Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Albert Zholi: Flet, autori i disa librave shkencor, poetik, doktori i shkencave z. Zyhdi Dervishi

Shko poshtë

Albert Zholi: Flet, autori i disa librave shkencor, poetik, doktori i shkencave z. Zyhdi Dervishi Empty Albert Zholi: Flet, autori i disa librave shkencor, poetik, doktori i shkencave z. Zyhdi Dervishi

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 12, 2009 1:21 am

Albert Zholi: Flet, autori i disa librave shkencor, poetik, doktori i shkencave z. Zyhdi Dervishi U1_AlbertZholi
Për të merituar statusin e intelektualit lipset të jesh kurdoherë veprimtar shoqëror kundërkonformist

Nga Albert Zholi

- Kanë kaluar 17-18 vjet që kur shqiptarët i shkatërruan muret e vetizolimit të imponuar nga regjimi totalitar socialist. Sipas mendimit tuaj, a kanë përfituar shqiptarët sa e si duhet nga liria që ofron Perëndimi?

- Fatkeqësisht gjatë këtyre viteve është bërë më shumë propagandë e zhurmë për Perëndimin se sa është komunikuar natyrshëm me të. Dhe kjo çështje komplekse lipset të trajtohet në disa rrafshe.

Së pari, rrëzimi i mureve të vetizolimit nga shqiptarët nuk u shoqërua me hapjen e portave për shqiptarët nga vendet perëndimore. Dyert e Perëndimit kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten më të mbyllura për shqiptarët se sa për çdo popull tjetër të Gadishullit Ballkanik. Në rrethana të tilla shumica e emigrantëve shqiptarë kanë qenë të detyruar të emigrojnë në vendet perëndimore, duke kaluar, si të thuash, jo nga portat e legalitetit, por nga arkapiat e ilegalitetit. Madje edhe në ditët tona shqiptarët janë ballkanasit më të refuzuar në sportelet e vizave në ambasadat e vendeve perëndimore. Nëse shkalla e refuzimit të vizave për gjithë ballkanasit është mesatarisht 17 për qind, për shqiptarët një tregues i tillë, është edhe më i trishtë, rreth 23 për qind, pra afro 1.3 herë më i lartë. Kështu afërsisht një ndër katër shqiptarëve, që i mohohet e drejta për t’u pajisur me vizë për të zgjidhur ndonjë problem jetik si punësimi, kurimi më i specializuar që nuk realizohet në Shqipëri, shkollimi, bashkimi familjar etj., detyrohet të shkojë në vendet perëndimore përmes rrugëve plot sfida të ilegalitetit.

- Ju flisni për emigrantë ilegalë, pra për shqiptarë që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, ndoshta edhe për qëllime të tjera, pra gjithsesi për ilegalë. A nuk janë ilegalë të tillë në një farë mënyre fajtorë?

- Shumica e tyre janë fajtorët më të pafajshëm në planetin tonë. Në thelb ata janë viktima të fajeve të të tjerëve që mund të jenë politikanë, biznesmenë dhe, përgjithshësisht, njerëz me pushtet në shoqërinë shqiptare ose të vendeve pritëse. Unë kam pasur fatin e trishtë të takoj përtej Adriatikut, në tokën italiane emigrantë shqiptarë që sapo kishin dalë nga deti më këmbë, krejtësisht të lagur, pasi gomonia i kishte flakur mes dallgëve rreth 200-250 metra larg bregut. Dhe ishte piku i të ftohtit të dimrit, ishte 24 shkurti i vitit 1996. Fytyrat e tyre, krejt të nxira nga të ftohtit e acartë nuk do t’i harroj gjithë jetën. Në fytyrat e nxira shprehej fati i tyre i zi, por aspak gjaku i zi i kriminelit. Ishin njerëz shumë korrektë, të ndershëm e të mirarsimuar. Ishin mësues fizike, aktorë profesionistë, agronomë, zooveterinerë etj. Halli i madh ekonomik, mungesa e rendit i kishte përplasur në rrugën e vështirë, plot sfida të emigrimit ilegal. Por hallin e tyre nuk e ndiejnë politikanët e diplomatët italianë, dhe as ata politikanë e nëpunës shqiptarë, të cilët kanë për detyrë t’u japin zgjidhje problemeve jetike të shqiptarëve. Qofsha krejtësisht i gabuar, por më duket se politikanët shqiptarë të çdo ngjyre e nuance, veçanërisht qeveritarët e babëzitur për përfitime vetjake të paligjshme marramendëse, janë krejt të pandjeshëm ndaj halleve, shqetësimeve traumatizuese të nënshtetasve të vet. Për këtë pandjeshmëri proverbiale ndaj faktit të nënshtetasve të vet, por edhe ndaj të ardhmes së Shqipërisë, politikanët shqiptarë meritojnë vendin më “të nderuar” në librin e rekordeve Guines. Që politikanëve shqiptarë, veçanërisht qeveritarëve, t’u gjallërohet nervi i paralizuar i ndjeshmërisë ndaj shqetësimeve të popullit shqiptar, është e domosdoshme të kalojnë Adriatikun me gomone në ditët me të ftohta të dimrit dhe pa kurrëfarë masash sigurie, pra të përballen me fatin e rëndë të mijëra e mijëra bashkëkombasve që i detyruan të gjejnë shtegun e shpëtimit nga hallet nëpërmjet gomoneve krejt të pasigurta. Një rrugëtim i tillë me gomone, si të thuash, me qefine në brez, do t’i fisnikëronte qeveritarët, do t’i bënte më të ndjeshëm ndaj brengave që përjetojnë bashkëkombasit hallexhinj, ndoshta më hallemëdhenjtë e Europës.

- Kjo që sugjeroni ju, mos duket idealiste për të mos thënë utopike?

- Për të qenë realist, nuk duket, është idealiste deri në caqet e absurdit. Por nuk është më pak absurde, për të mos thënë kriminale, pandjeshmëria e shumicës së qeveritarëve shqiptarë ndaj popullit. Përvoja jetësore tregon se shpesh shtegu i vetëm për të tejkaluar një situatë absurde mjaft të agravuar kalon përmes masave absurde. Dhe, unë jam i prirur të pranoj edhe masa absurde që kanë profil humanizues, që i shërbejnë zgjidhjes së problemeve jetike të shumicës dërrmuese të anëtarëve të shoqërisë, veçanërisht të një shoqërie të drobitur nga sfidat e rënda të diktaturave e të anarkive, të periudhave tranzitore të tejzgjatura sikurse po kalon shoqëria shqiptare.

- Të kthehemi te pyetja e mëparshme, të cilën sikur e anashkaluam, për veçoritë e komunikimit të shqiptarëve me kulturat e vendeve perëndimore?

- Ky komunikim ka dritë-hije ose, më saktësisht, ka më shumë hije problematike se dritë perspektive. Politikanët e të gjithë ngjyrave, madje me tonë mburravece që i bëjnë qesharakë, kanë artikuluar shpesh deklarimet publike se “Këshilli i Europës na ka caktuar detyra shtëpie”, se “Qeveria jonë po bën detyrat e shtëpisë që ia ka caktuar Europa ose NATO” etj. Pa u ndalur në performancën aspak diplomatike profesionale të pohimeve të tilla, vlen të theksojmë se detyrat e shtëpisë të caktuara nga strukturat europiane ose euroatlantike përbëjnë vetëm minimumin e domosdoshëm të reformave që duhen kryer. Krahas detyrave të shtëpisë, të cilat lipset të kryhen në kohë e me korrektësi maksimale, është e domosdoshme që shqiptarët të studiojnë me kujdes të gjithë ato “mekanizma” ekonomikë, politikë, sociale e psikokulturor që i ngrenë veprimtaritë e tyre në standardet më të përparuara europiane e më gjerë. Një nga gjeneratorët që vë në lëvizje shoqërinë moderne është konkurrenca e lirë. Në përputhje me këtë rregullsi edhe shqiptarët do të integrohen natyrshëm në strukturat europiane, jo vetëm duke pritur dorën e zgjatur të mirëkuptimit e të dashamirësisë së mikpritësve europianë, por edhe me vlerat e veçanta që do të afrojnë në fushën ekonomike dhe sidomos kulturore e artistike, të traditës e të ditëve tona. Procesi i integrimit është mjaft kompleks, sepse është një përpjekje e shumanshme, e pandërprerë për të ofruar në familjen europiane sa më shumë vlera cilësore të veçanta. Në hapësirat evropiane shqiptarët lipset të jenë vendas dinjitozë dhe konkurrentë të ndershëm me shpirtin krijues, të paktën në përpjesëtim të drejtë me vendin që zënë në këto hapësira.

- Nga mënyra se si flisni, ju ndiheni i brengosur për fatet e shqiptarëve, pra ju i përkisni asaj kategorie intelektualësh që ndihen përgjegjës për fatet e popullit të vet?

- Ju kërkoj ndjesë që për këtë pyetje unë detyrohem të kem disa rezerva. Edhe herë të tjera jam shprehur publikisht në median e shkruar dhe në atë elektronike se unë nuk jam intelektual. Rasti e ka sjellë të angazhohem për një kohë relativisht të gjatë me problematikën e inteligjencies, të intelektualëve. Si sociolog kam shqyrtuar qindra përcaktime të konceptit “intelektual”. Për mua më interesanti dhe më funksionali në rrafsh të gjerë shoqëror është koncepsioni i shkrimtarit dhe filozofit francez të shekullit XX Zhan Pol Sartrer. Sipas tij, për të qenë intelektual nuk mjafton të jesh specialist shumë i shquar i niveleve paradigmatikë në një fushë të caktuar të shkencës ose artit. Për të merituar statusin e intelektualit lipset të jesh kurdoherë veprimtar shoqëror kundërkonformist me vizione idealiste, me pikësynimin e përhershëm për përsosjen e shoqërisë nëpërmjet luftës së pandërprerë e pakompromis kundër padrejtësive të çfarëdolloj, kundër zvetënimeve, kundër çdo faktori e force sociale që pengon përparimin e shumanshëm të shoqërisë. Për aq sa e njoh unë shoqërinë shqiptare janë të paktë, fare të paktë ata që e kanë kapërcyer stekën me lartësinë më dinjitoze të këtyre dy kritereve të përcaktuara nga profesori i rreptë Sartri. Ndoshta është me e saktë të thuhet se shoqëria shqiptare ende nuk e ka krijuar terrenin e përshtatshëm për të pasur intelektualë të vërtetë. Shoqëria shqiptare i ngjan një baltovine, ku gati askush nuk ka mundësi të kalojë stekën e kritereve sartriane. Në shoqërinë shqiptare të lejohet vetëm të punosh si specialist në një fushë të caktuar të dijes, me kusht që të heshtësh për çështje shoqërore, dhe aq më shumë për ato politike. Sapo një specialist hedh një rreze drite idealizmi për zgjidhjen e ndonjë problemi ekonomik ose politik, deri edhe kulturor, që prek interesa qoftë edhe të dorës së fundit të ndonjë grupimi shoqëror, ideatori i rrugëzgjidhjeve përbaltet skajshmërisht, shpërfytyrohet deri në caqet e të padurueshmes. Një nga fatkeqësitë më të mëdha të shoqërisë shqiptare është mungesa e hapësirave për kultivimin e mendimit intelektual, i cili është kusht i domosdoshëm për zhvillimin e shoqërisë bashkëkohore.

Ndoshta ajo që më irriton më shumë është shprehja “populli im”, që artikulohet nga politikanë të korruptuar deri në palcë dhe nga nëpunës të kriminalizuar, nga vjedhës ordinerë dhe nga manjakë seksualë, nga trafikantë armësh, lëndësh narkotike ose vajzash-viktima të pafajshme për shfrytëzim prostitucioni, nga gjithfarë dallkaukësh, kopukësh e sharlatanësh, siç quhen në gjuhën e përditshme, të kalibrit ndërkombëtar. Një shprehje e tillë në gojët e kriminalizuara më acaron se më duket sikur edhe mua më pronësojnë këta lloj “skllavopronarësh të vetëshpallur, këta përbindësha”, që me ligësinë dhe injorancën e tyre po i imponohen shoqërisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Fjalët kanë magjinë e tyre. Unë mendoj se duhet ndaluar me ligj që njerëzit të flasin në emër të popullit shqiptar publikisht, në median e shkruar dhe elektronike, në parlament e në foltore të tjera publike duke artikuluar ose, më saktësisht, duke përdhosur kuptimin e shprehjeve të tilla si “populli im”, “populli ynë”, “kombi ynë” etj. Është respekt për popullin shqiptar një tabu e tillë. Në këndshikimin tim, që nga Mesjeta deri në ditët tona, kanë pasur dhe kanë të drejtë të pakontestueshme të flasin në emër të popullit shqiptar fare pak shqiptarë si Gjergj Kastrioti, Abdyl, Sami e Naim Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Isa Boletini, Gjergj Fishta dhe Ismail Kadare.

- Ditët e fundit kemi botuar librin tuaj të katërmbëdhjetë me titull “Lente të ndërveprimit simbolik”. Ç’përfaqëson ky libër në krijimtarinë tuaj?

- Po të shprehesha shkurt, një brengë më pak, një çlirim i shpirtit nga një peshë e rëndë e akumuluar në kohë. Është fryt i një punë disavjeçare. Gjithnjë kur nis një libër të një natyre të tillë të streson jo pak dilema: do ta shohësh të botuar librin apo mundi do të shkojë kot nëpër copa skedash, shënimesh apo dorëshkrimesh? Pra, edhe kësaj radhe i shpëtova një dileme të tillë, hoqa nga vetja një barrë shpirtërore jo të vogël.

Gjatë tre-katër dhjetëvjeçarëve të fundit në studimet sociologjike të mjaft vendeve të botës është rritur ndikimi i paradigmës ndërvepruese-simbolike. Në këtë kuadër kanë filluar të botohen më shumë artikuj studimorë, punime monografike e tekste për komunikimin simbolik, joverbal. Gjithsesi, botime të tilla janë shumë më të pakta se ato që trajtojnë problematikën e komunikimit gjuhësor, verbal.

Nga një studiues i kualifikuar në çështje të komunikimit ndërkulturor ky libër është karakterizuar si një gramatikë e parë e komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve? Ky libër u drejtohet vetëm auditorëve të universiteteve?

- Nëpërmjet këtij libri jam përpjekur të arrij disa pikësynime kryesore.

Në radhë të parë t’u ofroj studentëve, veçanërisht atyre të lëndëve shoqërore njohuri teorike e përvoja empirike të shqyrtimit të dukurive, të marrëdhënieve të procesve shoqërore, nga pikëvështrimi i paradigmës ndërvepruese-simbolike, t’u ofroj, si të thuash, një busull për t’u orientuar jo vetëm në labirintet e simboleve të kulturës shqiptare, por edhe në ato të kulturave të tjera, sidomos të atyre me shtrirje më të gjerë në shkallë botërore. Si i tillë ky libër është praktisht i dobishëm edhe për masën e madhe të emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë përkohësisht ose përgjithnjë në hapësirat e sistemeve kulturore të tjera.

Së dyti, tashmë është krijuar një traditë e konsoliduar në studimin e komunikimit gjuhësor të shqiptarëve me veprat e një plejade të shquar gjuhëtarësh si Aleksandër Xhuvani e Selman Riza, Eqrem Çabej e Mahir Domi, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti etj. Ndërsa studimi i komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve është në hapat e parë. Dhe një komunikim i tillë ndërmjet shqiptarëve është, një minierë vlerash origjinale në fillimet e eksplorimit. Ishte e domosdoshme që ky libër të shkruhej sa më shpejt, pasi një pjesë e madhe e elementeve të komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve nuk janë të dokumentuara, nuk janë të fiksara në krijimtarinë folklorike të botuar, por mbijetojnë në përvojën jetësore të më të moshuarve të ditëve tona, të cilët po rrallohen për arsye moshe. Ndaj duhej mbledhur e përpunuar sa më shpejt nektari i kësaj mençurie e përvoje komunikimi simbolik ndërmjet shqiptarëve, sepse pak vite më pas, do të ishte tepër vonë. Shqyrtimi me përparësi i “mekanizmave” të komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve të shoqërisë tradicionale dhe të ditëve tona i jep këtij libri një profil monografik të spikatur.

Së treti, përmes analizave krahasimore me kulturat e tjera evidentohen veçoritë e komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve. Ndërkohë që prirjet përbotëzuese janë përforcuar, skanimi i veçorive të tilla është respekt jo vetëm për kulturën kombëtare, por edhe për ansamblin e të gjithë kulturave të botës, sepse e pasuron atë me kolorit të pazëvendësueshëm.

Së katërti, si një punim pionier në fushën e ndërlikuar të komunikimit joverbal ndërmjet shqiptarëve ky libër rreket të hedhë themele për studime të tjera më të detajuara, si të thuash, për të hartuar edhe nënatlaset e komunikimeve simbolike, joverbale të anëtarëve të subkulturave aq të shumta e të larmishme të kulturës shqiptare.

- Përgjithësisht librat studimorë në vendin tonë paraqiten me gjuhë të rëndë, gati të pakomunikueshme me masën e gjerë të lexuesve. A e ka tejkaluar libri “Lente të ndërveprimit simbolik” një patologji të tillë?

- Shpresoj. Jam përpjekur që librin ta paraqes me gjuhë të kuptueshme për shumicën e shqiptarëve që kanë mbaruar shkollën e mesme, për shumicën e shqiptarëve që punojnë e jetojnë si emigrantë në vende të tjera. Madje, pa cenuar skatësinë shkencore, gjuha e këtij libri është bërë më shprehës përmes figurave letrare me denduri optimale e të përshtatshme për parashtrimet shkencore të kësaj natyre.

Për lehtësi përdorimi lënda e këtij libri paraqitet e mbuluar në çështje, nënçështje dhe nënçështje të nënçështjeve, përmbajtja e të cilave shprehet në mënyrë sintetike në titujt dhe nëntitujt përkatës.

- Ju jeni shumë i angazhuar si lektor në auditorët e Universitetit të Tiranës, në mësimdhënie, në studime sociologjike, në hartimin e teksteve dhe përgatitjen e monografive. Si ju del koha të shkruani edhe poezi?

- Unë mendoj se poezia e vërtetë, ajo që ndriçon honet më të thella të shpirtit të trazuar shkruhet më natyrshëm kur nuk ke kohë, madje kur je mjaft i stresuar jo vetëm nga mundimet e punëve të përditshme, por edhe nga demonet e gjithfarë konfliktesh që të helmojnë çdo fraksion të sekondës. Ndodh kështu sepse poezia nuk kërkon kohë për t’u shkruar ose, më saktësisht ajo ka kohën e vet, fare të shkurtër, por me shumë dritë, sikurse vetëtima. Poezia fle në vetëdijen e trazuar, vetjake dhe të bashkëkohësve, sikurse jonet e elektrizuara në retë e ngarkuara me shi dhe shtrëngatë. Sikurse jonet e elektrizuara ndezin vetëtimën në çastin kur retë janë më të ngarkuara, ashtu edhe poezia vegon në vetëdije kur ajo është më e tendosur nga lodhjet e streset. Dhe, ashtu si vetëtima ndriçon honet e reve, edhe vegimi poetik ndriçon skutat më të thella të shpirtit, duke çliruar kësisoj energji rikuperuese e krijuese. Në çastet e vegimit poetik ke mundësi të njohësh më mirë mistere që flenë si vullkane në erupsion në shpirtin tënd të trazuar, në shpirtrat e trazuar të njerëzve që të rrethojnë, në trazimet shpirtërore të paartikuluara të paraardhësve që flenë gjumin e amshuar dhe të pasardhësve që janë të paktën shtatë breza më parë nga ne në kohën që vjen. Kështu për mua poezia, është një enë komunikuese që qarkullon limfën e emocioneve më të fuqishme e më të brishta, mençuritë e fisme dhe mesazhe me fuqi mobilizuese të pakufishme e që përcillen nga njëri brez te tjetri.

- Prej mëse 20 vitesh jo jeni autor i disa punimeve monografike, teksteve të sociologjisë për shkolla te mesme, teksteve për studentët, i vëllimeve me poezi, i artikujve të shumtë teoriko-sociologjikë të botuar në shtypin shqiptar dhe në vende të tjera si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali, Rumani etj. A ndiheni i vlerësuar për gjithë këtë punë të mundshme që keni bërë?

- Kjo pyetje më vë në vështirësi të shumëfishta, sepse është një pyetje që në vendin tonë nuk mund të përballohet as nga një regjistër i gjerë përgjigjesh sa që luhaten nga njëri skaj në tjetrin. Shoqëria shqiptare përjeton një periudhë ndryshimesh të vrullshme aq dhe kaotike, në të cilën është shpërbërë kufiri që dallon vlerat nga antivlerat ose më saktësisht, antivlerat po zënë vend qendror dhe po i dëbojnë vlerat e vërteta drejt rrethinave. Mjaft shqiptarë janë të infektuar nga epidemia e histerisë për t’u pasuruar ose për t’u bërë të njohur sa më shpejt, mundësisht brenda 24 orëve. Në këtë atmosferë psikologjike të kontaminuar bëhesh i njohur jo me kërkime shkencore, por me modele sjelljesh ekzibicioniste, me përdorimin e fjalorit rrugaçor në mjedise publike, nëpërmjet polemikave gojëçthurura, e zvetënimeve të shumëllojshme e deri përmes krimesh monstruoze. Prej vitesh fotot e kriminelëve më të rrezikshëm kanë “pushtuar” vendin qendror në faqet e para të gazetave dhe kryet e vendit në kronikat e para të programeve informative dhe të mjaft programeve të tjera në televizione dhe në mediat e shumta, që emetojnë valët e tyre në hapësirën shqiptare. Një media, që shungullon nga trumbetat e rënda të krimeve të shumëllojshme deri tek ato më të rënda, vështirë se mund të evidentojë vibrimet e lehta të artikulimeve shkencore e artistike. Ndoshta është më mirë të jesh anonim se fqinj me kriminelë të përbindshëm në faqet e një gazete ose në një emision televiziv ose radiofonik. Emri im është i lidhur me librat e mi dhe do të mbijetojë aq sa shoqëria do të ketë nevojë për ta në një formë ose në një tjetër. Çdo përpjekje, për të dalë nga kjo skemë me funksionim të heshtur, më duket e tepërt, një ambicie dritëshkurtër e jetëshkurtër.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi