Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Tjetrazi Adem Jashari dhe Hashim Thaçi

Shko poshtë

Tjetrazi Adem Jashari dhe Hashim Thaçi Empty Tjetrazi Adem Jashari dhe Hashim Thaçi

Mesazh nga Agim Gashi Tue Aug 25, 2009 4:02 pm

Këtë shkrim nuk e ka botuar gazeta KOHA Ditore. Rroftë interneti. Po qe se doni mund ta shpërndani gjithandej kah dëshironi.

Me respekt,
Shkëlzen Gashi






Tjetrazi
Adem Jashari dhe Hashim Thaçi


Nga Shkëlzen Gashi

Para disa javëve TV KLAN nga Tirana transmetoi një intervistë të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë gazetarit Blendi Fevziu. Të njëjtën më pas e botoi edhe gazeta Koha Jonë e Tiranës. Në këtë intervistë, Hashim Thaçi i rrëfen “të pathënat” e jetës së tij. Nuk më befasoi fakti se Thaçi rrëfimin e tij për luftën kishte zgjedhë t’ia tregonte pikërisht Blendi Fevziut. Përveçse ka njohuri shumë të mangëta mbi zhvillimet, interesat dhe protagonistët politikë në Kosovë, Blendi Fevziu plotëson edhe një kusht tjetër: gatishmërinë për t’u shkuar për shtati politikanëve që i interviston. Prandaj intervista me të ishte një adresë mediatike si e porositur për Thaçin.

Kjo intervistë e Thaçit nuk është e veçantë vetëm për faktin se në të vlojnë pasaktësitë, por edhe për faktin se është deri më tani sinteza më e ngjeshur e gënjeshtrave të tij. Edhe në të Thaçi e përsërit kryegënjeshtrën e vet për raportet “e afërta” me Adem Jasharin. Krejt ndryshe prej tij, Sylejman Selimi, në një intervistë të gjatë që pata zhvilluar me të në vitin 2005, e pohonte një gjë ekskluzive: Hashim Thaçi nuk ishte takuar me Adem Jasharin që nga viti 1993 e deri në vdekjen e Adem Jasharit më 1998. Selimi thoshte se Thaçi ose nuk kishte hyrë fare në Kosovë ose edhe mund të kishte hyrë ndonjëherë gjatë kësaj periudhe kohore, por te Adem Jashari nuk ishte paraqitur fare, sepse raportet mes tyre kishin qenë tepër të acaruara.

Nëse këto pohime të Selimit nuk janë të sakta, atëherë përse Thaçi gjatë kohës që intervista po paralajmërohej në Kosova Sot, më kërkoi takim në të cilin më tha të mos e botoja intervistën me Selimin?



Kur unë ia refuzova kategorikisht kërkesën, më drejtua: “Nëse s’e ndal ti, atëherë e ndal Syla”. Invervista planifikohej të dilte në 10 vazhdime të njëpasnjëshme, por Sylejman Selimi më telefonoi pas botimit të vazhdimit të pestë dhe më tha se botimi i intervistës duhej të ndërpritej për shkak të presionit të jashtëzakonshëm nga të gjitha anët. U përpoqa ta bindja që të mos ndërhynte për ndërprerjen e saj, por ishte krejt e kotë.

Jam i prirur t’u besoj pohimeve të Sylejman Selimit, nga vetë fakti se ai me Adem Jasharin, në periudhën 1993-1998 kishte pasë raporte shumë të ngushta e të ngjeshura. Për më tej, e vetmja “dëshmi” e kontakteve mes Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit që duket se i përket periudhës në fjalë (1993-1998), është një foto, të cilën grupime të afërta me Thaçin janë siguruar që ta afishojnë edhe në internet (lexuesi mund ta gjejë në www.google.com). Grafistët kompjuterikë, të cilët e njohin zanatin e përpunimit digjital të fotografive, theksojnë se nga ana e përpjesëve dhe kompozimit fotoja duket kryesisht e saktë, por evidentojnë shumë pikëpyetje si stërzgjatja e krahut të Thaçit mbrapa shpinës së Adem Jasharit, cilësia e zbehtë e fotos, dhe mbi të gjitha, mungesa e plotë e sfondit të dhomës si dhe pozicionimi krejtësisht indiferent i Adem Jasharit ndaj objektivit të aparatit, për dallim prej Hashim Thaçit, deri aty sa të duket se i pari është marrë krejt papritmas, ndërsa i dyti ashiqare. Por, pa dashur të hyj më tej në hamendësime të tilla, i bëj thirrje publike Hashim Thaçit për një paraqitje publike në të cilën jo vetëm mund të sqarojë pse kjo foto është e vetmja “provë” e “raporteve të afërta” mes tyre, por dhe që të sjellë të tjera dëshmi e argumente të kësaj miqësie “të afërt”.

Por t’i kthehemi edhe një herë intervistës së Thaçit dhënë gazetarit Blendi Fevziu, në të cilën ai thotë se arma e parë që ka marrë në posedim i është dhënë nga Afrim Zhitia në tetor të vitit 1989. Si ka mundësi të ketë marrë armë nga Zhitia, kur Thaçi në radhët e LPRK-së është inkuadruar në verë të vitit 1990, ndërsa Afrim Zhitia është vrarë më 2 nëntor 1989? Këtë do të ishte mirë ta vërtetonin me fakte shokët e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, por edhe familjarët e tyre.

Thaçi gënjen jo vetëm për raportet e veta personale me atdhetarët Adem Jashari e Afrim Zhitia, por edhe lidhur me pjesëmarrjen e tij në ngjarje të rëndësishme historike. Pyetjes “Ku keni qenë gjatë demonstratave të vitit 1981?”, Thaçi i përgjigjet se ka qenë nxënës i vitit të dytë në shkollën e mesme në Turiqec, dhe se e mban mend shumë mirë çka ka ngjarë ato ditë dhe si ishin mbledhë strukturat e Lidhjes Komuniste që ta pengonin ndonjë marshim të mundshëm të nxënësve. Kur përgjigjet kështu, Thaçi harron se në fillim të intervistës ka treguar se është lindë në vitin 1968, çka do të thotë se në vitin 1981 i ka pasë vetëm 13 vjet. Në këtë moshë, ai nuk ka pasë mundësi të ketë qenë në vitin e dytë të shkollës së mesme.

Intervista e Kryeministrit Thaçi ka edhe të tjera gënjeshtra që lidhen me pasaktësi datash e ngjarjesh, por është e pamundshme që të evidentohen të gjitha në një shkrim si ky. Unë kësaj radhe u kufizova në disa kryesore, që çdo lexues i informuar mund t'i hetojë lehtë, e që duke qenë të shqiptuara nga vetë Kryeministri i Kosovës, janë fyese, jo veç për qytetarin e Kosovës sot, por edhe për historiografinë e këtij vendi.






shkelzen gashi (shkelzengashi@yahoo.com)



Përshëndetje z.Gashi



Ju falënderoj për artikullin tuaj të bojkotuar nga mediat dhe njëkohësisht me inkurajon qëndrimi juaj qe më çdo kusht gjërat te dalin ashtu siç janë.



Intervistën e Thaçit me Blendi Fevziun e kam dëgjuar dhe përciellur me vëmendje të madhe,e tërë koha me ka kaluar duke i bërë masazh zëmrës e cila nga sikleti kishte çrregulluar ritmet e saja edhe ashtu i tensionuar qe isha.



Kjo,tani e sa kohë për mua është një rutinë publicistike me njerëz te zgjedhur,gazetar te zgjedhur dhe për qellim po ashtu të përzgjedhur,ndonëse për ta shpejtuar infarktin e atyre qe ishin,janë dhe vazhdojnë te mbesin në rrjedhat politiko historike të këtyre ngjarjeve të cilat po ecin me një dinamizëm tmerrësisht te shpejt dhe pa pasur kapacitete t`i kontrollojmë e lere menaxhojmë ato.



Po ky Blendi Fevziu ka bërë publicitet krejtësisht imagjinar me ,,patriotizmin,, e Xhavit Halitit i cili na paska përgaditur edhe atentate në Titon gjoja për ta liruar Adem Demaçin ??? Demaçin të cilin po këta njerëz me po këto shërbime e plandosen,kuptohet pas lirimit te tij kur Jugosllavia po merrte goditjet e fundit të saj.



Shkelzen,kur kam përgatitur kronologjinë e shërbimeve dhe njerzëve të hidhur nga pushteti sa në ilegalitet sa në proceset e para demokratike vetëm e vetëm që ata ta kontrollojnë situatën pa qasjet tona për menaxhim procesesh. Unë vetëm aty kam nxjerr faktet e atyre personave dhe lëvizjeve te tyre,jo pse unë kisha prirje të i zbuloj,por vet arkivi seleksiononte dhe zbulonte po ato faktet.

Kur më vonë filloj e flitej se si Xhavit Haliti vërtet paska qenë ai i cili në organizatën ilegale paska punuar kundër sajt dhe si i dirigjuar paska kontribuar në daljen e liderëve te rinj nga jashtë ilegaliteti,kuptohet në kohën kur po kërkohej lideri i ndryshimeve në ketë rast siç doli Rugova,pikërisht këtu po ky Blendi Fevziu bëri një intervistë me Xhavit Halitin i cili filloj dhe legalizon këtë sekret me arsyetimet se sa demokrat paska qenë Xhaviti kur në kundërshtim me krejt redaksinë e një programi radio e ilegalistëve në Zürich ky i fundit paska bërë fushatë për Rugovën. Absurd ky !!! por vërtet ka ndodhur në syrin dhe prezencën e shumë të quajturve ilegalist.



Pra problemet janë akoma më thellë se sa mendohet dhe kjo nuk donë mjeshtri aq të madhe për ta kuptuar. Dinamizmi i shpejt në procese siç thash më parë ka bërë qe popullin ta shokoi edhe ashtu në trauma të krejt çfarë përjetuam,populli këndellët por jo në kohë të duhur o Shkëlzen.



Unë,mjerisht filloj për pak sqarime e nuk di të ndalëm por një do doja ta them dhe mos e largo nga mendja :



Nuk është Thaçi e tjerët si ai më e keqja e këtij vendi o Shkëlzen Gashi. Shumë më i rrezikshëm është ai Sylejman Selimi i cili është tërhjekur në këmbim të posteve dhe kapitalet të shpërdoruar siç është kompleksi i tij familjar në Klinë duke filluar nga Restoranti,Fusha Spoprtive dhe dy shtëpi,pastaj gurëthyesi atje më lartë etj,etj se sa rreziku nga Thaçi e Haradinaj tani më transparent.

Më Sylejman Selimin ke të drejtë z.Gashi ngase edhe unë kam trajtuar gjerë e gjatë po këtë temë e shumë tjera si kjo dhe kemi biseduar në një qetësi absolute në Zvicër.

Edhe Rrustem Mustafa ,,Remmi”ishte në rrugë të drejtë dhe shpresohej në të,por kur ju ofruan me krejt çfarë ka bërë dhe përvetësuar si dhe ju ofrua posti ai u tjetërsua dhe nuk është më Remi i pa zbuluar.



Po edhe këta nuk janë me e keqja e këtij vendi o Shkëlzen,e keqja akoma më e madhe viktima e të cilëve jemi ne si popull janë ata nihilist politik të cilët heshtin dhe duke heshtur me prapaskenat e veta shpresojnë në rënien e të parëve dhe kështu të ndërrohet mafia politike me po asi llumi politik të cilët në një mënyrë a tjetër veç kanë qenë shpërdorues të këtyre rrjedhave.



Po as këta nuk janë më e keqja e këtij vendi krahasuar me një pjese të faktorit ndërkombëtar të cilët i kanë ndihmuar këta mafi politike vendore për të u bërë vërtetë mafi dhe tani i kanë bërë komplet të lakueshëm deri në ato pika ku populli edhe mund te reagon siç është dëshmuar në histori.



E keqja e fundit është mos koordinimi i atyre qe janë kundër gjitha këtyre katastrofave qe po i sjellin këtij populli po edhe njerëzimit jashtë Kosovës o Shkëlzen.

Koordinimi i nismave po ka efekt vetëm deri në momentin kur po e shfrytëzojnë po këta mafi dhe pastaj po intervenojnë me njerëzit e tyre të hidhur në po ato nisma,këtyre njerzëve parashutist është vështir të u shpëtosh aq më pak kur ke nevojën dhe jo rrallë ta ofrojnë edhe financën për të qen i varur prej tyre,t`paktën kështu ka ndodhur deri sot dashtë zoti që tani e tutje të mos na përseritët kjo.



Për gjitha këto janë projektet dhe po bëhet diqka por sponsorët dhe hapësirat e mediave po mungojnë,nuk ka nevojë të u shtirret maska nga unë e ti dhe tjetri ngase nuk janë ato kohëra o Shkelzen . Arkivi dhe hapësirat e mediave janë ato të cilat kryesisht na shpëtojnë me fytyrë dhe pa u bërë gaz i botës siç thotë populli.



Unë isha mbi një muaj dhe lidhjet e rregullta qe i kam kanë bërë që ta kuptoj thellësisht gjendjen atje,andaj veç kujdes dhe kontroll në vetveten tonë po kërkohet për te ardhur të gjitha aty ku duhet.



Shpresoj se shpjet do të dëgjohemi me raportet e atij muaji atje



Ju përshëndet Xuni

Dërgoi:Xun Çetta
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi