Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV)

Shko poshtë

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Empty Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV)

Mesazh nga Agim Gashi Mon Mar 28, 2011 12:07 am


Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) U1_SabileBashaTRAJTIMI I ÇËSHTJES KOSOVËS NË GAZETËN “QËNDRESA SHQIPTARE” ORGAN I KOMITETIT KOMBËTAR DEMOKRATIK “SHQIPNIJA E LIRË”, PARIS (IV)


Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com


SHTYPI SHKRUAN PËR VRASJET E SHQIPTARËVE NË JUGOSLLAVI


Në gazetën “Qindresa Shqiptare”, në numrin 109, të 31 dhjetorit të vitit 1978, në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, shkruhej gjerësisht për situatën politike në Kosovë dhe për shqiptarët në të gjitha trojet e tyre në Jugosllavi.

Në shkrimin “Katër studentë shqiptar u vranë nga policia jugosllave edhe tetë u plagosën rëndë”, gazeta shkruan se terrori komunist i Jugosllavisë ka bë edhe katër viktima shqiptare. Më 11 të qershorit që shkoi, nxënësit shqiptar të Universitetit të Zagrebit, u mblodhën për të dëgjua një fjalim për njëqindvjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Mbledhja ishte e lejueshme dhe i plotësonte të gjitha kërkesat e pushtetarëve, dhe ishte organizua kryesisht për të përkujtua 100- vjetorin e mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, ngjarje kjo me rëndësi të madhe historike për shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, policia jugosllave kishte ndërhyrë brutalisht për ta penguar tubimin, ajo në këtë ndërhyrje kishte shti edhe me armë zjarri dhe kishte vra tre student dhe kishte plagosur 9 të tjerë. Njëri nga të plagosurit kishte vdekur me 8 korrik[1]. Të gjithë të vrarët i kishte varrosur policia në fshehtësi të thellë pa i lajmërua të afërmit dhe farefisin.

Sipas njohurive që kishte gazeta, thuhej se në Jugosllavi ka edhe grupe të veçanta vrasësish, të cilët ishin të caktuar nga vet shteti që të zhduknin sa më shumë intelektual shqiptarë, dhe e tëra kjo u bënte me bekimin e disa sektorëve të Punëve të Brendshme të shërbimeve sekrete Serbe e jugosllave.

Në vazhdim gazeta përmend edhe emrat e atdhetarëve si të Haki Tahës, Ymer Berishës, heronjve të Drenicës, Mehmet Muratit e tani së fundi edhe të katër studentëve shqiptarë të Universitetit të Zagrebit.

Dhe, nga e tërë kjo del se shqiptaret në Jugosllavi me të madhe po e ushqejnë me gjak e me theror qëndresën e tyre për liri dhe drejtësi. Pas kësaj ngjarjeje të llahtarshme, Lidhja Kosovare dhe Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e lirë iu kanë dërgua letra proteste kryetarit të SHBA-ve, deputetëve e senatorëve të shumtë që të ndërhyjnë urgjentisht kundër kësaj dukurie e ndjekjeje të pashpirt që po organizon shteti jugosllav ndaj shqiptarëve.

Të dënuarit recidiv përsëri para gjyqit

Të burgosurit shqiptar kudo që ndodheshin në burgjet e qyteteve të Jugosllavisë, pakënaqësinë e tyre e shprehnin në forma të ndryshme. Herë bënin greva urie, herë shkruanin letra, herë protestoni duke mos shkuar në punishtet e burgut. Ndërsa në shkrimin e gazetës “Të burgosurit politik shqiptar gjykohen për së dyti edhe dënohen më rëndë”, thuhej se në majin që shkoi autoritetet jugosllave, lajmëruan se kishte pasur trazira në burgun e Nishit. Policia pa pas asnjë provë për këtë, paditi 20 të burgosur politik shqiptar duke i akuzuar si nxitës të trazirave. Dhe përsëri këta të dënuar dolën para gjyqit, më 15 maj, dhe veç dënimeve të mëparshme iu shtuan ende vitet e burgut si: Muharrem Sula, Mark Kuzhnini, Isuf Cenaj, Rexhë Dibra, Xhafer Halili, Ali Ulaj, Gani Maloku, Musa Smakiqi, Idriz Blakqori, Hajnuz Abazi dhe Shukri Abazi u dënuan edhe 15 vjet të tjera burgu të rëndë. Ndue Ndue Prenkaj, Shuip Kryeziu, Avdi Trolli, Abdullah Llomani me 12 vjet të tjera burgu të rëndë. Rafi Gjukaj dhe Qamil Popaj me 8 vjet të tjera. Isa Saiti dhe Hismi Rakovica me 7 vjet të tjera. Isuf Berisha me 4 vjet të tjera[2] burgu të rëndë.

Përsëri shtypi ndërkombëtar shkruan për çështjen e shqiptarëve

Në shkrimin “Ç’ka botua shtypi ndërkombëtar”, thuhej se e përkohshmja gjermane “DER SPIEGEL”, që botohej në Hamburg të Gjermanisë, botoi me 20 maj 1978, një artikull me titull “I rrahin përditë”. Artikulli në pika të shkurtra e përshkruan gjendjen reale se si është në Jugosllavi.

Gazeta boton disa pjesë të shkrimit të gazetës gjermane: “Nga burgu i Idrizovës, një qytet afër Shkupit, na ka mbërrit një thirrje dëshpërimi për ndihmë. Në këtë burg, më shumë se 50 të burgosur shqiptarë bënë një grevë urie, sepse po vuajtshin shumë nga trajtimi i keq. Policia ka 4 ditë që i ka ndarë nga të burgosurit e tjerë dhe i rrahë për çdo ditë. Më të shumtët nga këta kanë pas qenë të dënuar me nga 10 vjet burg të rëndë”[3]

Pastaj në vazhdim, artikulli shkruan në hollësi gjendjen e frikshme të të burgosurve shqiptar në Jugosllavi, porse gazeta thekson se nuk donë t’i botojë tregimet e tyre, që mos të tmerrohen lexuesit e nderuar, se tregimet e të burgosurve janë tejet rrëqethëse.

Gjendje e rëndë e shqiptarëve në Maqedoni

Në ish-Jugosllavi vazhdimisht luhej me numrin e popullsisë shqiptare. Ata herë i detyronin që të regjistroheshin si turq, herë i zvogëlonin në numër e herë i regjistronin si jugosllav. Por, sipas gazetës “Qindresa Shqiptare”, thuhej se në Republikën e Maqedonisë ka mbi 700.000 shqiptarë. Edhe pse thuhej se ata në Maqedoni shtypën nga autoritetet maqedonase më shumë se shqiptarët e Krahinës së Kosovës. Jeta e tyre nga presionet dhe keqtrajtimet është e padurueshme, dhe nga ky shkak ata janë të detyruar të ikin, nga vendet e tyre stërgjyshore dhe shkojnë në krahina të tjera të Jugosllavisë, por ka shumë të tillë që ikin edhe jashtë kufijve të shtetit.

Vetëm gjatë vitit 1977, Maqedoninë e kanë lëshua mbi 700 intelektual shqiptar, sepse ata në këtë republikë nuk kanë mundur të gjejnë vende pune. Kurse në vendet tjera ku shumica e popullsisë ishte shqiptare, si në Tetovë e qytete të tjera, Maqedonia ka vendosur me mija maqedonë të Egjeut, ata të cilët kanë qenë komunistë në luftën civile në Greqi. Ky depërtim i popullsisë në tokat shqiptare bëhej me një qëllim të caktuar, ngase ardhja e maqedonëve nga viset tjera në tokat shqiptare ishte krejt e natyrshme të krijonte mosdurim tek shqiptaret dhe nuk ishte larg mendjes që të krijoheshin mërit e ndryshme në mes tyre dhe mund të shkaktoheshin trazira e gjakderdhje[4], por kjo i konvenonte pushtetarëve, për hir që sa më shumë shqiptar të dërgojnë në burgje.

Ndodhnin edhe këso rastesh

Në shkrimin “Një ngjarje mizore”, shkruan gazeta se një burrë plak, Sabri Shefki Arifi, shqiptar nga Bela Cerka e Maqedonisë, ishte kthyer nga Kanadaja në fshatin e vet të lindjes. Më 11 maj, 1978 kur po kthehej nga tregu për në shtëpi, e kishte aksidentuar një automobil, të cilën e ngiste Vlado Nikolevski me të birin, të cilët pas kësaj që ndodhi ata kishin dal nga vetura dhe kishin shti me revole mbi të dhe e kishin vrarë mërgimtarin. Vrasësit pas kësaj i morën në polici, ku i mbajtën vetëm një natë dhe i liruan nga burgu si të pafajshëm,[5] dhe gazeta konstaton se jeta e një shqiptari nuk vlen hiq më shumë se jeta e një qeni në Maqedoni, ku ngjarje të tilla pothuajse ndodhin për çdo ditë[6], shkruan gazeta “Qindresa Shqiptare”.

Pastaj shkruan gazeta se numri i shqiptarëve është shumë më i madh se sa paraqitej në listat zyrtare të regjistrimit. Këtë të dhënë nuk e pranojnë vetëm shovinistët serbë dhe ata maqedonas. Pjesa Perëndimore e Maqedonisë është e banuar kryesisht nga shqiptarët. Fshatra të tëra janë qind për qind shqiptare, si: Veleshti, Radolishti, Zagorçani, Kalishti, Frengovi, Belica, Dobrovanji, Tatesti i Madh, Tatesti i Vogël, Bogovica, Livadhia, Novosella[7].

Qytetet me shumicë shqiptare janë : Ohri, Struga, Resnja, Manastiri[8], dhe të gjitha këto duke e ditur se shumica e popullatës janë shqiptare, pushteti maqedonas me qëllim nuk investonte në këto qytete dhe kështu liheshin pas dore.

Në këto qytete ku janë të hapura shkollat shqipe, tani kanë fillua aty përball të hapen shkolla turke. Kjo ka fillua të manifestohej si në Ohër, që ka vetëm një shkollë tetëvjeçare dhe ndjehet nevoja e madhe edhe për një shkollë të mesme në gjuhën shqipe, por kjo kërkesë e qytetarëve shqiptar nuk plotësohej ngase nxënësit shqiptar janë të detyruar për të vazhduar shkollimin që të udhëtojnë për në Strugë. Dhe kur merën parasysh të gjitha këto peripeci, nxënësit janë të shtrënguar që të ndërpresin shkollimin. Maqedonasit iu frikohen shqiptarëve të arsimuar dhe mu për këtë nuk hapin shkolla në gjuhën shqipe. Në qytet nuk ka as program radioje në gjuhën shqipe. Në komunë kryesisht nëpunësit që punojnë janë maqedonas dhe gjuha që përdorej aty është gjuha maqedonase.

Ndërsa në qytetin e Resnjës, qeveria i përkrah të gjithë ato qyteza që regjistrohen si turq. Për ata hapen shkolla në gjuhen turke, gjenden vendet e punës, por shpesh ndodhë ato familje të ndihmohen edhe në të holla.

Dihej se në komunën e Strugës ka 15 fshatra që banohen me popullsi shqiptare dhe vetëm pesë fshatra janë me popullsi maqedonase. Megjithatë, maqedonasit janë ata të cilët e mbajnë kontrollin në çdo lëmi të jetës. Organet komunale të Strugës, më 1973, kanë mbyllur shkollën në gjuhën shqipe dhe nga puna kanë pushua 14 mësues shqiptar. Më vonë më 1975/76, kishin burgosur drejtorin e shkollës bashkë me dy arsimtar[9], të cilët pa vendim të gjyqit i kanë mbajtur në burg tre mua.

Shkrimtari jugosllav flet për të burgosurit politik shqiptar

Me kërkesën e gazetarëve të ndryshëm, shpesh ndodhte që të burgosurit politik jugosllav, që dilnin nga burgu, dhe kalonin ilegalisht kufirin dhe vendoseshin në vendet perëndimore, fliteshin edhe për gjendjen e shqiptarëve që ishin të burgosur politik në burgjet e Jugosllavisë.

Një rast i tillë kishte ndodhur, kur shkrimtari Mihajlo Mihajlov, shkrimtar i njohur jugosllav, i mbajtur për shumë vite në burgjet jugosllave, pas daljes nga burgu kishte arritur që të udhëtojë për perëndim, ku kishte organizua dhe mbajtur një mori konferencash me gazetarë si në shkolla e universitete, sidomos në SHBA.

Në shumë konferenca ai kishte përmendur dhe kishte tregua në mënyrë rrëqethëse për vuajtjet e shqiptarëve në burgjet serbe dhe vuajtjet e tyre nga policia.

Më 1 gusht 1978, deputeti Edward Dervinski nga shteti Illiois, kishte shënua në analet e Kongresit Amerikan, për fjalimin që kishte mbajtur zotëri Mihajlov para Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan. Në këtë fjalim në mes tjerash, zotëri Mihajlo Mihajlov kishte thënë për Adem Demaqin:

“Adem Demaqi, një nacionalist shqiptar, i pari shkrimtar në Jugosllavi, që ka shkruar një roman në gjuhën shqipe, ka krye tri vjet burg (1960-1963), për “propagandë armiqësore”, që donë të thotë për disa kritika që ka bë. Më 1964 ai është dënua me 15 vjet burg për pjesëmarrje në shpërndarjen e trakteve. Por dënimi iu në 10 vjet, mbas rënies së shefit të policisë sekrete jugosllave, Rankoviqit, të cilin dënim ai e kreu, dhe u lirua më 1974. Por në fund të atij viti, ate e kapën përsëri dhe e dënuan me 15 vjet burg, duke e paditur se përsëri ka shpërndarë trakte. Ai edhe tani lëngon në një nga burgjet më të ashpra të Jugosllavisë, në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci”[10] njoftonte shkrimtari nga Jugosllavia.

Në konferencën që kishte mbajtur me 6 qershor, 1978, në Waldorf School, në Long Island, kur e kishin pyetur që donin të fliste edhe për shkrimtarët e tjerë në burgjet jugosllave, ai përsëri kishte zënë në gojë shkrimtarin shqiptarë Adem Demaçin, duke iu tregua se ai kishte kalua në burg 13 vjet dhe tani përsëri është dënua me 15 vjet burg të rëndë.

Po ashtu ai kishte folur edhe për jetën e shqiptarëve në përgjithësi që bëjnë në Jugosllavi duke shtuar se ka vetëm një grup etnik- shqiptarët , të cilët kanë plotë të drejtë që të kërkojnë bashkim të vendit ku ata jetojnë, me Shqipërinë, mbase ky vend përbëhet prej rreth 90% shqiptarësh dhe kufiri në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë nuk është etnik por politik. Porse diktatura në Shqipëri është 100 herë më e keqe se në Jugosllavi, e kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe një fat për Jugosllavinë[11], kishte shtua shkrimtari.

Më 6-8 tetor, 1978, në Luksemburg, ishte mbajtur Kongresi i 26-të i Bashkimit Federal të Komuniteteve Kombëtare Evropiane. Lidhja Kosovare që është që nga viti 1957, anëtare e saj, kishte marr pjesë me një delegacion të kryesuar nga Hafëz Isuf Azemi, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Kosovarëve dhe anëtari z. Ajet Rushiti, po ashtu anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare.

Delegacioni i Lidhjes Kosovare në Kongres kishte paraqitur një raport për gjendjen e vështir të shqiptarëve në Jugosllavi dhe kishte paraqitur një rezolutë që ishte kundër ndjekjeve të shqiptarëve në atë shtet, e cila ishte pranua nga Kongresi.

Rezoluta e paraqitur nga ana e Lidhjes Kosovare ishte se: Kongresi i Bashkimit Federal të Komuniteteve Kombëtare Evropiane, i mbledhur në Luksemburg, më 6-8 tetor, 1978, thoshte se:

- E vajton edhe e dënon ndjekjen edhe shtypjen e Shqiptarëve të Jugosllavisë

- I përkrah me të plotë përpjekjet paqësore të Kosovarëve për të gëzua të drejtat njerëzore themelore, sikurse qytetarët e tjerë të Jugosllavisë

- Thekson, në këtë rast se Jugosllavia ashtë një nga ata që e kanë ndëshkua Marrëveshjen e Helsinkit, më 1 gusht 1975.

- E porosit Kryesinë të protestojë ke autoritetet e Jugosllavisë kundër kësaj gjendjeje të padurueshme të shqiptarëve edhe kundër trajtimit të keq të tyre, duke i ngjitë protestës tekstin e plotë të Raportit që ka paraqitë në Kongres Lidhja Kosovare. Nga kongresi kërkohej që kjo protestë e shkruar t’iu dërgohet edhe gjithë autoriteteve të njohura ndërkombëtare të të Drejtave Njerëzore, sidomos Kombeve të Bashkuara”[12], thuhej në Rezolutë

Shqiptarët që jetonin jashtë, kryesisht ishin grumbulluar dhe vepronin në organizatën politike “Lidhja Kosovare”, e cila degët e veta i kishte të formuara në shumë shtete të botës. Veç që kemi thënë se ata për të sensibilizua në botë situatën e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi, bënin demonstrata e protesta të ndryshme, merrnin pjesë nëpër tubime të ndryshme ndërkombëtare, ata kishin fillua që të shkruanin edhe letra të shumta udhëheqësve të shteteve dhe partive të ndryshme, por që kishin fuqi në vendet e tyre.

Një letër të tillë një grup i kosovarëve që jetonin në Francë i kishin dërguar kryetarit francezë Valery Giscar d’Estaing.

Gjendja e shqiptarëve të Jugosllavisë dita më ditë po bëhej më e rëndë dhe më e pa durueshme. Të burgosurit shqiptar torturoheshin mizorisht dhe plagoseshin e vriteshin me plumba. Shkrimtari jugosllav Mihajlo Mihajlov, që kemi shkruar edhe më herët për të, dëshmonte për të burgosurit shqiptar që ka njohur nëpër burgjet e Jugosllavisë dhe për mënyrat e tmerrshme sesi torturoheshin ata. Përveç torturimeve mizore, policia jugosllave edhe iu kurdiste vrasjet në burg. Shtypi ndërkombëtar ka botuar disa nga këto ngjarje të neveritshme. Por, autoritetet jugosllave vazhdojnë të tallen me vendimet e Helsinkit dhe të Konferencës së Beogradit në lidhje me të drejtat e njeriut. Këto të drejta kanë qenë marr gjithmonë nëpër këmbë kur është puna për të persekutuar shqiptarët.

Për këtë gjendje të rëndë politike dhe ekonomike, shqiptarët që jetonin në Francë duke e parë se çfarë demokracie mbretëron në këtë shtet dhe përkrahjen që po jepte për shqiptarët, ata ishin organizuar dhe ishin tubuar për të shkruar një letër për të gjitha padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga ana e shtetit Jugosllav. Me 20 nëntor, 1978, i dërguan një letër duke kërkuar nga ai që të ndërhyj sa më shpejt pranë qeverisë jugosllave, për të ndalua persekutimet që iu bëhen atyre nga ana e shtetit.

Po botojmë letrën e grupit kosovarë pa ndërhyrje që iu është drejtua kryetarit z. Valery Giscar d’Estaing:

“Zotëri Kryetar.

Ne jemi një grup refugjatësh shqiptarë nga Kosova (Jugosllavia), strehuar në Francë. Jemi shumë të shqetësuar për fatin e vëllezërve dhe bashkëvendëseve tanë që shtypen, në Jugosllavi, për shkak se nuk janë komunistë dhe nuk janë prej kombësie sllave. Burgjet, në Jugosllavi, janë plotë me shqiptarë, të cilët s’kanë kurrfarë të drejtash dhe torturohen mizorisht. Shkrimtari shqiptar Adem Demaçi po vuan, në burgun e Stara Gradishës, dënimin e dytë prej 15 vitesh burg pasi ka kryer një dënim të parë prej 15 vjetësh. Sipas botimeve të shtypit frengë dhe ndërkombëtar, të tjerë të burgosur politikë shqiptar, si Zijadin Spahiu, ish- profesor i drejtësisë n’Universitetin e Prishtinës, Bunak Ulaj, profesor albanologjie, Isa Kastrati, i diplomuar prej Institutit Pedagogjik, Rahim Pllana, Nijazi Korça, Met Sadria, Jashar Alija, Sadri Xhaferri, Kadri Osmani e shumë të tjerë kanë qenë torturua mizorisht dhe plagosur me plumba, sepse patën vendosur të bënin grevë urie. Kështu, marrëveshja e Helsinkit dhe ato të Konferencës së Beogradit për njohjen e të drejtave të njeriut janë marrë nëpër këmbë prej autoriteteve jugosllave në lidhje me të burgosurit politik shqiptarë dhe me popullin shqiptar të Kosovës.

Shtrëngimi kundër shqiptarëve po bëhet çdo ditë më i padurueshëm në republikën e Maqedonisë. Vitin e kaluar, 700 intelektual shqiptarë të kësaj republike qenë të shtrënguar të emigronin gjetkë, sepse nuk iu jepej punë në vendlindjen e tyre. Kurse me mija maqedon të Egjeut (domethënë komunist prej vendeve greke që patën marrë pjesë në luftën civile në Greqi), vendosen prej autoriteteve në tokat e shqiptarëve, n’ato qendra ku shqiptarët përbëjnë shumicën e madhe, si në Tetovë e gjetkë

Këto masa tepër shtrënguese të qeverisë dhe të autoriteteve jugosllave kundër grupit etnik shqiptar përbëjnë një element të vazhdueshëm tronditjesh dhe turbullimesh në Ballkan. Francashikohet prej popullit tonë si një nga fuqitë që garantojnë paqen, lirinë dhe të drejtat e njeriut në botë.

Të bindur për këtë rol të Francës, lejohemi, Zotëri Kryetar, t’i bëjmë thirrje Shkëlqesisë suaj, duke ju lutur që të ndërhyni pran qeverisë jugosllave për ndalimin e persekutimeve kundrejt popullsisë shqiptare.

Ju lutemi gjithashtu që të pranoni nderimet tona më të larta”[13], përfundojnë letrën kosovarët mërgimtar.

Përgjigje në letrën e mërgimtarëve shqiptar

Në shkrimin me titull “Përgjigja që Kryesia e Republikës frënge i ktheu z. Rexhë Gashit, përfaqësues i Lidhjes Kosovare në Francë”, në mes tjerash shkruan : “Letrën tuaj të 20 Nëntorit e ka marrë zotëri Kryetari i Republikës, i cili më ngarkoi t’ju përgjigjem. “Sikurse e dini rregullat ndërkombëtare iu ndalojnë qeverive që të ndërhyjnë zyrtarisht në favor rastesh t]ë veçanta me përjashtim, natyrisht, të rasteve që kanë të bëjnë me nënshtetasit e tyre. Për sa i përket Francës, kjo mendon ta respektojë këtë rregull themelor të jetës ndërkombëtare.

Me keqardhjen time, pranoni , zotëri, shprehjen e konsideratës s’ime më të mirë.

Eliane SIGNORINI, ngarkuar me Mision”[14]


VAZHDON PREZANTIMI I LAJMEVE NGA KOSOVA E ROBËRUAR

Gazeta “Qindresa Shqiptare”, numër 110, e 15 majit 1979, e cila botohej nga mërgata shqiptare, respektivisht nga Komiteti Kombëtar Demokratik “Shqipërija e Lirë” e cila botohej në Paris. Në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, në këtë numër ngërthente shumë tema të cilat në mënyrë objektive prezantonte ngjarjet dhe dhunën e madhe që përdorej ndaj shqiptarëve në Jugosllavi.

Edhe ky numër i gazetës, shkruan hapur për burgosjen e shqiptarëve që nuk ishte ndonjë risi për opinionin e gjer ndërkombëtar. Në shkrimin “Përsëri burgime shqiptarësh”, thuhej se në Jugosllavi janë bërë burgosje të mëdha ndaj shqiptarëve. Vala e fundit që ka përfshi Kosovën kryesisht kohëve të fundi kryesisht ishte organizuar dhe ka përfshi studentët shqiptar të Universitetit të Prishtinës. Duhet cekur se pak para disa ditësh janë kapur dhe janë burgosur 10 studentë,nga të cilët tre janë nga Kërqova; Hasan Bekteshi dhe Hysen Mehmeti, student të vitit të tretë të mjekësisë dhe Abedin Hyseni[15], student i vitit të katërt, i cili studionte historinë.

Sudentët shqiptar bëjnë grevë

Si gjithmonë, studentët ishin bartës të proceseve demokratike, po ashtu kishte ndodhur, që në Universitetin e Shkupit, një grup studentësh të Fakultetit të mjekësisë, shqiptar, kishin reaguar hapur se autoritetet qeveritare nuk kishin lejuar të vihej Flamuri Shqiptar në qytetin e Shkupit, kurse popullsia e këtij qyteti dhe e tërë Maqedonisë është mase 50% shqiptare. Ata gjithashtu kishin kërkua që të kenë të drejtat e barabarta me kombësitë e tjera. Sidomos kërkonin të drejtën e mësimit në gjuhën shqipe në Universitetin e Shkupit. Po ashtu studentët kishin qenë të pakënaqur me kuadrin mësimor, ngase shumica e profesorëve ishin maqedonë ose serbë[16]. Për kërkesat e drejta dhe për reagimin e tyre, kishte ndërhyrë policia dhe i kishte arrestuar shumë studentë shqiptarë, duke i mbajtur shumë nga ata në burg nga 5 ditë e më tepër pastaj i kanë dërgua në gjykata.

Vajza nga Kamenica, frikëson pushtetarët

Në shkrimin “Një vepër guximi në Kamenicë”, thuhej se në shkollën e mesme të qytetit të Kamenicës, në verilindje të Gjilanit, një grup nxënësish shqiptarë kishin tregua një guxim që nga qeveritaret është marr si një akt kryengritës. Ndërsa gazeta shkruan se gati është për tu habitur se në krye të këtij grupi është një vajzë që iu printe.

Në Kosovën e okupuar si dhe në të gjitha shtetet me sisteme politike komuniste, ndodhte shpesh që studentëve, nxënësve dhe njerëzve të rëndomtë, iu ofronin dhe i urdhëronin të nënshkruanin deklarata, që kishin të bënin me shantazhe, shpifje dhe njollosje të shokëve apo të ndonjë ngjarje që ata nuk kishin lidhje me to. Një deklaratë e tillë iu kishte dorëzua edhe nxënësve në Kamenicë. Meqenëse deklarata, fillonte; “Se ne, studentët jugosllav...” kur e kanë vërejtur se ata duhet të nënshkruanin diçka që ata quheshin “jugosllav”, ata nuk kishin pranua që të nënshkruanin për dikë që ata në të vërtet nuk ishin, duke thënë se ata nuk ishin jugosllav. Ata ishin shqiptar dhe vasha nga Kamenica kishte shtua me guxim se “shqiptarët nuk e ndjejnë veten jugosllavë dhe se Jugosllavia është një vend që i mban shqiptarët në robëri...” Për këtë rast është njoftuar policia dhe ka ndërhyre me shpejtësi, duke i marr në pyetje me ditë të tëra duke bërë presion tek ata, vetëm e vetëm për të ditur se kush ishte organizatori i këtij akti “rebel”. Vasha e guximshme me krenari të pashoqe kishte marr mbi vete e tërë përgjegjësin. Gjykata komunale për kundërvajtje, për këtë “gjest “të saj trimërie e kishte dënua me një muaj burg[17].

Në Kosovë nuk kishte punë për shqiptarët

Sipas statistikave zyrtare të botuara më 4 mars, 1979, në gazetën komuniste “NIN”, të Beogradit, në Kosovë thuhej se ka vetëm 150.000 punëtor në një popullsisë shqiptare prej një milion e gjysmë banorë. Sipas këtij botimi, në Kosovë kishte vetëm 65.000 mijë të papunë.

Në një popullsi prej një milion e gjysmë banorësh, duhet të kishte më shumë të papunë se sa thoshte e përkohshmja gazeta “NIN”, porse kjo, si duket i quante të tjerët si fshatarë që merreshin me bujqësi. Por, siç edhe dihej se kjo nuk mund të ishte e vërtet, sepse çdo familje fshatare në Kosovë kishte mesatarisht, 3 hektar tokë dhe 4 deri 6 veta që mund të punonin. Për ta kuptuar edhe më mirë këtë mungesë pune, mjaftonte të tregohej se për një vend nëpunësi në gjyqin e Deçanit janë paraqitur 620 veta[18], nga të cilët shumë kishin diploma shkolle të mesme ose edhe me fakultete.

Ngecë ekonomia e Kosovës

Pasi se shteti i Jugosllavisë nuk investonte aq sa ishte e nevojshme në Kosovë, dhe nuk jepte kredi të duhura për zhvillimin e Kosovës, andaj ishte krejt e pritur që në këtë pjesë edhe zhvillmi i saj të jetë i ngadalshëm në krahasim me mesataren e zhvillimit në krahinat e tjera të Jugosllavisë. Kjo çështje ishte ”gjëja“ se ishte bisedua dhe theksua në “Asamblenë Popullore” të Beogradit, në mbledhjen e fundit. Është konstatuar se në tri vitet e para të planit të tashëm të zhvillimit, zhvillimi në Kosovë, kishte qenë i paraparë që të ishte shtua për 60%, kishte mbetur 50% më i ulët se sa mesatarja e krahinave të tjera Jugosllave. Po kështu, mesatarja e ndërtimeve ishte 30,3% nën mesataren e krahinave të tjera.

Nënkryetari i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, Riza Sapunxhiu, ishte i shtrënguar që të pohonte se puna nuk është kryer, për shkak se mungonin kreditë dhe se ndërmarrjet e ndërtimeve jo vetëm që nuk kujdeseshin si duhej por edhe pengonin punët[19] në terren, thuhej në shkrimin “Zhvillimi në Kosovë është i ngadalshëm”

QËNDRESA SHQIPTARE NË FAQET E GAZETËS “QINDRESA SHQIPTARE”


Qëndresa shqiptare vazhdon edhe në numrin e 111, të gazetës “Qindresa shqiptare” që botohej nga mërgata e jonë në Paris. Sikurse edhe numrat tjerë, edhe në këtë numër bëhej prezantimi i ngjarjeve nga Kosova në disa faqe të saja. Sipas gazetës, më 1979, Kosovën e kishte vizitua krye komunisti Mareshali Tito. Në tetor, thuhej se kryetari i shtetit të Jugosllavisë kishte shkua në Kosovë, dhe kishte qëndrua katër ditë dhe kishte shëtitur e tërë Kosovën. Kudo që kishte shkua kishte mbajtur fjalime të cilat kishin qëllime të dyfishta. Në njërën anë kishte dhënë premtime të mëdha për ndihma që do i jepen Kosovës për zhvillimin e vendit. Por, këto premtime nuk ishin të panjohura për popullin shqiptar, se kështu kishte ndodhur në çdo vizitë që kishte bërë edhe më herët, por asnjëherë nuk ishin mbajtur dhe nuk ishin përmbushur. Dhe nga ana tjetër Titoja i kishte shtrirë dorën Shqipërisë komuniste për të fillua përsëri miqësinë e vjetër, duke përdorur fjalë të buta dhe duke i përcjell fjalë miqësore udhëheqësit të saj.

Po ashtu Tito-ja ishte përpjekur që në një mënyrë të largonte shqiptarët nga kroatet duke i porositur se ata nuk ia duan të mirën atyre dhe janë kundër çdo ndihme që jepet për Kosovën[20].

Me gjithë premtimet për zhvillim të shpejt të Kosovës, ajo ngec

Edhe pse Titoja iu kishte premtua shqiptarëve, ekonomia dhe jeta e popullit shqiptar në Kosovë përsëri ishte në një shkallë edhe më të ulët të zhvillimit dhe jetese dhe asnjëherë nuk u trajtua njësoi me popullsinë sllave në Jugosllavi. Popullsia shqiptare që përbënte mbi 90% të kësaj krahine , edhe më tej ishte nën thundrën e pakicës sllave si nga pikëpamja ekonomike po ashtu edhe nga ajo kulturore dhe administrative. Pakica sllave ishte ajo që sundonte në Kosovë[21], thuhej në shkrimin e gazetës.

Dihej se në Jugosllavi, pesë banka kishin marr një hua prej 305 milion dollarësh nga një grup bankash të huaja për të kryer 21 projekte në shtet. Por asnjë nga këto projekte nuk i përkisnin Kosovës.

Sipas gazetës “Rilindja”, më 6.08.1979, në Kosovë më shumë se 200 fshatra nuk kishin ende rrymë elektrike dhe përdornin llamba vajguri[22]. Shteti jugosllav e shfrytëzonte pa mëshirë këtë krahinë shqiptare dhe kurrë nuk ishte kujdesur që të ngritët shkallën e nivelit më të mirë të jetesës. Ishte edhe një tjetër fakt interesant se qe prej disa kohësh, në Prishtinë gjendet një fabrikë amortizatorësh që punon për disa firma evropiane. Por të gjitha të ardhurat nga shitja shkojnë nëBeograd, dhe asgjë nuk mbetet në Kosovë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo ishte edhe arsyeja që në vitin e kaluar, punëtorët e fabrikës bënë demonstratat duke kërkuar që fitimet e fabrikës të shfrytëzohen në vend për të përmirësua shkallën e jetesës. Shumica e këtyre punëtorëve si dhe një pjesë e personeli shqiptar u arrestuan dhe u hodhën në burg.

Në burgje shqiptarët i mbysin në dajak

Sipas një shkrimi të gazetës “Qindresa shqiptare”, thuhej se sipas lajmeve që kanë ardhur nga Austria, në burgun e Idrizovës afër Shkupit në Maqedoni është bërë një terror ndaj të burgosurve shqiptarë. Në lidhje me gjendjen e keqe të shqiptarëve të burgosur kishte pas shkrua disa kohë më parë edhe revista shumë e njohur gjermane , DIE WELT, e cila kishte njoftua opinionin publik për grevën e urisë, që kishin bërë shqiptarët në burgun e Idrizovës.

Arsyeja kishte qenë se tre të burgosur shqiptar nga Kosova kishin vdekur në burg nga shkaku se policia e burgut i kishte rrahur e mbytë me dajak. Bile policia i kishte varros shqiptarët pa i lajmërua familjet e tyre[23].

Të burgosurit politik shqiptar bëjnë grevë urie në burgun e Shpuzës
Më 8 korrik, 1979, në burgun e Shpuzës në Mal të Zi, një grup të burgosurish shqiptar, kishin bërë grevë urie. Grevistët ishin : Isa Kastrati, ndihmës profesor në Universitetin e Prishtinës; Xhafer Shatri, student i vitit të fundit në UP; Murat Bislimi dhe Mustafa Podujeva.
Ata kishin hyrë në grevë duke kërkua që t’iu plotësohen tri kushte:
1. Të rishqyrtohen dënimet e tyre,
2. Vitet e burgut donin ti mbanin në Kosovë dhe
3. Gjyqi të zhvillohet në gjuhën shqipe[24].
Me ndihmën e mërgimtarëve tanë edhe kjo çështje u sensibilizua dhe Organizata Ndërkombëtare Amnesty International, e cila kujdeset për fatin e të burgosurve politik në të gjithë botën, ishte njoftua edhe për këta të burgosur.

Në Jugosllavi shqiptarët arrestoheshin për hiq gjë

Në Tetovë, sipas burimeve të Lidhjes Kosovare, në fillim të korrikut, 1979, policia jugosllave kishte arrestua pa asnjë shkas dy vëllezër nga Tetova, Aqif e Brahim Lokun, pronar të një gjellëtoreje “Novi Zhivot”[25]. Edhe pse familjarët janë interesua se për çfarë arsye ata gjenden në burg, nuk kanë marr asnjë përgjigje, dhe është edhe një dëshmi se shqiptarët në Jugosllavi burgosen, ndjekin e vriten kur t’iu teket policëve jugosllav.

Lidhja Kosovare, po ashtu njofton se përveç të tre studentëve të arrestuar nga Kërçova ( Hasan Bekteshi, Hysen Mehmeti, e Abedin Hyseni), janë arrestua edhe tre studentë nga rrethina e Gjilanit: Agim Sylejmani, nga fshati Përlepnicë i Gjilanit, të cilin UDB-eja e kishte rrahur dhe e kishte maltretuar shumë, si edhe dy vëllezërit Faik e Tefik Latifin[26], nga rrethina e Gjilanit.

Në gazetën “Qindresa Shqiptare”, përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi


Lidhja Kosovare, në organin e saj informativ, në asnjë moment nuk i linte anash tokat shqiptare që ishin të okupuara në Maqedoni e Mal të Zi. Në numrin e saj 111 të “Qinderesës Shqiptare”, në shkrimin “Gjendja është gjithnjë e keqe në Ulqin dhe rrethin”, thuhej se në qytetin shqiptarë të Ulqinit dhe rrethin gjendja është gjithnjë e keqe dhe pësimet nga tërmeti janë të dukshme. Shqiptarët jetojnë nëpër çadra, dhe nuk kanë leje të kthehen nëpër shtëpia edhe pse disa shtëpi nuk janë të dëmtuara. Lëvizja e tyre pengohet, ushqimet nuk shpërndahen me rregull dhe ka shumë dobësi në shpërndarjen e ndihmave në veshmbathje. Ushtria që ka ardhur për ti ndihmuar sillet shumë keq me ta. Ndihmat që kanë ardhur nga Kosova, e bashkë me ta kanë ardhur edhe shumë shqiptar nga atje për ti ndihmuar, por nga pushtetarët nuk lejohen që të ofrojnë ndihmën e tyre. Është për tu habitur se si ndaj tyre kanë shti me armë dhe kanë vrarë tre veta[27] dhe askush nuk është marr në përgjegjësi.

Kjo dhunë dhe ky terror që po bëhej ndaj shqiptarëve të Kosovës por edhe të shqiptarëve vendor, po bëhej me një qëllim që ata t’i detyrojnë që sa më shpejt të ikin nga aty dhe në vendin e tyre të vendosen serbet të ardhur nga Shumadia.

UDB-eja jugosllave organizon atentate ndaj mërgimtarëve tanë

Sipas një raporti që kishte lëshua Senati Amerikan, kishte dal në shesh se Jugosllavia mbante një rrjetë të gjerë spiunësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm për me spiunua por edhe për të trazua e ndjek të mërguarit politik, si edhe me i shkatërrua grupet antikomuniste që vepronin në mërgim.

I njëjti raport thotë gjithashtu se konsulli jugosllav në San Francisko, Tugomir Dzalto, kishte bërë përpjekje me disa veprime të ndyra që të fuste frikën tek mërgimtarët politik.

Ndërsa gazetari i njohur amerikan , Jack Anderson, kishte shkruar se agjentët e Titos, janë mundua me bë edhe atentate kundër të mërguarve politik. Gazetari në shkrimin e tij zë në gojë edhe atentatin që kishte dashur ta bëjë, në Chikago, në shkurtin e vitit 1976, kundër zotësi Hafëz Jusuf Azemit, anëtarit të Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare dhe të Ballit Kombëtar. Është zbulua se dy agjent të fshehtë të Titos kishin kërcënua dy të mërguar, dhe kishin kërkuar që të bëjnë atentat kundër patriotit të madh kosovar. Gazetari Anderson pastaj tregon edhe për dy emrat e dy spiunëve se ata ishin Aleksandër Arsovski, pran konsullatës jugosllave në Chikago dhe Nikolla Ilievski[28], gjoja se ishte turist në Amerikë.






[1] Katër studentë shqiptarë vritën nga policia jugosllave dhe tetë të tjerë plagosen rendë, Qindresa Shqiptare, nr.109. f. 7, Paris, 1978.
[2] Të burgosurit politik shqiptarë gjykohen për së dyti edhe dënohen më rendë, Qindresa shqiptare, nr. 109, f. 8,Paris, 1978.
[3] Ç’ka botue shtypi ndërkombëtar, Qindresa Shqiptare, nr. 109, f. 8, Paris, 1978.
[4] Në Republikën e Maqedonisë, Qindresa Shqiptare, nr. 109. f. 9, Paris 1978
[5] Një ngjarje mizore, Qindresa Shqiptare, nr. 109, f. 9, Paris 1978.
[6] Po aty.
[7] Po aty, f. 10.
[8] Po aty.
[9] Po aty.
[10] Fjala e shkrimtarit Mihajlo Mihajlovit, e mbajtur në Komisionin e Helsinkut të Kongresit Amerikan, me 1 gusht, 1978.
[11] Po aty., f. 12.
[12] Kongresi I Federatës së Pakicave Kombëtare, Qindresa Shqiptare, nr. 109, f. 13, Paris, 1978.
[13] Letra që iu dërgua kryetarit të Francës, Zotëri Valery Giscar d’Estaing, u botua në gazetën Qindresa Shqiptare, në numri 109,, f.13-15, më 1978.
[14] Po aty.
[15] Përsëri burgime shqiptarësh, Qindresa shqiptare, nr. 110, f.9, Paris 1979.
[16] Studentët shqiptarë të Skupitbëjn grevë, QindresaShqiptare,nr. 110,f. 9, Paris,1979
[17] Një vepër guximi në Kamenicë, Qindresa Shqiptare,nr. 110, f. 9, Paris 1979.
[18] Në Kosovë nuk ka punë për shqiptarë, Qindresa shqiptare, nr. 110, f. 11, Paris 1979.
[19] Zhvillimi në Kosovë është I ngadalshëm, Qindresa Shqiptare, nr. 110, f. 12. Paris, 1979
[20] Mareshali Tito në Kosovë, Qindresa Shqiptare, nr. 111, f. 9, Paris 1979.
[21] Gjendja ekonomike dhe shoqërore në Kosovë është e keqe, Qindresa shqiptare, nr. 111, f.10. Paris, 1979.
[22] Po aty, 11
[23] I mbysin në dajak, Qindresa shqiptare, nr.111, f. 11. Paris, 1979.
[24] Në burgun e Shpuzës bëjnë grevë urie, Qindresa shqiptare, nr. 111,f. 11, Paris, 1979.
[25] Dy vëllezër arrestohen në Tetovë, Qindresa shqiptare, nr.111, f. 11, Paris 1979.
[26]
[27] Gjendja është gjithnjë e më e keqe në Ulqin dhe rrethin, Qindresa Shqiptare, nr.111, f. 12. Paris, 1979.
[28] Jugosllavia I trazon dhe I ndjek të mërguarit, Qindresa Shqiptare, nr. 111, f. 115, Paris, 1979.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi