Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kujtimet" mbetën cung, si shteti që shpalli Ismail Qemali

Shko poshtë

Kujtimet" mbetën cung, si shteti që shpalli Ismail Qemali Empty Kujtimet" mbetën cung, si shteti që shpalli Ismail Qemali

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 02, 2010 9:14 pm

Kujtimet" mbetën cung, si shteti që shpalli Ismail Qemali



Në pjesën e dytë të rrëfimeve të burrit të shtetit, Ismail Qemali,
marrë nga vëllimi "Kujtime" të hedhur dy ditë më parë në treg nga
shtëpia botuese "Toena" dhe përkthyer nga anglishtja prej Abdurrahim
Myftiut, vijnë historitë e vitit 1908, kur Turqia ishte në një situatë
kaotike. Ismail Qemali tregon për lëvizjet e tij nëpër shumë vende të
Mesdheut dhe të Europës, duke takuar shtetarë të huaj, shqiptarë të
mërguar, apo komunitetet e shqiptarëve.


Një vend të veçantë zënë marrëdhëniet e tij me Sulltanin, I cili nga
armiqësia me të, kalon te konsultimi për të ardhmen e perandorisë.
Ismail Qemali nuk kursehet të japë këshilla, duke qenë I bindur se fati
I Turqisë, është në interes të paqes.


Ndërsa disa ishin për përdorimin e forcës dhe ngritjen në revolucion,
të tjerë ishin për hapa më të matura e më të ngadalshme, Ismail Qemali
thotë se ishte për ndërmarrjen e një aksioni, që do të shkaktonte alarm
në Evropë dhe do të tërhiqte vëmendjen e saj, çka do të bënte që
Sulltani të detyrohej të binte në ujdi pa tronditje tepër të mëdha në
vend.


Por plani i tij për të shtënë në dorë ndonjë pikë mbizotëruese, si
Selaniku, për shembull, ose Bolajiri, i cili është çelësi i
Dardaneleve, me një forcë të armatosur, dhe prej andej t'i diktoheshin
kushtet Sulltanit, dështoi.


Libri "Kujtime" u botua për herë të parë në 1920, një vit pas vdekjes
së themeluesit të shtetit shqiptar, nga bashkëpunëtori I tij William
Morton Fullerton dhe ai ka mbetur, siç thotë anglezi, cung, si vetë
shteti të cilit I shërbeu.


WILLIAM MORTON FULLERTON


Kur shpërtheu Lufta me Gjermaninë, Ismail Qemal Beu, tashmë
shtatëdhjetë vjeç e kusur, pa në atë kataklizmë mbi të gjitha një
mundësi për ta mbyllur jetën siç e kërkonte arsyeja, duke i bërë nder
Shqipërisë.


Ai vendosi, në frymën e Liberalizmit të tij të një gjysmë shekulli më
parë, por me disa iluzione për suksesin e aventurës së tij, të
shfrytëzonte, deri në cakun e mundësive të Atdheut të shtrenjtë, të
gjitha parimet doktrinare, që ishin hedhur pa hesap nga Ëashington-i,
si nga dora e shkathtë e një prestidigjitatori. Ai erdhi në Paris për
të mbrojtur çështjen e "Shqipërisë" para Konferencës së Paqes.


Mirëpo dilte pyetja: "Çështjen e cilës Shqipëri?" Plaku i gjorë ishte
simbol i zhgënjimit, që i priste ata pesëdhjetë popuj të ardhur me vrap
në Paris sikur po vinin në një Mekë.


Çka ia shtonte patosin atij spektakli ishte se, për hir të vendit që ai
dëshironte ta shihte të pavarur, Ismail Qemal Beu qe i shtrënguar
njëfarësoj të ulte kryet, të bëhej baltë e t'u qepej prapa me përulësi
Mbretërive e Fuqive, mes të cilëve, për shkak të interesave të kundërta
të tyre, ngjyra e kulluar e përkushtimit të tij patriotik merrte hije
kameleonike sipas rastit.


Kjo është e pashmangshme, sikundër qe e pashmangshme edhe që krerët,
fiset dhe interesat e tjera shqiptare të kërkonin të shtynin më tej
ambiciet e veta duke marrë nëpër gojë motivet e rivalëve. Në të
vërtetë, një traktat i fshehtë ndërmjet Italisë dhe Aleatëve në fakt i
kishte prerë të gjitha shpresat për një "vetëvendosje" reale për
Shqipërinë. Mirëpo Ismail Qemal Beu ushqente shpresa të kota, dhe
shpresën e mbante tek Amerika.


Nuk më del nga mendja kënaqësia e tij, kur më solli - diku nga shkurti
i vitit 1918 - një copë letër të ardhur nga një Kuvend i "Partisë
Kombëtare të Shqipërisë", i cili kishte qenë mbajtur para dy muajsh në
Ëorcester, Massachusetts, me anë të së cilës ai merrte kredencialet për
të përfaqësuar koloninë shqiptare të Amerikës, me misionin "për të
siguruar dhe garantuar pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike të
Shqipërisë", dhe "për të siguruar ndryshime të tilla në kufijtë e
Shqipërisë, që të përfshinin brenda saj ato treva, ose krahina, të
populluara thuajse tërësisht prej shqiptarësh, dhe që pa shkak e pa të
drejtë i qenë shkëputur prej Konferencës së Ambasadorëve të Londrës më
1912 e 1913 dhe u qenë dhënë Greqisë, Serbisë e Malit të Zi."


Si mund t'i shkonte mendja Ismail Qemal Beut, pasi pranoi këtë mandat,
si dhe shumën shoqëruese, se do të shembte shpresat e bashkatdhetarëve
të tij bujarë, duke ua bërë të njohur karakterin pa dyshim të
ndërlikuar të detyrës dhe barrës, që po i vinin mbi shpatulla - të
ndërlikuar për shkak se bashkimi kombëtar dhe tërësia territoriale e
Shqipërisë kishin qenë vënë në rrezik, jo vetëm prej "Konferencës së
Ambasadorëve" të 1912-ës dhe 1913-ës, por edhe, madje më shumë, prej
garancive sekrete të dhëna Italisë më 1915 për ta pasur realisht si
protektorat atë vend?


Shtetari i moshuar u largua nga Parisi, duke lënë në duart e z. Story
"Kujtimet" e tij të papërfunduara. Ato kanë mbetur cung, ashtu sikundër
mbeti i cunguar shteti të cilit i shërbeu. Ismail Qemal Beu ndërroi
jetë në Itali, dhe plani i tij mbeti i papërmbushur.


Mirëpo, edhe pse jeta e tij, nga pikëpamja e së bukurës, nuk ia doli,
dhe ishte jetë plot trishtim, ai na ka lënë trashëgim, në këto
"Kujtime", një tablo të veçantë e të rrallë dhe - tani që heqja dorë e
Amerikës, së bashku me ringjalljen e Rusisë e me përpjekjen
pansllaviste bashkë me të, po përcakton në Stamboll politikën e
shëndoshë të ruajtjes së tërësisë territoriale të pjesës më me vlerë të
Perandorisë Osmane - një tablo sugjestive, e madje të çmueshme, të një
bote të shuar, për të cilën disa prej nesh prej shumë kohësh kanë
filluar të ndiejnë keqardhje.



Rrëfimi i themeluesit të shtetit shqiptar për shpërbërjen e perandorisë turke dhe çështjen shqiptare



Këshillat që i dhashë Sulltanit për të shpëtuar Turqinë




(Vijon nga numri i kaluar)

Në Egjipt gjithmonë ka pasur një koloni shumë të madhe me shqiptarë,
myslimanë e të krishterë dhe tani komiteti i kësaj kolonie më njoftoi
se kishte kënaqësinë t'u shkoja në Egjipt. Që herët kisha pasur dëshirë
ta vizitoja këtë vend, prandaj dhe ftesa e ngrohtë e tyre më bëri të
merrja rrugën për atje.


Në Kajro u prita nga Kedivi dhe këmbeva vizita me Lordin Cromer (i cili
pati mirësinë të më shprehte konsideratë të veçantë për komitetin
shqiptar) dhe me komisarin e Lartë për Turqinë, Gazi Muhtar Pasha.
Ndërkohë që po i gëzohesha mikpritjes së bashkatdhetarëve të mi e të
qarqeve politike në Kajro, filluan intriga për Shqipërinë, dhe më i
habitshmi nga të tjerat ishte akti i Mehmet Ali Pashës, vëllait të
Kedivit.


Megjithëse nuk e njihja personalisht, ai e informoi Sulltanin me
telegram se unë i paskësha ofruar fronin e Shqipërisë, të cilin thoshte
se e kishte hedhur poshtë meqë binte në kundërshtim me ndjenjën e
besnikërisë ndaj Kalifit.


Kjo akuzë, e cila bëri të shpërblehej me gradën dhe titullin e Vezirit,
duhet t'ia ketë vrarë ndërgjegjen, sepse, me rastin e vizitës sime të
dytë në Egjipt, ai erdhi tek unë me iniciativën e vet për të ma
shpjeguar e përligjur veprimin, i cili, sipas tij, kishte ardhur nga
zelli i tepruar.


Pasi u ktheva në Romë, ambasadori erdhi e më takoi dhe më dëfteu një
telegram nga Sulltani, në të cilin Madhëria e Tij e udhëzonte
ambasadorin të më qortonte mua, sepse i kisha pas premtuar, kur u
largova - veçanërisht të dërguarit të tij, Iliaz Beut - se nuk do të
kisha të bëja më me politikën, dhe se, megjithatë, kisha shkuar në
Egjipt, kisha bërë me dije se do të krijoja principatën e Shqipërisë
dhe se fronin ia kisha ofruar vëllait të Kedivit.


Ai shtonte se, në rast se nuk i mohoja këto gjëra, ai do të më shpinte
në gjyq. Në përgjigjen time i thashë se Sulltani e kishte gabim - unë
nuk kisha premtuar se nuk do të kisha të bëja më me politikën. Kisha
premtuar se nuk do ta sulmoja Madhërinë e Tij personalisht - premtim që
e kisha mbajtur dhe kisha ndër mend ta mbaja.


Sa për Shqipërinë, unë nuk mund të ofroja fronin e një shteti që nuk
ekzistonte, dhe, edhe sikur ta kisha bërë këtë, nuk kisha arsye, madje
përkundrazi, që të parapëlqeja një princ egjiptian. Me gjithë mohimin,
Sulltani bëri që të gjykohem për tradhti të lartë në gjykatën e
Stambollit dhe si përfundim më dënuan me vdekje në mungesë, me humbjen
e të drejtave civile, gradës, meritave, dekoratave dhe pronave.


Punët në Turqi po shkonin keq e më keq dhe rreziku i një katastrofe po
bëhej më i pashmangshëm. Gjithë mendjen e kishim si të dilej nga
situata. Pikëpamjet tona për këtë ndaheshin, sepse, ndërsa disa ishin
për përdorimin e forcës dhe ngritjen në revolucion, të tjerë ishin për
hapa më të matura e më të ngadalshme, që nuk mund të jepnin rezultate
të menjëhershme.


Unë për vete isha për ndërmarrjen e një aksioni, që do të shkaktonte
alarm në Evropë dhe do të tërhiqte vëmendjen e saj, çka do të bënte që
Sulltani të detyrohej të binte në ujdi pa tronditje tepër të mëdha në
vend.


Për këtë aksion ishte e nevojshme të merrej në dorë ndonjë pikë
mbizotëruese, si Selaniku, për shembull, ose Bolajiri, i cili është
çelësi i Dardaneleve, me një forcë të armatosur, dhe prej andej t'i
diktoheshin kushtet Sulltanit. Mareshali Rexhep Pasha, komandanti i
Armatës në Tripolitani, dukej tamam njeriu i duhur për këtë hap.


I pajisur me guxim të denjë për një shqiptar, sikundër ishte, ai njihej
edhe për ndjenjë të fuqishme atdhetarie. Nëse e merrte Selanikun me një
pjesë të ushtrisë, ai do të tërhiqte në anën e tij të gjithë
bashkëkombësit shqiptarë; kurse, po të zbarkonte në Bolajir nga Gjiri i
Sarosit, duke shfrytëzuar autoritetin që gëzonte në ushtrinë turke, ai
do të bëhej zot i pikës më të fortë ushtarake që kishte Turqia.


Me anë të një korrespondence në mirëbesim, që pata me të, mora garanci
se, po të siguroheshin mjetet e transportit, Mareshali do të ishte gati
ta vinte në jetë këtë plan.


Hapi tjetër ishte të siguronim mjetet materiale për suksesin e punës që
po ndërmerrnim, si dhe të garantonim qysh më përpara mbështetjen e
Fuqive të interesuara për mbarëvajtjen e Turqisë, sidomos të Britanisë
së Madhe.


Ndërkohë, nga miqtë e mi në Stamboll mora vesh se po organizohej një
atentat tjetër kundër meje dhe se për këtë kishte ardhur në Belgjikë
një person bashkë me nënkonsullin turk të Korfuzit, i cili më njihte
dhe do të më kallëzonte te vrasësi.


Njoftova z. Delatour, shefin e policisë, i cili u tregua mjaft i
sjellshëm e i kujdesshëm, kështu që unë ruhesha nga njerëz të policisë
sa herë dilja nga shtëpia, sepse lidhesha në çdo kohë me një oficer
policie.


Pak kohë pasi mora atë të dhënë të pakëndshme nga Turqia, vura re se po
më bezdiste një burrë me pamje të huaji, i cili disa ditë radhë nuk
bënte tjetër veçse ecejake nëpër Avenue Louise ndërmjet shtëpisë sime
dhe sheshit Stéphanie. Një ditë, kur nuk po e duroja më, dola nga
shtëpia dhe mora drejt tij, me një oficer policie nga prapa, të cilin e
kisha pas njoftuar për dyshimet e mia.


Zotnia, kur pa se po i afrohesha, dredhoi rrugë e u bë erë dhe nuk e pashë më kurrë në atë vend.
Rrugës së kthimit nga Greqia në rastin e fundit, kalova disa ditë prapë
në Napoli dhe pastaj vijova për në Zvicër, ku në Leysin djali im
Xhevdet, i cili vuante nga tuberkulozi, po kalonte dimrin.


U ktheva në Paris, ku mora një apartament në Rue Mont-Thabor, dhe
pikërisht kur ndodhesha këtu, Muhixhedin Beu, i ngarkuari me punë i
Turqisë, më zgjoi në orën një të natës më 22 korrik për të më kënduar
një telegram të ardhur nga Sulltani, me këtë përmbajtje:


"Po të më premtonte koha (thoshte telegrami) do ta kisha dërguar
njeriun tim tepër të besueshëm, Iliaz Beun, tek Ismail Qemal Beu për
t'u këshilluar me të, se ç'ishte më e mira që mund të bëhej në këtë
çast kritik. Shko menjëherë tek ai dhe lutju të të japë një mendim me
shkrim, të cilin pastaj ma përcill me anë të telegrafit".


Kjo vinte si pasojë e masakrave që kishin ndodhur dhe e vendimit të
Evropës për organizimin e Maqedonisë, çka shqiptarëve u dukej se vinte
në rrezik unitetin e tyre kombëtar.


Dhjetë mijë shqiptarë të armatosur ishin mbledhur në Ferizoviq më 15
korrik 1908 dhe i kishin dërguar atë telegram të famshëm Sulltanit, i
cili i kishte bërë përshtypje më të madhe se protestat e të gjithë
turqve ose se të të gjithë përfaqësuesve të Evropës.


I dorëzova përfaqësuesit të Sulltanit përgjigjen time, me çka e
këshilloja Madhërinë e Tij të mos vonohej asnjë minutë, por të shpallte
Kushtetutën, sepse kjo ishte e vetmja masë e dobishme dhe e vetmja
garanci, që popujt e Perandorisë të ishin bashkë rreth fronit të tij.


Dhe, duke e ditur tashmë mendësinë dhe moralshmërinë e Turqve të Rinj,
si dhe motivet e tyre për vijën politike që po ndiqnin, gjithashtu i
rekomandova Madhërisë së Tij të merrte të gjitha masat e nevojshme për
të parandaluar ndonjë veprim agresiv nga ana e aventurierëve në
pushtet, dhe të tërhiqte vetë, pa ndërhyrjen e këtyre aventurierëve,
besimin dhe ndihmën e shqiptarëve.


Dy ditë më pas Kushtetuta u shpall, dhe, në pajtim me një urdhër të ri
të Sulltanit, një raport ku parashtrohej plani im, të cilin e kisha pas
paraqitur te të ngarkuarit me punë, iu dërgua Sovranit nëpërmjet po
atyre kanaleve.


Munir Pasha, ambasadori në Paris, ndodhej në Kustenxhe me mision nga
qeveria, kur mori vesh për revolucionin në Stamboll. Ai u kthye në
Paris menjëherë dhe më njoftoi një kërkesë të Qamil Pashës, që unë të
kthehesha në Stamboll. U përgjigja se nuk do të kthehesha pa m'u hequr
dënimi dhe pa m'u kthyer të gjitha të drejtat civile.


Si shkova në Londër menjëherë më pas, mora një njoftim zyrtar nga
Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet ambasadorit, se dënimi kundër
meje ishte hequr dhe më ishin kthyer e rivendosur të gjitha të drejtat.
Rreth kësaj kohe gazeta Standard botoi një telegram nga Italia, që
thoshte se rreth dy-tre mijë shqiptarë kishin ardhur në Bari për të më
pritur mua e për të më shoqëruar deri në Vlorë.


Të nesërmen mora një telegram, të nënshkruar nga një numër
personalitetesh shqiptare, me të cilin, në emër të të gjithë
bashkatdhetarëve të mi, ata më ftonin të shkoja në Vlorë menjëherë dhe
të pranoja detyrën si përfaqësues i tyre në parlamentin që do të
mblidhej.


Ndër të ikurit nga Stambolli tani që Turqit e Rinj kishin hipur në fuqi
ishte Izet Pasha, i cili kishte pas blerë një anije dhe ishte arratisur
me të, nën flamurin anglez. Një ditë, kur po haja drekë në hotelin
Cecil bashkë me një mikeshë franceze, Madame Muraur, për habinë time të
madhe hyri Izet Pasha dhe zuri një tryezë ngjitur me timen.


Atëherë më njohu dhe të nesërmen u largua nga ai hotel; mirëpo, kur u
interesova për të te drejtuesit e hotelit, më thanë se ishte
regjistruar me pseudonim italian.


U mor vesh jashtë njëfarësoj se Izeti ndodhej në Londër dhe se unë e
kisha njohur, kështu që të nesërmen, kur qëllova në Hastings, hoteli u
rrethua nga gazetarë që më kërkonin mua. Si u ktheva në mbrëmje, më
kërkuan të lidhesha me telefon me gazetën Daily Mail; ashtu bëra, dhe
pikërisht me këtë rast u njoha për herë të parë me z. Ëilliam Maxëell,
korrespondentin e asaj gazete.


Z. Maxëell kishte arritur ta gjente Izet Pashën në një hotel aty afër
dhe më tha se Izeti donte të më takonte patjetër. U takuam dhe, në të
vërtetë, gazetari dhe unë u sajdisëm me një drekë pas nja dy ditësh nga
ky ish-favorit i Sulltanit.


U nisa për në Shqipëri, në pajtim me dëshirën e bashkatdhetarëve të mi,
kurse në Athinë, ku qëndrova disa ditë en route, me mua erdhi kapedani
i mirditorëve, Preng Dodë Pasha, dhe së bashku shkuam deri në Vlorë,
nga ku ai u kthye në vendlindje, të cilën nuk e kishte parë me sy prej
vitesh, sepse kishte qenë i detyruar në fillim të jetonte në Kastamunia
dhe më pas të transferohej në Stamboll, me punë në Pallat, me gradën
gjeneral i brigadës së rojave shqiptare të Sulltanit.


Në Korfuz më pritën e gjithë paria e vendlindjes dhe së bashku shkuam
në Vlorë. Pas pak ditësh erdhën të tre djemtë e mi, që patën mbetur në
Paris, si dhe djali më i madh, i cili kishte kaluar shtatë vjet syrgjyn
në Bitlis, dhe kështu u bëmë të gjithë bashkë. Sa kohë qëndrova në
Vlorë, ndodhën dy ngjarje politike me rëndësi, që e alarmuan mjaft
publikun e Lindjes, sidomos në Shqipëri.


Austria shpalli aneksimin e plotë të Bosnjës dhe Hercegovinës, kurse
Bullgaria deklaroi pavarësinë e saj. Vrisja mendjen cili do të ishte
qëndrimi i oficerëve të ushtrisë turke, që përfaqësonin Komitetin për
Bashkim e Përparim, përballë këtyre ngjarjeve.


Vendi, i tronditur thellë, manifestonte zemërim të hapur kundër
Austrisë, çka e dëshmoi me bojkotimin e plotë të tregtisë me atë vend.
Mirëpo përfaqësuesit e Komitetit nuk bënë gjë tjetër, veçse njoftuan se
nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme në këto ngjarje, të cilat qenë
thjesht përmbushje e aspiratave të atyre popujve!


Esad Pasha, i cili ndodhej rrugës për Selanik për t'i shprehur bindjen
dhe respektin e vet Komitetit Qendror të mbledhur atje, erdhi e më
takoi, dhe unë i kërkova t'i përcillte pikëpamjet e mia personale për
këto çështje Komitetit dhe t'u thoshte atyre, që po mburreshin me këtë
ndryshim regjimi, se pasojat për të ardhmen e Perandorisë do të ishin
shumë të rënda nëse pranoheshin këto ndryshime politike.


Pak ditë më pas Esad Pasha më shkroi një letër, ku më thoshte se
Komiteti nuk kishte kurrfarë vullneti për të dalë kundër këtyre akteve.
Pak më vonë mësova nga një burim i besueshëm cila ishte ideja nga
udhëhiqej Komiteti dhe si ia kishin dalë të sillnin këtë ndryshim
politik.


Synimi i tyre ishte të arrinin tre përfitime: të fitonin popullaritet
për vete anembanë vendit; të diskreditonin shtetarët e mëparshëm, të
cilët donin t'i hiqnin qafe me çdo çmim; dhe ta përdornin këtë likuidim
politik si mjet për ta shpëtuar vendin nga ndikimi i huaj, në mënyrë që
të ishin në gjendje të zbatonin politikën e tyre të bashkimit të racave
me vrull sa më të madh.


Këto ngjarje u pasuan nga fushata zgjedhore, në të cilën pati një garë
të gjallë ndërmjet dy kushërinjve, Omer Pashë Vrionit dhe Azis Pashë
Vrionit, për kandidaturën e deputetit të dytë të Beratit, ndërkohë që
unë isha zgjedhur njëzëri i pari.


Pak ditë para mbylljes së votimit, Sulejman Bej Sakrami erdhi e më
takoi dhe më tha në vesh, se kishte ardhur në Vlorë bashkë me një
oficer, i cili ishte dërguar nga Komiteti Qendror i Selanikut për të
marrë të gjitha masat, që unë të mos zgjidhesha. M'u duk e pabesueshme
dhe e kujtova për ndonjë manovër të vetë personit që erdhi tek unë, në
mënyrë që si kandidat të pranohej i vëllai, Hajredin Beu, sepse ma
kishte kërkuar ta merrja si koleg.


Mirëpo, kur më tregoi një kopje të porosive të dhëna, nuk më mbeti
kurrfarë dyshimi, kurse, para se ai të ndahej me mua, oficeri në fjalë
erdhi për të më takuar dhe e ripohoi atë fakt, duke më kërkuar falje.


Jo vetëm kjo, por edhe një mjeku ushtarak, i cili gjithashtu
përfaqësonte Komitetin dhe kishte marrë po ato porosi, i kishin pas
thënë se, nëse zgjedhja ime nuk mund të pengohej, duhet të zbulonte nga
unë cili qe programi im politik.


Kur erdhi e foli për këtë me mua, iu përgjigja se pikëpamjet e mia
politike ishin fare mirë të qarta nga ç'kisha bërë gjatë gjithë jetës,
dhe se do të ishte më e udhës, që unë të pyesja cilat ishin pikëpamjet
politike të atyre, që po më pyetnin mua.


U nisa nga Vlora për në Stamboll, por duke i rënë rrotull nga Roma,
Venecia, Budapesti, Bukureshti dhe Konstanca. Rrugës nga Italia në
Hungari, rast i këndshëm qe takimi im me zonjën tërheqëse Frankfurten,
e shoqja e drejtorit amerikan të shoqërisë Austrian Lloyd Co., e cila
më mori në shtëpinë e saj në Budapest për drekë, dhe me të cilën kalova
një ditë duke parë pika të ndryshme të qytetit, kënaqësi jo më pak
reale nga një arsye tjetër në mendjen e saj - të zgjonte interesin tim
ndaj shoqërisë Austrian Lloyd, e cila po dëmtohej shumë nga bojkoti i
Turqisë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kujtimet" mbetën cung, si shteti që shpalli Ismail Qemali Empty Atentatet që më bënin njerëzit e Sulltanit në Europë

Mesazh nga Agim Gashi Sat Jan 02, 2010 9:17 pm

Atentatet që më bënin njerëzit e Sulltanit në Europë

Rrëfimi i themeluesit të shtetit shqiptar për kontradiktat me Sulltanin dhe tentativat për ta zhdukur







Napolin e njihja mjaft mirë, por, meqë dëshiroja t'u tregoja djemve
bukuritë e këtij qyteti e të rrethinave, si dhe Pompeun e lashtë,
qëndruam aty disa ditë dhe shkuam e soditëm rrënojat e këtij qyteti
romak disa herë. Herën e fundit patëm rastin të ndiqnim spektaklin
madhështor të Flotës Britanike të bregëzuar para Castellamare-s. Nga
Napoli vajtëm në Romë, ku pata kënaqësinë të takohesha me Sir Philip
Currie-në (tani Lord), i cili kishte qenë transferuar atje nga
Stambolli. Ambasadori dhe Lady Currie më pritën si zakonisht me
ngrohtësi dhe falë tyre u njoha me disa personalitete interesante, ndër
të cilët me z. Ëickham Steed, korrespondent i gazetës Times, me të
cilin kemi mbetur miq qysh atëherë. Z. Steed më paraqiti te z. Sidnej
Sonnino, shtetari i shquar italian, i cili shfaqi mjaft interes për
problemet e Lindjes, e sidomos për çështjen shqiptare. Në krye të
Consulta-s në këtë kohë ishte diplomati i vjetër i dëgjuar
Visconti-Venosta, i cili qe shumë i interesuar për mua personalisht e
për kauzën time.


Sulltani, i cili ishte me mendje të ngritur nga udhëtimi im nëpër
Evropë dhe po mundohej të më krijonte pengesa, i dërgoi udhëzime
ambasadorit të tij në Romë të bënte çmos që unë të largohesha. Fjalët e
Visconti-Venosta-s në përgjigje të përpjekjeve të ambasadorit për këtë
punë ishin krejt në të mirën time. Duke qenë se Princi i Napolit -
mbreti i tanishëm - u ndodh në Stamboll rrugës së kthimit nga vizitat
në Lindje, Sulltani përfitoi nga rasti dhe i foli këtij trashëgimtari
të fronit për mua, dhe, për t'i dhënë peshë më të madhe insinuatave të
tij, plotësoi të gjitha kërkesat që i ishin bërë nga qeveria italiane,
ndër të tjera edhe për një ngastër toke për ambasadën në Pera.


Në Romë u njoha me shumë politikanë, por kënaqësinë më të madhe e pata
nga biseda me veteranin Crispi, i cili më foli me krenari të madhe për
prejardhjen e tij shqiptare. Qëllova me fat, që po qëndroja në Hotel de
l'Europe, ku ai shtetar i shquar banonte me gjithë familje. Crispi
ishte i mplakur e tepër i lodhur nga pafuqia dhe iu desh të mundohej
shumë për t'u ngritur e për të më pritur e për të më thënë gjithë ato
gjëra të bukura e interesante për vendin tim e për fatin e tij, për çka
ai ishte i bindur se së shpejti do t'i ndriste ylli. Ai foli shqip dhe
më tha se në moshë të re e kishte pas folur shumë më mirë. Veprat e tij
për gjuhën shqipe, më duhet të shtoj, janë me shumë vlerë.


Pas tri javësh qëndrimi në kryeqytetin e Italisë u nisëm për në Zvicër.
Kisha bërë ndër mend fëmijët t'i vendosja në Lozanë për shkollë,
prandaj, pasi vizituam vise të ndryshme të Zvicrës, shkuam në atë
qytet. Mirëpo letrat që pata marrë prej miqve nga Stambolli më kishin
turbulluar disi. Ata më shkruanin se, pas largimit tim nga Athina,
Sulltani kishte dërguar agjentë në mbarë Shqipërinë për të zhvilluar
propagandë kundër meje dhe për të marrë mosmiratimin e veprimeve të mia
nga bashkatdhetarët. Në shumicën e qendrave kryesore shqiptare njerëzit
nuk u pajtuan me dëshirën e të dërguarve të Monarkut. Kurse Esad Pasha,
kreu i xhandarmërisë, shkoi në qytetin tim të lindjes dhe u tha
bashkatdhetarëve të mi, se do ta kishin punën pisk nëse nuk merrte
deklaratë me shkrim prej tyre. Nga këto letra mësova edhe diçka më të
rëndë: ishin dërguar njerëz nëpër Evropë për të më bërë atentat. Miqtë
e mi, madje, ma përshkruanin pamjen dhe prejardhjen e këtyre njerëzve
të ligj.


Një ditë, kur po ktheheshim nga një vizitë në Gjenevë, dy veta me pamje
dhe lëvizje të dyshimta m'u ngjitën pas, duke më shtyrë, dhe hipën në
po atë vagon të teleferikut si dhe unë me djemtë e mi. Meqë posë meje
dhe djemve të mi, të gjithë të tjerët në vagon qenë gra, mendova se nuk
qe e udhës ta vazhdoja rrugën i shoqëruar prej atyre të dyve, prandaj
në ndalesën e parë zbritëm; të dy ndjekësit zbritën edhe ata menjëherë.
Kur u kthyem në hotel, njoftova policinë për këtë episod, çka duket se
i vërtetonte paralajmërimet dhe këshillat që pata marrë në Stamboll. Të
nesërmen morëm rrugën për në Paris e në Londër, duke hequr dorë nga
mendimi për t'i lënë djemtë në Lozanë. Policia zvicerane u interesua
shumë për sigurinë time, prandaj u shoqërova nga një oficer dhe disa
policë derisa treni u nis për në Francë. Mbërritëm në kryeqytetin e
Francës po atë mbrëmje, që ishte vigjilja e 14 korrikut, dhe djemve të
mi u mbetën sytë te turmat e njerëzve, që këndonin e vallëzonin nëpër
rrugë. Kaluam disa javë në Paris dhe aty mendova t'i ngulja djemtë në
Paris e pastaj të vijoja për në Londër.


Mirëpo një nga dëshirat e mia ishte të kisha një organ shtypi, ku të
mbroja kauzën e Shqipërisë, dhe me këtë në mendje i shkrova
bashkatdhetarit tim Faik Bej Konica, i cili prej vitesh po botonte një
gazetë me emrin "Albania" në Bruksel, për t'u takuar e biseduar me të,
si dhe për të parë nëse qe e mundur që gazetën e tij ta merrja unë. Ai
më rekomandoi rrugën për në Londër ta bëja duke kaluar nga Brukseli dhe
Ostenda, në mënyrë që të piqesha me të. Ashtu veprova dhe Brukseli më
mahniti aq shumë me bukuritë e tij, e sidomos me lagjen e bulevardit
Louise, saqë menjëherë vendosa të zgjidhja kryeqytetin belg si
vendbanimin tim të ardhshëm. Zura një shtëpi në bulevardin Louise dhe,
pasi u çova fjalë fëmijëve në Paris, shkova në Londër.
Në Londër mësova se Lordi Salisbury ndodhej jashtë vendit, kështu që u
prita nga sekretari personal i tij, i cili kishte pas marrë porosi të
qëndronte i gatshëm për mua. Në të njëjtën kohë ky zotni ma hodhi
fjalën se marrëdhëniet ndërmjet qeverisë britanike dhe Sulltanit kohët
e fundit ishin përmirësuar mjaft - fakt që, e garantova sekretarin,
vetëm mund të më gëzonte.


Gjatë qëndrimit në Londër, djali im i dytë, Tahiri, i cili ishte oficer
marine dhe adjutant i Sulltanit, erdhi tek unë me një mision
konfidencial nga Monarku, për të më mbushur mendjen të kthehesha në
Stamboll. Sulltani i kishte thënë të bënte çmos për të më kandisur, por
në rast se unë vazhdoja të mos pranoja, dhe në rast se edhe atij
(Tahirit) i shkonte mendja për të mos u kthyer, atëherë ai do t'ia
linte këtë punë "qumështit të tij" (shprehje në turqisht, me kuptimin
si t'i thoshte mendja atij vetë). Në të vërtetë, kur i dhashë djalit po
atë përgjigje, që u pata dhënë të dërguarve të tjerë të Abdyl Hamidit,
dhe i dorëzova një letër për Sovranin, Tahiri shprehu dëshirën të mos
kthehej. Mirëpo, për këtë, ngula këmbë e i thashë se nderi ia kërkonte
të kthehej sapo misionin konfidencial e kishte kryer, dhe se, po të mos
kthehej ai, atëherë do të detyrohesha të kthehesha unë në vend të tij.


U ktheva prapë në Bruksel, ku banova për njëfarë kohe, dhe, pasi
përfundova marrëveshjen me pronarin e Albanisë, fillova drejtimin e
kësaj gazete, e në të njëjtën kohë përgatita një punim të shkurtër për
Luftën e Transvaalit, objekti i të cilit ishte të shpjegoja arsyet e
largimit tim nga Stambolli dhe të parashtroja ndjenjat e botës
myslimane ndaj veprës qytetëruese të Britanisë së Madhe. Ky pamflet, i
shkruar në turqisht, u përkthye e u botua në anglisht,* frëngjisht dhe
arabisht (në turqisht dhe arabisht u shtyp në Kajro). Marrëdhëniet me
Faik Beun nuk zgjatën shumë. Ai u largua nga Brukseli pas pak kohe dhe
mua m'u desh të hapja një tjetër gazetë, së cilës i vura emrin Le Salut
de l'Albanie, e që shtypej në shqip, turqisht e greqisht. Qe një punë
mjaft e ndërlikuar. Në turqisht shtypej në Folkestone, ku ishte ngritur
një shtypshkronjë e posaçme për atë gjuhë; pjesa në shqip shtypej në
Bruksel, kurse ajo në greqisht dërgohej në Athinë për t'u radhitur. Pak
pas kthimit në Bruksel nga Londra, ambasadori i Turqisë në Paris
porositi konsullin turk në Bruksel të më thoshte se ai donte të vinte
të më takonte për të më dhënë disa mesazhe nga Sulltani dhe të më
kërkonte të lija një takim. Kur erdhi në Bruksel, Munir Pasha më tha se
kishte marrë udhëzime nga Sulltani për të më ofruar një post të ri.

Meqë
Madhëria e Tij tani qe i bindur se nuk do të pranoja më ndonjë detyrë
brenda Perandorisë, për të mos mbetur refugjat, më ofronte një post si
ambasador plotësues për të gjitha vendet, me detyrë të studioja
institucionet e ndryshme të Evropës e të hartoja relacione për to, në
mënyrë që të mund të shërbenin si bazë për reforma në Turqi. Unë,
natyrisht, e hodha poshtë këtë propozim të çuditshëm, duke iu
përgjigjur se Madhëria e Tij e dinte fare mirë përse nuk kisha pranuar
të bëja më tej punë shtetërore në shërbim të Perandorisë dhe po për ato
arsye unë nuk mund të pranoja detyrën e propozuar e të vazhdoja të
jetoja me paratë e Turqisë si shpërblim për punë thjesht imagjinare;
dhe shtova se, në të njëjtën kohë, Madhëria e Tij mund të vazhdonte të
mbështetej në besnikërinë dhe vullnetin tim të mirë për mirëqenien e
Perandorisë.


Meqë në këtë kohë ndodhi vdekja e Mbretëreshës Viktoria, shkova në
Londër për të marrë pjesë në varrim. Ndër mbretërit që erdhën në Londër
me këtë rast ishte Mbreti i Greqisë, i cili qe mysafir i kunatit dhe
motrës së tij, Mbretit dhe Mbretëreshës. Mbreti Gjergj, i cili, qysh
kur pata pasur nderin ta njoh, kishte vazhduar të ushqente ndjenja
tepër të veçanta simpatie ndaj meje, edhe tani u kujtua për premtimet
që më kishte pas bërë, më ftoi në Marlborough House, ku po qëndronte,
më priti me ngrohtësinë e përzemërsinë e veçantë karakteristike të tij
dhe më tregoi për rekomandimet që u kishte bërë të afërmve të tij të
Oborrit lidhur me Shqipërinë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi