Naile Zhupani: Identiteti apo Shqiptarizmi!
Faqja 1 e 1
Naile Zhupani: Identiteti apo Shqiptarizmi!
Naile Zhupani: Identiteti apo Shqiptarizmi!
Një fantazëm po hala nëpër kulturën shqiptare të fillimit të shekullit të ri: vullneti për të revizionue jo thjesht historiografinë shqiptare dhe opinionet e elitave kulturore në lidhje me historinë e Shqiptarëve që nga mesjeta deri më sot, por edhe psikologjinë e asaj që asht quajtur zakonisht shqiptarizëm. Nuk asht ë e qartë se cilat forca janë të interesuara për këtë revizionim, ose të paktën unë nuk e kam të qartë. Qëllimi i këtyre shënimeve asht të hidhet pak dritë mbi ata që mund të përfitojnë nga ky ndërrim paradigme që kërkohet.
Ka një historiografi shqiptare që nis të paktën me Marin Barletin për të vazhdue më tej me Frang Bardhin, Kamardën, De Radën, Zef Jubanin, Naim Frashërin, Sami Frashërin e më pas me Fan Nolin.
Historiografia marksiste e lëvruar në Shqipëri pas luftës, me autorë si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Enver Hoxha, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Zija Shkodra, Dhimitër Shuteriqi e plot të tjerë, e mbajti veten si vazhduese e kësaj tradite dhe në shumë pika ishte vërtet e tillë, pavarësisht nga ndërrimi i metodës së studimit.
Sipas kësaj traditë të konsoliduar, historia moderne e shqiptarëve filloi me Skënderbeun dhe me përpjekjen e tij titanike kundër turqve; turqit e lanë Shqipërinë të prapambetur dhe të përçarë dhe nuk lejuan formimin e një ndërgjegjeje kombëtare; myslimanizmi në Shqipëri hyri si fe e pushtuesit dhe u imponua ose me mënyra të ndryshme shtrënguese, ose nëpërmjet incentivave ekonomike dhe publike; përndryshe shqiptarët janë karakterizuar historikisht nga një farë indiference ndaj fesë, ose nga një tolerancë ndaj feve të ndryshme; Bushatllinjtë dhe Ali Pashë Tepelena shënuan fillimet e një rezistence pak a shumë mbi bazë gjeografike kundër dominimit osman; zgjimi i kombit u bë i mundshëm nga pakënaqësia e përgjithshme ndaj reformave të Tanzimatit, por u realizua në praktikë me përpjekjet e Rilindësve të cilët vepruan në diasporë – Arbëreshët e Italisë, kolonitë e emigracionit në Rumani, Bullgari dhe Egjipt; Lidhja e Prizrenit ishte përpjekja e parë për t’i realizuar idetë e vetvendosjes dhe të autonomisë ndaj Perandorisë Osmane; Rilindja gjithashtu përcaktoi principin bazë të kulturës së shtetit që po përgatitej të lindtte: feja e shqyptarit asht shqiptaria!.
Të gjitha këto teza themelore ishin formuluar para se kultura kombëtare të kalonte nën kontrollin e komunistëve, këta vetëm sa u kujdesën t’i ruanin, në një kohë që rishkruan kapituj të tërë të historisë, por kjo nuk na intereson këtu.
Marifeti i parë i revizionistëve post-modernë të historisë së Shqipërisë asht që të merren këto teza dhe të paraqiten si ekskluzive të historiografisë marksiste, sepse kështu opinioni i paspecializue do ta kishte më të lehtë të pranonte vënien e tyne në dyshim, diskreditimin, ose edhe hedhjen poshtë të tyne. Argumenti tingëllon pak a shumë kështu: këto gjëra janë thanë në kohën e Enverit, prandaj edhe janë të krimbura me gënjeshtrat që regjimi komunist i përdorte për t’u shplarë trutë subjekteve të veta. Harrojnë që mënyra më e mirë për ta shtënë në punë historinë asht manipulimi i saj, jo shtrembërimi i të vërtetave historike – siç e tregon fare qartë edhe eksperienca e revizionistëve vetë.
Që nga Rilindja e këtej, elitat kulturore në Shqipëri u përpoqën ta homogjenizojnë kulturorisht shoqërinë shqiptare, çka do t’i shërbente drejtpërdrejt konsolidimit të shtetit shqiptar. Ky homogjenizim u krye, ose të paktën u mundua të kryhej në këto drejtime: hartimi i një historie të përbashkët kombëtare, me mite dhe heronj po kaq të përbashkët, si bie fjala Skënderbeu; kërkimi dhe evidentimi i anëve të përbashkëta midis krahinave të ndryshme të Shqipërisë, sidomos midis gegëve dhe toskëve; zbulimi i ngjashmërive midis dy dialekteve kryesore të shqipes dhe eksperimentimi i rrugëve për t’i dhënë vendit një gjuhë standarte; margjinalizimi i feve si faktorë në jetën dhe në kulturën e kombit, për të shmangur efektin përçarës që do të mund të kishte përparësia e njërës fe ndaj tjetrës në këtë apo në atë aspekt të kulturës; shpërfillja e ekzistencës së minoriteteve etnike në Shqipëri (grekë, vlleh, maqedonas, bullgarë, rom etj.); ndarja rigoroze e fesë nga shteti dhe kufizimi maksimal, në mos ndalimi fare, i përzierjes së fesë në edukimin e fëmijëve dhe të rinjve; retorika e Kosovës si pjesë e atdheut ende nën sundimin e huaj.
Ndërkohë, Arshi Pipa, një historian dhe publicist i mbajtur jashtë strukturave akademike të Albanologjisë i pari iu kundërvu tezave të historiografisë zyrtare shqiptare duke mëtuar ta revizionojë këtë historiografi që nga rrënjët. Subjektivisht, tezat e Pipës drejtoheshin kundër historianëve stalinistë të Tiranës, dhe historisë zyrtare të Shqipërisë, ashtu siç ishte shkruar nga regjimi i Enver Hoxhës dhe siç propagandohej nga akademikët e tij poshtë e lart nëpër botë.
Arshi Pipa i pari foli hapur për rrënjët vllaho-ortodokse të Rilindjes Arbëreshe e më pas të Rilindjes kombëtare; uzurpimin e strukturave të shtetit shqiptar nga toskët në dëm të gegëve; uzurpimin e kulturës shqiptare të shekullit XX nga toskët; manipulimin e toskëve të Shqipërisë nga minoriteti vllaho-ortodoks; rolin e vllaho-ortodoksëve në zhvillimin e lëvizjës komuniste në Shqipëri, në farkëtimin e aleancës shqiptaro-jugosllave dhe më pas shqiptaro-sovjetike; dhe imponimin me dhunë të toskërishtes letrare si gjuhë standarde në Shqipërinë e pasluftës.
Simpatitë e Arshi Pipës ishin me krahun katolik të kulturës shqiptare, që u shtyp më egërsi të pashoqe nga regjimi i Enver Hoxhës. Për arsye që dihen, elitat kulturore në Shqipëri e ndoshta edhe në Kosovë erdhën në kontakt me veprën e Pipës vetëm pas vitit 1990. Siç ndodh në raste të tilla, elementët më të skajshëm të këtyne elitave, të frymëzue edhe nga motive të dyshimta, i nxorën tezat e Pipës nga konteksti, i thjeshtuan në maksimum, i plotësuan me disa budallallëqe dhe i publikuan si një program origjinal për revizionimin e historiografisë – në të vërtetë, për pështjellimin e psikologjisë kombëtare dhe eventualisht për shndërrimin e Shqipërisë në një Bosnje të dytë. Se ku mund të çonte ky program, u pa gjatë ballafaqimeve të vitit 1997, që desh e hodhën vendin në një lufte civile midis Veriut dhe Jugut, Toskëve dhe Gegëve.
Pikë themelore e programit post-modern të revizionistëve – që nuk ka fare të bëjë me filozofinë historike të veprave të Arshi Pipës – asht lufta totale kundër ortodoksisë shqiptare. Natyrisht, për një akt të tillë kaq të papërgjegjshëm nevojitet një platformë e plotë që të shërbejë si perde tymi, dhe argumentet për këtë platformë nuk kanë mungue. Deri më sot ortodoksia shqiptare asht sulmuar nga krahët, fshehurazi, por gjithsesi asht sulmuar rëndë.
Fakti që ortodoksët shqiptarë kanë të njëjtën fe më fqinjët grekë dhe serbë, si dhe qenia në krye të Kishës Ortodokse Shqiptarë e Peshkopit grek Janullatos janë interpretuar sistematikisht si provë e pakundërshtueshme e përzierjes së fqinjëve në punët e Kishës Autoqefale të Shqipërisë. Propaganda në këtë drejtim ka qenë e jashtëzakonshme, dhe deri diku ka dhanë rezultat. Meqë ortodoksët e Shqipërisë janë të përqendrue në jug të vendit, kuptohet se kjo mund të çojë, dhe realisht ka çuar në tendosjen e marrëdhënieve ndërkrahinore sipas aksit Veri-Jug. Një pjesë e shtypit të djathtë nacionalist ka vite që punon për të krijuar opinionin se ortodoksët e Shqipërisë janë – objektivisht – kolona e pestë e grekëve në Shqipëri, që me filogreqizmin e vet rrezikon deri edhe ta shpërbëjë vendin. Shpesh harrohet se logjika që qëndron pas kësaj teze asht logjikë e sëmunë, prej paranojaku, që nuk mund të pranojë së besnikëria fetare dhe përkatësia kombëtare janë të pavarura nga njëra-tjetra të paktën për shumicën e shqiptarëve.
Sulmi ndaj ortodoksisë shqiptare po bëhet në mënyrë masive edhe në një drejtim tjetër të rrezikshëm:
në evidentimin e rolit të të ashtuquajturve “vllehë” në historinë e Shqipërisë të dy shekujve të fundit. Ka koka të nxehta që e kanë nisur prej kohë fushatën për të zbuluar vllehët ku janë e ku s’janë në Historinë e Shqipërisë. Vllehët po gjenden të strukur në të gjitha elitat që i mbijetuan përmbysjes së vitit 1990: në Partinë Socialiste (Fatos Nano), në Akademinë e Shkencave (Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri), në grupet disidente të Partisë Demokratike (Genc Pollo), në letërsi, në art, në gazetari, e ku më.
Akuza asht se këta vllehë nuk kanë punue për kombin shqiptar, por për interesat e tyne progreke e filogreke, prandaj edhe sa më shpejt të qërohen këta dhe influenca e tyn nga elitat kombëtare, aq më mirë do të jetë për kombin vetë. Edhe kjo asht një tezë e rrezikshme, që do të kishte pasoja shumë të randa, sikur të merrej seriozisht (për fat të mirë, askush nuk e ka marrë, deri më sot).
Asht e vërtetë se ka një popullsi vllahe në Shqipëri, e cila kurdoherë ka ditur të merret vesh për bukuri me shqiptarët, pavarësisht nga disa dallime e fërkime folklorike që gjithnjë kanë ekzistuar. Me krijimin e shtetit shqiptar, vllehët u integruan më së miri në strukturat e këtij shteti, aq më tepër që, duke mos pasur shumë pasuri dhe prona, një pjesë e konsiderueshme e tyne u arsimuan në shkolla dhe morën në dorë funksione drejtuese në shtet, qeveri dhe kulturë; një pjesë tjetër mërguan jashtë vendit, nga Rumania deri në Argjentinë, dhe kontribuan në hapjen e Shqipërisë ndaj botës, edhe ekonomikisht, edhe në kulturë.
Nëse pjesa më e madhe e vllehëve, dhe në përgjithësi e ortodoksëve në Shqipëri, u hodhën në krahun e Frontit Nacionalçlirimtar të kontrolluar nga komunistët, kjo shpjegohet fare mirë më atë që shumë ortodoksë shqiptarë, edhe disa dekada pas shkëputjes së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kishin mbetur në varfëri të plotë e pa prona, dhe rrjedhimisht fare të ekspozuar ndaj propagandës demagogjike të Frontit që premtonte një rend të ri shoqëror (ndryshe nga Balli, që mbetej në pozita konservative). Por gjithsesi, në asnjë rast nuk mund të thuhet se vllehët kanë punuar për ndonjë program a konspiraci të fshehtë antishqiptare, dhe kanë dëmtuar interesat kombëtare të Shqipërisë.
Përkundrazi. Aq më tepër që, me ndryshimet e mëdha demografike në Shqipëri, identiteti etnik i një pjese të vllehëve shqiptarë, sidomos të atyne në qytete si Korça, Tirana, Durrësi etj., ka ardhur tue u dobësue. Shumë vllehë të Tiranës, për shembull, nuk dinë të flasin arumanisht, por përdorin dialektin tiranas. Një pjesë e mirë e këtyne as nuk dinë edhe që janë me origjinë vllahe. Shkolla të vllehëve pothuajse nuk kanë ekzistue asnjëherë, përpjekjet për të mbledhur dhe ruajtjen e folklorit të tyne kanë qenë sporadike, shkrimtarë vllehë të randësishëm nuk ka fare.
E vërteta asht se sulmi ndaj vllehëve asht thjesht një maskim për sulmin ndaj ortodoksëve shqiptarë. Sot për sot asht pothuajse e pamundur të përcaktohet me siguri “shkencore” se cili ortodoks asht shqiptar jo-vllah dhe jo-grek, e kështu me radhë, aq më tepër që askush nga revizionistët nuk do të ishte i interesue për këtë. Qëllimi asht të izolohet një komunitet i tërë fetar në Shqipëri, të akuzohet për pabesnikëri ndaj atdheut, të emargjinohet nga jeta kombëtare, dhe të deklasohet kulturorisht. Në shumë raste, bombat kundër politikës greke që dëgjojmë e shohim në mediat shqiptare janë të frymëzuara nga ky qëllim i fshehtë. Nuk ka dyshim se izolimi i ortodoksëve në Shqipëri, qofshin shqiptarë, vlleh ose grekë e maqedonas e bullgarë, bëhet më një synim shumë të përcaktuar, i cili synim, për mendimin tim, nuk mund të jetë veçse arritja e një homogjenizimi të Shqipërisë mbi baza fetare. Për ta thënë troç, këta pseudohistorianë e duan Shqipërinë të pastrue prej ortodoksisë.
Utopia për të cilën bëj fjalë nuk ka asnjë shans që të realizohet: e tillë do të mbetet deri në fund, një utopi, një aksident historik, në vijim të atij aksidenti historik tjetër që i solli osmanët në Ballkan. Shqipëria si shtet nuk mund të ndërtohet mbi baza fetare: deri edhe Mbreti Zogu, që nuk ishte oksidentalist e progresist, e kishte kuptue këtë ashtu siç duhet.
Rreziku i kësaj utopie ka të bëjë me trazirat që mund të shkaktojë: në shoqëri, në kulturë, në politikë. Edhe Bosnja në kohën e Titos ishte një model i tolerancës së diversiteteve dhe i osmozës kulturore midis tri bashkësive fetarisht të ndryshme, por pastaj dolën ideologët – në atë rast kryesisht serbomëdhenj, por edhe të tjerët nuk mbetën pas – dhe si rezultat u masakruan me qindra mijëra, u rrafshuan qytete, kultura, dhe tradita të tolerancës, dhe si përfundim? Si përfundim: asgjë. Vetëm dhimbje, shkatërrim, dëshpërim. Që të mos ndodhë një katastrofë e tillë në Shqipëri ndoshta duhet filluar të mobilizohemi që tashti, kur mundësia që kjo të ndodhë duket pothuajse teorike.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Naile Zhupani: Qenan Garip Zhupani..një homazh për një Kaçak të Pollogut!
» Naile Zhupani: Qenan Garip Zhupani-Homazh për një Nacionalist të Pollogut
» Naile Zhupani: You will always know the reason..!
» Naile Zhupani: Ah Gegjnishtja sa te dua!
» Përshëndetje nga Naile Zhupani
» Naile Zhupani: Qenan Garip Zhupani-Homazh për një Nacionalist të Pollogut
» Naile Zhupani: You will always know the reason..!
» Naile Zhupani: Ah Gegjnishtja sa te dua!
» Përshëndetje nga Naile Zhupani
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi