SI U ORGANIZUAN DEMONSTRATAT E VITIT 1968 NË LLAP, 40 VJET MË PARË
Faqja 1 e 1
SI U ORGANIZUAN DEMONSTRATAT E VITIT 1968 NË LLAP, 40 VJET MË PARË
SI U ORGANIZUAN DEMONSTRATAT E VITIT 1968 NË LLAP, 40 VJET MË PARË
Nga ideja për protestë, te demonstrata gjithëpopullore
Shkruan: Abdullah NISHEFCI (Kosova Sot)
Në Llap, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përveç NDSH-së, që vepronte ashtu si në të gjitha viset e tjera shqiptare, ishin formuar dhe vepronin edhe shumë grupe të tjera ilegale, siç i quante UDB-ja organizatat atdhetare. Lidhur me rezistencën politike shqiptare në Llap, në librin "Llapi gjatë historisë", historiani i kësaj ane, dr. Fehmi Pushkolli, shkruan se që nga vitet e dyzeta e deri në vitin 1968, gati në çdo 2-3 vjet, në Llap, ishin bërë përpjekje për formimin ose ishin formuar grupe ilegale. "Sa burgosej një grup, e fillonte punën grupi tjetër", thekson dr. Pushkolli.
Më 1964 zbulohet dhe dënohet Lëvizja Revolucionare e Bashkimit të Shqiptarëve (LRBSH) e Adem Demaçit. Në këtë lëvizje bënin pjesë edhe shumë llapjanë, si Azem Beqiri, Zeqir Gërvalla, Abdyl Lahu, Enver Mehmeti-Gërguri, Hazir Shala, Elhame Shala, Sabit Retkoceri, Selman Berisha, e të tjerë. Anëtarë të LRBSH-së kishin qenë edhe Nazmi Sejdiu, Sallah Ademi e Bajram Nishefci, të cilët falë qëndresës së papërkulur të Azem Beqirit, Zeqir Gërvallës dhe Sabit Retkocerit, nuk ishin zbuluar. Këta tre dhanë një ndihmesë të madhe në organizimin e demonstratave të 68-shit në Podujevë, por edhe më gjerë. Edhe disa të tjerë individualisht, nga dëshira, dhe duke ndier njëfarë borxhi ndaj të të burgosurve, si Xhafer e Bislim Ejupi, pas burgosjes së anëtarëve të kësaj organizate organizuan aksione të veçanta, duke vendosur flamuj nëpër disa vende në Llap.
Dy vjet më herët, pra më 1962, ishte zbuluar dhe gjykuar organizata e mësuesit dhe atdhetarit Shaban Shala, i cili vdes në burgun e Prishtinës, më 20 janar 1963, po atë ditë që duhej të lirohej. Me gjithë torturat shtazarake të udbashëve rankoviqianë, UDB-ja nuk arriti ta zbulojë rrjetin e ngritur, me mjeshtri, në formë treshi, nga atdhetari Shaban Shala. Anëtarët e pazbuluar të organizatës së Shabanit ishin Rasim Maloku, nga Bradashi, Sali e Ismail Zhushi, nga Sveçla, të cilëve më vonë iu kishte bashkangjitur edhe Sylejman Babatinca. Në odën e këtij të fundit ishin bërë shumica e mbledhjeve dhe ishin formuar treshe të reja.
Mbledhja e parë me karakter organizativ u bë në dhjetor 1967, në odën e Sylejman Babatincës. Nga kjo mbledhje treshet filluan të vepronin si një grup unik. Në këto treshe bënin pjesë: Sali Babatinca, Xhafer Ejupi, Hasan Shala, Hamit Abdullahu, Muharrem Restelica dhe Abdullah Nishefci.
Në këtë mbledhje u bisedua rreth mundësive për të vënë kontakt me Ambasadën shqiptare në Beograd. Edhe pse kjo ide nuk u përkrah nga të gjithë anëtarët (ishte kundër sidomos Sali Babatinca, i cili kishte jetuar një kohë të gjatë në Perëndim dhe kishte një përvojë më të madhe në politikë), pas demonstratave të qershorit të studentëve të Beogradit, ne kontaktuam me Ambasadën në fjalë. Mbetëm shumë të zhgënjyer. Salihu kishte pasur të drejtë.
REZISTENCA E LLAPJANËVE
Është thënë dhe shkruar disa herë se viti 1968 ishte vit i demonstratave shqiptare, i kërkesave për barazi dhe vetëvendosje. Gjithashtu është theksuar se bërthama e nxitjes së demonstratave të studentëve të Kosovës, më 1968, gjendej rrethanat aktuale në Kosovës, por edhe në ngjarjet brenda e jashtë Jugosllavisë. Por sa i përket organizimit të demonstratave në Podujevë, ato zanafillën e kanë më herët, por jo si demonstrata, por si njëfarë proteste, para burgut të Podujevës, pas botimit të një artikulli të Raif Gashit, në gazetën "Rilindja", për "vetëvarjen" e të riut Mustafë Hajrizit, nga Repa, në burgun e Podujevës, madje edhe më herët. Ideja për një lloj proteste nga zejtarët, që ka qenë edhe shkëndija e parë e mënyrës së shprehjes së revoltës kundër deformimeve e krimeve të UDB-së, ishte ide e Hamit Abdullahut. Hamiti, si berber, në dyqanin e tij, kishte dëgjuar se si dhe çka flitej për shkaqet, rrethanat e burgosjes dhe për "vetëvarjen" e këtij të riu.
Në fillim të shtatori, të vitit 1968 ishte mbajtur një mbledhje e zgjeruar e Aktivit Politik të LK të Podujevës, në të cilën ishte marrë vendim që të mbylleshin diskutimet lidhur me ndryshimet e Kushtetutës jugosllave, dhe jo vetëm kaq, pikërisht në këtë mbledhje, u dha urdhri që të heshtet kërkesa gjithëpopullore që Kosovës t'i njihet statuti i Republikës… Me gjithë këtë urdhër, sipas Rexhep Paçaradës, në atë mbledhje, nga Adem Ajvazi, Shukrie Ejupi dhe Rexhep Paçarada, u propozua vetëvendosja dhe Kosova Republikë, ndërsa kuptohet se kundër ishin politikanët karrieristë... Rexhepit i kujtohet edhe një rast që është për t'u shënuar këtu: Në shkollën e Sveçlës, ku ai ishte drejtor, ishte hedhur poshtë lista për anëtarë të Komitetit Komunal të Podujevës, gjë që s'kishte ndodhur kurrë. Kjo ishte bërë me qëllim të amortizimit të sulmit që i bëhej profesorëve të gjimnazit "8 Nëntori", si Shefki Sejdiut, Selman Brymës, etj., të cilët ishin dalluar në këto debate.
Në këto tubime e debate, jo vetëm në komunën e Podujevës, por edhe në Prishtinë, kishin marrë pjesë, i kishin përcjellë me vëmendje të madhe, madje edhe kishin diskutuar, shumë llapjanë, si: Murat Blaku, Xhafer Ejupi, Nazmi Sejdiu, Imer Ajvazi, etj. të cilët informonin llapjanët me qëndrimet dhe paraqitjen e kërkesave të drejta të Rezak Shalës, Hajredin Hoxhës etj., në debatet që bëheshin në nivel krahinor e komunal, lidhur më ndërrimet e Kushtetutës jugosllave.
Debati i zhvilluar në Aktivin e Podujevës vërtetoi, siç thotë Kadare, "gjithë mërmërimën e popullit dhe parandjenjën e keqe, së cilës s'i shpëton asgjë", se nga diskutimet kushtetutare nuk do të ketë asgjë! Në këtë debat u veçua diskutimi dhe kërcënimi i shovinistit Milosh Sekuloviq, i cili kishte injoruar, madje sulmuar intelektualët dhe profesorët e shquar, si Fehmi Agani, Ali Hadri, Gazmend Zajmi etj. si nacionalistë dhe irredentistë, epitet që kurrë nuk ju hoq intelektualëve shqiptarë, të cilët guximshëm e shkencërisht mbrojtën dhe arsyetuan kërkesën gjithëpopullore të shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Kërcënimi i Sekuloviqit ishte një nxitje edhe më e fuqishme morale që Grupi i Llapit ta përforcojë dhe ta shtojë veprimtarinë rreth organizimit të demonstratave…
Dhe, meqenëse diskutimet kushtetutare kishin marrë fund, meqenëse çështja e vetëvendosjes për kosovarët, siç shkruan Selatin Novosella, ishte mbyllur, për inteligjencien përparimtare shqiptare, e vetmja formë e prezantimit të qëndrimit politik, kishte mbetur demonstrata...
SABIT SYLA E XHELADIN REKALIU SOLLËN NJË FRYMË TË RE
Vendimi definitiv për organizimin e protestës ishte marrë para se të lidheshim me Grupin e Prishtinës, në tetor 1968, në punëtorinë e rrobaqepësisë "Kosovari". Në këtë takim merrnin pjesë: Xhafer Ejupi, Hasan Shala, Hamit Abdullahu dhe Abdullah Nishefci. Shtysa vendimtare për organizimin e kësaj proteste ka qenë një artikull tjetër i botuar, në fillim të tetorit, 1968, po ashtu në gazetën "Rilindja", ku shkruante për prishjen e rendit dhe të qetësisë nga disa zejtarë dhe të rinj në Prizren. Barrën kryesore, mendonim ta mbanin zejtarët... Megjithatë, bëmë disa përpjekje që të lidhemi me disa studentë, por nuk patëm sukses. Në këtë takim u vendos që të bëheshin këshillime me disa intelektualë llapjanë dhe ish-të burgosur politikë. Një pjesë e madhe e tyre na përkrahu pa rezervë, por kishte edhe të tillë që ishin kundër, duke arsyetuar se tani nuk ishte momenti i duhur të ndërmerreshin veprime të tilla. Si argument ata theksonin se vetëm Rankoviqi dhe grupi i tij fraksionist, ishte fajtor për mosrealizimin e të drejtave të shqiptarëve... se duhej pritur se ç'do të sillnin ndërrimet kushtetuese, e të tjera e të tjera.
Ne biseduam edhe me Skënder Hoxhën... Pas dy-tri ditësh Skënderi erdhi në dyqan me Sabit Sylën, student. Të nesërmen Sabiti erdhi me Xheladin Rekaliun. Është meritë e madhe e Skënderit por sidomos e Sabitit për lidhjen me Grupin e Prishtinës.
Nga gjysma e tetorit 1968 Grupi u zgjerua dhe u përtëri me anëtarë të rinj. Përveç të përmendurve, Skënder Hoxhës, Sabit Sylës dhe Xheladin Rekaliut, u aktivizuan: Hakif Sheholli, Bahri Shabani dhe Shaqir Shala... Tash kishim filluar të takoheshim më shpesh dhe të merreshim më tepër me tema pak më të nxehta, apo siç thotë Kadare "me gjëra me zarar".
Pas kontaktit me Xheladin Rekaliun, dhe një këshillimi me Idriz Hasanin, i cili studionte e jetonte në Banjallukë, nga i kishte përcjellë me vëmendje demonstratat e studentëve të Beogradit, por edhe të Parisit, Bonit e të vendeve të tjera në Perëndim, ideja e protestës u ndryshua dhe u plotësua. Idrizi na këshilloi që të heqim dorë nga protesta e zejtarëve dhe të shikohet mundësia e organizimit të një demonstrate të qetë, por duke përfshirë sa më shumë intelektualë, studentë e nxënës. Këshilla e Idrizit plotësisht përputhej me idenë e Xheladin Rekaliut. Xhela mendonte që ta shfrytëzonim ditën që do të festohej "çlirimi" i Podujevës, dhe se nuk ishte me rëndësi se si ta quajmë protestë apo demonstratë. Këtë ide na e përforcoi edhe kontakti me Ruzhdi Kadriun, i cili asokohe ishte student i SHL në Prizren. Ruzhdiu na ndihmoi shumë me informacionin e hollësishëm se nuk ishin vetëm disa zejtarë e disa fëmijë që kishin "prishur rendin e qetësinë" në Prizren, siç shkruhej dhe flitej në mjetet e informimit.
Këshilla e të burgosurve politikë, e të njohurve që u shkonte fjala, e ambasadorit shqiptar, etj, na kishte shtuar dilemën se mos po gabojmë. Mirëpo kjo dilemë filloi të zbehet sidomos pas kontaktit me Xheladin Rekaliun dhe Sabit Sylën, pra lidhjes me Grupin e Prishtinës, bisedimeve me Idriz Hasanin, kontaktin me Ruzhdi Kadriun dhe më pastaj edhe me Adil Pirevën. Dilema u hoq dhe ne morëm qëndrim të prerë dhe iu rrekëm punës.
Filluam të bëjmë përgatitjet për organizimin e demonstratave në Podujevë. Filluam të veprojmë më me seriozitet dhe në mënyrë më të organizuar, dhe pas disa takimeve të "rastësishme" e të shkurtra në dyqanin "Kosovari", me propozimin e Xheladin Rekaliut, caktuam një mbledhje në të cilën do të diskutohej më gjerësisht dhe të vendosej se si të vepronim më tutje. Ende nuk ishte zgjidhur përfundimisht dilema a të organizojmë një protestë, një të shtune, siç ishte menduar në fillim, apo një demonstratë ku do të merrnin pjesë edhe nxënës, studentë, mësues, punëtorë etj.
Mbledhja e Grupit të Llapit u bë në shtëpinë e Halit Nishefcit në Podujevë, në mbrëmjen e 6 nëntorit të vitit 1968. Ishte njëra ndër mbledhjet më të rëndësishme, e para me një përbërje të re... Në mbledhje ishin prezent: Hamit Abdullahu (berber), Xheladin Rekaliu (mësues), Hasan Shala (mësues), Hakif Sheholli (mësues), Sabit Syla (student), Skënder Hoxha (mësues), Bahri Shabani (mësues), Shaqir Shala (mësues) dhe Abdullah Nishefci (rrobaqepës). Si shkak i shpikur i tubimit kishim gjetur lindjen e djalit tim, Benit ( të pagëzuar sipas personazhit Arben Presheva të romanit “Tradhëtia” të Kapllan Kallushit, që aq shumë lexohej ato ditë, ndërsa shkaku i vërtetë i tubimit ishte të bisedojmë rreth organizimit të demonstratave në Podujevë.
Në këtë mbledhje Xheladin Rekaliu njoftoi Grupin se në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera janë duke u bërë përpjekje të organizohen demonstrata në mënyrë që kosovarët haptazi të dalin me kërkesat e tyre të drejta, meqë u pa se nga diskutimet, lidhur me ndryshimet e Kushtetutës nuk ka asgjë. Diskutimet e kosovarëve për vetëvendosje janë stopuar nga Serbia. Edhe kësaj here politikanët tanë na tradhtuan, ashtu siç bënë më 1945, më 1948, më 1966. Nga Abdullahu dhe Hamiti jemi njoftuar se disa zejtarë me fshatarë janë duke përgatitur një lloj proteste ditëve të tregut në Podujevë. Unë jam i mendimit që ta shfrytëzojmë ditën, që siç po flitet, më 8 nëntor të këtij viti, nga komunarët do të organizohet një miting në Podujevë, të organizojmë një demonstratë apo një lloj kundërmitingu, ku do të paraqiteshin disa kërkesa që janë edhe kërkesa të gjithë shqiptarëve të Kosovës.
VENDIMET E MBLEDHJES SË GRUPIT TË LLAPIT MË 6 NËNTOR 1968
Të gjithë u pajtuam me idenë e Xheladin Rekaliut, dhe atë mbrëmje nëntori 1968, rreth orës 20.00, u bë kjo marrëveshje dhe u morën këto vendime: Që më 8 nëntor 1968, ditën kur do të bëhet mitingu, në shenjë kinse të ditës së çlirimit të Podujevës me rrethinë, të organizohen demonstrata ose një lloj kundërmtingu ku do të parashtroheshin publikisht këto kërkesa: “Duam vetëvendosje”! “Duam Universitetin”! “Duam Kushtetutën”! “LNÇ-ja nuk na solli barazi të plotë”!
Transparentet në të cilat do të shkruheshin parullat e lartshënuara do të përgatiteshin në dyqanin e rrobaqepësisë “Kosovari”, vetëm disa metra larg tribunës ku do të mbahej mitingu. Për përgatitjen e tyre, vullnetarisht u paraqitën Sabit Syla dhe Bahri Shabani, madje edhe u zotuan se vetë do t’i sillnin në miting, ku do t’i hapeshin aty për aty. Tekstin, që duhej të lexohej në miting, më parë i përgatitur në Prishtinë, e morën për sipër Abdullah Nishefci dhe Hamit Abdullahu. Leximi duhej të fillonte në momentin kur ta merrte fjalën Ali Shukrija, dhëndri dhe altoparlanti i Beogradit, që kishte shkel bukën dhe besën e këtyre anëve.
Ky ishte vendimi, por, siç thonë, vendimi është vetëm gjysma e punës, ndërsa puna e lënë përgjysmë nuk sjell mbarësi, kryesorja mbetet zbatimi i tij.
FJALA E OSMAN DUMOSHIT, VENDIMTARE PËR TË MOS FILLUAR DEMONSTRIMI MË 8 NËNTOR 1968
Vendimtare për të mos filluar demonstrimi më 8 nëntor 1968, në Podujevë, që të “mateshin forcat me kuislingun Ali Shukriu, ka qenë fjala e Osman Dumoshit. Osman Dumoshi, Ilaz Pireva dhe Skënder Muçolli ishin caktuar nga Grupi Organizues i Prishtinës, që të vlerësojnë situatën dhe kushtet për demonstrim dhe në rast nevoje të ofrojnë ndihmë. Osmani me shokë vlerësuan se nuk ka kushte për demonstrim dhe se ekziston frika që të pengohej që në fillim, dhe në këtë rast dëmi do të ishte shumëfish më i madh se dobia. Vendimi i Osmanit ishte nxjerrë duke parë gjendjen momentale, meqë sigurimi ishte i jashtëzakonshëm, ngase, siç duket, organet e sigurimit kishin hetuar se diç po (“zihej”), po përgatitej në Podujevë. Se sigurimi shtetëror kishte hetuar diç, dëshmon Rexhep Paçarada, drejtor në shkollën e Sfeçlës, i cili tregon se si në mbrëmjen e 7 nëntorit 68, aty rreth mesnatës, kishin ardhur inspektorët krahinorë me disa policë, kishin bërë një kontrollim, me arsye se në këtë shkollë, sipas informatave që kishin, ishte duke vepruar armiku... Këtë e vërteton edhe ky fakt: natën, vonë, të mbrëmjes së 7 nëntorit /68, në banesën e Adem Ajvazit, gjykatës, troket mysafiri i paftuar, i cili i thotë Ademit: “Kam ardhur në besë që të të lus të largohesh sonte nga banesa se ka shenja që gjatë natës do të burgoset një numër i madh intelektualësh llapjanë”.... Edhe profesor Murat Blakut i kujtohet se ato ditë flitej për ekzistimin e një liste me emrat e intelektualëve të dyshimtë e të rrezikshëm, të Llapit, (të cilët ishin në një vijë me Ismail Dumoshin). Këta ishin Selman Bryma, Shefki Sejdiu, Murat Blaku, Faik Hoxha, Adem Ajvazi, Rexhep Paçarada, Feriz Dabinofci etj.
Natyrisht, duke marrë parasysh edhe faktorët e përmendur, sipas mendimit tim, kurrsesi nuk mund të quhet fajtorë Osman Dumoshi, për këtë dështim...
PËRGATITJET PËR PROTESTË NUK SHKUAN HUQ
Sa i përket përgatitjes, me siguri ka pasur lëshime e gabime, meqë ishim të papërvojë; koha ka qenë mjaft e shkurtër nga dita kur u vendos (më 6 nëntor) dhe ditës që duhej të bëheshin këto demonstrata më 8 nëntor... Lëshimi më i madh mendoj ka qenë moslidhja me profesorët dhe nxënësit e gjimnazit “8 Nëntori”. Kjo çështje ishte diskutuar disa herë, por nuk ishte marrë vendim i prerë. Disa mendonin se nëse Grupi zgjerohej ishte rrezik të zbulohej veprimtaria e tij, ndërsa të tjerët mendonin për pasojat që do të kishin nxënësit dhe profesorët e gjimnazit...
Nganjëherë më duket se ne u sollëm sikur e kishim pritur “Jonë” e Osman Dumoshit. Kjo tregonte se nuk ishim të përgatitur, të organizuar dhe se na mungonte guximi. Ndoshta edhe nga mospëlqimi i disa ish të burgosurve, por edhe i ambasadorit kishte bërë ndikimin e vet.
Plotësisht jam i bindur se edhe po të ishin bërë demonstratat më 8 nëntor 1968 në Podujevë, ato kurrë nuk do ta kishin jehonën e demonstratave të 27 nëntorit që u organizuan në Prishtinë, Podujevë, Ferizaj dhe Gjilan. Ndoshta, vërtet do të ishte një gabim i madh dhe i pafalshëm, dhe ndoshta një gabim të tillë s’do të na e falte historia, megjithatë, mendoj se është dashur të provohet, të përpiqemi së paku për fillimin e tyre...
E di, madje këtë edhe na e kanë thënë, se sipas disave jemi treguar të pavendosur, madje, madje edhe na kanë quajtur qyqarë e frikacakë, por, me një çiltërsi të plotë, mund të pohoj se në mëngjesin e 8 nëntorit 1968, që të gjithë anëtarët e Grupit, ashtu si edhe ditën e 27 të nëntorit 1968, kanë dalë nga shtëpia, por nuk kanë menduar se si dhe kur – pas sa vjetësh do të kthehen në shtëpitë dhe në familjet e tyre...
Në vitet e 60-ta kanë ekzistuar dy bindje: E para: Sa më shumë të burgosur aq më mirë; e dyta që të ruhen intelektualët. Në fillim bindja e parë kishte më shumë përkrahës. Të gjithë dëshironim të bëheshim Demaça e Shabana!. Por, më vonë një numër i madh i intelektualëve llapjanë nuk pajtoheshin me këtë ide, që të mbusheshin burgjet jugosllave, që edhe ashtu gjithmonë kanë qenë plotë e përplot shqiptarë.
Që nga vitet e 50-ta, edhe para se të burgosej, edhe më vonë, gjithnjë emri i Adem Demaçit u bë sinonim i lirisë... Është më se e vërtetë se brezi ynë u edukua, u formua dhe u frymëzua nga ODA e burrave – mysafirët, mësuesit atdhetarë, si Shaban Shala, emri i bacës ADEM, Radio Tirana dhe librat e ndaluar...
Sidoqoftë, përgatitja për protestën – demonstratat e 8 nëntorit i ka paraprirë përgatitjes së demonstratave të 27 nëntorit 1968, dha natyrisht, demonstratat e 27 nëntorit 1968, në Podujevë, është dashur të bëhen, por as ato të 8 nëntorit nuk është dashur të lihen.
Mbledhja 6 nëntorit dhe 24 nëntorit janë dy gjëra të pandara, e para ka mundur pa të dytën, (e dyta ishte pjellë e të parës, që do të thotë se nuk ka mundur pa të parën), dhe se pa këto dy mbledhje, nuk mund të themi se nuk do të kishte kurrfarë demonstratash në Podujevë, por organizimi i tyre më 27 nëntor 1968 do të vihej në një pikëpyetje të madhe...
Ideja e Hamit Abdullahut për një lloj proteste të zejtarëve para Burgut të Podujevës ka qenë edhe shkëndija e parë e mënyrës së shprehjes së revoltës kundër deformimeve e krimeve të UDB-së, dhe kjo ide evoluoi në përgatitjen e demonstratës së përgjithshme popullore në Llap, më 27 nëntor të vitit 1968. Pra, Hamit Abdullahu ishte dhe mbetet ideator i një i shprehjeje të pakënaqësisë, që si rezultat final u kurorëzua me demonstratën e përgjithshme popullore në Llap, më 27 nëntor të vitit 1968. Kush ishte dhe si e njoha Hamit Abdullahun? Si dhe për çka u dënua tri herë Hamit Abdullahu? Pse Hamiti dinte të thoshte vetëm “Jo ti, po unë!”
CILAT ISHIN HALLKAT E LIDHJES ME HAMIT ABDULLAHUN
Hamit Abdullahu
Kush ishte dhe si e njoha Hamit Abdullahun? U lind më 26.09.1941, në Bradash të Podujevës, tash Bardhosh të Besianës. Në pamundësi për të vazhduar shkollimin, qe detyruar që në moshën 12-13- vjeçare të fillojë zejen e berberit dhe vërtet u bë mjeshtër i zanatit të vet. Hamiti pati shumë shokë e shumë myshterinj nga të gjitha kategoritë e popullatës llapjane, që nga bujku e punëtori i thjeshtë e gjer te profesori e doktori i shkencave. Ai jo vetëm se ishte lexues i flakët i librit me përmbajtje atdhetare, por ishte edhe shpërndarës i tij. Hamiti ishte jo vetëm organizues i demonstratave të 68-s në Podujevë, por edhe flamurtar i tyre rrugëve të qytetit të Podujevës, madje edhe rrugëve të Prishtinës. Përveç gjykimit dhe dënimit, për vepër penale, si organizues i demonstratave të 27 nëntorit 1968, që u dënua me 16 muaj burgim, ai u dënua edhe dy herë të tjera, një herë për tentim të shënimit të përvjetorit të demonstratave të 68-shit dhe herën tjetër për kinse se kishte sulmuar N.N., që ishte një provokator. Hamiti burgimin e vuajti në Burgun e Prishtinës dhe të Nishit. Ishte i martuar dhe la Dritonin dhe tri vajza, Vlorën, Shqipen e Meritën dhe kurrfarë pasurie tjetër, përveç një kasolle, në të cilën jetoi dhe vdiq, dhe një shtëpi të nisur e të lënë përgjysmë, ashtu siç mbeti përgjysmë edhe vepra e tij e nisur para një gjysmë shekulli.
Ne shokët e tij, që e kemi njohur më për së afërmi, veçmas unë, nuk e kemi të lehtë të flasim e të shkruajmë për Hamitin, sepse çdo herë i nënshtrohemi rrezikut të lëmë shumëçka pa thënë për te. Është thënë se sado të zonja të jenë fjalët, ato nuk janë në gjendje të shprehin atë që ndien zemra e shpirti i njeriut. Hamitin nuk e kisha vetëm shok, as vetëm mik, e as vetëm koleg, atë e kisha më shumë se shok, më shumë se mik të shpirtit e të zemrës.
Ndonëse ka kaluar kohë e gjatë, më është i freskët takimi i parë me Hamit Abdullahun, mu sikur të ishte dje! Atë ditë të largët të 28 Nëntorit 1957, në dyqanin tonë të rrobaqepësisë erdhi atdhetari Shaban Shala, i cili më mori dhe shkuam te Klubi i emigrantëve shqiptarë, “allbanecave”, siç e quanim atëherë, i cili ishte vetëm disa metra larg dyqanit tonë. Pasi trokiti Shabani, derën na hapi një zgjatafell, me sy të vegjël të stërkuqur e zhbirues. Në murin përballë më ra në sy fotografia e një plaku mjekërbardhë dhe shqiponja e zezë dykrenore në fushën e kuqe. Shabani sikur e kuptoi habinë time, duke bërë me gisht drejt murit përballë, më tha: “Ky plaku mjekërbardhë është Ismail Qemali, që më 28 Nëntor 1912 e ngriti flamurin në Vlorë, lart është flamuri ynë kombëtar, anash portreti i Skënderbegut, kurse këto fotografi janë të tre vëllezërve Frashëri. Ai që na hapi derën quhej Toma dhe ishte një emigrant nga Shqipëria. Aty pashë një çun 15-16 vjeçar, që më vonë mora vesh se quhej Hamit Abdullahu. Ky ishte takimi i parë me Hamit Abdullahun. Kjo ishte edhe hallka e parë që na lidhi - Shabani - Klubi i emigrantëve shqiptarë - Flamuri kombëtar - portreti i Skënderbeut - Ismail Qemal Vlora dhe vëllezërit Frashëri.
Hallka e dytë ishte “Bagëti e bujqësia” e Naimit dhe “Lahuta e Malcisë” e Fishtës, pastaj “Shota” e “Hasan Prishtina” të Ajet Haxhiut, “Tradhtia” e Kapllan Kallushit e shumë e shumë libra të tjerë të ndaluar, me përmbajtje “armiqësore” që Hamitit ia dërgonte një kosovar me emrin Mursel nga Tirana, përmes punëtorëve kosovarë që punonin në Zvicër e në Gjermani, ndërsa mua më binin në dorë përmes Shaban Shalës.
Hallka e tretë ndodhi në vitin 1967, pikërisht më 16 dhjetor, kur treshi i formuar që në vitet e gjashtëdhjeta, nga mësuesi dhe atdhetari Shaban Shala, i përbërë nga Rasim Maloku, nga Bradashi dhe Sali e Ismail Zhushi, nga Sveçla, të cilëve më vonë iu kishin bashkangjitur Sali e Sylejman Babatinca, u shndërrua në një grup-organizatë unike. Në këtë grup, përveç të përmendurve bënin pjesë mësuesi Hasan Shala (i vëllai i Shabanit), Xhafer Ejupi, (arsimtar), Muharrem Restelica (postier), Abdullah Nishefci (rrobaqepës) dhe natyrisht Hamit Abdullahu që ishte njëri më aktiv, apo shtylla e grupit. Verës së vitit 1968 këtij grupi iu bashkëngjiten edhe: Hakif Sheholli (mësues) Bahri Shabani (mësues), Skënder Hoxha (mësues), Shaqir Shala (mësues), Sabit Syla (student) dhe Xheladin Rekaliu (mësues), përmes të cilit Grupi i Podujevës u lidh me Grupin e Prishtinës. Grupi i Llapit në bashkëpunim me Grupin e Prishtinës organizoi demonstratat e 68-s në Podujevë.
Hallka e katërt dhe më e fortë ishte ajo e 8 nëntorit të vitit 1968, kur tha: “Jo ti, po unë”. Ishte fjala për leximin e tekstit të protestës si kundërmiting që mendohej t’i kundërvihej mitingut të organizuar nga PKJ në Podujevë, më 8 nëntor 1968, me rastin e ditës së “çlirimit” të Llapit, e ku do të fliste dhëndri dhe megafoni i Serbisë, Ali Shukrija.
Një hallkë tjetër, hallka e fundit, që, përveç vdekjes, nuk pati forcë të na ndaj ishte ajo e lidhjes së miqësisë me dajat e mi e që unë isha bërë shkaktar i kësaj miqësie. Hamiti pati për bashkëshorte të bijën e dajës tim, Hanifen, e cila mbante emrin e nënës sime të ndjerë.
HAMITIN TË GJITHË E NDERONIN, TË GJITHË I NDERONTE
Mungesën e shkollimit Hamitit ia kishte plotësuar edukata familjare, oda, kontakti me njerëz të profesioneve të ndryshme, e veçanërisht leximi sistematik i librit me përmbajtje atdhetare. Për t’u bërë atdhetar i mirë, thuhet, nuk duhet shkollë e madhe, mjafton vullneti, dëshira dhe guximi e që nuk i munguan Hamitit. Të gjithë myshterinjtë i nderonte dhe të gjithë e nderonin, por ndaj ish- të burgosurve politikë, atdhetarëve llapjanë, duke filluar nga Mulla Ramë Govori, nismëtarit të NDSH-së dhe Ismail Ajetit-Bushit, të cilët ishin dënuar me pushkatim e burgim të gjatë, ndaj anëtarëve të Organizatës së atdhetarit Sabit Kapiti, si Nuhi Gashi, Xhafer Meta, Nexhmi Sejdiu, Ibrahim Demolli, etj., si dhe anëtarëve të LBSH-së të Adem Demaçit, Hazir Shala, Azem Beqiri, Zeqir Gërvalla etj., kishte një nderim të veçantë.
Të gjitha këto kishin ndikuar që të pajisej me virtyte, vlera e veti më të preferuara kombëtare, siç janë: besa, nderi, burrëria e trimëria, por edhe me ato universale: urtësia, dashuria, drejtësia...
Hamiti veçmas dallohej nga anëtarët e grupit me guximin, vendosmërinë, urtësinë e gjindshmërinë. Guximin e tregonte duke u shoqëruar me ish- të burgosurit politikë, me shpërndarjen e librit me përmbajtje atdhetare, për çka mund të “fitonte” disa vjet burg. I pari ndër të parët e vuri në dyqan flamurin kombëtar dhe portretin e Skënderbeut. Që në vitet e pesëdhjeta i shkroi Radio Prishtinës: “Përse nuk flisni gjuhën e Naimit, bilbilit të gjuhës shqipe”. Natyrisht letra nuk u lexua, për çka ishte dërguar, në emisionin “Lexuesit na shkruajnë”, por u përcoll atje ku përcillej çdo gjë e “dyshimtë e nacionaliste”. Që atëherë u quajt toska i Llapit. Jo vetëm se pranoi që mbledhja e 24 nëntorit 1968, ku definitivisht u vendos të organizoheshin demonstratat e 27 nëntorit në Podujevë, të bëhet në shtëpinë e tij, por edhe mori pjesë në përgatitjen e parullave, dhe me Flamurin kombëtar në dorë iu priu demonstratave jo vetëm rrugëve të Podujevës, por edhe atyre të Prishtinës.
Se vërtetë ishte i gjindshëm tregon ideja e shpikjes së letrës anonime, të cilën organet e hetuesisë e kishin “ngrënë” siç thoshte shpesh e që ishte një ide shumë e qëlluar dhe e mençur. Ajo letër “shkëputi” lidhjen me mbledhjet e mëparshme organizative, po ashtu edhe me Grupin organizues të Prishtinës. Letra ia rëndoi akuzën Hamitit, por lehtësoi akuzën ndaj Adili Pirevës, Xheladin Rekaliut dhe Ilaz Pirevës, por edhe për të gjithë anëtarët e Grupit të Podujevës ishte një lehtësim i madh, meqë ishte marrë si e vërtetë se ideja, që edhe në Podujevë të bëheshin demonstratat, kishte lindur nga kjo letër, dhe aty për aty.
Po si kishte lindur kjo ide? Vërtet prindërit na kishin mësuar të jemi të drejtë, të ndershëm dhe gjithmonë ta flitnim të vërtetën, vetëm të vërtetën, po të shkohej edhe koka, mirëpo jeta, përvoja, na impononte diçka tjetër.
“Në mbledhjen e 24 nëntorit më lindi ideja e letrës anonime, por derisa ngjitesha shkallëve për te hetuesi, m’u kujtuan fjalët e imamit tonë, si e quanim Mulla Ramë Govorin, armikun rreje, hedhja derisa s’ta ka hedhur ai, sepse edhe Kurani i madhërueshëm na porosit që ndaj të pabesit s’ka besë”, tregonte Hamiti. Edhe tubimi në shtëpinë e tij kur u mbajt mbledhja vendimtare për organizimin e demonstratave, kinse për të përgëzuar hyrjen në shtëpi të re, ide shumë e qëlluar e tij. Hamiti në asnjë ide, asnjë propozim nuk ngutej të jepte përgjigje. Mendonte, e peshonte mirë e mirë, andaj fliste. Më kujtohet një ditë, nuk di se cili nga anëtarët e grupit propozoi: Të shkojmë kështu siç jemi të punojmë në ndërtimin e xhamisë së re, që ndërtohej ato ditë në Podujevë. Një tjetër tha: Po, pse jo, kur dihet se këtu në Kosovë vetëm shqiptarët ndërtojnë xhamia. Tjetri shtoi: Kurrsesi nuk vjen në konsiderim, derisa në shtetin amë po i rrënojnë kishat e xhamitë e ne këtu të ndërtojmë. Hamiti, pasi dëgjoi të gjithë, tha ta pyesim njëherë imamin tonë (ishte fjala për Mulla Ramën). Ashtu edhe bëmë. Mulla Rama na u përgjigj shkurt: Xhaminë pa shybe do ta mbarojnë ata që e kanë nisur, e ju kryejeni atë shkollën që e keni nisur. Ishte fjala për shkollën në Lupç që u nis dhe nuk përfundoi kurrë. U pengua nga strukturat politike të asaj kohe, meqë nisiatorë ishin ‘nacionalistët’ Adil dhe Ilaz Pireva, dy nga organizuesit kryesorë të demonstratave të 68-shit.
Në verën e vitit 1992, i tregova Hamit Abdullahut se jam duke u përpjekur të hedh ne letër disa kujtime të 68-ës. Shumë mirë po bëjshe, më tha. I kërkova të më ndihmoi edhe ai dhe shokët e tjerë. Hamiti ka pasur një kujtesë vërtetë të fortë.
"Shumica me të cilët kam biseduar para demonstratave, më janë përgjigjur pozitivisht. Kishte disa që disi ishin indiferent, sikur të mos kishte të bënte fare me ta, por një pjesë besa edhe haptas ishin kundër. E di se shumë prej politikanëve nuk na kanë dashur, por as nuk na kanë urryer. Më duket se më shumë u pëlqente se sa ishin kundër, kjo fare lehtë vërehej në sjelljet e tyre. Më dukej se gjithnjë na shikonin me një simpati. Kështu më dukej atëherë e kështu mendoj edhe sot. Gjithnjë e kam parasysh Ramush Ramën, atëherë kryetar i Komunës së Podujevës. Ai, edhe pse mundohej të tregohej shumë i ashpër, unë disi vëreja njëfarë nënqeshjeje në fytyrën e tij, dhe më dukej sikur na inkurajonte, në stilin unë po bëj punën time e ju bëni tuajën", rrëfen Hamit Abdullahu.
Ia përkujtoj një mbrëmje në korzonë e Podujevës, derisa shëtitnim, ishim 10-12 veta me koka të qethura, një bashkëvendës i tij, kishte thënë: "I sheh këta, pa flokë, me koka të qethura? Unë do t'ua hiqesha kokat, jo flokët!"
"Po, po, por ai ishte një kurrkushi, edhe pse më vonë pati marrë funksione të larta në komunë, kam një bindje se asnjëri nga udhëheqësit komunal nuk do të mendonte kështu", shtoi Hamiti, atë ditë korriku 1992. Më dukej se kishte të drejtë.
NJË UDHËTIM PLOTËSISHT NË HESHTJE
Gjatë viteve të 70-ta, për çdo ditë, udhëtoja me veturë për në Prishtinë. Një mëngjes vjeshte, herët, Ndue Selmani, më bëri shenjë me dorë që të ndalem. Edhe atëherë edhe sot mendoj se nuk më kishte parë mirë, ishte një mëngjes i ftohtë, xhamat e veturës ishin mjegulluar, se përndryshe nuk do të hipte në një veturë me mua. Po sa e kalova urën mbi lumin Llap, vërejta Hamitin, i cili në vitet e 70-ta punonte në Lluzhan. E ndala veturën dhe ia hapa derën e prapme. Hyri duke thënë një mirëmëngjesi. Vetëm pasi u ul vërejti bashkudhëtarin tjetër. Të kishte qenë ndonjë tjetër, në vend të Hamitit me siguri do të befasohej, ndoshta edhe do të reagonte në njëfarë mënyre, por Hamiti ishte Hamit, e të tillë ka pasur pak në Llap. Asnjë fjalë, që të tre heshtnim, dhe që të tre, isha i sigurt se në mendje na silleshin ngjarjet e vitit 1968 e 1969, demonstratat dhe dënimet. Ndue Selmani, asokohe kishte qenë kryetar Gjykatës në Podujevë dhe ai e kishte dënuar Hamitin (më së rëndi), pastaj Hakifin dhe Sabitin. Por rruga deri në Lluzhan na kaloi plotësisht në heshtje. Vetëm pasi zbriti Hamiti, Ndue ia zgjidhi grykën thesit. Të them të drejtën më befasoi. Edhe se si ia filloi të flasë, gjë që nuk e prisja fare, por edhe më shumë për atë që tha.
"E di se nuk do të më besosh, por edhe ti edhe unë e dimë se nuk kam kurrfarë nevoje të të arsyetohem. Edhe atëherë edhe sot mendoj se e kanë pasur gabim. Më janë dhimbsur mu si djemtë e mi!!! Edhe Hamiti edhe ai Sheholli, por më së shumti ai studenti (ishte fjala për Sabiti Sylën)". Kështu filloi të arsyetohej Ndue Selmani. Nuk e dija përse, as sot nuk e kam të qartë, çka i duhej ajo. Ai sa di unë kishte ardhur në Podujevë nga fundi i viteve '50 apo në fillim të viteve '60. Një kohë kishte kryer funksionin e sekretarit të Komunës. E tregonin shumë të rreptë e të disiplinuar, në punë dhe në familje. E tregonin si gjëja komunist me bindje shumë të forta marksiste-leniniste.
TAKIMI I FUNDIT, VETËM 7-8 DITË PARA SE TË VDISTE
Dëgjova se Hamiti kishte shkuar nga spitali për fundjavë në shtëpi, dhe shkova ta vizitojë në shtëpi në Podujevë. Kujt do t'i shkonte mendja se ky do të ishte takimi i fundit me mikun dhe shokun më të ngushtë të jetës sime. Edhe pse e dinim deri diku se nuk e kishte të gjatë, prapëseprapë as ne shokët e tij, as familja e ngushtë nuk i kishim humbur krejtësisht shpresat, besonim dhe shpresonim në të pamundshmen ashtu siç dëshironim shërimin e tij.
Më kujtohet se sot biseda e zhvilluar, po sikur ta parandienim që të dy se kjo do të ishte biseda e fundit. Çuditërisht, bisedën e filluam nga takimi i parë në Klubin e emigrantëve shqiptarë, për ta vazhduar pastaj në takimet në odën e Bajram Babatincës, për të arritur në takimin e fundit që asnjeri nuk e mendonim se do të jetë i tillë. Ishte kjo një retrospektivë nëpër ngjarje e ndodhi. Hamiti vërtetë ka pasur një kujtesë shumë të forte. Me gjithë sëmundjen e rëndë, që ia kishte dobësuar shumë shëndetin dhe të parit, për çudi mendjen e kishte shumë të kthjelltë!
Se si iu kujtua një natë në odën e Bajram Babatincës. Kishim fjetur. Diku pas mesnate na e nxori gjumin një trokitje e derës së oborrit. Doli Syla dhe ia çeli derën mysafirit të paftuar. Ne dëgjuam një zë paksa të shterur që i drejtohej Sylës: "Shko thirrma babën se dua t'i kërkoj falje!" Ç'ishte kjo falje? Kush ishte ky? Më vonë kuptuam se ishte fjala për një emigrant nga Shqipëria që quhej Frrok e që ishte vendosur te një serb, fqinj i Babatincëve. Ai Frroku kishte pasur për detyrë nga UDB-ja të spiunojë të gjithë Babatincët, veçmas odën e Bajramit. Atë natë ishte i dehur dhe kishte ardhur t'i kërkojë falje Bajramit për detyrë shumë të rëndë nga UDB-ja jugosllave që nuk paska pasur qare pa e pranuar. Atë mesnate kishte vendosur t'i tregonte të gjitha ato që nuk po e lenin të qetë! Dëgjoheshin fjalët: "Unë jam i poshtër, i poshtër jam xha Bajram, spiun jam, unë dua ta vras veten, dua ta lajë poshtërsinë time". Vazhdonte të betohej se kurrë nuk do ta bënte atë që ia kishte bërë një tjetri. Po cili ishte ky tjetri?!
Më vonë patëm mësuar se ai kalonte kufirin për çdo javë me porosi të caktuara se ç'duhej të bënte, derisa përgatitej për të kaluar në Perëndim. Madje ai Frroku kishte sjellë "Lahutën e Malcisë". Më kanë mbetur në kujtesë fjalët që ia thoshte Bajramit. "Unë jam bushtër që ha këlyshët e vet, unë s'jam njeri...".
"Nuk turpërohem për asgjë që kam bërë, turpërohem që nuk e kam bërë atë që është dashur ta bëjë ndoshta vetëm me një përpjekje më të madhe. Kemi mundur të bëjmë edhe më shumë, edhe para edhe pas 68-ës. Mendoj se ato demonstratat e 8 nëntorit, apo kundërmitingu për Ali Shukrinë është dashur të bëhet. Natyrisht edhe demonstratat e 27 nëntorit 1968 nuk është dashur të lihen", ishin fjalët që m'i tha vetëm disa ditë para se të vdiste Hamit Abdullahu dhe duket se ai kundërmiting proteste ishte pengu i tij.
Hamiti pati një sëmundje të rëndë e të gjatë. Ishte një sëmundje e pashërueshme. Të gjithë e dinim se nuk e kishte të largët vdekjen. Nuk e di ishte i vetëdijshëm për sëmundje çfarë e kishte apo shtihej gjëja nuk e dinte.
Por Hamiti kudo u shqua për stoicizëm. Këtë e dëshmojnë edhe shokët e burgut, edhe motrat medicinale që u kujdesën për të në spital të Prishtinës, edhe e shoqja, që nuk iu nda për asnjë çast gjer në vdekje, në korrik të vitit 1996.
KUFIRI SHQIPTARO-SHQIPTAR, BLLACË 6 PRILL '99
Hamit Abdullahu nga natyra ka qenë shumë optimist. Kurrë, për asnjë moment nuk ka dyshuar në lirinë e Kosovës. Ku e mbështeste optimizmin Hamit Abdullahu se e ardhmja shpejt do të jetë jona? "Ku ishim dihet, ku jemi po shihet, por e ardhmja do të jetë jona, shpejt do të vërtetohet", thoshte Hamiti. Shpesh e përsëriste, fare nuk është e rëndësishme se e presim apo nuk e presim, meqë ajo është e sigurt, ajo do të vijë o me ne o pa ne. Të gjitha këto m'u kujtuan më 6 prill të vitit 1999 në kufirin shqiptaro-shqiptar, në Bllacë. Një natë më herët mu shfaqën në ëndërr Hamit Abdullahu e Xheladin Rekaliu dhe gjyshi im Behram Nishefci, eshtrat e të cilëve kishin mbetur atje prej nga ishin dëbuar me dhunë dhjetëra mijë shqiptarë. Tërë ditën, për asnjë moment, nuk munda t'i largoj nga mendja. Sikur më thoshin: "Ku po shkon?! Ku po e le Kosovën?!"
Kjo ëndërr nuk më hiqej nga mendja. A thua çfarë mbiemri do të kenë fëmijët dhe nipat e mbesat e mi? Besiani, Besiana, Rroni, Vendona, Zgjimi, dhe dy të tjerë që pritnin ardhjen në këtë fundshekulli, i cili kishte filluar dhe po përfundonte me përmbytjen e shqiptarëve, me rrugëtimin e gjatë biblik. Më shkonte mendja se a do ta ruanin si kujtim të vendlindjes mbiemrin Ballofci, Podujeva, Llapi, Prishtina, apo Kosova, ashtu siç e kishte ruajtur stërgjyshi im mbiemrin Nishefci, nga një fshat afër Nishit. Thonë se historia nuk përsëritet. S'qenka e vërtetë… Gjithçka mund të përsëritet... Ajo që u bë një herë do të përsëritet, ajo që u krye një herë do të kryhet përsëri. O Zot, mund të jenë të vërteta këto? A mund të përsëritet pikërisht ajo që na kishte ndodhur në shekullin e kaluar ne shqiptarëve? Jo, jo dhe jo, më thoshte një zë nga thellësia e shpirtit dhe se si më mu kujtuan fjalët e Mulla Ramë Govorit: "Ai që nuk beson se ne shqiptarët nuk do të fitojmë është rrezik se do ta humb edhe imamin (besimin)".
Edhe sot në këtë 40-vjetor të demonstrative të vitit 1968 sa herë që kaloj aty pranë librarisë "Rilindja" në Podujevë, vizavijë parkut të qytetit, ku kemi kaluar kohën më të mirë të rinisë së hershme, më bëhet sikur e shoh Hamit Abdullahun.
Zgjodhi për publikim:Agim Vuniqi
Marë nga tschameria
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Sot, 46 vjet nga demonstratat e vitit 1968 në Kosovë
» Arsim Mulliqaj:Në Pranverën e vitit 1981 e njofta për herë të parë Kosovën, tash 30 -të vite më parë
» Halit Elshani: Disa kujtime lidhur me organizmin dhe zhvillimin e demostratave të vitit 1968
» Si u prit Enver Hoxha nga Tito 68 vjet më parë (Video)
» Hafiz Gagica:23 vjet më parë
» Arsim Mulliqaj:Në Pranverën e vitit 1981 e njofta për herë të parë Kosovën, tash 30 -të vite më parë
» Halit Elshani: Disa kujtime lidhur me organizmin dhe zhvillimin e demostratave të vitit 1968
» Si u prit Enver Hoxha nga Tito 68 vjet më parë (Video)
» Hafiz Gagica:23 vjet më parë
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi