Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË

Shko poshtë

Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË Empty Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË

Mesazh nga Agim Gashi Mon Oct 12, 2009 11:15 pm

DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË


Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË U1u1dibrani1

Sevdije Rexhepi “SIMFONI E HESHTUR”, poezi, botoi “URA”, Gjilan 2003, faqe 64.



Shkruan: Shefqet DIBRANI


Poezia e Sevdije Rexhepit ngjallë emocione lirike të cilat sikur pa dashje rikujtojnë zymtësinë e një vjeshte e cila pa mëshirë i ka zhveshur pemët nga frutat e tyre, kurse gjethet era e ftohtë ua ka përplasur ndanë rrugës... Poezia e Sevdije Rexhepit është një tip i poezisë lirike, por që ka edhe imazhe të theksuara metaforike, duke e bërë poezinë dhe autoren më të ndjeshme, më përjetuese dhe më melankolike: “Ditë vjeshte.../ Bie shi i ftohtë ngadalë/ ..../ Diçka të qetë s’më lë?.../ Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,/ Pse nuk fle?!”, (faqe 5).

Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË 2sevdijerexhepisimfonie

Sevdije Rexhepi i takon brezit më fatkeq të krijueseve dhe krijuesve letrarë që ka pasur Kosova, ngase ajo ka bërë një rini të pa rini. Tërë shkollimin e saj e ka kryer nënë rrethanat e aparteidit klasik që ishte mbërthyer Kosova. Ajo nuk ka pasur rastin as t’i shijoj dhe as t’i përjetoj aktivitetet dhe angazhimet kulturore që i ka kudo rinia studentore, as kurrë nuk ka pasur rastin të bëjë një bujtje në konviktin dhe as të hajë një shujtë të ngrohtë në mensën e studentëve. Por: “Në këtë ditë të pakohë/ Në pikën e njëjtë qëndroj/ Mbi valët e momentit mundohem të fluturoj/ Bashkë me kohën që nuk pret”, (faqe 10).

Ajo, e mbrusur me idealin për të ardhmen e saj, sikur nxitoi t’i ikte jetës studentore, që për brezin e saj ishte më shumë se torturë, të paktën nga bastisjet e policisë serbe nëpër të të ashtuquajturat “shkolla – shtëpi”. Gjatë gjithë shkollimit të saj, privilegjet që i kishin kudo studentet nëpër universitetet botërore, shqiptarëve u ishin mohuar krejtësisht, dhe krejt natyrshëm vargjet që poetizohen si sinonim i erërave të ftohta, të vjeshtës a dimrit, shirat që binin pa pra, e pa reshtur, personifikojnë personalitetin e studentes kosovare në ato rrethana kur Sevdija u shkollua. “Kjo erë e ftohtë dimri/ Shprish pa mëshirë flokët e mia/ E më mbyll sytë si për inat/ Me pluhurin e qytetit tim,/ .../ A thua, cili do ta triumfojë dëshpërimin?/ .../ Në heshtje lexojnë vuajtjet e njëri-tjetrit,/ .../ Për një ditë të ngrohtë, pa erë.”, (faqe 6).

E vetëdijshme për gjendjen që mbretëronte në atë kohë, ajo me sukses i sfidoi vështirësit e kohës për të marrë më vonë epitetin e një intelektualeje e cila me vetëdije ka regjistruar kohën e saj të rinisë e të studimeve nën një pushtim, siç thamë klasik dhe tejet primitiv. Poetja ka vazhduar rrugëtimin e saj “Nëpër shtigjet e panjohura/ Që kurrë më parë shkelur si ka(m)/ Por erdhi stuhia/ E mori gjithçka me vete...”, (faqe 13). Pikërisht ishte kjo vetëdije krijuese, si indikacione që më rikthyen për të rikujtuar (edhe një herë) atë kohë të trishtët, që mos ia pafsha askujt, pa le femrës e studentes kosovare, veçmas një intelektualeje që tashmë është edhe poete, siç e kemi rastin me Sevdije Rexhepin dhe lirikat e saj: “Ky shi që bie e nuk ndalet dot/ gëlltit pa mëshirë orët e kësaj dite/ dhe e mbështjell me monotoninë e saj...”, (faqe 15). Ndërsa beftësia e këtyre lirikave, dhe sidomos tendenca e përhershme për t’iu dhënë një sharm lirik, sa të dëshirueshëm po aq edhe të pranueshëm, japin një nuancim personifikues, poetik e letrar, duke e bërë këtë poezi edhe më të pranueshme.



PIKAT E SHIUT



Sa shumë pika

Në dritaren time

Nuk mund t’i numëroj

Dhe as që mundohem fare

Bien shumë ngadalë

Dhe qetë-qetë rrëshqasin

Deri në pakufi

Ngase fundin e këtij udhëtimi nuk e di,

Sodis me kureshtje

Humbëm në thellësinë e imagjinatës sime

Papritur ylberi shfaqet

Dhe në dritaren time troket



Faqe 18.



Dhe, tani pas kaq e kaq vitesh, mund të mendojmë se autorja: nëse jo qëllimisht, biles në mënyrë spontane i paska regjistruar ato fenomene të cilat kanë lënë gjurmë në vetdijen e saj krijuese. Kjo poete dhe brezi i saj, jo vetëm që përballuan një apartaid klasik, por pritën e përcollën luftra të ashpëra, pikërisht atëherë kur ishin në një lloj embrioni krijues “sepse sa herë që bën(j) hapin e parë/ takuan(oj) edhe udhëkryqet e saj”, (faqe 27),kurse jeta me të papriturat e saj vinte pengesat e saj si një “erë e ftohtë fryn/ ditë e marrë marsi/ më mërdhin zemrën/ ngase nuk e di...”, (faqe 19).

Mbarimi i luftës do ta gjenë Sevdijen dhe brezin e saj, dik pa shtëpi e katandi, të tjerë pa të afërmit e të dashurit, e përgjithësisht Kosovën pa institucione të konsoliduara shtetërore e kulturore, dhe pa ndonjë vizion e ardhmëri të qartë. Sado që Kosova tashmë e kishte fituar (bile?!) lirinë e të shprehurit, ky vend edhe sot e kësaj dite mbetet pa një brezë që mund të mendohet si elitë e re krijuese.


PSE SOT... KËSHTU?

Ndoshta pse diell nuk jam

E të lëshojë rrezet

Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi

Të shpërndaj freski

Apo pse jam dikush tjetër

Se gjithçka që ndiej vë në letër

Apo pse jam shumë e marrë

Që pëlqeva në shikim të parë

Ndoshta pse i besoj çdo fjalë që shkruan miku

Që rrjedhin nga brendësia apo kotësia

Nuk e di

Por e di se sot ndihem si fëmijë.



Faqe 23.



Jo vetëm rasti i Kosovës, por i të gjitha vendeve që kanë kaluar tranzicionin politik me kaq dhembje, kanë mbetur pa një brez, pasi siç thotë maksima filozofike “revolucionet i hajnë bijtë e vet”, por në atdheun tonë kemi mungesën e disa brezave krijuesish për shkak të rrethanave që i përjetoi ky vend dhe ky popull. Kurse Kosovës edhe sot e kësaj dite i mungon një brez elitë që do ta përfaqsonte me dinjitet krijimtarin letrare të dekadës së fundit të shekullit të kaluar dhe këtë dekadën e parë të këtij shekulli që sapo kemi hyrë. Megjithë rrethanat e kohës, Sevdije Rexhepi arriti të konsolidohet dhe të formsohet si poete, duke u paraqitur me përlmbledhjen e saj të parë poetike “Simfoni e heshtur”.


SIMFONI E HESHTUR

Ditë vjeshte...

Bie shi i ftohtë ngadalë

Nuk dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm

Të shndërruar në melodi që përsëritet

Me nota nostalgjike

Deri në mbarimin e kësaj simfonie

Mendoj,

Kujtoj,

Dhe pyes mendjen:

Pse diçka të qetë s’më lë?...

Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,

Pse nuk fle?!
Faqe 5.

Përmes metaforës së “simfonisë” ajo mëton të imponohet si një poete që nuk rri në heshtje sado që në pjesen e dytë të titullit sinonim ka heshtjen. Përmes kësaj heshtje poetja ka mëtuar të sjell mesazhin e të gjithave rrapëllimave të ditës të cilat me tërë ato kufizimet e shumta, sikur tregojnë se ajo ka pasur një mungesë jete. Por, duke sfiduar tragjiken kolektive dhe atë individuale, ajo ka sëndertuar konceptin e veprës që marret me fenomene dhe devijime që e dëmtojnë një shoqëri të tëre: “Dhe më përkujtojnë rrugën e nisur nga Ti/ Me fjalë falso...”, (faqe 32), “Topi ishte në anën tënde/ Më propozove të luaj/ Edhe pse rregullat e lojës/ Nuk i dija/ Kur fillova të mësohem/ Të luaj më mirë/ Godite aq fort/ Sa...”, (faqe 35),diku tjetër poetja shprehet edhe më me zemërim si ta zëmë në vargjet që po citojmë: “Ti ndoshta i ke dhënë zemër dikujt tjetër/ E këta rreshta do të gjejnë ngushëllimin/ Ku tjetër, pos në letër!...”, (faqe 48).Duke e kundruar fenomenin e lënies, braktisjes e të fjalës peng për pritje të gjata, poetja me mjaftë mllef e pëlcet durimin: “Zëri yt më vjen nga larg/ Si një ushtimë.../ Ç’thua ti?/ Të pres dashurinë tënde/ O të nis kërkim të ri?!”, (faqe 53).

Poezia e Sevdije Rexhepit imponohet me një qasje reale, ofron mesazhe aktuele me prirje sforcuese edhe në aspektin kualitativ. Pa dyshim poeza e Sevdijes është produkt i rrethaneve që kaloi kombi ynë, është vet shtrati i këtyre venerimeve letrare, ku ka bërë përpjekje për të regjistruar fenomenet dhe ngjarjet që kanë ndodhur rreth dhe në unin e saj. “Shtegtimi është aq i ngadalshëm/ Nëpër valët e jetës/ .../ Nga ndrojtja nuk zbehem/.../ nëpër gjurmët e mia të arrish/ Në pikëqëndrimin ku unë pres...!”, (faqe 54).

Pavarësisht nga ajo që thuhet se poezia është intime, poezia e Sevdijes sikur kalon këtë eviniment pasi ajo ka thënë edhe të përgjithshmen e atyre, përkatësisht ka përshkruar me sinqeritet realitetin shoqëror e politik, dhe atë historik që kaloi kombi ynë, për t’u bërë si një “flluskë bore që pret lindjen e një të nesërmeje të re”.

Më shumë se sa një poezi estetike, kjo poete ka bërë përpjekje që lexuesit të saj t’i sjell një poezi etike e cila me indikacione të theksuara merret edhe me fenomenet që kenë qitur krye viteve të fundit. Sidomos në Kosovën e pas luftës ku atë vend të çliruar nga një pushtues i egër klasik, e kanë pushtuar kulturat e gjithë universit tokësore, dhe kjo ka ndodhur në kuadër të misionit për të ruajtur paqen politike.

Natyrisht, Sevdija është e vetëdijshme për misionin që ka; qoftë si poete, qoftë si intelektuale, po më shumë si një femër e emancipuar. Vetëdija si një nocion etik e lidh më shumë autorën me fatin tragjik dhe historik që kaloi kombi ynë. Pastaj angazhimet e saj letrare lidhen edhe me lëvizjet e shumta soc-kulturore dhe me pasojat e rrëmujes e rrëmetit që kalojnë të gjitha shoqërit në konsolidim politik, shoqëror e kulturor. Por, poezitë që ua kushton: gjyshit-babokit, nënës dhe babait dëshmojnë për një etikë kulturore e letrare karshi etërve që na sollën deri në të tashmen tonë të gëzuar.

Shikuar nga ky prizëm mund të themi se poezia e Sevdijes është zë i lidhur me lëvizjet që kalon koliktiviteti i vet nacional dhe ai kombëtar, tamam siç potencuam më parë, poezia e saj është e lidhur ngusht me fatin dhe tragjikën historike dhe atë sociale të kombit tonë. Duke lexuar poezinë e Sevdijes, vërejmë se ajo si autore thellë e ka kuptuar procesin e sëndertimit të koncepteve, dhe lehtë e ka pranuar jetën si një proces në përpunim e sipër, kurse shoqërin e përdor si një argument për t’i pasqyruar ndryshimet etike e psikike që po i bënë kombi ynë.

Fryma lirike e kësaj poezie, sikur paraqet dramen reale të femrës në shoqëri e cila për ditë e më shumë përballet me nënçmimin, përbuzjen dhe injorimin dhe këto fenomene ajo më shumë i ka ndrydhur e shtrydhur si ndjenja personale të cilat vazhdimisht shoqërohen me pika të ftohta uji, shiu, a erëra të ftohta vjeshte e dimri, fate këto që nuk e lënë atë të dalldiset si një poete pa koncept, madje duket se këto rrethana atë më shumë e kanë detyruar të preokupohet me të qenit pjesë e shoqërisë në ndryshim në njëren anë, dhe në anën tjetër për t’i dhënë koncept real jetës dhe poezsisë së saj.


AM KËTU

Nëpër agimet e para

Kur rrezet ballin tim lëmonin

E më zgjonin

Eca ngadalë nëpër vite

Dhe thura vargje

Të mbështjella me ëndrrat e mia



Kur qielli ishte i ngrysur

Retë pa mëshirë luftonin

E sillnin shiun rrebesh

Pas këtij rrugëtimi me shtrëngata

Bashkudhëtare me ylberin u bëra

Ia fala ngjyrat e arta

Dhe ngrohtësinë e diellit...



Sot sërish jam këtu

Në këtë Tokë

Me Ty...

Faqe 60.



Vëllimi poetik “Simfoni e heshtur” i Sevdije Rexhepit jep indikacione të mjaftueshme për të kuptuar se autorja ka sens poetik, ka ideshmëri dhe ka stil për të prekur fenomene a dukuri interesante. Dhe padyshim me një kujdes paksa më të shtuar në aspektin estetik dhe figurativ, ajo mund të ndertoj një varg edhe më të qëndrueshëm, dhe karshi kësaj mund të profilizoj stilin e saj krijues, për t’u bërë pastaj një poete e kërkuar dhe admiruar.


St. Gallen/Zvicër, tetor 2009.



Speciale në kulturë nga Shefqet Dibrani:DASHURIA LIND BASHKË ME POEZINË 4sevdijerexhepi

SHËNIME PËR AUTOREN:

Sevdije Rexhepi (22 shkurt 1972), është lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1996. Për dy vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services (si përkthyes dhe këshilltare për pune administrative dhe personel), në kampin amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes. Kurse nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, por tashmë në Irak me kompaninë amerikane (KBR).

Sevdije Rexhepi, përveç poezisë, shkruan edhe prozë dhe merret edhe me gazetari kryesisht shkruan reportazhe dhe udhëpërshkrime. Ka bashkëpunuar me shumicën e shtypit shqiptar që botohet në Kosovë dhe mërgim.

Kjo poete, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht.

Si natyrë; Sevdije Rexhepi është një poete sensitive, e ndjeshme ndaj dukurive jetësore, mbron me dashuri jetën e të tjerëve, adhuron lirinë njerëzore dhe përherë poezinë e saj e përcjell një mesazh kuptimplotë përplot melankoli e vlera letrare.



Është prezantuar në këto antologji:

1. “Mozaik të një portreti”,Tirane, 2004.



  • “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
  • “Nënës”, Tirane 2007.




Veprat letrare:

1.Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.

2. “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.

3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.



Sevdije Rexhepi, jeton në Gjilan, kurse momentalisht punon në Kopshtin e Edenit, në Irakun Qendror.

E. Mail: sevdije_r@yahoo.com
(Sh. Dibrani)



Cikël me poezi:



SEVDIJE REXHEPI

Nga libri: “SIMFONI E HESHTUR”, botoi “URA”, Gjilan 2003.


SIMFONI E HESHTUR




Ditë vjeshte...

Bie shi i ftohtë ngadalë

Nuk dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm

Të shndërruar në melodi që përsëritet

Me nota nostalgjike

Deri në mbarimin e kësaj simfonie

Mendoj,

Kujtoj,

Dhe pyes mendjen:

Pse diçka të qetë s’më lë?...

Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,

Pse nuk fle?!





TË LODHUR NGA PRITJA





Kjo erë e ftohtë dimri

Shprish pa mëshirë flokët e mia

E më mbyll sytë si për inat

Me pluhurin e qytetit tim,

Por edhe me një sy shoh

Turmë njerëzish me fytyra enigmatike

Të lodhur nga pritja

Se ndoshta orët e kësaj dite do t’i shesin

Dhe do të blejnë pak shpresë,

Vrapojnë pas atij

Që ka grushtin plot

Dhe ndalen,

Presin...

A thua, cili do ta triumfojë dëshpërimin?

Zbrapsen zemërthyer

Në heshtje lexojnë vuajtjet e njëri-tjetrit,

E ditët ecin me hapa të rëndë

Si duket edhe nesër do të shfaqet falas

Ky film i shkurtër metrik

Me personazhe të tjerë, njëjtë të uritur

Për një ditë të ngrohtë, pa erë.


ME MALL


(Gjyshit-Babokit)

Kujtoj me mall

Një lis plak që kurrë nuk u tund

As pas stuhive të përgjakura

Me degët që nëpër stinë lulëzuan

I fortë qëndroi ndër vite

Me vullnetin e jetës

Nga ky trung i rrahur çdoherë

Lindën fidanët e reja

Ripërtërinë shpresat e brezave,

Por habitem me kohën

Dhe me shtigjet që ai kaloi

E kurrë s’u lodh

Por nguli rrënjët në ne

Dhe në ata që këtupari kaluan

E ia patën zili

Por e deshën se aromë u fali

Sa herë lëshuan sytë tek ai.





MOMENTI...



Në këtë ditë të pakohë

Në pikën e njëjtë qëndroj

Mbi valët e momentit mundohem të fluturoj

Bashkë me kohën që nuk pret

Dhe me tingujt e ndezur të një kënge

Që vargjet nuk i di

Por melodia e saj më përkund ngadalë

E më ngjallë një ndjenjë të pastër fëmije

Që mundohet

Të ecë...

Të flasë...

Dhe ushqehem

Me fjalët që rrjedhin

Nga fundi i një fillimi të pafund!


PRES

Pres,

Çfarëdo thirrje...

Thirrje të parëndësishme

Me fjalë boshe e pa kuptim

Për çdo ditë

Dhe kot të pres ty

Të dëgjoj zërin

E pastaj të lind ylberi

Në qiellin e syve të mi

Me fjalë të ëmbla:

-Mirëmëngjesi e dashur!





STUHIA


Fluturoj si një pulëbardhë

Mbi oqeanin e mendimeve të mia

Të gjej ishullin

Pastaj të ndalem

Të pushoj

Dhe të vazhdoj prapë rrugëtimin tim

Nëpër shtigjet e panjohura

Që kurrë më parë shkelur s’i kam

Por erdhi stuhia

E mori gjithçka me vete

Furishëm më rrëmbeu,

Trupin tim rrahu

Më humbi

Më largoi nga kaltërsia

Por prapë

Në një moment tjetër

Do të kthehem bashkë me diellin!


TRIO


Veshët më ushtojnë

Nga qetësia e kësaj nate

Vetëm tik-takun e orës përcjell

Se gjithçka tjetër ka rënë në gjumë

Jemi vetëm, Unë dhe Terri

Që bisedojmë nën dritën e Qiriut!


SHOKU IM BESNIK


Ky shi që bie e nuk ndalet dot

Gëlltit pa mëshirë orët e kësaj dite

Dhe e mbështjell me monotoninë e saj

E nuk e kthen më,

Por unë pres mbrëmjen

Që të gjej shtratin tim

Trupin dhe mendjen t’i pushoj

E me duart e ftohta

Të pushtoj jastëkun

Shokun tim besnik

Pastaj fort ta përqafoj, shtrëngoj

E të tretem në botën time

Dhe të fluturoj diku larg

Shpirtin tim ta shëtis

Ndoshta gjumi do të më vijë

Në sytë e mi të mërzitur...


PIKAT E SHIUT


Sa shumë pika

Në dritaren time

Nuk mund t’i numëroj

Dhe as që mundohem fare

Bien shumë ngadalë

Dhe qetë-qetë rrëshqasin

Deri në pakufi

Ngase fundin e këtij udhëtimi nuk e di,

Sodis me kureshtje

Humbëm në thellësinë e imagjinatës sime

Papritur ylberi shfaqet

Dhe në dritaren time troket


GJUHA E ZEMRËS


Erë e ftohtë fryn

Ditë e marrë marsi

Më mërdhin zemrën

Ngase nuk e di ku je

Të të kërkoj

Dhe të them

Se i takon një ëndrre të mirë

Edhe pse zemra çdoherë flet një gjuhë

Pa dallim,

Se kur shikimet ndeshen

Sytë flasin bashkë me zemrën.


YLBERI I JETËS

Shikoj nga brenda

Shiun e furishëm

Që bie pareshtur

Në tokën e etur

Dhe më shpie në nostalgji

Për një ylber

Me ngjyrat e jetës


PSE SOT... KËSHTU?

Ndoshta pse diell nuk jam

E të lëshojë rrezet

Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi

Të shpërndaj freski

Apo pse jam dikush tjetër

Se gjithçka që ndiej vë në letër

Apo pse jam shumë e marrë

Që pëlqeva në shikim të parë

Ndoshta pse i besoj çdo fjalë që shkruan miku

Që rrjedhin nga brendësia apo kotësia

Nuk e di

Por e di se sot ndihem si fëmijë.

VALËT E LUMTURISË

Mundohem të shëtis lirshëm

Në hapësirën ku imagjinata jeton

Sepse sa herë që bëj hapin e parë

Takoj edhe udhëkryqet e saj

Pastaj merr frymë thellë

Dhe forcë gjithashtu

Kthehem nga fillimi

Ngase rrugën nuk e di

Zotohem që prapë të vazhdoj

Derisa përballë të jem

Me valët e lumturisë

Që të më përkundin ngadalë

Si nëna fëmijën e saj

Pastaj dielli do të shfaqet

E do të ngrohë me rrezet e arta.


MBUROJË SHPIRTI

Sa bukur do të ndihesha

Po të isha gjethe në degë

E degët përreth do të ishin miq

E trungu zemra e miqësisë

Dhe era do të më përkundte për çdo natë

E shiu do të më rrihte nganjëherë

Do të isha mesi i botës

Ku lumturia mbretëron

Me këngën e zogjve

Do të kënaqesha me pipthat në pranverë

E në verë me lulet

Në vjeshtë shoqet do të iknin bashkë

Por dimri i ftohtë

Me mua, me ty!

PA TITULL

Më këshillove njëherë

Jo moti, miku im

Të mos kërkoj ylberin vetëm me sy

Pranova dhe ndryshova...

Nisa të kërkoj me fjalë e zemër

Përgjigja jote sillej vërdallë

Bashkë me erën

I ngjante natës pa yje

E errët

E shkretë...


LOJTARI

Topi ishte në anën tënde

Më propozove të luaj

Edhe pse rregullat e lojës

Nuk i dija

Kur fillova të mësohem

Të luaj më mirë

Godite aq fort

Sa lojën e mallkova...

MIQTË

Thuhet:

Ndjenja më e ëmbël është

Të kesh miq të sinqertë

E fortë është kjo ndjenjë

Si një themel shtëpie

Apo si dashuria

Për shpirtrat e vegjël



Të lumtur dhe plotë jetë

Ndihen mes veti

Miqtë e vërtetë

Të vërtetë si vetvetja

NËNA

Një fjalë pa halë

E ëmbël si mjalti

E çmuar si diamanti

E dashur si fëmija

E freskët si puhia

E hareshme si dita

E ndritur si drita

E gjallë si lumenjtë

A thua

Ka fjalë më të shtrenjtë?

ME SHIUN

Dua të jem shoqe me shiun

Të fillojmë rrugën së bashku me retë

Dhe të shpejtojmë teposhtë

Deri në pikën ku etja pret

Pastaj dhe të më përpijë

E të udhëtoj drejt lumenjve të gjatë

Deri në pafundësinë e deteve

Dhe prapë nga e para

Jetën të nis.


MALLI

Nuk të shoh me ditë të tëra

As zërin s’mund ta dëgjoj

Të më shërojë shpirtin

Që pyet për ty.

Nuk e di si gjete rrugën

Deri në thellësinë e zemrës sime.

Tash si t’i mbys ditët që nuk kalojnë

Deri në përqafimin e ri...?


TË VAZHDOJ...?

Bie shi tërë natën

Si lotët nga shpirti im i vrarë

Mendoj në ty

Dua të të shoh...

Nuk e di a më do?



Zëri yt më vjen nga larg

Si një ushtimë...

Ç’thua ti?

Të pres dashurinë tënde

O të nis kërkim të ri?!


PIKËQËNDRIMI

Mundohem të numëroj flluskat e borës

Nuk arrij dot

Tretem shpejt

Sikur ditë që ikin

Dhe falin lindjen e një të nesërmeje të re

Nuk e di

Pse shtegtimi është aq i ngadalshëm

Nëpër valët e jetës

Jo!

Nga ndrojtja nuk zbehem/

Vetëm dua

Nëpër gjurmët e mia të arrish

Në pikëqëndrimin ku unë pres...!


NATË ME YJE

Në barin e njomë të kësaj stine

Të shtrirë jemi të dy

Ti lehtë më shprish flokun

Më përqafon dhe më puth ballin

E unë ndiej aromën tënde

Të quajtur dashuri



Ashtu të qetë qëndrojmë

Jemi mysafirë të kësaj nate me yje



Sonte

Fjalët hedhin valle në vargje

Dhe treten në qiellin e pafund

Në heshtje

Sytë e tu dhe sytë e mi flasin

Luten të vazhdojë ëndrra!


TI MË FALE STINËN

(Babait)
Me lulet e para të pranverës

Dhe rrezet e ngrohta të diellit

Ti më fale stinën dhe krahët

Bashkë me zogjtë tjerë

Përballuam sfidat

Fluturuam tej horizonteve



Nga ti mësova këngën

Këngë që nuk i ngjan vajit



Erërat e dimrave me acar

Na rrahën nëpër mote

Sa herë u rrëzuam

Ti na dhe dorën të ngritemi

Si engjëll na shoqërove nëpër shtigje



Në piedestal kur erdhëm

Diçka ndriste

Zgjova yllin që më priste

Dhe mora dritën prej tij...


JAM KËTU


Nëpër agimet e para

Kur rrezet ballin tim lëmonin

E më zgjonin

Eca ngadalë nëpër vite

Dhe thura vargje

Të mbështjella me ëndrrat e mia



Kur qielli ishte i ngrysur

Retë pa mëshirë luftonin

E sillnin shiun rrebesh

Pas këtij rrugëtimi me shtrëngata

Bashkudhëtare me ylberin u bëra

Ia fala ngjyrat e arta

Dhe ngrohtësinë e diellit...



Sot sërish jam këtu

Në këtë Tokë

Me Ty...





Zgjodhi dhe përgatit:Sh. Dibrani
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi