Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE...

Shko poshtë

Vullnet Mato: KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE... Empty Vullnet Mato: KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE...

Mesazh nga Agim Gashi Thu Feb 11, 2010 12:16 pm

Vullnet Mato: KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE... 21565_1181253262669_1568334934_30373979_8076371_n


Vullnet Mato: KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE... 22665_1163900988873_1568334934_30345381_3410171_n
Vullnet Mato

KLITHMAT E ATYRE VAJZAVE...

Tregim

.Ndonëse me tituj shkencor dhe studime të publikuara, profesor doktori Misto u nxor në pension sapo shkeli të gjashtëdhjetat. Mosha qe preteksti, po shkaku i vërtetë ishte natyra e tij refraktare si shef klinike. Kolektivi i dominuar nga disa mjekë të rinj liberalë, në fillimet e hapjes me botën, kërkonin livadh. Këtë hapësirë lirie të pakufizuar mund t’ua lejonte vetëm mjekja pa asnjë parashtesë në emrin e saj, të cilën e simpatizonin disa nga rinoshët me bluza të bardha. Dhe ata e kurorëzuan menjëherë.
Profesor Doktori Misto u ngujua në shtëpi, duke mos shprehur asnjë ankim. Dhe pas kësaj, pensionisti Misto filloi të jetonte me lëmoshën e njohur që përfitonte armata e plakur në betejat e socializmit, pasi kishte arritur e rraskapitur në kufijtë e ëndrrës. I vinte keq vetëm se, duke u marrë me shkencë, nuk kishte siguruar dot aq para sa të mbushte serbatorin e veturës së tij “Reno”. Një shkatërrirë të cilën ia kishin falur disa shkencëtarë të huaj dhe tani ishte plakur si vet i zoti.
Ishte e diel pasdite kur mjeku i dëgjuar përcolli djalin student te autobusi i Greqisë. Aty para veturës së tij u shfaq papritmas një djalosh disi i çuditshëm. Me pak mjekër harkore të shkurtër, me flokë paksa të gjatë dhe me sytë si dy xixëllonja, që i pulsonin pareshtur nën vetullat e zeza, ai e pyeti:
-A mund të më çoni deri te rruga e Elbasanit, të marr disa shokë që më presin?
Doktori e vërejti ftohtë dhe ia ktheu në çast:
-Nuk jam taksist.
-S’ka problem, unë paguaj mirë.- tha djaloshi syxixë me një ton disi të butë.
-E sa paguan, zotrote?
-Pesëdhjetëmijë lekë. - premtoi ai me një shprehje të qartë vendosmërie.
Profesor Doktori u mendua një grimë. Ishte një shumë sa gjysma e pensionit mujor të tij. Me të mund të shtronte një darkë familjare mjaft të pasur, apo të mbushte serbatorin për disa ditë. E vërejti të panjohurin edhe një herë me sy përfshirës, nga koka te këmbët, ku i përthyheshin pantallonat bluxhins, pastaj vendosi.
-Dakord, veçse duhet të shkojmë bashkë dy minuta, sa të lajmëroj time shoqe për vonesën.
-S’ka problem, - tha djaloshi i çuditshëm.
Dritat e rrugicave mungonin në disa shtylla dhe projektorët e dobët të “Renosë” lodronin mbi fasadat që ndërroheshin njëra pas tjetrës.
Gruaja e doktorit doli jashtë dhe dyshoi në çast. Ajo kërkoi të shkonte edhe vet me të shoqin.
- Jo, -kundërshtoi prerë djaloshi, -na zë një vend. Na duhen të gjithë vendet!...
Gruaja e doktorit u detyrua të sprapset, por tashmë meraku për të shoqin i pushtoi trurin. Ai doli nga timoni dhe i tha veçmas:
-Do më paguajnë pesëmbëdhjetëmijë, moj, me to mbushim frigoriferin...
- Nuk na duhen, më mirë bukë thatë e të sigurt në shtëpinë tonë... –u tkurr me duar të kryqëzuara mbi gjoks gruaja me flokët e argjenduar nga vitet.
Por Miston s’e lanë zilet e tij të dëgjonte këmborët e saj. I kishte dhënë fjalën atij tjetrit dhe nuk mund t’i thoshte “S’më lë gruaja“ Megjithatë meraku i qartë i gruas e futi edhe atë paksa në dyshim. Por tashmë vendimi i nisjes kishte marrë formën e prerë.
Duke manovruar timonin rrugëve për të dalë nga qendra e Tiranës, flokëbardhi me fytyrë të ndritshme mati me sy disa herë shtatin mesatar të djaloshit të panjohur. Dhe erdhi në përfundimin, se tek për tek, atë mund ta mposhtte në rast rreziku. Në mos me trup, me drynin në formë leve që bllokonte timonin dhe e kishte te këmbët. Megjithatë, mendoi sërish, se mbase nuk do të shkonte puna deri aty.
Pasi kaluan ngrehinën e Fakultetit të Filologjisë, dhe po ngjiteshin në të përpjetën përskaj parkut të pyllëzuar, mjeku Misto e pyeti me ton tingëllues të panjohurin e heshtur:
- Ku i ke shokët ?
- Ja dhe pak. - tha ai qetësisht.
Doktori tundi kryet, shtrëngoi buzët pak i habitur dhe e shigjetoi me sy pyetës.
-Mirë, po, a mund ta di me ç’punë merresh?
Djaloshi i hodhi një vështrim zhbirues dhe nuk i ktheu përgjigje në çast. U përkul pakëz mbi të, për t’ia shquar më mirë tiparet dhe pastaj i tha:
-Po ti që më pyet mua, ç’punë bën?
-Jam mjek në pension...
Atëherë i panjohuri lëshoi trupin e tendosur, mbështeti shpinën dhe nënqeshi lehtë.
-A, ha, ty doktor po të tregoj të vërtetën lakuriq: Shesim vajza...
-Si ? Vajza ?... Ku i gjeni që i shisni?...
-I blejmë.
-Nga kush?
-Nga dashnorët, nga ata që i rrëmbejnë…Ne vetëm blejmë dhe shesim.
- Jo more! Dhe sa i blini?
- Katër, deri pesëmijë dollarë…
Doktori mbodhi supet dhe shtrëngoi buzët.
-Me një fjalë, vajzat qënkan bërë malli kryesor i tregut!…- tha ai me ton vibrues.
-Pse habitesh, mor jahu, ato janë malli më i shtrenjtë e më i kërkuar sot. Një vajzë vlen sa për pesë vagonë me domate apo speca për eksport…
Duke e përtypur me vështirësi kuptimin e kësaj barasvlershmërie, doktori Misto kapërdiu pështymën me sy të shqyer përmbi të panjohurin. Dhe atë çast pati ndjesinë sikur të kishte në sediljen pranë një hienë të zezë, së cilës i zbardhnin vetëm dhëmbët dhe i xixëllinin sytë tinëzar.
-Nuk më thua, ç’i bëni gjithë ato para?- kureshti doktori i indinjuar.
-Ngremë apartamente për t’i shitur.
-Dhe s’keni frikë nga policia?…
Trafikanti nënqeshi sërish me qesëndi.
-He, he, policia! Pse, ata s’duan para?
-Disa mund të duan, po ka edhe të tjerë që mund t’u kapin.
-S’jemi aq budallenj sa ata...Ruhemi…
-Sidoqoftë, përderisa s’përdorni makinën tuaj, taksistët edhe mund t’ju kallëzojnë.
Trafikanti nënqeshi me një shprehje ironie të dukshme.
-Le të llapin. Lodhen kot. Kemi njeriun tonë në ministrinë e brendshme. Mjafton të mos na kapin me makinë personale. Me taksi vajzat udhëtojnë dhe s’ka bythë polici të na ndalojë, se e pëson...
Doktor Mistoja u mendua trishtueshëm një copë herë.
-Me një fjalë, sonte më bëtë edhe mua trafikant prostitutash… - tha pas pak me një ton të dëshpëruar dhe ndjeu, se iu tkurr zemra.
Djaloshi aty për aty ideoi një propozim, nga i cili sytë iu gjallëruan befas dhe u kthye përgjysmë nga doktori.
-Po të duash, doktor, mund të lidhesh të punojmë bashkë, se me ty s’ka zot që dyshon për ne. Dhe shko që sonte hidhe në brimën e halesë librezën e pensionit! Hë, si thua?…
Shkëlqimi i rreptë i syve të doktorit tani u ngul mbi ballin e tij.
-Të lutem mos e përsërit më atë fjalë!
- Si të duash, po unë dhashë një mendim të mirë për ty!
-Varrose atë mendim, nuk është punë e pastër kjo, more djalë! Nuk është punë e ndershme...
Trafikanti qeshi me një qesëndi të sforcuar.
-Varet si ta kuptosh…Ja, ti që je i ndershëm, doktor, nderi yt s’ta mbush dot barkun me të ngrënë e me të pirë. Po erdhe me mua do të marrësh aq para sa s’i ke parë as në ëndërr...
Doktori Misto u zu ngushtë dhe heshti një çast. Kjo ofertë trafikantësh i shkërmoqi të gjitha themelet e krenarisë së tij dhe tani e kundroi me dyshim të frikshëm. Kishte marrë një rrugë, greminat e së cilës mund të ishin të llahtarshme për moshën dhe dinjitetin e tij.
-Ku do shkojmë, se dolëm nga Tirana?- i tha me padurim të dukshëm.
-Ja, edhe pak, aty përtej !...
-The në rrugën e Elbasanit, jo deri në Elbasan...
-Mos ki merak, or burrë! Ja, aty në të dalë të Saukut...
Ndërsa ideja e rrezikut përparonte bashkë me ritmin konstant të katër rrotave, doktori mendoi, se përsëritja e merakut të tij do ta bënte frikacak në sytë e trafikantit dhe iu desh të mposhtë turbullimin. Heshti përfundimisht, duke pritur fundin e mistershëm me një ritëm zemre të ndjeshëm dhe frymëmarrje të rënduar. Gënjeshtra po i paraprinte së vërtetës... Gruaja kishte pasur të drejtë. Nuk u duhej besuar njerëzve të tillë për ca para të fëlliqura... Por ai gjithnjë ishte udhëhequr nga mendime të guximshme dhe s’mund të ishte ndryshe, veçse një guximtar i rrezikuar shpesh.
Hapësirat në të dy krahët e rrugës nxinin dhe tashmë doktori filloi të mendojë seriozisht, se çfarë duhej të bënte për të dalë nga ai qerthull i frikshëm ku kishte hyrë papandehur. Shqisat e tij u bënë veçanërisht të ndjeshme dhe të gjitha oshilacionet e mendimeve i silleshin vetëm tek e keqja e pritshme. Por pasi ecën edhe disa minuta, më së fundi trafikanti shënoi me gisht një shtëpi, dritat e së cilës tani vezullonin në afërsi. Pas pak ai zbriti te dera e ndërtesës dykatëshe dhe i tha të priste se do të kthehej shpejt.
Ndërkohë doktori dëgjoi nga jashtë një zallamahi klithmash vajzërore: “O mami mooooj!” Britma meshkujsh: “Eja, moj zuskë se të vdiqa!”. Fshikullime dhe kërcënime të shoqëruara me togfjalësha sharjesh tepër të rënda. Kuptohej qartë se ato fatkeqe kundërshtonin energjikisht të dilnin natën nga shtëpia, ndonëse goditeshin me forcë dhe me shkulme fjalësh banale. Doktorit iu këput zemra në kraharor. Në përfytyrimin e tij, ajo shtëpi e veçuar ishte gracka mijëradollarëshe, ku binin ato vajza të mjera, të mbledhura nga rrethinat e Tiranës, të cilat më pas u shiteshin trafikantëve tutorë, për t’i shpërndarë nëpër semaforët e shteteve fqinjë, ku tregtohej mishi i bardhë. Befas e ndjeu veten të rënë në kthetrat e pista të kësaj kategorie njerëzish, që zuzëronin aq poshtërsisht me vajzat e komunitetit të varfëruar. Dhe me shpirtin e tyre skllavërues e kriminal ata sfidonin të gjitha ligjet e rregullat morale të shoqërisë, duke e qeverisur jetën sipas ligjeve të tyre çnjerëzore. Madje këta hibridë të kësaj parcele të përçudnuar, vështirë t’i përfshije edhe në kategorinë e qenieve njerëzore… Atëherë doktori mendoi, se tani ishte rasti t’ia mbathte për t’u shmangur nga ndonjë e papritur e rrezikshme, që mund të sillte e keqja brutale e tyre. Por u step befas dhe i shkuan mornica në shtyllën kurrizore. Solli ndërmend, se ata mund të ishin të armatosur dhe patjetër do të shtinin mbi të, për të mos u zbuluar baza e trafikimit.
Sakaq u hap dera e jashtme dhe djaloshi trafikant u kthye vet i dytë, duke gulçuar si bishë e uritur nga zemërimi. Madje ai tjetri, me tipare të errëta, shpërtheu edhe frazën e fundit pak metra larg veturës:
-Kurvat e mutit! Kujtojnë se janë blerë për t’u bërë princesha! Nesër ua tregoj unë qejfin, do t’i palloj prapë me karadajak, sa t’u dalë shkumë nga by…!
Ata hipën nxitimthi dhe i thanë të nisej, se nuk mund të merrnin njerëz të tjerë atë natë. Doktori krejt i çoroditur i dha gaz makinës dhe pas pak dolën në rrugën kryesore.
Një grimë herë nuk u ndie asnjë zë brenda veturës. Heshtja ogurzezë po shtrihej edhe më tepër nga mungesa e pazakonshme e qarkullimit përgjatë atij aksi rrugor. Drejtimi i mjetit u bë tani mjaft i vështirë për doktor Miston. Atij i duhej që herë pas here të mbante nën kontroll me anën e pasqyrës trafikantin me pamje murgu, që ishte në sediljen e dytë. Ai ishte i shëndoshë sa një dem. Dhe demi i zi që kishte zënë pritë pas shpinës së tij mund t’i hidhej përsipër me ndonjë thikë, për ta eleminuar si dëshmitar të asaj strofke djajsh.
- Sa e ke pensionin? - theu befas heshtjen e tendosur trafikanti i parë.
-Pak më shumë se njëqindmijë lekë të vjetra. -tha doktori duke pastruar zërin e ngecur nga dilemat.
- He, he, he ! - qeshën ata të dy njëherësh, sikur të ishin çliruar papritmas nga një makth i rëndë.
-Aq ne i pimë kafe e konjak në mëngjes...- gogësiu trafikanti i dytë me kërkëllimë gazi.
-Sonte pensionin e muajit do të ta paguajmë ne! - u krenua trafikant i parë, ndërsa po afroheshin te banesat e dendura të lagjes së hyrjes.
-Jo, jo. Ju më jepni pazarin dhe jemi në rregull bashkë.- ia ktheu doktori me modesti.
-Ja, ja, tani shpejt, sa të na çosh te ai pallati i madh që po ndërtojmë!… -tha trafikanti i parë duke shënuar me gisht në thellësi të rrugës.
Ata zbritën njëri pas tjetrit dhe te xhami i hapur i dritares, ai i zgjati bujarisht një kartëmonedhë njëqindollarëshe.
Doktori në çast futi dorë në xhep, për të kthyer reston.
-Mbaje ! - thanë ata të dy në një gojë.
-Jo, jo, s’dua të përfitoj para nga ju. -kundërshtoi doktori me ton të prerë. Dhe u ktheu pesëdhjetëmijë lekë shqiptare.
-Mbaji, mor jahu! Hallall t’i bëftë zoti! ...
-U lutem! Dua të ndahemi pastër. - tha doktori duke ua lënë në dorë kusurin prej gjysmë pensioni.
Atëherë trafikanti i parë u përkul te dritarja fare pranë dhe i tha nën zë:
-Doktor, kam fol me ty, si me të pas robin e shtëpisë, po harrova me të thanë, se ata që llapin për ne, marrin dënime shumë të randa!…
Doktor Mistoja ndjeu një sekretim të hidhur në gojë, si të ishte goditur me grusht në tëmtha nga ky pinjoll i asaj bande dhunore e harbute, që përveç krimeve në të gjitha metaforat, prodhonte edhe frikësime. U kapërdi me mundim, e shigjetoi me një vështrim përbuzës dhe, me nervat të tendosura në mënyrë elastike, i dha makinës përpara. Duke shkelur pedalin e gazit deri në fund, në një mënyrë krejt të papritur, atij iu duk sikur këtë natë ndjeu për herë të parë fillimin e sëmundjeve të përbindshme të pleqërisë dhe donte të shkëputej prej tyre sa më parë.
Sapo arriti në shtëpi, vuri re, se gruaja po e priste jashtë, pasi kishte dëgjuar qysh larg zhurmën e njohur të “Renosë ”.
-Kur s’më pushoi zemra sonte, të lumtë ty me këtë guxim prej të çmenduri ! -i tha ajo pikë e vrer në fytyrë, duke mbajtur gjoksin me dorë.
-Pa shiko, moj! -i tundi ai para syve kartëmonedhën amerikane, duke u rrekur të dukej në qejf. -Nesër shko na e mbush shtëpinë me ushqime, se do ia shtrojmë!
Ajo psherëtiu e lehtësuar dhe ai parkoi te oborri i rrethuar “Renonë”që avullonte nga nxehtësia. Por nuk i hiqeshin nga mendja e s’i shqiteshin nga veshët ato klithmat rrëqethëse të atyre vajzave të mjera, të tregtuara si mish i bardhë për kasapët e kontinentit. Ishin ca klithma të përvajshme me oshilime të dhimbshme, që u ngjanin blegërimave të atyre qengjave të veçuar për në kasaphanë:”O mami moooooj!” Kushedi ç’helm të koncentruar u shtrydhte shpirti dhe ç’hemoragji lotësh u pikonte nga sytë, që kishin rënë në atë gjiriz me kutërbim poshtërues të përhapur deri në largësitë ku arrinte njohja e tyre. Klithmat vrastare, me goditjen plumb që mbart të qenurit prind, iu vërsulën doktorit egërsisht qysh në fillim të herës kur u gjend padashur pranë asaj llumishtje njerëzore dhe nuk iu ndanë pothuaj deri vonë, kur mezi e zuri gjumi me mendimin e hidhur: “Mjerë kush ka vajza sot, kur askush s’e di ç’ka rezervuar e ardhmja për to!”
Të nesërmen gruaja shkoi duke gazmuar te shkëmbyesit e valutave, të thyente kartëmonedhën e t’i drejtohej, dyqanit ushqimor.
-Është fallco! -tha kambisti me një ton therës të tmerrshëm, duke ia lëshuar menjëherë mbi dorë, sikur të ishte një copë teneqe e tejnxehur.


Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi