Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Apostol Bitraku: Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë

Shko poshtë

Apostol Bitraku: Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë Empty Apostol Bitraku: Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 09, 2009 2:31 am




Apostol Bitraku: Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë U1_apostol-bitraku
Apostol Bitraku
Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë
Nga Apostol Bitraku
Sa herë shohim fotografinë e “Mësonjëtores së Parë Shqipe te Korcës” që u hap në vitin 1887, mendja na shkon tek autori i saj, tek fotografi që me aq emocion shkrepi aparatin fotografik, mbi njëqind e ca vjet më parë dhe na la ne sot një kujtim aq të cmuar dhe me vlerë.
Ajo është fotografi e vetme që kemi tani për atë qendër arsimore që luajti një rol aq të rëndësishëm për mësimin e gjuhës shqipe me të cilën krenohet jo vetëm Korca, po dhe mbarë vendi. Fotografi që realizoi atë fotografi ishte atdhetari Kristo Panajot Shuli ( Sulidhi ) një nga fotografët më të hershëm ose babai i fotografisë shqiptare siç e ka quajtur një studiues i kohëve tona. Themi atdhetar se veprimtaria e tij para dhe pasi bëri fotografinë, ishte e dukëshme në shërbim të vendit. Në fotografinë që është vendosur në brendësi të këtij shkrimi duket qartë,duke filluar nga e majta në të djathtë, kujdestari i shkollës, i mirënjohuri Kristo Vodica, pranë pusit, pastaj nxënësit dhe në të djathtë disa nga mësuesit e shkollës së asaj kohe.
Kristo Shuli lindi në vitin 1858 në fshatin Marjan të zonës së Oparit, rrethi i Korcës, në një familje me tradita atdhedashëse. Pas disa vitesh, kur Kristoja ishte ende i vogël, familja e tij u shpërgul nga fshati dhe u vendos me banim të përhershëm në Korcë. Pastaj ai u largua nga familja dhe shkoi në Greqi dhe në Francë ku u shkollua dhe mësoi edhe profesionin e fotografit. E kishte me pasion fotografinë dhe punonte shumë për të. Po kishte pasion edhe letërsinë dhe u mor për një kohë me vargëzimin.Vjershat e para, herë ja u lexonte shokëve dhe të afërmëve, herë jo, sic veprojnë shpesh të rinjtë kur janë në fillimet e krijimtarisë letrare të tyre. Aty në Greqi ai hyri në marrëdhënie të ngushta me mjaft patriotë shqiptarë, sidomos me atdhetarin Anastas Kullurioti që botonte në Athinë gazetën “ Zëri i Shqipërisë”. Ai u bë krahu i djathtë i tij dhe në atë gazetë shkruante edhe vetë artikuj të ndryshëm, duke i firmosur herë me emrin e tij të plotë, herë me inicialet H.P.S. Aty ai botoi edhe vjershën e tij të gjatë prej 150 vargjesh, një balladë luftarake të titulluar “ Shqiptarët që luftojnë në Guci”. Ishte koha kur luftohej për mbrojtjen e tokave tona në Plavë e Guci nga synimet shoviniste të vendeve fqinj.Vargjet e tij janë luftarakë, bëjnë thirrje për kushtrim. Midis të tjerave ai shkruan: Bjeri o Shqiptar, përsëri bjeri/ Atij Karadaku, bjeri/.
Pasi ndenji disa vjet në Greqi, gjithmonë me aparatin fotografik me vete, mori një udhëtim nëpër kolonitë shqiptare të Stambollit, Egjiptit dhe Bukureshtit. Edhe në këto vende veprimtaria e tij atdhetare nuk u ndërpre dhe ai propagandon hapur nevojën e bashkimit të popullit për të fitur lirinë dhe domosdoshmërinë e mësimit të gjuhës shqipe. I armatosur me këto ide, u kthye në vendin e tij, në Korcë para vitit 1900. Këtu iu fut punës së fotografit. Punonte shumë dhe të gjithë e njihnin fotografin patriot, njeriun e urtë e të sjellshëm që bënte fotografi të cilesisë së lartë. Në studion e tij që e kishte ngritur në oborrin e shtëpisë, vinin të gjithë për fotografi, vinin të kamurit po edhe ata që ishin dorëhollë, populli i thjeshtë. Në këto takime që kishte me njerëzit, në mjaft raste ai ndante fshehur edhe libra e abetare shqipe që i vinin nga shoqëritë patriotike jashtë atdheut. Kristo Shuli ishte i pranishëm në të gjitha ngjarjet dhe veprimtaritë e ndryshme që zhvilloheshin në Korcë në ato vite. Në këto veprimtari ai fotografonte momentetmë të rëndësishme dhe njerëzit që ishin protagonistë të tyre. Kur Gjerasim Qiriazi hapi në Korcë shkollën e vashave, ai ishte aty. Bëri një tog fotografish dhe fiksoi momentet me rëndësi historike të cilat kanë arritur deri ne ditët e sotme. Jo vetëm kaq po ai e përkrahu dhe e ndihmoi me të gjitha mundësitë Gjerasim Qiriazin në veprimtarinë e tij.
Apostol Bitraku: Kush e fotografoi ''Mësonjëtoren e parë shqipe'' në Korcë U1_shkolla-pare-korceFotografi Kristo Shuli ishte i pasionuar edhe pas natyrës së bukur shqiptare. Ai fotografoi të gjitha rrugët dhe rrugicat e Korcës si dhe njerëzit e thjeshtë që haste aty, duke filluar që nga fëmijët që loznin nëpër to, të moshuarit që rrinin nëpër sofatet e portave, kurbatkat që shisnin shoshat dhe shportat e tyre e tj. Objekt i fotografive të tij ishin edhe vendet e dëgjuara dhe piktoreske të rrethit të Korcës si Voskopoja, Dardha, liqeni i Pogradecit e tj. Vecanërisht atë e tërhiqte vendlindja e tij, Opari, me ato shtëpitë karakteristike të mbuluara me plloça, me ujrat dhe burimet e ftohta, me objektet e kultit, me Ostrovicën madhështore. Edhe sot e kësaj dite në mjaft familje korcare ruhen fotografi të Kristo Shulit të para vitit 1900. Ja, kemi parasysh një pamje të fshatit Marjan, fotografinë që titullohet “Shtëpia e Shkëmbit”po në Marjan e tj. Me aparatin e tij fotografik ai ka fiksuar shpesh edhe portretet e kacakëve të Shahin Matrakut me gunat supeve dhe martinat në krahë, mik e shok me të cilët ishte. Po kështu, në studion e tij ruheshin të gjitha negativet në pllaka xhami të të gjitha fotografive që kishte bërë jo vetëm brenda vendit, po edhe jashtë tij në vendet ku kishte qënë. Fotografitë e tij ishin të cilësisë së lartë dhe për qartësinë e tyre, pozicionin, sfondin ku i vendoste të pozuarit, ishin krijime të vërteta artistike. Shpesh, piktori i dëgjuar korcar Vangjush Mio thoshte se arti i pikturave të mia zbehet përpara artit të fotografive të tij.
Pas vitit 1890 Kristo Shulin e hasim në Shkodër. Edhe aty punoi si fotograf dhe nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij atdhetare. Ai e vazhdonte korrespondencën me patriotin Jani Vreto dhe ra në kontakt edhe me patriotë të tjerë si dhe me fotografët e dëgjuar shkodranë Marubi dhe me Kolë Idromeno. Pasi kaloi disa vjet atje, u kthye përsëri në Korcë dhe vazhdoi profesionin e fotografit deri në fund të jetës së tij. Kristo Shuli për një kohë të gjatë punoi në Korcë edhe me kunatin e tij, fotografin tjetër të dëgjuar korcar Kristaq Sotirin, i cili e vazhdoi profesionin për 40 vjet dhe realizoi mijra fotografi. Të dy këta, edhe sot në Korcë, kujtohen dhe mbahen si fotografët më të mirë. Kanë kaluar vite që atëherë, po edhe sot, megjithë teknikën më të lartë e kushtet më të mira, përsëri fotografët e sotëm nuk e kanë arritur cilësinë e fotove të Sulidhit dhe të Kristaq Sotirit.
Kristo Shuli ka pasur edhe një veprimtari tjetër të shënuar. Që kur ishte i ri ai ishte në shërbim të Misionit Ungjillor duke u bërë kështu propagandist i zjarrtë i ndjenjave kombëtare. Por jeta e tij, me tëre këtë punë, me tërë këto lëvizje dhe sidomos veprimtaria e tij patriotike, ranë në sy dhe ngjallën mërinë e patrikanës së Stambollit dhe të qeveritarëve turq të atëhershëm të cilët e ndoqën hap pas hapi. Për veprimet e tij kombëtare u mallkua nga kisha e Fanarit dhe u mbiquajt Kriso Masoni. Dhe kisha e shpuri aq thellë ndjekjen e saj sa kur i vdiq një djalë 20 vjecar nuk pranoi ti jepte lejën për ta varrosur në varrezat e qytetit, gjë kjo shumë e rëndë për mentalitetin e kohës. Leja mund ti jepej nëqoftëse Kristoja ripagëzohej që të lante mëkatet ndaj kishës. Po ai nuk pranoi dhe, me lot në sy, e varrosi të birin në kopështin e shtëpisë.
Kristo Shuli vdiq në maj të vitit 1938 në moshën 80 vjecare. Populli i Korcës e përcolli atë me nderim e respekt të vecantë. “Gazeta e Korcës”e datës 21 maj e atij viti, jep një përshkrim të hollësishëm të ceremonisë së varrimit dhe një vlerësim të lartë për veprimtarinë atdhetare të tij. Në mes të pjesëmarrësve të shumtë, mitrofori i madh Vasil Marko mbajti një fjalim mallëngjenjës duke vënë në dukje veprimet kombëtare të të ndjerit. Gjithashtu foli edhe dr. Zografi, figura të njohura këto për Korcën e asaj kohe.
E kujtojmë sot Kristo Shulin ( Sulidhin ) jo vetëm për fotografinë e “ Mesonjëtores së Parë Shqipe”në Korcë dhe veprimtarinë atdhetare të tij, po edhe për ato dhjetëra e dhjetëra fotografi të tjera që kanë rëndësi jo vetëm artistike, po edhe historike. Pas cdo fotografie të Kristo Shulit fshihet një subjekt, fshihet një histori, fshihet një marrëdhënie,fshihet një problem.
A.Bitraku, Rr.“Vojo Kushi” Nr. 24
Lagja Nr.11 – Korcë.

korcanews.com - kosova.albemigrant.com - Dërgoi: Paul Tedeschini
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi