Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Berisha: Shqipëria është vend evropian

Shko poshtë

Berisha: Shqipëria është vend evropian Empty Berisha: Shqipëria është vend evropian

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 15, 2009 9:51 pm

Berisha: Shqipëria është vend evropian

Bota sot, Tiranë
Kryeministri Berisha: Qeveria e konsideron jetik dhe vendimtar partneritetin me qeveritë vendore për realizimin e programit të Shqipërisë evropiane.


Berisha: Shqipëria është vend evropian OKTOOOO
Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e organizuar në kuadër të Javës Europiane të Demokracisë Lokale.

Qeveria do të vazhdojë të thellojë e konsolidojë më tej procesin e decentralizimit, në interesin më të mirë të një qeverisjeje eficente për qytetarët shqiptarë.
- Ne nuk ndjekim politikën e braktisjes së zonave. Nga ana e qeverisë, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi të vetëm zonash.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në pritjen e organizuar në kuadër të Javës Europiane të Demokracisë Lokale. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të bashkive, komunave, rretheve, qarqeve dhe shoqatave të qeveritarëve vendor, etj.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për punën e të çmuar të drejtuesve vendorë, në shërbim të qytetarëve të komunave, bashkive, rretheve, duke siguruar se qeveria e konsideron jetik dhe vendimtar partneritetin me ta, për realizimin e programit të saj të Shqipërisë europiane.
Kryeministri u shpreh se qeveria do të vazhdojë të thellojë e konsolidojë më tej procesin e decentralizimit, në interesin më të mirë të një qeverisjeje eficente për qytetarët shqiptarë. Në këtë kuadër, Kryeministri tha se, në rast se ne deri më sot qeveria ka katërfishuar grantin për qeverisjet vendore, se shumëfishime të tjera të tij do të bëhen. “Ne kemi vendosur të krijojmë Fondin e Zhvillimeve të Rajoneve. Qëllimi është që të ulim maksimalisht kompetencat e dikastereve qendrore dhe t’i kalojmë ato tek ju”, theksoi Kryeministri.
Më tej, Kryeministri nënvizoi se në vitin 2010 përparësi absolute do të ketë ultësira bregdetare turistike. Çdo rrugë që zbret drejt detit do të asfaltohet brenda vitit 2010, të gjitha pa përjashtim. Më pas, po me kaq insistim qeveria do t’u rikthehet të gjitha zonave të tjera.
Duke iu referuar disa lëvizjeve fiskale të bëra nga qeveria, të cilat mund të kenë prekur qeveritë vendore, Kryeministri siguroi se qeveria do t’u përgjigjet. “Secili prej jush do të llogarisë sa është humbja që keni pësuar nga kjo lëvizje e qeverisë qendrore dhe unë ju garantoj se qeveria do t’ju përgjigjet qindarkë për qindarkë me buxhetin tuaj”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi gjithashtu nga drejtuesit vendorë që të tregojnë “zero tolerancë” ndaj autoriteteve të tyre tatimore, për sa i përket regjistrimit të bizneseve, duke iu referuar kontrolleve të bëra shpesh nga qendra, ku ka pasur raste që janë gjetur edhe deri në 50 për qind biznese të paregjistruara. “Njerëzisht, ju kërkoj që ta shndërrojmë këtë vit që vjen në një përpjekje tonën më të fuqishme për konsolidimin e disiplinës fiskale, si kushtin më themelor për qeverinë qendrore dhe qeveritë vendore, për të ndërtuar një Shqipëri të imazhit të vërtetë evropian”, nënvizoi Kryeministri.
Po ashtu, Kryeministri konsideroi si shumë jetike edhe vjeljen e taksë së pronës nga qeveritë vendore, duke u shprehur se nëse kjo taksë do të vilet me seriozitetin më të madh, situata financiare e kësaj qeverisjeje do të jetë krejt tjetër. “Në të gjithë botën, burim kryesor i të ardhurave të qeverive vendore është taksa e pronës”, tha Kryeministri.
Kryeministri siguroi të gjithë përfaqësuesit vendorë se nga qeveria nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi të vetëm zonash, për sa i përket përkatësisë partiake. “Për mua, ju jeni qeveritar të qytetarëve shqiptarë dhe e vetmja gjë që unë kërkoj është të hartoni projekte, projekte, sa më shumë projekte, në mënyrë që të absorbohen investimet”, u shpreh Kryeministri”.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Është një rast i veçantë për mua për t’ju falënderuar me shumë respekt e mirënjohje për punën e madhe dhe të çmuar që ju keni bërë, në shërbim të qytetarëve të komunave, bashkive, rretheve dhe qarqeve tuaja, për punën e madhe që keni bërë për zhvillimin e qëndrueshëm të komunave, bashkive, rretheve dhe qarqeve të vendit. Është një rast gjithashtu për mua që t’ju garantoj se qeveria që unë kryesoj konsideron jetik dhe vendimtar partneritetin me ju për realizimin e programit të saj të Shqipërisë europiane.
Ne jemi mbledhur sot këtu të kremtojmë e nderojmë javën e decentralizimit, që në thelb është java e demokracisë, pasi është faktuar në zhvillimin e sistemit demokratik se, një nga 2–3 parimet më themelore, një nga 2-3 shtyllat më themelore të sistemit demokratik, është decentralizimi. Dua t’ju garantoj se qeveria do të vazhdojë të thellojë e konsolidojë më tej këtë proces në interesin më të mirë të një qeverisjeje eficente për qytetarët shqiptarë. Ju jeni qeveritarët direkt të qytetarëve, qeveritë e tyre direkte, që përballeni çdo ditë me hallet më jetike të tyre, që duhet t’u jepni përgjigje çdo ditë problemeve të mëdha dhe të gjithanshme të komuniteteve që ju drejtoni.
Unë ju garantoj se këto katër vite, që do të jenë vite të transformimit të madh që vendi ka njohur në tërë historinë e tij, llogaris si Kryeministër, që levë kryesore do të jetë decentralizimi, do të jetë partneriteti me ju, do të jetë autonomia juaj. Unë jam dëshmitar i kontributit shumë të madh tuajin në zhvillimin e territoreve, komuniteteve, komunave dhe bashkive tuaja. Jam dëshmitar i investimeve të suksesshme që ju keni bëri dhe vazhdoni të bëni. Ndaj, dua t’ju informoj se, në rast se ne deri më sot kemi katërfishuar grantin për ju, unë ju jap fjalën se shumëfishime të tjera do të bëhen, sepse vetëm në partneritet me ju, në bashkëpunim të ngushtë, në respekt të autonomisë suaj, ne do të mund të zhvillojmë Shqipërinë. Unë ju them se Shqipëri të zhvilluar nuk ka dhe nuk do të ketë pa një Shqipëri rurale të zhvilluar. Kjo është moto e kësaj qeverie. Ne kemi vendosur të krijojmë Fondin e Zhvillimeve të Rajoneve. Qëllimi i këtij fondi është që të ulim maksimalisht kompetencat e dikastereve qendrore dhe t’i kalojmë ato tek ju. Ju të bëni planet, të bëni projektet, të përcaktoni përparësitë e investimeve në qarqet, komunat dhe bashkitë tuaja dhe jo qeveria qendrore, sepse kjo është rruga më e sigurt e zhvillimit. Ajo që në pamje të parë mund të krijojë përshtypjen se është centralizimi, është krejtësisht e kundërta. Ne duam që çdo qindarkë që shkon drejt bashkive, komunave dhe qarqeve, pra i tërë buxheti, përveç fondit të rrogave, shkon në atë drejtim. Përjashto fondet për rrugët kombëtare kryesore, të gjitha të tjerat të kalojnë në sitën tuaj, në të gjitha të tjerat ju të jeni vendimmarrës. Për të gjitha të tjerat ne duam që të bëhet një shpërndarje e ndershme, transparente, e ekuilibruar, në mënyrë që cilido ta dijë se këtu ka një proces transparent, se ai ka një përgjegjësi për zhvillimin e qarkut, bashkisë, komunës e rrethit të tij. Është bërë shumë në këto katër vite, por sërish nuk mund të mohoj se akoma ka komuna të cilat janë lënë në harresë. Unë isha në Kukës dhe më raportuan se Zapodi është injoruar totalisht. Unë jam i sigurt se ka edhe komuna të tjera, nuk është vetëm Zaboti.
Fondi i Zhvillimit Rajonal i jep fund kësaj situate. Shpërndarja do të jetë e ndershme, e barabartë dhe në përputhje të plotë me nevojat tuaja. Objektivat tona janë shumë të rëndësishme. Nuk mund të mohoj se në vitin 2010 përparësi absolute do të ketë ultësira bregdetare turistike. Unë takova këtu përfaqësuesit e Novoselës dhe ata më shtruan problemin e rrugës. Çdo rrugë që zbret drejt detit do të asfaltohet brenda vitit 2010, të gjitha pa përjashtim, rrugë e rrugicë. Më pas, po me kaq insistim ne do t’u rikthehemi të gjitha zonave të tjera. Ne nuk do të braktisim asnjë zonë. Sikundër, ju ftoj vëllazërisht të bëni sa më shumë vend për ata që shpërngulen për të ndërtuar një jetë më të mirë. Unë takova këtu Kryetarin e Komunës së Shënkollit, i cili e ka pasur komunën me 8 mijë banorë, tashmë e ka me 18 mijë banorë. Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse në rast se ndonjëri prej jush do të shkojë në fshatrat e Mirditës, do të shihni se toka është thellësisht e pamjaftueshme dhe njerëzit sigurisht që do të zhvendosen. Ne do të investojmë për çdo fshat të këtij vendi. Ne nuk ndjekim politikën e braktisjes së zonave. Nuk ka territor për t’u braktisur. Në qoftë se ka mbipopullatë, kjo është diçka tjetër, por ne, absolutisht, do të insistojmë kudo për zhvillimin e territorit të këtij vendi.
Unë kam 2-3 kërkesa miqësore. Ne kemi bërë disa lëvizje fiskale dhe ato mund t’ju kenë prekur ju. Ju llogarisni me faturë se sa jeni prekur prej tyre dhe që të gjithë këtë shumë t’jua kthejmë nga buxheti. Biznesi i madh ka një kërkesë të ndershme dhe të drejtë, shtrirjen e TVSH-së, sepse ata realisht paguajnë një gjobë shumë të madhe nga mospërfshirja në TVSH e mbi 80 mijë bizneseve në vend. Kjo na detyroi ne që ta zbresim nga 80 mijë në 50 mijë. Por, secili prej jush do të llogarisë sa është humbja që keni pësuar kjo lëvizje e qeverisë qendrore dhe unë ju garantoj se qeveria qendrore do t’ju përgjigjet qindarkë për qindarkë me buxhetin tuaj.
Kam edhe dy kërkesa miqësore për ju. Tregoni “zero tolerancë” ndaj autoriteteve tuaja tatimore, për regjistrimin e bizneseve. Sa e ndershme është, sa e dobishme është dhe sa qëndron që ne të dërgojmë kontrollet nga qendra dhe të gjejmë një situatë ku, pothuajse ka raste që gjejmë deri në 50 për qind biznese të paregjistruara, ose ka raste me 20 për qind apo 18 për qind. Këto janë biznese që ju nuk u vini taksën e duhur. Pasoja më e vogël është e arkës suaj, pasoja më e madhe është prishja e lirisë së tregut, e konkurrencës së ndershme, e ndrydhjes. Unë kam urdhëruar autoritetet qendrore që të tregojnë zero tolerancë ndaj drejtuesve dhe inspektorëve të tyre. Por kemi me qindra e qindra taksambledhës që varen vetëm nga ju. Mos toleroni, në interesin më të mirë. Ne së bashku kemi bërë dhe do të bëjmë çdo gjë për klimën e biznesit, por nëse nuk krijojmë barazinë, konkurrencën e ndershme, në qoftë se nuk vendosemi në kushte të barabarta, ne faktikisht veçse favorizojmë një ambient mbytës për biznesin.
Së dyti, unë kam një kërkesë jetike për ju. Në të gjithë botën, burim kryesor i të ardhurave të qeverive vendore është taksa e pronës. Unë nuk dua të politizoj dhe të marr si shembull Tiranën, por po marr Shkodrën, meqenëse është bashki nën drejtimin e PD-së, apo Elbasanin, apo ndonjë vend tjetër. Në qoftë se ju, me seriozitetin më të madh, do të vilni këtë taksë, situata juaj financiare do të jetë krejt tjetër. Unë kam besim tek ju. Nëse juve ju duket taksë e rëndë, urdhëroni të bashkëpunojmë dhe ta ulim atë, por duhet ta vjelim, sepse është jashtëzakonisht e dëmshme për vet pronën që të mos taksohet. Për të nxitur tregun është vetëm një mekanizëm, është taksa e pronave. Ndaj edhe, njerëzisht, ju kërkoj që ta shndërrojmë këtë vit që vjen në një përpjekje tonën më të fuqishme për konsolidimin e disiplinës fiskale, si kushtin më themelor për qeverinë qendrore dhe qeveritë vendore, për të ndërtuar një Shqipëri të imazhit të vërtetë europian.
Detyrat tuaja do të jetë polivalente. Unë takova Kryetarin e Progonatit. Ai kërkon investime për ujin. Kryetari i Kallmetit më kërkoi mbështetje për ndërtimin e sistemit të vaditjes atje. Pra, ajo që do të bëjmë ne është se do ta shtrijmë partneritetin në të gjitha fushat me interes për komunat tuaja, për vaditjet, lerat për kullotat e për çdo gjë tjetër. Unë ju them këtu se, për sa i përket buxhetit, përveç rrugëve kryesore, ai i tëri do të vijë tek ju, me investime për shkolla, qendra shëndetësore, me çdo gjë. Ju jeni investitorë shumë të mirë, do të kualifikoheni edhe më tej, por nga ana tjetër duhet ta marrim këtë bashkëpunim shumë më kompleks, sepse në projektin tonë, në ambicien tonë, në domosdoshmërinë e vendit, dyfishimi i prodhimit bujqësor është përcaktues kryesor për luftën kundër varfërisë, është përcaktues për rritjen ekonomike të vendit, është përcaktues për bilancin tregtar dhe për një seri arsyesh të tjera. Ai nuk mund të realizohet pa angazhimin tuaj të plotë e total. Në rast se për bizneset ne përcaktojmë rregullat dhe respektimi i tyre bëjnë që ato të ecin, zhvillimi i qëndrueshëm rural, siç ju e dini, është shumë më kompleks dhe kërkon një përkushtim më të madh tuajin, të qeverisë qendrore nëpërmjet jush, sepse në të kundër, qeveria qendrore nuk ka forcën dhe mekanizmat për të realizuar objektivat.
Kështu që, le të bashkëpunojmë së bashku këto katër vite që vijnë, në mënyrë që ju të jepni përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha probleme komplekse të komuniteteve tuaja dhe ne t’ju mbështesim juve në këtë drejtim. Unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë lloj diskriminimi të vetëm për sa i përket përkatësisë partiake. Jo. Për mua, ju jeni qeveritarë të qytetarëve shqiptarë dhe e vetmja gjë që unë kërkoj është të hartoni projekte, projekte, sa më shumë projekte, në mënyrë që të absorbohen investimet. Ne kemi hapur shtigje të mëdha turizmi. Kudo që unë shkoj impresionohem nga puna juaj. Turizmi po shndërrohet, nga një nga degët inekzistente disa vite më parë, në një nga degët më të fuqishme të ekonomisë. Le të punojmë sa më shumë. Një qytetar nga Gramshi, më shkruante në një mesazh se një biznesmen në atë zonë kishte 25 shtëpi druri dhe merrte në to turistë nga Suedia, të cilët njiheshin me bukuritë e Gramshit, por rruga në këtë zonë ishte e shkatërruar. Ndaj, le të përpiqeni edhe juve që ta ndihmoni turizmin. Turizmi është jetik jo vetëm për të ardhurat që sjell, por është jetik edhe për të bërë të njohur vendin tonë në Europë e botë me bukuritë që ofron, me veçantitë e tij. Ne kemi shumë nevojë për këtë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi