Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt

Shko poshtë

Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt Empty Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 26, 2009 1:02 am

Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt
Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt U1_MustafaMerlikaKruja
Nga Shekulli

Për herë të parë / Një pjesë e letërkëmbimit mes Mustafa Krujës dhe Martin Camajt, i lidhur me revistën "Shejzat" ku Camaj punonte dhe Kruja botonte.

Konsideratë dhe respekt të përulur mes dy intelektualëve. Letra e 30 tetorit është e fundit, mbasi më 27 dhjetor Mustafa Kruja ndahet nga kjo jetë. Të vetmet letra të arkivit të familjes.

"Nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant po t'i bâj shqipes s'ate."

Niagara Falls, 11 fruer 1958

Fort i dashuni Martin,
Më ra në dorë sod blêni 4-5 i Shêjzavet edhe mâ së pari këndova artikullin t'ând. Tue besuem se nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant, po t'i bâj shqipes s'ate ndërmjet nesh qërtimet qi vijojnë:
... në buzë lumit = në buzë të lumit = buzë lumit.

Shnjergj = Shën Gjergj. Kështu në rasët ku e ke përmêndun ti, ku flitet për Shint (shênjt, shêjt); ndërsa po të jetë emën vêndi, edhe mâ mirë besoj me e shkruem sikur e shqipton vêndi, pra Shnjergj, Shnjin, Shijak et.
nepër = nëpër.
rrëmye = rrëmb-: kështu krejt juga me të drejtë etymologjike, sepse, në mos u rrêjsha, vjen prej lat. rapere.

gjâjës = gjâsë, si e shkruej un sod, e gjâs, si e kam pasë shkruem edhe un dikur e si e shkrueni ju, dmth. me theks e jo me -ë.
nuk rrezikonte e me... = nuk rrezikonte me...
nepër at kalim të ngushtë = shtek, shkallë, rrugicë të ngushtë, ngushticë.
"me qenë" = qênë; por ata qenë.

që = qi: qyshse ka folë shqip Shqiptari e dersa ka për të folë shqip Gega ka thânë e ka për të thânë QI e kurrë që! E kurrë s'i ka ramë ndër mênd nânës, motrës e bijës së Gegës qi kjo rroke e shkurtën mundet me u përziem ndër trutë e kuj me nji rroke të gjatë me këto dý shkrola.

Këtë trazim e krijuen profesorët komunista si A. Xhuvani me shokë krejt nergut për t'ua kujtuem të rijve e të rejave, për t'i çfisnuem e çuem në rrugën e tyne. Të gjitha gjuhët e botës janë plot me fjalë qi njeriu, kur âsht i poshtër si ata profesorë, mundet me i marrë vesht keq. Populli thotë pa kurrfarë të keqi, gra e burra, "kush i rrin pemës në bythët, ai ia han koqet."; nji koqe mollë, vezë et. et. (Juga e Shqipnij'e mesme).

Shkodranit, qi me këtë kuptim përdor vetëm fjalën kokërr e koqes ia ka kufizuem kuptimet vetëm në nji, sigurisht i tingullon keq e prandej âsht gjâ e arsyeshme me e marrë para syshë këtë pikë; por për fjalët si "qi", të cilat janë të përgjithëshme, janë sakrilegja ndryshimet e sendërgjueme.

Sumë âsht synonym me bythë, e me atê të vërtetën; me gjithë këtê, askuj nga katundarët e katundit qi ka kët'emën s'i ka shkuem mêndja kurrë qi i duhej ndërruem emni katundit të vet. Gjithashtu as familjes Suma në Shkodër jo.

Tekembramja, po shtoj edhe se për gegnishten e epër, ë-ja s'do të kishte gjetun vênd aspak n'alfabetin t'onë, pse atje nuk ndihet n'asnji fjalë. Gjithku ka qênë etymologjikisht si shênj i nji zânoreje tjetër, âsht kthye mbasandej n'e, por mâ të shumtën n'i, ase â zhdukun krejt.

fluturìm = pa theks, për të cillin s'ka fé nevoje. Gjithashtu te smirzì. Më duket se ky theks askund s'ka nevojë me u përdorë në shqipet.
njanin = njânin.

vehte: nga tri format qi kemi, vete - vehte - vetëhe më duket mâ e arsyeshme e para, mbasi kemi edhe vetë e vetëm qi nuk i bâjmë veh- e s'mund të bâhen vetëh.
thanë = thânë: e dij se edhe këtê e ke dhuratë nga profesorët, qi pretendojshin se vetë n-ja ase m-ja ia nep tingullin hunduer zânores qi i prîn, prandej s'ka nevojë për theks. Kemi plot shêmbuj qi e përgënjeshtrojnë këtë thesë. Pra edhe shkâmb e jo shkamb, dâm et. et.

dij: të lumtë dora! Ishalla edhe Ernestit do t'i mbushet mêndja nji ditë se diej âsht gabim nga çdo pikpamje.

Beka? Po atëherë Bekë, pra, a jo? E Bekë Tushi, jo Bek Tushi. Orthografija e nji fjale nuk mundet me qênë fonetike në çdo rasë e vênd. Thomi Bekë - Beka, Gjokë - Gjoka, Dedë - Deda, Bibë - Biba et. Pra âsht gabim gjithë ditën mbasandej me e shkruem Bek...- Gjok...- Ded.. e Bib...

Të marrim për shêmbull edhe fjalë qi s'janë emna veçorë: pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nândë, dhetë; e mbrapa, vetëm pse e shqiptojmë të shkurtën tue folë, duhet t'a shkruejmë pes burra, gjasht zogj, shtat pula, tet gjela et.?
mandej = mbandej (mbasandej); si pastaj (pasandaj)
bertitte = bër-.
herë mba herë = ... mbas here.

mos ta freskojshin = ....t'a....: a shkruen edhe " mos ti thojshin?". Po bâjmë këtu nji ushtrim gramatike elementare: ai do të më shohë e të më thotë; të na shohë e të na thotë; të ju shohë e të ju thotë; t'i shohë e t'u thotë: kjo âsht rregulla e ime.

Të shohim tash atê të Xhuvanit me shokë: ata shkruejnë të më (pra jo ngjitas tëmë), të të (jo tëtë); por ta ( pra kështu bashkë e jo veças si tjerat!) e ti (kështu apo t'i?) thotë, të na (jo tëna), të ju e t'u (apo tu), t'i (apo ti?) e t'u (apo tu?).

Po i sheh kontradikcjonet xhuvanore. E në qoftë se Xhuvani do të thonte se të bashkohet vetëm me zânoret e jo edhe me bashkzânoret, bukurí, atbotë pra jo vetëm ta shoh, por edhe ti them e tu them! Apo si e ka profesor'i ynë atë rregull të shkretë?!
shum = shumë.

n'at anë e në këtë anë të lumit: shumë mirë. Por atëherë, si e kam shënuem edhe mâ nalt, edhe në buzë të lumit ase buzë (prepositë) lumit. Po më pëlqen këtë (adj. demons.), se kështu e shkruej edhe un; por para emnit qi fillon me zânore duhet apostrofuem kët'anë. Këtë libër, kët'arë, këtê e due un.

Por edhe atë libër, at'arë, atê merre ti. Athue nuk duhen trajtue si njâna tjetra atë e këtë, atê e këtê.
kadalë = ngadalë, dalkadalë = dalngadalë, kadalekadalë = ngadalengadalë; por mâ e âmbël e dyta kisha me thânë.
pranverë = prendverë.

për fund të tyne = përfund (prep.) tyne.
me iau ...! Ç'âsht ky iau? Nji formë e keqe, trashamane, djalektore e gabueme. Me m'a - t'a - ia (i a, ja) - na e (na a) - ju a (jau) - ua (u a , va). Po e sheh vetë gabimin dy fijsh te jau e tre fijsh te iau: âsht personë e dytë plurale përdorun për të tretën; metathesë jau për jua; iau për jau.
ngrrye = gërrye; n- âsht nji parasite qi kujtoj se s'ka gjetun vênd fort as ndër fjalorë. Të kshilloj përgjithsisht qi tingullin rr t'a përdorish kudo vetëm ndërmjet zânoresh para e mrapa, se ndryshe, tue qênë i vështirë shqiptimi, mbaron në r.
sot = sod. A thue mbas sodi a mbas soti? E kam rrah këtë problemë ke ABETARI I TË MËRGUEMIT,f.52; por gabimisht tue folë vetëm për pesë parë bashkzânore e tue lânë jashtë... edhe nj'aqë: c - x, ç - xh, gj - q, s - z, sh - zh.
memzi (kr. simvjet), si formë shkodrane âsht e drejtë (por jo me mëzi, as në djalekt); veçse etymologjisht kanë mâ të drejtë tjerët qi thonë mezi (me + zi) ase (me + të zi).
pështue, nji tjetër formë djalektore për shpëtue.
mbrrîmë = mbë-
mprojshin = pr-: mp- âsht nji orthografí antifonetike, mbasi edhe sikur t'ishte m-ja jo nji parasit, por etymologjike, grupi mp- âsht transformuem në mb- sikur nt në nd.
bár = bar: arsyen e gjên në nji shënim te shkrimet qi ju kam dërguem për rivistën.

mbassi = mbasi: kurrë s'qas fonetik'e shqipes bashkzânore të dumzueme veçse ndër disa rasa të pakta zgjedhimi e lakimi. Etymologjisht âsht, po, mbas + si; por kudo qi etymologjija bie ndesh me fonetikën duhet të ndjekin këtê të fundit.
gadi (Shkod.) = gati.
mos të gjet gjâ e ligë = mos të gjettë.

viq = viç (në qoftë se ky âsht kuptimi te frasa "me ndukë bar viqash".
thonka = thânka: dihet se kjo mënyrë e verbit t'onë përbâhet prej participit e presentit të verbit pasun; kështu qi thân(ë)ka = ka thânë.

sod e ksaj dite! Kisha me i falë gjithë ç'të më ketë falë Zoti mue me mujt'e me m'a provuem kush se kjo frasë, kaqë fort e përdorun sod ndër shkrime, gjindet kund në gojë të popullit ase ndër shkrime të lashta.

Te na thonë "atë ditë e sod", qi don me thânë prej asaj dite e deri sod edhe sod; ase "sod e atë ditë" po me këtë kuptim. Kurse "sod e ksaj dite" s'e kam ndëgjuem kurrë e nuk m'a mbush mênden.
çarr = qarr.
kurr = kurrë.

në heshtjen mâ të madhe: "heshtja mâ e madhe" âsht komparative; për superlative duhet "heshtja mâ e madhja", "në heshtjen mâ të madhen".
në mênd = ndër mênd.
vshtirë = vësh-.
n'atë zheg dite: do të jetë sigurisht nji frasë e popullit; por s'ka as logjikë as shije fort.

E tash, Martin, mbas gjithë ksaj kërkese qimesh mbi voet, besomë se më ka kënaqun mu shpirtin kjo prosë përnjimend shqipe prej pêndës s'ate. Por mos e le me kaqë.Qërtimet, të lutem, m'i merr thjesht për qërtime atnore e vetëm pse të çëmoj e të due.

I yti Mustafa
Romë, 18 /II/ 1958

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt Empty Re: Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jul 26, 2009 1:03 am


Mustafa Kruja i shkruan Martin Camajt U1_ErikadheMartinCamaj
Erika dhe Martin Camaj
Fort i dashuni Mustafë,


Tash mora letrën Tuej dhe po Iu përgjegjem menjiherë. Jam kenë marak si nuk Iu përgjegja deri tash letrës Suej. Posë punës rreth revistës që po na del për hundësh

Prof. Koliqit dhe mue, unë pregadis dhe nji speçjalizim n'Universitet që do të mbarojë me mprojtjen e nji teze filologjike. Kryeneçsisht punoj prap mbi Buzukun. Drejtimi i studimeve mbi ket auktor që ndiqet prej Çabejt etj. nuk më mbushet mendja se asht i drejtë. Interesimi i em tash për tash asht eskluzivisht mbi grafin.

Tash po Iu dërgoj dhe nji studim temin botue prej Bariqit që më pat drejtue në këto probleme. Po më tokon mirë që mos të humbi kohë sa të rrij tue pritë emigrimin për Amerikë, që do të shkojë pak gjatë për arsye t'operacjonit të Ninës, që tash asht mjaft mirë.

Gencit* i shkruej rregullisht dhe prej të gjithë shokëve të mij që kam pasë deri në sod asht mâ i dashtuni. Na kanë afrue disa momente në jetë dhe nji afinitet karakteri ndoshta. Qëllimi kryesuer asht të mbrrijë atje dhe të fillojmë ndoj aktivitet për sigurimin e jetës pse vjetët kalojnë.

Punën që më porositët do ta kryej sa ma parë: nuk besoj se ka nevojë përmirsimi përkthimi i Juej, mbas çka pashë në të parin shikim, por sidoqoftë do ta shikoj me vemendje. Prof. Koliqi asht jashta Rome dhe në këto dit kthen. Më tha se do t'Iu shkruente. Artikulli i Juej asht në shtyp.

Përfundoj tue Iu përqafue për së largu.

I Juej Mar
Të fala shumë Angjeles si nga Nina ashtu nga unë
Roma, 21 /X/ 1957

____________

Fort i dashuni Z. Mustafë,

Mora dorëshkrimin Tuej mbi parathanjen e Frangut të Bardhë. E kam lexue dhe studjue me vemendje: ndër këto nota shifet se sa e njifni Ju gjuhën shqipe. E kemi dërgue në shtyp pse revista do të dali kah fillimi i muejit t'ardhshëm. Kam bisedue me Prof. Koliqin që të botojmë dhe nji faqe të parathanjes origjinale, natyrisht të fotografueme. Jemi shum keq me të holla, por do të bâjmë ç'mos që ta plotsojmë dhe nga kjo anë këtë artikull.

Mbasi SHEJZAT dalin 64 faqesh po e botojmë krejt. Ishalla, na ndihmon Zoti e nuk do të ndalet ky aktivitet i nisun për shkak të pares. Revista asht pëlqye dhe në Kosovë prej shum kuj dhe nji profesor më shkruen se kësi aktiviteti lypin prej nesh. Kam dërgue vetëm tri copë, por duket se janë tue shëtitë dorë në dorë si zakonisht çdo vepër interesante.

Si do ta keni pa dhe prej Boletinit të Shkencave të Tiranës dhe prej disa botimeve të Shqiptarëve në Jugosllavi, asht ngjallë nji interesim i madh për dokumentat e vjetër të shqipes ndër të rijt e soçëm. Më vjen mirë prandej që po del në dritë kapak kapak, mâ vonë shpresojmë dhe tansisht, vepra e Juej mbi Frangun e Bardhë.

Si Nina si unë jemi mirë, megjithse me halle ekonomike. Po vijoj specjalizimin tem në filologjin shqipe. Merrem gjithnji me grafin e shkrimtarëve të vjetër mbas drejtimit të dhanun nga Bariqi i shkretë. Qëllimi i em asht të mbrrij atje, por ndërkaq s'due ta humbi kohën nësa po pres.

Kjo pritje do të zgjasi pak mâ tepër për arsye të operacjonit ase smundjes së grues. Jemi tue u përpjekë të hapim dhe nji kopisteri të vogël private, kështu që të dy të kemi dhe nji zanatë me jetue dhe atje. Nina gjuhën anglishte e din mjaft mirë pse e ka nxanë dhe n'Universitet, por dhe unë jam tue ia gjetë shtekun që herë mbas here të mësoj diçka në tê.

Prof. Koliqi më tha se do t'u shkruej sa të shlirohet pak prej punëve mâ të ngutshme që ka për dore. Me kaq kësaj herë po i nap fund tue Ju urue shëndet e punë të mbara; shum të fala dhe Motrës Suej Angjeles dhe djalit.

I Jueji
Martini
Shumë të fala e nderime Ju dhe Angjeles
Nina Camaj
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi