Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin

Shko poshtë

Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin Empty Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jul 04, 2009 4:22 pm

Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin Rruga-nush-radovani-lezhe

Rudolf Marku: HOMAZH PER NUSH RADOVANIN (In Memoriam)

Nush Radovani, i cili veç pak ditë ma parë u nda nga kjo jetë e përkohëshme tokësore, asht ndër ata njerëz që lejnë gjurmë të jashtëzakonëshme në jeten e të tjerëve..
Personalisht kam pasë fatin e madh, fatin ma të madh të jetes time, që ta kem njohur nga afer vite e vite ma parë, si profesor,dhe ma vonë si mik të aferm…Qyteti provincial i Lezhes dukej se i kishte te gjithë ingredientët e duhur per të që nje qytezë me karaktere Çehoviane. Por Lezha ishte me fat:qe qyteti ku kishin internuar disa nga njerëzit më të shquar të intelektit shqiptar..Dhe fati më i madh ishte se shumica e tyre ishin profesorët tanë…Luigj Ljarja, nxenësi i preferuar i Ndre Mjedes, Ramazan Stermazi, inxhinjeri elektrik i Sorbonës, Vala Leka, Antoneta Ristani, madje dhe rusi i Bardhë (keshtu e quanin të gjithë: Rusi i Bardhe) Nikolaj, të cilin e hasnja ditë per ditë në trumen e qytetit duke mbushë gjymat me ujë e për të cilin shumë e shumë vite me vonë Petraq Kolovica më ka treguar se kishte qenë njëri ndër arkitektët më të njohur të Rusisë Cariste. Duke dashur t’i shpetonte Revolucionit Bolshevik, fati e kishte perplasur ne Lezhë; Doktor Gazika, mjeku i oborrit te Zogut… Të gjithë këto ishin karaktere që i përkisnin një bote tjetër, një bote që mendohej dhe besohej se ekzistonte veç në kujtesen e njerëzve…


Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin Rruga-nush-radovaniMes tyre, Nush Radovani zë vendin më të veçantë…Ai mbetet një karakter bashkëkohës i Rilindjes evropiane,jo sepse ishte lauruar me maksimalen e arritjeve akademike në Universitetin e Firencës ( Katedralet e Firences kishin urdhëruar rënjen e këmbananve për të nderuar studentit shqiptar ne diten e marrjes se Diplomes), por sepse intelekti i tij ishte në harmoni me butësinë dhe mirëkuptimin njerëzor… Të gjithë e njihnin me emnin –Profesor Nushi.Jo vetëm studentët e tij, por edhe 80 vjeçarët, edhe ata që nuk dinin shkrim e kendim. Ngase të gjithë e njihnin se ai qe një intelekt i madh, një dijetar i jashtzakonshëm, një enciklopi e gjallë levizëse, një kerkues i perjetshem…Dhe të mos harrojmë se ai qe një enciklopi e gjallë në nje kohe kur injoranca lavdrohej si virtyti më i madh dhe më fitimprurës, ishte i ditun kur padituria shperblehej, ishte kerkues i pandalun në një shoqeni të përgjumun..Emnat e njerzëve të mëdhenj të kësaj bote i kam dëgjuar për herë të parë nga pr.Nushi, në moshën 10-12 vjeçare: Sokratin, Platonin, Niçen, Shopenhaurin, Shen Augustinin, Leopardin, Ajnshtajnin, Galileon. Dija njerzore tek ai ishte një sfidë ndaj injorancës. Dhe nuk kishte gja që urrente ma shumë se injoranca. Dhe kolimllekun e injorancës. Shpesh na thonte në klasë tercetin e Dantes, se kur injoranca bashkohet me pushtetin, nuk i mbetet shpetim njerëzimit.



Me nje guxim të jashtzakonshëm, na thoshte, ne, femijeve, se si duhet të dallojme atë injorantin me kostum dhe kollare nga ai fshatari i cili vertetë nuk din shkrim dhe kendim, jo për fajin e vet, e që ka instiktin e shënoshtë të njeriut te mençur, që ka mburojen e kulturës së parardhësve të vet, të ciles i beson dhe që ka mendjen e shënosht e të paprishun nga edukimi gjysmak. Dhe injoranca me kostum dhe me kollare aso kohe – dhe besoj se edhe ksaj kohe - identifikohej me Pushtetin, me arrogancen e saj dhe me kryetrashsine e saj…Na thoshte me hidhërim, me atë mënyren e veçantë që mban veç vulen karekterstike të Pr.Nushit, se Shqipnia ka vetëm një dallim të vogel nga vendet e qytetërueme: Në bote, na thoshte,kalon një i mençum dhe njerëzit i shkojnë mrapa me ndie se çka thotë; shkon rruges një i marrë,dhe njerëzit e shohin me keqardhje dhe thonë-I shkreti çka e ka gjetë! Asht i marrë!. Ndersa te ne: Kalon nje i marrë rrugës, dhe tanë i shkojnë mrapa me ndi se çka thote. Kalon nje i mençum, dhe tanë i shmangen sikur t’i kishte ra kolera, duke thanë - I shkreti ky çka e ka gjetë! Asht i mençum!

Më kujtohet se si ne Lezhë - ku ishin mbledhë dhe disa nga karakteret ma të çuditshëm - ishte një plak i mbrrolun dhe i bamë një grusht nga pleqnia. Të gjithë e njihnin me emnin Avokati. Tue kenë i pambrojtun, qe ba gazi i qytetit. Vetem pr.Nushi revoltohej dhe i delte zot…Ma vonë, shumë e shumë vite ma vonë, kam marrë vesh se kush kishte kenë ky plak me të cilin tallej qyteti, e të cilit veç pr..Nushi i delte zot: avokati, të cilit tenexhexhinjt i hedhshin minj poshtë derës e që të diplomuemit e Tiranës e tallnin, kishte qenë Benedikt Bilishti, perfaqësuesi i parë i Shqipnisë në Lidhjen e Kombeve të Bashkueme, dhe mik i ngushtë i Fan Nolit dhe i Faik Konices… Disa vite më vonë kam parë të botuar një liber për Historinë e Diplomacisë shqiptare në periudhen 1920-1930 të njerit nga njerëzit që mbahen si teper të rëndësishem në Shqipëri, gjysëm filozof, gjysëm sociolog, pak historian e pak professor, i cili pat botura librin e shkruar nga po ky avokat veçse nen emërin e vet, madje pa ja permendur kund emerin autorit te vertete… Në atë mënyren e vet të prehtë, me një prehëtsi sokratiane, na thoshte shpesh se ne shqiptarët, jemi si ai udhëtari që ec me dy strajca në krahë: njenen, atë të madhen, që ja thyen shpinen, e mban mbas kurrizit. Tjetren, trasten e vogël, që nuk ka peshë, e mban përpara vetes. Te strajca e madhe, që nuk e sheh, ka vu hallet e veta. Te strajca e vogël, që nuk ka kurrfarë peshe, ka hallet e botës. Tanë diten merret me strajcen e vogel - me hallet e botës - ndersa me atë që ja thyen kurrizin, me hallet e veta, që nuk i sheh, nuk ka se si të merret, sepse kujton, ngase nuk i sheh, se nuk i takojnë atij.


Lezha nderon intelektualin e persekutuem Nush Radovanin Nush-radovani
Ne foto NUSH RADOVANI (01.01.1920 - 06.09.2008)

Ishte qejf i jashtëzakonshëm të ishe nxenës i Nush Radovanit. Nga Minareja e xhamisë së vetme të qytetit mesonim rënjen e lire të trupave dhe gravitacionin. Në laboratorin e Fizikes krijonim rrufetë. Në oren e matematikes mësonim Dante Alighierin. Leonardo Da Vinxhi ishte nje subjekt më vete…
Ajo që anglezët e quajnë Wit ishte forca e humorit te tij. Më kanë treguar se si njëherë në Gjermani, viteve te fundit, në trafik, gati e pat përplasur një makinë, qe drejtohej nga një shofer i pakujdesshëm. Shoferi dolli nga makina dhe filloi te zkuzohej. Më vonë i thotë Nushit: Në fakt nuk jam gjerman, jam turk! Dhe Nushi - Turk? Ta kam parë sherrin për 500 vjet në Shqipni, dhe tash gati ta pashë sherrin edhe në Gjermani!..
Për herë të fundit pr.Nushin e kam takue në vitin 1990. Kishte ardhë me dy miq të vetë, me Ruzhdi Çoben, dhe me nje mikun e vet prift. Më tha se prifti quhet Zef Pllumi.. Shumë vite ma vonë, tue lexue kujtimet e pader Zefit, kam ndesh emnin e prof.Nushit. Nuk e kisha ditë se kishin kenë bashkë në kënetat e Maliqit. Pader Zefi flet me adhurim për Nush Radovanin e ri, për dijen dhe papërkulushmerinë e karakterit të tij… Nuk asht çudi që familja e tij, zonja Suzi, një ëngjëll i vertetë, dhe dy djemt e tij, ditën e varrimit të Prof.Nushit, prisnin ngushëllimet në Hollin e një Hoteli, në Shkoder. Ashtu si Dante Alighieri, të cilin ai e kishte dashur aq shumë, ai kishte mbetur pa shtepi bash ne qytetin e vet. Asht shperblimi karekteristik që vendi ynë i rezervon bijve të vet më të mire.
Me një dinjitet të jashtëzakoshem, prof. Nushi kurrë nuk fliste se çfarë kishte hekë gjatë jetës. Nuk fliste as për internimin në këneten e Maliqit, dhe as për burgjet e Tepelenes ku kishin qene se bashku me pader Zef Pllumin. Për te vuajtja më e madhe nuk ishte vuajtja fizike. Ishin fyerja që i behej personalitetit njerëzor, sistematikisht dhe në menyrë cinike. Ishte triumfi i injorances që ai e perballonte me një humor të rrallë…Vuejtjet e jetës për të ishin teper të vogla që të mund t’ia thyenin besimin se e keqja asht veç nje moment i përkohshëm në Historinë e njerzëve. Me gjithçka që bante dhe me gjithçka që thoshte, te prof.Nush Radovani dalloje se dija, intelekti, ishin perpjekja për të kapercye përtej asaj çka asht materiale dhe përtej asaj çka asht e dukshme, dhe e perkohëshme. E gjithë jeta e prof.Nushit duket se ka kenë një përpjekje kambëngulëse dhe e vazhdueshme, deri në momentet ma të fundit të jetes së vet, për të arritë të padukshmen, spiritualen dhe sublimen, ku fshehet zanafilla dhe arsyeja e mrame e gjithçkaje.


Me vdekjen e Profesor Nushit, mikut të tij, Pader Zef Pllumit, të Xhenar Topallit ,të Ruzhdi Çobës, të Gjon Shllakut, zhduket një brez fisnikësh dhe mbyllet një epokë fisnike që e kam të vështirë me besue se ka m’u perseritë…

Po të parafrazojmë John Donn-in, me vdekjen e njerëzve si Nush Radovani, Shkodra, dhe në një kuptim ma të gjanë, Shqipnia, zvogëlohen. Por qiella e amëshueme, ku prehet shpirti i tij, sigurisht do ndjehet ma i madh prej njerëzve si ai.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi