Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë

Shko poshtë

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Empty Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë

Mesazh nga Gur Kepi Mon Jan 12, 2009 9:47 pm

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë


Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Lumo%20skendo
Shkruan:Mit’hat FRASHERI
Dje ra fjala me një mik për karakterin e shqiptarëve, për aftësitë, shoqërizimin, mënyrën e jetesës dhe punës së këtij kombi. Bashkëfolësi im thirri: “Si kështu! Përgjithësisht na i përshkruajnë shqiptarët në trajtën e një populli primitiv (për të mos thënë shoqëri njerëzore e paorganizuar), që nuk ka aftësi tjetër veçse për të luftuar.”

Mirëpo cilësia e luftëtarit, përballja me vdekjen pa iu trembur syri dhe pa ia patur frikën, nuk duhet t’u përjashtojë atyre virtyte të tjera. Vendi i shqiptarëve, i çarë e i coptuar nga natyra dhe nga konfiguracioni i tij fizik, ka krijuar një diversitet të madh dispozitash natyrore dhe prirjesh tek banorët e tij dhe ka bërë që, nëse mes tyre ka ushtarë të shkëlqyer, të mos mungojnë, nga ana tjetër, tregtarët e zotë, zejtarët shumë të aftë dhe punëtorë të vuajtur.
Pjesa më e madhe e udhëtarëve të huaj kanë njohur si shqiptarë veç roje, kavasë ose garden e bukur të Sulltanit në Stamboll, dhe nga kjo kanë krijuar mendimin se shqiptari është një vigan i bukur e i fortë, besnik e trim, të i cili mund të mbështetesh gjithmonë, por që nuk mund të presësh nga ai shumë punë “…se ai është për t’u admiruar për të gjitha mjeshtëritë ku mund të bëjë paradë, pa bërë asgjë.”, siç ka thënë me humor një francez plot imagjinatë.
Këto fjalë që cituam janë si një goditje miqësore në shpatullat e shqiptarëve, përderisa edhe si njerëz paradash, asnjeri nuk është përpjekur t’u zbehë virtytet. “Nëse udhëtari lavdëron Turkun, sepse shërbyesi i tij turk është aq i këndshëm, ju do të zbuloni përgjithësisht se ai është një Shqiptar.” Gjithashtu ju mund të zbuloni se kavaset e të gjitha ambasadave dhe legatave në Stamboll, si edhe ata të konsullatave në qytetet e Turqisë ishin pa përjashtim shqiptare; ata i gjen gjithashtu pranë misioneve të huaja, në firmat e mëdha tregtare dhe të pasanikët e veçantë, kudo ku këta njerëz përmbushin funksionë që kërkojnë takt dhe zgjuarsi, e mbi të gjitha maturi e besnikëri: nuk ka ndodhur kurrë ndonjë zhgënjim dhe asnjë zotëri nuk ka qenë tradhëtuar, vjedhur apo braktisur nga kavasi, edhe para rrezikut për të lënë kokën.
“Shqiptari është një njeri i devotshëm deri në vdekje. Posa merret në shërbim një arnaut është jo vetëm shërbyesi më i sigurtë dhe shoku më i çiltër e besnik në të gjithë Lindjen, por edhe mbrojtësi më i dobishëm në çfarëdo vështirësie që paraqitet.”
Anglezi Brailsford, që pati shkuar në Maqedoni për të shpërndarë ndihmat për bullgarët nga “Komiteti i Ballkanit” i Londrës, pas kryengritjes së tyre më 1903, sapo arriti në Manastir, iu drejtua disa personaliteteve zyrtare të krishterë për t’u kërkuar njerëz të besuar dhe mësoi më në fund se ata njerëz s’ishin veçse shqiptarë myslymanë, ortodokse, katolike e protestante, të gjithë të rekomanduar nga persona jo shqiptarë, nga arqipeshkopë, konsuj ose misionarë. Brailsfordi na thotë se misioni për shpërndarjen e ndihmave kërkontë pesëmbëdhjetë shqiptare dhe gjashtë jo shqiptarë, që do të thotë sllave; nga këta të fundit vetëm dy morën detyra të besueshme dhe madje njëri prej tyre ishte i papërshtatshëm për ato detyra, gjë që do të thotë 50%, ndërkohë që nga shqiptarët nuk pati asnjë të vetëm që të ishte objekt vërejtjeje, kështu që të pesëmbëdhjetët u ngarkuan me detyra të besuara, një përpjestim prej( 6%,)?? ; shifrat flasin vetë.
I lutemi lexuesit të ketë pak durim për të na lejuar që të përshkruajmë këtu një pjesë të librit të Brailsfordit që flet për karakterin e shqiptarëve: “Ndjenja e nderit tek shqiptari nuk është krejt e jashtme. Ai mund të vrasë pa e vrarë ndërgjegja, nëse ofendohet, siç e pësuan në kurrizin e tyre oficerët turq dhe konsujt ruse; dhe nëse vrasësi, një i jashtëligjshëm i vetmuar, e konsideron këtë veprim si armiqësor ndaj fisit, ai do të luftojë deri në fund, më mirë se sa t’u dorëzohet autoriteteve. Ai është gjithashtu i përpiktë në fjalën e dhënë. Për ta mbajtur këtë fjalë, ai do të përballojë vetë çdo rrezik dhe fisi e ndihmon atë me çdo sakrificë. Është jashtëzakonisht mesjetare, pa dyshim, kjo ndjenjë nderi tek shqiptari; ka mizori dhe çmenduri gjakësore, por ka njëfarë dinjiteti të brendshëm të një shpirti kalorsiak.
Më bëri përshtypje të thellë një rast që shërben për të dëshmuar në mënyrë më të përgjithshme nga ata që i njohin më mirë shqiptarët, se cili është karakteri i tyre. Nga Fondi Britanik në Maqedoni kërkohej, dimrin e fundit, një punë bamirëse, për të dërguar një shumë të madhe parash në ar, nga Manastiri në Ohër, Resna, dhe në vende të tjera ku në kishim qendra. Metoda më e zakonshme ishte të dërgonim kavasin tonë shqiptar, një djalosh i quajtur Hasan, me kuaj përmes malesh, me pushkën në krah e me paratë në brez. Asnjë njeri nuk dukej se vinte në dyshim besën e këtij kalorësi. Ai dërgoi më parë një shumë të vogël, më pas një të madhe, dhe asnjë penny nuk humbi. Ai arriti në Ohër me një shumë prej 400 paund, e ndërsa unë i numëroja, qëndroi me një pamje vetbesuese e të ndershme, që të kujtonte një mësues anglez e jo një fshatar ballkanas. Kishte një fytyrë që do ta kishte besuar çdokush, të këndshme, shpirtmirë, me sy blu e flokë bjond si të ishin të një anglezi a norvegjezi. Paratë ishin fiks. Si zakonisht, ne pyetëm Hasanin nëse ai dinte ndonjë hotel në qytetin e rrëmujshëm me rrugica të ngushta, të shkreta, me rrënoja, të Ohrit. Ai qeshi me pyetjen. Ai njihte çdo pëllëmbë të qytetit. Kishte njëfarë humori në sytë e tij që më bëri ta pyes se si e njihte vendin kaq mirë. Ai vinte nga një vend i largët dhe kishte jetuar vetëm një vit në Manastir. Çiltër, pa ndrojtje dhe me kënaqësi m’u përgjigj: “Kam qenë me Shahinin.” Instiktivisht ndjeva shqetësimin e marrë se mos qeset me para ishin në dorën e Shahinit (Skifterit), i cili ishte briganti më i njohur në ato rrethina, një lloj Robin Hudi që vidhte me art dhe vriste me ironi, ishte njëfarë tirani i pakurorëzuar i krahinave…
Ia tregova historinë një miku. “E përse nuk ke besim tek djaloshi? – tha ai. Brigandazhi është një profesion si gjithë të tjerët. Kur ai ishte brigant, ishte besnik i bandës; kur është në shërbimin tuaj, do të jetë besnik ndaj jush.” Dhe në të vërtetë Hasani kishte bërë betimin, sikurse një djalosh anglez mund të kishte thënë: “Shërbeva në Gardën Perandorake” ose “Isha me Baden Powel”. Por më domethënësja e të gjithave, ishte ajo me të cilën një peshkop bullgar iu përgjigj dyshimit tim: “A do t’i besonit atij?” - e pyeta unë. “Është apo nuk është shqiptar!” - ishte përgjigja. Ndër shekuj, sllavet dhe shqiptarët kanë qenë në armiqësi për vdekje, të papajtueshme. Dhe ja komenti i një armiku për karakterin e tjetrit.
Hasani ishte fshatar dhe myslyman. Ne patëm madje raste më të mira për të gjykuar për cilësitë e shqiptarëve që i përkisnin çfarëdolloj sekti të krishterë dhe niveleve të ndryshme kulturash. Nuk pati paragjykime për ndërgjegjen e tyre. Kur numërova vendasit që na shërbyen në punë të ndryshme, në shtatë depo me ndihma, gjeta se ishin 15 shqiptarë dhe vetëm 6 nga raca të tjera, dhe nga gjashtë vetëm dy kishin pozitë përgjegjësish dhe vetëm njëri nga të dy provoi se ishte i dobishëm. Nga 15 shqiptarët, asnjeri nuk mori as qortimin më të vogël, megjithëse ata menaxhuan mijëra paund: unë do të garantoja për ndershmërinë e përpikmërinë e secilit prej tyre. Më kujtohet se kur arrita, shkova në misionin protestant për të kërkuar rekomandim për disa ndihmës të ndershëm për shitjen dhe shpërndarjen e ushqimit, çarçafëve, rrobave etj., misioni pati qenë i gatshëm për këtë punë. Kur u plotësua lista, vura re se për çudi, çdo emër në listë ishte shqiptar, ndonëse misioni protestant ishte për bullgarët. Prifti katolik ishte i sigurtë se ndershmëria nuk përputhej me kristianizmin lindor dhe u tregua i gatshëm të gjente një vendas nga Manastiri, katolik sigurisht. U pa se edhe ky njeri ishte shqiptar. Ndjeva një çlirim të madh. Tek e fundit, është një racë që as feja e as edukimi nuk mund ta korruptojë. Pra stafi ynë me shqiptarë, përmbante shumë myslymanë, ortodoksë, protestantë dhe katolikë. Mendoj se një nga burrat më të mirë që kam njohur, ishte një protestant. Ai kishte një fizik madhështor, por kishte lindur në qytet e nuk kishte mbajtur kurrë armë. Në kohën kur autoritetet turke në Kostur po masakronin fshatarët bullgare, që erdhën në spitalin tonë, duke rrahur ca prej tyre e duke arrestuar ca të tjerë, e duke i futur në ambulancën turke, unë e dërgova këtë njeri të qëndrojë tek portat e qytetit dhe të më njoftojë sapo të shihte ndonjë dhunë ndaj atyre që në i kishim marrë në mbrojtje.
Ai nuk humbi kohë, por e mori vetë në dorë situatën. Ai u fut ashtu zbathur, i paarmatosur, “gjaur” siç ishte, në mes të ushtarëve e xhandarëve turq, shpëtoi fshatarët bullgarë dhe i shoqëroi triumfalisht në spitale. Arma e bën shpesh bullgarin kryengritës, por vetëm një shqiptar mund të kishte treguar kaq guxim, si ky, i paarmatosur në mes të turqve të armatosur. Ka tek shqiptarët karakteristika edhe më të rralla se këto. Ndershmëria dhe guximi në shkallë të ndryshme janë pronë e të gjithë malësorëve të vërtetë. Motrat shqiptare të Urdhërit St. Vincent Paul, që punonin në Manastir nën drejtimin e një superiori francez dhe në spitalin e Kosturit nën drejtimin e një zonjë angleze, Motrës Augustinë, dhanë prova të një devocioni të rrallë. Të lindura në një vend ku asnjë grua nuk ëndërronte për sferat jashtë shtëpisë (që konsiderohen harem,) ato patën frenuar çdo kënaqësi praktike të shpirtit, për hir të disiplinës dhe rregullit në Urdhër. Ato nuk vuanin as nga ndonjë ndjenjë ekspozimi, as nga infeksioni, as nga lodhja dhe asnjë zonjë evropianë me qytetërim shekullor, nuk do të dukej para tyre më xhentile dhe më simpatike. Ato ishin nga krahinat e egra të Veriut të Shqipërisë. Mendoj se burrat e familjeve nga të cilat ato kishin hequr dorë, janë akoma më të egër në thelb. Ishte vështirë të të shkonte mendja që këto gra që flisnin atë frengjishte aq të kultivuar dhe që mendonin sipas krishterimit Perëndimor, ishin motrat dhe vajzat e fiseve Gege.”
Si ushtarë e luftëtarë, shqiptarët kanë një nam të madh për të cilin është folur shumë. Ata jo vetëm përbënin trupat më të mirë të Turqisë, por kanë shkëlqyer dhe kanë bërë shërbime të larta edhe si kondotierë (strutiotes) pranë princave të Perëndimit, në Itali, Francë e madje deri në Flander, ku ata shërbyen në trupat perandorake. Thuhet gjithashtu se arti ushtarak i detyrohet diçka shqiptarëve, të cilët kanë qenë të parët që kanë futur në Perëndim kalorësinë e lehtë. Shihet pra se shqiptarët pasi kanë bërë që të shkëlqejnë flamujt dhe shenjat e tyre në luftën e lavdishme kundër turqve në shekullin e XV, nuk kanë qenë më pak të shkëlqyer tek princat e tjerë, në shërbim të të cilëve kanë hyre, si edhe nën turqit, ku një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë përqafuar Islamizmin.
Është gabim që t’i akuzosh ata se i kanë shërbyer vetëm çështjes së Gjysmëhënës Turke. Në fillim të shekullit të kaluar i shohim ata që t’i shërbejnë Kryqit me një trimëri dhe vetmohim të tillë që historia pak ka njohur. Por nëse shqiptarë të tillë si Omer Vrioni, Ibrahim Pasha, (i biri i Mehmet Aliut të Egjiptit), Mustafa Pasha i Shkodrës, dhe Aleksandri i Zi (i Mirditës) luftuan për Sulltanin, ata kishin përballë shqiptarë të tjerë, heronjtë e Sulit dhe të Hidrës, Boçarët, Xhavellet, Bubulinat, Miaulet, që derdhen gjakun e tyre bujar për lavdinë e kryqit.
Pasi shkrova këto rradhë, desha të di se ç’kanë menduar të tjerët në përgjithësi për shqiptarët dhe mora një vëllim mes librave e tjerë të vjetër, ashtu si ma zuri dora: është një fjalor gjeografik i vogël dhe ja se çfarë lexoj në fq. 13, fjala Shqipëri:
“Shqipëri, provincë e Turqisë Evropianë në gjirin e Venecias, e kufizuar në jug me Livadhinë, në lindje me Thesalinë e Maqedoninë, në Veri me Bosnjën e Dalmacinë. Ajo përbën Ilirinë e lashtë greke dhe Epirin. Ka verëra të shkëlqyera. Banorët janë trupmëdhenj, të fortë, guximtarë, të palodhur, kalorës të mirë dhe hajdutë të mëdhenj.”
Mund t’i zhdukja dy fjalët e fundit dhe të kurseja një fjalë të pakëndshme për t’u mbrojtur, por si e mendova mirë, ato dy fjalë më vlenin për argument. Nga ana tjetër ishte më mirë për ta parë në sy të pakëndshmen. Dhe nuk ishte aty gabimi, krimi, defekti, që i vishet shqiptarit, duke e quajtur vjedhës e brigant? A nuk janë poetët, romancierët dhe publicistet ata që i kanë vënë me qëllim shqiptarit, vulën e brigantit e të egër, prerës kokash e hajdutrrugësh?
Gur Kepi
Gur Kepi

Numri i postimeve : 59
Age : 71
Registration date : 08/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Empty Re: Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë

Mesazh nga Gur Kepi Mon Jan 12, 2009 10:10 pm

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë


Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Lumo%20skendo
Shkruan:Mit’hat FRASHERI
Në çdo gjë ka ekzagjerime dhe imagjinata. Le të shqyrtojmë pra çështjen me gjakftohtësi, në mënyrë të paanëshme, e mbi të gjitha objektivisht dhe aspak për nevoje rimë apo mase, e as për pasionë politike.
Pikësëpari unë nuk gjej asgjë të jashtëzakonshme e as tronditëse, që në Shqipëri ka brigantë. Është thjesht për të ardhur keq, por aspak e përbindshme. Mos harrojmë se në Turqi, brigandazhi konsiderohej kudo një nder ashtu si edhe në Evropë, apo në Azinë e Vogël. Mos harruam që Anadolli është krimbur nga brigantët dhe se Bullgaria e Serbia kanë patur bandat e tyre brigante? A nuk dihet se fjala kleftë e poetizuar dhe e “ngritur në qiell”, do të thotë thjesht bandit e hajdut në gjuhën greke?
Dhe nuk bëhet fjalë për historinë e lashtë; nuk flitet aspak për një të kaluar të largët, të humbur në mjegullën e kohërave: banditët, brigantët dhe hajdutët, me një fjalë kleftët, janë të një epoke krejt moderne në Greqi, për të mos thënë bashkëkohore. Kujt nuk i kujtohet nga udhëtimet e tija dhe që akoma do të dëshironte të mos i sillte ndërmend, brigandazhin që lulëzonte në një të kaluar jo fort të largët në vetë Italinë?
Çfarë ka pra anormale që paskanë ekzistuar brigantë edhe në Shqipëri, në një vend të nënshtruar nga Turqia, dhe ku për pasojë, çdo gjë nxiste brigandazhin dhe nuk bëhej asgjë për ta ndaluar?
A është brigandazhi në Shqipëri një efekt logjik dhe i kobshëm i administratës Osmane, apo është një institucion kombëtar i shqiptarëve?
Përgjigja jonë është e shkurtër. Gjatë pak a shumë një viti e gjysëm që zgjati qeveria shqiptare (fundi 1912-gjysma e parë e 1914), nuk është shënuar asnjë ngjarje brigandazhi, vjedhje apo grabitje në gjithë Shqipërinë.
Tjetër fakt: gjatë afërsisht dy vjetëve që zgjati Lidhja e famshme e Prizrenit më 1880, nuk ka asnjë rast brigandazhi dhe Veriu i Shqipërisë, domethënë rajoni mbi të cilin ushtronte pushtet Lidhja Kombëtare, ka gëzuar një siguri të plotë.
Një provë tjetër na vjen në ndihmë: dihet se në vitin 1912 shqiptarëve iu desh të luftonin shovinizmin e xhon-turqve dhe një pjesë e madhe e vendit kish ngritur krye. Në një kohë të dhënë shqiptarët e munden Turqinë. Ata hynë në qytetet e mëdha, përfshirë Prishtinën dhe Shkupin, ku i gjithë autoriteti osman pushoi së ekzistuari dhe u bënë zotër absolute, duke mos iu bindur veçse eprorëve të tyre. Kjo gjendje vazhdoi disa javë dhe një dëshmitar që i kishte parë gjërat me sytë e tij në Shkup, me tregoi me një admirim të madh se, gjatë kohës që qyteti kishte mbetur i tëri nën mbrojtjen e “shqiptarëve të egër”, nuk ndodhi asnjë krim, asnjë vrasje, asnjë hakmarrje. Këta malësorë të armatosur nuk preken asgjë, nuk vranë e nuk vodhën as edhe një copë bukë. Edhe kur udhëheqësit e tyre u dhanë urdhur për t’u tërhequr, të gjithë u larguan me po atë dinjitet dhe me po atë disiplinë me të cilën kishin ardhur.
Pra shqiptari është i zoti të mbajë disiplinë e rend. Brigandazhi nuk është në natyrën e tij. Megjithëse Brasfordi e thotë shumë mirë në shkrimin e tij, që në sapo e përmendëm më lart, shqiptari ka një ndjenjë shumë të theksuar dinjiteti e sedër të madhe, madje ato i ka në një shkallë të tepruar. Mund të themi se ideja e nderit dhe karakterit të tij mbizotërues, është preokupimi më i madh. Ky e bën kaq mikëpritës, saqë e quan si fyerje personale mospranimin e mikpritjes që ai ofron. Autori i këtyre radhëve, shtatë vjet më parë, shkoi nga Gjakova në Mirditë, duke kaluar nga Ura e Vezirit mbi Drin. Në anën tjetër të urës, një shqiptar, rreth të 50-dhjetave, vinte kaluar mbi kalë. Atij na i paskësh rënë në sy ardhja e të huajit që nga larg. Ky burrë dëshironte që ne të shkonim për të bujtur tek ai, ose të paktën të ndalonim pak aty. Në ishim me ngut dhe nuk deshëm të humbisnim kohë. “Nëse ju nuk pranoni që të jeni mysafirët e mi tani që po kaloni fare pranë shtëpisë sime, do të jem i shtrënguar që të heq dorë përgjithnjë nga nderi për t’ju parë tek unë, sepse me siguri, ju nuk do të keni më kurrë rastin të kaloni sërish kësaj rruge!” Në u detyruam të ndalojmë.
Po kjo ndjenjë i bën shqiptarët që ta refuzojnë bakshishin. Ata jo vetëm nuk e lënë kurrë mikun të paguajë, por ndodh madje fort rrallë që një shqiptar të pranojë ndonjë shpërblim për shërbimin e tij, kur ai e ka bërë atë për hir të nderit apo të miqësisë. Më vjen gjithnjë në mend diçka që më ka treguar një mik i moshuar, shumë i pasur, që kishte udhëtuar nga Durrësi në Elbasan, i shoqëruar nga një xhandar fshati.Ky ishte treguar shumë i gatshëm për t’i shërbyer plot përkujdesje dhe ishte shumë i gëzuar që do të kish mundësi t’i bënte të gjitha nderet e fshatit të vet një të huaji të shquar si ai. Kur arritën në vendin për ku ishin nisur, udhëtari deshi ta shpërblente xhandarin për shërbimet e mira, por ai refuzoi me shumë ëmbëlsi dhe tha duke u skuqur se e quante veten të nderuar që i ishte gjindur një mysafiri që udhëtonte në fshatin e vet.
“Qoftë Vezir i madh në Stamboll, apo bari në vetminë e Pindit, shqiptari (kështu e quan ai veten) është një aristokrat, një njeri i lirë, një fisnik.”
Në Shqipëri, edhe shërbëtori trajtohet me respekt e dashuri nga i zoti, duke u thirrur “djalë” ose “djem”, “bir”, “çun” dhe “trim” ose “guximtar”. Këto janë fjalët që zëvendësojnë shpesh ato të shërbëtorit dhe të hyzmeqarit.
Oficerët turq e kanë paguar shpesh me kokë ofendimin personal që i kanë bërë një ushtari shqiptar. Në vitin 1911, një oficer gjerman që ishte në shërbimin e Turqisë, u vra nga një ushtar shqiptar në Vildiz, pasi gjermani e kish goditur me shuplake. Konsulli rus në Manastir, Rotkorsky, që kish marrë zakonin e keq për të fshikulluar ushtarët turq, gjeti vdekjen nga një shqiptar-roje, të cilin deshi ta trajtonte sipas zakonit që kishte.
Por le të kthehemi tek brigandazhi. Puna është që ky ka ekzistuar në Shqipëri. Ka patur brigantë që mund t’i quajmë të profesionit dhe ata të rastit. Këta të fundit ishin në përgjithësi të persekutuar nga qeveria osmanë ose njerëz të cilët kishin pasur ndonjë hesap me ndonjë më të fortë se vehten, ndonjë njeri jashtë ligjit, që i fshihej drejtësisë ose padrejtësisë. Të tjerët e ushtronin këtë zanat për shkak të pangopësisë së tyre dhe nga dembelleku, kështu që mernin emrin brigantë të zanatit.
Tani brigandazhi i profesionit nuk gjendet veçse tek banorët e Lumës, Mirditës dhe në Malsinë e Dibrës, në Veriun e Shqipërisë si edhe në Jug tek Lebërit, midis Vlorës dhe Gjirokastrës, të cilët janë të njohur për vjedhje e grabitje. Në pjesën tjetër të Shqipërisë vjedhja nuk njihet: në Kosovë për shembull, e unë flas sidomos për Pejën e Gjakovën, vende për të cilat jam i informuar shumë mirë, mund të udhëtosh i ngarkuar me flori pa patur frikë se të ndodh gjë. Atje, kur gjejnë kufomën e ndonjerit të vrarë nga hakmarrja, me siguri që do të gjesh tek i vrari gjithë ç’ka pasur me vehte, sepse vrasësi e ka lavdinë se ka marrë hakun dhe është shpaguar për shpirtin e një prindi a farefisi. Ai do të konsiderohej përjetësisht i pandershëm nëse do të vidhte viktimën e tij.
Brigantët e Mirditës e ushtrojnë zanatin e tyre mbi banorët e fushës së Tiranës dhe Krujës, që janë pa përjashtim myslymanë; ata të Lumës e Dibrës i bëjnë grabitjet mbi myslymanë e të krishterë. Të parët e vuajnë vjedhjen me shumë se të dytët, se nuk është e drejtë të thuhet se të krishterët janë ata që e vuajnë. Njësoj është vjedhja që bëjnë Lebërit.
Lajmi Shqip
Gur Kepi
Gur Kepi

Numri i postimeve : 59
Age : 71
Registration date : 08/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Empty Re: Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë

Mesazh nga Gur Kepi Mon Jan 12, 2009 10:14 pm

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë


Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Lumo%20skendo
Shkruan:Mit’hat FRASHERI

Duhet kërkuar shkaku i këtij veprimi të mallkuar tek gjendja e prapambetur në të cilën ka mbetur Shqipëria dh në mënyrë të veçantë të moskujdesjes së Qeverisë Osmane, e cila mund të themi se asnjëherë nuk e ka njohur dhe as ka dashur që ta çrrënjosë këtë të keqe. Përkundrazi, regjimi turk mund të themi pa frikë se mund të na përgënjeshtrojnë, e ka inkurajuar sa ka mundur brigandazhin, duke gjetur madje përfitime. Këtu futen si funksionarët civile ashtu edhe ata ushtarake.
Natyra e varfër e Shqipërisë ka kontribuar në ruajtjen dhe në zhvillimin e zakoneve të kobshme. Një administrim i mirë e mbi të gjitha, ndryshimi i kushteve ekonomike, do të bëjnë që të harrohet zakoni i poshtër. Provën na e sjell krahina e Kolonjës, mes Korçës dhe Leskovikut, në Shqipërinë e Jugut, që i famshmi Pukevil, konsull i Francës, pranë Ali Pashës së Janinës, e përshkruan si një vend brigantësh. Tani pas njëqind vjetësh kushtet kanë ndryshuar dhe banorët e Kolonjës, duke hequr dorë nga të mirat që u sillte zanati i rrezikshëm i armëve, e fitojnë jetën me ndershmëri dhe me çmimin e punës së tyre, duke shkuar për të kërkuar bukën jashtë vendit të tyre, kur ai nuk mund t’ua sigurojë dot.
Dy fjalë mbi të famshmen hakmarrje të shqiptarëve. Ky zakon i kobshëm e i dhimbshëm nuk është vetëm i tyre, perderisa gjendet edhe në Korsikë dhe tek Mainotet e Moresë. Në një krahinë pa institucione drejtësie të organizuara dhe agjentë të sigurisë publike, gjakmarrja ka shërbyer deri në një farë pike si një institucion rregullues, i aftë për të frymëzuar respektin e njerëzve dhe për të parandaluar të keqen.
Gjakmarrja ka ligjet dhe kodet e veta, të pashkruara, por që megjithatë respektohen. Duhet të mos i bëjmë sinonime krimin dhe vrasjen: zakoni i gjakmarrjes, që të paguash ose të marresh gjak, është një e keqe që e pëson, por se cilës i nënshtrohesh, duke ë pranuar, si një fataliteti të pashmangshëm.
Karakteri i shqiptarëve nuk është i prirur ndaj mizorisë: vërejtjet që bëra më detyrojnë më tepër të njoh se ka shumë më tepër shpirtmadhësi tek ata sesa tek çfarëdo popull tjetër pranë tyre. Në kryengritjet e tyre kundër turqve, në mosmarrëveshjet e tyre me grekët e serbët, shqiptarët janë sjelle njerëzisht dhe me maturë, por janë shpërblyer me tradhëti dhe mizori të ftohtë. Sjellja e shqiptarëve gjatë kryengritjeve fshatare të vitit 1914, më ka mbushur mendjen për sa kam thënë më lart dhe që ia vlen të studiosh mënyrat e tyre të veprimit, duke i krahasuar me ato që kanë ngjarë në Rumani (1907), në Maqedoninë Bullgare (1902) si edhe në ditët tona në Rusi.

Përgjithësisht besojmë se shqiptarët në vendin e tyre nuk merren me gjë tjetër veçse me blegtori dhe se ata preferojnë jetën baritore, kundrejt asaj që është plot me lodhje nga puna. Është e vërtet se malet e Shqipërisë ushqejnë kope të panumërta delesh të vogla, që në Turqi quhen kirirdjiks, me mish të shijshëm dhe me lesh shumë të butë. Mali i Sharit në Veri të Shqipërisë dhe malet paralele me bregdetin, që shtrihen nga Vlora deri në Prevezë, ishin vlera të mëdha, që përbënin për Jugun, së bashku me ullishtet e vreshtat, burimet pasurore të banorëve. Themi përbënin, sepse numri i dhenve që shqiptarët kanë humbur gjatë Luftës Ballkanike të 1912-1913-s është vlerësuar më shumë se dy milionë.
Por rritja e dhenve në vendet malore të Shqipërisë nuk e pengon zhvillimin e bujqësisë në vendet e tjera: fusha e Korçës dhe e Starovës, Lugina e Devollit, krahina e Gorës, fusha e Kalkandelenit, e mbi të gjitha tokat që shtrihen nga Peja në Gjakovë, janë kultivuar me kujdes të madh dhe përparimi i bujqësisë është me të vertetë i mahnitshëm. Të gjithë ata që kanë udhëtuar nga Peja në Gjakovë janë mrekulluar nga bukuria e fushave dhe e pemëtoreve, nga kanalet ujitëse, që shërbëjnë për të vaditur e deri livadhet, ku të gjitha vijat e ujit janë të ndërlidhura. Këta fshatarë janë shqiptarë autentikë dhe myslymanë pa kurrfarë përzierje me gjak sllav. Dhe ndërsa toka fushore mes dy qyteteve të mëdha të Veriu, Pejës dhe Gjakovës, si edhe pjesa tjetër e Fushë Kosovës, jep drithëra dhe plot fruta, fusha e Kalkandelenit , Starovës, Korçës dhe e Devollit janë pemishte të vërteta, të admirueshme për drithërat, perimet dhe frutat e tyre të mrekullueshme.
Artet dhe mjeshtëritë nuk janë edhe aq të lëna pas dore, siç mund të mendohet. Qytetet e mëdha të Veriut, Prizreni e Gjakova, janë të përmendura me të drejtë për punimin e hekurit, arit dhe të argjendit, ku zejtarët dallohen me të vërtetë për punimet e tyre artistike të filigramës dhe qëndisjes: atje prodhohen ato armë të bukura, ato thika e shpata çeliku, ato qyta dhe doreza pushkësh e armësh të gdhendura e plot relieve artistike. Në ato qytete janë të përmendura gjithashtu punimet e holla të qëndistarisë mbi lëkurë e kadife, ato punime të bukura me të cilat shqiptarët zbukurojnë veshjet e tyre ose rripat e gjerë prej lëkure që mbajnë armët e tyre.
Punimet e qëndistarisë bëhen kudo me shumë finesë, nga Janina në Shkodër, dhe madje disa qytete si Tirana e Elbasani e Shkodra gëzojnë një famë të madhe për elegancën dhe hollësinë e pëlhurave të mëndafshta.

Një shkrimtar francez i cili ka qenë padyshim edhe disi poet, ka shkruar këto radhë, në drejtim të shqiptarëve:
“Nëse feja në ato anë ka mundur të qëndrojë që nga krishterimi deri tek muhamedanizmi, dhe nga katolicizmi tek skizma greke, është një gjë që mbetet e pandryshuar tek ky popull. Është pasioni i pavarësisë dhe i lavdisë. Është dallimi kryesor i karakterit, burimi i heroizmit. Në të gjitha kohët Shqipëria ka qenë vendi klasik i heronjve: Homeri ka gjetur Akilin, Greqia Aleksandrin e Madh, Papa Eugjeni i IV Skënderbeun.”
Por është gjithashtu një shkrimtar tjetër francez, më modern, që shprehet në një mënyrë më pak poetike, por shumë më konkretë për shqiptarët: “Ekziston në Gadishullin Ballkanik një popull i cili nuk ka rrojtur kurrë nga vetja e vet e as për veten e vet, por roli i tij gjatë shekujve ka qenë që ai që t’u japë pa ndërprerje kombeve fqinjë lëndë njerëzore. Shqipëria ka qenë rezervuari ku Grekët, Romakët, Bizantinët e Turqit kanë marrë njeri pas tjetrit. Ndërkaq nën një formë protoplazmike disi, dua të them në masë të paorganizuar, raca shqiptare ka mbushur boshllëqet e hapura nga luftërat ose dekadenca në botën lindore. Nganjëherë në të kundërtën, ajo botë është ngritur, personifikuar te një njeri i madh, dora e të cilit, pavarësisht se cili ishte, Mehmet Ali, Ali Tepelena, Skënderbeu apo Pirroja, trondiste një kënd tjetër të botës dhe shënoi mbi popujt vulën e gjënisë së vet. Jeta e shqiptarëve gjatë atij shekulli, vepra e tyre në Egjipt, ku ata ishin mbretër, në Greqi ku ata qenë punëtorët e vërtetë të pavarësisë, duhet të na shpjegojë mirë epoka të historisë së lashtë. Edhe kur shqiptarët hakmarrin Aleksandrin, Akilin etj., ekzagjerimi nuk është veçse në formë, paradoksi përmban një të vërtetë.
Edhe një fjali para se të ndahem nga lexuesi im i dashur. Nuk është aspak një apologji për shqiptarët, që kemi dashur të bëjmë në këto faqe. Kemi dashur t’u japim atyre të drejtën. Nuk është lëvdata ditirambike ajo që kemi synuar, por e vërteta. Është shkruar shumë pak për shqiptarët dhe mund të shkruhet akoma më shumë për ta. Ata vetë kanë neglizhuar shumë për publicitetin dhe kanë bërë shumë gabim. Është mirë që të veprohet, por duhet gjithashtu që të bëjnë të njohur vetveten, sepse në qoftë se Bomarsheja këshillonte shpifjen, Max Nordan nga ana e tij ka dhënë mesazhe të çmuara për të folur shpesh për vehten e tij.
E mbaruam ekspozimin tonë të shkurtër me një fjalë që i vishet M. Bernardit. Është bërë për përshkrimin që paraqitëm. Shqiptarët, kanë jetuar shumë pak për vehten e tyre. Veprimtarinë e tyre, gjakun e tyre, talentin e tyre e kanë përfituar fqinjët. Ata kanë flijuar esencën më të mirë të tyre për të mirën e të tjerëve. Kështu ka ndodhur deri tani, por është pikërisht një epokë e re që duan të fillojnë sot: të jetojnë dhe të punojnë për vehten e tyre, për Shqipen e tyre.


Lajmi Shqip
Gur Kepi
Gur Kepi

Numri i postimeve : 59
Age : 71
Registration date : 08/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë Empty Re: Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi