Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne

Shko poshtë

Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne Empty Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 15, 2009 10:08 pm

Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne

Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne PACOLLI
Kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli


Intervistoi: Idriz Morina


Qytetarët e Kosovës e kanë të pamundur të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë si pasojë e keqqeverisjes dhe shkeljes së përditshme dhe në vazhdimësi nga mënyra se si qeveriset sot Kosova, vlerëson z. Behxhet Pacolli.
Në çfarë mënyre po qeveriste Kosova sot, a është përmbysur rendi i vlerave dhe vetë demokracia? Kryetari i AKR-së dhe biznesmeni i njohur thotë se vendi tani më ndodhet de fakto në një diktaturë moderne, përkundër faktit se de jure, është e kundërta. Por, çka e shtyn të besoj në këtë konstatim të tij z. Behxhet Pacolli, tregon në intervistën ekskluzive për “Bota sot”. Zoti Pacolli është i vendosur që ta ndryshojë Ligjin për vetëqeverisjen lokale, pasi ai aktual e bën të pamundur një qeverisje në shërbim të vërtetë të qytetarit. Z. Pacolli beson se partia e tij do të dal më e fuqishme pas këtyre zgjedhjeve. Ai thotë se është e patolerueshme që njerëzit të pasurohen brenda natës.
“Bota sot”: Kosova po futet në zgjedhje, pas pak ditësh do të fillojë edhe zyrtarisht fushata, ju jeni partia e vetme që keni pranuar të hyni në koalicion, çfarë rezultati prisni nga kjo?
Pacolli: Mirë që mbahen zgjedhjet. Është momenti i duhur të ndodhin zgjedhjet sidomos ato lokale, dhe të flasim pikë së pari për demokracinë e kësaj shoqërie. Nëse dikush thotë se Kosova është një shtet de fakto demokratik, gabon. Kosova është një diktaturë de fakto moderne. Tani kur e them këtë jam koshient se aplikimi i të drejtave legjitime të qytetarit në Kosovë është në zgripc, nuk aplikohet Kushtetuta, ligjet, dhe pra është e pamundur që qytetari i Kosovës të realizojë të drejtat e tij legjitime, në këtë konstalacion të qeverisjes, në këtë konstalacion të trajtimit të ligjit. Është e pamundur, prandaj me plot përgjegjësi e them se kjo shoqëri de fakto është në një diktaturë moderne, ndërsa de jure nuk është. Qytetari i Kosovës nuk arrin t’i realizojë të drejtat e veta legjitime, sidomos shtresa e varfër, nuk arrin t’i realizojë të drejtat e saj dhe jeton në anonimitet. Mënyra e trajtimit të ligjshmërisë është joefikase, ka shkelje ligjore dhe në këtë mënyrë nuk mund të realizohen të drejtat ligjore të qytetarëve. Këtë e them me plot përgjegjësi dhe dua ta potencoj se zgjedhjet lokale në këtë rast janë shumë të favorshme. Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë një gjë: së pari të dalin masivisht në zgjedhje, së dyti të votojnë për parti reformatore, të reja, për atë parti që u sjell vërtetë reformë në qeverisje, dhe një shans të ri, me votën e tyre duhet të dinë se duhet t’i sjellin ndryshime këtij vendi, prandaj i lus qytetarët që së pari të votojnë, por para se të votojnë të marrin një vendim të drejtë dhe të dinë kënd ta votojnë.
Bota sot: Po çfarë ofron AKR-ja për të dalë nga kjo situatë?
Pacolli: AKR-ja është e përgatitur gjithmonë me programin e vet shumë të definuar, që është bërë për interesat e këtyre qytetarëve, sidomos të atyre që nuk kanë arritur asnjëherë t’i realizojnë të drejtat e tyre legjitime. Prandaj AKR-ja ka përgatitur një program shumë dinjitoz që ta decentralizojë në mënyrë efektive pushtetin lokal, dhe pa humbje kohe komunën e tanishme ta transformojë, duke i dhënë fund kolonave të pritjes në radhë, në shkallë, në korridore dhe rreth e rrotull ndërtesës së komunave.
Bota sot: Ju mendoni që ta ndryshoni Ligjin për vetëqeverisje lokale?
Pacolli: Po. Mendoj se nëse i fitojmë zgjedhjet, apo kudo që fitojmë ne, do të insistojmë dhe iniciojmë ndryshimin e ligjit për qeverisjen lokale. Njëkohësisht u garantojmë qytetarëve se ne do të bëjmë ndryshime: së pari komuna e tanishme nuk do të punojë më me qytetarë, por do të punojnë njerëzit brenda, të cilët kanë një përshkrim ekzakt të punës së tyre dhe do të kenë normën e punës se sa duhet të punojnë. Efektshmëria te puna e tanishme e ofiqarëve është jashtëzakonisht e ulët. Nëse marrim një kronometër dhe e matim se sa punon një nëpunës, që kur ia fillon punës në orën tetë apo nëntë, dhe e përfundon në orën katër apo pesë, do ta shohim se punë të efektshme nuk ka bërë më tepër së gjysmë apo një orë, nuk është edhe faji i tij, por çështja është se si është formuar ky sistem, pasi vetë sistemi nuk e ka të definuar si duhet se çfarë të bëjë, dhe që ta bëjë në mënyrë dinjitoze. Nëpunësi është i penguar prej palëve që shkojnë dhe i hapin derën atij apo ndërhyrjeve të panevojshme që bëhen, dhe përgjegjësia është në masë të ulët e këtyre njerëzve dhe rezultati dihet çfarë është, pritja dhe rrëmuja.
Bota sot: Si do ta strukturonit ju komunën, në mënyrë që ta rrisni efektivitetin në administrimin lokal?
Pacolli: Mendoj ta strukturoj ndryshe komunën, ta kthejmë në njësi bashkiake, dhe vetëm në Prishtinë do të bëheshin afër 60 njësi, në mënyrë që çdo njësi mos të menaxhojë më tepër se dhjetë mijë banorë. Dhe nuk është e rastit që partia jonë ka sot 60 nëndegë këtu. Ne duhet të shkojmë aty ku është qytetari i Kosovës, kjo njësi nuk ka nevojë të jetë një ndërtesë luksoze, por do të ketë hapësirë diku rreth 40 metra katrorë dhe do të përcaktohet për çdo njësi një përgjegjës, që do të jetë i punësuar në mënyrë permanente. Stafi tjetër i saj do të vijë ekskluzivisht prej studentëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe nëpër këto njësi do të merren dhjetë prej tyre që do të punojnë në dy ndërresa dhe kështu do të veprohet në të gjitha njësitë. Këta studentë që vijnë arrijnë dy efekte: një që u ndihmohet atyre në mënyrë financiare dhe një është që këta do të jenë pjesë e zhvillimit shoqëror të Kosovës dhe aty përfitojnë përgatitje të reja për të ardhmen e tyre profesionale. Këto qendra komunale do t’i kryenin të gjitha shërbimet ditore për pjesën e vet të qytetarëve, kufizimet do të jenë të definuara në secilën pjesë të qytetit dhe puna do të bëhet ashtu, që nëse vjen një qytetar dhe kërkon një shërbim, do të jetë e mjaftueshme të tregojë se çfarë shërbimi i nevojitet dhe çdo gjë tjetër prej fillimit, formimi dhe ndihma që i bëhet atij do të bëhet prej personelit. Qytetari do t’i japë edhe një plotfuqishmëri kësaj zyre, që kjo zyrë t’i ofrojë atij edhe shërbime tjera. Një gjë tjetër është, që ne do ta fuqizojmë në mënyrë efektive të ashtuquajturin PPP (partneritetit publiko privat), që çdo funksion që sot komuna e kryen në mënyrë jocilësore, në mënyrë shumë të dobët dhe jodinjitoze, në të ardhmen do të kryhet prej sipërmarrësve privatë. Ne do zgjedhim arkitektë, që do të kenë komplet qytetin e Prishtinës nën kontroll, qyteti do të ndahet ndoshta në tri pjesë dhe do të zgjidhet, zyra e arkitekturës, sa i përket ndërtimeve, sa i përket urbanizmit, dhe të tjera këto zyre do ta kenë një kontratë shumë të definuar me komunën dhe kjo kontratë do të parasheh çdo veprim, dhe do të jetë e pamundur që arkitektit t’i ndodhë diçka e paparashikuar në kontratë. Dhe lejet e punës, të ndërtimeve dhe leje të ngjashme, të cilat sot kërkohen në komunë, duke shkuar atje dhe duke i lutur për të marrë një leje që ju takon normalisht, ju duhet të paguani, ose të vonoheni në punët tuaja apo në biznes. Këto do të evitohen. Atëherë ky kontakt nuk do të jetë më zyrtarë - qytetar, por do të jetë me arkitektin. Kemi paraparë që para se të formulohet kërkesa e punës ata do të shkojnë tek qytetari dhe pas konsultimit pra me arkitektin, do të formulohet kërkesa e lejes për ndërtim, dhe do t’i tregohen po ashtu limitet e ndërtimit dhe kjo kërkesë do të bëhet nga arkitekti, ai do ta dërgojë drejtpërsëdrejti në komunë, e cila nuk mund ta ndryshojë.
Në këtë mënyrë ne e luftojmë korrupsionin dhe nuk do të ketë më asnjë lloj korrupsioni, efektshmëria është e paraparë me kontratë dhe qytetari në një afat prej dy javësh, nëse nuk merr përgjigje, do të jetë fitues i lejes. Kështu do të ndodhë edhe në mirëmbajtjen e rrugëve, të parqeve dhe të ashensorëve e të hyrjeve, të shkallëve, në këtë mënyrë ne do ta ndryshojmë mënyrën e veprimit në qeverisje. Prandaj, ne kemi arritur që qytetari të mos jetë më anonim dhe të jetë i kontaktuar gjithmonë, se ai njeri që udhëheq një bashkësi diku me rreth 10 mijë banorë, varësisht edhe prej gjeografisë së terrenit, përbëhet prej më së shumti 3 mijë familjeve, kjo është shumë e lehtë që të menaxhohet, por çka do të arrihet një gjë tjetër, por përfaqësimi tek komuna, sot me ligj parashihen asambleistat, ata janë të zgjedhur prej partive të ndryshme, qytetari nuk është i përfaqësuar në mes të sistemit, nuk është i përfaqësuar te komuna, dhe kështu prapë ai mbetet jashtë lojës.
Ne do të insistojmë që zgjedhjet e ardhshme të mos lihen që partitë që propozojnë asambleistat e vet të jenë së pari mirë të përfaqësuar, çdo parti ka obligim që në listën që formohet për asambleistët të përkujdeset që territori i përfaqësuar prej tyre, ta ketë përfaqësuesin.
Nuk është normale ajo që presidenti e ka dekretuar tani, që njeriu i parë i partisë të kalojë pa u votuar. Nuk mund një njeri të kalojë pa u votuar, pra edhe bartësi i listës duhet të jetë i votuar.
Pra kështu do të dukej një komunë e ardhshme që do të udhëhiqet nga AKR-ja. Rritja e efektshmërisë, zbutja e burokracisë, do të thotë zvogëlimi i burokracisë, rritja e punësimit ndihma e drejtë që i bëhet rinisë, ofrimi me qytetarin dhe mundësia që qytetari t’i realizojë të drejtat e tij legjitime.
“Bota sot”: A do ta propozoni një ligj të tillë në Parlament?
Pacolli: Nëse ne nuk jemi askush, nuk jemi përfaqësues të komunave tani, ne tani nuk mund të propozojmë asgjë, por nëse AKR-ja tani do të arrijë të ketë një komunë, ajo komunë e AKR-së do të iniciojë projektligjin dhe do t’ia propozojmë Parlamentit dhe do të insistojmë ta bëjmë atë realitet. AKR-ja u garanton qytetarëve të vet se në këtë mënyrë nuk do të mund të punojë edhe nëse i fiton zgjedhjet, por do ta ndërrojë ligjin aktual, dhe në mënyrë automatike, kështu që do të punojë me efektivitet.
“Bota sot”: Është ky një model tashmë i hartuar nga ju, apo një rimodelim i vetëqeverisjes lokale në vendet perëndimore?
Pacolli: Ashtu, ne e kemi gjetur metodën. Unë jam duke punuar me një staf internacional që përbëhet prej përfaqësuesve të vendeve perëndimore, njohës të mirë të menaxhimit të komunave nga Skandinavia, nga Zvicra dhe Evropa Qendrore. Ata janë duke punuar dhe janë duke i harmonizuar këto dhe propozimi për ndërrimin e projektligjit shumë shpejt do të jetë i gatshëm nga AKR-ja.
“Bota sot”: Më parë thatë se Kosova po keqmenaxhohet dhe është kthyer de fakto në një diktaturë. Do të thotë se akuzat e bëra qeverisë janë të sakta se ka keqqeverisje, ka korrupsion?
Pacolli: Është e patolerueshme që njeriu të pasurohet brenda natës, në dëm të qytetarit. vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Intervista: Pacolli: Kosova de fakto - diktaturë moderne Empty AKR-ja dhe LDD-ja do të jenë një parti!

Mesazh nga Agim Gashi Thu Oct 15, 2009 10:09 pm

AKR-ja dhe LDD-ja do të jenë një parti!

Intervistoi: Idriz Morina
Intervistë me Behgjet Pacollin, kryetarin e AKR-së (2). Aleanca Kosova e Re, është ofertë për qetësinë dhe rehatinë e prishtinasve, alternativat tjera do të sjellin pasiguri, vlerëson Behgjet Pacolli. Ai thotë se kjo parti do të nxjerrë të gjitha institucionet dhe bizneset që shkaktojnë tollovi jashtë Prishtinës.

Kreu u AKR-së Behgjet Pacolli beson se askush nuk mund ta kundërshtojë fatin e bashkimit të AKR-së dhe LDD-së në një parti, këtë ai e bën të ditur ekskluzivisht për “Bota sot”. Ai po ashtu është i bindur se ky është koalicioni më i qëlluar aktualisht. Ndërsa, duke folur për zgjedhjet lokale ai shpreson shumë se fitorja në Prishtinë mund ta ndryshojë fatin e qeverisjes në vend, ndërsa sa i përket urbanizmit dhe gjendjes aktuale, z. Pacolli beson se kryeqyteti ka humbur gjënë më qenësore, atë të të qenit qytet. “Qyteti i Prishtinës e ka humbur një gjë: nuk mund të jetë qytet”, thotë ai duke sqaruar më tej mospajtimet me qeverisjen aktuale dhe vërejtjet dhe vizionin e tij. Pacolli është këmbëngulës se si parti e djathtë do të bëjë të pamundurën që të qartësohet çështja e pronave.
“Bota sot”: Çka mendoni si do të zgjidhet çështja e urbanizmit – megjithëse është një Projektligj për legalizimit, që nuk e ka marrë ende formën definitive për legalizimin e ndërtimeve pa leje?
Pacolli: Ende nuk është e definuar se çka është përgjegjësi e komunave e çka e ministrive, këto koklavitje janë pothuajse të qëllimshme. Kështu që kjo i detyron njerëzit të veprojnë pa dashje, ashtu që edhe të merren me kontrabandë, sepse e dinë se përgjegjësia nuk është në nivel, prandaj një komunë e ardhshme në ditët e para duhet t’u propozojë ministrive një ligj me të cilin do të bëhej ndarja e përgjegjësive dhe e punëve, si dhe zgjidhja e çështjes së dokumentacionit dhe definimi i pronës. Është për t’u habitur pse deri më tani nuk është zgjidhur ky problem. Nuk jemi parti që dëshiron të rrënojë, por duke e ditur se këto ndërtime që janë bërë deri tani nuk janë vetëm përgjegjësi e ndërtuesve, por edhe e udhëheqësve të qytetit, për shkak se ka munguar efikasiteti i punës së ndershme të tyre, sepse askush nuk u ka thënë “mos ndërtoni”, prandaj atë që është ndërtuar t’i nuk ke të drejtë sot ta rrënosh. Ne duhet t’i legalizojmë këto ndërtime. Qyteti i Prishtinës e ka humbur një gjë: nuk mund të jetë qytet. Prishtina ku do të ketë edhe biznes, nuk mund të ketë realizim të punës qeveritare, duhet shumë shpejt ta lë Prishtinën dhe të kalojë në periferi. Dëgjoni sirenat, tollovitë në rrugë dhe mendoni se çka po ndodh, qytetari nuk mundet në këtë mënyrë të jetojë, qytetarit duhet t’i hiqen nga qyteti institucionet dhe tërë ato veprimtari që e bëjnë tollovinë. Kjo infrastrukturë që gjendet në qeveri duhet të komercializohet, dhe me ato para të ndërtohet qyteti i ri. Biznesi po ashtu nuk mund të jetë këtu, nuk ka infrastrukturë nuk ka vend për biznes, ato po ashtu duhet të nxirren jashtë qytetit. Dhe qytetari të jetojë në mënyrë të qetë. Bile sipas situatës duhet të tërhiqet edhe stacioni prej qytetit, që të mos ndodhë asgjë që prish qetësinë në jetën e qytetarit të Prishtinës. Për këtë AKR-ja ka programin e vet të posaçëm, që jashtë Prishtinës të ndërtohet stacioni, qendra qeveritare, të instalohet qendra e biznesit dhe jashtë Prishtinës të kalojë edhe Universiteti i Prishtinës. Hapësira aktuale e UP-së është jodinjitoze, kemi fakultete të shpërndara, ne do t’i koncentrojmë dhe do t’u japim një vend. Profesorëve duhet t’u krijohet infrastruktura. Jo rastësisht universitetet dhe institutet më të njohura në SHBA, Britani të Madhe dhe në perëndim janë jashtë qytetit, në një zonë të gjelbër. Prandaj, edhe UP-ja duhet të nxirret jashtë qytetit, infrastruktura universitare duhet të komercializohet shumëfish, Prishtinës duhet t’i ndërtohet teatrit.
Bota sot: Situata me ujë të pijshëm vazhdon të jetë problematike për Prishtinën, po ashtu ajo energjetike, çfarë ofron AKR-ja?
Pacolli: Prishtina ka ujë vetëm edhe për dy vjet dhe askush nuk mendon se pas tre vjetësh do të ketë probleme. Unë do ta zgjidh problemin e ujit për 800 mijë banorë. Me një investim prej 40 milionë eurosh do të ndërtohet fabrika e ujit, e cila do ta furnizojë Prishtinën me ujë. Kah vijnë investimet? Kjo është punë e AKR-së. Ajo ka paraparë kontrata me investitorët, të cilët do të vijnë të menaxhojnë. Ashtu do të ndodhë edhe me rrymën elektrike, ne kemi shumë probleme me KEK-un - prodhuesin e rrymës. Nëse KEK-u nuk garanton rrymë elektrike ata duhet të deklarohen me kontratë se ata do të furnizojnë qytetin në mënyrë të vazhdueshme me rrymë, nëse nuk garanton KEK-u një gjë të tillë, duhet të heqë dorë prej monopolit dhe Prishtina do të furnizohet me rrymë. Do t’i them KEK-ut se sot nuk varet jeta e qytetarit prej një firme që është si kufomë, një dinosaur. Unë qytetarëve të komunës sime ju premtoj se do t’ju garantoj rrymë, madje në gjashtëmujorin e parë rrymë alternative, nëse KEK-u nuk është në gjende të krijojë rrymë. Për shkak të monopolit që e ka KEK-u, nuk mund të vuajnë qytetarët. Ne duhet që qytetarit t’ia lehtësojmë jetën dhe jo t’ia rëndojmë atë. Ministria ka vënë dorë sot mbi të dhe e trajton çështjen e KEK-ut si monopol. Prishtina, nëse nuk udhëhiqet prej AKR-së, do të rebelohet dhe do të shkelë çdo gjë, çdo marrëveshje me Ministri, nëse i pamundësohet qytetarit që t’i realizojë të drejtat e tij në çdo moment.
“Bota sot”: Kosova vazhdon të vuajë për shkak të mungesës së mosefikasitetit të gjyqësorit, si e vlerësoni këtë gjë?
Pacolli: Edhe gjatë vizitës në Shqipëri, edhe gjatë dy takimeve që pata me kryeministrin Berisha, çdo takim që kam me përfaqësuesit e qeverisë, gjithmonë e kam theksuar se Prishtina nuk posedon një infrastrukturë ligjore. Policia në Kosova është në një situatë të tmerrshme, nuk i garantohet gjyqësisë së Kosovës ai kodi i lirisë së plotë të veprimit dhe të vendosjes. Sot dallavere bëhen edhe në gjyqësi, bile më së shumti, edhe në prokurori. Te prokuroritë dhe te gjyqësia duhet të ndodhë një reformë shumë e shpejtë, një reformë shumë e qartë, një ligj i qartë me të cilin do të ndahen detyrat e prokurorit dhe detyrat e gjykatësit, si dhe detyrat e institucioneve dhe një herë e përgjithmonë t’u thuhet njerëzve: “Larg duart nga gjyqësia!”.
“Bota sot”: Cilat vlerësoni se do të jenë pika të forta me të cilat AKR-ja do të dalë ta kërkojë votën e qytetarit të Kosovës?
Pacolli: Ne do të kërkojmë votën nga qytetari. Do të preferoj që atë votë ta kërkojmë në mënyrë dinjitoze: me biseda të ndryshme, pa presion dhe publicitete të tepruara. Do të preferoja që krejt çka jemi duke harxhuar për spote, për propagandë, t’u shkojë të varfërve, por edhe AKR-ja është e detyruar ta bëjë atë, pasi krejt po e bëjnë edhe ne nuk duhet ta lëshojmë atë. Kur jemi te qytetari ne së pari duhet të vëmë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin, e dyta ne do t’i themi qytetarit se AKR-ja bën ndryshim në administrimin e komunave dhe qytetari vetë do të vendosë për qytetin e tij dhe do të demolojmë në mënyrë definitive korrupsionin, do të motivojmë absolutisht punësimin, që është një problem jashtëzakonisht i madh. U premtoj qytetarëve të Prishtinës, nëse AKR-ja do të instalohet, në qytetin e Prishtinës do të krijohen 20 deri në 25 mijë vende të reja të punës, jo në burokraci, por në shërbime të ndryshme, të cilat do t’i promovojë kuvendi komunal. Ne nuk do të shuajmë vende të punës, nuk do të shuajmë, por do të motivojmë që ato të jenë më të shumta, Prishtina gjatë dy vjetëve të parë të qeverisjes do të krijojë 20 deri në 25 mijë vende të reja të punës. Dhe të punësuarit do të kenë të ardhurat e tyre për të siguruar ekzistencën.
Kjo do të arrihet duke i ngritë shërbimet dhe cilësinë e shërbimeve, duke motivuar partneritetet private e publike. Ne nuk patëm shans të qeverisim në qeverinë e shkuar, por do të qeverisim tani me Prishtinën. Ne në komunën tonë, të cilën do ta fitojmë, do të krijojmë një qumështore të madhe e cila do të punojë për krejt rajonin e Kosovës.
Asaj qumështoreje i nevojitet qumësht dhe ne do të shkojmë te secili qytetar dhe do të lidhim kontratë me të që ai të ndihmojë, kështu do t’u ndihmohet atyre drejtpërdrejt, dhe ata atje do të gjejnë vende të punës. Për prodhimet e ndryshme bujqësore do të krijojmë miniplatforma bujqësore ku do të bëhet grumbullimi.
“Bota sot”: Lobimi që keni bërë, ndihmat e ndryshme që keni ofruar për të varfrit, do të jenë faktor që do të nxisin votuesin?
Pacolli: Fondacioni im ka punuar edhe para hyrjes sime në parti, ai kanë vazhduar edhe para zgjedhjeve, edhe gjatë zgjedhjeve dhe do të vazhdojë edhe tani, edhe pas zgjedhjeve, dhe nuk do të ndalemi asnjëherë. Kjo nuk ka të bëjë aspak me promocionin dikujt ose më një qëllim të caktuar, por qëllimi i tij është total humanitar dhe është përgjegjësi e çdo kujt dhe është humane nëse ka mundësi të ndihmojë. Ky popull ka nevojë dhe ne duhet ta ndihmojmë.
“Bota sot”: Keni një afri më të madhe me Dacin, a do të thotë kjo se edhe në zgjedhjet e ardhshme ndoshta do të mund të dilni bashkë?
Pacolli: E respektoj shumë fatin që patëm mundësi të afrohemi me Dacin, jemi edhe me ide shumë afër, jo ndoshta me profesion, por ka ardhur momenti që profesionet tona të ndërlidhen edhe në punë, në favor të qëllimeve tona. Qëllimi ynë është që ta ruajmë partinë dhe partia të mos margjinalizohet, po të jemi një parti krejt kosovare që punon për Kosovën dhe për unitetin e saj, si dhe për qytetarin e Kosovës. Qytetari i Kosovës është shumë i vuajtur dhe nuk ia lejon vetes përçarjen. Ky qytetar nuk duhet të merret si instrument dhe të përçahet, ndërsa tentativat e disa partive janë që qytetari të merret si instrument dhe të përçahet në mënyrë që të arrihet interesi i partisë. Kështu janë krijuar këto parti rajonale, ne nuk jemi parti as e Llapit, as e Drenicës e as e askujt, ne vetë puna jonë evolutive na ka bashkuar dhe kjo nuk do të thotë fare se në një të ardhme, ndoshta, që të mos jemi një fuqi unike në Parlamentin e Kosovës.
“Bota sot”: Mendoni se koalicioni aktual, që kjo afri të shkojë edhe më tej, ndoshta të shkriheni në një parti?
Pacolli: Askush nuk mund ta mohojë këtë. Dhe unë besoj se qëllimet edhe të AKR-së edhe të LDD-së janë të shëndosha. Asnjëri nuk ka qëllime personale, nuk përdoren këto parti për shërbime personale, por u takojnë qytetarit të Kosovës dhe punojnë për unitetin e qytetarit të Kosovës.
Bota sot: Partia juaj është deklaruar si parti liberale, e djathtë, çfarë do të sjellë kjo?
Pacolli: Është një parti liberale e dëshmuar tani, dhe kështu ne tani veprojmë si të tillë. Kemi ndihma shumë të mëdha logjistike nga partitë e ndryshme liberale nëpër Evropë, sidomos nga partia liberale FDP nga Gjermania. Ne kemi nevojë për këto ndihma, të cilat e kompletojnë vullnetin tonë shumë të madh me dituri dhe strategji shumë të mëdha.
Bota sot: Z. Pacolli, ju po vazhdoni lobimin për njohjen si po ecën ky proces dhe çfarë njohjesh mund të presim aktualisht?
Pacolli: Është shumë e qartë se unë kam lobuar dhe loboj. Lobimi im është në Uashington, në Londër, në Maltë etj. Unë jam duke lobuar për Kosovën, unë personalisht kam në agjendë disa vizita dhe duhet menjëherë pas zgjedhjeve të filloj lobimin dhe normalisht edhe tani pres nga institucionet e Kosovës që të më kontaktojnë, t’u përgjigjen letrave të mia që ua kam shkruar dhe të formojmë strategji. Nuk kanë qenë qëllimet e mia private për Kosovën, sepse Kosova duhet të njihet nga shumë shtete. Nëse institucionet e Kosovës mund t’i lejojnë vetes këtë luks lidhur me një ofertë që unë ua kam ofruar dhe iu kam shkruar, atëherë le të vazhdojnë dhe besoj se nuk kanë të drejtë, sepse kaloi edhe Asambleja e Kombeve të Bashkuara, por tani vjen një realitet i ri që lobimi më i madh duhet të fillojë nga Kosova. / Fund
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi