Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar

Shko poshtë

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar Empty Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar

Mesazh nga Agim Gashi Wed Dec 16, 2009 3:50 am

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar U1_MuratGecajNderim në dy përvjetorë:

FATBARDHA GEGA: “MËSUESE E POPULLIT”
DHE EDUKATORE E TALENTUAR

Nga: Prof. as. Dr. MURAT GECAJ
publicist e studiues-Tiranë

1.
Të jesh mësues dhe edukator i brezit të ri, është një detyrë e lartë atdhetare, është përkushtim për cilindo, që e merr përsipër një mision të tillë. Prandaj, mbarë shoqëria të nderon e të respekton për atë, që ti bën në këtë fushë shumë të rëndësishme të veprimtarisë njerëzore.
Por, të jesh mësues dhe edukator i atij brezi, që nesër do të marrë në duar fatet e mësimit dhe edukimit të një gjenerate, është dyfish përgjegjësi e nder i jashtëzakonshëm.
E, për sa e sa mësues dhe edukatorë të tillë, kemi dëgjuar e lexuar, por dhe i kemi njohur ata nga afër. Prandaj kanë mbetur të pashlyer në kujtesën tonë e të atyre, që kanë patur nderin të jenë nxënës të zellshëm të tyre.
Ja çfarë kujton tani mësuesja pensioniste Katerina Kola:
“Unë, mësuese Fatbardhën nuk do ta harrojë kurrë në jetë. Kur vazhdoja mësimet në shkollën pedagogjike të Tiranës, në fillim të viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, ajo ishte mësuesja më e veçantë për ne, pra jo vetëm për mua, por dhe për të gjitha shoqet e mia pedagogjikase.
Na jepte lëndët pedagogji e psikologji.Të gjitha e kujtojmë ne, me nderim e respekt, si mësimdhenëse e pedagoge të aftë, të përgatitur nga ana profesionale, për dhënjen e njohurive sa më të qendrueshme dhe për kontrollin rigoroz të tyre. Tani, pas kaq viteve, ajo më shfaqet në kujtesë:

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar U1_FatbardhaGegaE rregullt sa s’bëhet më, korrekte, e dashur dhe fjalëmbël. Mësuese Fatbardha ndikoi fuqishëm në formimin e personalitetit tonë, si edukatore e mësuese të mëvonshme të brezit të ri. Kryesorja, ishte njeri i përsosur, e përkushtuar në detyrë, këmbëngulëse dhe e ndjeshme ndaj çdo vajze pedagogjikase. Me forma nga më të ndryshmet, bënte përpjekje vetjakë që të përparonte e të kalonte çdo nxënëse. Në 45 minutat e orës së mësimit, të bënte ta ndiqje “me gojën hapur”, si i thonë një shprehjeje.
Kur kalonte zonjushe Fatbardha, ia njihnim hapat nëpër korridore, tek ecte ashtu me finesë e lehtë-lehtë dhe me trupin e drejtë, si çetinë mali. Na çfaqej para nesh në klasë, e veshur dhe e krehur bukur, buzagaze, e thjeshtë dhe e çiltër. Ia dallonim zërin e ëmbël ndërmjet gjithë mësueseve të tjera.
Shpesh, ajo na thoshte: “Njeriu njihet dhe me korrektësinë e tij”. Që nga ajo kohë, jam përpjekur ta imitoj mësuese Fatbardhën, në këtë cilësi dhe në shumë cilësi të bukura të karakterit të saj”.

2.
Por cila është, vallë, kjo mësuese dhe pedagoge e paharruar, për të cilën na flet me kaq pasion, kjo pedagogjikase e viteve gjashtëdhjetë, të shekullit të kaluar? Se, sigurisht, me këtë gjuhë e me këto fjalë, do të flisnin të gjithë ish-nxënësit dhe kolegët e saj.
Personaliteti i shquar i fushës së arsimit kombëtar shqiptar, për të cilën do t’u flasim në këtë shkrim, është “Mësuesja e Popullit” Fatbardha Gega.
Kam pasur rastin e kënaqësinë që ta takoj e të flas me atë, si në shkollën pedagogjike të Tiranës, por dhe në vitet, kur ajo ishte studiuese në Institutin e Studimeve e Botimeve Shkollore dhe në Ministrinë e Arsimit e Kulturës. Po kështu, një i afërm im, pedagogu i lëndës së psikologjisë, Pof.Kolë Tahiri, i cili ka vite që është emigrant në Bruksel dhe që e ka njohur atë më mirë e më nga afër, më ka folur me respekt të veçantë për Fatbardhën, si njeri i dashur e korrekt, fjalëpakë e punëshumë, si pedagoge e studiuese.


Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar U1_FatbardhaGega2
Me veterane të arsimit
Kola ka botuar dhe një shkrim të frymëzuar për Fatbardha Gegën, në vitin 2004, në faqet e revistës së Institutit të Studimeve Pedagogjike, “Historia e Arsimit”. Aty ka nënvizuar meritat e saj të shumta, si pedagoge e psikologe, si veprimtare e shquar për emancipimin e femrave shqiptare. Se vetë ajo ishte shembull i rrallë për t’u ndjekur e imituar. Ndër të tjera, ai përmendëte dhe vlerësimin e lartë, që i ka bërë Prof-Bedri Dedja-Akademik, duke e quajtur Fatbardha Gegën: “Magjistarja e orës së mësimit”.

Mbaj mend se, kur ajo ishte e sëmurë, e vizitonin kolegë të saj dhe i gjindej pranë për ndihmë dhe prof. Kola. Pra, informacionet për gjendjen e rënduar të saj shëndetësore, i kam përjetuar gjatë dhe unë…
Gjithnjë, mësuese Fatbardha të shfaqte respekt, me fjalën e sjalljen e saj, me pasurinë pedagogjike, që përvetësoi e përçoi te brezi i mësimdhënëseve të reja.
Po ndërmend këtu dhe një fakt shumë domethënës. Kur u dha titulli “Mësuese e merituar”, Fatbardha Gega ishte e para femër shqiptare, që e mori atë, pra që në vitin 1961. Më tej, asaj iu dha edhe titulli më i lartë në fushën e arsimit, “Mësuese e Popullit”, ndër të parët arsimtarë në vendin tonë.

Kam lexuar librin e saj interesant, “Për ju mësues e prindër”, që është botuar pas vdekjes së F.Gegës, me përkujdesjen e Prof. Pajtim Bejtjes e studiueses Pandora Dedja.
Jam njohur dhe vlerësimet e larta, që i kanë bërë asaj disa personalitete të njohura të fushës së arsimit, pedagogjisë e psikologjisë, si Prof. Bedri Dedja-Akademik, Prof. Pajtim Bejtja, Prof. Kolë Tahiri e Prof. Musa Kraja; studiuesja Pandora Dedja e studiuesi Selaudin Çarçani, Afërdita Tafaj e të tjerë.
Në shkrimet e tyre, të gjithë ata kanë theksuar, jo vetëm përkushtimin e “Mësueses së Popullit” Fatbardha Gega, si mësimdhënëse, pedagoge e metodiste e spikatur, por dhe cilësitë e larta njerëzore të saj.
Vite të tëra ajo punoi me përkushtim, në Institutin e parë të Studimeve e Botimeve Shkollore dhe shumë vite në Drejtorinë e Studimeve e Botimeve Shkollore, pranë Ministrisë së Arsimit e Kulturës, siç quhej në atë kohë.
Në fjalën, me rastin e daljes në pension të Fatbardhës, më 30 dhjetor 1969, Profesor Bedri Dedja-Akademik nënvizonte dhe këto cilësi të saj, për kohën kur ky dha leksione në Fakultetin Histori-Filologji, të Universitetit të Tiranës:
“Në auditoret, ku jepja mësim, përballë meje, si spektatorë, gjykatës dhe studentë të rrebtë, rrinin ulur nxënësit e Fatbardhës, të cilët ajo i kishte magjepsur me orët e saj të psikologjisë, me pasionin dhe elokuencën prej pedagogeje, me dijet dhe, në mënyrë të veçantë, me tonin artistik të shpjegimit. Dhe unë hyja në auditorin e psikologjisë, duke e pasur të gjallë parasysh, si aluçinacion, zjarrin e mjeshtërisë së Fatbardhës, si mësuese në shkollën padagogjike “17 Nantori””.

3.

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar U1_FatbardhaGega3
Fatbardha Gega: Gjithnjë e nderuar dhe e vlerësuar ndërmjet kolegeve
Pra, siç thamë dhe më lart, në vitin 2002, me interesimin e Prof.Pajtim Bejtjes, u botua vepra me përmbledhje studimesh, e mësueses dhe pedagoges së talentuar Fatbardha Gega. Kur e shfleton atë, tërheqin vëmendjen edhe disa kujtime, që janë shkruar për punën e saj të pasionuar në fushën e arsimit kombëtar. Ndërmjet tyre, janë fjalët e studiuesit Selaudin Çarçani, ish-punonjës në Institutin e Studimeve Padagogjike, i cili u nda shpejt nga jeta. Duke folur për broshurën “Të formojmë karaktere të forta” (botuar, së pari, më 1968) të F.Gegës, ai ka shkruar:

“Është kënaqësi t’u rekomandosh prindërve dhe mësuesve, tërë atyre që kanë pranuar barrën e rëndë për të qenë edukatorë, këtë përmbledhje, në të cilën spikat mendimi i gjallë për edukimin e gjithanshëm të fëmijëve tanë”.
Në hyrje të saj, Prof. Bejtja ka bërë shpjegime për punën përgatitore të kësaj përmbledhjeje, nga ai dhe studiuesja Pandora Dedja. Më tej, në vend të parathënjes, është botuar jetëshkrimi i F.Gegës, nga Prof. Bedri Dadja.
Në pjesën e parë, është “Psikologjia”, ku flitet për objektin e detyrat e saj dhe metodat e studimeve psikologjike. Më tej, janë trajtuar ndijimet dhe vazhdojnë: perceptimet, kujtesa, imagjinata, të menduarit, vëmendja, ndjenjat e vullneti; karakteristikat e përgjithshme të veprimtarisë së njeriut, shprehitë dhe zakonet e, në mbyllje, karakteristikat psikologjike të personalitetit.
Pjesa e dytë e këtij libri është ajo me titull: “Metodat e punës mësimore-edukative në shkollë”. Pjesa e tretë, siç thamë, është “Të farkëtojmë karaktere të forta”. Ndërsa më tej, në pjesën e katërt, janë ribotuar disa artikuj të saj, marrë nga shtypi arsimor e pedagogjik, si gazeta “Mësuesi”, “Revista Pedagogjike” e tjerë. Në mbyllje, janë bërë vlerësime për figurën e saj.

4.
Ja, disa aspekte nga jeta e thjeshtë e “Mësueses së Popullit” Fatbardha Gega
-Lindi në qytetin e Fierit, në një familje me tradita patriotike, në dhjetor të vitit 1919;
-U rrit dhe u edukua me cilësitë më të larta njerëzore, në familjen e mjekut humanitar Ismail Gega, me nënë Hanushën ose “Anenë”, stërmbesë e Çelo Picarit;
-U diplomua mësuese në qytetin Firence të Italisë;
-Së pari, në vitin 1942, shërbeu mësuese në shkollën “Donika Kastrioti”, të Shkodrës.
-U aktivizua, me mundësitë e saj në terren, në luftën për çlirim;
-Në vitin 1944, e caktuan drejtoreshë në njërën nga tri shkollat unike të Tiranës;
-Më tej, dha me pasion lëndët e historisë, pedagogjisë e psikologjisë, në shkollën e njohur pedagogjike “17 Nëntori” të kryeqytetit, për disa vjet radhazi, deri më 1965.
Aty ajo ishte dhe zv.drejtoreshë e asaj shkolle;
-Në vitin 1964, hartoi dhe botoi tekstin “Psikologjia”, për shkollat pedagogjike, i pari i këtij lloji në vendin tonë;
-Nga viti 1965, ishte bashkëpunëtore shkencore, në Institutin e Studimeve dhe Botimeve Shkollore;

Murat Gecaj: Fatbardha Gega - ''Mësuese e Popullit'' dhe edukatore e talentuar U1_FatbardhaGega4
Me nxënës të shkollës ushtrimore “Kosova”-Tiranë
-Në vazhdimësi, disa vjet pandërprerje, punoi po në ketë sektor, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës;

-Doli në pension, po aty, në fund të vitit 1970, pra shërbeu 38 vjet në fushën e edukimit dhe mësimit të brezit të ri në Shqipëri.
-Vdiq, në fund të vitit 1999, pra 10 vjet më parë, e nderuar dhe e respektuar nga ish-nxënëset e panumërta, nga kolegët dhe familjarët e saj, për veprën e paçmuar në shërbim të edukimit dhe mësimit të nxënësve.
Për F.Gegën, publicistë e studiues të ndryshëm kanë shkruar artikuj, si në Shqipëri dhe në Kosovë. Disa nga ata i përmendëm më lart. Por për atë ka shkruar edhe Prof. Hajrullah Koliqi, në veprën “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (botuar në Prishtinë, më 2002), si dhe Prof.Edi Shukriu. Megjithatë, bazuar në punën shumë të çmuar si mësuese dhe edukatore, si dhe veprat me vlera, që ajo la pas, kemi detyrim që të shkruajmë e të flasim më shumë e më shpesh për të. Po kështu, mendojmë se e meriton plotësisht që një shkollë të marrë emrin e saj.
Pra, në kata dy përvjetorë të saj, edhe një herë: Nderim të thellë për jetën dhe veprën e pasur të “Mësueses së Popullit” Fatbardha Gega!


Tiranë, 15 dhjetor 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi