Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ali Podrimja:Mediokri - vrasës i mundshëm

Shko poshtë

Ali Podrimja:Mediokri - vrasës i mundshëm Empty Ali Podrimja:Mediokri - vrasës i mundshëm

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jan 15, 2010 4:37 am


Ali Podrimja:Mediokri - vrasës i mundshëm 840271892_8861b1c9de

Nga:Ali PODRIMJA


Mediokri - vrasës i mundshëm

1. Krijimi mbështetje ka imagjinatën dhe të menduarit. Ndodh të jetë variant i ideve, i motiveve, i mesazheve. Përkushtimi i njëmendtë ngrit krijues në individualitete, që shtrojnë probleme universale. Nuk mund të thuash se i pari je, që merresh me këtë apo atë çështje. Përpjekjet për origjinalitet janë sizifiane. Bota është harxhuar shumë dhe aq shumë është eksploatuar gjuha sa krijuesi dridhet kur tenton të hedhë diçka në fletën e bardhë.

Rreth motivit të labirintit ishte diskutuar gjatë kush kë ka imituar: Kafka apo Borhesi. Por, ndikimi rreth labirintit te këta dy kolosë ishte një i tretë, sofisti i lashtësisë greke, Zenon. Gilles Lapouge, në një tekst të tij, rreth këtij problemi te poetët e nderuar, e shihte te bigëzimi dhe degëzimi i ideve. Borhesi mbështet se: shkrimtari krijon pasardhësin e vet. Do të thotë se ne jetojmë dhe e lexojmë jetën në variante.

2. Mes Lasgushit dhe Emineskut kisha dëgjuar për përkimet. Kanë ndonjë afri idesh, motivesh, simbolesh, formash; kanë ca nocione karakteristike nga leksiku, por nuk mund të pranohet rrënimi i një gjeniu shqiptar shkaku i ambicieve të liliputianëve, që artin e jetën e shohin nga një dritare e vockël. Një imitues të Emineskut e shpallën për gjeni, fajtorët për këtë nuk mungonin. Ishin ata të Tejdrinit (!), ku studiuesit nga Dardania ndryshe e shikonin veprën e Lasgushit. Kërkonin më të çmuarën në një artikulim të rrallë, atë që peshonte dhe ia rriste famën fjalës shqipe. Dialogu pritej të mbyllej me ndonjë sharje e ngërdheshje. E ka kështu kur jeta pa mund jetohet.

Buzë një plazhi të Ilirisë më ishin shpalosur vitet e ‘60-ta. Në poezinë e këtij krahu hetoheshin përkimet me poezinë spanjolle, sidomos me Lorkën e Maçadën. Kjo kishte ndodhur përmes një të tretit. Po qe se ndonjë poet përdorte figurën kalë, rojtarët kujdestarë ia bënin me gisht, yrnek ka Lorkën. Harronin se baladat e epika jonë gumëzhinin nga ta; ose prekja e motivit mbi figurën e nënës, bërtisnin: ja Jesenini. Pra, nuk e kuptonin elementaren, esencën e gjërave. Mendohet se përkimet luajnë dhe rol të veçantë në afrimin e popujve dhe kulturave. Ca motive nga lashtësia sot e gjithë ditën trajtohen në mënyrë të vet si te shqiptarët, ashtu dhe te grekët e sllavët, edhe pse motivin e murimit ne e mbështesim për tonin.

Pëshpëritjet rreth përkimeve mes Lasgushit e Emineskut bëhen edhe për qëllime të tjera. Një krijues i formatit të Lasgushit i pengon ata që grimcojnë nën hijen e tij, ndërsa ndikimi i tij në poezinë shqiptare sa vjen e bëhet pushtues. Shpirti i tij krijues është i një artisti, jo i ndonjë matrapazi a kalkulanti, që ngritjen e sheh në rrënimin e vlerave. Nga fjala shqipe poeti voli maksimumin dhe pasardhësve ua tregoi se fjala është ajo që bën çudira në ngrehinën e poezisë. Nëse Eminesku shkroi për gjeniun krijues, liqenin apo për ndonjë motiv nga lashtësia hindu, bën të shkruajnë dhe të tjerët? Mund të quhen imitues? Letërsia mbështet avancimin e ideve, mesazheve, elaborimin e vazhdueshëm të motiveve e formave dhe mbetet ajo që është më e arritshme.

Megjithatë, te të dy poetët ekzistojnë nuanca të theksuara që dallojnë. Eminesku ka përkushtim rumun, por universal me art, disi kështu thotë Tudor Argjezi. Lasgushi është diçka tjetër, latues i vargut dhe më ëndërrimtar; ka një perceptim të veçantë për problemet jetësore e artin, ai mbetet një kërkues i së bukurës dhe një bashkëkohës. Këta dy poetë edhe pse përkojnë në ca poezi, mbesin individualitete e të paarritshëm. Ekzistojnë supozime rreth origjinës së Emineskut. Quhej Mihal Eminoviç. Sufiksi viç nuk është karakteristik për rumunët e më së paku parashtesa emin. Në një shkrim të vetin Mitrush Kuteli thoshte se ky më së paku është rumun edhe pse kritika vendore kishte zënë ta quante: Eminesku është Rumania. Një nder i tillë nuk mbaj mend se i është bërë dikujt. Kjo është çështje rumune. Por mbiemri i tij Eminoviç lë mundësinë t`i hulumtohet origjina e tij. Kuteli e zbriste këtë në hapësirën tonë. Ka mundësi të kenë mërguar nga Dardania shumë familje dhe dikush nga ta të ketë bërë emër në mjedisin e ri. Ndërrimi i mbiemrit me gjasë ndodhi për arsye se me sufiksin sku shkëputej definitivisht nga e kaluara, origjina.

Pa marrë parasysh i anës sonë ishte apo purorumun, Eminesku nga kopeja e mediokërve përjetoi sharje të mëdha dhe gjithë kjo ndodhi shkaku i xhelozisë krijuese dhe famës së tij që gëzonte si poet jo vetëm në Rumani. Përndjekjet nuk prajtën derisa e çmendën. Në spital pas dy vjetësh u nda nga jeta dhe Rumania humbi njërin nga poetët më të mëdhenj. Çirrjet tek i dëgjoja rreth gjenialitetit të Lasgushit, buzë një plazhit të Ilirisë më kishte spërkatur një valë deti dhe gati i kisha ngjarë Martin Idenit të Xhek Londonit. Isha zhytur thellë në Ujin e Madh. Nuk doja të dëgjoja paçavure mediokrish rreth një vlere kombëtare që vazhdonin t`i shikonin gjërat nga dritarja e tyre tepër e vockël.

3. Rrënim vlerash ndodhin në çdo mjedis dhe ngaherë. Vitet e ‘60-ta në kulturën serbe lanë hije të rëndë. Poetin e estetin e njohur Branko Milkoviq, i cili kishte fituar famë me veprën e tij, kopeja e mediokërve e solli para aktit të rëndë: vetëvrasja. Ishte shpërngulur nga Beogradi dhe mendonte se në mjedisin e ri do të gjente qetësi, por ndodhi më e rënda. Herët një mëngjes, me një cigare në gojë, ia kishte mësyrë me një litar parkut të madh të Zagrebit. Pas dy orësh e kishin gjetur të varur në një degë pishe.
Ylli i tij shndrit dhe tani, por mediokërve nuk u dëgjohet fara.

Në kapërcyell të viteve të ‘80-ta kishte plasur polemikë e rëndë mes kritikut Dragan Jeremiqit dhe romansierit të shquar Danillo Kishit rreth origjinalitetit të librit me tregime "Varreza e Boris Davidoviçit" (përkthyer në Prishtinë e Tiranë nga babë e bir Kelmendi). Akuzohej Kishi për plagjiaturë siç ishte fyer edhe Milkoviq. Zaten, ky kishte inkuadruar në tregime ca fragmente nga një libër rus. Në të vërtetë, Kishi u shpaloste lexuesve shtetin totalitar, duke mbetur autentik në ngjarjet historike që kishin ndodhur në gulagun siberian. Ato ishin inserte nga një botë e vdekur ku spikatej diktatura, dhuna, ndrydhja e njeriut, liria njerëzore.

Kadaresë para se ta shkruante romanin "Dimri i vetmisë së madhe", i ishte dashur të lexonte gati një arkiv të tërë me dokumente dhe të gjitha procesverbalet e Konferencës së Moskës, ku ndodhi çarja e rëndë mes shtetit shqiptar dhe Bllokut Lindor. Pra, në një vepër me motive nga historia nuk mund të trillohen gjërat. Këtë nuk e kanë të qartë mediokrit. Titulli i këtij teksti thotë shumë. Nuk e shoh të arsyeshme ta elaboroj edhe më. Ata sillen rreth nesh dhe nuk prajnë tek kalërojnë kuaj varresh.
Aq dinë, fali Zot…
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi