Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gëzim Mekuli: Informojnë apo shpërdorojnë gazetarët?

Shko poshtë

Gëzim Mekuli: Informojnë apo shpërdorojnë gazetarët? Empty Gëzim Mekuli: Informojnë apo shpërdorojnë gazetarët?

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 06, 2009 12:51 pm


Gëzim Mekuli: Informojnë apo shpërdorojnë gazetarët? U1_GezimMekuli1Mediat dhe Politika

Informojnë apo shpërdorojnë gazetarët?

Nga Mr. Gëzim Mekuli
gezim@mekuli.com

Mediat duhet të zotërojnë para për të mbijetuar. Por nëse e sheh më imtësisht zhvillimin bashkëkohor të industrisë mediale shqiptare, të krijohet përshtypja e hidhur se ajo e ka shndërruar zotërimin e parave si qëllim në vetvete.

Veçanërisht në kohën parazgjedhore gazetaria zhurmëmadhe pushton pjesën dërrmuese të hapësirës së radios, të televizionit dhe të gazetës shqiptare. Zhurmës, tensionit dhe britmave në politikën shqiptare në masë të madhe u vjen në ndihmë industria e mediave.
Për pranuesin shqiptar është më se e tejdukshme se monologët fyese parazgjedhore në gazetat e përditshme bazohen mbi modele të gazetarisë autoritare. Ata që kanë forcën dhe fuqinë në shtet për çastin e dhënë të kohës u japin privilegje dhe përparësi të pakufizuar personave privatë dhe bordeve e shoqatave “të pavarura” mediale. Këta persona, anëtarë bordesh, të privilegjuar dhe të “dëgjuar” sillen sikur e kanë për detyrë politiko-ideologjike që të tregojnë dhe (keq)informojnë se çfarë ka vendosur bosi i radhës, pardon: “shteti e ligjdhënësi ynë me sistem politik demokratik; EULEX-i”.

Në këtë periudhë të papërvojë politike mediat tona do të duhej të ishin një forum bazë për mirëkuptim të dyanshëm. Gazetaria e tillë do të shëronte shoqërinë tonë të stërlodhur nga tensionet e panevojshme partiake. Ajo do të krijonte një mjedis ku do të mbisundonte mirëkuptimi i ndërsjellë. Mund dhe duhet të kemi mendime të kundërta, por s’kemi nevojë t’ia vendosim bërrylat njëri-tjetrit jashtë kufijve etikë, sepse askush nuk është fitues nëse shkelen apo kapërcehen këta kufij.

Etika mediale nënkupton gjithashtu që gazetarët dhe gazetaret, enkas sot, duhet të rrezatojnë kujdes dhe besnikëri ndaj pranuesit popull. Ashtu, sikundër detyra e mjekut është që të parandalojë sëmundjen e rëndë dhe ta shërojë të sëmurin, po ashtu gazetarët dhe gazetaret e kanë detyrim profesional dhe përgjegjësi morale që të jenë të sinqertë në atë çka thonë, çka shkruajnë dhe çka paraqesin në ekran në mënyrë që të krijojnë siguri, besim e mirëqenie informative në hapësirën ku ata veprojnë.
Ashtu siç ka një etikë mjekësore, ashtu ka edhe një etikë të gazetarisë. Shmangia prej saj, moszbatimi i ndërgjegjshëm i profesionit, në mjekësi shkakton vdekjen e pacientit. Në rastin e mediave (gazetarëve), viktima e parë e lajthitjeve profesionale bëhet e vërteta. E, sikur na mëson historia, herët a vonë vjen koha që edhe vetë media (gazetari) shndërrohet në viktimë.

Fushata e egër parazgjedhore, e transmetuar dhe e paraqitur nga disa media, për publikun shqiptar bën të lindin disa pyetje enigmatike. Çfarë synon media shqiptare: të raportojë për realitetin apo të shtrembërojë atë? A po ndihmon ajo që të krijohen raporte të mira, shoqërore dhe miqësore ndërmjet atyre që kanë pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme mbi veprimtarinë politike, mendime të ndryshme për mundësitë e zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare dhe çështjeve të tjera? Dhe, ndoshta është koha të shtrohen edhe pyetje të tilla: A është kjo, apo ndoshta s’është fare detyrë e gazetarit?

Në zemër të problemit qëndron një pyetje delikate. A është vetë gazetari pjesëtar i kësaj shoqërie, a ka ai përgjegjësi etike dhe morale për mirëqenien e saj?

Përgjigjja duket qartazi se anon kah kjo e dyta. Në Perëndim roli jetik shoqëror i gazetarëve spikatet në përcaktimin sociologjik për mediat si “pushtet i katërt”, pas qeverisë, drejtësisë dhe organeve përmbaruese.
A është duke u larguar (vetëdijshëm) përmbajtja informative që do të kishte rëndësi për të kapur e kuptuar proceset politike, ekonomike dhe kulturore shqiptare? Apo, përshtatur në gjuhën e fushatës parazgjedhore, është bërë qëllim i pangopshëm komercial se çfarë dhe si do të konsiderojnë mediat, si lajm (partiak) parazgjedhor apo çfarë?
Dhe, për të qenë konsekuent deri në fund: Mos janë duke dëmtuar, “ftohur” a “varrosur” industrialistët medialë shqiptarë vetitë dhe dhuntitë njerëzore për bisedime e komunikime “sy ndër sy” e “gju në gju”?

A mos është kjo industria më e madhe që po “tymon” sot në Kosovë, ajo që po i bën njerëzit të largohen nga njëri-tjetri e të mos përfshihen në dhënien e ndihmës?

Rreth kësaj duhet të mendohemi mirë, aq më tepër në kohën e zgjedhjeve. Sepse, nëse mediat “tona” vijojnë si deri tash, ato jo vetëm që destabilizojnë politikën në përgjithësi, por përbëjnë edhe rrezik kronik për shëndetin mental të njeriut shqiptar në shekullin e ri.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi