Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve

Shko poshtë

Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve Empty Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 20, 2009 9:33 am


Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve U1_GiovanniArmillotta
Giovanni Armillotta
Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve


Nga Armand Plaka

Për të prezantuar këtë libër, i cili trajton një çështje të veçantë, ndoshta do ishte më mirë të flisnim pak për autorin.

Nga miqtë e shumtë e figurat që Shqipëria numëron ndër shekuj e mijëvjeçarë - duke ia nisur që nga Perandor (Çezari) Oktavian Augusti (që studioi në Apoloni) e deri tek Lord Bajroni, nga Gustav Majer deri tek Edith Durham, e duke vazhduar më tej - me ato nga Italia, që për ne është kaq e afërt, dhe që gëzon kaq shumë simpatizantë, është për kohët tona edhe Dr. Giovanni Armillotta. Vepra e tij ndërkohë po bëhet shembull i dashurisë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve në kohët moderne, ku poliedriciteti i njohjeve e interesave të tij të gjera, e kanë bërë që të ngjasojë me një tjetër figurë, shumë të njohur për historianët tanë: gjermanit Eduard Schnitzer, i njohur dikur ndryshe edhe me emrin Mehmet Emin Pasha (që nga viti 1870, këshilltar i guvernatorit të Shqipërisë Veriore, Ismail Haki Pasha).

Armillotta, edhe ai gjithashtu me origjinë të largët gjermane, është Doktor i Shkencave Politike në Universitetin e Pizës dhe Doktor në fushën e kërkimeve (PhD) historike, institucioneve e marrëdhënieve ndërkombëtare mbi Azinë dhe Afrikën Moderne e bashkëkohore në Kaljari. Bashkëpunon me organet më të njohura italiane dhe ndërkombëtare të informacionit historiko–politik si: “L’Osservatore Romano” e përditshme e Qytetit të Vatikanit; “Affari Esteri” organ tremujor nxitur nga Ministria e Jashtme Italiane; “Rivista Marittima” periodik mujor i Marinës Ushtarake, botuar për herë të parë në vitin 1868; “Oriente Moderno”, themeluar në vitin 1921, i Institutit për Lindjen ‘C.A. Nallino’ në Romë; si dhe me organe të tjera dhe gazeta të përditshme të ngjashme.

Është njëri ndër dy të vetmit studiues italianë që shkruan në të njejtën kohë në tri revista që merren me çështjet e gjeopolitikës: “Eurasia”, “Imperi” dhe “Limes”. Është një interpret i shkëlqyer i politikës së jashtme dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka qenë i vetmi studiues jo–shqiptar që ka vënë firmën e parë në numrin e parë, vitin e parë, të “The International Journal of Albanian Studies” të Universitetit prestigjoz të Kolumbias në Nju Jork, drejtuar nga Shinasi A. Rama (vjeshtë 1997). Bashkëpunon gjithashtu edhe me “Relaciones Internacionales” të Universitetit të La Platës (Argjentinë) me “Balkanistica” të Universitetit të Missisippit (ShBA), dhe me “Nuova Storia Contemporanea” që botohet në Romë. Nga viti 2002, ai ka përuruar tek “Limes” një lëm të ri studimi, të pashkelur më parë, që lidhet me gjeopolitikën, duke iu referuar (përveç të tjerave) ngjarjeve të mëdha futbollistike e sportive në aspektin ndërkombëtar. Kontributet e tij janë sjellë në shqip kryesisht në formën e përkthimeve, sidomos nga Besnik Dizdari, dhe janë publikuar në gazeta të ndryshme shqiptare; por nuk mungojnë edhe gazetarë e studiues të tjerë, të cilët janë bazuar për artikujt e tyre në studimet e hulumtimet e zellshme e plot realizëm të doktorit italian në arkivat këtej e përtej Atlantikut.

Dr. Armillotta ka lindur në Foggia, qytet i Krahinës së Puljës, rajoni italian më i afërt me Shqipërinë. Është rritur e ka jetuar në Manfredonia deri sa mbushi 19 vjeç, për t’u transferuar më vonë në Universitetin prestigjoz të Pizës, ku ka marrë mësime nga Mjeshtër me emër, në fushën e afrikanistikës siç është dhe Prof. Vittorio Antonio Salvadorini, juristja Prof. Annamaria Galoppini, historiani Prof. Maurizio Vernassa, etj.

Dr. Armillotta mban dhe dekoratën e Ushtrisë Italiane “Dëftesa e Meritave”, pasi ai ka qenë nën armë në periudhën 14 qershor 1977 deri më 8 qershor 1978, duke u inkuadruar në regjimentin e 13–të Pinerolo (në Avellino–n) me gradën e nënoficerit (caporal–maggiore). Regjimenti 13–të italian Pinerolo çliroi Strugën e Maqedoninë Perëndimore me popullsi shqiptare nga serbomëdhenjtë (prill 1941). Regjimenti i 13–të ishte e vetmja njësi luftimi italiane në Ballkan, e cila u dekorua në Flamur me Medaljen e Artë të Vlerave Ushtarake të spikatura që mbartte diçiturën “Ocrida, Bilishti, 8–18 prill 1941”. E ngjyrat e regjimentit të 13–të, në fakt janë kuq e zi, ashtu sikurse dhe ngjyrat e flamurit shqiptar.

Njëri nga nderet më të veçanta që ai rendit në karrierën e tij të gjatë është dhe letra me falenderime e urime, që shkëlqesia e tij, Mbreti Norodom Sihanuk i Kamboxhias, i shkroi më 14 qershor 2002 për kontributin e përkushtimin e tij në nxjerrjen në dritë të një vëllimi të konsiderueshëm historik e dokumentar mbi “Kmerët e Kuq”, që tronditën botën me krimet e tyre në vitet 1970–1979.

Në prill 1987, Dr. Armillotta pranoi postin e Sekretarit të Presidencës, që iu ofrua nga Komisioni e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës së Deputetëve (Parlamenti Italian, gjatë legjislaturës së 9–të të tij).

Pasioni për Shqipërinë

Por si nisi i gjithi ky pasion për “Vendin e Shqipeve”? — Në shtator të vitit 1969, i ati i Dr. Armillotta, Emiddio (shpallur i humbur më 23 gusht 1997), ndërsa kthehej nga një udhëtim në Lindjen e Mesme, i sjell të birit një radio të vogël, e cila — në Itali në fund të viteve ’60 — ofronte të njejtat emocione, mund të themi, që një djalosh i ditëve të sotme ndjen kur navigon në internet. Por gjatë udhëtimit, radio duket se kishte pësuar ndonjë goditje të vogël: në fakt Giovanni, asokohe akoma adoleshent, ia doli të kapte gjithsesi valët e transmetimeve të Radio Tiranës, si në shqip ashtu dhe ato propagandistike në italiasht, anglisht, e në gjuhë të tjera.

E ashtu, i dhënë pas futbollit, ai ndjek gjithë kureshtje një ndeshje që akoma dhe sot e kësaj dite, e kujton me nostalgji: e para ndeshje futbolli që ai dëgjoi në valët e saj, ishte ajo mes 17 Nëntorit dhe Ajaksit të Amsterdamit, që përfundoi me rezultatin 2-2 (me gola të Josif Kaxanxhi 58’ 1-2 dhe të Medin Zhegës 87’ 2-2), e vlefshme për 1/16 finale e Kupës së Kampionëve, zhvilluar më 16 shtator 1970, e komentuar nga radiokronisti legjendë, Ismet Bellova. Një takim tjetër që ai e kujton po me aq nostalgji e kënaqësi, ishte dhe ai mes Besës së Kavajës e Fremad Amager të Kopenhagenit (0-0; 27 shtator 1972, i vlefshëm për Kupën e Kupave), që regjistroi për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, kualifikimin e një ekipi shqiptar drejt fazës 1/8 finale (pasi në ndeshjen e kthimit, ajo përfundoi 1-1 dhe golin e barazimit, d.m.th. të kualifikimit, e shënoi Nimet Merhori).

Ndërkohë, interesi i tij për historinë dhe politikën e jashtme — falë edhe një biblioteke të pasur, trashëguar nga familja e tij — i referohet në fakt disa viteve të mëparshme, që lidhen me tërheqjen e vazhdueshme të një djaloshi të ri ndaj një realiteti, plotësisht të panjohur e mistik (përse jo, butaforik shpeshherë) që vinte nga Lindja, duke i dhënë kësisoj impulset e para të interesimit ndaj një vendi “ekzemplar” (ia vlen të kujtojmë këtu se Dr. Armillotta nuk është madje as ndonjë arbëresh).

Në arkivat e tij sportivë — përbërë nga statistika e artikuj gazetareskë (e jo vetëm) — Dr. Armillotta kishte vënë re se shqiptarët merrnin pjesë disi rrallë në gara e kompeticione të ndryshme sportive ndërkombëtare, por kur ishin prezentë, tentonin të arrinin rezultate dinjitoze dhe të përftonin kësisoj një profil të lartë. Edhe në politikë, për Dr. Armillottën dukej se vihej re i njejti fenomen. Asokohe akoma në një moshë fare të re (18–vjeçare), ai kërkonte të shpjegonte qëndrimin e një shteti–parti komunist, që ishte në të njejtën kohë, antisovjetik, antiamerikan, e madje, as shumë pranë Pekinit (pasi në ato kohë, opinioni ndërkombëtar që mbizotëronte, ishte ai se Shqipëria ishte filokineze), pasi në radio, “Kina popullore” nuk mburrej me të madhe e nuk i lihej hapësirë aq shumë, siç ndodhte në rastin e miqësisë shqiptare me Bashkimin Sovjetik, apo me partitë e tjera komuniste përtej “Perdes së hekurt”, me besnikët më të largët të Moskës në botë.

Qysh nga ai moment, Dr. Armillotta ia nisi të konsultohej me çfarëdo lloj materiali që ai gjykonte me vlerë për studimet e tij rreth Shqipërisë, dhe dëgjonte me durim e vëmendje të madhe, rregullisht transmetimet në italisht e shqip të Radios së vetme shtetërore në Shqipëri. Nga gjysma e dytë e viteve ’70, ai kuptoi se vetëm duke hyrë vetë në kontakt me burimet e brendshme, thuajse të pakalueshme (gazeta, traditat e shkruara, publicistika, letërsia, gjuha dhe kultura) mund t’i jepej mundësia për të zbuluar kufinj të rinj. Vendos, duke ia nisur nga viti 1976 e në vazhdim, të “bombardojë” gazetën “Sporti popullor” (sot “Sporti Shqiptar”), Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar me letra të ndryshme duke i kërkuar statistika, foto, emra futbollistësh, gazeta, libra, etj.

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve Empty Re: Armand Plaka: Giovanni Armillotta, miku i çmuar i shqiptarëve

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jul 20, 2009 9:35 am

Kush e di se çfarë do të mendonin funksionarët e futbollit shqiptar, kur në vitin 1980, Dr. Armillotta propozon të zhvillohet një ndeshje përkujtimore me Argjentinën apo me Brazilin, ose dhe me Gjermaninë Perëndimore apo Italinë, dhe ndoshta edhe me Uruguajin, për të celebruar 50–vjetorin e FSHF–së. Në të njejtin vit, Dr. Armillotta organizoi në Pizë një turne universitar tenisi me rastin e 60 vjetorit të themelimit të Shoqërisë sportive 17 Nëntori (sot Sportklub Tiranë), dhe bëri të mundur edhe organizimin e një fotoekspozite në Tiranë.

Dr. Armillotta këmbëngulte se dashuria e shqiptarëve për sportin ishte, kujton doktori, ndoshta unikale në llojin e saj, duke u bërë kësisoj edhe, le të themi, “kali i Trojës” për “të pushtuar” një vend të mbyllur më shumë për arsye historike, se sa ideologjike: shumë kanë qenë edhe vuajtjet që shqiptarët është dashur të heqin përgjatë shekujve: le të sjellim ndërmend, thotë diku në një botim Dr. Armillotta, një herë të vetme, kufinjtë aktualë të Shqipërisë… dhe përtej kësaj, me ulje–ngritje, nga të vetmit miq që kanë bërë diçka për të mbrojtur pavarësinë e saj, janë dhe italianët (kjo, më shumë dëshmohet gjatë kohës së Luftës së Ftohtë), siç është dhe rasti që Dr. Armillotta ka demonstruar në artikullin e tij në gusht 1999 me titull “Shqipëria në periudhën e shtetit socialist (1944–1991)” e kjo rezulton në mënyrë eksplicite nga dokumentat e arkivat diplomatike ndërkombëtare.

Në fillim të viteve ’80, me emërimin e Besnik Dizdarit në postin e drejtorit të ri të gazetës “Sporti popullor”, gjërat shkuan ashtu si dhe Dr. Armillotta shpresonte. Dizdari — një njeri me mentalitet të ri, kulturë e aftësi të spikatura menaxhuese, fjalë këto të shprehura nga vetë Doktori italian për mikun e tij shqiptar — i përgjigjet letrave të tij, që tashmë thuajse ishin zverdhur nga pluhuri i harresës, dhe i jep udhë kësisoj një këmbimi reciprok mesazhesh, materialesh, informacionesh, artikujsh, fotosh, librash e gazetash.

Ndërkohë, Dizdari e shoqëron mikun italian nga përtej detit, drejt kanaleve kryesore zyrtare (tejet hermetike asokohe) çka bëri që ai të ishte kështu dhe ndoshta i vetmi qytetar perëndimor që në mënyrë private (theksojmë se Enver Hoxha akoma ishte gjallë) mundi të pritej nga mediat shqiptare si të ishte njëri prej tyre, e të shkruante për to lirisht e duke e prekur realitetin nga brenda. Duke mbajtur gjithnjë ndër mend leksionet e të nderuarit Prof. Henry Kissinger — Dr. Armillotta ishte kështu i vetmi artific i një diplomacie me “iniciativë individuale” me shtytje nga sporti, le të themi, e cila në periudhën 12 tetor deri më 2 nëntor 1991, e bën të vijë në Tiranë e të pritet edhe kryeministri i Shqipërisë në ato ditë të vështira, Ylli Bufi (9 qershor–10 dhjetor 1991), shoqëruar nga miqtë e tij të vjetër të redaksisë së “Sporti popullor”.

Nga viti 1986 deri në në fund të vitit 1997 (kur ai u bë edhe i pari që po shkruante për Shqipërinë në revistën “Affari Esteri” në prag të ngjarjeve shumë të dhimbshme për shqiptarët), Dr. Armillotta mbeti i vetmi që do ta trajtonte çështjen e saj gjithnjë në favor të Shqipërisë, si në nivel gazetaresk, ashtu dhe në atë të trajtimit kritik e eseistik.

Një vit më vonë, Dr. Armillotta u bë dëshmitar i tjetër nderi bërë atij nga ana e Prof. Andreas Maria de Guttry, për të marrë pjesë në cilësinë speciale të guest discussant në seminarin mbi “Kërkime mbi një sistem europian të menaxhimit të konflikteve: rasti i krizës shqiptare të vitit 1997” (Pizë, Shkolla e Lartë e Studimeve dhe Kualifikimit “S. Anna”, 6–7 mars 1998). Leksioni në seminarin me temë — “Italianët mbi çështjet shqiptare. Shumë shqiptarë janë në dijeni të cektësisë të gazetarisë tonë italiane” — u publikua në gazetën shqiptare të New York–ut, “Illyria News”, (Nr. 877, 15–18 tetor 1998).

Dr. Armillotta u intervistua nga RAI për të folur si specialist i çështjeve shqiptare në kohën e krizës së Kosovës më 14 mars 1998. Më pas, Armillotta fitoi dhe edicionin e dytë të Premio Nazionale Lidhja 2003 me studimin e tij “Realtà albanese. La rivista della transizione” (Frascineto, Cosenza, 18 qershor 2003). Çmimi prestigjoz u organizua nga Shoqata për kërkime Socio–kulturore K. Kastriota — Biblioteka ndërkombëtare “A. Bellusci” — revista italo–greko–shqiptare “Lidhja”, themeluar në vitin 1980 dhe drejtuar nga Atë Antonio Bellusci.

Cili është aktualisht Dr. Armillotta?

Aktualisht ai është drejtor përgjegjës për revistën shkencore në lëmin e historisë, politikës e gjeografisë “Africana”, revistë për studime ekstraeuropiane, themeluar nga Prof. Salvadorini; “Africana” është njëra ndër të vetmet pesëmbëdhjetë periodikët italianë që konsultohet nga “Index Islamicus” e Universitetit prestigjoz të Cambridge në Angli. Ai, është dhe drejtori i revistës online (webzine) “Metodo” mbi arkitekturën, politikën ndërkombëtare, historinë dhe shkencën.

Armillotta është asistent në Fakultetin të Shkencave Politike (Universiteti e Pizës); dege: Histori dhe institucionet të Vendeve Afro–Aziatike, Antropologji kulturore, Histori e Vendeve Islamike, Histori e Afrikës, Histori e Amerikavet I dhe Histori e Azisë (Vit Akademik 2008–09). Ai shkroi në 2001 “Egitto. Affari esteri 1967–1986” (Edistudio, Pizë); në 2006 “La lunga strada verso la libertà. Prolegomeni alla storia di Estonia, Lettonia e Lituania” (La Biblioteca di Babele, Modica [Ragusa]); në 2007 “L’Angola e l’ONU. Dagli inizi della lotta di liberazione alla fine della guerra civile” (1961–2002) (Aracne, Romë); në 2009 “I Popoli europei senza Stato. Viaggio attraverso le etnie dimenticate” (Jouvence, Roma).

Sensacionet sportive të Dr. Armillota–s

Sporti shqiptar i ka një borxh të madh doktorit italian. Studiuesi në fjalë për shembull, në një artikull të botuar në N. 44 (6 gusht 2001) të “Bota Shqiptare” (Roma, gazeta e shqiptarëve në Itali) drejtuar nga Roland Sejko, demonstroi me fakte e dokumenta konkrete se Ymer Pampuri nuk ishte vetëm i vetmi rekordmen olimpik në Olimpiadën XX të Mynihut në Bavari, RFGJ, si të gjithë besonin, por ajo ngritje ishte e vlefshme për të fituar kështu titullin e kampionit botëror në stilin e forcës në peshëngritje (29 gusht 1972). Besnik Dizdari, pasi e verifikoi në rrugë zyrtare, e botoi këtë zbulim me bujë në faqen e parë të “Futbolli Shqiptar” Nr. 95, të datës 16 nëntor 2001, me titull: “Zbulim sensacional pas 29 vjetëve. Ymer Pampuri është Kampion i Botës! Papritmas zbulojmë se Shqipëria ka në histori, Kampionin e vet të vetëm të Botës. E vërteta historike e zbuluar nga Dr. Giovanni Armillotta”, duke e nisur artikullin me fjalët e mëposhtme: “Nuk e zbulova unë, por Dr. Giovanni Armillotta nga Piza…”.

Por nuk përfundon këtu. Duke vazhduar me botimet në faqet e “Bota Shqiptare”, Nr. 138 (15 ottobre 2005), Dr. Armillottà zbuloi një titull tjetër të madh ndërkombëtar në sportin shqiptar: i injoruar në atdheun e vet, ashtu sikurse dhe i pari. Medalja e argjendit në Olimpiadën XIX të shahut në Siegen të Gjermanisë në vitin 1970, marrë nga Eqrem Konçi në tavolinë R2: Nënkampion olimpik! — Po kështu, në dhjetor 2006 doli në dritë në revistën “Imperi” (Nr. 9), një artikull i plotë që bënte fjalë për padrejtësinë e bërë ndaj përfaqësueses së Shqipërisë në Olimpiadën XX të Shahut në vitin 1972 në Shkup (ish–Jugosllavi, sot Maqedoni).

Armillotta on line për Shqiptarët

Aktivitetet e Dr. Armillotta–s zgjerohen duke i shfaqur punimet e tij edhe në internet në një mënyrë shumë efektive. Portalet e çelura prej tij, dedikuar Shqipërisë e shqiptarëve, janë ndër më të konsultuarat ndër shqiptarët në mbarë botën. Ai ka trajtuar aty të gjitha temat që kanë të bëjnë me hulumtimet e veprat e tij në fusha të ndryshme, duke na zbuluar kësisoj shpesh gjëra të reja e të panjohura rreth historisë sonë, të re e të vjetër, heraldikës e simbologjisë, politikës, kulturës e sportit.

Tek revista tjetër “Eurasia” Nr. 4 (tetor–dhjetor 2006), në një ese dedikuar origjinës së Europës, Dr. Armillotta vuri në dukje kontributet e dhëna nga perandorët romakë me origjinë ilire në shpëtimin e administratës e të gjeopolikës perandorake nga fundi i epokës antike dhe fillimi i Mesjetës së hershme.

Përveç kësaj lexoni “Armillotta scopre altre cinque medaglie albanesi sconosciute” in: http://albanianews.it/sport/060409-armillotta-scopre-altre-cinque-medaglie-albanesi-sconosciute.

E personalisht, mendoj se Giovanni Armillotta do të ishte kësisoj edhe një ndër miqtë më të mëdhenj i Shqipërisë në botë, ndër të gjithë ata që nuk janë me origjinë shqiptare.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi