Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vizat, BE izolon shqiptarët

Shko poshtë

Vizat, BE izolon shqiptarët Empty Vizat, BE izolon shqiptarët

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 16, 2009 10:38 pm

Vizat, BE izolon shqiptarët

Rama: Kjo është dhurata e Berishës. Meta: E realizojmë së shpejti



Vizat, BE izolon shqiptarët Be-ciaoo


Që nga janari i vitit 2010, shtetasit shqiptarë do ta kenë të vështirë të udhëtojnë drejt Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Dje, Komisioni Europian zyrtarizoi propozimin për heqjen e regjimit të vizave për këto tri shtete. Komisionerët europianë Zhak Barrot dhe Olli Rehn kanë bërë propozimin për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, duke lënë zyrtarisht jashtë Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën. Në një konferencë të përbashkët për mediat, Rehn dhe Barrot kanë bërë të ditur se Shqipëria e Bosnja nuk përfitojnë liberalizim vizash për shkak të mospërmbushjes së kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, që kanë të bëjnë kryesisht me kontrollin e kufijve dhe pasaportat biometrike. Komisionieri Barrot theksoi se nuk do t‘i lerë qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjës që të presin gjatë, duke deklaruar se do të nxisë qeveritë e dy vendeve që të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet, në mënyrë që deri në qershor të vitit të ardhshëm të vijë një propozim edhe për këto dy vende. Shqiptarët dhe qytetarët e Bosnjës do të jenë të vetmit që do të vazhdojnë të presin në dyert e ambasadave për t‘u pajisur me një vize europiane për shkak se nuk përmbushin kushtet për të përfituar nga këto lehtësira. "Shpresojmë që gjatë muajve të ardhshëm, këto vende të vazhdojnë punën, në mënyrë që të përmbushin kushtet për të përfituar liberalizim vizash. Ne nuk mund t‘i dënojmë vendet e tjera që kanë bërë progres, për shkak të vendeve që nuk i kanë përmbushur kriteret. Çdo vend ecën në bazë të kritereve të veta", u shpreh komisioneri europian për Zgjerimin, Rehn. Teksti konkret që cilësohet si rekomandim ka një përmbajtje të veçantë. "Qëllimi i këtij propozimi është kalimi i Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Serbisë nga aneksi 1, në aneksin 2 të rregullores 539/2001", thuhet në propozimin e komisionit. Me fjalë të thjeshta, këto tri vende propozohet të kalojnë nga lista negative në atë pozitive, apo siç njihet ndryshe, Shengeni i bardhë. Nën titullin "Memorandum Sqarues", dokumenti paraqet fillimisht një historik të gjatë të procesit të pesë vendeve të rajonit, Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës e Serbisë, që prej premtimeve të Samitit të Selanikut, më pas me dialogun për lehtësimin e në fund për liberalizimin e vizave. "Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë i ka plotësuar të gjitha kriteret e udhërrëfyesit, Malit të Zi i mbeten tre, e Serbisë katër", vlerëson më tej dokumenti i komisionit, i cili kërkon që dy vendet e fundit t‘i plotësojnë kushtet e mbetura deri në fund të nëntorit, kur mendohet të merret vendimi për heqjen e vizave nga 27 ministrat e brendshëm të BE-së. Në dokument nuk përmenden kriteret për Shqipërinë dhe Bosnjën, vende të cilat janë ende larg në plotësimin e tyre. Lajmi tjetër që del nga ky propozim është se për herë të parë, Kosova, me të cilën s‘ka pasur asnjë dialog për këtë çështje, propozohet të përfshihet në listën negative, "pa paragjykim në lidhje me statusin e saj në bazë të rezolutës 1244", siç thuhet në dokument, si dhe se banorët e Kosovës që do të kenë pasaportë serbe, nuk do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Në përfundim vlen të theksohet se sipas propozimit të komisionit, liberalizimi i vizave, i cili pritet të hyjë në fuqi në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2010, do të vlejë vetëm për ata banorë të cilët do të jenë të pajisur më pasaporta biometrike.


LSI


Meta: Do ta realizojmë

shumë shpejt këtë qëllim



Deklarata e komisionerit për Zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, për liberalizimin e vizave, nuk është e panjohur dhe e papritur që këto vende të përfitonin më shpejt. Kjo ishte deklarata e djeshme e kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij, nuk duhet të harrojmë se këto vende janë pjesë e ish-Jugosllavisë, ku nuk ka pasur nevojë për viza 20 vite më parë dhe njëkohësisht janë të qarta dhe standardet që duhet të përmbushë Shqipëria për të fituar liberalizimin e vizave me BE. "Dihen standardet që nuk janë kryesisht çështje me karakter teknik, sikurse u theksua edhe sot në Bruksel. Unë kam besim të plotë që koalicioni i ri me një të ardhme shumë të shpejtë do ta realizojë këtë synim madhor dhe këtë ëndërr të të gjithë shqiptarëve, pra liberalizimin e vizave me BE-në", theksoi Meta.



PS


Rama: Kjo është "dhurata"

e Berishës për shqiptarët



Kjo është dhurata e Sali Berishës për shqiptarët e shqiptaret. Të tillë e konsideroi dje vendimin e Brukselit Edi Rama, kreu i Partisë Socialiste. Teksa ironizoi Berishën, ai tha se "sot është fakt që Shqipëria për shkak të këtij Kryeministri, të asaj qeverie, që nuk mori më një mandat për të vazhduar dhe të zgjedhjeve pa standarde, është më e izoluar se sa ishte përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, sepse ndërkohë që Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, u shpreh ai, hyn në programin e liberalizimit dhe ndërkohë që qytetarët e këtyre vendeve do të lëvizin lirisht në Evropë shumë shpejt, shqiptarët e shqiptaret do të duhet të përballen me po ato vështirësi dhe ato procedura të pamundura, që deri më sot janë për vendet e tjera të BE, edhe kur do t‘ju duhet të shkojnë në Mal të Zi apo Maqedoni".



Monitorimi


Çështjet që kanë ngecur në rrugë dhe që u konstatuan në raportet kritike të Komisionit Europian disa muaj më parë


Reformat e parealizuara që

shkaktuan refuzimin e Brukselit


Ndëshkimi i Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës erdhi pas monitorimit që Komisioni Europian u bëri vende aspirante gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti. Dokumenti i hartuar për këtë monitorim konstatonte se janë bërë disa progrese, por nevojitet përmbushja e plotë e kritereve në të gjitha fushat e specifikuara në udhërrëfyes. "Në fushën e drejtësisë, lirisë e sigurisë vërehet njëfarë progresi në përgjithësi, por për sa u takon fushave për heqjen e regjimit të vizave, Shqipëria nuk është ende në përputhje me standardet europiane. BE thekson rëndësinë e bërjes së një progresi të matshëm në kontrollin e kufijve, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe azilin, si dhe në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit", thuhej në dokument. "Me gjithë përmirësimin e perceptimit, thuhej në raport, korrupsioni mbetet i shpërndarë gjerësisht dhe përbën një problem veçanërisht serioz". Bashkimi Europian vlerësoi progres të limituar sidomos në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe nënvizohet se ky fenomen "mbetet problem serioz, që prek shtetin e së drejtës dhe mjedisin e biznesit në Shqipëri. Përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar dëmtohen nga korrupsioni në vend dhe mbrojtja e varfër e dëshmitarëve, si dhe nga mangësitë në politikat afatgjata. Vështirësitë në bashkëpunimin mes policisë e prokurorisë vazhdojnë të reduktojnë efikasitetin hetimor". Po sipas atij raporti, trafiku i drogës mbetet shqetësim serioz, ndërsa vlerësohej se Shqipëria është "vend i rëndësishëm origjine për trafikun e qenieve njerëzore, si për shfrytëzimin seksual të grave e vajzave, ashtu dhe për punën e detyruar. Trafiku i brendshëm i grave e fëmijëve është në rritje", thuhej në dokumentin konfidencial. "Kontrolli kufitar është më efektiv, por emigracioni ilegal mbetet shqetësim", sipas vlerësimit të vendeve anëtare. Bashkimi Europian konstatonte se "funksionimi i gjyqësorit mbetet i varfër. BE i kërkon qeverisë të ruajë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese, gjykatësve dhe prokurorëve". Sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë strategjike, me qëllim që "të garantohet një gjyqësor i pavarur, transparent, eficent e i përgjegjshëm", thuhej në dokument. Këshilli Europian bënte thirrje për depolitizimin e administratës publike, forcimin e institucioneve dhe më shumë përpjekje në luftën kundër pastrimit të parave.


Mazhoranca


"Blofi" elektoral, viza

për të tërë në qershor



Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kishte një ndër pikat e saj më të forta liberalizimin e regjimit të vizave midis Shqipërisë dhe vendeve europiane. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, fillimisht shprehën optimizmin e tyre se Shqipëria do të përfitonte nga heqja e vizave brenda muajit qershor. Koha kur ishte parashikuar edhe zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri. Më tej, duke parë reagimin negativ dhe raportet e shumta kritike të Brukselit, deklaratat e mazhorancës u përpunuan. Ndryshe nga sa ishte thënë, diplomacia shqiptare "lëshoi pe". Heqja e regjimit të vizave u deklarua se do të ndodhë brenda vitit 2009. Në momentin kur u mësua se tri vendet që do përfitonin ishin Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, mazhoranca korrigjoi edhe një herë qëndrimet dhe deklaratat e saj publike. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Jashtëm Lulzim Basha premtuan në ditët e fundit të fushatës se do të garantonin heqjen e vizave për shqiptarët brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi