Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Frrok Kristaj: Pjetër Bogdani

Shko poshtë

Frrok Kristaj: Pjetër Bogdani Empty Frrok Kristaj: Pjetër Bogdani

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 25, 2009 1:43 am


Frrok Kristaj: Pjetër Bogdani U1_PjeterBogdani2
Demush R. Avdimetaj: Pjetër Bogdani (pikturë)
Kryevepër e letërsisë shqiptare


Ky shkrimtar shqiptar me të drejtë u quajt pararendës i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare. Ai luftoi kundër otomanëve, por edhe kundër Patriarkanës serbo-ortodokse të Pejës, që pengonte shpërthimin e kryengritjeve antiosmane të shqiptarëve. Vepra e Bogdanit u botua në qendrat më të njohura të Rilindjes evropiane.

Nga Frrok KRISTAJ

Pjetër Bogdani është figurë e shquar e letërsisë shqiptare. Ai kishte dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar. Dallohej si dijetar e letrar, si luftëtar për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin kulturor të vendit të vet. Me veprimtarinë e tij 40-vjeçare, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet "Çeta e profetëve", Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i Rilindjes sonë Kombëtare.

Pjetër Bogdani u lind në Gur të Hasit, që dikur quhej Gjinan (sot Bregdri, komuna e Prizrenit) rreth vitit 1625. U shkollua në vendlindje, por edhe në Ciprovac të Bullgarisë, në Kolegjin Ilirik të Loretos dhe në Kolegjin e Propagandës në Romë, ku edhe u doktorua në fushën e teologjisë dhe të filozofisë. Ushtroi detyrën e meshtarit në Pult e në fshatrat e vendlindjes. Më pastaj emërtohet ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Kryeipeshkëvisë së Tivarit, si dhe në vitin 1677 emërtohet arqipeshkëv i Shkupit në vend të të ungjit, Ndre Bogdanit.

Merret aktivisht me organizimin e rezistencës antiosmane. Në nëntor të vitit 1689, kur ushtria austriake depërton edhe në Prishtinë, Bogdani i bashkëngjitet dhe niset për Prizren, ku i inkuadron edhe 6.000 shqiptarë. Atje sëmuret nga murtaja. Kthehet në Prishtinë për shërim. Vdes më 6 dhjetor të vitit 1689 në Prishtinë ku edhe varroset pikërisht para 320 vjetëve.

Megjithatë, siç njofton nipi i tij, Gjon Bogdani, menjëherë pas thyerjes së ushtrisë austriake, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e Pjetër Bogdanit dhe më 20 dhjetor 1689 ua hedhin qenve në tregun e Prishtinës.

Në anën tjetër, Pjetër Bogdani në vitin 1685 shkon në Venedik e në Padovë. Është kjo koha kur libri “Cuneus Prophetarum” botohet në Padovë. Ai nga Shkupi ka shkruar edhe Relacionin e njohur: “Dello stato spirituale e temporale del regno di Albania e Servia 1687–1688”.

Pjetër Bogdanit iu desh të luftonte njëherazi kundër zgjedhës otomane, por edhe kundër kishës ortodokse, përkatësisht kundër Patriarkanës serbo-ortodokse të Pejës, që i kishte shtuar përpjekjet e vjetra për të mos lejuar shpërthimin e kryengritjeve antiosmane të shqiptarëve në dioqezat e saj.

Nën petkun e klerikut ai e zgjonte te besimtarët e vet edhe ndjenjën e dashurisë për liri e për atdhe dhe urrejtjen ndaj pushtuesve osmanë, pastaj nxiste dhe organizonte qëndresën kundër tyre dhe drejtpërdrejt merrte pjesë në kryengritjet antiosmane që shpërthenin në atë kohë.

Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare "Çeta e profetëve".

Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare dhe me punën e frytshme, Bogdani i dha letërsisë shqiptare vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi periudhë të re të zgjimit gjithkombëtar.

Bogdani ishte erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, sllavishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, sirishten, e supozohet se ishte njohës edhe i gjuhës frënge dhe asaj gjermane.

Vepra e Bogdanit nuk është thjesht tekst për shërbesat fetare, siç ishin veprat e Buzukut e të Budit. Ajo është vepër teologjike-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike, që përshkohet nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe.

Lënda që trajton Bogdani në veprën e tij, përmban koncepte e nocione të fushave të ndryshme të dijes. Prozës shqiptare në atë kohë i mungonte tradita për të shprehur këto nocione. Ndaj, Bogdani kishte besim te thesari i pasur i gjuhës shqipe. Duke i mbledhur me kujdes fjalët e rralla nga visari i pasur i gjuhës popullore e duke i përdorur ato drejtpërdrejtë ose në mënyra të figurshme, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, por dëshmoi edhe aftësitë për mundësi të larta shprehjeje e stili.

"Çeta e profetëve” përmban edhe disa vjersha, shkruar nga vetë autori ose nga të tjerë. Me interes të veçantë si për formën, ashtu edhe për idetë e saj, në këtë vepër të Pjetër Bogdanit gjendet edhe një vjershë e Lukë Bogdanit. Ajo vjershë edhe sot sjellë gjallëri për Skënderbeun dhe për bukuritë e vendlindjes së poetit, veçanërisht për viset ku ka jetuar e punuar poeti.

“Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit padyshim se është vlerësuar si "kryevepër e letërsisë shqiptare" dhe se vlerat e saja të larta filozofike dhe artistiko-letrare imponuan që vepra të botohet në qendrat më të njohura të Rilindjes evropiane, si në Padovë, Romë e gjetiu. Vepra që ishte botuar edhe në gjuhën italiane, si vepra e parë e përkthyer nga vet autori, gjeti interesim edhe tek lexuesit jashtë gjuhës shqipe, sidomos në Itali. Në Palermo të Italisë, tek arbëreshët, shërbente si libër shkollor, e po ashtu ceket se edhe gramatika e parë e botuar në gjuhën shqipe qe mbështetur në alfabetin e Bogdanit, ngase alfabeti i tij ishte më i përsosur se i Budit dhe i Bardhit.

Me veprimtarinë e tij patriotike, duke bashkuar ndjenjën fetare me ndjenjën kombëtare, me personalitetin dhe me veprën e tij, Pjetër Bogdani i siguroi vetes vend të veçantë në historinë e patriotizmit shqiptar e të kulturës sonë kombëtare.

Në personalitetin e tij edhe sot e shohim gjeniun, që shkriu dijen e kohës së përparuar, artin e vet, të cilat i vuri në mbrojtje të idealeve duke ia kushtuar në radhë të parë kombit.
Ai hapi shtigje dinjitoze kah vlerat evropiane për liri kombëtare dhe shpirtërore.

Për veprën e Pjetër Bogdanit kanë shkruar studiues e shkrimtarë të huaj, si Gaetano Petrotta, Alberto Straticò, Mario Roques, Matteo Sciambra, e të tjerë, si dhe studiues e shkrimtarë shqiptarë, si Eqrem Çabej, Faik Konica, Filip Fishta, Justin Rrota, Injac Zamputi, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti e shumë të tjerë.

Bile, Ibrahim Rugova për veprën e Bogdanit ndër të tjera thotë: "Kjo vepër zaten është krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s'do të shteret kurrë”.

Vepra e Pjetër Bogdani "Çeta e profetëve" është nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë të vjetër letrare. Aty gjejmë tematika fetare, historiografike, të shkencave të natyrës, por edhe letërsi artistike e poezi. Kjo larmishmëri temash çon edhe te larmishmëria e stileve, që tregon shkallë të lartë të përpunimit të gjuhës për atë kohë.

Pjetër Bogdani punoi për mëkëmbjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit.


Express - Për ZSH: Gjergj Kabash
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi