Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Agron Tufa: Ah, sikur t’ju vija edhe një herë në rresht!

Shko poshtë

Agron Tufa: Ah, sikur t’ju vija edhe një herë në rresht! Empty Agron Tufa: Ah, sikur t’ju vija edhe një herë në rresht!

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 11, 2009 12:51 am



Agron Tufa: Ah, sikur t’ju vija edhe një herë në rresht! U1_AgronTufaAh, sikur t’ju vija edhe një herë në rresht!

Nga Agron TUFA

Fshati B. ishte më i madhi në Dibër pas fshatit tonë. Ai gjendej si ndonja gjysmë ore rrugë në këmbë. Kur ra pushteti i PPSH-së, me rënien e kooperativave, si në të gjitha fshatrat e tjerë, edhe në B., toka iu kthye pronarëve të parë.

Kjo ndodhi shumë shpejt, pa as më të voglin sherr, ngase senatet e pleqve për çdo katund i dinin kufijtë e vjetër. Kështu ndodhi edhe me Nazmi Muhametin nga fshati B. Pleqtë e stërpleqtë e vjetër vunë gurët e kufijve në arat që i kishin takuar babait dhe gjyshit të tij. Do thënë e vërteta, se sasia e tokës që trashëgoi Nazmiu, pas prishjes së kooperativave ishte e papërfillshme.

Nazmiu kishte shumë vëllezër dhe vëllezërit bashkë me Nazmiun kishin qenë rracë e shtueshme me shumë djem. Dhe dihet që kaposhi i vogël i tokës u katandis një thelë. Megjithatë, edhe me aq pak tokë, familja e Nazmiut e siguronte bukën e çerepit për gjithë vitin pa problem: gruri i vjetër e kapte grurin e ri. Por Nazmiu kishte rënë nga vakti me këtë trashëgim tokash, ngase renditej më i varfëri krahasuar me bashkëfshatarët e tij, të cilët me sasinë e madhe të tokave pjellore të fshatit B., kishin mundësinë të mbillnin perime e blloqe frutore, të bënin me prodhimet e tokës atë tregti të vogël, por të sigurt të konsumit, që u mjaftonte për një ekzistencë modeste.

Të tjerët që pretendonin më shumë se kaq, morën udhën e kurbetit, duke kapërcyer “partizançe” kufirin grek, e më të rrallë, të hidheshin në Itali. Si gjithë të tjerët mori udhën e kurbetit edhe djali i madh i Nazmiut. Të gjithë të tjerët gjetën një mënyrë për t’i lajmëruar familjet e veta ku janë, me çfarë merren dhe, herë pas here ktheheshin në shtëpitë e tyre, po djali i Nazmiut nuk u bë i gjallë, as me telegrame, as me fjalë. Pasi kaloi viti i parë pa asnjë lajm prej tij, familja e Nazmiut, fshati dhe farefisi i tij u shqetësuan.

Pothuajse të gjithë emigrantët e fshatrave tona, madje në mbarë Dibrën, nisën të interesoheshin, me të pyetur, në të gjitha cepat dhe ishujt e Greqisë, e disa edhe në provincat dhe qytetet e Italisë, por pa rezultat: djali i Nazmiut, Tushi (siç i thërrisnin shkurt Metushit) kishte humbur pa nishan. Puna vështirësohej, se askush nuk e dinte çfarë emri grek kishte zgjedhur Tushi për të maskuar emrin dhe sidomos mbiemrin e tij mysliman. Kur u mbush dhe viti i dytë pa asnjë haber nga Tushi, shpresat u venitën. Aty nga vjeshta e tretë e vitit 1993 fshati B. e quajti të humbur birin e tij, Metush Muhametin. Ndër ta dhe i ati, Nazmiu. Vetëm e ëma, Qetabia, rrinte deri vonë në dritare, ditën, por edhe natën kur zgjohej.

Çdo zhurmë e vogël në kopsht, çdo kum hapash në rrugën ndanë shtëpisë e bënin të brofte nga vendi e të hidhej në dritare. Ajo ishte syçelë, mbante vesh kur kthehej ndonjë emigrant, qoftë edhe nga katundet e largëta dhe pyeste, mos ndoshta e kishte parë qoftë edhe njëherë Metushin e saj. Nazmiu, e thamë, i kishte “lëshuar dushk” kësaj pune; ai pajtohej me mendimin e përgjithshëm të fshatit, që djalin e tij ose e kishin vrarë ushtarët grekë të kufirit, ose e kishin rrëmbyer lumenjtë e rrëmbyeshëm. Atëherë ai filloi t’i urrente që të gjithë, pa përjashtim, me të afërmit, miqtë, komshinjtë, njerëzit e pushtetit lokal, dhe sidomos qeverinë, por më shumë nga të gjitha - demokracinë, si pjella e të gjitha të këqijave.

Nuk se kishte lënë një përshtypje të mirë edhe më parë Nazmiu. Katundarët e tij e mbanin mend gjithmonë si një xhahil dhe vegël të Partisë. Në fillim Nazmiu kishte qenë Kryetar i Këshillit në B. Mandej e kishin caktuar Kryetar të Kooperativës së Bashkuar, por meqë ishte i pashkollë, e ulën në rangun e Përgjegjësit të Sektorit. Në këtë detyrë Nazmiu e shtyu për 12 vjet, kohë gjatë të cilës forcoi pozitat e tij si kandidat partie e mandej si anëtar i saj me teserë të kuqe, të cilën e mbante gjithmonë në xhepin e këmishës, pranë zemrës.

Pikërisht gjatë kësaj kohe Nazmiu filloi të bëhej i urryer apo “xhahil”, pasi në një darkë të shtruar nga Kryesia e Kooperativës me rastin e përurimit të stallave të reja, Nazmiu kishte ngritur gotën e rakisë dhe i kishte ftuar të gjithë të pinin me fund “për shokun Enver dhe për idealin e Partisë”. Njëfarë Isai, Isa Gjoka, brigadier i brigadës së ustallarëve, nuk e kishte pirë me fund.

- Pse nuk e ktheve me fund, ti, shoku Isa, - i kishte thënë më të bërtitur Nazmiu.
- Apo zotrote nuk e do shokun Enver? – e kishte ngucë dhe më tej ai.
- Jo, nuk e dua! – qe përgjigjur thatë e prerë, brigadieri Isa, dhe fill mandej kishte rënë një heshtje e nderë. Të gjithë vështrimet qenë ngulur mbi fytyrën e ngrysur të Isait.
- A ban me e ditë, pse? – kishte pyet i turbulluar Nazmiu në atë valle burrash të shtetit.
- Sepse, - kishte nisur shpjegimin diplomatik Isai, - Enver Hoxha është shumë i madh dhe nuk e nxë dot gota e rakisë. Atë e do gjithë populli shqiptar, gjithë proletariati ndërkombëtar dhe...
Por Nazmiu ia kishte prerë vrazhdë fjalën, duke i thënë:
- E dimë këtë, por ti, ti, pse nuk e do?

Isai kishte nisur të shpjegohej, por Nazmiu i tërbuar e skuqur si lafshë këndesi kishte urdhëruar disa djem të rinj të hiqnin prej andej të poshtrin dhe provokatorin. Dhe Isain e kishin hequr zvarrë sa hap e mbyll sytë.

Po atë mbrëmje Isain e arrestuan. Në gjyq Nazmiu, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit, thotë një duzinë fjalësh të tjera që Isai as i kishte thënë dhe as i kishte patur ndërmend t’i thoshte. Nazmiu qe njeriu vendimtar në dënimin e rënde të brigadierit Isa.

Por edhe nga posti i Përgjegjësit të Sektorit Nazmiun e hoqën. Në vend të tij sollën një jabanxhi nga jugu me shkollë të lartë. Nuk u zemërua aspak Nazmiu, se e donte fort Partinë. Me sinqeritet prekës. Pesëmbëdhjetë vitet e fundit Nazmiu i mbylli si brigadier arash. Lavdërohej vazhdimisht në gazetën lokale. Ndonjëherë edhe në shtypin qendror. Në kohë fushatash apo aksionesh Nazmiu i nxirrte nga shtëpitë punëtorët e brigadës së tij, që në orën 2 apo 3 të natës, që të korrnin për hëne. Ishte tip gjaknxehtë dhe një e dy kishte kërcënimin. Njerëzia nuk donte të kishte punë me të, pasi thoshin se Nazmiu i kishte lidhjet të forta në Degën e Punëve të Brendshme. Këtë bindje e kishin vërtetuar si për mirë si për keq. Për mirë Nazmiu kishte ndërhyrë nja dy raste për të liruar nga arresti bashkëfshatarëve të tij.

Por ja, tani Nazmiu kishte hall, dhe hall të madh. Dhe fshatarët e B., ia qanin hallin, e ngushëllonin, secili me sa mundej e si dinte. Për bëmat e Nazmiut thoshin: “iku e shkoi ajo kohë, e mos u ktheftë më! Por Nazmiu ka hall dhe, kur atij i qan zemra për evlatin e vet të humbur, na qan të gjithëve njëlloj, si për evlatët tanë”.

Kur hyri vjeshta e parë e vitit të katërt, Tushi i Nazmiut nuk dha shenjë gjallje. Nëna e tij, Qetabia, i bori shpresat, u tha, u lig, u hoq e u zbeh dhe zuri shtratin. Por Zoti, Zoti i madh që sheh e vlerëson, nuk e la këtë nënë të shuhej e mbytej në pikëllim, si fitili i djegur i një llambe me vajguri.

Kisha kthyer në shtëpinë e prindërve për t’u përshëndetur me ta para largimit tim me studime jashtë shtetit, kur që në mëngjes, një ish-kolegu im mësues më thotë se është kthyer Tushi i Nazmi Muhametit. Me të mbaruar mësimin ish-kolegu im, u nisëm në fshatin B., të pimë një kafe shyqyrllëku tek Nazmiu. Ishin shembë gjithë katundet për shyqyr. Gjatë kafes dëgjuam në vija të trasha historinë. Tushi i Nazmiut, bashkë me një laçian qenkëshin larguar në një nga ishujt e Greqisë, me një emër që tani e kam harruar. Duke qenë pa dokumente, ai paska punuar në një fabrikë vaji për gati katër vjet. Dhe ja tani, ishte kthyer, për t’i qetësuar përfundimisht, mu në çastin kur e ëma po shuhej. Ajo rrinte në dhomën e pritjes me një buzëqeshje të zbehtë. Ishte ngritur nga shtrati dhe qe ulur në një shilte pranë të birit.

- Po para të mirë duhet të ketë fituar Tushi, or Nazmi, - i foli atij ish-kolegu im mësues.
- Para? Nuk e di sa janë në dhrahmi, or mik, por me llogarinë tonë të kursit të këmbimit shkojnë shtatë milionë lekë. Ka punuar si vemje djali! – tha Nazmiu, duke rrufitur hurbën e fundit të filxhanit.
- E pra, e sheh? Kush i ka aq para në krejt këta copë katunde, or Nazmi?
- Po, po, - tha me një zë të vyshkur ai, - e drejtë...
- Dhe ti kot e ke sharë demokracinë, Nazmi, - e nguci ish-kolegu. – Ku do t’i kishe bërë kaq para ti? Në kooperativë?

Nazmiu heshtte, ndërsa të tjerët qeshnin. Nazmiu rrinte i ngrysur. Të tjerët qeshnin. Me dashamirësi. Por qeshja e tyre nuk ia vinte buzën në gaz Nazmiut.
- Si ke me i prishë gjithë ato para or Nazmi, - e pyeti një bashkëfshatar tjetër.
Dikur Nazmiu foli, doli nga heshtja ku qe mbyllur. Dhe tha:
- Pa ndigjoni, or burra. Ja ku po ua them, se do t’i hidhja në zjarr ato para, veç të më plotësohej një dëshirë.
- Allahile, çfarë dëshire asht kjo or shoq, - ia pati një moshatar i tij, që tërhiqte tespihet.

- Do t’i hidhja në erë ato shtatë milionë lekë or Hysni, - iu drejtua ai atij që tërhiqte tespihet në divan, - do t’i hidhja në erë, në zjarr a në ujë, vetëm e vetëm të më jepej, qoftë edhe njëherë mundësia, që t’ju nxirrja prej shtëpive dhe t’ju vija të gjithëve në rresht me shatinj, bela e lopata në krah, të punoni si dikur, në kooperativë. Ah, sikur t’ju vija edhe njëherë në rresh, duke punuar në ara, kështu siç jeni, burra e gra dhe pastaj, le të mbyll sytë!

Gjithë rreshti i burrave në divan, pak e grimë, në fillim ngadalë e mandej gjithë e më fort, mori zjarr nga kukurisja, një e qeshur e pandalur, tallëse.

Por sytë e Nazmiut digjeshin e shkëlqenin në ethe nga ajo dëshirë e shprehur veçse me fjalë.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi