Gazeta Fjala: Vështrimi i përgjumur - Marcel Proust
Faqja 1 e 1
Gazeta Fjala: Vështrimi i përgjumur - Marcel Proust
Gazeta Fjala: Vështrimi i përgjumur - Marcel Proust
Prusti bën pjesë tek ata shkrimtarë që librat e shkruar nga të tjerët për të janë shumë më tepër se librat që ai vetë ka shkruar për të tjerët. Shkrimtari George De Painter, i cili i kushtoi tetëmbëdhjetë vjet biografisë së Prustit, tregon se jeta e tij ishte padurueshmërisht e bezdisshme. Tridhjetë e tre vjeçar (mosha kur vdiq Krishti, Akili dhe Aleksandri i Madh), Prusti nuk ishte veçse një fëmijë i llastuar, një grindavec i pandreqshëm, një i sëmurë që nuk gjakon të shërohet. E ëma e tij do të vinte me tren për të vdekur në Paris, për t’ia kursyer të birit spektaklin e agonisë.
Një jetë e kaluar mes zdërhalljesh, snobizmash, për t’iu përshtatur një modeli akoma të mugullt, atij që do të shkruante veprat që do që vinin më pas. Fillon të vetmohet, të izolohet. Llamba në dhomën e tij rri gjashtëdhjetë orë ndezur kur shkruan “Në kërkim të kohës së humbur”. Nuk del veçse një herë, në një ditë prilli, për të parë para perëndimit të diellit mollët me lule, të cilat do t’i përshkruante në libër.
Gjatë viteve të luftës, ashtu siç e përshkruan dhe Claude Simone tek romani “Kopshti i bimëve”, i botuar në vitin 2000, Marsel Prusti frekuenton vazhdimisht një bordello meshkujsh, së cilës i ka dhënë mobilje prej shtëpisë së prindërve. Në këtë kohë ai dashurohet me Alfred Agostinenellin, të cilin e ka bërë shoferin e vet dhe që do të vdesë aksidentalisht. Figura e tij do të trajtësohet nën emrin e Albertinës, si tek “Në kërkim të kohës së humbur”, ashtu edhe tek ky tregim i vogël që po ia paraqesim lexuesit.
Balil Gjini
Marcel Proust
Vështrimi i përgjumur
Nganjëherë, kur ngrihesha për të kërkuar një libër në kabinetin e babait, mikja ime, që më pati kërkuar leje të shtrihej gjatë kësaj kohe, ishte aq e molisur nga ravgimet e gjata të mëngjesit dhe të mbasdites në ajrin e qashtër sa, edhe nëse s’mbetesha veçse një çast jashtë dhomës, duke u kthyer, e gjeja Albertinën të kotur dhe nuk e zgjoja më.
E shtrirë sa gjatë e gjerë në krevatin tim, në një qëndrim aq të njëmendët, sa s’mund ta sajonte, më dukej me pamjen e një kërcelli të gjatë luleje që e kishin vendosur aty dhe qe shi kështu në të vërtetë: pushtetin e ëndrrës, që e kisha veç kur ajo më mungonte, në këto çaste e gjeja pranë saj, sikur, duke fjetur, ajo ishte bërë një bimë. Që prej aty, gjumi i saj realizonte në njëfarë mase gjasën e dashurisë; gjyrgjo, mund të mendoja për të, ndonëse s’e kisha, s’e zotëroja. Tashmë i flisja, por isha shumë i trullosur nga vetvetja që të mund të mendoja. Kur ajo flinte, nuk kisha më për të folur, e dija që nuk isha më i kundruar prej saj, nuk kisha më nevojë të jetoja në sipërfaqe të vetvetes.
Duke mbyllur sytë, duke humbur vetëdijen, Albertina kishte celfisur njërën pas tjetrës përveçësitë e ndryshme njerëzore që më kishin zhgënjyer qysh ditën e fillimtë të njohjes me të. S’gjallonte më veçse prej jetës së pavetëdijshme bimoreve, drurëve, jetë më e allasojtë nga e imja, më e pataksshme, dhe ndërkaq që më përkiste më shumë. Uni im nuk arratisej në çdo çast, njëlloj si atëherë kur bisedonim për daljet e mendimit të pathënë dhe vështrimit. Ajo kishte ndjellur tek vetja gjithçka që prej saj ishte jashtë; ishte strukur, mbyllur, cakosur në trupin e saj. Dhe duke e mbajtur nën kundrim, në duart e mia, kisha mbresën që e zotëroja fundekreje, ndjesi që s’e kisha kur ishte zgjuar. Jeta e saj më ishte nënshtruar, kërnjonte drejt meje frymimin e lehtë.
Dëgjoja këtë flurim mërmëritës misterioz që ishte gjumi i saj, të ëmbël si një zefir detar, shtojzovallor si kjo kthjellësi hënore. Për aq sa ai vazhdonte, mund të ëndërroja për të dhe e vështroja, ndërsa kur ky gjumë bëhej më i thellë, e prekja, e përqafoja. Kjo që provoja atëherë qe një dashuri përpara diçkaje kaq të qiqërt, kaq jomateriale në ndjeshmërinë e vet, që e kisha patur përpara gjallesave jofrymore, të cilat janë bukuria e natyrës. Dhe, në fakt, sapo ajo flinte një çikëz më thellë, rreshtte së qenuri bimë siç kishte qenë: gjumi i saj, buzë së cilit unë ëndërroja me një lektisje taze që s’më ishte mërzitur kurrë dhe që e shijoja pafundësisht, ishte për mua krejt një peizazh. Gjumi i saj më sillte pranë diçka kaq të prajtë, kaq ndjeshmërisht ngashnjyese, sa këto netë me hënë të plotë në gjirin Balbec-ut bëheshin të ashtëta si një liqen, ku degëzat mezi lëviznin, ku, i dergjur mbi rërë, i dëgjoje tek thyenin papra zbaticat.
Duke hyrë në dhomë, kisha mbetur në prag, nuk guxoja të bëja zhurmë dhe nuk dëgjoja gjë tjetër veç frymës së saj që e nxirrte mbi buzë me ndërprerje të herahershme dhe të rregullta si një zbaticë, por më molisëse dhe më të ëmbël. Dhe në çastin kur veshi im mblidhte këtë zhurmë hyjnore, më dukej se ishte e kondensuar në të e gjithë qenia, gjithë jeta e robinjës hamngjitëse, që dergjej aty nën sytë e mi. Karroca kalonin zallamahishëm në rrugë, por balli i saj mbetej i palëvizur, po aq i qashtër, firoma po aq e lehtë, e thjeshtëzuar në nxjerrjen e ajrit më të doemosshëm. Pastaj, duke e parë që gjumi nuk do t’i turbullohej, i qasesha kujdesshëm, ulesha mbi karrigen që ishte buzë shtratit, së mbrami mbi vetë krevatin.
Kam kaluar mbrëmje magjepsëse duke biseduar, duke luajtur me Albertinën, por kurrë kaq ëmbëlcake sesa kur e kundroja tek flinte. Kishte dukje të bukur duke folur, duke luajtur me letra, dhe kjo natyrshmëri që asnjë aktore nuk do të kishte mundur ta shkërbente, ishte një natyrshmëri e shkallës së dytë që ma jepte gjumi i saj. Floknaja, duke i zbritur përgjatë fytyrës së paparuntë, i dergjej përanash saj, mbi shtrat dhe ndonjëherë, një cullufe vetanake dhe e drejtë, të jepte të njëjtin efekt të perspektivës së drurëve hollakë të hënëzuar dhe të zbehtë që ajgëtohen fare të drejtë në fund të tablove rafaelike të Elstir-it. Nëse buzët e Albertinës ishin të mbyllura, për më tepër, në po atë mënyrë si i kisha lënë, qepallat e saj ngjasonin aq pak të puthitura, sa pothuajse do të kureshtohesha nëse flinte me të vërtetë. Sidoqoftë, këto qepalla të ulura i paëzonin në fytyrë atë vazhdimësi të thukët që sytë nuk e ndërprisnin. Ka qenie që fytyra iu merr një bryllësi dhe një hijeshi të pazakontë për aq sa nuk kanë më vështrim.
Soditja sytë e Albertinës që dergjej tek këmbët e mia. Herë-herë ajo përshkohej nga një fërgëllimë e lehtë dhe e pashpjegueshme, siç fërgëllon çastshëm gjethnaja nga një puhizë e beftë. Ajo prekte floknajën, së mbrami, duke mos e bërë siç e gjakonte, e mbante dorën aty me lëvizje të rregullta, të dëshirueshme, sa isha i bindur se ishte e zgjuar. Aspak; bëhej e prajtë në gjumin që s’ e kishte braktisur. Këtej e mbrapa rrinte e palëvizur. Kishte vendosur dorën mbi kraharor nën një shpërfillje të krahut kaq fëminisht naive sa, duke e ajgëtuar, isha i detyruar të mbytja të qeshurën që, përmes seriozitetit, pafajësisë dhe hirit të tyre, na i japin fëmijët.
Unë që njihja shumë Albertina në një të vetme më dukej se shihja mjaft të tjera tek rrinin me mua. Qerpikët, të harkuar si të sajët s’kisha parë kurrë, rrethonin rruzujt e qepallave si një çerdhe të dhembshur alcioni. Raca, atavizma, vese qëndronin mbi fytyrën e saj. Çdo herë që zhvendoste kokën, krijonte një femër të re, shpesh të padyshueshme. Më ngjasonte sikur nuk zotëroja një, por panumërsi vajzash rioshe. Frymëmarrja e saj, pak nga pak më e thellë, i ngrinte rregullisht kraharorin dhe, përmbi të, duart e kryqëzuara, bizhutë, i zhvendoseshin në një mënyrë të tjetërfartë nga e njëjta lëvizje, si ato barkat, si ata zinxhirët e ballamarit, që bëjnë të kalamendet lëvizja e valës. Atëherë, duke e ndjerë që gjumi i saj ishte i thellë, që të mos përplasesha në gumat e ndërgjegjes të mbuluara tani nga deti i dystë i gjumit të saj, lirshmërisht, hovja pa zhurmë në shtrat, kumbisesha përgjatë asaj, ia merrja kurmin në njërin nga krahët, i vendosja buzët mbi faqe dhe mbi zemër; pastaj, mbi të gjitha pjesët e trupit i vendosja dorën që mbetej e lirë dhe që, po ashtu si bizhutë, hovte lart nga frymëmarrja e Albertinës; vetë unë zhvendosesha lehtësisht nga lëvizjet e saj të rregullta: isha kredhur në gjumin e Albertinës. Nganjëherë më dukej se shijoja një kënaqësi më pak të pastër. Për këtë s’ kisha nevojë për asnjë lëvizje, e vendosja këmbën time pranë të sajës si një shkop që e branisin dhe të cilin hera-herës e shtyn një lëkundje e lehtë, e njëjtë me rrahjet e herëpashershme të krahëve që kanë zogjtë që dremisin në ajër. Zgjidhja për të kundruar atë faqe të fytyrës së saj që nuk kundrohej kurrë dhe që ishte kaq e bukur.
Mbase duhet që qeniet t’ju bëjnë të sfiliteni, me qëllim që në orët e ndjesës t’ju japin atë këndellje çkëthëse që ka natyra. Nuk kisha për t’iu përgjigjur, siç bëja kur bisedonim, madje nuk mundja të heshtja, siç bëja kur ajo fliste dhe që, duke e dëgjuar të fliste, nuk zbrisja menjëherë përpara saj. Duke vazhduar ta sodit, të dëgjoj nga njëri çast në tjetrin murmurimën e firomën së saj të qashër, ishte krejt një ekzistencë psikologjike që ishte para meje, për mua; për aq kohë sa dikur qëndroja i shtrirë mbi plazh, nën hënën e plotë, do të mbetja aty për ta kundruar, për ta dëgjuar.
Ndonjëherë thoshte se deti bëhej i stuhishëm, që stuhia ndjehej gjer në dritare dhe unë bëja si ajo për të dëgjuar shurakamën e frymës së saj që gërhinte. Ndonjëherë, kur kishte shumë vapë, ajo, pothuajse duke fjetur tashmë, hiqte kimonnë, të cilin e linte mbi kolltuk. Ndërsa ajo flinte, unë thoshja se të gjitha letrat e saj ishin në xhepin e brendshëm të kësaj kimonoje, ku i vendoste gjithmonë. Një nënshkrim, një takim i premtuar, do të ishin të mjaftueshëm për të provuar një rrenë, ose për të fshehur një dyshim. Kur ndjeja gjumin mjaft të thellë të Albertinës, braktisja fundin e krevatit, prej nga ku e soditja për një kohë të gjatë pa pipëtirë fare, bëja një hap, më kaplonte një kureshti e zjarrtë, duke ndjerë sekretin e kësaj jete të ofruar, të pushtë e të pambrojtur në këtë kolltuk. Ka gjasa ta bëja këtë hap sepse kundrimi i fjetëses pa lëvizur fillonte të bëhej molisës. Dhe kësisoj, duke ecur pa zhurmë, kthehesha papra për të parë nëse Albertina nuk zgjohej, shkoja gjer te kolltuku. Aty ndalesha, qëndroja shumë kohë duke kundruar kimononë, siç kisha mbetur shumë kohë së sodituri Albertinën. Por (dhe për këtë kam patur të drejtë) kurrë nuk kam prekur në kimono, futja dorën në xhep, sështroja letrat. Së mbrami, duke e parë që s’po vendosja, nisesha pa zhurmë, vija pranë shtratit të Albertinës dhe filloja ta kundroja duke fjetur, atë që nuk më thoshte kurrgjë, ndërkohë që shihja mbi krah të kolltukut atë kimono që mbase më thoshte shumë gjëra. E ndërsa njerëzit paguanin njëqind franga në ditë një dhomë në hotelin e Balbec-ut për të thithur ajrin e detit, mua më dukej krejt natyrale të shpenzoja më shumë se kaq për atë, meqë kisha firomën e saj pranë faqes sime, në gojën e saj që hapej përgjysmë mbi timen, ku ballas gjuhës sime rridhte jeta e saj.
Por kësaj këndelljeje për ta parë të fjetur, dhe që ishte kaq prehëse sa e ndjeja të gjallë, i dha fund një tjetër, që ishte ajo për ta parë tek zgjohej. Ajo, në një shkallë më të epërme dhe më misterioze, ishte kënaqësia vetë që banonte tek unë. Pa dyshim ishte e çkëthëshme mbasditeve, kur zbriste nga karroca dhe hynte në apartamentin tim. Ishte më shumë akoma, kur, në fund të gjumit, ngjiste shkallët e fundit të ëndrrave, qe dhoma ime ku i kërthndezej rishmë ndërgjegja dhe jeta, tek më pyeste një çast “ku jam?” dhe, duke kundruar objektet që e kishin qerthulluar, llampën, ndriçimi i së cilës e bënte të puliste sytë, mund t’i përgjigjesha që ishte në shtëpi të saj, duke konstatuar që zgjohej në shtëpinë time. Në këtë çast të fillimtë prajtës të mëdyshjes më ngjasonte se e zotëroja plotësisht atë, sepse, sapo kishte dalë, në vend që të hynte në dhomën e saj, ishte dhoma ime ajo që do të njihej prej Albertinës, që do ta përlante, që do ta kaplonte, pa e lënë që sytë e mikes sime të bëheshin të kelfët, duke mbetur po aq të prajtë sikur të mos kishte fjetur.
Ngurrimi i zgjimit, i zbuluar prej heshtjes së saj, nuk ishin për vështrimin e saj. Porsa e gjeti fjalën, tha: “I imi” ose “i dashuri im”, të ndjekura, njëra, apo tjetra, nga emri im i pagëzimit, ai që, duke i dhënë tregimtarit të njëjtin emër me autorin e këtij libri, bëhet: “Marseli im”, “I dashuri im Marsel”. Qysh atëherë nuk i lejoja më prindërit të më thërrisnin në familje “i dashur”, duke i celfisur nga çmimi i të qenit përveçues, në ato fjalë këndellëse që m’i thoshte Albertina. Gjithë duke m’i thënë ajo bënte një rrudhje të vogëlth buzësh që po vetë e shndërronte në puthje. Po aq shpejt si kur ishte e përgjumur, po aq shpejt dhe kur ishte zgjuar.
Përktheu: Balil Gjini
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Gazeta Fjala: Fjala dhe kultura - Osip Mandelshtam
» Gazeta Fjala: Danjill Harms - Iluzione optike
» NË DITËT E KALTËRTA ( IRENA GJONI botuar te gazeta "FJALA" 15 shkurt 2004) PER SHËN VALENTIN MIQVE TË MI QË DASHURITË E MEDHA
» Kadri Mani: Një kënd tjetër vështrimi nga Bleron Barali daltonist-nihilisti
» Marçel Hila: Kacafytje tigrash (Tregim)
» Gazeta Fjala: Danjill Harms - Iluzione optike
» NË DITËT E KALTËRTA ( IRENA GJONI botuar te gazeta "FJALA" 15 shkurt 2004) PER SHËN VALENTIN MIQVE TË MI QË DASHURITË E MEDHA
» Kadri Mani: Një kënd tjetër vështrimi nga Bleron Barali daltonist-nihilisti
» Marçel Hila: Kacafytje tigrash (Tregim)
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi