Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili

Shko poshtë

Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili Empty Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili

Mesazh nga Agim Gashi Tue Oct 13, 2009 1:13 am

Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili


Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili U1lumniethacihalili1



Lumnie Thaçi-Halili u lind në Retijë të Anëdrinisë.


Fakultetin e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe e mbaroi në Universitetin e Prishtinës.


Bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista letrare që dalin në gjuhën shqipe.


Është redaktore gjuhësore e dhjetëra librave të botuara në Kosovë e më gjerë.


Është fituese e disa çmimeve letrare.


Menaxhon Shtëpinë Botuese “URA”, Prishtinë.


Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.


Jeton dhe vepron në Prishtinë.





Botoi:


Madhështi mitike, poezi, “Ura”, Prishtinë, 2005


Anadrini, poezi, “Ura”, Prishtinë, 2006


Mesudha, poezi, “Ura”, Prishtinë, 2007


TEJJETËSI
Ngrin globi i vogëlth
Sipërthi
Bie borë fosforeshente
Përshumohen ortekët,
Gjysmëhemisfera
Kthehet në pjerrinë,
Tejshëm…
Zhvdekësohen
Të vdekurit
në këtë savanë.
Vjen nga e shkuar e largët
Oshëtimë a zë:
-Djema ngrituni
Të gjithë këtu,
Pas meje, djema
Hiqni qefinin
Vishni nga mesjeta
Tirqit e bardhë!


NATA RA NË KURTH


Prisja…


Një aromë luleje


Dhuratë


Bashkë


Me trokitje zemre


T’ma sjellësh


Këtë natë.



Ç’ u bë me to


Nuk e di?!


Asnjëherë


Nuk erdhën


Në adresën time


Nr.120


Rrugë e Prishtinës!


Ka kohë


Që e mbolla


Me freskinë


E Drinit të Bardhë


E rrita.








(ANTI)KOHA








Ditën e plaka


Kohën


Nuk e varrosa


Kund!





Kërkoj


Një varr-humnerë,


Ta lëshoj


Thellë e më thellë!





Ajo kërkon


Një altar,


Mbi të


Të ndërtojmë


Katedrale madhështore!








QIELL I PAFJETUR








Pasmesnata


Orën e ndali


Në 3 e 15min.





Fëmijët buzëqeshin,


Kushedi


Me ç’flutura


vallëzojnë


valsin?!





Ty, sapo


Të zuri gjumi


I rrejshëm.


Ta shihja


Fytyrën


Hënë e plotë,


T’u luta,


Njërin sy të zi


Sonte lëre hapur.


Jam e ngrysur,


Le t’më bëhet dritë.





E si mund të flinim?!


Nipin e Don Kishotit


S’po mund ta gjenim!





Garonim


Se cili më lart lëviz


Në lavjerrësin e kohës?!





Duke fluturuar


Pas kalikuses


Kishim harruar moshën


E ditët i bëmë


Vetëm ëndërr me ëndrra!


Në një skenë përrallore


Bëmë një Arë të mirë.





Në përrallë


Teksa rrinim,


Vdekja duke folur shqip


Ngërtheshëm


Cektësinë trilloi.





Parreshtur pyes


Në ç’teatër antik


A modern,


Predikohen më mirë


Ditënetët për poetët?





Loja u humb


Kur nata ka harruar të vijë.


Heshtja mërmërin


Me buzët e hapura


Sonte ia dalloj


Dhëmbët e bardhë.





Natës


errësirën


ia zhvesha,


si dhëndërr i kujdesshëm


Ndriçimin mëngjesor


Supeve të bukura


ia vesha.





Telefoni nuk cingëron,


Receptori


Ia kish mbyllur


Sytë zërit.





Në dritaren e SMS


E-mailat


Kishin humbur rrugën,


Si robërit e luftës;


Sheshit nuk vinin.





Celulari


Rrinte si fëmija


Që s’guxon të flasë


Në lojën kukafshehtas


Kur luan.


Në një xhep i fshehur.





Sa mirë,


Bota është tek unë,


Për fat


Ajo nuk e di


Jemi dy të huaja


Që jetojmë


Në të njëjtën adresë.


Marroçja shpesh harron,


Se në një çerdhe të ngrohtë


Lehtë pipëtij





Sa e gëzuar jam,


Të paktën,


Që sonte më privoi


Nga sytë e këqij!











Si një ushtar besnik


Pikëllimit,


Iu bë shtegu


Të ikte,


Asgjë të mos linte.





Poetesha dhe nata


Bashkë gdhiheshin,


Rrinin të patrazuara.





Fotozhenia e errësirës


Me fytyrën alabastër,


Çonte njërën vetull


Ma bënte me sy,


Mundohej të hiqte


Natën mbi mua!









LARJELOTËSH











Njelmësia e lotit


Kriposi një të tretën e globit.





Bota ishte e vogël


Në sytë e Klitemnestrës


Megjithatë…


Ajo kënaqej


I mjaftonte Ifigjenia


Dhe Mikena!


Çmenduritë e Agamemnonit,


Gënjeshtra e Odiseut


Për Ifigjeninë,


As në erërat e mia


Nuk shërbyen si shfajësim!





Lotët që s’i zuri Aulida,


U zbrazën në sytë e Ajkunës


Në Jutbinë,


Nuk vononin shumë


T’ia lanin plagët tokës


Kur lumenjtë thaheshin.


Shtohej dozë e valëve të Drinit


Nga lotët e Nënë Ajshes


Në Dubovik





Lotët e nënë Hyrës


Për Tolin…


Bota u bë epruvetë e mbushur


Ujëvarat e Mirushës


Shpërthyen në sytë


E Nënave të Anëdrinisë.





Peshohet lehtë universi


Në sytë e pastër


Të nënës,


Të gruas,


Të motrës.


E mban


Në shuplakë të dorës


Botën e madhe,


Botën e vogël.





U deshën edhe fjalë,


Kësaj here, jo për mall,


Po për të zbrazur


Dufin e hidhur me mal:


-Vogëlsia jote


Moj botë,


Një pikë uji


Në sytë e nënës,


Si i zuri gjithë këto


Tragjedi të mëdha?!










IPSO FACTO











Për dritësy


Merr pak diell nga Luciferri.





Për këngë


Merr pak vaj fëmije.





Për erëmim të mirë,


Nuhat erë foshnjeje të sapolindur.





Për dhimbje,


Dëgjo tik-taket e zemrës së një nëne.





Për mall dashurie,


Shihu në lotët-kristal të Ofelisë.





E pastaj....


Ç’të bëj, kur


Toka të lodhet nga kërkesat tona?


Pastaj, qiellin bëj


Shtrat të saj!







Akti i jetëvdekjes




Në pamundësi


T’i ndryshoja gjërat


Që na rrethonin;


T’i ndryshoja rrethanat


Që jetonim!


Ndryshoja vetveten,


Padashur egërsohesha,


Pa duar kacafytesha,


Pa zë ulërija,


Në të njëjtën kohë


Qajaqeshja!





Me duar nga qielli


lutesha...


Lutesha, jo të shpëtoja vetveten:


Lutesha të pushonte


Çmenduria mortore


Që gjymtonte gjymtyrët e mia


të copëluara.


Në Laokontin ngjanin


Dhimbjet ...


E çrrënjosur


Zvarritesha duke u pakësuar


Nga rrugëtimi i braktisjes,


Brenda aktit të jetëvdekjes!




Krijuesi i lirisë






Pashtriku, plis mbi kokën e Drinit,


T’u bë fron jete


Në një majë bote,


Kur u nise vëlla,


Me tri shkronja, uratë e artë,


Në cepkrahëror


E në strehëzën mbi ballë!





Kësaj here dole për gjah,


Gjahtar dhelprash,


Tok me shokë


T’ua këputësh bishtin e gjatë.


Atdheut i dhatë


Më shumë se dorë e krahë...


Pa iluzione


Besuat veç në zgjimin.


Ndryshuat rrethanat,


Madhështore na e bëtë historinë!


I ratë gjerë e gjatë,


Pa pikë e presë


Idiomës Shqipëri.





Sulmet shigjeta,


Për ty ishin pika shilarëse


Që binin mbi Drinin


Se nga majë e fronit


Ti ishe krijuesi i lirisë!




Stalaktit i njomë





1.


Gëzimin e hidhërimin


S’mund t’i përpij,


T’i fsheh,


Më mbesin në fyt.


Shihem si në pasqyrë,


I shfaq me gurrë lotësh;


Burime të pashterura


Në bebëza sysh.


Dëshirë kam e pata


Të jetoj shpirt fëmije.





Tejbartet,


lexohet,


preket,


ndjehet


Therja e dhimbshme


E kësaj gjinie;


Akoma e patharë


Në cepin e shamisë së kuqe


Të gjyshes sime


E në lulesat e mbira


Të përparëses së nënës.





2.


U rimbollën në zemër...


Kështu të njoma, të freskëta


I përcolla në kurorë-zambakësh


Mbi varre për djemtë e parritur.


Fjongo karafilash të kuq


Mbi varre burrash të një fisi.


Luleloti i ngurtësuar në sy


Gjithëtragjedia ...


Mbi varre fëmijësh të Jasharajve


Do t’më mbetet stalaktit i patharë.




Maratonë e marrë





1.


Nadja e hershme


Mëngjesin kishte lëpirë,


Si Marathonomaku,


Rendja të mbërrij.


Dihatja duke u penguar


Rrugës së gjatë...


Ndoshta mund t’më merrnin


Edhe për të marrë,


Ndjeja dashuri dhe mall,


Dy vjet pa u parë!





Brenda gjoksit tënd,


Fëmijëria ime jeton,


Gjurmët e hapave


Dhe belbëzimet e para,


Kurdoherë i dëgjoj,


Sa herë vij këtu.




2.


Largësinë e frikshme


Krijova për ty...


Edhe tani


Kur ec udhës së shkurtër,


të përbaltur,


Nuk shoh vrima takash të holla


si dikur.


Si hije takoj ...


Fytyra të zbehta grash,


Të reja,


të veja


Me vel-nur,


Të parrëfyer...





Pak njerëz,


Më shumë dhimbje.






3.


Erdha tek kulla ime


Për mua vatër e pafikur


Tjegullat e thyera të kulmit,


Rrafshuar për tokë ishin,


S’kishte gjurmë tjetër


Veç pragut të mbetur e gjakut!





Nuk flisja asnjë fjalë për be,


Shpirti hidhur buzëqeshte...


Përjetoja...


Në mënyrë të dhimbshme


Një dramë tragjike;


Personazhin në rolin e mosnjohjes


E luaja unë,


Në aksin e gjatë pikëllues


Brenda hierarkisë së kohës!.


Çmendurisht e pa zë


Desha të mallkoja,


Po nuk dija kë:


Fatin a urrejtjen?!






4.


Heshtja prej varri


E gjithkundshme


Më detyroi,


Të ulesha mes baltës këmbëkryq,





Befas, imazhi i gjyshit m’u shfaq


Si dikur ulur pranë oxhakut


Në odën e burrave,


Në dorë mbante briskun-kalem,


Tek gdhendte emra...


Emrat e atyre që mungonin


E lirisë i duhen.


Jo vetëm të gjallët,


Por edhe të vdekurit!


Ata që dot s’po ktheheshin


T’i kërkonim...


T’i kërkojmë...


Si Telemaku Odisenë!!!




Zog pa flatra






Ç’të duhet liria


Zog pa flatra,


Me pasaportë


E pa dëshirë


Për lejekalim;


Të dalësh nga kafazi


Të jetosh


Në gjumëthellin amshim


Kur në sarkofag-kanunesh


Të ballsamoset liria.





Akoma trokon


Marramendshëm e flatracunguar


Mosvdekja je,


Mërmërin nëpër gjysmëgjumë!






GROTESKË SHEKUJSH











Pashë një skenë shëmtaqe


Unë, ti e spektatorë rrugësh


Sa ishim të gjithë...


Jo në Dyrrah, as në Butrint!





Eca, kalova sa ora


Mata hapin me kokë e jo me zemër.


Kafshova buzët pa fjalë


Nuk heshta se më pëlqente heshtja


As nuk heshta nga paaftësia


Që të nxjerr zë në çast.





Pashë dhe heshta


E keqja


Vetëm të keqen sjell


Tragjikomikja e modernizuar


E bishtshekullit të shkuar


Në pragshekullin e çapitur


U bënë bashkë.







PROFETE E MIRË





(Për një grua në Krushë...)








1.


Të ecësh pa harruar asgjë...





Më dëgjo tek të flas


Si përherë lehtas e me mall


Nga dashuria të flas e këlthas





Të ecësh pa harruar...





Të kaluarën e pasigurive.


Të urdhëroj hapat i shpejto


Tash e tutje bëhu profete E MIRË,


T'i shmangesh jetës mos kërko.





2.


Fëmijët, t'i lashë shkëlqim


Që jetën ta ndriçojnë.


Udhëve të shkretuara në fshat


Të sjellin brohori.





Të m'i ruash fëmijët


Ata janë flamur i ushtrisë tokësore.


Krenarinë t'ua rritësh lart


Me ta bëje fshatin të gjallë


Zgjidh hallet :


Qani e këndoni bashkë.





Unë do të shikoj nga kupa kristalore


Dhembjen e mungesës


Do ta ndjejmë të dy


Edhe pa gjetjen e eshtrave të mi.





3.


Do të shpresosh,


Në çdo çast se do të vij,


Do të vazhdosh të jetosh duke ndihmuar


Do të durosh mal me mall e fjalë.


Qetësi në shpirt s'do të ndjesh kurrmë


Do të vuash aq shumë


Sa që nuk do të kesh fuqi


Për të vrarë asnjëherë


Trupin tënd të dërrmuar,


Grua!








Prizren, 2003










MADHËSHTI MITIKE











Përfytyrim i portretizuar


Në buzëqeshjen enigmatike të Monalizës


Më ndjek pas.





Afrohem ngadalë


Të të fshij faqen e mermertë


Mes çerpikësh drojtës


Të të kap lotin ujëvarë


Ta shuaj etjen përvëluese që kall.





Me shikimin që prek


Çdo fëmijë të saj


Trazon madhështinë e shpirtit


Tek ledhaton me dorën përkëdhelëse


Plagën e padukshme.







LOTOFAGË...











Natës ia ngulfata fytin


E shtrydha duke e shtrënguar;


Sytë zgurdull ia nxora


Derisa pikoi dritën


Ditën.


Ia vodha...


E mora si gëzofin në krah


Hej... , të bredh dikah...





Pastaj, harruam edhe nga jemi


U bëmë Lotofagë


Duke zbarkuar në porte


Fluturuese


Notuar në mole


Notuese


Me terrin e shpuar në sy


Ta vrasim verbërinë.





U lindëm e u rilindëm


Qamë shumë


Qeshëm rrallë


Pa dalluar terrëdritën.








LUTJE OGURMBARË











Rri pranë meje


E tillë siç je


Për të mos ndryshuar kurrë


E bukur e thjeshtë


Me madhështinë e të bukurës së dheut


Në këtë gërmajë të humnershme.


Fortafolëse e pathënëshme


Me magjinë e zërit


Në boshësinë e të gjallëve


Mes fjalësh pa vend e mend


Ti më je rreze shprese në jetë


Për të tejçuar ogur të mbarë.





Qëndro me mua


Të të prekë urtësinë e engjëllit në sup


Lehtësinë e fluturës në krah


Kur dua të fluturoj


Nëpër galaksi trup e tërthor.





Deri në fund të këtij ferri


Rri me mua


Për të bërë parajsën e premtuar


Mos ik, mos më vrit


Padorase që vret a tremb kurrkënd!








Prizren, 1999










FALEM PËR TY...











Frymoj për ty në jetë


E në përjetësi


Të ruaj ty dashuri


Si një thesar i fshehur thellë


Veç në mua.





Falem për ty:


Në Delf, Dodonë e Panteon…


Si një besimtare


Për tempullin e shenjtë!








Prizren, 1988
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi