Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Shkëlzen Halimi

Shko poshtë

Cikël poetik nga Shkëlzen Halimi Empty Cikël poetik nga Shkëlzen Halimi

Mesazh nga Agim Gashi Thu Sep 10, 2009 10:07 pm

Cikël poetik nga Shkëlzen Halimi U1shkelzenhalimi1

Shkëlzen Halimi u lind në vitin 1961. Ka diplomuar në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Fakultetin Filologjik në Shkup. Ka punuar në gazetën Flaka, Bota sot, Fakti. Aktualisht punon në gazetën Koha. Ka botuar veprat “Ujem dashurie” (poezi), “Qeshje pa zë” (poezi), Beti blu në Bit Pazar” (poezi), “Rruga kobër” (poezi), “Lule në shkretëtirë”(poezi), “Agshol i grisur (tregime), “Vdekja e Vincentit (tregime), Oda e rrëfimit (tregime), “Kthimi” (roman) etj. Shkëlzen Halimi ka shkruar edhe disa drama që janë inskenuar në Tetovë, Shkup e Kumanovë. Është marrë edhe me përkthime. Jeton dhe vepron në Shkup.

SHKËLZEN HALIMI

AMANETI

Do ta fus në albumin e vjetër
Pranverën ngjyrë ulliri
Repriza e jetës uri tradhëti

Dhe
Ma shëron plagën hije farmaku
Që zbukuron klinikat kanceroze
Me narkozën me urnën plot vrer
Në punëtorinë e ndërtuesve të fatit

Dhembjen mos ma merrni liri
Të vetmin kujtim gjymtyre
Hapet dritarja e verdhë
Pamjet e tradhtuara
Ngurosen në kornizë stralli

Për çdo ditë dielli perëndon dimër
Në muzeun e harruar jeta improvizohet
Me fjalët që kurrë s’i thamë

TRADHËTIA

Matanë vetmisë qelq i thyer pikëllimi
Luleborën ujit me lot e dënesje zështerrur
Këlthet fëmija portret në letrën e verdhë

I trembëdhjeti troket me akrepin e
ndryshkur
Hapet dera që nuk shpie askund
Mëngjesi dimër pushton mbi tryezë

Me majën thikë të acarit si Qezarin
Shpon ëndrrën e vdekur lule njëvjeçare
Ushqen buzëqeshjen plagën me kripë deti
Bën shtrat e rrjedh lumi pelim

KUVLIA

Heshtje e përmortshme mbjellë në saksi
Tingujt harresë largësi shekulli
Portreti dyll i shkrirë nga malli
Nën strehë vajton liria telkëputur

Mbishkrimet nën myshk kartolinë harrese
Rrjedh gjaku i blertë përshëndetje
Që s’arriti kurrë në shtëpinë shkrumb

Mes fletëve të verdha të librit të shenjtë
Padukshëm mëkatet i balsamon dora njeri
Thes dhembjesh derdhet me trishtim

S’mbetet tjetër
Ti je lulja prej guri
Me majën me tehun e mprehtë
Do t’i nguli mallkimet
Mllefin vullkan

Derë e mbyllur larg mëngjesit

ARKIVOLI

Nga pluhuri i verës
Këtu ka s’ka baltë vjeshte
Nuk sheh drunj as kafshë
Vetëm trupi të digjet etje

Patrioti me trurin në lukth
Me kafkën akull
Të polit verior të Sibirit
Ngrin ndjenjën për kafshën
E pagëzuar me emër të Atit
Shpirtit të shenjtë
Ia marrin etjen shkëlqimin syve
Heshtjen të vdekurve

Biletën për gjumin jetën bizare
Të Pavdekshmin e shpallin tradhtar
Të gjitha palosen në librin e kujtimeve
Që dora e askujt nuk e prek nga rafti

Drita e pëshpëritshme e nurit të ndërtuesve
Ma kujton kullën muze harikirin
Mbuluar me heshtjen e varrit
Fjetur në terr duket si arkivol
Me pikëllimin letërnjofimin
Pagjumësia të identifikon
Dhe porta e mbyllur vulë

Si thonë:
Historitë e popujve
Janë rrëfime të gjakderdhjes

LETËRDHEMBJA

Dhe kur gjeli paralajmëron agsholin pa
gjumë
Heshtja laton piramidën dhembje
Bashkë me erërat rrah dritaren e odës
Ku zbus mallin për Atdheun
Se ekziston në hartën e dashurisë
Mbyllur në sarkofagun e Keopsit

Bukur e paskan balsamuar dhunën
Kurthin blasfeminë portretin e Janusit
Bukur se me shekuj jeton
As shkon as vjen
Pastaj
Pastaj gazeta e zymtë e bulevardit
Paralajmëron ditën e zakonshme
Jetën reprizë në tavolinën çaj e kafe
Ndërtuesit e piramidës
Gdhendin natën hieroglife shqip
Për amshimin e faraonëve të provincës
Me shkronja të përgjakura
Se maja e piramidës së Keopsit
Është poshtë shumë
Majes së dhembjes sime

OFSHAMË E TYMOSUR

Pas mesit të natës në muzeun dhembje
Vajton kukuvajka zështerur
Të ngjallet malli për vendlindjen
Memece në heshtje flet
Për dashurinë e fundosur
Në perëndimin e diellit

Shuaj etjen me nargile për ty
Larg në një pikë të rruzullit
Ëndërron dorën e blertë
Që pikturon kthimin e lodhur

Hejbet mbushur deri në grykë
Me tragjedi kujtime të mbyllura
Në katakombet e errëta
Të imagjinatës së ndërtuesve
Fatkeqësitë varur
Për çdo ditë gumëzhijnë
Të duket si përrallë
Pas mesit të natës
Nxjerr me nargile ofshamën e tymosur
Pa fund asnjëherë

VETËVRASJA DEMOKRATIKE

Me shiun e sëmundjes dhembjes mike
Shpërlan çatinë e shtëpisë së mëkateve
Vret emëruesit e kujtimeve
Metastazën e ndjenjës korb
Mburojë e mjegulluar pas dielli i tij
Me shkëlqimin terr verbon robin
Ëndrrat gladiatore
Ia zbukurojnë gjumin me buzëqeshje
Robëron frymëzimin në prag të mëngjesit
Hap portën e demokracisë me gishtin e
foshnjes
Regjistrohet në defterin e trimërisë

Dëshmitë zvarrë i shkojnë pas
Të përgjakura lirshëm frymojnë

FLUIDE

Çdo ditë të shoh në odën e zbrazët
Natën mbushur me jehonë heshtje
Dera e ndryshuar shekuj s’hapet

Me nostalgjinë n’grykë të fytit
Çlodhi pamjen përmendore
Se i ngjan spitalit
Ku narkoza s’përdoret
Për heroin e popullit

Kapak arkivoli mbi kokë frymon
Krijon pranverën portretin grafik
Të shpirtit kolektiv
Për modelin pozë të piktorit
Që artin e bën serial

Në derën e ndryshkur troket
Zërin e lutjeve për nostalgjinë
S’ma dëgjon

Litar në fyt
Çdo ditë

SHI BIE ETJES

Përherë ma kurthëron kalestrën shpirt të
etshëm
Dhe më dënon në emër të popullit
Që pas mesit të natës bën gjumë të qetë

Me fjalët pastorale
Duhmën e kopshtit zoologjik
terrin e kënaqësisë sate
Me prangat parajsë
Më hedh në ferr
Sëmundjen ia ngjet udhëtimit
Nga çanta lëkurë aligatori
Bien lotët e fletëdosjes
Që i shfleton odave promovuese të
demokracisë
Sa herë që shpaloj dhembjen për ty

Shi bie etjes sate
Times shkrumb

IKONË DYLLI

Me pamjet e ngrysura klinikave moderne
Me lëmshin e përgjakur kufirin inauguron

Hyn e del portës së gjumit

Me gojën e lavires
Imiton mungesën e shpirtit
Ikonë dylli murit pa dritë

Më lindë edhe një dhembje
Burgut që ma krijove
Plagë e pashkruar

Në grimionë shëron vrragën
Të bukur të do pasqyra
Në paraskenë gjumë klinike
Lëmsh e bën dhembjen mëngjesit në pritje

Vetëm shpirti i mbetet
Atje te varri

BASHKUDHËTARI

I dal dhembjes në pritje
Mëngjesit të ngrysur
Pa bukurinë e vdekjes

S’ia shpërlan sytë vesa
Bukur e vesh terri
Me një hejbe të sëmurë

Shtegut hijerëndë
Nuk të del koha
Pas grigjës së humbur

Me pamjen e përvajshme
Kalestrës së ylberit
Prodhon lëngatën
Kohës arkivol

Shumëzon disfatën
Në amforën fidanishte
Kopshtit me terr

GJYMTYRË E DHEMBSHME E ATDHEUT

Në hartën e përvajshme të vendlindjes
Mjegullën shikimeve varur
Larg larg rrugës pa mbarim
Rrëmujë elegjie valëvit flamujt e zi

Labirintit pa dalje shtegut jeshil
Ëndrrat vrasin netët pa terr
Përgjaken ditët pa diell

Përballë shikimit shndërrit kufiri
Hjerëndë me murin kjason

Me mungesën e çelësit infekton udhëtimin
Gjymtyrën e dhembshme të Atdheut

DHEMBJA QË S’KLITH

Rrugës zgjebë me ethet e humbjes
Krajateve hije varrit të njomë
Del bashkudhëtari me pezm mbulese

Ngujuar si ushujzë shpirtit pa gjumë
Në librin mbyllur unit të heshtur
Kapërdin fatkeqësinë e riprodhuar
Pa pushuar me akrepin e vogël të orës

Pikturë që s’tërheq syrin
Dhembje që s’klith
Sëmundje pa ilaç

Përherë zbukurues
Bashkudhëtar me pezm mbulese
Vetmia

TEATRI ENDACAK

Skenë prej letre ngjitur me brum
Mbyllur në najlonin e tejdukshëm
Rrezja e diellit dimëror
Me thikën pa teh
Pre copa dërrase të kalbura
Për të ndërtuar dritaren
Kur Korbi i Poes
Paralajmëron terrin
Dhe kur bindet regjisori
Se akti i parë i bën ballë lavjerësit
Marshi i përmortshëm
Përcjell publikun arkivol
Pastruesi i anti-teatrit të improvizuar
Pas mesit të natës
Në grimionën pa mobile
Ushtron monologun: asgjë s’po kuptoj
Don Kishoti vjen e shkon
Çfarë teatri është ky
Me audiencë pa filtër
Me oratorë profile patriotësh
Ku përdoret infuzioni
Për aktrimin e dhembjes
Të vrasin e gjallë të mbajnë
Figurat statitike të vitrinave
Që reklamojnë modën
Në fundfillimet e stinëve
Katalogu pa përmbajtje
Pas premierave orgjike
Bëhet dosje e sirtarëve privatë
Dhe dezinfektohet
Me parfumet staliniane
Biletën gratis
Kujtim ta lënë

SHESHI I PIKËLLIMIT

Me thikën akull të Brutit
Territ stolisur me dantellë
Të duket gishti tregues
Me thoin e përgjakur
Me shpirt irnosur nga acari
Me urrejtjen kotej mollotovi

Kullojnë plagët e shpinës
Ditët m’i helmosin kobrat
Që kultivohen
Provincave të konservuara
Rrugës sterile
Që këmbët përmendësh ta kanë mësuar
Fjalët i bën grila
Dhe zhvesh lëkurën e verdhë
E të del trupi demokratik
Siluetë në kornizë me nurin plastik
Thika akull të pikon
Mbi përmbajtjen e pranverës
Plot me lule plage

Në sheshin e pikëllimit
Faltoreve publike
Me nostalgji ujit
Prostitutet margjinave
I lëshon shkallët drejt revolucionit
Shkallmon tradhtarët

Që i portreton me shkrimin qyqe
Dhe bëhet lekturë e demosdoshme
Për të verbrit që i lëpijnë si akullore
Shtegut nebulozë

KABARE

Arkivol publik ekzaltim kolektiv
Shpirti bën striptiz
Neoromantikët pikturojnë lirinë
Ditës së Madhe që s’perëndon agim
Trekëmbëshin gozhdojnë
Me gjumin hajmali në qafë
Dhe fjalë kuvendi dehje moderne
Orë e çast të varin
Panaireve me memoare
Veç nekrologje thurin
Skutave me fallxhore
Orëve letrare
Horoskope lexojnë

KËMBORET

Kalestrës intime me të voglin yll
Tingujt që vijnë nga bota e panjohur
I mbaj në hejbet mbushur me dhembje
Bashkë me kujtimet e imta
Të pranverës së vyshkur
Rëndë pushojnë rrugës varrezë
Kah të vijnë pas rrakëllima funerali

Baltës së dimrit si rrëshqitësi literaturistik
Nxin kurth – sarkofagu i stolisur

Dhe bien e bien këmborët
Dyer që shpijnë askund
Përkujtojnë udhëtimet e gjata
Arenave kamxhik me vullnetarë

S’të lënë të mbulohesh me gjak lirie

DHURUESIT E TRËNDAFILAVE TË LIRISË

Me leckat e kujtimeve diellftohtë
Shërojnë plagën e njomë
Netëve të lodhura plot angështi

Dhe i bëjnë ballë territ
Drynit të kuvlisë
Purgatorit të Dantes
Dhembjeve të lindjes
Mërgatës shqiptare
Plagës së Atdheut

Vijnë me fytyra të shtangur
Në fundbotën time
Me çekanin në njërën dorë
Me gozhdat në tjetrën
Si Pilati popullin ftojnë
Fatin për ta caktuar

Të reinkarnuar në njerëz
Pas heshtjes mijëvjeçare
Me trëndafila lirie
Dhurojnë gjemba gjarpëri

Ditë e natë pas tyre ngarend
Don Kishoti nuk i arrin

MONOLOG (I MUNDSHËM) I FENIKSIT

Përtej rrathëve të fatit
Që i bëjnë hije udhëtimit
Të pret vetëm
Liria e vdekjes
Dëshira përvëluese
Nuk arrin atje
Medet për atë që nuk digjet

HESHTJA E PËRVAJSHME

Me hartën e El Dorados
Gotën etje shkretëtirë
Shtegut me grila
Ec dhembja kronike

Ia beh jehona shterur
E këmborëve të revolucionit
Që shpërthejnë natën
Kullës së Babilonit

Përtej
Përtej heshtja e përvajshme
Pret mëngjesin e harruar
Mbi qiellin e El Dorados

Atje
Atje të gozhdojnë me mëkate
Nën mëshirën e largësisë

Të lënë
Oh
Rrugës me kortezh
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi