Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kthimi jo punë dëshire, por e drejtë

Shko poshtë

Kthimi jo punë dëshire, por e drejtë Empty Kthimi jo punë dëshire, por e drejtë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Sep 11, 2009 12:12 am

Kthimi jo punë dëshire, por e drejtë


Kthimi jo punë dëshire, por e drejtë Mq-1-490x320


Nga Express

Qeveria e Kosovës garanton se do të përkrahë jo vetëm politikisht, por edhe me logjistikë dhe financiarisht, kthimin e të zhvendosurve nëpër shtëpitë e veta në lagjen “Kroi i Vitakut” në Mitrovicë.

Kthimi nuk është punë dëshire, por është e drejtë e patjetërsueshme, tha kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të kabinetit qeveritar.

Shefi i Ekzekutivit e cilësoi një lajm të mirë vazhdimin e punimeve në këtë lagje shqiptare në veri të Mitrovicës, ndërsa theksoi se megjithë problemet që po shkaktojnë serbët, ky proces është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Në fjalën hyrëse, Thaçi foli edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 15 nëntor.

“Dua të përshëndes angazhimin korrekt dhe konstruktiv të spektrit politik në këtë fazë të parapërgatitjeve të zgjedhjeve të lira të 15 nëntorit. Në mënyrë që ato të jenë fer, demokratike, të pranueshme dhe një mesazh i mirë i shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për gjithë botën demokratike e cila do të shikojë me vëmendje zhvillimet demokratike në shtetin tonë të ri. Besoj se do të vazhdojmë që, pavarësisht nga konkurrencat e vlerave politike, interesi shtetëror të jetë mbi çdo interes të ngushtë partiak. Qeveria po i jep mbështetje KQZ-së në punën profesionale dhe angazhimet teknike për përgatitjen sa më të mirë për organizimin e zgjedhjeve të lira”, tha ai.

Në mbledhjen e 81-të, Qeveria gjithashtu aprovoi Strategjinë e Rishikuar të Energjisë për periudhën 2009-2018, Strategjinë Shtetërore për Migracion dhe Planin e veprimit për këtë strategji, si dhe miratoi Projektligjin për Mërgatën e Kosovës.


Strategjia e Energjisë u tha se është hartuar dhe rishikuar në përputhshmëri me Ligjin e Energjisë, me Programin e Qeverisë së Kosovës, me marrëveshjet ndërkombëtare mbi krijimin e tregut të përbashkët rajonal dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. “Strategjia përbën kornizën themelore në bazë të së cilës përcaktohen objektivat, prioritetet zhvillimore sipas sektorëve të energjisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

Kurse Strategjia dhe Plani i Veprimit për Migracionin, sipas Qeverisë, synon të parandalojë të gjitha format e migrimit ilegal dhe për të promovuar migrimin legal.

Institucionet kosovare në nivel qendror dhe lokal, sipas kësaj strategjie, do të jenë përgjegjëse për krijimin e strukturave për parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal dhe të migrimit ilegal të ndihmuar, si dhe promovimi i migrimit legal, që në vete përfshin edhe riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Kurse Projektligji për Mërgatën rregullon organizimin dhe funksionimin institucional të mërgatës kosovare. Qëllimi i këtij projektligji është ruajtja dhe zhvillimi i identitetit, gjuhës, kulturës dhe mundësia e rritjes së bashkëpunimit shumëpalësh, veçanërisht në fushat kulturore, arsimore, shkencore, ekonomike si dhe në fusha të tjera.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria mori vendim të mbështesë me 25174 euro, manifestimet që do të organizohen në nderim të Ditës së Boshnjakëve në Kosovë. Po ashtu, Qeveria ka ndarë mjete për të mbështet punën dhe funksionimin e Komisionit për rishikimin dhe harmonizimin e planprogrameve shkollore në gjuhën serbe.

Kurse ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e informoi kabinetin qeveritar lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor. Ministri ka theksuar se për herë të parë, në shkollat e Kosovës, këtë vit do të organizohet mësimi vetëm në dy turne, fal rritjes së hapësirave shkollore për nxënësit anekënd Kosovës dhe me sukses, për herë të parë janë ndarë tekstet për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën, në të gjitha shkollat.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi