Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin

Shko poshtë

Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin Empty Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 21, 2008 4:21 am

Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin




Shërli DioGuardi: Politikanët e Kosovës të ngrenë zërin U1_ShirleyCloyesDioGuardi
Shirley Cloyes DioGuardi
Nga Keida Kostreci
Shtrirja e misionit të EULEX-it në Kosovë, që u parapri nga plani prej 6 pikash i OKB-së, është pritur me reagime të ndryshme. Ndonëse zyrtartë të lartë amerikanë dhe evropianë kanë thekusar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se ndarja nuk do të lejohet, analistë të ndryshëm kanë ngritur shqetësime se ndarja mes dy komuniteteve në Kosovë po konsolidohet.
Shërli Kloi Dioguardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane në një intervistë që dha nga Nju Jorku për Zërin e Amerikës thekson se synimi i Beogradi ka qënë gjithmonë ndarja e Kosovës duke shtuar se beteja e të ardhmes nuk do të jetë në rrugë, por në në shtypin dhe parlamentet e vendeve të tjera.
Zëri i Amerikës: Zonja Dioguardi, cili është mendimi juaj për zhvillimet e fundit në Kosovë të cilat ngjallën shumë shqetësime tek udhëheqja dhe popullsia në Kosovë?
Shërli Klois DioGuardi: Edhe unë jam shumë e shqetësuar. Plani me gjashtë pika është i mbështetur vetëm tek rekomandimet e Beogradit dhe sipas mendimit tim tregon se Perëndimi po i kthehet sërish politikës që i jep mundësi Beogradit të ketë të drejtën e fjalës për të ardhmen ekonomike dhe politike të Kosovës. Duhet kuptuar se Beogradi nuk ka menduar ndonjëherë se do të bllokonte pavarësinë e Kosovës, synimi ka qenë ndarja e Kosovës, marrja e Veriut dhe unë jam e shqetësuar për klauzolat e planit që do ta lejonin një gjë të tillë. Plani lejon vendet e EULEX-it që të mos ta pranojnë sovranitetin e Kosovës, me idenë e qëndrimit të paanshëm ndaj statusit. Nga ana tjetër, si u rikthye në lojë rezoluta 1244 sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë? Ndërkohë Veriu nuk është nën kontrollin e autoriteteve të qeverisë. Nëse vazhdon kjo, do të bëhet fjalë për struktura paralele dhe një vend të ndarë etnikisht, edhe më keq sesa Bosnja. Ky nuk është drejtimi i duhur.
Zëri i Amerikës: Dhe sipas jush cila është rruga e daljes nga kjo prirje?
Shërli Klois DioGuardi: Mendoj se duhet të fillojmë me një pyetje shumë të rëndësishme: Si mundet që një sistem apo një plan që minon aftësitë e qeverisë së Kosovës për të kontrolluar territorin e saj, si edhe që lehtëson krijimin e shumë lloj lidhjeve të ligjshme dhe jashtëligjshme mes serbëve të Kosovës dhe Beogradit, të sjellë paqe dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon? Është koha që të vihet para përgjegjësisë komuniteti ndërkombëtar, duke pasur parasysh edhe çfarë po ndodh në Bosnje. Është një sistem i dështuar i cili nuk duhet përsëritur në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë ballë Beogradit dhe të kthehet tek parimet e deklaratës së pavarësisë, duke vendosur një demokraci të vërtetë në Kosovë.
Zëri i Amerikës: A mendoni se një gjë e tillë është e mundur në këtë kohë?
Shërli Klois Dioguardi: Pa diskutim. Por do të duhet angazhimi i aktorëve shqiptarë. Serbia ka punuar në mënyrë shumë aktive për të realizuar synimet e saj. Pothuajse e ka frenuar krejtësisht njohjen e pavarësisë, e cila deri tani është bërë nga 53 shtete, por nuk dihet sesi do të vazhdojë, po ndryshon realitetin në terren dhe mbi të gjitha po vazhdon propagandën antishqiptare. Ndërsa nga ana tjetër jemi përballë një pasiviteti të udhëheqësve të Kosovës dhe jam shumë e shqetësuar nga një fakt i tillë. Pas luftës, udhëheqësit shqiptarë nuk arritën ta përdorin në favorin e tyre prirjen proshqiptare. Po ashtu ata duhet ta kthejnë vëmendjen e perëndimit tek viktimat e luftës, e cila nuk filloi nga të gjithë faktorët në Ballkan, por nga Millosheviçi. Viktimat e luftës ende janë gjallë. Nuk mund të ndjekësh një politikë me synimin për të bërë të lumtur Serbinë dhe shqiptarët dhe të mendosh që një gjë e tillë plotëson objektivat e Shteteve të Bashkuara në Evropën juglindore. Kështu veçse krijohen një sërë shtetesh të ndara etnikisht dhe të dështuara.
Zëri i Amerikës: Të krijohet ideja se udhëheqësit e Kosovës nuk duan të shfaqin mosmirënjohje ndaj Perëndimit, por nga ana tjetër është e kuptueshme që ata të jenë të shqetësuar për situatën. Si mund të bashkëjetojnë këto dy ndjesi?
Shërli Klois Dioguardi: Pikërisht kjo është dilema, por problemi është që politikanët shqiptarë nuk e kanë ngritur zërin. Nuk është e mjaftueshme që të thonë që për shkak të mirënjohjes nuk mund të kundërshtojnë pozicionet e Perëndimit. Një gjë e tillë krijon terrenin për mosveprim. Besoj se një pjesë e dilemës vjen nga fakti që ka vetëm një mënyrë për të sfiduar dhe një gjë e tillë mund të krijonte ekstremizëm. Lufta në Ballkan nuk është përgjigjia dhe nuk do të tolerohet, por diplomacia e vërtetë është rruga që duhet ndjekur. Asgjë nuk mund t’i ndalojë politikanët shqiptarë që të vendosin autoritetin në shtetin e ri të pavarur të Kosovës. Shikoni shembullin e trenit serb që hyri në Kosovë duke injoruar doganën. Policia duhet t’i ndalojë ngjarje të tilla. Ata duhet të ngrenë çështjen e 2 mijë të zhdukurve, e kompensimeve nga ana e Beogradit për luftën. Ndërsa flitet gjithmonë për gjendjen e pakicës serbe, duhet të ngremë pyetjen për të drejtat e shqiptarëve në zona të tjera të Ballkanit, e shkeljes flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Duhet folur për arsimin e lartë. Do të kemi një Universitet Serb në veri të Kosovës, pse jo një universitet shqip në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Zëri i Amerikës: Roli i organizatave si e jauja është që Kosova të jetë sa më pranë vëmendjes së adminsitratës amerikane. Në kushtet e reja të krijuara në Kosovë dhe zgjedhjet në Amerikë, çfarë roli po luan organizata juaj?
Shërli Klois DioGuardi: Me ardhjen e administratës së re, ne kemi vendosur lidhjet me zv/presidentin e zgjedhur Bajden dhe do të rifillojmë përpjekjet me Kongresin. Por dua të theksoj se përpjekjet tona nuk janë të mjaftueshme. Ka ardhur koha që politikanët shqiptarë të Kosovës dhe pjesëve të tjera të Ballkanit të ndërmarrin një fushatë të orkestruar të tërheqjes së opinionit publik. Beteja e të ardhmes nuk është në rrugë, por në në shtypin dhe parlamentet e vendeve të tjera.

Zëri i Amerikës, 18-12-2008
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi