Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha

Shko poshtë

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha Empty Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 13, 2010 1:26 am

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha

Valdete Berisha



Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha U1_ValdeteBerisha

Valdete Berisha
Valdete Berisha lindi më 2 nëntor të vitit 1968 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe shkollën e mesme i mbaroi në vendlindje, pra në Mitrovicë. Por, si dhe shumë kosovarë të tjerë në moshën e re u detyrua të shkojë në mërgim.
Që nga rinia e hershme merret me shkrimin e poezive. Përveç poezisë, Valdetja merret edhe me pikturë dhe ka arritur suksese të lakmueshme. Ajo deri tash ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive dhe individuale, në qytete te ndryshme, si në: La Loviere, Manage, Anderlues, etj. Ajo pret që ta hapë një ekspozitë të saj edhe në Kosovë, e sidomos në vendlindje, në Mitrovicë. Autorja jeton dhe vepron në Belgjikë, por është shumë e lidhur emocionalisht me Kosovën të cilën e viziton shpesh.
Ka botuar veprën me poezi “Mos e zgjo dhimbjen”.
IMAZHI DHE FIGURACIONI POETIK
Nga Halil Haxhosaj

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha U1_HalilHaxhosaj1
Halil Haxhosaj
Poezitë e përfshira në “Mos e zgjo dhimbjen” të autores Valdete Berisha, kanë mëvetësi, por edhe tërësi në tematikën, subjektin dhe motivin e tyre. Kjo hetohet duke lexuar dhe shijuar vargjet poetike, të cilat shprehin një figuracion që gërshetohet me mozaikun e ngjyrave, nuancat e tyre, e sidomos me imazhin tematik. Strumbullari poetik qëndron ngjeshur me imazhin e paraqitjes së subjektit lirik, i cili mëton të qarkullojë duke ngarendur nga e djeshmja, nëpër të sotmen, kah e nesërmja. Ky qarkullim bart mbi vete përjetimet, ndjenjat dhe shtresimet intime të dashurisë së subjektit poetik, që i shpreh autorja. Mirëpo, dashuria e tillë, çfarë hetohet në këto vargje të Valdete Berishës nuk duket platonike, madje as idilike dhe as shumë romantike. Ky element e bën atë një “shpërfaqje”, që shfaqet pareshtur, që kur lindi kjo dashuri. Rrjedha dhe rikujtimi i saj shtresohen në vargjet poetike të këtyre poezive, duke shfaqur imazhin artistik, i cili është simbiozë në mes reales dhe poetikes. Gërshetimi i mirë i koloritit të ngjyrave dhe përshtatja e tyre për të shprehur figurativisht objektin artistik, i japin mundësi autores të shprehet pa ngurrime dhe ngurtësime, sepse koha e hapësira ia mundësojnë këtë. Shtresimi i dashurisë bëhet në formë rikujtimi që depërton nga subjekti lirik tek lexuesi, sepse është përjetim në të tri vetat. Dashuria rikujtohet nëpër qiellin e përhimët si ëndërr, ndërsa malli i madh për të, sjell shi në zemër. Kështu, jeta nuk është vetëm këngë, madje as dashuria, sepse kur takohen në qiellin guri humb çdo gjë, sfilitet, krimbësohet e venitur. Ajo shpesh paraqitet si ngushëllim ngase shndërrohet në pikëpyetje të natës. Atëherë subjekti lirik në vend të vuajtjes e ngushëllon vetveten me ëndërrimin, që bëhet ilaç në hapësirën e madhe. Shndërrimi i dashurisë në diçka të mbetur peng nuk e lë të qetë të dashuruarin. Ky peng sa vjen e trashet, por kurrë nuk shuhet, madje është e vështirë edhe të harrohet. Kur ajo grishet për t’i shijuar ëmbëlsitë e saj, apo për t’i cakërruar gotat në çaste vetmie, paraqitet një imazh tronditës. Ajo, tashmë veç ka mbetur “pas shpinës së botës”. Në këto çaste tronditëse vetmia është i vetmi ngushëllim. Vetëm me të mund të cakërrohen gotat. Vetëm ajo bëhet mike.
Në këtë libër me poezi ka edhe elemente dhe aspekte të tjera të jetës dhe të ngjyrave të saj. Autorja i selekton me kujdes ato dhe i projekton si virtyte, por edhe si vese, për t’i shfaqur artistikisht në vargje. Ajo e arrin suksesin më të madh duke zbritur në embrionin e tyre.
Sidoqoftë, opusi i figuracionit i veprës së parë poetike “Mos e zgjo dhimbjen” të Valdete Berishës, shpreh disa qasje paksa të veçanta në temën që trajton, pra, për dashurinë që ka mbetur peng i imazhit të një jete dhe një kohe.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha Empty Poezi nga Valdete Berisha

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jan 13, 2010 1:36 am

Ju prezentojmë poeten Valdete Berisha U1_ValdeteBerisha

Valdete Berisha-Vali


Poezi nga Valdete Berisha

SHI NË ZEMRËN TIME

Jashtë bie shi
Si në zemrën time

Ato pika që bien në tokë
Lot vuajtjesh
E lot qetësie janë

Rikujtoj shikimin tënd
Zemrën tënde
Duart tua
Zërin tënd
Që aq shumë i dua

Jashtë bie shi
Si në zemrën time
Që thotë pa u hamendur
Oh sa të dua

Frikohem nga amshimi
Frikohem nga fjalët e mia
Nga të gjitha frikohem

Ti nuk je me mua
Por dashuria që kam për ty
Më mban në jetë
Derisa të shkoj larg nga këtu

Ndoshta sot, nesër, më vonë
Do të vij të të shoh TY
Dhe shiun që nuk ndalet



EH

Sikur ta kisha ditur sa të dua
Do të kisha dashur edhe më shumë
E ti më fale harresën
Ajo që është më e rënda
Si vdekja
Kurse unë prapë të pres
Të më duash
Të të rikujtohem
Për këtë jetoj
Dhe për ty



NË KËTË VEND

Kopshtet kanë lule pa erë
Dëshirat janë vuajtje
Parajsa të ndërtuara me shpirtra
Zjarret flenë
Yjet janë prej gjaku
Çmenduria të mbanë për dore
Djalli ka buzëqeshjen
Frika të thurë harresën
Ëndrrat gri shpresat zi korb
Shpirtra të palosur në valixhe
Margaritar të mërzitur
Në gjokse të vuajtur.
Hijet e vesës humbin kujtimet
Dëshpërimet trillojnë përralla
Lotët e derdhur thahen
Pa i parë kush
Mëngjesi prapë agon
Në këtë vend tmerri





NË QETËSINË E SHPIRTIT


Dua ta shuaj zjarrin
Që djegë dëshirat

Në qetësinë e shpirtit
Ndiej zërin tënd

Një e kaluar që rikthehet
Rijeton në mua
Ma ledhaton jetën
E qëndisur me vuajtje
Që më lidhi me ty

E ti ma fale
Harresën ...



NË SHPIRTIN TËND

Bleve kënaqësitë
Në duart e grave

Huazove buzëqeshjet
Gjërave që kanë shpirt

Dëgjove këngë dashurie
Te varrezat.

Edhe nëse jeton
Në gjeth të tharë
Në shpirtin tënd
Dua të vdes


MË THUAJ

Më thuaj diçka pa lidhje
Bëj çka të duash
Vetëm eja sonte

Nëse vdekja
Ka shikimin tënd
Le të vdes sonte
Pa menduar

Dhe para se të vdes
Të lutem më puth
Dashuria le të vdesë natën

Vishu me trupin tim
I shto pak ngjyrë të kuqe
Sepse dua t’ju përqafoj
Ty dhe vdekjen


Dëgjoj klithma grash
Një gjitar kënaqet
Duke dhënë shpirt

Bubullimat e dashurisë
Mbi gjokset e lakuriqësuar
Shëtitin një të panjohur

Unë pres e merakosur
Buzëqesh duke qarë

Një zë i keq më vjen
Duke pëshpëritë
Kurrë më...!
Kurrë më...!



JETA NUK ЁSHTЁ KЁNGЁ

Në këtë orë të natës
Pa lëmoshë pa identitet
Në faculetë letre lash buzët

Tufë flokësh të pathinjura
Një shami të mëndafshtë
Lapsin plot shpresë e lash

Zërin tënd të humbur
Që vetëm unë e ndjej
Si këngë mallëngjyese

Jeta nuk është këngë



TЁ DUA KËSHTU

Qepa fustan prej qielli
Kisha flokët si flamur
Valonin në puhi këngësh

U takova ballë për ballë me qiell guri
Krimbi i krimbave më pëshpëriti
Të dua kështu lakuriq

Atëherë humba çdo gjë
Më mbeti vetëm lëkura



TЁ GJITHA KЁTO I DO

Qindra betime tërë jetën
Për një orë për çdo natë
Në gjithë pranverën do

Në mes shtratit një trëndafil
Që lexon dëshirat e tua do
Zjarrin që ndez qoshet e syrit
Kënaqësitë që përjetohen si dashnorë çift

Të gjitha këto i do para se të mplakesh
Para se të të shpijnë prapa asaj dere
Ku diejt mbyllen
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi