Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ejup Ceraja: Në muzeun e Skënderbeut në Krujë

Shko poshtë

Ejup Ceraja: Në muzeun e Skënderbeut në Krujë Empty Ejup Ceraja: Në muzeun e Skënderbeut në Krujë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jan 17, 2010 4:35 am


Ejup Ceraja: Në muzeun e Skënderbeut në Krujë U1_MuzeuSkenderbeutEjup CERAJA
NË MUZEUN E SKËNDERBEUT NË KRUJË
(Fragment nga romani në dorëshkrim i redaktuar “Dritë dhe shpresë”)

Në ditarin e vet, në mbrëmje, Flonona shënoi:

"Mëngjesin e sotëm e prisja me padurim. Më doli gjumi rreth orës tre. Sapo ia kishte dhënë vija e hollë e agsholit në horizont. I bëra ca rrotullime herë në njërin, e herë në krahun tjetër. Mendja më fluturoi brenda në kështjelle në muzeun historik. "A thua si do ta ndiej vetën kur t'i shoh ato madhështi për herë të parë me sy të mi e jo me sy të kamerës si i kam parë sa e sa herë?… Ja edhe pak kohë na ka mbetur. Kjo do të jetë për mua një kënaqësi sublime…" - arrita t'i rrumbullakoj mendimet përpara se të më zinte gjumi i mëngjesit.
Në ora nëntë u ndodhëm përpara hyrjes kryesore. U hap me naze ajo derë e vjetër sa edhe vetë kështjella. E filluam hyrjen në grupe. Ecja nëpër kalldrëmin nëpër të cilin ka shkelur me qindra e mijëra herë vetë Gjergji ynë i madh. Ecja atij kalldrëmi përmbi të cilin kanë ecur miliona këmbë të njerëzve deri më sot. Të cilët, sigurisht, se kanë ecur me mendime, ngashërime, po edhe me paragjykime të ndryshme. Me qëllime të ndryshme. Me mbathje gjithë faresh dhe me synime të llojllojshme. U gjendem ashtu kolektivisht në oborrin e kështjellës. Së pari sytë më shkuan në drejtim të muzeut të Skënderbeut, në anën e majtë të hyrjes lart. Aq sa dukej madhështor, aq ia shtonte krenarinë e bukurinë kështjellës nga brenda. Sytë më shkuan edhe në anën e djathtë poshtë. Aty dukeshin disa ndërtesa të meremetuara, të tipit e stilit të shekullit të shtatëmbëdhjetë e ndoshta edhe më të hershme.
- Edhe ato ndërtesa - na tha arsimtar Dritëbardhi - janë pjesë e muzeut të kështjellës. Po në to ka ornamente muzeore artizanale me pamje edhe orientale. Që pasqyrojnë epoka të ndryshme të sunduesve të kështjellës pas shumë e shumë vitesh, madje edhe shekujsh, të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar - Skënderbeut. Shumë më shumë do të mësojmë nga shpjegimet e ciceronit, kur ta vizitojmë edhe atë nga brenda…
U kthyem shkallëve përpjetë në hyrje të muzeut, të simbolit të Shqipërisë së sotme për periudhën e artë të Arbrit në kohën e Skënderbeut. Duke u ngjitur shkallëve të jashtme të muzeut, më rroku një ngashërim i pa përshkruar. Sa, shpesh gjuhës i mungon fuqia për ta shprehur atë që e ndien shpirti dhe e përjeton zemra në momente të caktuara. Zemra ime i shtonte rrahjet. Dhe, më në fund arriti befasia më e këndshme dhe gëzimi më sublim. Të gjithë hymë tok në hollin e muzeut. Përpara na doli ciceroni, që do të na shoqëronte gjatë vizitës së muzeut dhe do të na i shpjegonte ngjarjet me radhë ashtu si kishin ndodhur dhe ashtu si ishin renditur në muze. Ai na dëshiroi mirëseardhje vëllazërore, duke na thënë se do të shihnim të gjitha ngjarjet më të rëndësishme gjatë periudhës së Skënderbeut…
Ciceroni na endi nëpër të gjitha betejat e Arbrit të udhëhequra nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbe, për njëzet e pesë vite rresht. Për fillim na foli për marrjen peng të djemve të Gjon Kastriotit e edhe të Gjergjit të vogël nëntë vjeçar, nga sulltani. Ai na foli në pika të shkurtra për qëndrimin e Gjergjit në oborrin mbretëror në Adrianopojë… Për luftërat dhe fitoret e tij anë e kënd gjeografisë së atëhershme të trojeve të pushtuara nga Perandoria Osmane. Na foli me pietet edhe për famën e zulmën që ai i kishte arritur atëherë si komandant e strateg ushtarak, përballë ushtarëve, që i kishte në vartësinë e tij. Për synimet e Skënderbeut sa ishte në Adrianopojë e për shumë e shumë të tjera. Ai u ndal pakëz më gjatë në Betejën afër Nishit të vitit 1443 në mes Huniadit të Hungarisë dhe ushtrisë osmane, komandant lufte i së cilës ishte vetë Skënderbeu. Skënderbeu kishte lidhur aleancë të fshehtë në mes tij me treqind kalorës shqiptarë dhe Huniadit.
Kur ciceroni e kuptoi se kujdestarja jonë është arsimtare e historisë, ai na foli edhe më me përkushtim për të gjitha ngjarjet, që e karakterizonin atë periudhë. U ndal pakëz më gjatë në kthimin e Skënderbeut në atdhe me treqind kalorësit e tij shqiptarë nga beteja afër Nishit. Dhe, derisa ai fliste me pietet për atë gjest të Skënderbeut atëherë, mua më doli parasysh kthimi i tij triumfal në atdhe. Përkulja e tij me nderim dhe puthja e dheut të atdheut mëmë, duke e marrë më pastaj një grusht dhe në dorë dhe duke e shtrënguar fort atë. "A ka gjë më madhështore, më të dashur e më njerëzore, në jetën tonë të shkurtër, se dashuria e nderimi i tillë për atdhe?!…" - thash më vete gati me zë. Ciceroni e kishte përfunduar pjesën hyrëse dhe ishin nisur në drejtim të aktit të parë të çeljes së muzeut…
- Ec! Çka je hutuar?… - më tha Armisa. Ajo e kishte përcjellë me vëmendje tretjen time në thellësi të kohës.
- Hë. Po. Më falë!… - i thashë.
Ajo qeshi këndshëm, duke më përqafuar si motra-motrën. U nisëm dorë për dore dhe hymë në mesin e turmës. U afruam prapa Ermalit dhe Ertelës, të cilët ishin kapur dorë për dore si ne të dyja. Synonim që të mos na shpëtojë asgjë pa e parë nga ajo mrekulli mahnitëse. Në të njëjtën kohë kujdeseshim që të mos na shpëtojë asnjë fjalë e vetme e ciceronit pa u regjistrua në mbamendjen tonë…
Secila betejë e zhvilluar. Secili dokument i ruajtur. Secili kuvend i mbajtur ishte interesant në mënyrën e vet. Saqë, edhe tash, kur po i shënoj këto përjetime të këndshme, në këta pak rreshta të ditarit tim, vetëm pas dhjetë orë të vizitës, nuk po mund ta veçoj se cila ngjarje më ka lënë mbresa më shumë dhe… Po nejse. Sille nga ta sillesh, me që po kam dëshirë t'i përgjigjem ndërgjegjes sime, unë këtu, megjithatë, do t'i veçoj:
Kuvendin e Lezhës. Dhe atë për ca arsye më tepër. Ishte hera e parë në historinë e Mesjetës së Mesme të Arbrit që krerët e Principatave arbërore tuboheshin në një kuvend të përbashkët. Ishte hera e parë që krerët e Principatave arbërore në Mesjetën e Mesme po e zgjidhnin një prijës - një princ të përbashkët. Ishte hera e parë që në Mesjetën e Mesme po krijohej një shtet dhe një ushtri e përbashkët e Principatave arbërore nën një komandë… Dhe, duke i pasur të gjitha këto parasysh, që as për kohët e sotme nuk janë pak, Kuvendi i Lezhës i vitit 1444 ka lënë mbresa të thella në shpirtin tim rinor dhe në mabmendjen time historike për atë periudhë lavdie të popullit tonë… Më dolën parasysh, ashtu hijerëndë, të gjithë ata burra e prijës të Arbrit, në mesin e të cilëve qëndronte madhështor Skënderbeu. Më erdhën në vesh fjalët e porositë e tij në atë kuvend madhor…
Beteja e parë në mes ushtrisë së re arbërore dhe ushtrisë osmane, që i printe Ali Pasha. Të dy ushtritë, - na tha ciceroni përpara tablosë së betejës së Torviollit, - ishin rreshtuar ballë për ballë njëra-tjetrës në fushën e Dibrës, në qershorin e vitit 1444. Ushtria arbërore, sipas këshillave të strategut Skënderbe, që ia dinte huqet e ushtrisë osmane, ishte nda në tri pjesë. Ishte paraqitur si ushtri e thyer derisa e kishte tërhequr ushtrinë osmane në fushën e ngushtë të Torviollit. Dhe, sapo ushtria arbërore e kishte arritur atë qëllim, iu kishte vërsulur ushtrisë armike nga të gjitha anët. Ushtria osmane ishte gjendur në mes dy zjarresh, si i thonë një fjale. Ajo ishte detyruar për shkak të fushës së ngushtë të hynte në luftë vetëm pjesërisht. Kështu ushtria e re arbërore, në betejën e parë me ushtrinë osmane, kishte dalë ngadhënjimtare dhe e kishte shpartalluar atë plotësisht. Ushtria osmane kishte lënë mbi shtatë mijë të vrarë në fushën e Torviollit dhe mbi pesëqind robër lufte. Ndërsa edhe për ushtrinë e re arbërore humbjet nuk kishin qenë të vogla. Ajo kishte lënë në betejën e nderit rreth tremijë e tetëqind të vrarë e të plagosur. Por fitorja kishte mjaftuar që besimi i popullit arbëror të shtohej për Skënderbeun dhe për ushtrinë e re arbërore…
Arritëm përpara tablosë së rrethimit të parë të Krujës (1450). Derisa ciceroni shpjegonte për atë rrethim të parë të Krujës, për mbrojtjen e saj me dinjitet nga jashtë dhe brenda, mua më doli parasysh si në ekranin televiziv ai rrethim… E pashë atë mizëri të ushtarëve armiq të fushuar përballë Krujës. Më doli parasysh kali i bardhë pullali i romanit "Kështjella" të Kadaresë. I cili nga etja e madhe, pasi i kishin dhënë ushqim të shumtë e të kripur, gërryeke me këmbë mbi qyngjet e ujësjellësit që e çonte ujin në kështjellë, për ta shuar etjen. Në kujtesën time në momentet kur ciceroni fliste për atë rrethim të parë të Krujës, ndërroheshin ndodhitë e asaj kohe si penjtë në liq. M’u bë se i pashë katapultat duke hedhur kafshë të ngordha brenda kështjelle, për ndotjen e ujit nëpër bunarë dhe për përhapjen e sëmurjeve të ndryshme…
Pas mbajtjes së rrethuar të Krujës për më se katër muaj e gjysmë, - na tha ciceroni, - sulltan Murati i Dytë ishte detyruar të largohej për Adrianopojë i turpëruar, me zemër të thyer e me ushtri të përgjysmuar. Ai nga zemërimi kishte vdekur pas pak muajsh në Adrianopojë.
Ajo fitore ia kishte shumëfishuar famën sa Skënderbeut, aq edhe ushtrisë arbërore. Si në sytë e vetë arbërorëve, ashtu edhe në sytë e qendrave evropiane të kohës. Për atë fitore - na tha ai - Skënderbeu njëmbëdhjetë vite më vonë i shkruante princit të Torontos: "… Kundër gjithë asaj fuqie, e mbrojta dhe e mbajta gjersa turqit u larguan me dëme dhe me turp. Dhe, me pak njerëz shtiva në dorë rishtazi atë që armiqtë e shumtë e kishin fituar për një kohë të gjatë…"
Dy tablotë tjera, që tërhoqën vëmendjen time edhe më, qenë beteja e Beratit (1455) shumë e dhembshme, por shumë e lavdishme dhe beteja e Albulenës (1457) e krenarisë, zgjuarsisë dhe e trimërisë së Skënderbeut me ushtarë bashkë, që s'ngecnin për trimëri e zotësi pothuaj fare pak pas tij…
Të gjithë mbetëm të mahnitur me atë që pamë brenda muzeut. Dolëm në tarracë lart, prej nga shihej çdo gjë përreth si në shuplakë të dorës. Nga aty shihej bregdeti i Detit Adriatik, kështjella e Petrelës, Kamza dhe një pjesë e vogël e Tiranës. Nuk ngopeshim me ato përjetime të këndshme…
- Po shkojmë që ta vizitojmë edhe muzeun tjetër me ornamente edhe orientale. - Na tha arsimtar Dritëbardhi. Sikur ai muze të ishte me kilometra larg nga aty. E jo vetëm pesë a gjashtëdhjetë metra larg nga vendi ku ne qëndronim.
Edhe në atë muze na priti ciceroni shpjegues me të njëjtën dashamirësi. Ai muze, në krahasim me muzeun e Skënderbeut, m’u duk si një lodër fëmijësh. Në te kishte ornamente artizanale të kështjellës nga brenda, që ishin përdorë gjatë shekujve shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë. Pothuaj se për dy shekuj rresht s'kishte ndryshuar asgjë në zhvillimin e përsosjen e mjeteve të punës. Ciceroni na shpjegoi se si zhvillohej jeta në kështjellë gjatë shekujve të zënë ngoje më lart. Dy gjëra, në atë muze, mua ma zgjuan kërshërinë më tepër se të tjerat: mënyra e përpunimit dhe e përfitimit të vajit të ullirit, mjaft cilësor, siç na tha ciceroni, me mjete shumë të thjeshta e primitive. Ato mjete aq të thjeshta ishin simpatike e tërheqëse për syrin e vizitorit të sotëm nga kjo largësi e madhe kohore. Dhe arti zanatet e ndryshme të punimeve të dorës të grave krutane të asaj periudhe qoftë në formë të qëndisjes, qoftë në formë avlëmendi…
Mjaft interesante për vizitorin ishte edhe oda e burrave me vendin e kryeplakut të shtëpisë, në anën e majtë të oxhakut. Po edhe vendi i të riut, që ishte ndërmjetës në mes kryeplakut dhe shtëpisë së zjarrit, që gjendej nën të njëjtën çati. Shtëpia e zjarrit e kishte një vend të ngritur ngjitur për muri në mes, një deri në një metër e gjysmë lartësi, për fëmijët e të gjitha grup moshave. Ai vend i ngritur ishte i rrethuar me çatme dekorative dhe kishte shërbyer që të rrinin fëmijët në te gjatë ditës, kur s'kishin dalë përjashta për të luajtur. Po brenda asaj çatie ishin edhe dhomat e nuseve me të gjitha pajisjet e duhura të kohës. Ato dhoma, tok me pajën e nusërisë, ishin sa interesante, aq tërheqëse për syrin e vizitorit. Nuk e di se si përmes halucinacioneve më dolën ato nuse parasysh me tërë bukurinë e tyre, që m’u bë sikur vinin diku nga larg, nga përrallat a legjendat tona të pasura…
Këtu po i ndërpres shënimet e ditarit për sonte. Se po më hapet goja. Më ka molisur gjumi…"
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi