Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”: Njoftim për Shtyp

Shko poshtë

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”: Njoftim për Shtyp Empty Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”: Njoftim për Shtyp

Mesazh nga Agim Gashi Thu Aug 13, 2009 12:30 am

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”: Njoftim për Shtyp U1_11
QENDRA NDËRKOMBËTARE E KULTURËS “ARBNORI”


Njoftim për Shtyp

Dt. 07.08.2009

Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” do të organizojë në mjediset e sallës “Abreti” në Tirana International Hotel, të Premten më datë 14 gusht 2009, në orën 11:00, prezantimin e dramës “Sikur të vdekurit të dëgjonin” (“If only the dead could listen”) të shkrimtarit dhe akademikut të njohur shqiptaro-britanik, Dr Gëzim Alpion.
Drama “Sikur të vdekurit të dëgjonin” është një ripunim i dramës “Tollonat” (“Vouchers”), që u botua në Angli në vitin 2001. Për herë të parë “Tollonat” u vu në skenë me regji të dramaturges serbe Dr Duška Radosavljevic në Festivalin e Teatrit Bashkëkohor Evropian në Huddersfield të Anglisë në Mars 2002. Në rolet kryesore ishin dy aktorë Anglez dhe Jordanez.
Sponsorizuar nga Këshilli i Arteve të Anglisë (Arts Council England), dhe me regji të Marcus Fernando, “Sikur të vdekurit të dëgjonin” pati premierën në Angli në Shkurt 2006 nga trupa teatrale Dreamscape në Teatrin MAC në Birmingham. Suksesi i shfaqjeve u pasqyrua gjerë në mediat Britanike dhe Ballkanike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi). Kritikët dhe spektatorët vlerësuan veçanërisht interpretimin e aktorit të njohur Anglez Richard Attlee (nipi i ish kryeministri britanik Clement Attlee) në rolin e azilantit politik nga Kosova, Leka Trimi.
Pas suksesit të shfaqjeve në Angli, Alpion dhe regjisori Fernando morën ftesa nga Teatri Kombëtar në Tiranë dhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Regjisorë dhe dashamirës të artit dramatik në Maqedoni, Serbi dhe Kroaci po ashtu u interesuan që Dreamscape të bëj një turne në këto tre vende.
Në Mars 2008, po me sponsorizimin e Këshillit të Arteve të Anglisë, Kompania e Teatrit Dreamscape shfaqi me sukses dramën në dy qytete angleze: në Birmingham (në Teatrin MAC) dhe në Wolverhampton (në Teatrin Arena). Në rolin e Lekës këtë radhë ishte aktori i talentuar anglez Andrew Cullum, i cili ka marrë pjesë në dramën seriale televizive angleze EastEnders.
“Sikur të vdekurit të dëgjonin” u botua nga “Globic Press” në SHBA në vitin 2008.
Në fillim të prezantimit me 14 Gusht do të shfaqet e filmuar premiera angleze e dramës “Sikur të vdekurit të dëgjonin”.
Pas shfaqjes së premierës, Dr Alpion do të zhvillojë bisedën me temë “Identiteti Kombëtar Shqiptar: Kohezion në Individualizëm dhe Fragmentim”, në të cilën do të shtjelloj se përse në “Tollonat” dhe “Sikur të vdekurit të dëgjonin” ai përqendrohet në trajtimin e refugjatëve dhe azilantëve shqiptarë në Perëndim, si dhe në raportet që bashkatdhetarët vendosin me njëri tjetrin në mërgim. Alpion do të përqendrohet kryesisht në kompleksin e inferioritetit që vihet re tek disa shqiptarë në Perëndim, dhe do të argumentoj se drama është një art i fuqishëm dhe mjet efikas për të trajtuar aspekte të rëndësishme dhe tabu që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar. Sipas Alpion, arti dhe artistët mund dhe duhet të kontribuojnë më shumë për të sjellë më pranë njëri tjetrit popujt e Ballkanit, dhe kjo bëhet më mirë kur gjejmë dhe vlerësojmë vlera të përbashkëta.

Gëzim Alpion ka thënë pas premierës se “Sikur të vdekurit të dëgjonin” në Shkurt 2006:

“Në qendër të dramës, ngjarjet e të cilës zhvillohen në Londër në vitin 2001, janë Leka, një azilant politik nga Kosova, dhe Alma, një studiuese nga Tirana. Drama shtjellon disa tema delikate. Unë do t’ia lë kritikës shqiptare të zbërthej simbolikën e fundit tragjik të personazheve. Unë nuk shkruaj për ta argëtuar publikun por për ta shqetësuar atë. Për mua arti është terapi. Drama trajton kryesisht tragjedinë e kombit tonë, por tragjedia jonë është pjesë e pandarë e tragjedisë njerëzore që kalon kufijtë tokësor, etnik, fetar dhe kohor. Në këtë kuptim, qëllimi im nuk ka qenë thjesht të shkruaj një dramë shqiptare por të përdor karakteristika shqiptare për të trajtuar një dramë me temë mbarë njerëzore. Në shtypin shqiptar është komentuar se Leka është ‘harbut’. Leka është një personazh i komplikuar. Ai është një ‘kloun’, një personazh tragjiko-komik, një njohës i mirë i mentalitetit shqiptar dhe anglez, një zotërues i mirë i gjuhës angleze, por fatkeqësisht edhe një forcë vetë shkatërruese, një viktimë po edhe një shkelës ligji. Leka është ‘çdo-njeri’. Atij mund ti vihen shumë epitete por ai nuk është kurrë ‘harbut’. Alma gjithashtu është një personazh kompleks. Ajo është ambicioze por edhe inferiore ndaj anglezëve. Leka dhe Alma plotësojnë njëri tjetrin.”

Vlerësime për “Tollonat” dhe “Sikur të vdekurit të dëgjonin” nga kritikë arti, akademikë, regjisorë, aktorë dhe spektatorë:

“Fatmirësisht “Sikur të vdekurit të dëgjonin” është e çliruar nga vargonjtë e komercializmit; asaj i japin jetë idetë, personazhet dhe tensioni dramatik. Kjo dramë përbën një sfidë si për aktorët ashtu edhe për regjisorët.”

Marcos Fernando – Regjisori i dramës “Sikur të vdekurit të dëgjonin” në Angli në vitet 2006 dhe 2008

“Në këtë dramë, Dr Alpion më tepër u drejtohet ‘të vdekurve të gjallë’ të cilët akoma nuk i kuptojnë dhe nuk përmbushin detyrimet që kanë ndaj njerëzve të pambrojtur.”

Profesor Gaston Roberge – Indi

“Tollonat” dhe “Sikur të vdekurit të dëgjonin” e afirmojnë Gëzim Alpion si themelues i dramës moderne shqiptare.”

Thanas Jorgji-Pilafas – Gjermani

“Kjo është një dramë e fuqishme e shkruar me plotë besim, gjë që dëshmon se shkrimtari ka një ndjesi të fuqishme teatri, dhe aftësinë për të gërshetuar dialogun eksploziv me një vlerësim sensitiv të dilemave që hasin të ‘përjashtuarit’ social-politik”.

Profesor J. T Boulton – Anëtar i Akademisë Britanike

“Dr Alpion nuk ka frikë që të trajtoj temën sensitive të azilantëve në Britani në dramën e tij të fuqishme ‘Tollonat’”.

Tony Collins – The Evening Mail

“Të gjithë mendojnë se kanë diçka për të thënë, ndërsa në rastin e Gëzimit, ai ka diçka për të thënë që ja vlen të dëgjohet”.

Damian O’Louighlin – The Birmingham News

“Ishte një shfaqe shumë e mirë, me një trup aktorësh të shkëlqyer dhe një temë tepër të ndjeshme e të rëndësishme në kontekstin shqiptar, kosovar dhe ballkanik. Profesor Alpion ka meritën e madhe që solli këtë temë në qendër të vëmendjes të publikut britanik. Shpresoj që shfaqja të vihet në skenë në Teatrin Kombëtar të Prishtinës sa me shpejt”.

Besnik Tahiri – Këshilltar Politik i Kryeministrit të Kosovës

“Më pëlqeu drama dhe sinqerisht shpresoj të vihet në skenë në Beograd dhe Prishtinë. U impresionova së tepërmi nga dramaturgu Z Gëzim Alpion i cili arriti të përshkruaj me saktësi marrëdhëniet midis refugjatëve (pavarësisht nëse vijnë nga Kosova, Bosnja, Kroacia apo Serbia) dhe shoqërisë Britanike”.

Danica Ilic – Seksioni i Gjuhës Serbe, BBC, Londër

“Sa shfaqe e mrekullueshme! Të vjen mirë kur shikon që një akademik dhe shkrimtar nga Ballkani ka shkruar një vepër kaq të rëndësishme sa që nuk mund të përshkruhet me fjalë”.

Mirsad Solakovic – Aktor Boshnjak në Angli

“Alpioni është intelektuali i parë shqiptar në Britani që ka demaskuar hapur keqtrajtimin e emigrantëve shqiptarë”.

Gazeta Express

“Problemet që hasin dy personazhet kryesor janë të njëjta me ata që përballet i gjithë kombi shqiptar, dhe simbolizojnë traumën kombëtare që përbën thelbin e dramës. Alma nga Shqipëria dhe Leka nga Kosova personifikojnë tragjedinë e të gjithë shqiptarëve”.

Gazeta Zëri i Ditës

“Një dramë angleze me ritëm shqiptar”.

Revista Shqip

Për më tepër rreth dramës mund të lexoni në: http://www.ifonlythedeadcouldlisten.co.uk


Rreth autorit Gëzim Alpion:

Gëzim Alpion lindi në Peshkopi më 10 tetor 1962. Ai ka studiuar në Universitetin e Tiranës (1982-85), Kajros (1985-93) dhe Durhamit (Angli) (1993-1997). Që nga akordimi i titullit Doktor në Filozofi (për studimin e imazhit të artistit në veprat e D. H. Lawrence) në Universitetin e Durhamit në vitin 1997, Alpion ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar si lektor i letërsisë anglo-amerikane, modernizmin, dhe filmit në Universitetin e Huddersfield, Sheffield Hallam University dhe Newman University College. Në vitin 2002 Dr Alpion u emërua lektor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit ku është edhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare, dhe Anëtar Nderi i Institutit të Studimeve të Avancuara në Arte dhe Shkencat Shoqërore që nga viti 2000. Dr Alpion ka zhvilluar biseda dhe leksione në disa universitete britanike (Oxford, London School of Economics, University College London, Kingston), si dhe në SHBA, Kanada, Kinë, Indi, Rusi, Afrikën e Jugut, Gjermani, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Dr Alpion intervistohet rregullisht nga mediat botërore, veçanërisht ato britanike, amerikane, franceze, italiane dhe indiane, si ekspert për Nënë Terezën, si dhe i sociologjisë së medias, fesë, famës, nacionalitetit dhe filmit.
Aktualisht Profesor i Sociologjisë dhe Studimeve të Medias në Universitetin e Birmingamit në Angli, Gëzim Alpion është autor i librit të mirënjohur “Mother Teresa: Saint or Celebrity?” (“Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”), që u botua në anglisht në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kanada në vitin 2007. Në vitin 2008 kjo vepër u botua po në anglisht në Delhi, dhe në italisht në Romë.
Botimet e tjera të Dr Alpion në gjuhën angleze përfshijnë dy vepra dramatike – tragjedinë “Vouchers” (“Tollonat”) (2001), dhe dramën “If Only the Dead Could Listen” (“Sikur të vdekurit të dëgjonin”) (2008) – si dhe dy vëllime me ese dhe tregime – “Foreigner Compex: Essays and Fiction about Egypt” (“Kompleksi ndaj të huajve: Ese dhe prozë për Egjiptin”) (2002), dhe “Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa” (“Takime të civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza”) (2008). Në librin e fundit, botuar nga Meteor Books në Indi në vitin 2008 dhe nga Globic Press në SHBA në fillim të vitit 2009, janë përfshirë ese të shkruara nga 1993 deri më 2007. Recenca dhe artikuj për librat e Dr Alpionit janë botuar në 15 gjuhë të botës.
Studimet dhe recencat e Dr Alpion janë botuar në disa revista shkencore në Australi, Britani dhe Amerikë si: ‘Continuum: Journal of Media and Cultural Studies’; ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’; ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’; ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’; ‘Review of Communication Journal’; ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’; ‘Scope: Online Journal Film & Television Studies’; ‘Albanian Journal of Politics’.


Për ZSH: Baki Ymeri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi