Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit

Shko poshtë

Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit Empty Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 14, 2009 2:47 am



Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit U1_LuanCipiPARATHENIE

Nga Duro Mustafaj

Kemi përpara një libër që mund ta quajmë edhe:”Ditar i kohës, në udhët e Vlorës “, së 50 viteve të shkuara... Një libër me rrëfenja interesante, që trokasin në dyert e zemrës për të bërë që të zgjohet e të dëgjoi mëndja. Dora e Luan Cipit e ka shkruar atë , me dashurinë e shpirtit të tij të lirë dhe dhimbjen e njeriut të ndjeshëm, me fuqinë dhe të vërtetat e fjalës, që hap edhe dyert e hekurta…..
Në një ditë feste, duke biseduar për ato takimet tona të shpeshta me shokët tanë të vegjëlisë , miku im Luan Çipi do më thoshte: “Sa të mire i kemi shokët…Duke e njohur prej më se gjashtëdhjetë viteve, atë, njeriun që më është dukur se jeton për tu dhënë dashuri të tjerëve, ju përgjigja :” Shokët janë të mire, se kanë marrë edhe nga mirësia e shpirtit tënd të bukur dhe dashuria e zëmrës tënde bujare.” Kjo bisedë mu kujtua edhe tani që përfundova së lexuari librin e tij të ri me titull “ Pete Qarë dhe për të Qeshur”. Janë këto cilësi të vyera që duken si dritë e rrjedhin me të papritura të këndshme e befasuese edhe në faqet e këtij libri të bukur... ,që sapo e kanë marre në dorë lexuesit.
Në fletët e bardha të librit kanë zënë vend njerëz me tipare interesante, që autori i ka njohur në punë e në jetë dhe të tjerë, për të cilët ka dëgjuar... Janë karaktere të ndryshme njerëzore, me mirësitë e dobësitë, të fshehura e të dukshme, që Luan Çipi u jep ngjyrën që kanë, sikur të ishte një piktor realistë nga ata që nxjerrin në dritën e diellit edhe detajet më të fshehura të shpirtit të njeriut. Këto personazhe të bëjnë të ndalesh para tyre, të meditosh për fate e ndodhi nga më të ndryshmet në jetën e tyre,të befasohesh, ti dashurosh e ti urresh, të shprehish dhimbje, por edhe të qashë, ose të qeshësh. Të gjitha këto të shkruara me mjeshtërinë e një shkrimtari , që di të trokas në dyert e zëmrës për ti folur mendjes..,
Libri është një mozaik portretesh, përshkrimesh, skicash e tregimesh, që, për nga mesazhet e vlerat edukative dhe historike, të mësojnë se sa e shtrenjtë është liria në jetën vetjake e shoqërore, se sa kuptim marrin drejtësia e ndershmëria në rrugën për të qenë njeri i vërtetë... Dy janë personazhet kryesore të librit, që mbajnë brenda vetes me dhjetëra personazhe të tjerë: Vlora me rrugët e rrugicat, që gjithnjë kanë kërkuar të jetojnë nën diellin e lirisë, pranë kodrave të gjelberta , që lajnë këmbët në det... Dhe, në arteriet e Vlorës, njerëzit e saj, madhështor edhe me thjeshtësinë e tyre…Të gjitha këto janë objekte e subjekte vëzhgimi, analize e përshkrimi në fokusin e penës së autorit, i cili kërkon të bëjë atë qe shpesh duket si “e pamundur”: Të futet në
labirintet e shpirtit te njeriut e në thellësi të ngjarjeve e fenomeneve që lidhen me jetën e tij. Realizimi me sukses i këtij qëllimi na rrëfen se “e pamundura” është mundur, falë vullnetit, pasionit e talentit gjithnjë e më në dukje të Luan Çipit. Kjo përbën edhe një vlerë mjeshtërie, që e kemi parë edhe në librin “Marrëdhënie të shenjta”, po të këtij autori, botuar jo shume kohe më parë…
Kur futesh në botën e librave, me tema jetësore , të shkruara thjeshtë, me mençuri , por edhe me guxim, si në të vërtetat e këtij libri, na pëlqen ti themi Luanit tone, ato fjalët e çmuara të Gëtes:”E dua shumë njeriun që lakmon të pamundurën”
Është interesante te hysh në botën e brendshme të personazheve, që autori i përshkruan me hollësi... Ai që stigmatizon gënjeshtrën, madje edhe trillimet e fantazive të sëmura, di edhe te mos pajtohet me “gjysmë te mësuarit”, që mendojnë se s’kanë ç’të mësojnë, as nga jeta dhe as nga librat. Një paraqitje e tillë donkishoteske e disa personazheve, natyrisht që na vë në mendime, duke u larguar të trishtuar, ndonëse me buzën në gaz. Le të kujtojmë këtu tipa të tillë tragjiko-komik si ajo e Metes, që duke vuajtur nga deliri i madhështisë, u thotë qytetarëve vlonjatë se :”Unë jam heroi i vërtetë i Luftës Antifashiste e se të tjerët duhet të më nderojnë duke u përkulur”. Pa çka se “heroizmi i tij “ është fati tragjik në një luftë që e përjetuan edhe shumë të tjerë. Le të kujtojmë figura të tjera
si ajo e “qenit plak që di të kafshoje”, e Kiços, Petros, Osman Agait, Provonjësve të Krisur e të tjerë. Janë figura qe ngjallin zemërim e trishtim. Në një kohë dyfytyrëshe nuk është gjë e rrallë të gjesh njerëz te dyjëzuar, qenie njerëzore me maska, “kuadro” të paaftë e gjysmë analfabetë, që u mësojnë të urtëve dhe të mençurve se si duhet punuar e jetuar.
Luan Çipi, një vëzhgues e njohës i hollë i karakterit të këtyre tipave, bëhet dëshmitar i ndodhive që shkaktojnë të qeshura. Por gjithsesi pena e tij i mëshon të qeshurës pozitive. Dhe këtu na kujton psikologjinë e labit qe shprehet me vargjet: “s’ta dal dot me të qarë, po me të kënduar...”
Por ajo që tërheq vëmendjen e lexuesit është ballafaqimi e kundërvënia midis të mirës dhe të keqes, midis personazheve pozitive dhe atyre negative. Të mbeten të gjallë në kujtesë figura njerëzish të thjeshtë, ose drejtues të ekonomisë e administratës të atij qyteti që ka bërë e ka hyrë në historinë e kombit, dhe të njerëzve të tij trima e të besës, me zgjuarsinë për të komunikuar me çiltërsi dhe ndershmëri. Janë figura të një mençurie proverbiale, “njerëz-legjendë” qe nuk harrohen, madje përmenden si pike referimi në jetën e përditshme, si Kamber Alikua me Harvalanë, Qano Kamberi me miqtë e tij, xha Maliqi me nostalgjinë për Gjirokastrën dhe respektin për Vlorën, Xhon izraeliti, Sefer Dauti, Haxhi Xhemali, Siat Tozaj, Kamber Xhelua, Xhebro Gika, Vunotasit, Çamët për të ardhur tek avokati Italian i tregimit : “Nje krismë në sallën e gjyqit”, ndoshta një nga tregimet më të mira të
vëllimit për nga vlerat edukative edhe për ditët tona, që mëson se si bëhet drejtësia dhe si mbrohen të drejtat e njeriut.

Libri mbyllet me përshkrimet e jetës së të veçantit Llambi Kona, njeriut të ditur, të zgjuar e gazmor, që është ndarë nga jeta, por që ka lënë prapa një emër të paharruar, i cili na bën nder të gjithëve.
Autori, tregon interes të veçantë për të zbuluar “diellin” në shpirtin e njerëzve të mirë për t’ua shpërndarë të tjerëve. Këta edhe pse janë “profesorë” të jetës e mësues të njerëzve, kurrë nuk ngopen me dritën e diturisë.
Fëmijëria, rinia dhe pleqëria, tri pjesë të jetës së njeriut, të pashkëputura nga puna, liria, drejtësia, urtësia, por edhe shpirti rebel i vlonjatit, janë në fokusin e penës së Luan Çipit. Ai përshkruan me dashuri shokët e miqtë e tij të mirë, por edhe me përbuzje e neveri ata “miqtë e popullit” që ngjallin armiqësi e urrejtje me qëndrimet primitive e fudullëkun e papërmbajtur, imponues ndaj të tjerëve.
Libri, që mbart e përçon një informacion të pasur idesh e mesazhesh edukative ka edhe karakter historik, letrar e gjeografik. Ai do t’u ndihmojë brezave të ardhshëm të vlonjatëve për të njohur e kuptuar se si ishte qyteti i tyre i lindjes gjatë shekullit të XX, me ç’interesa e kërkesa jetonin atëherë moshatarët e tyre, në ato vite të vështira, por edhe të bukura.
Edhe pse është një libër kujtimesh, në formë rrëfenjash me ngjarje jetësore, ku personazhi kryesor dhe në qendër të ngjarjeve është vetë autori, të duket se ai e përjashton veten, shmang moralizimet që i gjejmë në librat e këtij lloji, të autorëve të tjerë. Dhe këtë e bën me zgjuarsi duke u lenë vendin të flasin, për bëmat e jetës, personazhet që lëvizin në faqet e librit. Një trajtim i tille e bën lexuesin të gjykojë e të zbulojë vetë se ç’përfaqësojnë personazhet me vlerat që na servirin. Por kjo e bën edhe përmbajtjen e librit objektiv e të vërtetë dhe autorin e tij të besueshëm e të dashur për lexuesin.

Luan Çipi, ashtu si në “Marrëdhënie të Shenjta”, edhe në këtë libër të ri të tij, ka vënë vulën e stilit të tij narrativ, skalitës të portreteve, e përshkrues të bukur të natyrës. Në të gjitha këto, me brendinë e tyre, na përcjellin filozofinë e fjalës së mençur popullore, lirizmin dhe epizmin e jetës, që e evidentojnë autorin edhe si shkrimtar e poet, edhe filozof. Kjo flet se ai është “burrë i zotit”, siç u drejtohej Dritero Agolli shkrimtarëve dhe artistëve që i deshte dhe i kishte për zemër, ngaqë dinin të punonin mirë me fjalën dhe të shkruanin bukur.
Në kohën e vet, shkrimtari i madh grek Kazanzaqis, autori i librave : “Kapedan Mihali” dhe “Ja vdekje, ja liri” përkthyer edhe në gjuhën shqipe, e kishte bërë zakon të dilte shpesh në kodrat e vendlindjes së tij, Kretës, e me duart lart drejt qiellit të lutej me fjalët: “O Zot më bej dhe mua Zot!”. Luan Çipi nuk iu ngjit kodrës se Kuz-Babait për tu lutur. Ai, me punën, vullnetin e pasionin që e karakterizon, u bë zot i vetvetes dhe hyri me sukses edhe në rrugën e letërsisë. Dëshmi e kësaj është edhe ky libër i bukur që do mbetet i dashur për lexuesit.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi