Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kostaq Duka: Mama breshka

Shko poshtë

Kostaq Duka: Mama breshka Empty Kostaq Duka: Mama breshka

Mesazh nga Agim Gashi Mon Aug 31, 2009 1:23 am

Kostaq Duka: Mama breshka U1_Kostaq-DukaTregim

Kostaq Duka

Mama breshka

Sëpata, lopata, beli e kazma veç veglave më të sojme si çekani, dara, kacavidha etj janë pjesë përbërëse te inventarit të çdo shtëpie private në qytetin tim malor, qytet i dëborës. Për nga paraqitja dhe “detyra” nuk diskutohet që sopata me te cilën priten drurët e sjellë me karrocë a me gomerë nga fshatarët e malit ze vendin e nderit.Që fëmijë nis ambientimi me këtë vegël që vjen e rëndë nga mijëvjecarët e parë….Por jo të gjithë bëhen mjeshtër në përdorimin e saj. Një nga ata që s’u mësua e s’u mësua me përdorimin e saktë të sëpatës isha unë edhe pse nevoja që fëmijë më detyroi verë e dimër, shi e ngricë të prisja dru me sëpatë. Do thoni e po ç’prish, dy goditje më tepër! Por s’është ashtu se goditjet jashtë kërcurit mbështetës të drurëve , në tokë e shpesh në gurë veç dëmtimit të tehut të sëpatës, mund të bëheshin shkak për të papritura të tjera penglënëse. Dhe ja, një nga këto të papritura.

Për nevoja të punës vite më parë, kur djali ishte a s’ishte dhjetë vjeç përdorja një motorciklete zhurmuese “jawa” që kur startonte alarmonte tërë mëhallën. Me të i ngjtesha dhe të përpjetës së Qafës së Qarrit. Dhe ndodhte që në verën e nxehtë përvëluese në asfaltin e nxehtë të Qafës të shihja breshka që të trullosura lëviznin ngadalë nga njëra anë e pyllit të blertë në anën tjetër…Njëherë m’u shkrep të merrja me vete dy prej tyre e t’ja bëja dhuratë djalit që vdiste per kafshët. E çfare s’kisha në shtëpi! Mbi njëzet pëllumba, lepuj,qen (femër që pillte çdo vit.Këlyshët me këmbënguljen e djalit do faleshin vetëm kur të rriteshin) mace, gjithashtu femër pa llogaritur pulat, këndezin. Më vonë u shtuan bretkocat që zinin një qoshe të freskët me bar në veri të oborrit dhe dy iriqë, të gjetura po në Qafë të Qarrit.

Breshkat e bënë të fluturonte djalin. Ditët e para i fuste dhe në ambientet e brëndëshme të shtëpisë. Së fundi i mbushëm mendjen se ato s’mund të jetojnë jashtë natyrës. E bukura është se mua m’u shtua zelli për të sjellë breshka të tjera të madhësive të ndryshme. Le të rinë aty.Nuk ka qënie më të buta, më paqësore, dhe pa pretendime se breshkat..Edhe sot e vras mendjen me se e mbanin veten.

Prania e tyre u bë e zakonshme sikur të kishin qëne mes vitesh mes nesh…S’kish kënaqësi më të madhe kur i shihje në lëvizje tek zbulonin pjesët e tyre lëvizëse, kokën e këmbët nën kupolën e fortë, miniaturë bunkeri. Në dimër “zhdukeshin”. Prania e tyre zbulohej në pranverë, tek dilnin nga korja e tokës pas gjumit dimëror e “parkoheshin” rrezë avllisë ku binte dielli i ngrohte. Të gjitha njëra pas tjetrës dhe në një pozicion, paksa ngritur nga toka. Nuk kishte pamje më mbresëlënëse. Komshinjtë e mesuan këtë e pyesnin : Dolën breshkat te ngrohin kurrizin? Nje nga këta komshinj te cilit dikur i kisha falur një iriq mishin e të cilit ai e përdori për të ngrënë, m’u lut t’i jepja edhe një breshkë. Por kësaj here ia preva shkurt. Nuk e prish koleksionin e breshkave, i thashë, duke kujtuar lotët e djalit atë ditë që komshiu mori iriqin duke i thënë djalit: “ do të bëj një supë për kokë të supës”.Ai mbeti i hutuar, i pagojë por më pas ia nisi me të qara e bërtitura: O le,le iriqi! Pse ia dhe atij.? Si mund të vritet e therret iriqi, që është aq i mirë. Vërtet ka gjëmba po vetë s’të shpon. Kjo dashuri e tim biri për kafshët më gëzonte, por edhe me sillte në kokë idenë: Mos po rritet shumë i butë? Si do bëjë në jetë ky mes dykëmbëshve, ku ka jo pak tinzarë e vrasës pas shpine?

Goditja vrastare me sëpatë ndodhi në dimër atëhere kur edhe sëpata bëhet nga një send pa vlerë, diku në një qoshe të heshtur, të braktisur të shtëpisë në një mjet prerës drush shumë i dobishëm. Si tani e kujtoj atë skenë makabre.

Debora kishte dy ditë që s’pushonte. Floku i saj i saj i butë kish krijuar një kuvertë gjigande me thekë të bardha, që fshihte tërë pisllëqet e kalldrëmëve te rrugicave, e avllive te shtrëmbëra që rrethojnë oborret e shtëpive dykatëshe, të pirgjeve të harruara me plehra qosheve.Bardhësia krijonte edhe një ndjesi lirike miresjelljeje e miredashjeje për të gjitha qëniet e gjalla, të përballuara me dimrin e ftohtë.

E ja ditën e dytë të dëborës erdhi karroca me dru të paprera, të shtrëmbëra që tek fërkoheshin me njëri tjetrin të dukeshin sikur grindeshin. U gëzova që erdhën por kur mendova se më duhej të ushtroja “artin” e vjetër të presjes së tyre më sëpatë m’u ngrys fytyra nga mërzia. I vendosa diku nga fundi i oborrit ku ishte i palëvizur kërcuri ku do mbështeteshin një nga një drurët për tu prerë. Goditjet e para ishin si mos më keq por pastaj e përmirësova dorën.Dukej se do të ecja mirë.Kërcuri u zbulua krejt nga dëbora dhe rreth tij nisën të vallzonin ashkëlat.Pas xhaketës,hoqa edhe bluzën e leshtë . Më lëvrinte gjaku dhe po ndjeja kënaqësi. Nisa ta përdor sëpatën me goditja më të forta .Jehona e goditjeve përcillej deri tutje. Fqinjët me siguri më gojosnin. Ja filloi avazit ky për prerjen e drurëve në mes të dimrit. Se dihej nikoqirët këtë punë e kryenin që në verë. Në dimër i gëzoheshin flakës së drurëve të tharrë. Kurse në shtëpinë time aromës se djersë së drurëve të njomë që mes tymit mezi krijonin një zhufkë flake të kuqe.

Kisha përballë një dru gjithë gunga e gdhënj.Goditjen e parë e bëra jo të fortë. Pastaj e hapa krahun me gjithë fuqinë e trupit. Kur sëpata shkau nga druri e goditi fort diku jashtë kërcurit duke shkaktuar një zhurmë tjetër lloj, të padëgjuar më pare.Jo s’besoja të kish zënë në ndonjë gur a pllakë betoni. Kur befas aty ku kish goditur tehu i sëpatës mbi dëborë u vizatuan njollëza gjaku. C’ishte kjo goditje e marrë vrastare? Vendosa sëpatën diku pas murit dhe nisa të hiqja dëborën.Kur ç’të shoh? Ndarë thuajse në mes “bunkeri” i breshkës më të madhe, breshkës së parë që kisha sjellë për djalin nga Qafa e Qarrit, e që ai i thërriste mama-breshka, me që të tjerat vinin nga boja më të vogla. Po kjo, nisa të bëj gjyq me vete, këtu pas kërcurit te prerjes së drurit gjeti vendin për gjumin dimëror? Keqardhja përzihej me ndjenjën e krimit të pafaj. Nuk doja ta merrte vesh djali. Kushedi si do të më shihte pas kësaj.! Mora një kazmë dhe një lopatë dhë hapa një gropë pak a shumë të thellë ku vendosa breshkën e vrarë. E lashë prerjen e druve, s’më bëhej të vazhdoja.Dhe herë të tjera kish ndodhur që sëpata të godiste pa adresë, jashtë kërcurit.Por e shumta tehu kerciste ne ndonje gur,kockë a copë hekuri te hedhur rastësisht por kurrë në një qënie të gjallë, paqësore, për më tepër në kushte gjumi si breshka.

Pas pak rinisi dëbora. Varri i breshkës u tret mes bardhësisë .
Dimri me shumë dëborë por jo i ftohtë kaloi dhe erdhi pranvera. Si zakonisht pas avllisë nën rezatimin diellor parkuan breshkat. Dolën të gjitha prej vendeve misterioze ku ishin fshehur. Vetëm mama breshka jo. Mungesa e saj nuk i shpëtoi syrit të djalit. Ku ka vajtur mama breshka?- tha i shqetësuar. Ngrita supet….Mbase vjen më vonë, mbase pa dashur ka humbur drejtim, i thashë duke i premtuar se nga Qafa e Qarrit do ti sillja breshkë tjetër.

Gusht, 2009
____________

Shënim: Kostaq Duka është një shkrimtar që na sjell gjithmonë poezi dhe prozë të bukur nga Cikago e largët. Krahas punës të lodhshme ai gjen kohë të shkruajë dhe të komunikojë me bashkëatdhetarët jo vetëm në Korçë, por edhe në mbarë Shqipërinë dhe në Diasporë.

Nesër në 29 gusht 2009, ai marton djalin me një vajzë të fisme shqiptare. Meqë dasmat janë intimitete familjare, Zemra Shqiptare, I dërgon urimet më të mira nga zemra Kostaqit që dasma e djalit të shkojë sa më mire dhe të jetë me mbarësi. Së shpejti presim që Kostaqi fisnik të na njoftojë se u bë gjysh.

Nëse gjeni pak kohë, mund të shkoni ta uroni Kostaqin, pasi përveç të tjerave ka siguruar nga miqtë një “damixhan” me raki të mire dhe e shoqja ka përgatitur ëmbëlsira të mira.

Respekte dhe mirësi

Redaksia e Zemrës shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi