Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:39 pm

"Valmira Deliaj, 18 muajsh, veshur me xhup roze, me kapuçin ende në kokë; fytyrën gjithë gjak.
BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Abri1lf6
BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI W600
 Në qafe i varej biberoni. Pranë - shishja me qumësht.” - Sipas gazetarit të Uashington post”, Din Moor.


 

Valmira me xhupin ngjyrë roze, faqet – vishnje

Valmira, o bec, që pin qumësht, fytin prerë

Valmira, me buzët në biberonin e bukur

si engjëll rrëzuar me shigjetë, fytin prerë.

 

Valmira, përse ke ndenjur te shkurret?

Përse nuk u bëre e madhe menjëherë 

Ta merrje te doçka një pushkë të madhe

të shkoje ushtare me fytin e prerë?

 

Valmira, o qumësht, ç’ke bërë që të mbytën?

O zogu i mamit të vdekur kaq pranë.

Po mami për ty s'do te ngrihet më natën,

e ti me buzë s'do ta puthësh babanë.

 

Po këtë trikon roze, moj, mami ta veshi 

që të thonin të gjithë "sa kukull e bukur"?

Që mami të të hiqte mënjanë duke qeshur,

kur të suleshin si qenushe për të të puthur?

 

Kush është ai burrë të të marrë,Valmira,

me krahë përbindëshi të të vere në qivur?

I duhet të flakë tej zemrën mbi Shkëlzen

mes lotësh në vend të saj të vërë gurë.

 

Valmira, mes pyllit, sikur të kish gjetur

ashtu, duke fjetur me biberonin në gojë

edhe ditë,edhe javë të kishte pa ngrënë

s'të shqyente, por nënë do të bëhej ujkonja.

 

Kush ishte kjo qenie që s'te la, moj Valmira,

ta pije tërë qumështin, e vraftë perëndia!

- Ai që ka mbytur nëpër gjak të Kosovës

dhe njëzet njerëz njëherësh nga familja Delia.

 

Riza LAHI Lozane, 2007


Edituar për herë të fundit nga Rrebele në Wed Jan 07, 2009 4:49 pm, edituar 2 herë gjithsej
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty Re: BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:47 pm

Flet sekretari i Shoqatës së Invalidëve të UÇKsë me qendër

në Prishtinë - Enver Krasniqi

 

MBYLLUR NË NJË THES MES TRIDHJETEGJASHTË

THASËVE ME KUFOMAT E SHOKËVE

 

  Më 14 dhjetor 1998 gjatë kalimit kufitar Shqipëri – Kosovë, qenë vrarë 36 ushtarë të UÇK-së, mes tyre edhe komandanti i grupit prej 147 vetash, Mujë Krasniqi apo “komandant Kapuçi”. Për të mësuar të vërtetën për këtë ngjarje të dhimbshme historike, lexoni bisedën e Riza Lahit, të zhvilluar me Enver Krasniqin, i cili merrë shtatë plagë në trup në këtë pritë të përgatitur nga forcat barbare serbe.

 

  Intervistoi: Riza LAHI

 

  Enver Liman Krasniqi, i ditlindjes 23 korrik 1973 është nga të rrallët shëmbuj të luftës për çlirimin e Kosovës, i cili, pasi ka humbur koshiencën me shtatë plagë në trup, e ka parë veten rob, është trajtuar nga serbët shtazërisht dhe, më së fundi, është ndërruar me robër të kapur nga luftëtarët kosovarë. Ai ka një djalë të vetëm që e ka quajtur Shpend në shënjë mirënjohjeje për të vetmen zhurmë jete që ka dëgjuar mbyllur në thas mes thasëve me kufoma të shokëve të tij - “këngës” së korbave që silleshin përqark erës së mishit të njerëzve që po dekompozoheshin përmbi dëborën e ngrirë. Enver Krasniqi është njëri prej 161 invalidëve të UÇK së, të cilët kanë ardhur në Durrës për pushime dhe janë strehuar në pallatin e biznesmenit Artan Bodlli, kundrejt një pagese mjaft simbolike.

 

Riza Lahi - në fillim, diçka shkurt për jetën tënde.

Enver Krasniqi - Kam lindur në fshatin Karaçicë, komuna Shtime, nënën ma quajnë Elfije, 52 vjeçare, babai më ka vdekur që para lufte dhe jam fëmija më i madh mes katër vëllezërve dhe shtatë motrave. Qyteti i vogël i Shtimjes ndodhet në mes të Lipianit, Therandës dhe Ferizajt. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe kam fituar jo pak si punëtorë ndërtimi në Kroaci, prej nga u nisa për të hyrë në luftë. Jam i martuar dhe kam një djalë tre vjeçar që e quajnë Shpend. Jetoj me pak të ardhura që marr nga pozicioni im si sekretar i Shoqatës por edhe nga puna e vëllezërve të mi që më ndihmojnë duke mos bërë asnjë dallim në shpërndarjen dhe përpjestimin e të ardhurave. Nga Kroacia kemi ardhur tre veta, drejt në Shqipëri, në Tropojë. Sëhrbim ushtarak nuk kisha bërë, por pushkën dija ta përdorja sepse në shtëpinë tonë kemi mbajtur përherë, së paku një pushkë, herë haptazi e herë fshehur.  

 

Rizai - Për cilat merita , mendon ti, je zgjedhur në atë pozicion të nderuar?

Enveri - Jam zgjedhur me vota të fshehta. Ndofta më kanë respektuar për plagët e shumta që kam në trup ( vetëm në dorën e majtë më tregon tri plagë) apo edhe për faktin që më pëlqen dhe e respektoj shumë fjalën e dhënë dhe ndershmërinë. Gjithsesi, në krye të shoqatës sonë ndodhen burra shumë të respektuar, siç janë kryetari, Faik Fazliu, zëvëndës kryetari Fadil Shurdha; unë jam figura e tretë e shoqatës sonë të invalidëve të luftës për çlirimin e Kosovës....

 

Rizai - Në cilën brigadë ke luftuar dhe qysh kur?

Enveri - Kam hyrë në luftë qysh në gushtin e vitit 1998 dhe deri në përfundim, hiq periudhën kur kam rënë rob në duart e ushtrisë sërbe dhe atë që kam qënë nëpër spitale. Kam qënë në brigadën 121 “Kumanova”, që mbante emrin luftarak të komandantit të saj të parë, “Komandant Kumanova”, Ismet Jasharit.

 

Rizai - The rob? ...Rob? Në çfarë rrethanash?

Enveri - Qysh orët e para që kam hyrë në Kosovën time i veshur me uniformë luftarake dhe i rreshtuar në formacion luftimi. Sigurisht që vdekjen e kisha llogaritur si me lindë edhe një herë, por që të bija rob në duar të shkieve, nuk më kishte shkuar në mëndje kurr. Por ja që më ndodhi dhe mua.

 

Rizai - U dorëzove apo të kapën befasisht? Si ndodhi?


Enveri - Si ngarkuam në Cahan kafshët, siç të thashë, kollona jonë u nis. Mirëpo, pasi ecëm pak, pamë se ishte e pamundur që kafshët të ngjiteshin nëpër tërë ato lartësira dhe me borën dy metra. Kafshët i kthyem dhe, gjithçka patën ata mbi shpina, e morëm ne.

 

Rizai - Ti vetë, sa kilogram kishe në kurriz?

Enveri - Prit ta kujtoj...Kam pasë një minahedhës 62 mm, një çantë me 400 copë fishekë kallashi, 2 kile trotil, 4 copë bomba, automatikun “Kallashnikov” dhe 5 karikatorë me fishekë; diku 60 kilogram. Kur u nisëm pa kafshë për të hyrë në Kosovë, ishte ora 10 e ditës.

 

Rizai - Sa udhëtuat?

Enveri - Duke u ndalur vetëm pak për t’u shplodhur, udhëtuam pandërprerë gjithë ditën dhe gjithë natën, derisa, duke gdhirë katërmbëdhjetë dhjetori 1998, befas shpërtheu prita. 

 

Rizai – Çfarë po mendoje ata çaste, në ç’vënd të kollonës ndodheshe dhe, ishe gjithsesi, i ngrënë?

Enveri - Ç’po mendoja?...Po thoja me vete se, shyqyr që erdh dita që të hyja në Kosovë me luftue, po gëzohesha se, qe pra, ku ishte Kosova...Sigurisht që isha i lodhur dhe s’kisha futur gjë në gojë, por, ani, në vetvete, gëzohesha se, qe edhe Enver Krasniqi, ma në fund, qe bërë gati me i dalë për zot Kosovës me armë në duar. Unë ndodhesha bash diku në mesin e kollonës që ishte diku një kilometra e gjatë; distanca nga njëritjetri ishte një metro. Para meje kisha një vajzë, pas meje një djalë. Që të dy as që ankoheshin nga lodhja; as ajo vajza, që nuk pranonte të më jepte asgjë nga ç’kishte ngarkuar në kurrizin e saj vajzëror që t’ia mbaja unë; as mua, askujt tjetër..

 

Rizai - Si shpërtheu prita?

Enveri - As njëzet metro larg, kur shpërthyen me një komandë të vetme rafalla ( breshëri - RL) mitroloz, automatiku dhe bomba dore. Përqëndrimi ishte në mesin e kollonës, ku isha edhe unë. Serbët duket na kishin mbajtun në vëzhgim dhe kishin gjetur çastin e përshtatshëm edhe sipas terrenit..Me shpërthimin e parë, unë ndjeva të dyja këmbët e plaguara dhe, ndërsa mendova që, obobo, e kisha të pamundur që të lëvizja më që këtej, ndjeva një klithëm para meje që më këputi shpirtin. Ajo vajza që nuk kish pranuar t’ia jepte askujt ngarkesën e shpinës, Luljeta Shala, qe vrarë.

 

Rizai - A ju shanin serbët ndërsa ju sulmonin?


Enveri - Ndoshta, por, e ku dëgjohej?

 

Rizai - Iu kundërpërgjigjët menjëherë?

Enveri - Po qysh jo, more? Por unë me pak vonesë. Sapo dha shpirt Luljeta, dëgjova që po avitej rrëshqanë ai shoku që ishte pas meje. Quhej Bashkim. Bashkim Krasniqi. Më tha vetëm kaq “ Enver, jam kah vdes. Kam plumbin në gjoks”. Unë e tërhoqë drejt vetes dhe e mbështeta në gjoksin tim, ndërsa po bëja gati kallashin për të hapur zjarr.

 

Rizai - I the Bashkimit që ishe i plagosur edhe ti? Të la ndonjë porosi?

Enveri - Jo, more, qysh me i thanë? Nuk i tregova se kisha dy këmbët e bllokuara e që kullonin gjak. Bashkimi, para se me dhanë frymën e fundit, më tha se “ këtë snajper, çoja komandant Luanit”. I thashë që do t’ia çoj patjetër, ndërsa ndjeva që këmbët m’u bllokuan krejt.. Ndërkohë, një plumb i ra në kokë Bashkimit të shkretë, dhe ai vdiq në vënd. Bashkimi njëzetepesë vjeçar ishte nga fshati Zllakuçan, komuna e Lipianit dhe nuk vinte nga emigracioni, sikurse shumë prej nesh.

Kur e rroku plumbi në krye, e shtriva Bashkimin në borë, dhe fillova të hap zjarr me automatikun tim.

 

Rizai - Më the se ishte diku ora pesë e mëngjesit. PO atëherë nuk duket asgjë...

Enveri - Kuturu. Hapja zjarr vetëm në drejtim nga vinin krismat duke marrë shenjë sipas flakës së armëve.

Kur kisha harxhuar karikatoren e tretë, më kapën dy plumba në të njëjtën kohë, në të dyja anët e mezit.

 

Rizai - A pate frikë se të mbaroheshin plumbat në karikatore dhe, a i harxhove granatat? 

Enveri - Bombat e dorës, jo granatat. As edhe një. I kisha që të gjitha në siguresë, sipas një urdhëri, që të mos na ndodhte ndonjë aksident gjatë udhëtimit. Sa për municion, kisha, mor, boll. Kisha automatikun e Luljetës dhe të Bashkimit e karikatoret e tyre.

 

Rizai - Ndërkohë nisi të zbardhëte...A munde t’i shihje ndonjërin nga sulmuesit?

Enveri - Sapo nisi të zbardhëte, hëngra dhe dy plumba të tjerë. Përsëri në krahun e majtë. Vazhdova të shtija, por, përsëri serbët nuk i shihja. Ata ishin të veshur me rrobe të bardha dimri dhe të pozicionuar si nuk ka më mirë. Unë vazhdova të shtija, kur, papritur, vura re se, nga tanët, nuk po qëllonte askush.

 

Rizai - U trembe ?

Enveri - Unë e llogarita fatin tim si të Luljetës dhe të Bashkimit. Tërë mendja më shkonte që ta laja veten sa më shtrenjtë, se deri këtu paska qënë fati im. Ndërsa po shtija pa i kursyer fishekët se, siç të thashë, kisha sa të duash; ndërsa mendoja se, ishalla nuk ishin vrarë të gjjithë...

 

Rizai - Pse mendove se ishin vrarë të gjithë?

Enveri - Kishte zbardhur dhe vëndi nxinte nga kufomat e pjestarëve të kollonës sonë. Aq sa shihja unë ngë pozicioni që kisha zënë.

 

Rizai - Po...Ndërsa po mendoje....

Enveri - Më erdhi një plumb snajperi, qe, këtu lart. ( Tregon plagën e shëruar; shumë më të thellë dhe më të madhe nga të plumbave të zakonshëm ). Plaga e snajperit dallohet, se plumbi është i madh.

Gjaku po më rridhte ngado;në të gjitha plagët; sidomos nga kjo që hapi snajperi. Për pak po humbja ndjenjat. Ndërrova karikatoren që m’u mbarua dhe hapa zjarr përsëri. Ishte e pamundur që të ruaja qëndrueshmërinë e automatikut. Për çdo fishek që dilte nga gryka e tij, ai lëvizte krejtësisht i pakontrolluar; si një zorrë që kërcen në prush. Qëllova edhe pak kuturu, derisa automatikun nuk mund ta mbaja më dhe më ra në borë.

 
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty Re: BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:47 pm

Rizai - Ç’ndjeve në ata momente?

Enveri - Po më silleshin pemët vërdallë...Para syve po më vinin që të gjithë njerëzit që kisha njohur në jetën time. Më vinin, më largoheshin, vinin të tjerë...Më dëndur më dilte fëtyra e nënës dhe e Shpresës...fëtyrat e të gjithve, që nga fëmijëria, te shokët e katundit, te ata të gjimnazit...kushurinjtë...Motrat njena me tjetrën tuj qa...në Kroaci ...

 

Rizai - Po, ajo...kush ishte?

Enveri - Shpresa ishte e dashura ime, me të cilën sot kemi djalin tonë Shpendin ; gruaja ime.

 

Rizai - Si kish qënë e vërteta e asaj që nuk kishte krisma më?

Enveri - Qenë vrarë 36 shokë. Mes tyre edhe komandanti i grupit me 147 veta, Mujë Krasniqi apo “komandant Kapuçi”. Të tjerat ishin tërhequr, disa për në Shqipëri, disa për në Kosovë....Munda të shihja serbët që po afroheshin. Ata afroheshin me zigzake dhe duke u fshehur pas pemëve. Ishin çaste të tmerrëshme. 

Unë nuk isha në gjëndje të bëja asgjë më kundër tyre.

Pranë kisha kufomën e Luljetës dhe Bashkimit. Unë isha ende gjallë. Dhe pothuajse me ndjenja të humbura. Më së fundi, ata u afruan. Ishin rreth 60 veta a ma shumë dhe flisnin sërbisht me zë të lartë. Po kontrollonin trupat një e nga një. I kthenin me fytyrë nga qielli dhe u merrnin sidomos paratë. Pashë, më së fundi, që një fytyrë u përkul mbi mua. Binte era alkool. Më rrotulloi disi dhe thirri serbisht “njëri qënka gjallë”. Ndjeva që dikush më kapi nga këmbët dhe po më tërhiqte zvarrë nëpër dëborë.

 

Rizai - Kur tërheqja rrëshqanë pushoi ?

Enveri - Pashë përqark. Ndodhesha në mes të tetë luftëtarëve kosovarë të zënë rob, kështu si unë. Të plagosur ishim vetëm unë dhe dy të tjerë; të tjerët ishin që nuk kishin mundur të largoheshin pasi qemë mbërthyer, sidomos ne, mesi i kollonës, në darë. Mes nesh ishte edhe një vajzë. Edhe ajo kishte rënë robinë. Ishte e paplagosur, vetëm tetëmbëdhjetë vjeçare dhe quhej Merita.

 

Rizai - Më fal...Kemi dëgjuar shumë për përdhunimet në sistemin e ushtrisë sërbe të Millosheviqit...Ma kuptoni pyetjen, si u sollën ushtarët serbë ndaj një robine të re, të bukur, kosovare dhe të kapur me armë në dorë ?

Enveri - Ju kuptova pyejen. Ndyrësira të tilla ndaj vajzës dhe ndaj nesh të tjerëve nuk iu bënë. Na erdh si një ëngjëll nga qielli, diku pas një ore, një ekip i OSBE së në Prishtinë. Serbët iu bindën menjëherë kërkesave të tyre për të kontaktuar me ne robërit. Ata fotografuan edhe të gjithë të vrarët - tridhjetegjashtë shpirt, si edhe, kuptohet, edhe ne. Pastaj, u larguan.

 

Rizai - Me dëshirën e tyre, apo u larguan vetë, ata të OSBE ?

Enveri - E ku e di unë? 

 

Rizai - Si u largua OSBE, ç’u bë me ju tre robërit?

Enveri - Njërin e trajtuan më ndryshe nga ne, sepse ishte plagosur pak më lehtë, kurse mua dhe një shokun tjetër që quhej Azem Suma dhe ishte nga Kaçaniku, na futën, që të dyve në nga një thes. Në nga një thes, ata kishin futur edhe secilën nga kufomat e 36 shokëve të vrarë; me ta na bashkuan edhe mua me Azemin. Azemi kishte të dy këmbët e plagosura, kurse unë , t’i tregova se sa plagëI kisha në shtat.

 

Rizai - Plastik ishte thesi?


Enveri - Jo, se mund të merrja frymë. Ishte i mbyllur nga sipër dhe, përmbi dëborë.

 

Rizai - Sa ndejte në thes?

Enveri – Gjithë pasdreken e gjithë natën; deri rreth orës shtatë, kur , na mblodhën me të gjithë kufomat dhe na futën në një helikopter ushtarak.

 

Rizai - Të zuri gjumi në thas? Plagët, a t’i mjekoi njeri? Si ia bëre për të jashtëqitur? Ç’mendoje i mbyllur në thas?

Enveri - S’e di a mund më ka zënë gjumi.. Në fillim, mbyllur në thas, dëgjoja piskama serbësh, më pas, kur ra natë, asgjë. Pyete për plagët. Bora iu bëri mirë atyre dhe e koaguloi gjakun shpejt. Me dalë jashtë...nuk kisha se ç’të bëja...Mendoja gjithçka. Mendoja se, ishalla shpëtoja i gjallë, që të mund të laja gjakun e Bashkimit e të Luljetës, komandant Kapuçit e shokëve; mendoja se, kaq ishte fati im e se po shihja ëndërra me sy hapë. E kush më linte të dilja më i gjallë nga duart e serbëve; për më tepër i mbytur në plagë. Kur...Nga mëngjesi duket, pra, disa pak orë më përpara sesa të më tërhiqnin për në helikopter, befas, unë dëgjova disa krisma me rafalla apo batare, qysh iu thoni ju, shoqëruar me disa të shara të egra sërbisht.

 

Rizai - Ç’kishte ndodhur?

Enveri - Nga të sharat, munda të kuptoj se dikush, nga grupi ynë i të futurve në thasë, pra, përfshirë edhe unë e Azemi që për ta po përllogariteshim të mbaruar pasi na kishin futur në një kategori me kufomat, kishte qenë shtirë si i vdekur. Ai kishte çarë thesin dhe ia kishte therur me vrap nëpër terr e dëborë. Nuk e di kush ka qënë dhe nuk e di a e vranë apo shpëtoi. Serbët thonin në gjuhën e tyre “ na e la thesin bosh , he ia ...nanën”...

 

Rizai - Pse ju futën në helikpter?

Enveri - S’di gjë. Veçse kur helikopteri ka takuar në betonin e kazermës ushtarake të Prizrenit, ata nisën të vërvitnin qënga helikopteri për në beton thasët me kufomat e shokëve. Ndërkohë, unë, brënda në thas, kam lëvizur. Siç duket lëvizi edhe Azemi. Sepse dëgjova një zë të fortë sërbisht “ Dvojica josh zhivi”, që do të thotë se dy tek qënkan hala gjallë. Fill pas, dëgjovë disa këmbë që zbritën nga helikopteri dhe pas tyre, disa këmbë të tjera që u ngjitën në helikopter. Këmbët ishin me këpucë me gozhdë. Ndjeva se po më çilnin grykën e thesit. Kur e pashë thesin tim të hapur, në grykën e tij, qenë drejtuar gjashtë gryka automatikësh.

 

Rizai - Pastaj?

Enveri - Duke na mbërthyer për krahësh mua dhe Azemin, që nuk ecnim dot që të dy, na futën në kazermë. Sapo hymë te dera, pashë të shtatë shokët tanë; secili në një kafaz, veç e veç. Atje ishte edhe Merita e vogël dhe trimëreshë.

 

Rizai - Të folën? U përshëndetët me njëritjetrin?

Enveri - Bah! As na folën e as u fola; as unë, as Azemi. Fyturat e tyre shprehnin pikëllim të papërshkruar për ne. Kushedi se si do të ishim bërë. Gjithsesi, me gjakun e pa shpërlarë. Edhe ne na ndanë e na futën në dhoma të veçanta.

 

Rizai - Përse? Ç’të bënë atje?

Enveri - Më zhveshën në brekë vetëm dhe nisën të më mërrnin në pyetje. Në fillim, më shkelnin plagët me çizme. Sidomos disa civilë që dukej se ishin oficerë të veshur ashtu. Ishin dhimbje të tmerrshme. Pasi më “përpunuan” ashtu, më morën në pyetje. Kur nisa të flisja, pashë që dikush ndezi një kamer që ishte para meje.

 

Rizai - Ç’të pyesnin? I tregove gjithçka? Mbajte ndonjë sekret me vete?

Enveri - Iu përgjigja me saktësi pyetjeve të tyre. Pra, që kisha ardhur në Kosovë për të luftuar, se kisha luftuar derisa kisha mundur, se isha i UÇK së etj. Të vetmin sekret të domosdoshëm që duhej të mbaja dhe e mbajta, ishin emrat e shokëve. U thashë se vija që nga Kroacia për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe se i njihja shokët vetëm nga pseudonimet. Ata më besuan. Unë sikur të vdisja nuk do t’u tregoja emrat e shokëve. Procesin e marjes në pyetje e transmetuan pastaj në TV e Beogradit ZIBI. Kasetën e kam në shtëpi. Ma kanë inçizuar në Kosovë gjatë transmetimit në televizion; ata që e kanë ndjekur programin. Është 25 minuta; ishim në këtë minutazh vetëm unë me Azemin.

 

Rizai - Të dhanë për të ngrënë?

Enveri - Kam ndejtur tri netë e katër ditë pa futur në gojë as edhe një pikë ujë. M’u qe çarë buza. Pasi më morën në pyetje, më çuan me helikopter në Spitalin ushtarak të Nishit. Pasi më vizituan, më thanë se kisha në trup pesë plumba dhe se duhej të bëhesha operacion. Njëri nga mjekët më pyeti nëse pranonte të merrja gjak “shkjau” apo donte gjak “shiftari”, kur të gjëndej. Unë kisha humbur gjak shumë dhe u thashë se, edhe gjak lope të më jepnin, edhe atë e pranoja se isha rëndë.

 

Rizai - Më thuaj të drejtën, si u soll me ty mjeku që të operoi dhe personeli tjetër mjeksor?

Enveri - A se ishte ndërhyrja e OSBE, a edhe se mjekët ishin njerëz të mirë, po, dua të flas me zemër në dorë, mjekët bënë të pamundurën për të më shëruar. Sidomos mjeku kryesor, që e thërrisnin “gjeneral” dhe mbase ishte vërtetë me gradën e gjeneralit. Ia kërkova emrin por nuk ma dha.

 

Rizai - Qënke shplodhur paksa në spital dhe paske qënë jashtë dhunës.

Enveri - Jojo! Sapo largoheshin mjekët, niste një dhunë e ndyrë nga rojet e mia. Kisha dy syresh në dhomë, dy në koridor e dy të tjerë ishin te ashensori. Ata , për shëmbëll, qënga dera ku rrinin, më vërvitnin në gjoks automatikun duke qeshur e duke thënë “hë, lufto, pra? a do luftë?”. Ose ma përplasnin krevatin për mur apo e ngrinin dhe e lëshonin që larg. Vinin e ma futnin shpulla fytyrës sa ku mundnin. Ama, vija re, se ata kishin frikë nga mjeku, si sëmundja. Duket që silleshin ashtu, edhe mbase ngaqë shihnin të plagosurit e tyre që shëroheshin edhe ata në të njëjtin spital me ne. Të plagosur nga shokët e mi.

Në spital ndejta deri më 31 dhjetor. Atje më kanë bërë edhe gjyqin ; më dënuan dhjetë vjet. Sigurisht pa avokat ... Azemi u mërzitke shumë sepse i vijke keq për djalin që e kishte tre vjeçar e do ta shihte trembëdhjetë vjeçar...Që atje - në burgun e Nishit..

 

Rizai - Kam dëgjuar për trajtime shnjerëzore në burgjet e serbëve.

Enveri - Ashtu edhe ne në fillim, por, sapo mëbrritëm atje, me Azemin qënga spitali, pas pak, erdhën ata të OSBE së. Ata ndërhynin për kushtet tona që erdhën duke u përmirësuar. Në burg, një ditë, më sollën në dhomë edhe një shka.

 

Rizai - Një sërb?

Enveri - Popo. Ishte një dezertor. Kishte ikur nga lufta dhe e kishin futur brënda.

 

Rizai - Ç’njeri ishte ai serbi?

Enveri - Ishte një djalë shumë i mirë. U kujdeste të më lante këmbët e plagët, më hiqte jashtëqitjen, pasi unë nuk lëvizja dot, madje, me paret e tija , më blinte edhe cigare.

 

Rizai - Pse kishte dezertuar ai?

Enveri - Thoshte se nuk donte të luftonte. Se Kosova ishte e kosovarëve e nuk ishte Sërbi. Thoshte se e përse duhej të luftonte ai për llogari të Sllobodanit, i cili, djemtë e tij, në vënd t’i fuste të luftonin, i lente të merreshin me drogë e turli handraku. Më thoshte se edhe këtë luftë Sllobodani do ta humbiste sikurse dy luftërat tjera.

 

Rizai - E ke takuar pas luftës?

Enveri - Ia kam adresën e telefonin, por, as më ka çuar e as i kam çuar asnjë të falë. Ai ishte nga Krushevci i Sërbisë.

 

Rizai - Si vajti puna më vonë?

Enveri - Nuk ma merrte mëndja që ata të OSBE së që na vinin shpesh për vizitë, ndërkohë ishin duke negociuar për ndërrim robërish. Njëditë e pashë veten në makinë; u ndava me shokun e qelisë, atë serbin që u kujdes për mua dhe po ecnim disa orë. Kur arritëm, më erdh të më takonte një i OSBE së. Seç tha. Përkthyesi i tij më komunikoi se, unë isha në dorën e OSBE së, se pas pak do të kaloja te shokët e mi dhe se unë isha i ndërruar me serbë të zënë rob nga UÇK-ja. Pra, të gjithë ne të shtatët, ishim shkëmbyer me tetë shkie të zënë rob nga UÇK në Shalë të Bajgorës. Shkëmbimi qe iniciuar dhe garantuar nga OSBE ja.

 

Rizai - Si e ndjeve veten kur shkuat në shtabin e Përgjithshëm të UÇK së?

Enveri - Na pritën me hare të madhe, popull, shokë; unë kam fjetur atë natë në shtëpinë e baca Jakup Krasniqit. Por, unë, ende nuk dija të gëzohesha. Më dukej vetja si në hava.

 

Rizai - Në spital pastaj? 

Enveri - Po, dhe që andej, përsëri në luftë në brigadën 121 deri në çlirim. Pa marrë as edhe një plagë më.

 
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty Re: BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:55 pm

Flet Luljeta Selimi, autore e librit « Rrëfime tronditëse »

 

« UNË DRAGAN SPASIQ JAM NJERIU QË ME DORËN TIME KAM 

PRERË FYTIN E 50 SHQIPTARËVE ! »

 

  Bisedoi: Riza LAHI


  Luljeta Selimi ka ardhur për t’u shlodhur më së fundi disa ditë në Durrës. Ajo ka si profesion bazë atë të mjekes gjinekologe, por është edhe gazetare dhe autore e librit me poezi “Lindja pa emër”, novelës “Tre muajt e Anitës”, librit me bashkautor gjermanin Armin Matiu “Kosova në shifra - 2003” si edhe të librit tmerrësisht tronditës “Rrëfime tronditëse”. Luljeta Selimi është bijë e dy prindërve intelektualë; babai inxhinier dhe nëna farmaciste. Kjo vajzë kosovare ka përjetuar dhe përjeton përditë tmerret reale që kanë përjetësuar 2016 vajza dhe gra kosovare të përdhunuara seksualisht dhe fizikisht nga ushtarakët serbë, gjatë konfliktit të fundit të armatosur për lirinë e Kosovës, të cilat ajo tashmë i quan “paciente”. Ajo i ka lexuar një për një dëshmitë sekrete të atyre dhe i ka dëgjuar disa herë nga goja e tyre. Luljeta është në krye të një grupi prej 15 mjekësh dhe infermieresh vullnetare, që i kanë vënë detyrë vetes të bëjnë çmos për të rehabilituar këto viktima të shkaktuara nga ushtarakët e Millosheviçit. Viktima të asaj damke të pashoqe në historinë e luftëtarëve të të gjitha kohrave, që quhet politikë e përdhunimeve masive. Në Bosnjë janë të dokumentuara 50 mijë raste përdhunimesh seksuale. Në Kosovë, të dokumentuara deri tani - aq sa thamë. Sigurisht që numri është më i madh, por femrat e përdhunuara i janë trembur dhe i tremben mentaliteteve mesjetare, sidomos të meshkujve kosovarë dhe të ambientit rreth tyre...Luljeta aktualisht është e punësuar me rrogë në “Entin e statistikave të Kosovës” dhe ndjek me kujdes shtypin e shkruar në Shqipëri.

 

Krime të pashembullta janë realizuar: në ambientet e shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë, te “Mëhalla e muhaxhirëve”, në ambientet e fakultetit juridik dhe pranë “Qafë Morinës” te “Liqeni i Kuq”
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty Re: BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:57 pm

LAHI :Ku keni konstatuar më shumë raste përdhunimesh seksuale?

LULJETA: Kudo. Dhe sigurisht që ka qenë një orientim nga entet më të larta të ushtrisë dhe policisë serbe. Këto krime të pashembullta janë realizuar në vende të ndryshme. Në shtëpinë e viktimave, në rrugë, buzë kufirit dhe mu përpara syve të refugjatëve të tjerë që po niseshin për në Shqipëri, por, si pika të organizuara qëllimisht për të këtillë mbrapshti të pështirë kanë qenë, sipas evidentimit tonë, këto pika: Në ambientet e shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë, te “Mëhalla e muhaxhirëve”, në ambientet e fakultetit juridik dhe pranë “Qafë Morinës” te “Liqeni i Kuq”.


LAHI :A keni pasur vështirësi për evidentimin e 2016 rasteve që keni deklaruar?

LULJETA: Sigurisht. Mentaliteti i vjetër, sidomos në fshat, na ka nxjerrë mjaft pengesa për të realizuar evidentimin tonë dhe, më pas, edhe ndihmën tonë të gjithanshme, por ne u kemi premtuar të gjitha rasteve për ta mbajtur plotësisht sekretin dhe e kemi mbajtur fjalën. Gjithsesi, unë pesonalisht di edhe rreth 600 raste të tjera, që gratë dhe vajzat kanë refuzuar, sigurisht duke u skuqur nga turpi e duke u zverdhur nga kujtesa e llahtarshme, të na i përshkruajnë rastet e tyre.


LAHI :I njihni konkretisht se si kanë ndodhur rastet, një për një?

LULJETA: Si jo? Mirëpo, ne kemi përdorur një formë vjeljeje informacioni, që ka ndikuar edhe në terapinë e atyre, me sa ka qenë e mundur, kuptohet. Kështu, ne ua kemi kërkuar atyre që ta shkruajnë me dorën e vet se si e në ç’rrethana u ka ndodhur fatkeqësia.

 

Ne nuk paguhemi për kontributin tonë që japim


LAHI :Nga sa veta përbëhet ekipi juaj?

LULJETA: Ekipi ynë përbëhet prej njëmbëdhjetë mjekëve dhe katër infermiereve. Që të gjitha janë të përkushtuara me mish dhe me shpirt në misionin tonë. Që të gjitha jemi në marrëdhënie pune me shtetin. Ne punojmë nga ora shtatë deri në katër pasdreke ditëve të javës, deri të premten. Pasi pushojmë një orë në shtëpi, nisim punën në objektivin tonë të vetëm vullnetar dhe humanitar. Nga ora pesë deri në orën njëmbëdhjetë të natës. Ditëve të shtuna dhe të diela punojmë nga ora shtatë deri në orën njëzetë e dy. Të shtunave e të dielave shkojmë fshatrave apo qyteteve të tjera, kurse ditëve të javës, vetëm në Prishtinë dhe rrethet e saj. Nga të gjitha shoqet, meqenëse këmbëngulët para intervistës, le të përmend, hajt, vetëm njërën. Ajo quhet Vlera Mati, është e pamartuar, njëzetetetëvjeçare, mjeke. Ajo, jo vetëm që ka vënë në dispozicionin tonë kerrin e saj, si edhe unë timin, pasi të tjerat nuk kanë, por familja e saj në Zvicër na çon 500 euro që ne t’i përdorim në ndihmë të atyre fatkeqeve që të këpusin shpirtin. Ne nuk paguhemi për kontributin tonë që japim në emrin e popullit të Kosovës. Ne gjithmonë kemi nevojë për të holla dhe ndihma materiale gjithfarëshe, dhe i grumbullojmë ato, qoftë duke përgjysmuar rrogat tona që marrim në punërat ku jemi, qoftë edhe duke marrë ndihma nga OJQ-të e ndryshme në Kosovë, por edhe nga Gjermania e Hollanda. Nga shifra që ju përmenda në fillim, ka 314 nëna që burrat e tyre i kanë përzënë nga shtëpia me gjithë fëmijët. Ato nëna nuk kanë asnjë të ardhur. Atje ku banojnë dhe të afërmëve të tyre, u thonë se burri më është vrarë apo më është zhdukur, a kushedi se çfarë dhe Qeveria e Kosovës, e cila, sidomos kryeministri i saj Bajram Rexhepi, u qëndron pranë me sa mundet, u jep vetëm 62 euro në muaj. Të përdhunuarave të tjera që nuk kanë fëmijë, askush nuk u jep gjë, kurse ato kanë nevoja intensive për ilaçe dhe trajtim mjekësor, të cilat kushtojnë.

 

46 vetëvrasje pas luftës, për pasojë të krizave nervore e psikike


LAHI :Keni patur raste pasojash për mungesa ilaçesh?

LULJETA: Kemi të evidentuara 46 vetëvrasje pas luftës, për pasojë të krizave nervore e psikike. Këto ditë kishim një rast të dhimbshëm. Një vajzë donte të merrte pjesë në mbrëmjen e maturës. Babai i saj e kish braktisur atë e fëmijët e tjerë, për arsye të nënës. Ne i siguruam asaj një fustan të ri e të bukur si edhe paratë e kokteit me shokët e shoqet e klasës, por ajo këmbënguli që të mos shkonte. Ajo donte të blinte ilaçe për nënën e saj, e cila nuk i kishte përdorur ato ditë se nuk kishim. Nëna e saj, si edhe mjaft paciente të tjera, kur nuk përdorin rregullisht ilaçe, bëhen agresive dhe u sulen edhe fëmijëve të tyre me të dy duart në fyt.


LAHI :Çfarë ndihme u jepni kësaj kategorie?

LULJETA: Bëjmë çmos që t’u sigurojmë atyre dhe fëmijëve të tyre muaj për muaj nga 50 kg miell, 2 kg makarona, 3 kg detergjent, 2 kallëpë sapun, gjysmë kilogrami shampo, një pastë dhëmbësh, një kg sheqer, një kg kripë, 2 litra vaj dhe njëqind gram kafe. Ne na ka ndodhur që të dalim e të kërkojmë shtëpi më shtëpi, të lypim te gratë e shtëpive edhe brekë… Ato të mjera, ju thashë, nuk i ndihmon askush. Janë të papuna në përgjithësi se ka papunësi të madhe në Kosovë dhe dëshirojnë të hedhin diçka të re në trup. Kush t’ua blerë?


LAHI :Ke qenë e shokuar duke u njohur me historitë e tyre?

LULJETA: Unë jam mjeke gjinekologe dhe duroj, por, sigurisht, që duhet forcë tepër e madhe që të përmbash veten pas tërë asaj llahtarie që tregojnë femrat e dhunuara me gojën e tyre.

 

« Më quajnë Nenad Stojanoviq - Do të të vras ngadalë-ngadalë” » , 

dhe ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje...


LAHI :A mund të më tregoni ndonjë histori nga ato më tronditëset?

LULJETA: O, janë të panumërta zotëri… Ja, po ju tregoj se çfarë i ka nodhur, R.N., e cila është nga Prishtina dhe që e kanë gjetur të lidhur, sa kish mbaruar lufta, në lokalin e Fakultetit Juridik. Ajo na e ka treguar ngjarjen e saj, pasi erdhi në vete dhe duke qarë pa pushim. Ja, se ç’tregonte R.N., e mbaj mend thuajse përmendësh e nuk do ta harroj kurrë. “Pasi më futën në lokalin e Fakultetit Juridik, më vunë pranga dhe më mbajtën kushedi se sa ditë ashtu, pa futur gjë në gojë. Për çudi nuk kisha uri, por po plasja për një pikë ujë. Më së fundi më thanë se do të më merrnin në pyetje; njëri prej tyre më urdhëroi që të zhvishesha si kam lindur nga nëna. Unë refuzova. Njëri prej milicëve më ra me shuplakë dhe menjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumuara. Tjetri vuri gishtin te buzët e mia, e ngjyu me gjak dhe tha: “Siç duket të gjithë shqiptarët e kanë gjakun e ëmbël dhe unë me këtë thikë do t’i shijoj të gjitha”, dhe me thikën që më vezulloi përpara syve të mi, nisi të më priste rrobat derisa mbeta e tëra lakuriq. Tentova të bëja diçka, por isha e pafuqishme. Dy nga ata më mbanin, i treti më dhunonte. Rezistenca ime e vetme ishte disa të gërvishtura me thonj në fytyrën e dhunuesit… Pasi mbaroi punë, ai shtaza urdhëroi njërin prej kolegëve të tij t’i ndizte një cigare. Me cigaren e ndezur m’u afrua, ndërsa mezi mbaja pikat e fundit të fuqisë që po më shteronte krejt, dhe më tha: “Më quajnë Nenad Stojanoviq... “Unë, Nenad Stojanoviq, do të ta lë një kujtim për tërë jetën. Ndoshta ti, si e re dhe e bukur që je, don ta jetosh jetën, por unë do të ta pres. Do të të vras ngadalë-ngadalë”, tha, dhe ma afroi cigaren te gjitë e mi dhe e fiku atje. Mbi një paketë ka shuar në trupin tim për disa orë ai. Në asnjë film nuk kisha parë asi torture. Të nesërmen, sapo më zgjidhën duart, më kanë dhunuar që të gjithë me radhë. Nuk e di se sa burra kanë luajtur me trupin tim, por, kur kam ardhur në vete dhe ende sot, kam në trupin tim me qindra plagë cigaresh dhe plagë thike, ku kanë gdhendur turli fjalësh në serbisht”. 

 
Rrebele
Rrebele
Moderator
Moderator

Numri i postimeve : 484
Registration date : 06/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI Empty Re: BALADË PËR VALMIREN E VOGËL-Riza LAHI

Mesazh nga Rrebele Wed Jan 07, 2009 4:59 pm

Në vijim mund të shihni dokumentarin:

 

Rrëfime tronditëse nga femrat e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë!