Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave

2 posters

Shko poshtë

Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave Empty Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 12, 2009 9:56 pm

Ankthi i statujave



Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave Bardhyl-maliqi_1





BARDHYL MALIQI






Poemë



Butrint,

Amfiteatër i lashtë me tragjedi të reja,

Me brenga të përgjakshme

Të mbetura nga rropatjet, ankthet dhe harrimet.

Prek gurët e tu e toka dridhet,

Prek mozaikët dhe zgjohen agimet,

Prek shkallaret dhe rënkojnë perëndimet.

Butrint,

Shtegëtojnë statujat e tua Evropës,

Dhe nëpër gishtat e mi kalërojnë stuhitë,

Për riatdhesimin e statujave

Avionëve “Çarter”

Nata bëhet ditë!

Koka e Zeusit mendon s’di se çfarë,

Mendon s’di se ku.

Ajo ka vite larguar

Mbase në Athinë, Romë, Stamboll, Londër, Nju Jork

Aty ku vlerësohet arti

I kokave të mermerta apo

I kokave të rrokullisura në shportë!

Të paktën koka e Ali Pashës dhe koka e Zeusit

Këtë thotë…



Ah statujat, heronjtë dhe perënditë,

Perënditë me fytyrat tona njerëzore,

Me hiret dhe marrëzitë,

Me luftrat dhe dashuritë

U mbuluan nën pluhura gërmadhash dhe dherat e harrimit,

Dhe heshtën gjatë në baltën e moskthimit,

U zvarritën shekujve me mundim e përtesë

Dhe nga thellësitë kërkonin ndihmë,

Andej nga i kishin zhytur stuhitë

Për t’u mbyllur gojën,

Për të groposur historitë

Nën rrënojat e mijëvjeçarëve

Për të folur për ndërtime helenike dhe romake

Duke harruar mijra vjet parahistori

Të mureve qikllopikë të pellazgëve,

Stërgjyshërve tanë,

Të shqiptarëve!



Butrint,

Krenaria ime epirote,

Ti kryeqender e fisit kaon të prasajbëve

Ti vend mikpritës për Enean

Dhe muzë frymëzimi për Eneidat e reja,

Po ku vallë janë banorët e lashtë të qytetit?

Pse vetëm histori pushtuesish na servirin arkeologët,

Dhe ciceronët e mërzitshëm prrallin të njejtat gënjeshtra?

Faleminderit ti Kont Ugolin

Dhe ti Lord bamirës,

Dhe ju zotërinj që vini nga UNESKO-joa

Po ku janë varrosur

Gurëshkrimet e vjetra?

Apo mos doni të na thoni se këtu

Banorë vendas s’ka pasur kurrë,

Por vetëm grekë, romakë, venecianë,

Madje edhe hunë?!



Krëshmoi atje lart,

Në Konispol,

Dëshmia jonë e hershmërisë

Njëzetë e shtatë mijë vjeçare

Flet me prova,

Flet me fakte...



Por do të vijë një ditë

Të hapen varret e mermereve të gdhendura,

Statujat,

Të ngrihen,

Të pastrohen

Të hedhin tej ankthin gri të pritjes

Dhe pelerinën e përhime të baltës,

Të rendin në Muze.

“Jemi vonë, -të thonë,-

Por dhe të coptuar kemi çfarë t’u themi,

Vizitorëve modernë,

Ndaj,

Na llogarisni edhe ne!”



Ndjek netëve të verës

Nën llambadarët e yjeve

Tragjeditë e vjetra me aktorë të rinj,

Me dhjetra gjuhë,

Transmetojnë emocione njerëzore në eter,

Dhe monologët e fuqishëm të Prometeut,

Dhe dialogët e ankthshëm të Antigonës,

Dhe apologjia e vërtetë e Sokratit,

Vrundullon nëpër erë.

Vrundullon në hapësirën rreth nesh

Dhe na hyn në shpirt,

Butrinti rizgjohet çdo natë,

Dhe përcjell spektatorët e rinj.



Ndërkaq,

Statuja spektatorësh të murosura

Na rrëfejnë për ngjarje parabiblike,

Për njerëzit që janë ulur shkallëve

Që nga kohërat antike.

Fantazmat e tyre duken se rendin nëpër natë,

Na përgjojnë pas drurëve,

Na pëshpëritin nëpër veshë

Makthin e lashtë:

Jetojeni jetën,

Se para përjetësisë, jetoni veç një çast.

Njerëz, bëjeni çastin tuaj të bukur,

Pa fobitë tragjike

Që në gjak

Politikanët bastardë

Dhe ushtarakët e pashpirt

Ju kanë futur!



Ja Porta e Luanit,

Baptisteri,

Bazilika,

Pusi i Nuseve,

Mozaikët,

Faltorja antike,

Pagëzorja pak më tutje

Dhe banjat termale publike…

Kodrina pagane e Shendellisë pak më tej

Ku përgatitin suvenire artistike

Martat dhe Mrikat

Dhe vajzat e gjimnazeve,

Ciceronet e reja

Shëtisin vizitorët e shumtë nën kaçurelat e gjelbra

Të pemëve të një bimësie gjigande.

Turistët hapin sytë të habitur

Dhe ëndërrojnë për harbimin e statujave

Në shirat e shkurtit

Apo vapën e korrikut.



Sonte,

Prej diellit të verës

Gurët e amfiteatrit janë ende të ngrohtë,

Si të donin të zbusnin pak efektet e ftohta

Të tragjedive të skenës..

Shëëëët!

Është zëri i Evgjenisë në Aulidë,

Zëri i Briseidës, Andromakës, apo Elenës.

“Për ç’ Irenë e ke fjalën

Një zë i brendshëm më thotë?!”

Helenat dhe Irenat m’i pleksin imazhet

Eh,

Ç’m’i hepojnë kohrat këto flokët biondë!



Brohoras aktin e fundit.

Sa njerëz si unë

Me gjak dhe me kocka

Nëpër shekuj kanë brohoritur,

Prijës, arkondë dhe ushtarë

Me veshje lufte, heshta dhe përkrenare,

Vinin për ta mbajtur frymën pezull

Në gurët e këtyre shkallareve.

S’kish katarsis më të bukur,

Për shpirtrat e tyre të traumatizuar

Nga ankthet.



Shikoj skenat e tragjedive të vjetra

Dhe më duket se kohërat përsëriten,

Poshtë gërmadhave të rroposura

S’qëndrojnë kohërat e vjetra, po makthet e reja:

Dhe në tubacionin e verës, së ujit dhe tamblit,

Në qyngjet e vjetra

Gërhasin plagët e kohëve të reja,

Përpëliten,

Dregëzohen,

Përgjaken!



Mbi kokën e Deas së keqkuptuar

Studiuesit vendosin kurorën e Apollonit,

Dhe Dea trishtohet

Dhe emri i saj pagëzon shoqatat

Shkollat dhe hotelet buzë Jonit.



Na këndellnin sigurisht

Statujat e mermerta që

Prej vjetësh mbushnin Butrintin duke e kthyer

Çdo natë në një mozaik dritash

Të bardha, verbuese

Për buzëqeshjen njerëzore të pafat.

Çdo herë që hap sytë janë të pranishme këto drita

Që natën kur veç dashurisë nuk mendon gjë

Dhe të kujtojnë se çdo besim është iluzion,

Të bindin se çdo shpresë është send i kotë,

Përveç realitetit të luftës, ankthit dhe ikjes

Dhe të këtij mozaiku që ndërrohet më shpejt se hëna,

Këtij mozaiku ngjyrash që fshihen dhe shfaqen

Nën rërën e zhvendosur prej hapa kalimtarësh.



Sigurisht neveriten statujat

Prej intrigave tona të vogla njerëzore

(Butrintas, mos shiko jashtë, kjo është më keq se lufta

Sepse lufta të vret vetëm kur je pa fat!

Thërriste dikur në polis kryetari i bashkisë antike)

Me qindra dashnorë gjatë netëve të viteve

Që besonin që thjesht me të mbyllur sytë se

Do të zhdukej amfiteatri i statujave të Butrintit dhe me të

Një ditë do të shlyheshin të tëra dhimbjet e dheut

Edhe unë mbylla sytë duke njohur botën e prandaj

Lakmoj vrapin e kuajve jelelëshuar,

Kuajve me mamuze, me pafta e proka

Ose të rrugëve ku kundërmimi i jaseminëve të lulëzuar

Zëvendëson dritën e dhimbjes së bukur njerëzore.

Por është vera e dashnorëve në plazhe, kështu që

Fatmirësisht nuk ikin dritat ose së paku jo

As në këtë qytet shprese e zhgënjimi

Dhe perëndeshat e mermerta,

Dhe turistet e shkujdesura,

Si vajzat e gjimnazeve

Adoleshentet e bukura me tru të trazuar

Grumbullohen nëpër dritaret e urbanëve që shohin nga deti

Ato vonohen tek hyrja

Mbase nuk kanë lekë për shfaqjen e radhës,

Por lekët as nuk u nevojiten,

Mjafton bukuria e fytyrës

Si biletëhyrje.

Ato duhet të jenë sonte të pranishme në shfaqje

Se ky spektakël tejkalon ekranin e prandaj

Kur takoj në rrugë spektatorë të rinj ankthesh të vjetra

Edhe unë kalamendem në mëdyshje, ose

Dyshoj vërtet:

A mos u bien sytë nga balli në shesh,

Apo qepen si kopsa në fytyrën e hyjneshave të reja?!



Çdo natë na shndrit patjetër mozaiku i Butrintit

(A quhet vërtet Butrint ky amfiteatër të marrësh,

Që aeromon ajrin me spraj kundër mushkonjave?!)

Kanë kaluar 60 vjet nga vizita e Hrushovit

Kanë kaluar 60 vjet nga helmimi i gjarpërinjve,

Por këto kulpra në pemë

Janë si imazhet e gjalla të tyre.



Pse më kujtohen vallë gjarpërinjtë,

Gjarpërinjtë, Hrushovi dhe Laokonti

Apo se mbase shfaqja e radhës është “Gratë trojane”

Apo ndoshta “Andromaka”, e veja fatzezë e Hektorit,

Që këtu jetoi vërtet ankthin e një pasioni tragjik

Ku i biri i burrëvrasësit të saj, Akilit,

Pirroja,

Në helmin e një dashurie të pafat u mbyt.

U mbyt dhe spektatori tremijë e shtatëqind vjeçar

U kthye në imazh të pashlyeshëm të kujtesës nostalgjike.

U tranda një çast

Dhe kur pas përmbysjes dhe rilindjes së botës hapa sytë

Amfiteatri i Butrintit befas ndodhej në anën tjetër

Kishte ndërruar vendin si hëna vetë dhe u çudita

Pa masë dhe doja të të shikoja në sy

Por sytë e tu nuk i gjeta asnjëherë e prandaj

U nisa ta kërkoja detin si Odiseja

Në kërkim të përjetshëm të Itakës sime.



Eh Parku Butrinti,

Po aq i famshëm sa këto ngrehina antike,

Po aq joshës për sytë e turistëve

Sa këto mure qikllopikë,

Sa kjo rrjedhë dykalimëshe

E ujrave të ëmbla dhe ujrave të kripura që njeri

Brenda tjetrit ndërkallen

Si bukuritë e thellësive

Me sipërfaqen!



Butrint i lashtë !
Mbërthyer nga thonj
Kufomash, rri heshtur nën kupolën qiell,
Vesa rrëshqet e ngatërrohet
Nëpër labirinthet e trupave mijëravjeçarë,
Statuja të thyera,

Statuja të prera, lënë në harresë,

Si në ndryshkje akrepash.
Hyjnë zhurmshëm, e dalin prej
Teje vështrimet që ndajnë dy botë…,
Vështrime të hedhura në
Letër, ngjeshur në kujtesën e gurtë.
Një zë vjen, andej nga
Thellësitë, atje ushton në “pusin e nuseve”…,
Kumbon trungjeve të ullirit
Nën prehërin e gjetheve, e bardha paqe
Dhe degëve rëndojnë
Kristale loti të mbështjella fytit prej mallit !
Shkallët e gurta derdhur
Radhë, ngarkohen me hapa mendimesh!
Harkuar në të ikur skaliten
Kujtesës statujat e gurta në Butrint,
Makth i ngelur në ankthin e
Ngurtësisë përtej bregut pa dallgë!
Statuja të lëna, të lodhura
Nën hije nga vitet e mbetura…,

Dhe sa?!
Statuja s’ka moshë,

Nuk kërruset e thinjet shtatëhedhura lashtësi,
Ndaj ankthi i tyre ngelet veç
Në letrat e mia të bardha!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave Empty Re: Bardhyl Maliqi:Ankthi i statujave

Mesazh nga Balkan Autor Fri Dec 05, 2014 2:58 pm

E kemi lexuar se pari ne botimin anglisht ne Atalanti ne librin me te njejtin emer, botim i Toenes. Eshte nje veper e lakmueshme me kete teme, jo me kot eshte vlersuar me çmim special nga Kongresi i Dyte i UNESKO-s.

Balkan Autor

Numri i postimeve : 1
Registration date : 04/12/2014

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi