Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kastriot Marku: Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes

Shko poshtë

Kastriot Marku: Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes Empty Kastriot Marku: Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Tue Dec 15, 2009 3:46 am

Kastriot Marku: Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes U1_PjeterBogdaniPjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes

Nga Kastriot MARKU, Milosao

Sikurse
edhe jetën e Pjetër Budit, ashtu edhe atë të Pjetër Bogdanit
(1630-1689), mund ta rindërtojmë falë të dhënave që na kanë lënë ata
vetë në relacionet periodike dërguar Propagandës Fide në Romë. Por
gjithsesi penda e Bogdanit ka qenë më bujare. Pjetër Bogdani lindi në
Gur të Thatë të Hasit afër Prizrenit rreth viteve 1625-1627 (Shih:
Marlekaj 1989), ku si famullitar atëbotë shërbente i ungji i tij Andrea
Bogdani (1600-1683), në fillim arqipeshkëv i Ohrit dhë më pas i
Shkupit, i cili do të ndikojë mjaft në shkollimin e tij. Studimet
Bogdani i nisi në vitin 1642 në Kolegjin Urban të Propagandës Fide, për
të kaluar pas pesë vitesh në vitin 1647 në Kolegjin Ilirik të Loretos,
ku studionin edhe shqiptarë të tjerë të njohur si: Martino Kryeziu,
Gerard Gallata, Nikollë Vladanji dhe Martin Spica, për t’i përfunduar
në Universitetin e Padovës, duke u shuguruar meshtar në vitin 1650.
Punën baritore e filloi në dioqezën e Pultit. Më pas do të shkojë
sërish në Itali ku edhe doktoroi në teologji dhe filozofi në Kolegjin e
Propogandës Fide, dhe ku sipas dokumenteve u laurua „con applausa di
tutti” doktor në teologji. Me t’u kthyer ai sjell dekretin panor për
emërimin e të ungjit arqipeshkëv të Ohrit. Më 26 tetor të vitit 1655
emërohet ipeshkëv i Sapës në vend të Simon Sumës, ndërsa me 6 mars 1656
emërohet ipeshkëv i Shkodrës, për tu shpërngulur me 8 nëntor 1677 si
Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkupit. Jetoi vazhdimisht
i përndjekur nga pushtuesit osmanë për shkak të veprimtarisë së tij
aktive kishtare e atdhetare, ndaj për t‘u shpëtuar këtyre ndjekjeve për
një kohë iu desh të merrte malet e të jetonte i fshehur. Mori pjesë në
organizimin e kryengritjeve për lirimin e vendit nga sundimi osman.
Relacionet e shumta që i ka dërguar Bogdani Vatikanit, dëshmojnë për
aspektet e kësaj lufte të pandërprerë prej tij dhe përbëjnë një korpus
me rëndësi dokumentare për historinë dhe gjeografinë historike të
Shqipërisë mesjetare dhe të disa krahinave të tjera kufitare me të. Më
1685 në Padovë me ndihmën e kardinal Gregor Barbarigos (1625-1697), ia
doli ta botojë veprën e vet Cuneus Prophetarum – Çeta e profetëve, e
cila sipas vetë Bogdanit në variantin e dorëzuar për botim në vitin
1675 titullohej Flavissae Prophetarum. Vdiq në Prishtinë më 6 dhjetor
1689 i prekur nga epidemia e kolerës. Pas disa ditësh trupi i tij u
zhvarros nga turqit dhe iu hodh qenve në shesh të Prishtinës.

Pjetër
Bogdani është padyshim përfaqësuesi i fundit dhe më i shquari i
letërsisë shqiptare të shek. XVI-XVII, mendja më universale e botës
shqiptare përgjatë periudhës mesjetare. Vepra kryesore e tij, sikurse e
thamë është Cuneus Prophetarum, Çeta e profetëve, botuar në Padovë më
1685, cilësuar si një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare. Teksti
është dhënë në dy shtylla për çdo faqe shqip dhe italisht. Çeta e
profetëve është një traktat teologjik-filozofik që trajton, duke
shkrirë të dhëna brenda saj nga burime të ndryshme, çështje kryesore të
teologjisë, një histori biblike të plotë, si dhe probleme të
ndërlikuara të skolastikës, të kozmogonisë, të astronomisë, të
pedagogjisë etj. Me këtë vepër Bogdani solli diçka të pazakontë në
kulturën shqiptare, duke vlerësuar rolin e dijes e të kulturës në jetën
e njeriut. Ai me veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të
përpunuar këndshëm, shënoi një kthesë vendimtare në historinë e
letërsisë shqipe. Trajtat origjinale në aspektin ndërtimor sikurse,
njëmbëdhjetërrokëshi elegjiak i Sibilave dhe rrafshi
përmbajtësor-motivor i tillë tek ato dhe tek Pashtriku, që të kujtojnë
malin Sinaj dhe zanat shqiptare, fitojnë vlera simbolike të veçanta.
Kjo vepër mund të quhet laboratori më i madh i përpunimit të
vetëdijshëm e mjeshtëror të shqipes mesjetare, e cila prej këtij autori
u bë e aftë të shprehte koncepte të vështira teologjike e filozofike të
kohës. Për veprën jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit një kontribut të
madh kanë dhënë: Faik Konica, At Justin Rrota, At Shtjefën Gjeçovi,
Ibrahim Rugova, Injac Zamputi, Wili Kamsi, Androkli Kostallari,
Dhimitër Shuteriqi, Shefik Osmani, Zija Xholi, Engjëll Sedaj, Anton
Berishaj, Engjëll Sedaj, At Luigj Marlekaj, Kolë Ashta, Anila Omari,
Kristo Frashëri, Martin Camaj, Shefqet Hoxha, Shaban Demiraj, Mateo
Sciambra, Italo Costante Fortino, Zef Mirdita, Giuseppe Valentini,
Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Mahmud Hysa, Odette Marquet, Matteo
Schiambra, Selman Riza, etj.


TEKSTET E VJETRA SHQIPE DHE BOTIMI KRITIK I TYRE

Korpusi
i teksteve të vjetra të gjuhës shqipe, relativisht të pak ta për nga
numri i tyre, përbën materien bazë mbi të cilën mund të përvijohet
rindërtimi i vijueshëm i gjendjes së gjuhës shqipe përgjatë mesjetës.
Mungesa shqetësuese e burimeve dorëshkrimore, para së gjithash për
shkak të rrethanave historike të kohës, rritet proporcionalisht me këtë
mungesë.

Gjithsesi
duhet theksuar se hulumtimet tona të deritanishme kanë qenë të
pamjaftueshme në arkivat europiane për të gjetur botime a dorëshkrime,
që paraprakisht do t’i jepnin vlerë të posaçme secilit burim të ri dhe
do ta pasuronin e do ta qartësonin vetvetiu dhe më tej gjendjen e
shqipes së kësaj periudhe. Duhet të theksojmë se për një periudhë të
gjatë kohore studimet filologjike shqiptare kishin mbetur mjaft mbrapa
në krahasim me studimet gjuhësore. Botimet kritike ndihmojnë në
njohjen, leximin, interpretimin dhe botimin e teksteve shqipe, qoftë
ato në gjendje dorëshkrimore, ashtu edhe ato tekste botimesh të rralla,
në formën e tyre gjuhësore origjinale, shoqëruar me aparatin e tyre
shpjegues për “lexim masiv”. Kjo bën që tekstet e vjetra të hyjnë në
komunikim me lexuesin e sotëm, sepse në fund të fundit prania e tyre
mbi të gjitha është mjet shumë i rëndësishëm i identitetit tonë
historik dhe kulturor, por edhe i praktikës sonë gjuhësore dhe letrare.
Për letërsinë e shekujve XVI-XVIII, por edhe më këndej, ne tashmë duhet
të kemi botime kritike, bazuar mbi kritere shkencore filologjike,
mbështetur mbi dorëshkrimet apo botimet e para, mungesa e derisotme e
disa prej të cilave ka bërë që lexuesit dhe në mënyrë të veçantë
studiuesit të hasin në versione të ndryshme të të njëjtit tekst, për
pasojë dhe i kanë përcjellë ato me interpretime të ndryshme. Kjo kërkon
një detyrë të ngutshme të filologjisë shqiptare, e cila ka dhe duhet të
ketë si model pune, sa i takon teorisë së botimit kritik të teksteve
shqipe, punimin e Eqrem Çabejt, pa dyshim albanologut më të madh të
shekullit të kaluar, i cili në vitin 1959, boton artikullin me titull:
“Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre”, botuar
në Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria e Shkencave
Shoqërore, Tiranë 1959, Nr. 2, f. 104-115, në të cilin trajton
problematikën lidhur me botimin e teksteve të vjetra shqipe. Në këtë
artikull, i cili është një përmbledhje udhëzimesh në trajtën e një
doracaku, Çabej me një formimim filologjik shembullor nga Universiteti
i Filologjisë Klasike të Universitetit të Vjenës, trajton parimet dhe
kriteret themelore dhe hapat që duhen ndjekur për botimin e teksteve të
vjetra, mënyrën e riprodhimit të një teksti, duke dalluar fototipinë
nga transliterimi dhe transkribimi fonetik. Këtu ai na njofton edhe
përfundimin e punës për botimin kritik të Mesharit, punë të cilën e
kishte përfunduar në muajin gusht të vitit 1958, por edicioni kritik i
Meshari-t doli në dritë dhjetë vjet pas përgatitjes, kur u botua në
Rumani, për shkak të mosgjetjes së një shtypshkronje, ndërkohë që ai
kishte punuar mbi njëzetë vjet mbi të. Me këtë botimi kritik, Çabej
çeli hullinë e praktikës ekdotike, tashmë tradicionale në filologjinë e
teksteve shqipe, e cila dalngadalë me studiuesit Rexhep Ismajli, Anila
Omari, Bardhyl Demiraj, Gëzim Gurga, Matteo Mandala, Francesco Altimari
do të bëhej shkollë.

Duhet
theksuar se filologjia shqiptare ka arritur suksese të shënuara vitet e
fundit dhe kjo falë kërkimeve arkivore e bibliografike, studimeve dhe
botimeve albanologjike bërë nga studiuesit arbëreshë. Që prej vitit
1994, me nismën e Prof. Françesko Altimarit ka nisur dhe është afër
përmbushjes projekti BETA (Biblioteca Elektronike e Teskteve
Arbëreshe), ose Leksikografia Tekstuale e Kompjuterizuar, e cila përveç
botimit kritik të veprës së autorëve arbëreshë, pra përmes mbledhjes
dhe dokumentimit lëndor mbi bazën e metodës korrekte ekdotike, mbi të
gjitha synon që tekstet gjuhësore të këtyre veprave t’i katalogojë dhe
t’i përpunojë në mënyrë elektronike në kompjuter në një perspektivë të
re solide filologjike për hartimin kështu të fjalorit të plotë të
arbërishtes dhe sipas konkordancave gjuhësore, me qëllim nxjerrjen në
pah të frekuencave të përdorimit më të zakonshëm, gjë që më pas do ta
bëjë më aktive kujtesën gjuhësore të botës arbëreshe në nivel
retrospektiv, dhe pse jo edhe asaj shqipe që prej Mesjetës. Ajo që
është e rëndësishme është se Matteo Mandala dhe Francesco Altimari,
njohës të shkëlqyer të Shkollës së Filologjisë Italiane, kjo ndër më të
njohurat sot në këtë fushë, ofrojnë një mënyrë dhe një procedurë
studimi krejtësisht të re dhe moderne, e cila i bën këto tekste
lehtësisht të përdorshme, pasi origjinali nuk preket, ndërkohë që
shpjegimet u pranëvihen teksteve si aparate leximi. Tani pas 15 vjetësh
projekti i nisur në mënyrë mjaft domethënëse me Bagëti e Bujqësia të
Naim Frashërit, për të vijuar më pas me veprat e Lekë Matrëngës,
Nikollë Brankatit, Nikollë Filjës, Jul Varibobës, Nikollë Ketës,
Jeronim de Radës, Zef Serembes, Gravil Darës, Zef Skiroit, Françesko
Krispit Galvianos, Françeko Antonio Santorit etj, si dhe teksteve të
botuara dhe atyre dorëshkrim të letërsisë gojore arbëreshe etj, është
drejt realizimit të tij të plotë, kjo edhe falë mbështetjes dhe
bashkëpunimit model midis universiteteve të Kalabrisë dhe Palermos.
Disa tekste si: E mbsuame e krështerë, Kodiku i Kieutit, Gjella e Shën
Mëris Virgjërë, të cilat ishin botuar edhe më parë, u është bërë
ribotimi kritik më i kujdesshëm në një perspektivë filologjike tekstore
më solide, sipas metodologjisë korrekte ekdotike tashmë të stabilizuar,
duke ndrequr kështu gabimet e bëra në botimet e mëparshme.


“Çeta e Profetëve” I pari botim i plotë kritik
Cuneus
Prophetarum, (Çeta e Profetëve), Botim kritik me një studim hyrës,
faksimile të origjinalit, transkriptim e shënime, përgatitur nga Anila
Omari, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë, Tiranë, 2005. 950 faqe. ISBN 99943-773-8-2.


Cuneus
Prophetarum, (Çeta e Profetëve), është një botim kritik i Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë dhe i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë,
botim sipas origjinalit, Padovë 1685.

Botimi
i kësaj vepre është rezultat i punës shumëvjeçare të studiueses
filologe Anila Omari, i vetmi botim i plotë, tërësor, që i bëhet Çetës
së Profetëve, ndonëse botime të pjesshme e ribotime ka pasur ky libër
që me kohë. Ndër këta studiues, ajo përmend botimet e Venecies (1691
dhe 1702), Dom Ndre Mjedjen (1930), At Mark Harapin (1940-43), Rudolf
Trofeniku-n (1977), dhe Engjëll Sedaj-n (1989-1997) etj. Libri hapet me
një Parathënie të autores, (faqe 3-5) përmes së cilës ajo shtjellon
përmbledhjet dhe studimet e autorëve të ndryshëm për veprën e Bogdanit,
arsyet e marrjes së këtij botimi si dhe kriteret që ka përdorur ajo në
botimin e pranishëm dhe ndjekja e shembullit të Eqrem Çabejt, i cili na
ka lënë si model botimin kritik të Meshari-t të Gjon Buzukut (1968).


pas vjen Hyrja (faqe 7-83), në të cilën autorja ka trajtuar jetën dhe
personalitetin e Bogdanit, veprën dhe procesin e hartimit të saj,
botimin e veprës, grafinë e veprës dhe kriteret e transkriptimit të
saj, si dhe një tabelë krahasuese të alfabetit të përdorur nga Bogdani
me alfabetin e sotëtm të shqipes dhe alfabetin fonetik ndërkombëtar
(IPA). Në fund autorja jep Literaturën (Bibliografinë), (faqe 84-88),
mjaft të pasur ku ajo është mbështetur, e cila përmban plot nëntëdhjetë
autorë dhe studime.

Botimi
përmban: faksimiljen e plotë të veprës në faqet majtas, shoqëruar në
faqen djathtas me transkriptimin (përkthimin) shqip, shoqëruar në fund
të faqeve me mjaft shpjegime e shënime për fjalët dhe shpesh për
ndërtimet gramatikore, çfarë nënkupton një aparat të plotë shkencor i
cili paraqitjet kështu për mjaft lexues me formim gjuhësor ose me
kulturë të përgjithshme, rrjedhojë kjo e një pune të vazhdueshme dhe
sistematike të autores.

Pas
frontespicit, më pas vjen letra e Bogdanit drejtuar kardinal
Barbarigos, shkruar në Padovë, më 18 tetor 1695, si Arqipeshkëv i
Shkupit. Më tej vjen një poezi kushtuar kardinalit Gregor
Barbadikus-it, shkruar prej Mateus Thomaseus. Në vijim kemi një kushtim
që i bëhet veprës së Bogdanit prej xhaxhait të tij, Andrea Bogdanit,
Arqipeshkëv i Shkupit më 10 tetor 1683. Në faqen XI kemi letrën e Joan
Klerikatit mbikëqyrës i titullit të Shenjtës Trini të Padovës drejtuar
Gregor Barbadikus-it kardinal, Ipeshkv i Padovës, letër në të cilën
Joani jep pëlqimin e botimit të veprës Çeta e Profetëve, në gjuhët
italisht dhe epirotisht, letër kjo e lëshuar në Padovë më 6 qershor
1685. Abat Gjon Bogdani, vikar i përgjithshëm i Kishës metropolitane të
Shkupit, pasi shqyrton librin e Pjetër Bogdanit Cuneus Prophetarum de
Christo Salvatore Mundi et eius Evangelica Veritate, jep garanci për
këtë vepër, duke lëshuar edhe dëshmi më 1 tetor 1684 në Serbi. Po këtë
garanci për veprën e Pjetër Bogdanit e jep edhe Nikolla i Andre
Bratiqit nga Prizreni me banim në Venezie, lëshuar në këtë qytet, më 1
prill 1685. Faqja XIV nis me Hyrjen, Parathënien e Bogdanit për veprën
e tij, parathënie të cilën autori e quan Të primitë përpara letërarit.
Më pas ndjekin mjaft poezi, ode, këngë të autorëve të huaj, klerikë e
shekullarë kushtuar Bogdanit dhe veprës së tij. Vepra e Bogdanit ndahet
në dy pjesë. Pjesa e parë përmban Çetën e Profetëve me 182 faqe
(italisht e shqip), ndërsa pjesa e dytë përmban Jetën e Jezu Krishtit,
Shëlbuesit të Botës (gjithnjë italisht e shqip), me 162 faqe, por që
autorja i ka paraqitur në faqe çifte, me transkriptim e shënime.

“Çeta
e Profetëve” ngërthen katër shkallë, ku secila shkallë ndahet në
ligjërata, si më poshtë: Shkalla I (f.1-53): Si krijoi Zotynë nierinë,
Ligjërata I: Si ashtë Hyji ndë vetëhe. Ligjërata II: Si asht ndër tre
vetë, Nja i vetëmi Hyj.

Ligjërata
III: Si e kallëzuenë profetëtë të Shënë Tritatnë (Trinitetin).
Ligjërata IV: Si e krijoi Zotynë Qiellnë. Ligjërata V: Si e krijoi
Zotynë Dhenë. Ligjërata VI: Si e krijoi Zotynë Adamnë et (dhe) Evënë të
Parëtë tanë Print. Ligjërata VII: Si fëjyenë (mëkatnuan) Adami et Eva.
Shkalla II: Profetitë (Profecitë) e metaforat e tyne përmbi t’ardhunitë
Mesisë, Krishtit, Shëlbuesit shekullit. Ligjërata I: Qish (qysh, çka)
do me thanë Profetia. Ligjërata II e disa shembëlltyrave Përmbi
t’ardhunitë të Mesisë, Krishtit, Shëlbuesit shekullit. Ligjërata III së
dy fije rrezje së profetisë. Ligjërata IV Shumë duer vështëria. (Këto
ligjërata vazhdojnë nga faqet 54-83). Shkalla III: Jeta e Profetëvet me
profetitë (e) tyne. Ligjërata I: Jeta e profetitë e Mojze Profetësë.
Ligjërata II: Jeta e Davidit Profetë. Ligjërata III: Profetit e Davidit
Profetë. Ligjërata IV: Jeta e Salomonit Profetë e profetit e tinaj.
Ligjërata V: Jeta e Jobit Profetë e profetitë e tinaj. Ligjërata VI:
Jeta e Izaisë Profetë. Ligjërata VII: Jeta e profetitë e Jeremisë
Profetë. Ligjërata VIII: Jeta e profetit’ Exekjelit Profetë. Ligjërata
IX: Jeta e profetit’ e Danielit Profetë. Ligjërata X: Përmbi Profetëtë
(e) vogjëlë e Profetitë e tinaj. Ozea Profetë. Ligjërata “X (për së
dyti herë): Jeta e Joelit Ptofetë. Ligjërata XI: Jeta e profetitë e
Amos Profetë. Ligjërata XII: Jeta e profetitë e Abdisë Profetë.
Ligjërata XIII: Jeta e profetitë e Jonësë Profetë. Ligjërata XIV: Jeta
e profetitë e Mikesë Profetë. Ligjërata XIV (për së dyti herë): Jeta e
profetitë e Nahumit Profetë. Ligjërata XV: Jeta e Profetitë e Abakuk
Profetësë. Ligjërata XVI: Jeta e profetitë e Sofonisë Profetë.
Ligjërata XVII: Jeta e Profetitë e Agjesë Profetë. Ligjërata XVIII:
Jeta e profetitë e Xakari Profetësë. Ligjërata XIX: Jeta e profetitë e
Malakis’ Profetë (këto ligjërata gjenden në faqet 85-155). Shkalla IV
përshkruan jetët e Sibilave. Ligjërata I: Jeta e dhjetë Sibilavet e
kankët e tyne. Ligjërata II: Jeta e ndivënesëtë (profecitë, orakujt) e
Sibilësë Kumea. Ligjërata III: Sibila Libika. Ligjërata IV: Sibila
Delfika. Ligjërata V: Sibila Persika. Ligjërata VI: Sibila Eritrea.
Ligjërata VII: Sibila Sarnia. Ligjërata VIII: Sibila Kumana. Ligjërata
IX: Sibila Elespontika. Ligjërata X: Sibila Frigja. Ligjërata XI:
Sibila Tiburtina. Po në këtë shkallë jepen edhe dise ligjërata të
tjera, si Ligjërata I: Përmbi të gjashtë jetëtë (e) shekullit.
Ligjërata II: E dyjta (dyta) jetë e shekullit. Ligjërata III: E treta
jetë e shekullit. Ligjërata IV: E katërta jetë e shekullit. Ligjërata
V: E pensta (pesta) jetë e shekullit. Ligjërata VI: E gjashta jetë e
shekullit (të gjitha këtë ligjërata përmbledhin në faqet 157-182). Këtu
përfundon dhe pjesa e parë e Veprës.

Pjesa
e dytë fillon me “Mbi jetën e Jezu Krishtit, Shëlbuesit të Botës dhe të
vërtetën e Tij ungjillore”. Edhe kjo pjesë ndahet në shkalla e
ligjërata. Përsëri, edhe kjo përmban katër shkallë, me ligjëratat
përkatëse, si vijon. Shkalla I: Jeta e Jezu Krishtit Shëlbues (të)
Vërtetit Mesi. Ligjërata I: Jeta e së Lumesë Virgjinë Mri, s’Amësë
Tinaj. Ligjërata II: Të lemitë e së Lumesë për herë Virgjinë Mri.
Ligjërata III: Cihariqi i Engjëllit së Lumesë Virgjinë Mri. Ligjërata
IV: Të lemit’ e Jezu Krishtit, Zotit Tinë (tonë). Ligjërata V: Të
rrethpremit’ e Zotit tinë Jezu Krisht. Ligjërata VI: Të adhëruemit’ e
tre Regjinjet (Mbretërve). Ligjërata VII: Si u ndal Jezu Krishti ndë
Jeruzalemt (në Jerusalem) ndër dotorët e të Tretënë ditë u gjet.
Ligjërata VIII: Të pagëzuemit’ e Jezu Krishtit, njineset e tëndimit
(tundimit) së Tinaj ndë shkretit(ë). Ligjërata IX: Si Jezu Krishti
xgodh apostujt’ e vet. Shkalla II: Mrekullit’ e Jezu Krishtit Zotit
Tinë. Ligjërata I: Si e kthej Jezu Krishti Ujëtë ndë venë ndë Kana
Galilet. Ligjërata II: Ndjekënë të tjera mrekulli të Jezu Krishtit.
Ligjërata III: Predikimet e Jezu Krishtit e mrekullit’ e Tinaj.
Ligjërata IV: Si Jezu Krishti shumoi bukëtë e nginji (ngopi) shumë mijë
gjindje. Ligjërata V: Si Jezu Krishti vu (vuni) Pjetërë për gur të
temelit Kishës së vet. Ligjërata VI: Si Jezu Krishti e ngjalli Laxarinë
(Lazrin) e si hini ndë Jeruzalemt. Ligjërata VII: Darka e Jezu Krishtit
me Apostuj të vet’. (Kjo shkallë me këto ligjërata, përmbledhin faqet
1-96, natyrisht me një numërim të ri faqesh në pjesën e dytë). Shkalla
III: Pësimi e mortja e Zotit tinë Jezu Krisht. Ligjërata I: Si Jezu
Krishti djersi gjak ndë kopësht e tradhëtija e Judësë. Ligjërata II: Si
e shpunë Jezu Krishtinë përpara Pilatit e si Aj e dërgoj Herodit.
Ligjërata III: Si e vunë Jezu Krishnë mbë Kryjt (në Kryq). Ligjërata
IV: Si e hojnë (hoqën) Jezu Krishnë Kryqet e ja dhanë së Lumesë
Virgjinë. Shkalla IV: Së ngjallunit e së ardhunit së dyjti të Krishtit
Shëlbues. Ligjërata I: Si u ngjall Jezu Krishti të tretënë ditë.
Ligjërata II: Si hipi Jezu Krishti mbë Qiellt Ditën e Shëlbuemit.
Ligjërata III: Të zdripunit’ e Shpirtit Shenjt Ditënë e Rrshavet.
Shkalla IV: Pas kësaj ligjërate shkëputet me një gravurë, e cila parqet
Çetën e Profetëve të Krishtit. Pas kësaj vjen “Çeta e Profetëve”
(Cuneus Prophetarum) në tetë gjuhë (fq.145-149), si në latinisht,
greqisht, armenisht, sirisht, hebraisht, arabisht, italisht dhe
epirotisht, natyrisht në mënyrë fragmentare. Menjëherë ndjek një faqe
(150), me titull Njerëzia e Jezu Krishtit Shëlbuesit (të) Shekullit. Në
fund, vjen Ligjërata IV e shkallës së IV, me këtë nëntitull: Si ka me
ardhunë Jezu Krishti me gjykuem Shekullinë, Ditët së Gjyqit, por që
ndiqet nga një nëntitull tjetër më i gjerë: Jeta e Antikrishtit si ka
për të kjanë (qanë, qenë) (në faqet 155-159), kur edhe vjen Mbarimi siç
e shprehet vetë Bogdani.

Bogdani
në fund të veprës së tij, për të ndihmuar dhe drejtuar lexuesit, harton
një tregues, “Kallëzori” sikurse e quan ai në italisht “Indice”, në të
cilin rëndit alfabetikisht fjalët më kryesore të përdorura në veprat e
tij, shoqëruar me numrin e faqeve përkatëse. Këta tregues përfshijnë 14
faqe e gjysmë, edhe pse pa numër faqesh. Pjesën në shqip Anila Omari e
ka transkriptuar duke e shoqëruar edhe me shpjegimet e nevojshme,
sikurse ka vepruar në të gjithë veprën.

Vijnë
pastaj sërish faqe të panumëruara, në të cilat Bogdani vijon me
historinë e shtëpisë dhe fisit të tij, duke e titulluar Pleqënia e
Shtëpisë Bogdananjet, ku aty jep edhe përpjekjet e mundimet e Pjetrit
gjatë kohërave, sidomos në shërbimet fetare dhe në veprimtaritë e tij
politiko-kulturore. Kjo përmbledh më tepër se dy faqe. Libri mbyllet me
një letër të shkruar latinisht (e përkthyer kjo nga studiuesja A.O) të
Papa Aleksandrit të VII, të shkruar nga një sekretar G. Gualtierius,
drejtuar ungjit të Pjetrit, Andre Bogdanit, Arqipeshkëv i Ohrit dhe më
vonë Arqipeshkëv i Shkupit. Kështu, numri i faqeve të këtij botimi
kritik arrin 950, meqë mjaft prej tyre si në fillim, ashtu në fund të
saj janë të panumëruara. Me këtë botim, filologjia shqiptare, gjuha dhe
letërsia shqipe pasurohen më një gur të rëndësishëm, i cili do të zërë
një vend të rëndësishëm në bibliotekën tonë, e që padyshim i jep vlerën
e merituar punës së autores.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi