Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Halil Haxhosaj: Tragjikja dhe komikja në monodramë

Shko poshtë

Halil Haxhosaj: Tragjikja dhe komikja në monodramë Empty Halil Haxhosaj: Tragjikja dhe komikja në monodramë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 09, 2009 10:49 am

Halil Haxhosaj: Tragjikja dhe komikja në monodramë U1_HalilHaxhosajPremierë

TRAGJIKJA DHE KOMIKJA NË MONODRAMË

“Marrëzia apo komedia njerëzore”, monodramë e Haqif Mulliqit, regjia Haqif Mulliqi, interpretoi Hadi Shehu

Nga Halil Haxhosaj

Pas më se gjashtë vjet pauze, më në fund, doajeni i Teatrit Kombëtar të Gjakovës, njëri ndër themeluesit e tij, aktori me më se 45 vjet përvojë në teatër, film e televizion, Hadi Shehu, u ngjit në skenën e sallës universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” të Gjakovës, para më se 900 dashamirëve të teatrit, kolegëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë. Ai bashkë me autorin e monodramës dhe regjisorin Haqif Mulliqi, ia dolën që me disa nuanca të specifikuara, të mëvetësishme, madje edhe deri diku të zorshme, ta thyejnë sterotipin teatral në Gjakovë. Dhe nuk u “koritën”, sepse ia arritën që për më se gjashtëdhjetë minuta në skenë të mbajnë një baraspeshë, e cila edhe pse nuk dukej aq e linearizuar, kishte rrjedhë dhe konflikt. Duke u nisur nga disa nominime që asociojnë në vepra të njohura të krijuesve të shquar botërorë si Roterdami, Balzaku, e të tjerë, autori Haqif Mulliq, megjithatë ia arriti që në tekstin e monodramës “Marrëzia apo komedia njerëzore” të shfaqë edhe dromca nga përditshmëria e jonë. Dhe kësaj ia doli duke u ndeshë me elemente të bashkëkohësisë, madje edhe të atyre që janë të arritura të sofistikuara. Falë këtyre elementeve dhe të tjerëve, ngjarjen e monodramës e vuri në kornizat e një shtjellimi sa të rrjedhshëm, po aq edhe të “ngurtësuar” në momente. Por, falë përvojës dhe gjeturisë së aktorit Hadi Shehu, por edhe të tij si autor e regjisor, ia doli me sukses.

Teksti dhe regjia

Duke u nisur nga një fillim që dukej paksa i përditshëm, i zakonshëm, e pse jo, edhe i mërzitshëm, me “Zonja zotërinj”, dukej se gjatë shtjellimit letrar të këtij materiali do të ndodhin gjera që zakonisht nuk mund të vërehen në rastet kur autori i tekstit është edhe regjisor. Por, kjo në natën e premierës së komedisë “Marrëzia apo komedia njerëzore” të Haqif Mulliqit nuk ndodhi. Ky ishte pasqyrimi edhe i përvojës prej krijuesi, dramaturgu e autori të disa vëllimeve me drama të këtij personi si shkrimtar. Dhe nuk doli kurrfarë ngurrimi, madje as ngecje e dyshimi në këtë aspekt.
Në qendër të komedisë, e cila më shumë ishte një komedi e “zezë”, ndodhet marrëzia. Marrëzia paraqitet edhe si personazh, edhe si ide, madje mesazh, dukuri, proces, manifestim, e të tjera. Në të gjitha nyjëtimet e marrëzisë së konceptuar në figurë letrare e artistike të monodramës, frymojnë ndeshtrashat e jetës, lakmisë, synimeve, madje edhe rrugës së veseve e lakmive. Të gjitha këto përjetësohen në artistiken kur shfaqen, apo mëtojnë të shfaqen si personazh që interpretohet nga aktori, në këtë rast, nga Hadi Shehu. Edhe pse në shumicën e herëve ky synim ndesh në pengesa të cikrrimta, edhe autori i tekstit si regjisor eskivon dhe ikën pa “ferrë në këmbë” në skenë. Kësaj ai ia arrin duke e pasur si aktor Hadi Shehun, i cili, me përvojën e tij, di të manovrojë me skenën, di të gjendet edhe me tekstin e kërkesën e regjisorit. Duke e ditur këtë, Haqif Mulliqi e shtrin domenin e tekstit letrar të monodramës nëpër rrathë që shpesh duket se “priten” njëri me tjetrin. Mirëpo, kjo “prerje” nuk shkakton ndonjë pengesë që vërehet dhe dominohet në faqet e veprës si gjini letrare. Komedia, në këtë rast monodrama, ka përmasën e veprës letrare të gjinisë së dramës, dhe autori Mulliqi e ka të qartë këtë. Duke e njohur vështirësinë e shkrimit të dramës, e sidomos të monodramës, ai është i vetëdijshëm se edhe si regjisor duhet “të japi” provimin. Dhe kështu e koncepton realizimi letrar, artistik dhe mbi të gjitha skenik, kur “Marrëzia apo komedia njerëzore” shfaqet para publikut. Vetëm atëherë kur bie perdja në natën e premierës, ai dhe aktori Hadi Shehu do të marrin frymë çlirueshëm, por edhe do të shohin atë që e kanë ose s’e kanë bërë, pra realizuar.
Në qendër të monodramës është Marrëzia. Ajo gërshetohet me të gjitha “izmat” e saj dhe “lavdërohet” për misionin që kryen. Ky mision shpesh vesh petka më të reja të një kohe dhe vendndodhjeje. Vetëm e gërshetuar kështu merr kuptimin e dyanësisë; tragjikes dhe komikes. Depërtimet e këtilla nuk duken të reja as të trajtuara për herë të parë nga autori Mulliqi, sepse këto janë derivate, madje edhe të titujve të veprave “Lavdi marrëzisë” të Erazmo Roterdamit si dhe “Komedia njerëzore” të Balzakut. Duke bërë një gërshetim të këtillë, duke aluduar në anët e errëta të dinjitetit njerëzor, Haqif Mulliqi, ndërton tekstin letrar të monodramës së tij duke ambientuar, madje edhe duke e përkohëzuar elementin, trajtesën dhe mesazhin e vet edhe si regjisor mbi parimin e teatrit bardh e zi, i cili shquhet si teatër i fjalës dhe lojës. Dhe kjo nuk mungoi fare në regjinë dhe konceptin teatror të monodramës “Marrëzia apo komedia njerëzore”.
Andaj, tash regjisori, kështu sa e shpirtëzon aq e vesh qëllimin e lojës skenike të aktorit Hadi Shehu, i cili jep gjithçka ka vetëm e vetëm të del “faqendritur” para publikut ku u rrit, u afirmua dhe e bëri emrin dhe famën prej doajeni dhe bardi. Koncepti regjisorial i Mulliqit shtrihej nëpër të gjitha poret e skenës, të skenografisë dhe të muzikës. Në të gjitha këto rrëshqiste, në natën e premierës, qëllimi i shfaqjes së dromcave të teatrove moderne dhe bashkëkohore. Pati këtu elemente edhe të komedisë e tragjedisë antike, faustiane, beketiane, brehtiane, mandej moderne siç ishte rasti i vidoe binit dhe monitorit të kompjuterit të zmadhuar në bezen e vendosur në prapaskenë. Duke zhvilluar veprimin e monodramës në skenë dhe prapaskenë (Vidoe bini), regjisori Haqif Mulliqi pati koncept modern të realizimit. Dhe kësaj, mbase, ia arriti me sukses natën e premierës. Duke e konceptuar tërë realizimin mbi dy-tri elemente mizanskenike dhe me gërshetim të efekteve të muzikës e të dritave nuk solli “monotoni dhe rënie” të konfliktit dramatik. Mbase, kështu, ai e shfaqi edhe talentin dhe përvojën e tij të fituar viteve të fundit edhe si regjisor. Ky rezultat u pa, por edhe u shfaq, edhe në regjinë e kësaj monodrame, e cila disi besueshëm rrëshqiste nëpër disa faqosje të mëtimit modern.

Roli dhe loja e Hadi Shehut

Me t’u hapur perdja fillon ngadalë të ndriçohet figura e aktorit Hadi Shehu në këtë monodramë të Haqif Mulliqit. Dhe ngadalë fillon ecja e tij kah publiku, duke thënë: “Zonja dhe zotërinj”, sintagmë e përditshmërisë politike, prezantuese, fushatë elektorale, hapje të debateve, trajnimeve, seminareve, e çka jo tjetër në këtë përditshmëri. Në skenë figura e aktorit Shehu, që do të interpretojë rolin e marrëzisë në monodramë, “shfaqet” triumfuese. Diksioni, fjalët dhe fjalitë skenike dalin edhe kësaj radhe dhe jehojnë ëmbël në skenën e Sallës Universale të Pallatit të kulturës të Gjakovës. E Hadi Shehu aktor është personazhi më i pritur jo vetëm i monodramës së Mulliqit, por edhe i publikut teatror të Gjakovës, Kosovës, e të mbarë shqiptarisë. Por, doajenin nuk e mposhtin emocionet edhe pse paksa e kaplojnë. Përvoja e tij e madhe dhe interpretimi prej një aktori të dalluar, dalin sheshit dhe fluturojnë nëpër të gjitha hapësirat e skenës. Duartrokitjet ia shtojnë edhe më shumë guximin e Hadiu luan rolin e vet ashtu siç di vetëm ai, ashtu siç e ka vetëm ai “zanat”. Dhe çdo gjë e interpreton me maturi dhe sipas konceptit regjisorial. Aty ku diçka do të “çalojë”, ai di ta evitojë me aktrim sa që vështirë hetohet nga shikuesi. Dhe kësaj ia del për mrekulli. Jo vetëm kaq. Aktori Hadi Shehu tregon se e ka mundur sëmundjen, e jo sëmundja atë. Me dy tri elemente skenike, një bastun, një karrige, një qilim të bardhë si rrugë në mes dhe një valixhe, ndërton tërë interpretimin dhe rolin. Edhe kur regjisori parasheh funksionimin e video binit, aktori Shehu është aty si personazh aktiv i monodramës. Dhe të gjitha këto i tejkalon për mrekulli, i tejkalon lehtë, i tejkalon dhe i artikulon artistikisht. Roli i tij prej aktori të madh shfaqet kur ka dialog me publikun, si elemente të teatrit postmodern. Këto dhe disa elemente të tjera të lojës së Hadi Shehut dëshmojnë se ky aktor ka kapacitet ende të aktrojë dhe të interpretojë role në skenat e teatrove tona. Të gjithë regjisorët që nuk e besojnë këtë lë ta shohin ndonjë reprizë të monodramës së Haqif Mulliqit “Marrëzia apo komedia njerëzore” sepse atëherë do të binden për interpretimin e rolit nga ky aktor dhe doajen e bard i teatrit tonë kombëtar.
Në funksion të shfaqjes dhe në bashkëveprim me konceptin regjisorial ishin edhe skenografia dhe kostumet e Agnesa Muharremit, muzika e Haki Mulliqit, grimi i Arjeta Krelanit, efektet e dritave të Nafi Barakut, fonia e Vegim Shehut, e të tjera.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi