Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari

Shko poshtë

Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari Empty Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari

Mesazh nga Agim Gashi Fri Dec 18, 2009 3:04 am



Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari U1_SabileBasha
DISIDENTJA E PARË SHQIPTARE - MUSINE KOKALARI

NgaProf. Dr. Sabile Keçmezi- Basha


Sabile_basha@hotmail.com

Vala e gjyqeve të inskenuara në Shqipëri kishte filluar menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe u organizuan shumë procese gjyqësore, ku në bankën e të akuzuarve u ulën intelektual të shumtë, dhe kryesisht, ishin ata, të shkolluar në shtetet perëndimore, dhe që nuk ishin të kënaqur që vendi i tyre ngeli në lindje. Edhe pse, armata e të pakënaqurve ishte tejet e madhe që Shqipëria pranoi sistemin komunist, pushtetarët megjithatë nuk hiqnin dorë nga regjimi i sapo instaluar.

Një nga organizatat opozitare ilegale më të hershmet e më të mëdha që u formua dhe punoi për të vendosur në Shqipëri një sistem politik pluralist në kundërshtim me përpjekjet që bënte udhëheqja e PKSH për të vendosur një sistem njëpartiak, ishte organizata “Bashkimi-demokratik shqiptarë ”!

Fillimisht, ata, filluan fshehtas të shprehnin pakënaqësitë e tyre, që më vonë për të kaluar në formimin e grupeve e organizatave të para të formuara ilegalisht. Në këtë mënyrë, lindën edhe bërthamat e para të opozitës shqiptare, në jetën politike. Në fillim formohet “Fronti i Rezistencës”, e më vonë fillojnë të lindin edhe organizata te tjera ilegale. Në skenën politike shqiptare dalin intelektualët e shquar që nuk ishin të kënaqur me rrjedhat politike, pastaj vijnë e marrin hov edhe patriotet nacionalist që ishin të shumtë në tokën shqiptare, dhe në ndërkohë filluan të bashkëpunonin ngushtë me social-demokratet, që në vete kishin përfshirë emra të rinj e të nderuar si: Sami Qeribashi, Qenan Dibra, Musine Kokalari e shumë të tjerë.



Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari U1_MusineKokalari
Musine Kokalari
Në radhët e opozitës shqiptare të pasluftës nuk mungonin as emrat e njohur të cilët kishin marr pjesë dhe e përkrahnin me besnikëri Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, e ata nuk ishin të pakët. Dëshpërimi nga ana e udhëheqësve komunist që kishte pasua menjëherë pas lufte i detyroi ata që të tërhiqeshin dhe të merrnin qëndrim të kundërt. Me kohë u vërejt se nuk u respektuan qëndrimet e Mukjes dhe të Bujanit. Andaj çdo qëndrim i mëtejshëm në këto pozita për atdhetarët që donin një Shqipëri të bashkuar e demokratike ishte fyes për ta.

Ata demokrat, duke e parë nevojën, se vetëm si të bashkuar, do të lëviznin diç nga zeroja që e kishte kapluar Shqipërinë filluan të vepronin. “ Në verën e vitit 1945 kam hyrë në lidhje me grupet e tjera antikomuniste të kryesuara nga Sami Qeribashi e Qenan Dibra dhe kemi hartuar memorandumin që do t’iu dërgohej misioneve ushtarake aleate të akredituara në Tiranë e që ishte miratuar në mbledhjen e 6 nëntorit...” kështu do të deklaronte Musineja gjatë hetuesisë. Në memorandumin e tri partive antikomuniste ishte edhe një kërkesë që tek hetuesit kishte ngritur reagime të papara. Fjala ishte për kthimin e kufijve etnik. Ngase në hetuesi Telat Drini kishte deklaruar se “ne jemi takuar me Qenan Dibrën, ku kemi shtruar çështjen e sigurimit të Kosovës dhe të Çamërisë...”. Në takimin e verës 1945, u bashkua “Partia Social-Demokrate”, që kryesohej nga profesoresha Musine Kokalari, “Partia e Legalitetit” (zogiste), që kryesohej nga avokati Qenan Dibra dhe “Fronti i Rezistencës” (indipendent), që e udhëhiqte avokati Sami Qeribashi, duke formuar një organizatë më të madhe, më të fortë e më të fuqishme antikomuniste që e quajtën “Bashkimi Demokratik Shqiptar”. Me formimin e kësaj organizate, intelektualët e shumtë filluan të frymonin më lehtë dhe në të aderuan një numër i madh i patriotëve të pa angazhuar gjerë më atëherë në partitë politike.

Pas një aktiviteti të lakmueshëm dhe kur u mendua se organizatës së sapo formuar iu dha e mbara, organet e hetuesisë e zbuluan atë. Në vitet e para të pasluftës në Shqipëri u vu një “rregull” nga organet hetuese. Çdo gjë survejohej me besnikëri nga njerëzit e pushtetit. Ishte krejt e natyrshme që një organizatë aq e madhe dhe aq aktive siç ishte “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, që të mos bie në sy. Në janar të vitit 1946 anëtarët e organizatës ilegale shqiptare një nga një u zbuluan, dhe një nga një u arrestuan, dhe numri i tyre arriti në 37 veta. (Koinçidenc e çuditshme. Po ashtu, në Kosovë, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, në të njëjtin vit, para trupit gjykues dalin 37 veta të organizatës patriotike atdhetare të NDSH-së).
Procesi i anëtarëve të “Bashkimit Demokratik Shqiptar”


Me 17 qershor 1946, e hëne ora 8.30. Në kinemanë “Nacional” sot “17 nëntori, në prani të një populli të “zgjedhur” mes zhurmës së altoparlantëve...Ishte ndër ta vetëm një femër. Para trupit gjykues të Tiranës, përpara prokurorit Nevzat Haznedarit, në bankën e zezë u ulën patriotët, dhe intelektualët më të devotshëm të asaj kohe. Në listën e të akuzuarve ishin: Sami Qeribashi (61 vjeç), tregtar nga Gjirokastra. Dënohet me pushkatim. 2. Xhahit Koka (40), Ellasone ( Larisa, Greqi), ekonomist i mbaruar në Bukursht, dënohet me pushkatim 3. Hivzi Gole (36 vjeç), kishte mbaruar fakultetin juridik në Paris, dënohet me vdekje- pushkatim. 4. Qenan Dibra, (36 vjeç). Dibër e Madhe, kishte të mbaruar jurisprudencën në Paris. U dënua me pushkatim. 5. Tut Mahmut Meniku (41), Tiranë, ushtarak, u dënua me pushkatim 6. Telat Drini, (37), Dibër e Madhe, nëpunës poste, dënohet me pushkatim. 7. Mehmet Ali Beshiri, (42 ), Tiranë, kishte mbaruar shkollën tregtare në Austri. Dënohet me pushkatim. 8. Ali Kavaja, (36), Kavajë, kishte të mbaruar shkollën teknike te Fulcit me sukses të shkëlqyeshëm, dënohet me vdekje. 9. Shaban Balla (42), Krujë, gjeometër. Dënohet me vdekje- pushkatim. 10. Jorgji Çoka, profesor (38), Tiranë, tregtar. Dënohet me vdekje- pushkatim. Pas tyre në listën e gjatë të të dënuarve vinin personat që ishin të dënuar me burg të përjetshëm (101 vjet, ata ishin: 11. Gjergj Kokoshi (42), Shkodër. Doktoron në Paris letërsinë. Dënohet me 30 vjet burg, vdes në burgun e Burrelit. 12. Suat Asllani (43 vjeç), avokat nga Libohova. Studimet i kishte mbaruar në San Demetrio Korone dhe në Napoli të Italisë, dënohet me 15 vjet burg. 13. Musine Kokalari (28 vjeçe), e lindur në Adana të Turqisë, doktoron në Romë për letërsi. Dënohet me 30 vjet burg. 14. Anesti Orollogai (49 vjeç), Korçë. Dënohet me 25 vjet burg. 15. Kolë Rodhe (63 vjeç), Korçë. Dënohet me 30 vjet burg.

Me burgim të përjetshëm në këtë proces gjyqësor u dënuan këta persona: 16. Lluka Bibi,(46 vjeç), jurist nga Përmeti, 17. Anton Dukagjini, 54 vjeç , pensionist nga Puka, 18. Enver Hasa, 27 vjeç, ish- oficer nga Dibra, 19. Abdullah Muça, 30 vjeç, inxhinier nga Tirana.

Të dënuarit me 30 vjet burg ishin: 20. Nefail Shikuli, 30 vjet, ish- oficer nga Dibra, 21. Qemal Biçaku, 26 vjeç, tregtar nga Elbasani, 22. Reiz Hasho, 22 vjeç student nga Gjirokastra.

Me nga 25 vjet burg u dënua vetëm 23. Myrteza Beli, 44 vjeç nëpunës nga Korça. Ndërsa me nga 20 vjet u dënuan: 24. Hasan Kalaja, 36 vjeç, shegert nga Kruja, 25. Stefan Bumçi, 33 vjeç ish- oficer nga Shkodra, 26. Vahid Vërdalli, 60 vjeç bujk nga Korça dhe 27. Haki Gjinishi, 53 vjeç, financier nga Peqini.

U dënuan me 10 vjet burg: 28. Haki Karahoda, 34 vjeç, punëtor nga Elbasani, 29. Pali Terova, 37 vjeç, nëpunës nga Korça, 30. Niko Beça, 33 vjeç, tregtar nga Tirana, 31. Musa Dizdari, 33 vjeç, profesor nga Shkodra, 32. Llazar Papapostoli, 31 vjeç, nëpunës nga Bilishti. Me 5 vjet burg u dënua 33. Semiramise Verlaci, 62 vjeç, shtëpiake nga Elbasani. Ndërsa me 1 vjet burg u dënuan: 34. Pjerin Shala, 26 vjeç, ish- oficer nga Shkodra, 35. Nesim Starova, 39 vjeç, nëpunës nga Pogradeci. Dhe vetëm dy persona u shpallën të pafajshëm: 36. Xhevat Miluka, 38 vjeç, ish- oficer nga Dibra dhe 37 Taqo Ruqi, 42 vjeç, ish, oficer nga Kolonja.

Sabile Keçmezi- Basha: Disidentja e parë shqiptare - Musine Kokalari U1_MusineKokalari1
Kush ishte Musine Kokalari?

Në mesin e të arrestuarve ndodhej edhe patriotja e shquar, poetja e mirëfilltë dhe doktorija e parë e shkencave filologjike, kryetarja e parë e partisë Social-Demokrate- Musine Kokalari. Ajo ishte e lindur në Gjirokastër, më 1917 në një familje intelektualësh. Vëllai i saj, Hamiti, është njëri nga përkthyesit tanë më të mirë dhe autori i librit shkencor “Kosova- djep i shqiptarizmës (1943). Banonte në Tiranë. Ishte vajzë e vetme e juristit të shquar nga Gjirokastra. Shkollën e mesme e kishte mbarua në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Për ti vazhduar studimet e larta për letërsi në Universitetin e Romës. Më 28 nëntor të vitit 1941 merr titullin doktorë e shkencave të letërsisë po në këtë universitet dhe në të njëjtën kohë i ofrojnë vend pune.

Në vitin 1943 s’bashku me Skënder Muçon krijon partinë e re social-demokrate që llogaritej se ishte fraksion i dal nga Balli Kombëtar. Nga organet e shtetit zbulohet dhe arrestohet me 12 nëntor 1944, mbahet 17 ditë në arrest dhe lirohet ngase vetëm 4 ditë më herët, i pushkatohen pa gjyq dy vëllezërit e saj Muntazi dhe Vesimi, që me dhjetë persona të tjerë përfundojnë në një varr të përbashkët, aty mbrapa hotel Bristolit. Më 1945, Mysines i ofrojnë që të bëhet anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por ajo e revoltuar me vrasjen e dy vëllezërve dhe me shumë padrejtësi të tjera, refuzon. Nga dokumentet që i kam hulumtuar në Arkivin Qendror të Shqipërisë kam hasur në korrespodencën e saj me vëllezërit e saj dhe nga ato shihet se sa Mysineja ka qenë e lidhur me vëllezërit e vet dhe sa rëndë e ka ndjerë humbjen e tyre. Dhe pas kësaj organet hetuese edhe më tepër shtuan përcjelljen ndaj saj. Dhe nuk vonoi shumë, ajo me 23 janar 1946 arrestohet dhe në procesin e mbajtur me 17 qershor 1946 nga prokurori dënohet me 30 vjet burg, ndërsa nga gjykatësi me 20 vjet. Dhe sipas dokumenteve thuhej se, tërë jetën që e bëri në Shqipërinë komuniste, e bëri në pranga dhe në internime. Lirohet nga burgu më 1961 dhe internohet përjetësisht në Rrëshen të Mirëditës. Punon punëtore krahu në fermë, në ndërtim duke e ruajtur e përgjuar nga sigurimi deri sa dhe u sëmur nga kanceri.

Vlen të përmendim se Musine Kokalari veç që merrej me politikë, ajo më herët por edhe më vonë u morr me krijime letrare. Qysh si nxënëse e shkollës fillore, ajo filloi të merrej me krijimtari dhe kishte botuar shumë skica e tregime letrare. Shkrimet e saja u çmuan lart nga qarqet krijuese. Më 1941, kishte botuar për herë të parë vëllimthin “Siç më thotë nënua plakë”, që më vonë kjo përmbledhje e shkrimeve të ndryshme i siguroi vendin meritor të një shkrimtareje të talentuar. Këtë sukses të saj më vonë e konfirmojnë edhe dy vëllimet e reja siç ishin : “Rreth vatrës” dhe “Sa u tund jeta”, më 1944. Kritikët letrar vlerësonin se ajo ishte pa dyshim shkrimtarja femër më e talentuar e letërsisë shqiptare.

Angazhimi i saj opozitar

Edhe pse merrej me letërsi, ajo në asnjë moment nuk la anash aktivitetin politik dhe luftën e saj për një Shqipëri demokratike pro-perëndimore. Më 1943, ajo kishte formuar Partin Social-Demokrate në Shqipëri. Më vonë mu ky aktivitet i dendur politik i saj, i kishte sjellë edhe pasoja të pa imagjinueshme. Sipas shkrimeve të shumta që u bënë për të, thuhej se me 1944, për Musine Kokalarin mbyllet edhe cikli i parë dhe i vetmi i jetës së lumtur. Nga ky vit, kur ajo ishte në kulmin e krijimtarisë dhe në kohën kur lëvizja e rezistencës ishte në hovin më të madh, po nga këtu fillon golgota tragjike e jetës së saj. Ndaj saj nis një persekutim mizor dhe një torturë tepër e zgjatur jetësore. Ajo grua finoke e tepër e brishtë, mbajti 16 vjet burg të rëndë nëpër kazamatet shqiptare. Pastaj 20 vjet qëndroi në internim që do të thotë se qëndroi deri në ditët e fundit të jetës.

Trim Gjata me të drejt konstaton: “Asnjë femër nuk është përndjekur, tek ne më egërsisht e më gjatë se ajo- Musine Kokalari. Ajo qëndroi krenare dhe kurrë nuk u përkul dhe nuk pranoi propozimet dinake që të kërkonte “lehtësime”. Nga sa u tha më lartë mund të shihet se Musineja vërtet ishte një martire e kauzës së demokracisë dhe e pluralizmit politik. Por, njëkohësisht ishte edhe luftëtare e pa epur, absolutisht e pa manipulueshme nga monizmi që mbretëronte atëherë. Me një fjalë ajo ishte një karakter i çeliktë prej femre. Që të fitonte bukën e gojës iu desh të punonte punët më të rënda duke filluar nga ato bujqësoret, në ndërtimtari dhe si punëtore krahu. Shumë shkrime të saja edhe sot nuk dihet se ku kanë tretur dhe se ku ndodhen, apo ndoshta janë zhdukur nga “kujdestarët” e sistemit tërësisht. Por, vlen të citohet vetëm kjo që është e marr nga ditari i saj i nxjerr nga burgu, ku shkruan: “Njoha kulturën demokratike, tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare, gjyqin special, 16 vjet burg e 20 vjet internim, punën e punëtorit në bujqësi e ndërtim, vetmin e vetë kërkuar, shoqërinë e rastit në burg, ndryshimet tërmet për konsolidimin e diktaturës dhe kam 38 vjet që kam harruar çdo të thotë familje...

Përcjellja e saj e fundit- në një kamion me zhavorr të mbushur

Pas shumë peripecive të jetës së mundimshme, prej fshati në fshat, prej internimi në internim, ajo nuk mundi të duronte më... Më 13 gusht të vitit 1983, mbylli sytë përgjithmonë, duke shkuar nga kjo botë për të mos par kurrë se, ëndrra e saj dhe e shumë gjeneratave ngeli e pa realizuar. Autoritetet shtetërore e varrosën pa pranin e miqve. E varrosën dy-tre veta, duke e ngarkuar në një kamion zhavorri. Dhe kjo ishte fyerja e fundit që iu bë asaj. Musineja tërë jetën bëri luftë të paepur, vetëm e vetëm që të ndryshojë diçka, e ajo diçka ishte shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, tërë ajo ishte e kot. Ata u munduan t’ia thyenin shpirtin, dinjitetin dhe krenarin, por, kurrë nuk ia dolën. Ajo mbeti në kujtesën e njerëzve, krenare dhe atdhetare që edhe sot e ruajnë me krenari në kujtesa gjenerata e gjenerata.

Georges Herman Hodos, Inskenimet (Proceset politike dhe spastrimet staliniste në Europën Lindore 1948-1956), Tiranë, 2000, f. 21.



Demir Durmishi, Veprimtaria e bandave dhe e organizatave opozitare ilegale në Shqipëri (1944-1948), Tiranë, 2003,f.173



Dr. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë 1995, f. 77



Elmas Leci, Eliminimi I lidershipit ushtarak, Tiranë 2002, f. 68-80


Deklarat e Musine Kokallarit dhënë në hetuesi, 1946. AQSH. Dos.1080/2, f. 224.



Deklarat e Telat Drinit dhënë në hetuesi më 1946



Dr. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë. f. 77. 1995



Po aty.



AMPB, Fondi Dosjet gjyqësore, viti 1946, dos. 1081/5, f. 30-40.



Po aty.



Po aty.



Po aty.



Trim Gjata, Musine Kokallari (1917-1983), Bota shqiptare, nr. 1. 1993, Tiranë



A.Q.SH. Fondi 437, dosja 81 . (Korrespodencë e Musine Kokallarit)



Josif Zegali, Rrëfime nga burgu I diktaturës komuniste, Tiranë 1999, f.197



Trim Gjata, “Bota shqiptare” nr. 2. Tiranë 1992.

Josif Zegali, vepër e cituar. Me gjerësisht, Mysine Kokalari , Përmbledhje e ditarit…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi