Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit

Shko poshtë

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit Empty Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 23, 2009 9:48 pm

Në Fabrikën e Çimentos




Nga Ditari i Luan Çipit


Nga 1 shkurt 1970 deri 5 korrik 1975 për gati 5 vjet e gjysmë punova ne Fabrikën e Çimentos. Atje u emërova me detyrën e Kryetarit të Degës së Plan- Paga Norma. Ishte periudhë e vështirë për familjen tonë. Vëllai im i madh, Bektashi, shofer autobusi ne Parkun Automobilistik Vlorë ishte arestuar dhe për tetë muaj e mbanin në qeli, pa e nxjerrë në gjyq, me akt akuza nga më të ndryshmet që nga komplot, spiunazh, agjitacion-propagandë e deri vjedhje e organizuar e në proporcione të mëdha. Përfundimisht i ngeli akuza e sajuar me mjeshtri “mitmarrje e përsëritur” (30 lekë të vjetra) dhe përvetim vegla e pjesë këmbimi rezervë të autobusit të vet, po në vleftë qesharake. U dënua 7 vjet dhe vuajti gjysmën e dënimit në Bulqizë. Mu desh të ndihmoja vëllain dhe familjen e shtuar në numër.

Për mua puna në Fabrikën e Çimentos ishte më e paktë dhe sektori i punës më i kufizuar, duke qënë i shtrirë brenda territorit të Fabrikës së Çimentos dhe Fabrikës së Eternitit. Për ta kryer sa më mirë detyrën, së pari, mu desh të thellohesha në njohuritë tekniko-teknologjike. Në këtë drejtim unë shpejtë e arrita nivelin e dëshiruar, aqsa, brenda një kohe të shkurtër them se dija po aq sa kishin mësuar, në ato pak leksione të marra në Universitet edhe teknologët e fabrikave. Kishte boll literaturë si në shqip dhe në rusisht, aq më tepër që fabrika ishte e abonuar, kishte bibliotekën e vetë dhe vazhdonte të vinte atje revista ruse “Cement”, që unë e çfletoja me dëshirë.

Për fatin tim të mirë Drejtor në këtë ndërmarrje erdhi vunjotasi Nonda Baka, një luftëtar i vjetër dhe që kish pasur pozicione të rëndësishme partiake dhe shtetërore. Ai, ndërsa për të gjithë dukej i ashpër, i pa afruar dhe shumë kërkues, mua me dukej interesant, krenar dhe burrnor dhe një drejtues me cilësi të ralla: Kërkonte, vinte detyra dhe e kontrollonte personalisht gjendjen, çdo ditë. Unë bashkëpunoja mirë dhe krejt normalisht me të. Po kështu më ndodhi dhe me atë që e zëvendëso si drejtor, me ish elektricistin Bajram Arapi. Marrëdhënie të mira vendosa dhe me K/Inxhinierin, specialistin e pasionuar Nikolla Qirko, me K/Mekanikun Bexhet Ganaj me personelin tjetër inxhinjero teknik si Anastas Bojaxhiun, Kristaq Lolin, Vasil Papën, Ilia Ilian, Mehmet Bushin, Fotaq Gjipalin, Muhamet Bajraktari, etj. Edhe kolegët e mi, punonjës të administratës ishin mjaft aktiv si Ilirjan Tushe, që drejtonte Degën e Furnizim Shpërndarjes; Elam Hoxha, Shefi i Financës, Salihe Gjata, në kuadër; ekonomistët dhe financierët Petraq Bano, Besnik Nelaj, Mellania Qirko, Elektra Ndreçka, Pranvera Sherifi, Foni Haxhimihali. Edhe midis punëtorëve të thjeshtë dhe personelit të mesëm teknik unë kisha mjaft miq dhe dashamirës. I tillë ishte Nuro Bodo, për të cilin kam shkruar posaçërisht, Servet Dani, ish mësues dhe brigadier i remontit mekanik, Qerim Vrioni, Rait Racaku, Luftëtar Xhelo, Myslym Mustafaj, Hanëme Papa, Latif Xhyheri, Nimet Shabani, Guri Puçi, etj.







Gjatë kësaj kohe Drejtori i Filialit Ekonomik të Mbrëmjes i Fakultetit Ekonomik të USh Tiranë, Paskal Dhimitri, më tërhoqi të jap mësim, si pedagog i jashtëm, fillimisht për lëndën “Statistika e Industrisë” dhe më pas “Organizimin dhe Planifikimin e Ndërmarrjeve Industriale” dhe më së fundi “Organizimin e Punës dhe të Drejtimit” Kjo zgjati, pa ndërprerje deri gati 12 vjet, kur ky filial u mbyll. Ne merrnim pjesë aktive në jetën e shkollës, jo vetëm duke dhënë mësim, por edhe në rrethet e posaçme metodike dhe në Këshillin Pedagogjik. Në shumë raste shkuam dhe asistuam në diskutimet e organizuara në Tiranë, nga Katedra në Universitet si dhe në mësime shembullore atje, për të marrë përvojë. Duhet thënë se mësimi në Filialin e Vlorës organizohej me nivel të pëlqyer dhe studentët tanë ishin cilësor. Kjo dukej edhe nga sezoni i provimeve, ku asistonin të deleguar nga qendra, të cilët shpesh dhanë konfirmimin e superioritetit të studentëve tanë, të cilët punonin në praktikën konkrete ekonomike dhe i përvetësonin më bindshëm njohuritë e mara, të cilat, në fund të fundit, kishin të njëjtin program, të njëjtat tekste dhe të njëjtën literaturë të detyruar. Një pjesë e kolegëve këtu ishin me përvojën e mësimdhënies së Shkollës së Mesme Ekonomike. Midis pedagogëve përmend: Sezai Bazaj, që më pas u bë Rektor i Universitetit ”Ismail Qemali”, Refit Hoxha, Agathokli Adhami, Lili Dodi, Tasim Lika, Mihal Laluci, Abedin Elmazi, Petro Koçi, Spiro Caushi, Gaqo Sheshi, Irfan Bregu, Bajram Abdullau.

Gjatë vitit 1975, pranë këtij Filiali, ndoqa kursin për “Metodat matematikore të aplikuara në ekonomi” zhvilluar nga matematikani Abedin Elmazi dhe u vlerësova me notën shumë mirë.

Një komedi e vërtetë ishin mbledhjet e Këshillit Pedagogjik në këtë Filial. Drejtori Paskal Dhimitri ishte pa takt, me shfaqie mëndje madhësie, që krenohej me të kaluarën e tij “revolicionare e patriotike”, duke u përpjekur të evidentohej orë e pa kohë dhe të diktonte vullnetin e tij për gjithçka. Kjo i ndrydhte ata dhe cenonte sedrën e pedagogëve të tjerë, të cilët përpiqeshin të mbronin pikëpamjet e tyre të drejta. Më shumë kundërshtonte dhe këmbëngulte Tasim Lika, që shpërthente, me temperamentin e tij lab, në mbrojtjen e argumentuar të tezës së vet. Drejtori, me autoritetin e tij, mund t’i imponohej Tasimit të vetëm, por ai mbrohej në bllok nga të tjerët e veçanërisht nga Lili dhe Sezaiu dhe kjo shkaktonte britma histerike, me fjalë dhe fyerje të pa kontrolluara. Këto skena, të përsëritura, na e zvenitnin kënaqësinë e madhe të punës në Filial, gjatë këtyre viteve.



Gjatë kësaj periudhe janë kryer edhe një sërë aktivitetesh shoqërore dhe shkencore:

- Në muajin Shkurt të vitit 1974, në Sesionin Shkencor të Rrethit, organizuar për problemet e politikës ekonomike, për nder të 30 vjetorit të Çlirimit të Atdheut, mbaj kumtesën “Mbi domosdoshmërinë e Planifikimit të Ekonomisë”

- Në Nëntor të vitit 1974 Instituti i Studimeve Ekonomike, pranë Akademisë së Shkencave Tiranë, me shkresën e saj nr. 157 dt, 19.9.74, mbështetur në punën time studimore dhe pasi ka mare pëlqimin e udhëheqjes së Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor te Rrethit Vlorë, miratoi caktimin tim si “bashkëpunëtor i jashtëm shkencor” dhe si pjesëtar i Aktivit të Institutit të Studimeve Ekonomike.

- Në Janar të vitit 1975 caktohem nga Këshilli Popullor i Rrethit Vlorë ndihmës arbitër dhe më vonë “arbitër” i Arbritazhit Shtetëror për Rrethin e Vlorës.

- Në Shkurt të vitit 1975 në Fakultetin Ekonomik të U.Sh. Tiranë, sipas porosisë paraprake, paraqes vërejtjet për tekstin mësimor “Organizimi dhe Planifikimi i Ndërmarrjeve Industriale”

- Gjatë kësaj periudhe unë dhe Sezai Bazaj, në janar – shkurt të vitit 1978, u angazhuam nga Katedra jonë pranë Fakultetit Ekonomik për të formuluar përfundimisht disa nga kapitujt e teksteve bazë mësimore, për lëndën “Statistika e Punës dhe e Pagave”, të cilat u përfshinë në materialin përfundimtar, pa ndryshime.



Kur punoja në Fabrikën e Çimentos, si Shef Plani, në muajin Maj të vitit 1975, erdhi aty një grup “Kontrolli Punëtor”, i ngarkuar nga Komiteti i Partisë së Rrethit Vlorë, që kryesohej nga Sanije çalamania, punëtore e Kombinatit të Konservave, njëkohësisht anëtare e plenumit të K.P. Ishte koha kur tentohej të popullonin dhe ndihmonin fshatin, për ta bërë atë, siç thuhej, njësoj me qytetin. Ky grup i kaloi të gjithë nëpunësit, midis tyre dhe mua, në intervistë, me thirrjen për të shfaqur mendimin për të shkuar, vullnetarisht, në fshat. Kur erdhi radha ime unë thash se jam gati të shkojë e të punojë direkt në prodhim, duke e lënë vullnetarisht zyrën, po me kusht që të qëndroja në qytet, se fshatin, u thashë, as që e njoh fare dhe, pa e njohur, s’kam si e ndihmoj. Kryetarja çalamane, mbante shënimet në bllok…dhe pasi u mendua tha: “Tamam kjo është një arsye më shume, ske qënë- të shkosh, se ke njohur- ta njohësh.”

Këtë ngjarje e kam paraqitur veças në tregimet e mia.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit Empty TE ‘‘VEFA HOLLDING’’

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 26, 2009 3:15 pm

TE ‘‘VEFA HOLLDING’’



Nga Ditari i Luan Cipit






Në datën 4 korrik të vitit 1996, në selinë e “VEFA Hollding”, në një zyrë komode, të denjë për një mbret, takohem personalisht me Bosin e shumëpërfolur të Kompanisë, Vehbi Alimuçin. Kjo u arrit sipas propozimit, ndërhyrjes dhe në prezencë të Gjergj Habilaj, këshilltar i tij, agronom, nga Vajza e Vlorës, me të cilin ishim njohur, deri familjarisht, kur ai ishte Kryetar Kooperative, në fshatin e tij.

E pash Vehbiun, të rehatuar në poltronin e tij, me një shishe Uiski mbi tavolinën luksoze, që duket sa e kish zgjedhur dhe e kish nxjerrë nga bufeja e posaçme, tejet e mbushur me pijet nga më të shtrenjtat e botës. Me pamjen e një sheiku aziatik, apo pashai turk, me peshë, po energjik, kokëmadh e fytyrë kuq, hundështypur, me një kaçurrel floku mbi ballin e gjerë, me rrudha. Na takoi, duke u ngritur e na dha dorën si me përtim e lodhje dhe pasi u ul, rrahu shuplakat. Shpejtë erdhi një bukuroshe e shëndoshë me dekolte irituese, mbuluar gjoksin lakuriq me gjerdan ari. Pashai porositi shërbimin dhe pasi na u mbushën gotat me uiski, nisi bisedën, duke gjerbur me kënaqësi nga gota e vetë e praruar.

- Fol, o Gjergj! Ç’ na ke qullosur, sot?

-Ky është Luani, që kemi biseduar. E kemi nga anët tona.. Ekonomisti më i mirë i Vlorës. Për shumë vjet, kreu i ekonomistëve atje, pedagog universiteti dhe shkencëtar i mirëfilltë. Gjergji fliste me zë të ulët, si nëpër dhëmbë.

- E ç’më duhen mua komunistët e mirë, apo, qoftë dhe krerët e tyre. Tani ne jemi mbi partitë, foli me humor vërmiku, Bosi.

- E thashë me “e”, përpara. ekonomist, përsëriti Gjergji, këtë radhë, duke ia mëshuar germës ‘e’. Se, tamam “komunist” nuk mund ta quash Luanin. Madje, vazhdoi , duke ja futur kot, vajzjoti, ky, ka tendencë të anoi nga e djathta, si i klasës ish të përmbysur, që është. Nuk është kot mik i Adhurim Musarajt. ky.

-Si, ore, vazhdon lojën Vehbiu, qenka miku i Agron Musarait, Ministrit të Rendit, kundërshtarit tim personal? Po qe kështu, ç’e dua unë këtë, të më vejë prangat? Dhe qesh e qesh…

Pas këtij lloj humori lab, futemi drejtë e në temë.

- Gjergji! Flet Vehbiu: Lëri shpjegimet dhe biografitë, se këto i dimë hollësisht, i kemi hetuar e gjykuar qysh më parë, bashkërisht, apo jo?

Tani dëgjomë, ti, o Luan Çipi, vlonjat, me origjinë nga Gjirokastra:

-Kemi menduar të punosh me ne, si zëvendës drejtor në Filialin e VEFA.-s, në Vlorë. Filiali i Vlorës është zemra e Kompanisë sonë dhe ka, gati, një të tretën e veprimtarisë së saj, me perspektivë rritje. Ne atje e kemi shkarkuar edhe drejtorin e fundit, që ishte pilot, vërmiqot. Për një farë kohe, ti, do t’i drejtosh të dyja punët dhe më pas shohim e bëjmë. Pagën do ta kesh shumë të mire. Nuk po t’i shpjegojë punët hollësisht, se unë e di aftësinë tënde dhe e di që ti i njeh, se i ke drejtuar edhe më parë ato lloj aktivitetesh, që kam unë sot në Vlorë, por edhe nga që do shihemi, së shpejti dhe do bisedojmë konkretisht... Edhe diçka tjetër: E kemi si rregull që depozitat vetjake, punonjësit tanë, i kalojnë te ne. Ti, je pronar edhe në Hotelin Turistik. Atë mendoj ta blejë Kompania jonë. Pra do bëhemi bashkëpronarë, se unë mendoj, në të ardhmen, ta ndaj në aksione kapitalin e shumtë të Kompanisë dhe kreditoret e sotëm, ti kem bashkëpronar..

Pasi pimë pijet dhe kafetë ekspresë, shumë të shijshme, që u porositën nga Bosi me të rëna shuplakash, që u bënë aty pranë dhe u shërbyen nga bukuroshja përkatëse, u puthëm e u përqafuam, me urimet për punë të suksesshme.

Bosi mu duk i zgjuar, energjik dhe i prerë, bile, kishte edhe një strategji, një qëllim dhe një vizion të drejtë, për të ardhmen e Kompanisë së vetë. Nga ana tjetër ai kishte grumbulluar, si ndihmës, këshilltarë dhe nëpunës të Kompanisë edhe punonjës të aftë si Z.Z. Koço Skënderi, Velezi Avari, Esat Bashari, Vasfi Duka, Emin Mysliu, Gjergj Titani, Mensur Saraçi, Meri Nako, Ylli Limaj, Memush Habili dhe dhjetëra financierë e inxhinierë, që ishin me emër për kohën.



Në Selinë e Vefa.-s në Vlorë, ngritur apostafat te një pallat tre katesh, në zyra komode të rikonstruktuara e të pajisura më së miri, deri të kompjuterizuara, me shumë policë e batigardë, unë shkova, po atë ditë, por nuk u vendosa në zyrën e drejtorit, ku më porositi Vehbiu, por në atë të nëndrejtorit. Prezantimin e bëri Mustafa Koçeri, çuni i hallës i Vehbiut, që mbahej nga Bosi afër në Tiranë, si besniku numër një i tij, në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kompanisë. K, piloti vërmiqot, ish drejtori, bashkëfshatar i Vehbiut, pasi më dorëzoi çelësat, po ikte, i pakënaqur, se kishte fare pak kohë në atë pozicion dhe as që ishin provuar aftësitë e tij menazhuese. Kur ma shprehu pakënaqësinë, e ndala dhe i thash:.”Unë do kisha qejf të punoja e të kisha në krye një drejtor, kushdo që të ish, për t’u marr më mirë me punët e mia të drejtimit ekonomiko-financiar. Ai mund të ishe edhe ti. Nuk të njoh, po, s’të kam faj. Largimi yt nuk ka lidhje me mua”. Duket se u mirëkuptuam.

Pas largimit të K, mu prezantuan: Shefi i Kuadrit i Filialit, që ishte nipi i Vehbiut, një ish oficer ushtrie; djemtë e Vebiut me gruan e parë, njeri Drejtor i Fabrikës së Birrës, që pinte shumë alkol, tjetri, Nëndrejtor i Fabrikës së Tullave, që gjithë ditën lëvizte me makina komode, luante me letra, dhe, më e keqja, shpenzonte kohë e para për të përfunduar punimet te vila e tij luksoze; Neqezi, vëlla i Vehbiut, i pashkolluar, por, që në fakt ishte syri dhe veshi i Presidentit dhe merrej kryesisht me arkën e depozitimit të kreditorëve; dhjetëra kushërinj e bashkëfshatarë të tij, që rinin nëpër këmbë kot së koti, por merrnin rroga të majme. Këta lloj vampirësh që të pa ngopur, çdo ditë thithnin pafundësisht gjakun e “Kompanisë Gjigande”, secili më vete, më takonte, diç tregohej, krekosej, urdhëronte, porosiste, këshillonte, bënte vërejtje. Vetë Shefi i Kuadrit, me atë ndjenjën e krenarisë analoge të kësaj lloj zyre në të shkuarën, më dërgoi me sekretaren e vet, (një tjetër mbesë e Presidentit, po kjo shumë njeri i mirë dhe ekzigjente në detyrë) një listë për pushime nga puna, me porosi që unë ta miratoja dhe ta firmosja. Unë, natyrisht, pa argumentimin përkatës, nuk e firmosa dhe ai nuk duroi, po erdhi i acaruar në derën e zyrës sime për të më kërkuar llogari:

-Po, ç’janë këta dhe pse duhet të largohen, e pyes unë.

-Janë lakenjtë e ish drejtorit, që i ka marrë në punë, personalisht, pa më pyetur mua. Kjo, këtu, e para në listë, është dashnorja e tij, ky është kushëriri i tij i parë, shofer, ky…

- Pse duhet t’i largojmë? Në ç’vende pune janë? Si kanë punuar? Ç’masa paraprake disiplinore janë marrë për ata? Ku është praktika dokumentare? Më sill dosjet e tyre! Dhe unë nuk e pashë të arsyeshme të firmosja largimin e tyre. Po, dhe nga ana ligjore ishte shkelje. Kisha të bëja me njerëz dhe po të shkelja të drejtat e tyre, do kisha përgjegjësinë përkatëse, deri te përballja me organet gjyqësore.. Ndryshe po të urdhëronte me shkrim vetë pronari.



Puna e parë që bëra ishte njohja direkt e punëve në fabrikat dhe repartet e ndërmarrjes, që siç e pashë në praktikë, ishte bajagi e madhe. Vizitova Fabrikën e Tullave, Fabrikën e Birrës, Baxhon e madhe të qumështit buzë lumit Shashicë, afër Urës së Peshkëpisë, Supermarketin e madh, në qendër të qytetit, Kompleksin Turistik Modern në Plazhin e Ri të Ujit të Ftohtë, Lokalin Turistik të Llogorasë, Qendrën e Avolxhimit të Elektromotorëve te Centrali i Vjetër i Qytetit, Parkun e madh automobilistik në Zonën Industriale të Qytetit (Ish Parkun e Industrisë), Poligonin e përpunimit të Inerteve të Ndërtimit në Mifol, Magazinat e Shitjeve me Shumicë në Fabrikën e Orizit dhe te Punishtja e Pastave, Hangarët dhe Depot te SMTeja e Pusit të Mezinit, Ngrehinat e Fabrikës së Vajit Dhërmi, etj.

Në shumë vende pune gjeta në drejtim shokë dhe miq të njohur. Me ta u morëm vesh, për përmirësimin e shpejtë të gjendjes, duke përcaktuar detyra konkrete. I porosita që të studionin dhe të përcaktonin plan masash me detyra konkrete përmirësuese, që secili të rezultonte me fitim dhe vetëfinancim, të bënin rregulloren e brendshme, me detyra për çdo vend pune, si dhe studimin për zhvillimin perspektiv të çdo veprimtarie.



Të nesërmen kisha organizuar një mbledhje me drejtorët e Fabrikave dhe të Njësive Autonome, për të analizuar punën e deri atëhershme dhe për të përcaktuar masat përmirësuese. Para mbledhjes, sapo hyja në sallë, K, ish Drejtori i pushuar para një jave, më thotë: Zoti Luan, a mund të vijë dhe unë në mbledhje? Unë u çudita. Si, ky, i pushuar me ceremoni nga puna ka paturpësinë të kërkojë të marrë pjesë në mbledhje, por mendova se s’ka ç’më prish, bile, ndofta mund të japi dhe ndonjë mendim, apo të zbulojë ndonjë mangësi. Ai u ul në një qoshe dhe veç sa dëgjonte, me buzën në gaz. Mbledhja shkoi shumë mirë dhe ia arriti qëllimit, për të programuar masa efektive përmirësuese. Pasi dola nga mbledhja dhe u futa ne zyrën time të nëndrejtorit, ish Drejtor K , që më shoqëroi, nxjerr nga xhepi dhe me jep një cope letër, të firmosur nga Presidenti. Ai shkruante:

“Luan! K të fillojë prapë punën si Drejtor. I ndani detyrat me njeri tjetrin.”

Privati bën ç’ti dojë qejfi, thashë me vete. I dhashë çelësin e zyrës K dhe ai nisi sërish punën e drejtorit fuqiplotë. Mendova se sa mire bëra që nuk u vendosa te Zyra e Drejtorit dhe sa mirë që nuk i pushova nga puna beniaminët e tij. Më tej mendova se kjo do vlerësohej, sado pak nga K, por ai rezultoi pa më të voglën vlerë, as si njeri në shoqëri dhe pa asnjë aftësi drejtuese, organizative, ekonomike e administrative. Brenda 3-4 muajve që ndenji me mua u evidentuan disa tipare të karakterit të tij, shoqëruar me veprime, mosveprime e intriga dëmprurëse:

vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit Empty Re: Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 26, 2009 3:16 pm

-Ishte inkopetenca e tij që shkaktoi vonimin dhe dështimin e marrjes së leverdishme të “Hotelit Turistik” 10 katësh, në ndërtim, te qendra e Vlorës. Vonesa në blerje, mos dhënia e kaparit, tentativa për të ulur vleftën e premtuar nga vetë Vehbiu, me shprehjen “pse atë gërmadhë do blejmë kaq shtrenjtë”, shkaktoi mosbesimin e bashkëpronarëve dhe ndërhyrjen komprometuese të blerësve të tjerë .

-Ju kundërvu, pa takt dhe pa argumente bindëse, vëllait dhe djemve të Vehbiut, i akuzoi ata për vjedhje e shpërdorime, pa vërtetuar me fakte e dokumente, deri sa u grind dhe u rrah keqas me grushte, duke shkaktuar një anomali e përçarje të plotë për mbarëvajtjen e punëve. Siç dihet ata merreshin, de fakto, me paret edhe kreditorët dhe zinin pozicione kyçe në drejtim e në lidhjet direkt me Bosin.

-Tentoi të më mënjanojë nga të drejtat dhe kompetencat e mia te drejtimit ekonomik, u përpoq të më ndërpriste në burim, marrjen e njoftimeve ekonomiko-financiare dhe pengoi daljen në vetëfinancim të çdo njësie prodhuese, çka ishte motoja dhe leva ime për stimulim dhe ndryshim.

- Frenoi depozitimin e thesarit tonë në Bankën e Shtetit me interes depozitimi, për monedhat në lekë dhe dhrahmi, për të paktën, një periudhë tremujore, kur ato rrinin aty të vdekura ndër vite. Për këtë u desh ndërhyrja ime në Qendër.

. Prapësitë e tij ishin të pafundme. Këto i kryente me një delir madhështie të pa imagjinuar, duke deklaruar se jam jo vetëm pilot klase dhe instruktor pilotësh i shquar, por dhe “ekonomist i lindur”, “teknolog druri e balte”, “piktor”, “skulptor” dhe s’ka gjë që mos ta bëj vetë, më së miri, me mendjen time gjeniale dhe duart e mia prej artisti.

Në të vërtetë, gjatë 4 muajve, K, nuk kreu asnjë punë ulur në Zyrë, nuk formuloi e nuk nënshkroi asnjë dokument, nuk bëri asnjë program pune, nuk hartoi asnjë plan, nuk bëri asnjë analizë ekonomiko-financiare, nuk studio e nuk denjoi të shihte e nuk firmoi asnjë bilanc kontabël. Në katër mbledhje, që organizova për të analizuar punët e muajit dhe për të shtruar detyra, me drejtuesit e njësive ekonomike, mori pjesë, vetëm, në dy prej tyre, ku, në njërën erdhi me vonesë dhe në tjetrën iku para kohe. Jo vetëm kjo, po ai vepron pabesisht dhe në fshehtësi. Kështu dha urdhër për pushimin e Ejup Mitës, që e nderonte Kompaninë. Ejupi, u vendosu nga Presidenti për drejtimin e Bujqësisë dhe të Blegtorisë, që ishte , sipas planbiznesit, epiqendra e zhvillimit në perspektivë të Kompanisë. K i komunikon pushimin, e riemëron dhe e ripushon. Po kështu vepron me kuadrot e shquar inxhinierin Petraq Karaj, e Llazar Nasto, me ekonomistin Viktor Jovani dhe veterinerin Sinan Sinani. Nga ana tjetër ai bëhet një model i keq disipline për administratorët e tjerë të ekonomisë, duke qëndruar vetëm pak orë në punën e Kompanisë, duke u marrë me punët e tij personale e private.

Pavarësisht këtij faktori pengues regresiv, shpejtë, në Filialin e Kompanisë VEFA, në Vlorë filluan të ndryshojnë e të përmirësohen rrënjësisht disa drejtime pune e veprimtarie:

-U përmirësua dukshëm puna për mbajtjen e evidencës ekonomike për të ardhurat dhe shpenzimet me objektivin e vetëfinancimit dhe të shtimit të fitimit në çdo njësi ekonomike.

-U bënë programe pune mujore dhe u organizua ndjekja, kontrolli dhe analiza mujore e punës.

-U përsos struktura organizative drejtuese dhe u morrën e u vendosën në drejtim specialistë nga më të mirët në rreth. Të tillë ishin Ejup Mita dhe Sinan Sinani për sektorin e bujqësisë, Arjana Tushe, Viktor Jovani dhe Jani Sotirovski, për ekonominë dhe tregtinë, Llazar Nasto, Florian Kapaj, Bashkim Habili, Bardhyl Boro, Mitat Balili, Halim Dervishi, Bexhet Ganaj, Ylli Gaba, etj., të gjithë inxhinierë në zë.

- Nën drejtimin e këtyre specialistëve me përvojë e aftësi filluan kudo zgjerimet e aftësive prodhuese e tregtare, u kryen përmirësime e modernizime të teknikës e të teknologjisë, mbi bazën e kritereve të studiuara mirë e të vendosura kolegjialisht, të cilat i ndiqnin çdo dite me kujdes. Kështu u bënë punime përmirësuese e ndërtuese në Kompleksin turistik në Ujin e Ftohtë e në Llogora; u vendosen furrat e tharjes dhe mekanizimi i transportimeve në Sektorin e Bobinazhit; u ndërtua Fabrika e re e Sallamit, me specialistë dhe teknologji e makineri të ardhura nga Gjermania; u përmirësua e u kompletua me sistemin ftohës Baxhua në Peshkëpi; filloi rikonstruksioni e modernizimi i Fabrikës së Tullave, sipas projektit Rumun dhe me makineri, teknologji e specialistë rumunë; u krijua Qendra administrative për Ndërmarrjen e Re të Ndërtimit; u përfunduan magazinat e mëdha te Furatë e Bukës; u bënë përmirësime në rrjetin e ujësjellësit dhe në teknologjinë e fraksionizmit të inerteve në Mifol dhe u studiua Qendra e Re e Inerteve në Shashicë, etj.

Pavarësisht nga këto arritje edhe në Filialin e Vlorës vazhdonin të bashkëjetonin, si parazitë: kushrinjë qylaxhi, roje koti, batigardë të armatosur deri në dhëmbë, ”propagandistë”, ”historianë”, ”biografë”, “këngëtarë profesionistë të labçes”, “sportistë profesionistë”, “dirigjentë dhe regjisorë profesionistë”, etj, shumicat shushunja të vërteta, që thithnin çdo ditë gjakun dhe djersën e mijëra nevojtarëve kreditues.



Në muajin Dhjetor të vitit 1966, Drejtor i përkohshëm kishte ardhur aty vërmiqoti Memush Habili. Ai, kryesisht, por bashkë me të dhe kushëriri i Vehbiut, Mustafa Koçeri, erdhën të qetësonin gjendjen dhe të shuanin sheret midis farefisnisë dhe bashkëfshatarëve të vetë, si dhe të parandalonin katastrofën që parashikohej, në drejtim të fajdeve, në parandalim të karakterizimit të Kompanisë, si rentiere dhe të papastërtive të vërejtura në këtë veprimtari, që bëheshin larg syrit tonë dhe kryesisht në pjesën që kish lidhje me arkat e kreditit, ku ne e kishim të ndaluar pjesëmarrjen. Midis masave të marra prej tyre ishte dhe largimi i pajustifikuar nga puna i bashkëpunëtorëve të mi më të mirë dhe më të aftë Ejup Mita, Petraq Karaj, Viktor Jovani e Llazar Nasto. Unë protestova dhe dorëzova çelësat e zyrës, në mënyrë demonstrative.



Në 15 ditshin e dytë të dhjetorit të vitit 1996, më propozohet detyra e nëndrejtorit të Minierës së Selenicës, që sa ishte blerë në masën 70% nga Kompania VEFA. I detyruar nga lidhjet e imponuara për aksionet prej 5.1%, si pjesëtar në Hotelin Turistik në ndërtim, që fillimisht e bleu Vehbiu dhe për mos sakrifikimin e depozitave, për këtë dhe të tjerat, që kisha si kreditor i Kompanisë VEFA, u detyrova ta pranoja këtë vend pune.



Në Minierën e Bitumit në Selenicë më pritën mirë. E nisa punën me hartimin e Rregullores se Brendshme dhe caktimin e detyrave të hollësishme për çdo vend pune të personelit administrative dhe inxhinjero-teknik, Planbiznesit, Preventivit të punimeve intisifikuese e prodhuese dhe Kostos se prodhimit, deri në kufijtë e caktimit të çmimeve për bitumin e pastruar dhe zhavorrin bituminoz.

Nga llogaritjet, në bashkëpunim me specialistët, rezultoi se në Minierë punohet me humbje të konsiderueshme, jo vetëm se nuk ka treg shitje për bitumin natyror, por edhe shpenzimet janë aktualisht dhe do të jenë të mëdha edhe për të ardhmen. Kostua për prodhimin dhe shitjen e një toni bitum natyror rezulton 170 $, ndërsa e qymyrit bituminoz (zhavorrit) 37 $, ndërsa aktualisht çmimet e shitjes ishin 120 $ për bitumin dhe 20 $ për qymyrin. Miniera ha dhe do te hajë çdo muaj 100.000 $ shpenzime, dhe gjysma e tyre do të jenë humbje, edhe po të supozojmë se i gjithë prodhimi do shitej. Kjo, gjithashtu është e pamundur se, për këtë lloj bitumi, nuk ka treg shitje as për vendin dhe aq me pak për eksport dhe qindra ton mbushnin sheshet në Minierë dhe në piacalat e hekurudhave.

Lind pyetja: Pse u morr dhe pse vazhdon puna në këtë Minierë, që nuk i duhet dhe nuk do t’i duhet kujt?

Personeli drejtues e inxhiniero teknik i Minierës së Bitumit Selenicë formohej nga punonjës me përvojë e të përkushtuar, por pa ngarkesën e duhur. Më shumë janë të ngarkuar me punë Nazmi Osmani, kryeinxhinier i Minierës, Maliqi, Kryetari i Degës Teknike dhe Vangjel Bombaj, që merret me furnizim-shpërndarjen dhe kontrollin e cilësisë. Të tjerët janë të pa ngarkuar me punë dhe, disa prej tyre, të tepërt.

L K, Drejtori i Minierës, fillimisht, më priti duke shfaqur gëzim, deri entuziazëm, duke më vlerësuar me superlativa, po shpejtë, morri qëndrim të kundërt. As sot nuk e shpjegoj dot këtë ndryshim mendimi e qëndrimi. Mos ai u bë xheloz dhe pati frikë, mos e s’postoja? Mos u tremb se do vërtetoja ato që thoshin për të se ish pasuruar nga që shpërdoronte që prej disa muajsh? Apo mos mendoi se do ndikoja në mbylljen e aktivitetit të Minierës, që u zbulua se shkaktonte shumë humbje dhe ishte pa perspektivë? Pavarësisht nga këto, unë, me pastërti e pa tendencë keqdashëse, isha mësuar të ndeshesha edhe me njerëz të kësaj kategorie. Të tillë po bëheshin shumë në këto vite të trazuar ndryshimesh. Këtë qëndrim indiferent e përbuzës nuk e vija re edhe sepse të gjithë punonjësit atë e gjykonin për njeri me rezerva, ndërsa te unë shprehnin çiltërsi, respekt dhe dashuri. Të tillë ishin jo vetëm drejtuesit kryesor teknik, por edhe gjithë të tjerët, pa përjashtim, kolegët e mi të dashur e të pa harruar Miti, Osmani, Izeti, Gezimi, Josifi, Kapua e deri te minatorët, kur me shihnin të ulesha në Pusin Qëndror e të hyja në galeritë, apo punëtorët e ndërtimit e të mirëmbajtjes dhe ata të Furrave të Shkrirjes së Bitumit, kur punoja bashkë me ta dhe si ata.

Në ditët e fundit, me shumë interes, thuajse gjithë ditën, merresha me rindërtimin e mjediseve të shkatërruara barbarisht, si pasojë e reprezaljeve të tranzicionit, pas thirrjeve për ta nisur nga kuota zero. Kështu rindërtuam godinën e bërë rrafsh me tokën të Pusit Qëndror, si dhe atë të Sektorit “Seit Abedini”, si të vetmet pika që u rihapën për punë normale, si dhe të Sektorit të Kazanëve të shkrirjes së bitumit natyror..

Në ditët e para të vitit të ri 1997, për familjet e punëtorëve të Minierës, u organizuan furnizime të bollshme, nga Depot e Filialit të Vlorës, të ushqimeve dhe pulave, me çmime të ulura, sipas porosisë dhe miratimit të Bosit.

Në ditët e para të muajit mars 1997, në kulmin e ngatërresave dhe terrorit spontan të rrugës, duke kapërcyer vështirësitë dhe rreziqet e shumta të lëvizjes me plotë të papritura, unë shkova nga Selenica në Tiranë dhe morra takim me Vehbiun. I sugjerova atij të vendoste përparësi në likuidimin e kreditorëve seleniciotë dhe të dërgonte me helikopter pagat e prapambetura të minatorëve. Për këtë ai ra dakord, bile u prononcua dhe në televizor. U ktheva në Minierë dhe vendosëm sistemin mbrojtës të armatosur të saj. Më tej puna u vështirësua, ndërsa familja ime ishte shpërngulur në Tirane, te shtëpia e djalit, që me 7 mars 1997 emigroi për Amerikë.

U largova nga Miniera dhe Kompania më 16 prill të vitit 1997 dhe me 1 maj vendosem, pranë familjes, në Tiranë.

Ngelem gjithnjë i mendimit se rruga e zgjedhur nga pushtetarët e çdo lloji e ngjyre, për likuidimin e kësaj Kompanie Gjigande ishte e gabuar. Ajo duhet të ndihmohej, për t’u kthyer në një Bankë, me interesa optimale depozitimi dhe në një shoqëri të organizuar aksionare vullnetare, po të ”qethur” nga teprimet dhe ekstravagancat, ndërsa kreditorët që nuk do të ishin dakord për t’u bëre pjesëtarë të Kompanisë, të shlyheshin për kapitalin fillestar, gradualisht. Të gjitha aktivitetet prodhuese të Vlorës, siç thamë më lart, përjashtuar Minierën e Bitumit Selenicë, qysh në kohën tonë arritën të sigurojnë fitime minimale, burim për shlyerjen graduale të kreditorëve, ndërkohë gjendja financiare e Kompanisë ishte realisht e shëndoshë me shumë likuiditete, mallra e asete. Në fund të fundit mund të shpallej falimentimi dhe likuidimi gradual, sipas ligjeve në fuqi dhe përvojës botërore. Me sa duket për shkatërrimin e saj, në format e vërtetuara, u pleksen interesat e personave të veçantë, të cilët edhe përfituan ekonomikisht, e më shumë politikisht. Nga ana tjetër nuk do të ishte aureola dhe preteksti i “Kompanive Rentiere”, shkaku i trazirave të shumta popullore masive, që u shoqërua, deri në rrëmbim armësh e viktima të shumta në njerëz e pasuri.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit Empty TREGTAR PRIVAT

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 26, 2009 3:17 pm

TREGTAR PRIVAT




Nga Ditari i Luan Çipit






Pasi e dorëzova kërkesën për largim nga puna, në Seksionin e Kuadrit dhe dosjet e punës sime ia dhashë shokut të zyrës, Kristaq Minës, i shqetsuar dhe i mërzitur, po i zbrisja shkallët një e nga një, duke menduar e kaluar, si në një ekran filmi, ato 40 vite të gjata pune sa një jetë njeriu, si nëpunës shteti. Më kujtoheshin përpjekjet dhe të papriturat e pasosura, puna me pasion dhe naivitet, pa u kursyer, mëngjes e pasdite, ditën dhe natën, ndoshta, shpesh, punë boshe dhe pa frytete duhura, por me ndërgjegje te lart dhe pastërti kristali. Më kujtoheshin takimet, njohjet, ndarjet me shokë aq të shumtë, të mirë e të dashur, gëzimet, hidhërimet, vlerësimet, qortimet! Po tani? Sidoqoftë, më mirë që u shkëputa, se në këtë kohë trazirash dhe pa sigurie, po qe se do gaboja, nuk kisha kohë të korrigjohesha dhe do të më shkonin, gjithë këto vite pune, dëm.

Sa zbrita shkallët, dola nga porta e madhe dhe mërita te Sheshi para Komitetit, takohem ballë për ballë me ish kolegun tim M Kapaj. Mendova, sipas shembullit të tij, do nisja një biznes privat, por për këtë, së pari, duhej njëfarë kapitali. I shpjegohem, shokut të vjetër dhe i kërkoj ndihmë të përkohshme financiare, se e dija që ai, si ish socialist, ishte ndihmuar nga të tijtë me fonde grant dhe kredi.

-Nuk kam asnjë lekë. Të më besosh, i dashur Luan, të gjitha paratë që disponoja i “futa në lojë”, në tregtinë me plehrat kimike. Po, dale, dale! Mund të zgjidhesh kollaj, se unë njoh një shok që mund të të kreditojë shuma të mëdha parash dhe me leverdi, se ai i jep paratë me interes mujor të ulët, vetëm 10%.

Unë u çudita shumë, se kurrë nuk më shkonte mendja se mund të kishte fajdexhinj kaq të egër.

Jo, faleminderit! Unë nuk mendoj t’i fitoj, këto nivele mujore interesi, as për një vit. Kështu do të më duhej të bëhesha borxhli i përjetshëm.

Sapo u ndava nga M, po në atë shesh, çfarë rastësie, shoh Ladi Muhon, një ish mundës kampionvite më parë, kur unë isha trajner i tij, që tani, në këtë kohë të çuditshme, merrej me llotosport dhe i nxirrte lekët me lehtësi, si simite furri. I përsëris kërkesën dhe ai, skish kohë për të humbur, po më thotë, i shpejtuar:

-Sa para do?

-40-50 mije lekë të reja.

- Hajde sot, pasdite në shtëpi, në ora 4, fiks, ti marrësh.

- Dale, dale, mos ik, të merremi vesh më parë: Me sa përqind mi jep dhe për sa muaj?

- Profesor, i dashur! Mos më humb kohë dhe, më falë që po ta them, mos fol broçkulla. Pa përqindje interesi dhe,” kur të kesh me thasë të mi kthesh me qeska”

Kështu, e sigurova kapitalin minimal që nevojitej për startin.



Me Rakip Bektash Hoxhën, nga Panajaja e Vlorës, që kish profesion inxhinier pyjesh, punësuar aktualisht, në Ndërmarrjen Komunale të Gjelbërimit Vlorë dhe që ishte burri i Ritës, vajzës së Rahimesë (çupa e madhe e xhaxhait tim, Hilmi Çipi), afër shtëpisë, ku ata banonin, pranë rrugës Transballkanike, aty ku ndahet kufiri me Çolen, ne ngritëm një barakë me llamarina dhe nxorëm licencë për “tregtim fruta perime e artikuj të ndryshëm”. Qysh në muajin e parë të punës, në muajin gusht 1992, ne, arritëm në përfundim se, me të ardhurat që do siguronim, mund të rronim normalisht dhe, kryesorja, të kishim burimet e nevojshme dhe kështu, djali im, Kamani, student për mjekësi në Universitetin e Tiranës, do të vazhdonte pa kokëçarje studimet. Këtë aktivitet ne e vazhduam edhe në vitin 1993, 1994, deri më 20 qershor 1995, plotë katër vjet. Ishte barakë e pa dukshme, anës me llamarina dhe lart me pllaka eterniti, por e mbushur plotë me artikuj kinkalerie, cigare, biskota e çokollata, sallam, sheqer, oriz e makarona deri vaj ulliri e qumësht të freskët, si dhe fruta e zarzavate. Fitime siguronim dhe nga grumbullimi, transporti dhe shitja e shisheve bosh.





Me ndërmjetësinë e Dhimokrat Makrisë, zooteknik nga Dropulli, që ishte burri i Dianës, kushërirës së Hanëmes, unë vazhdova bisedimet me tregtarët grekë Kostas Dhimos, financier tatimesh nga Trikalla dhe Dhimitri Dinapojas, ekonomist tregtie, menaxher i një firme tregtare athinase. Ne, së bashku, krijuam një ndërmarrje të përbashkët greko shqiptare, ku unë u punësova si administrator i përgjithshëm, partaim, me pagë minimale. SHPK.-ja, e krijuar në Tetor të vitit 1992, morri emrin “Aulona Impeks”. Fillimisht u importuan dhe u tregtuan fill leshi për qylymat dhe më pas sallam, miell, bojëra, makina qepëse, prodhime plastike etj. Rezultatet ishin minimale dhe kishin lëkundje, në vartësi të politikes shtetërore me Greqinë. Në dispozicion të firmës, nga pala greke, u vunë një autokamjon Benz 10 T. me rimorkio si dhe një furgon frigorifer Benc 3 T. i specializuar, për transport sallami. Në fund të vitit 1994 këto mjete, që edhe ashtu, ishin të përdorura, pa shërbime e remonte, u amortizuan plotësisht dhe ngelën në Greqi.

Paralelisht me Aulonën, në tetor të vitit 1993, me po këta pronarë enigmatikë, por me përvojë dhe energjikë, u krijua një tjetër firmë greko-shqiptare, me administrator inxhinierin e pa lodhur të ndërtimit, njeriun e mirë e të aftë, vlonjatin Mihallaq Hanxhari, ku unë u përfshiva, si ndihmës dhe financier i tij. Me të, pasi u pajisëm nga grekët me disa makineri e agregate të thjeshta ndërtimi, dhe duke pasur në dispozicion, si mjet transporti, furgonin tim tip Fiat 242 me kapacitet 1,5 ton, që e drejtoja po unë, ne ndërtuam “Kishën e Skrofotinës”, duke restauruar nga e para atë, mbi rrënojat e Kishës së Vjetër të “Parashqevisë së Skrofotinës”, të frekuentuar, kryesisht, nga besimtarë vlleh. Aktiviteti i grekëve guximtarë dhe me përvoje biznesi, u shtri dhe në turizëm, duke marrë me qira dhe gjallëruar “Kampin e Ri” të punëtorëve në Ujin e Ftohtë të Vlorës, të cilën e administroi direkt po pa sukses, në kushtet e konkurrencës dhe të pretendimeve te ish pronarëve, Dhimokrat Makri me të shoqen e tij Diana.



Gjatë kësaj kohe unë bashkëpunoja, njëkohësisht, në tre aktivitetet: Në kioskën e tregtisë me shumë artikuj, së bashku me Rakip Hoxhën dhe me gratë tona; në ShPk.-ën e Tregtisë ”Aulona Impeks”, me Dhimokrat Makrin dhe në ShPK-ën e Ndërtimit ”Balltek” me inxhinier Mihallaq Hanxharin.



Në të njëjtën kohë, nga dhjetori 1992, deri më janar të vitit 1994, me 10 shokë nga qyteti i Vlorës krijuam Shoqërinë Autonome “Vlora”. Qëllimi i krijimit të ShA “Vlora” ishte që, me një kapital modest të investuar nga secili, të zhvillonim aktivitet tregtar lokal. Në këtë shoqëri u futën Shefqet Levendi, i përndjekur politik, që u vu në krye dhe biznesmenë të tjerë të vegjël, po që ishin pinjollë të ish familjeve të pasura të qytetit të Vlorës, si Selaudin Xhyheri, Kudret Sharra, Feta Mustafaraj, Luftar Sulaj, si dhe Vilson Sina dhe Agim Traga. Si e tillë u mendua se Shoqëria do kish përkrahjen dhe ndihmën e shtetit të ri demokratik me kredi dhe përparmi në privatizim, gjë që nuk u vërtetua. Pjestarët e shoqatës i ruajtën më vete dhe aktivitetet e tyre personale dhe nuk ju përkushtuan mbarëvajtjes së firmës së përbashkët. Ajo tregtoi sapun të prodhuar nga ndërmarrja e Vlorës, disa produkte të mbetura të Kombinatit të Konservave, disa mallra nga Rezervat e Shtetit, importoi një sasi molle nga Maqedonia dhe pula të gjalla nga Italia, si dhe tërhoqi e shpërndau pije alkoolike nga Vriseraja. Shoqata vepronte me 2 automjete të blera me kredi nga SME ja. Fitimi i realizuar rezultoi që me zor mbulonte vetëm shlyerjen e kredisë. Për pak më shumë se një vit kjo ndërmarrje u mbyll dhe kapitalet u rishpërndanë. Mua me ngeli në pjesë automjeti Furgon 1,5 ton.



Nuk mund të ri pa përmendur se periudha nga tetori 1993 deri në fund të vitit 1995, kur unë punova me Mihallaq Hanxharin, në ndërtimin e Kishës së Parashqevisë në Skrofotinë ishte ajo që më dha më shumë kënaqsi dhe rezultat. Në këtë firmë ishte si financues Komuniteti Ortodoks i Tiranës, por kontributin kryesor e jepnin grekët dhe inxhinieri greko-amerikan Panajotis Metaksatos. Unë atje isha në pozicionin e nëndrejtorit administrativ, por bëja çdo lloj pune deri financier dhe shofer kamioni, për transport materialesh. Të ardhurat mujore personale neto shkonin rreth 30 mijë lekë. Në këtë veprimtari. veç inxhinierit Mihallaq Hanxhari, me të cilin kishim shkuarje dhe mirëkuptim të shkëlqyer, duhen kujtuar dhe specialistët e ndërtimit çobani vendas duarartë Leonidha Kaçani dhe tre vëllezërit çam Xhemali, Halili dhe Myslymi, si dhe epitropasi vendës i kishës së Shënepremtes, Llambro Llambraj (Xha Lamja).



Paralelisht me këto, nga 1 mars 1995 fillova punë te Firma “Europlast” ShPK. Fier, fabrikë bashkëkohore për prodhim sfungjeri me aftësi prodhuese 400 dyshekë sfungjeri në ditë. Ishte propozimi i djalit të daj Fejziut, inxhinierit mekanik, Petrit Peshkëpia, i cili do bashkëpunonte me kolegun e tij, minoritarin gjirokastrit Jorgo Mano. Ata më thërritën disa herë në Patos, ku banonte aso kohe, familjarisht, Petriti dhe unë, së fundi, rashë dakord që të punësohesha si financier i firmës, me pagë 35 mijë lekë në muaj. Sipas plan biznesit të hartuar dhe përllogaritjeve përkatëse, investimi do të ishte rreth 80 milion dhrahmi dhe do të shlyhej Brenda 8 deri 10 muaj. Petriti, që luajti rolin kryesor për të siguruar, nëpërmjet miqve të vetë të “ALBPETROLIT”, mjedisin përkatës, ku do montoheshin makineritë, që po i sillte Jorgua nga Greqia, do të ishte bashkëpronar. Për të rritur masën e kapitalit, i cili do maste raportin e shpërndarjes së fitimit për secilin, unë i sugjerova Petritit ta rriste kapitalin e vetë. I dhashë, për këtë kursimet e mia dhe te femijeve te mi emigrant një vleft ne para, që formonte gati 10% të gjithë kapitalit të investuar, duke e këshilluar të gjente me kredi dhe lekë të tjera dhe kështu të rriste përqindjen e bashkëpronësisë, mundësisht 50 me 50, me që fitimi parashikohej shumë i lart. Kjo kishte logjikë ekonomike dhe ishte detyra ime t’ia sugjeroja, si ekonomist dhe kushëriri i Petritit.

Dorëzimi i pareve nga ana ime u bë në prezencë të djalit dhe nipit të tij dhe u nënshkrua dokumenti përkatës i huamarrjes investuese.

Nisi montimi i makinerive, me ndihmën e specialistëve grekë dhe përshtatja e godinës, sipas projektit teknologjik, që përfundoi, brenda dy muajve. Ndërkohë unë aktivizohesha çdo ditë në punë të çfarëdoshme, deri dhe montator, krahas punës të hartimit të dokumenteve dhe të hapjes se librave kontabile.. Vija çdo dite, që në mëngjes nga Vlora, në Fier dhe rija deri në mbrëmje. Shpejt filloi me sukses prodhimi dhe shitja e sfungjerit, që rezultoi me cilësi të lart. Lëndët e para, disa kimikat, i sillte Jorgo Mano, nga Greqia. Pa filluar prodhimi dhe shitja Jorgua ma kish reduktuar pagën në 15 mijë lekë në muaj. Kjo ishte ndryshe nga marrëveshja jonë, por unë arsyetoja se paga do rritej me fillimin e prodhimit dhe sigurimin e të ardhurave. Edhe më vonë, kur nisi të shitet prodhimi, nuk u respektua marrëveshja dhe paga nuk u rrit. Pasi protestova për këtë, vura re që edhe Petriti, nuk më përkrahu, prandaj unë, duke u ndodhur para një pabesie, an bllok, kërkova largimin dhe marrjen e menjëhershme të kredisë së investuar, sipas marrëveshjes. Arsyetova se vetëm atë shumë po të vendosja në Bankë, do merrja më shumë interes nga paga që më jepej. Sipas marrëveshjes me shkrim kërkova menjëherë kthimin e shumës, po edhe kjo nuk u bë plotësisht.

Me 20 qershor, pas gati 4 muaj pune, largohem përfundimisht, nga këta persona qe shkelën kushtet e kontratës. Edhe 2-3 muaj të tjerë punoj me sukses e normalisht linja e sfungjerit. Një ditë morra vesh se ajo u dogj dhe u bë shkrumb, si rezultat i një pakujdesie të saldatorit, që po vinte hekura në dritaret e saj. Kështu u mbyll kjo aventurë. U mboll pabesi dhe u korr fatkeqësi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit Empty Re: Në Fabrikën e Çimentos:Nga Ditari i Luan Çipit

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi