liri...
Protesta qe shndërruar në demostratë. Qenë vrarë edhe nja dy vetë. Thonë se ishin liderët shpirtërorë të protestuesve... Punë ëndrre, punë muti.
Por kjo ëndërr filloi me marrë dhenë. Shumë njerëz filluan me pague lekë për me e gjetë a është parë vërtet kjo ëndërr apo është rrenë. Po thonë se kanë dalë do hajmalixhij që shëndoshin të sëmurë dhe sëmurin të shëndoshë dhe po duan me e zanë këtë lloj biznesi...
Zot na ruaj prej ëndrravë të liga...
Mbërthyer shik në kostumin e viktimës, lotin kokërr e kanë derdhë do mina para disa të huajve, që mbajnë shkopin mbi kokën e shqiptarëve. (Me të futë gjallë në vorr). Para do të huajve që vijnë me mbrojtë tema diplomash me ngjarjet dhe zhvillimet ekstreme e shpesh edhe të paparashikueshme shqiptare... Dhe thonë se "loti" i ketyre minave paska zbutë zemrën e dikujt... Paska ardhë një kartë, a mandatë, thonë, prej s'di se ku e s'di se nga, për do organizata të huaja "që bëjnë sehir...". Thonë se kanë porosi të bëjnë studime e vrojtime për me shpërnda një mjegull të madhe që paska ra. Paska nxjerrë fjalë dikush, diku, një zot e di se ku, se në prefekturën e Kukësit jetojnë serbë... Zot na ruaj! Serbë në prefekturën e Kukësit!... Thonë se të ngarkuarat për këtë çeshtje kanë ra në pikë të hallit. Po vëzhgojnë. Po studjojnë në terren e nëpër botimet e pakta, në të cilat flitet herë për serbë, herë për maqedonë, herë për bullgarë e herë për boshnjakë... Por në terren, thonë se vrojtuesve e studiuesve po u del dardhë më bisht. Nuk pjell lopa, pa e mbarsë kau. Po thonë se të pyeturit, përveç disa tregtarëve të flamujve, që për ca dollarë janë gati të hanë e lëpijnë kocka xhenazesh, pra të pyeturit nuk pranojnë të quhen as serbë, as maqedonë, as bullgarë e as boshnjakë, (që do të thotë serbë), por veç shqiptarë. Të na quani shqiptarë se shqiptarë jemi, po u thonë të pyeturit pyetësve...
Thashetheme të shumta, çorbë samurri...
Minat - njerëz u aktivizuan shumë dhe mbase qenë edhe efektivë si kurrë në historinë e minimit të Shqipërisë prej serbëve gjatë vitit 1996 e deri ne vitin 2000. E veçmas në kohën e piramidave që shërbyen si pretekst për të penguar (shpërthimi i minave s'njohu masë...) revanin që realisht pati marrë Shqipëria drejt progresit. Piramidat ishin mina serbe. Por me sahat.
Të tilla ishin edhe qeniet që ngritën tre gishtat lart në disa qytete. Pasojat i pamë. Tentuan të ndajnë shqiptarët. Synuan atë Republikën e Toskëve e Republikën e Gegëve. Apo kantonizimin… që u synua edhe si pabesi në 1912… Shkatërruan imazhin tonë në botë. (Ndonëse vetëm për disa kohë, pasi bota e pa se shqiptarët janë kryeqytetasit botërorë të bujarisë e humanizmit njerzor... Se shqiptarët e kanë gjithmonë, siç e kanë patur, një odë miqsh e një sofër për miq...). I thanë botës se ja që vërtet nuk dinë të bëjnë e as të mbajnë shtet shqiptarët. Duan princ Vid (a princ Vranick...).
Por bota e pa se s'ishin shqiptarët as ato që dogjën e shkatërruan e as ato që shkërmoqën shtetin. Por botës së nderuar iu desh bajagu do kohë për tu bindë se në Shqipëri ujku ka veshë lëkurën e qingjit. Dhe për t'u bindë se pa shqiptarët asnjë llogari nuk del, asnjë bilanc pozitiv nuk mbyllet në rajonin e Evropës juglindore...
Ndërsa në ditët e sotme të pas luftës së Kosovës, janë aktivizuar shumë minat - politikanë "modernë, europianizues të Ballkanit, e të rajonit më gjërë", (përjashto Shqipërinë që e kanë sa për t'ia shfrytëzuar emrin dhe flamurin), "gazetarë që ndërrohen si kamarierët e banakierët e paradokohshëm të kioskave të Tiranës". Që Kosovën e quajnë etni tjetër (kosovare) e Shqipërinë etni tjetër (shqiptare). Që Morinit të Kukësit që është ngulitur në memorien e miliona shikuesve e dëgjuesve nga gjithë globi i thërrasin Qafa e Morinës (që është në rrethin e Tropojës). Që kufirin me Kosovën e konsiderojnë si me Greqinë, ani pse ndan padrejtësisht shqiptarë. Që mallrat e Kosovës (miell e mish) i cilësojnë me radioaktivitet që duan të lënë rakitikë fëmijët e Shqipërisë... Njerzit që hanë në Kosovë atë miell e atë mish nuk janë shqiptarë... (Sipas këtyre lloj gazetarëve që nxorën edhe një herë në skenë social imperializmin sovjetik i cili po na dërgoka miell prej Rusie me lanë rakitikë fëmijët e Shqipërisë se nuk ka gjetë udhë dhe mënyrë tjetër Rusia me e nënshtrue Shqipërinë...).
Kur ishim të vegjël na thoshin , mos i prekni çakmakët apo plaçkat që gjeni në Dri të Bardhë se janë titiste, revizioniste, i kanë hedhë në Dri me na helmue... Ishte koha e "vëllezërve kinezë dhe miqve kosovarë".
Ishte kohë marrish.
Njerzit që u bënë mina (kupto spiunë) arritën të spiunojnë edhe deri dhëndërin e vet. Për hir të idealit të partisë... Për ta rregulluar pak atë të mallkuar biografi. Dhe dhëndëri përfundon në internim apo në burg. Dhe sot, spiuni i dhëndërit del militant i thekur i partisë socialiste apo partisë demokratike. Del antispiun i tërbuar. (Deri sa t'ia përmendësh pseudonimin...).
Ose njerëz të dobët që kanë bërë burg për vjedhje dhe u është veshur si pothuaj të gjithëve agjitacioni e propaganda, ose që kanë bërë burg se kanë përdhunuar ndonjë të mitur apo ndonjë në fis dhe për shkaqe turpi nuk është bërë shumë publike vepra penale reale, të cilët lehtësisht janë shndërruar në mina, sot dalin si flamurtarë të të përsekuruarve. Duke fyer e njollosur të përsekutuarit e vërtetë politikë, vetshpallen antikomunistët më të mëdhej të gjithë përandorisë komuniste. Dhe duan ndere. Ose përndryshe të tregojnë deshminë e burgut dhe të shpallin komunist.
Nga pështirosja prej tyre, shumë njerëz për të cilët ka nevojë vërtetë çdo parti shqiptare, nuk afrohen, nuk angazhohen. Se kufomave jo kollaj u afrohet njeriu i gjallë. Edhe kufomave politike gjithashtu. E tmerrshme është kur i sheh t'u turren tribunave për të zënë një vend në presidium. Kur i sheh si rendin për të përqafuar apo puthur liderët... Dhe në fund fare, fare në fund, trishtohesh (kaq ka në dorë të bëje njeriu) kur i sheh apo dëgjon të kërkojnë poste hajdutët dhe mashtruesit... Ose kur kërkojnë të zgjidhen pushtetarë... Duke qenë njëherësh shterpë. Pa ide. Pa alternativa zhvillimi. Veç me alternativën e vetmë : urrejtje liderit kundërshtar. Si shpërblim për thirrjet e ulërimat. Për përqafimin që i ka bërë liderit. Për kafenë që mund të ketë paguar. Si shpërblim pse X apo Y lider ka fjetur në shtepinë e tij një natë. Kështu minojnë partitë. Që të duhurit të ikin prej tyre, të padenjët të rrinë. Të zgjidhen. Të vishen me pushtet.
Mina të tjera vjellin sot kundër NATO - s dhe ushtarët e saj nëpër Kosovë i quajnë "shkije të rinj".
Gazetarë shqipfolësa e shqipshkrues rreken të gjejnë që nga Tirana gabimet e NATO - s të vitit 1999. (Këto që u vetëshpallën se e sollën pavarësinë e Kosovës…).
Të tjerët në Prishtinë predikojnë paqe, falje, pajtim me serbët menjëherë, kur atyre vetë nuk u ka humbur apo nuk u është vrarë as një zog pule...
Në Kukës kanë qenë shumë aktivë njerzit - mina. Sidomos që nga periudha e demostratave të studentëve të Beogradit në fundin e 1996 - ës e deri sot që është krijuar përshtypja e dehjes së shqiptarëve prej lirisë së Kosovës. Për këtë periudhë i kam provuar mbi kurriz kercënimet e minave. Vetëm për shkak të promovimit të UÇK - së në medien elektronike të Shqipërisë, për shkak të publikimit të betimit të UÇK - së... Për shkak të simpatisë e përkrahjes morale që mundëm të ngjallnim në popull për UÇK - në. Pa lejen e qeverisë së Tiranës (ishte viti 1998...) për të cilën UÇK - ja ishte herezi...
Shpesh Serbia ka pasë kohë të artë për të mbjellë apo instaluar mina serbe në Lumë dhe krahinat e tjera të Shqipërisë. Ishte fat i madh të merrje një vizë 6 - mujore për në ish Jugosllavi ku bëje tregëti të vogël me karburant e fitoje para të madhe. (Mallkuar piramidat që i morën këto para). Lum kush e pati atë fat. Por edhe mes këtyre njerzve të thjeshtë, Nebojsha, Latifi e dreqi e i biri, që punonin në doganën jugosllave të Vërmicës, kanë zgjedhur ndonjë njeri që u është dukë i përshtatshëm për ta bërë minë...
Të nesërmën e ditës që u bë një demonstratë ne Prizeren, te Shatërvani ku u gris flamuri serb (në fakt s’kish ndodhë asgjë, as demonstratë, as ish grisë ndonjë flamur, por e sajova vetë) dhe e dhashë lajm në Radio Kukësi e Radio Tirana, Nebojsha që rrinte në doganën e Vërmicës, (Nebojsha ka qenë i ngarkuar nga qeveria e Beogradit si misionar për të punuar në Kosovë, përgjatë kufirit me Shqipërinë, për të sjellë sa më shumë serbë pa plang e shpi e për t'i vendosur në Kosovë, në vendbanimet afër Shqipërisë... Në zbatim të dekretligjit serb të 15 shkurtit të vitit 1919. Në zbatim të platformës së Çubrilloviçit të 1937 - ës...), i kthen mbrapsht tregtarët e çantaxhinjtë dhe nuk i lejon të hyjnë në Kosovë. Shkak kishte përmendur emrin tim për lajmet dhe emisionet në radio... Disa njerëz tek ktheheshin më kishin sharë më nënë, me të gjallë e të vdekur, nëpër furgona derisa kishin mbërritur në Kukës... Nebojsha bile atë ditë më kishte dërguar edhe një mesazh nëpërmjet një "dërgate".
Si Nebojsha, Latifi apo Asllan Kleçka i cili ua dinte telefonat, adresat dhe kish fuqi t'i urdhëronte minat të udhëtonin për gjithë natën nga Durrësi, Tirana, Shkodra apo kudo të ishin, për në Kukës dhe të uleshin në tavolinën dhe klubin ku ai urdhëronte, në orën kur ai urdhëronte, pra, si këta kishte bërë mesuesi i tyre Stojan Dajiç i cili ka vepruar në Kukës në vitet 1915 - 1916 dhe 1918 - 1921 si kajmekam a nënprefekt... Dhe padyshim që ka mbjellë edhe mina...
Thonë se e patën ftuar në një dasëm Nebojshën që kishte disa “miq” në Kukës, të cilët ishin gati për ta krijuar edhe Shoqatën “Miqtë e Nebojshës”.
Festën e kurban Bajramit të vitit 1998 Nebojsha e festoi pikërisht me këta miq, kur lufta sapo kishte nisur dhe shqiptarët po vriteshin...
Ai ishte gjithë gaz e hare mes miqsh, kuadrosh të lartë. Rrezatonte kënaqësi. Si miku mes miqsh. Vetëm të mos nxirrte pengesa në doganë...
Se shpesh bëhej i mërzitshëm atje në doganë. I detyronte ndonjëherë "turistët" e shkretë, (kur nxehej se edhe ai ishte njeri e nxehej ndonjëherë), të pastronin sheshin e doganës së Vërmicës edhe prej bishtave të cigareve..., (Ndonjëri thotë sot : Eh shtet, eh rregull o bir... Policia polici, ushtria ushtri, sigurimi sigurim... Eh... bre burë...), i bezdiste me do kontrolle bajate... nëpër zyrat e ndryshme të godinës së doganës serbe...
Sa qe detyruar dikush të shprehej se na lodhen çvish e vish sa herë hyjmë e dalim... Sa pati thënë e shkreta, më mirë ta kishim pasë p..dhin në ballë…
Një pamje e ngjashme edhe matanë kufirit të minuar. Kam qenë vetë i pranishëm në një furgon të Kukësit, kur do gra të Zhurit nuk pranuan me hypë në furgonin tonë për në Prizeren. Një vajzë rreth të 18 - tave na tha se nuk hypi në kerrat e Shqipërisë. Gjatë kohës së luftës, ku keni qëndruar me familjen, e pyeta. Në Kukës, u përgjigj. Dhe fillova të mendoj rrugës. Po të kishin dashur djemtë e Kukësit apo të ndonjë qyteti tjetër, do ta kishin provuar të bënin me ketë adoloshente të gjorë ç'të donin. Mund ta kishin shitur përtej detit… Me mijëra vajza e gra kanë qenë në Kukës.
Nuk dimë se kur na pati mund e keqja. Dhe sidomos zhurjanët që janë farë e fis me Kukësin dhe që kanë qendruar në Kukës që ditën kur morën vrapin me ikë kush e kush ma i pari...
Po kështu kam degjuar edhe në Prizeren dhe vende të tjera. Kështu i ndodhi një kolegut tim në Gjilan. Një gjilanase i thotë se ju të Shqipërisë të përdhunoni. Ajo gjilanase kishte qëndruar mbi dy muaj në Durrës e Kukës. Dhe kur kolegu im e pyet se a të kanë përdhunuar kur ke qenë në Durrës apo Kukës e ajo i thotë jo s'më ka prekë kush, ai ia kthen : Rri e qetë moj fisnike se s'vijnë djemtë e Kukësit e të Durrësit me të përdhunue në Gjilan.
Ka ndodhur që udhëtarë të Kosovës të jenë grabitur e vjedhur pas luftës. Ka patur edhe të vrarë nga bandat. Por edhe mes bandave ka patjetër njerëz që minojnë qarkullimin e shqiptarëve nëpër Shqipëri. Që ata të udhëtojnë përmes Greqisë e Maqedonisë. Që të mos bëhet udhë e vertetë ajo Durrës- Kukës- Prishtinë...
Natyrisht minat njerëz e kemi mbase më të vështirë t'i pengojmë apo t'i mbledhim siç ka bërë Shkelzen Kurpali. Se këto ta bëjnë gjëmën me fjalë, që i vjellin nga podiumet e larta... Nëpër mikrofona, gazeta e revista, në Tiranë e në Prishtinë, që të shuhet shqiptaria... Të mos bezdisen më me Kosovë... Me çeshtje shqiptare... Ani pse janë më fjalëmëdhenjtë për komb e atdhe. Ani pse na dalin para kamerave si hallemëdhenjtë më të mëdhej të globit...
Para shqiptarëve të vërtetë, sidomos para shqiptarëve të Kosovës, minat serbe - njerëz shfaqen të bukur, gojëmjaltë. Servilë deri në mëshirë, në dhimbje, të mbërthyer deri në grykë me kostumin e militantit partiak. Ani pse për to nuk voton as gruaja, prindërit e femijët. Ata imitojnë shefat deri në neveri, nuk bëjnë gjumë të qetë, janë gati të vdesin nëpër salla për liderët, por me një kusht, që të përshëndeten prej tyre dhe të mos guxojë kush t’i cilësojë me emrin e vertetë.
Minat serbe votojnë ashtu siç i kurdisin. Përherë kundër interesave shqiptare.
(Botuar në 2001, dy vjet pas luftës pë Kosovën, botuar në Marsi i Minave, 2006, dhe disa here të tjera në organe të ndryshme etj.)
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» REXHEP SHAHU - PUSHTIMI I RI I SHQIPËRISË ME 200 MIJË VARRE SERBE
» Rexhep Shahu - Ta mbrosh Edi Ramen
» Rexhep Shahu:Rexhep Qosja i kërcënuar prej harrimit
» REXHEP SHAHU:PERÇARESIT E KOSOVES
» Rexhep Shahu - Po â...
» Rexhep Shahu - Ta mbrosh Edi Ramen
» Rexhep Shahu:Rexhep Qosja i kërcënuar prej harrimit
» REXHEP SHAHU:PERÇARESIT E KOSOVES
» Rexhep Shahu - Po â...
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi