Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Afrim Karagjozi: Dinjiteti vetjak dhe ai kombëtar

Shko poshtë

Afrim Karagjozi: Dinjiteti vetjak dhe ai kombëtar Empty Afrim Karagjozi: Dinjiteti vetjak dhe ai kombëtar

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jul 17, 2009 9:38 am

DINJITETI VETJAK DHE AI KOMBETAR

Prof. Dr. Afrim Karagjozi

Ndër përbërësit themelorë në jetën e një individi janë ndërgjegjja, dashuria dhe dinjiteti kombëtar. Të tria këto elemente të domosdoshme formuese janë të ndërlidhura fort me njëra-tjetrën sa nuk mund të shpjegohen e të kuptohen të shkëputura. Dhe që të tria e kanë fillesën te mendimi kombëtar shqiptar. Çdo gjë e mirë apo e keqe, nis nga mendimi. Një individ i lindur dhe i rritur në një mjedis me plot mendim kombëtar, pa asnjë dyshim është i mbushur me këto elemente me mbivlera. Te një individ i tillë formohet ndërgjegjja kombëtare, si më i pari element prej të cilit vetiu e natyrshëm buron dashuria kombëtare, më e para dhe mbi të gjitha ndjenjat e bukura e fisnike te njeriu, ndjenja që i jep kuptim jetës së kujtdo, ndenja mbi të cilën mbështetet dinjiteti kombëtar.

Mendimi shqiptar nuk erdhi nga përtejdetit. Atë e krijoi elita intelektuale shqiptare, e cila kishte për qëllim përfundimtar ripërtëritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ajo elitë vuri në shërbim të këtij synimi të gjitha aftësitë dhe dituritë, të gjithë përkushtimin dhe dashurinë e vet. Ata mendimtarë elitarë ishin idealistët e paspavarësisë, të cilët në rrethanat e një lirie mendimi dhe shprehjeje, luajtën shumë role për një qëllim. Mendimi i tyre fund e krye shqiptar, nën shembullin e mendimtarëve përparimtarë botërorë, mbështetur në gjendjen dhe në rrethanat e kombit shqiptar, preku çdo çështje shqiptare. Roli i tyre thelbësor ishte vendimtar në ndryshimin e mendësive, në çeljen e një sheshpamje pa kufi të së ardhmes shoqërore shqiptare.

Ata mendimtarë, krijuesit e mendimit shqiptar, qenë pranë çështjes kombëtare, pranë së ardhmes, por jo të ulur në kolltukë postesh. Ata ditën ta pleksnin mendimin e lirë me mendimin shqiptar, duke krijuar trashëgiminë e këtij mendimi që na vjen sot kaq i pasur. Prandaj sot është thesari ynë i çmuar. Mendimi i tyre ishte mendim i shenjtë, mendim që buronte nga kthjelltësia e atdhedashurisë, buronte nga ato mendje të ndritura që nuk gjetën prehje e qetësi, që nuk reshtën kurrë, por pulsonin fort për atë qëllim të shenjtë: krijimin e mendimit të mirëfilltë shqiptar.

Mendimi shqiptar mbillet dhe piqet në familje, në shkollë dhe në shoqëri. Nëse ai mungon në njërin prej këtyre mjediseve, atëherë nuk është i plotë. Atë e sjellin mes nesh mendimtarët tanë të shquar, por secili mjedis ka mënyrat dhe mjetet e veta për ta përcjellë këtë mendim shqiptar nga një brezni në tjetrën. Mendimtarët janë të pranishëm në të tria mjediset, ashtu si janë edhe lëndëformueset e tjera: historia dhe letërsia; tradita kulturore dhe popullore; filozofia dhe mitologjia. Nëse ky mendim shqiptar nuk hyn thellë dhe fort në jetën tonë, do të ketë hapësira për tjetërsime dhe shtrembërime historike të traditave, vlerave dhe simboleve tona. Pasoja: dobësimi i papranueshëm, i papëlqyeshëm i ndërgjegjes kombëtare. Atëherë, e ardhmja shqiptare e kombit do të jetë e vagullt. Është më mirë dhe më së pari të kemi të sigurt të ardhmen tonë shqiptare e pastaj atë europiane. Ndonëse ne jemi europianë edhe pa hyrë në organizmat e Europës jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht, nuk mund të kemi të ardhme europiane pa pasur atë shqiptare.

Ky mendim shqiptar mund të kultivohet e të mbrohet, të përhapet e të trashëgohet nëpërmjet librave me mendim kombëtar shqiptar. Ky libër është mirë, është i domosdoshëm të jetë në çdo vatër shqiptare, kudo në botë. Nëse Bibla dhe Kurani mbajnë nderimin për fenë, ky libër mban ndjenjën kombëtare, mban nderimin për kombin.

Mungesa e mendimit kombëtar shqiptar krijon një zgavër shpirtërore, kulturore dhe intelektuale te çdo brezni, veçanërisht te brezi i ri. Pasojat ndihen në dobësimin e ndërgjegjes dhe identitetit kombëtar shqiptar dhe sigurisht në cenimin e dinjitetit kombëtar. Mungesa e mendimit shqiptar në shkollë, në shoqëri dhe në familje, shkëput lidhjet mendore dhe shpirtërore të breznive, ndërpret atë ndriçim që ndezën ata mendimtarë idealistë që drithëroheshin për Mëmëdheun e për kombin. Nëse gjendja atëherë nuk ishte si sot, sot nuk duhet të jetë si atëherë. Por mendimit shqiptar i takon të jetë edhe më i përparuar, më bashkëkohor.

Nëse ata mendimtarë, në palcë atdhetarë, mendonin dhe punonin për t‘i dhënë kombit drejtësi, përparim, qytetërim dhe dinjitet, atëherë sot të gjithë t‘i përvetësojnë ato mendime, duke i nderuar ata si mësues të mendimit kombëtar shqiptar; si mësues të atdhedashurisë e të çështjes kombëtare; si mësues të formimit të ndërgjegjes dhe dinjitetit kombëtar.

Ndërgjegjja kombëtare shqiptare e gjen frymëzimin e vet pikërisht te ky mendim shqiptar. Mendimtarët tanë ngulmonin që kjo ndërgjegje të rrënjosej thellë dhe fort në shpirtin e rinisë, se një popull pa vetëdije të vërtetë dhe të fortë kombëtare, kurrë nuk mund të jetë i pavarur dhe i lirë; kurrë nuk mund të jetë i përparuar dhe me dinjitet. Zef Valentini e përcaktonte: "…ndërgjegjja kombëtare është ai sistem veprimesh së mendjes, nëpërmjet të cilave njihet kombi në të gjitha pikëpamjet". Ndërsa Nebil Çika plotëson: "¦vlera e një kombi është lidhja e ngushtë me ndërgjegjen kombëtare që është vepër kulture e qytetërimi".

Është kombi pa është kombëtaria që na vënë në provë këtë ndërgjegje. Në bashkëkombës të ndryshëm kjo ndjenjë e kombëtarisë është e ndryshme. Sami Frashëri bën këtë vlerësim: "…shqiptar i vërtetë është ai që ka mendjen e zemrën shqiptare.¦ Se kombi shqiptar s‘është komb për të pasur turp prej tij… po është nder i madh". Dhe pak vjet më pas Branko Merxhani vinte në këtë përfundim: "¦ta shohim jetën ashtu siç është dhe jo ashtu siç e duam ne të jetë. Jeta do zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk gjendet lart në qiellin kombëtar, por është fshehur thellë në shpirtin kombëtar.¦ Kush vë në dyshim vitalitetin historik të kombit mund të jetë njeri i mirë po është shqiptar i keq.¦ Udhët e shpëtimit dhe përparimit janë të mbyllur për jetë për ato tufa njerëzish që rrojnë pa pasur vlera morale, ideale shoqërore dhe dëshira kombëtare".

Shprehje e ndërgjegjes dhe e ndjenjës kombëtare është dashuria për çdo gjë shqiptare, e çdo shqiptari për shqiptarin dhe e të gjithë shqiptarëve për kombin. Kjo ndjenjë e ndjenjave, më e bukura dhe më e vyera ndjenjë, ka të bëjë me identitetin kombëtar, si shprehje kuptimplotë e ndërgjegjes kombëtare. Ky identitet është themeli ku mbështetet dinjiteti ynë. Kemi vlera dhe merita, kemi histori dhe tradita, simbole e bukuri që na nxisin të jemi jo vetëm me dinjitet, por edhe krenarë. Simbolet tona nuk janë pjesë thjesht simbolike, por janë pjesë thelbësore të identitetit, ashtu si janë vlerat artistike tradicionale, vlerat monumentale dhe mitet.

Sa më shumë vlera, sa më shumë simbole e mite dhe sa më shumë nderime për to, aq më e fortë është ndjenja e identitetit kombëtar. Mitet si pjesë e tij nuk mund të shpërbëhen. Kot nuk thonë: "Mos e ktheni në mit!" Bota u rrit vlerat miteve, nuk i zbeh, madje aty ku s‘ka i sajon. Edhe harmonia fetare shqiptare është një vlerë e cila ka të bëjë me vetëdijen, me dashurinë dhe dinjitetin kombëtar, për aq sa feja e shqiptarit është shqiptaria. Çdo kush ka të drejtë të shprehet dhe të veprojë ashtu si e ndjen, si e mendon, por deri aty sa nuk cenohen identiteti dhe dinjiteti kombëtar. Globalizmi kërcënon ndjenjat, ndërgjegjen dhe identitetet e dobëta kombëtare. Ato humbasin te njerëzit e dobët. Sa më pak të tillë aq më i qëndrueshëm është identiteti ynë. Ky identitet duhet bërë i njohur botës, me tërësinë e vlerave të shumta që ai përmban.

Dinjiteti kombëtar është shuma e dinjiteteve vetjake, e dinjitetit të gjithkujt. Këtë dinjitet mund ta zbehë paksa varfëria, por jo ta zhdukë, duke filluar nga mohimi i emrit të vet, i mbiemrit të fisit; nga mohimi i vendlindjes dhe vendrritjes deri te gjuha. Humbja e dinjitetit vetjak është humbje e vetvetes dhe kjo cenon dinjitetin kombëtar. Nëse këta humbës të humbur janë disa dhe ne i lëmë të shumohen, atëherë dinjiteti kombëtar është i kërcënuar. Kur dinjiteti është i kërcënuar, edhe kombi është po aq i kërcënuar. Mbrojtja e dinjitetit vetjak ka më shumë vlera dhe rëndësi se sa mbrojtja e jetës.

Duke e mbrojtur atë kemi mbrojtur dinjitetin kombëtar. Të gjithë mbrojnë kombin. Një njeri pa dinjitet është, ndoshta pa dashje, njollosës i dinjitetit kombëtar. Një qenie e tillë më pak nuk është humbje. Por një komb pa dinjitet është pa vlera. Ndërgjegjja dhe dashuria kombëtare e mbajnë lart dinjitetin, por dinjitet pa vlera, pa krenari, pa dituri dhe qytetërim nuk ka. Dinjitetin tonë nuk e përfaqëson vetëm shteti, por edhe ne shtetarët. Europa nuk na pranon pa të dhe neve, pa asnjë mëdyshje, nuk na takon të jemi pa dinjitet.

Marrë nga gazeta “Shqip” - për Zemrën shqiptare Alfred Papuçiu
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi