Vullnet Mato: DREKA E FSHEHTË
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: DREKA E FSHEHTË
Vullnet Mato
DREKA E FSHEHTË
Fragmenti – 7 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”
Ajri i vakët paralajmëronte se pranvera, që luante me klimën e Tiranës siç i donte qejfi, kishte filluar para kohe ta ngrohte vendin gjithandej. Faqet e malit të Dajtit kishin marrë tani pamjen e gjelbëruar, deri aty në krye, ku hapësirën e malit e sundonin shkëmbinjtë e thepisur të antenës së madhe të televizionit.
E diela tjetër erdhi shpejt dhe në takimin e përjavshëm me Almën, Reiti kishte menduar t’i bënte një surprizë. Ai bleu një pulë të pjekur, një shishe verë të kuqe, ca djathë dhe ca mollë. Kësisoj, jo vetëm mund ta shtynin disi kohën e kënaqësisë, por madje edhe mund të vinin paksa në qejf. Ai kishte vënë re se vera ndikonte ndjeshëm në eksitimin e tij, për të qenë në lartësinë që dëshironte një vajzë e re, me pasion të etur për dashuri, siç ishte Alma. Duke parapëlqyer kësisoj vetëm efektet ushqimore, në vend të Viagrës së zbuluar së fundi. Madje atë medikament çudibërës, Reiti as nuk e kishte provuar, për shkak të efekteve jonormale dhe të frikshme që kishte dëgjuar për të.
Ai shtroi tryezën në kuzhinë, duke i vendosur me kujdes të gjitha takëmet e ngrënies dhe të pirjes. Pastaj i mbuloi pjatat me një pecetë të madhe, për të bërë një zbulim të papritur në çastin e ardhjes së saj.
Si të gjitha herët, Alma e gjente derën pa çelës. Vetëm sa të ulte dorezën dhe do të gjendej befas përballë Reitit që numëronte minutat.
Sapo shkëmbyen puthjet e rastit dhe ajo la pardesynë në varësen e korridorit, Reiti e mori përkrahu për të shkuar në kuzhinë.
- Si parantezë, desha të pyes, ke qejf të pish diçka?
Alma hodhi një sy mbi tryezën e mbuluar dhe ngriti kryet duke vënë buzën në gaz me kureshtje.
- Çfarë konkretisht?
- E pi verën?...
Ajo qëndroi një çast pa lëvizur. Pastaj pohoi me kokë dhe tha:
- Deri në një farë mase...
- Mund të pish sa të duash. Kam përgatitur diçka të thjeshtë, sa për ta shtyrë ditën e sotme pak më ndryshe, – i tha ai duke hequr mbulesën befas nga pjatat dhe gotat.
Alma gazmoi në çast dhe iu kthye:
- Ooo, po pse s’më the edhe mua, ta kishim përgatitur bashkë?...
- Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Po eja të ngremë një dolli të thjeshtë për miqësinë tonë të madhe!... – e ftoi me një buzagaz të hareshëm, që filloi t’i binte nga fytyra ngadalë, sapo u kujtua për shtatzëninë e asaj.
- Pse jo për dashurinë tonë të madhe?! – u habit ajo duke zënë vend në karrige.
- Fjala vjen, sepse miqësia e madhe midis dy sekseve e ka dashurinë brenda nëntekstit, - shpjegoi ai duke mbushur gotat nga shishja që ia kishte hequr tapën qysh më parë.
Alma mori gotën e saj e para dhe e ngriti lart, duke nxituar të bëjë korrigjimin:
- Hajde ta pimë për dashurinë tonë të madhe! –ngulmoi ajo krejt buzagaze. Trokiti gotën me të tijën, piu një gllënjkë dhe lëpiu buzët e kënaqur.
- Atëherë, për dashurinë dhe për ty që je lulja e dashurisë! – i tha ai dhe e vështroi me një ëmbëlsi të vagëlluar.
- Për të dy, – ia ktheu ajo hazërxhevap.
Pinin dhe putheshin herë pas here, duke i përskuqur buzët e njëri - tjetrit me verë. Pak nga pak shishja u pi e tëra dhe të dy kishin ardhur tejet në qejf, për tu turrur drejt shtratit të magjishëm.
Por ndryshe nga herët e tjera, sot vera e kishte shtuar nxehtësinë në trupat e tyre dhe i bëri të avullojnë përmbi njëri - tjetrin, në një ekstazë marramendëse.
Sapo kishin mbaruar aktin e çiftimit të zakonshëm te shtrati i martesës së tyre ilegale. Dhe Alma krejt e ngazëlluar qëndroi e heshtur një copë herë, duke i mbajtur sytë mendueshëm nga tavani. Pastaj ajo i tha Reitit:
- Tani e kuptoj fare mirë, përse pasi ndërroi sistemi, ca vajza largohen nga familja, bëhen prostituta, apo kërkojnë të ikin jashtë vendit. Njëlloj sikur të ishin ca kafshëza që ia mbathin sapo i nxjerrin nga kafazi. Vetëm e vetëm që të ndjejnë se janë gjallë, pa çarë kokën për anën morale të çështjes. Tani unë ndjej se jam gjallë. Ndjehem se jam në aktivitetin e plotë të gjinisë sime. Dhe kjo gjendje në të cilën ndodhem, është pjesë e qenies sime femër, që më ka munguar prej kohësh.
- Si ta kuptoj këtë, Alma? Vërtetë kaq e rezervuar të kesh qenë ti deri tani? – e pyeti Reiti ndonëse gjetkë i rrihte çekani i trurit.
Ajo ktheu sytë anash, sikur të mos ndodhej aty, duke u çlodhur krejt lakuriq pranë një burri gjithashtu zhveshur. Vera kishte zhdukur jo vetëm ndrojtjen, po edhe petkat që fshihnin bukurinë e mishtë.
- Mund të kisha pasur më shumë dashnorë nga ç’kam vite në jetë. Por unë gjithnjë kam besuar se nuk mund të bëhet dashuri, përveçse me atë njeri që ta do shpirti vërtetë. Mandej jam rezervuar edhe nga mjedisi ynë i vrazhdët që dikton vetëfrenimin. Dhe që ligjëson në heshtje, se çdo veprim i justifikuar si nevojë fiziologjike për mashkullin, është i turpshëm për femrën. Ka vite që kam vënë re se këtu tek ne bëhen mjaft përpjekje dhe presione moralizuese nga opinioni shoqëror. Është kërkuar gjithmonë që femra të punojë si mashkull, të përdorë armën si mashkull dhe mundësisht të jetë me hormone mashkullore. Por ç’e do, se natyra na ka pajisur ne krejt ndryshe. Na ka krijuar për një mision ndoshta më të rëndësishëm se burrat. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe vuajtja jonë kaq e zgjatur si femra.
- Pse, nuk i di unë këto? – i tha Reiti sërish me një ton të butë e të ngrohtë.
- Sigurisht që i di, se ti je profesori im. Po nuk i ke provuar në shpirtin tënd ato vuajtje që shkakton mohimi i identitetit femëror.
- E thua me tërë mend, se ti ke vuajtur gjatë për identitetin tënd femëror? – e pyeti Reiti me habi.
- Kam vuajtur, madje shumë nga kërkesat e moralit të kohës. Kur isha e vogël më frenonin gjithmonë. Thoshin se isha shumë e hedhur, se duhet të përmbahesha në afrimet me djemtë. Të mendoja kurdoherë se çdo të thoshin njerëzit për mua. Dhe atëherë thosha me veten time, se mbase kur të rritesha do të ndryshonte gjendja. Nuk do të më pengonin që të bëja një jetë të varur kryesisht prej arsyetimeve personale dhe autokontrollit.
- Megjithatë, siç ke thënë vetë, ti nxitove të martoheshe ende pa mbaruar mirë studimet, – e ndërpreu Reiti.
- Nxitova, se s’kisha rrugë tjetër. Prandaj dhe gabova që u lidha me atë që u bë për pak kohë bashkëshorti im. Në fillim m’u duk se ai dallonte nga të tjerët. Se ishte njeriu që kisha pritur aq kohë. Dukej se i njihte njerëzit dhe i kuptonte gratë. Pra, do të më jepte mundësinë të rroja siç desha. Por doli se ishte më i paformuari nga të gjithë. Një mendjelehtë e kapadai i zakonshëm, që nuk arrita ta dua, sepse ai kujtonte se jeta ishte një arenë aventurash, për t’i ndërruar femrat sipas rastit dhe vendndodhjes, pa asnjë shkak...
- Ndoshta duhet ta largosh mendjen prej tij, që të mos ndalesh tek një fiksim negativ.
Ajo heshti një grimë dhe u kthye nga Reiti me sytë paksa të mjegulluar, që e bënin më të dashur e më tërheqëse.
- Po, kot t’i tregoj ty të gjitha këto?... Unë tani jam kthyer me plot shpresa të ringjallura te dashuria ime e vërtetë. Ndjej tamam se jam lidhur shpirtërisht dhe fizikisht me njeriun, që ka qenë për mua idhulli burrëror gjatë gjithë kohës.
Reitit i pëlqyen mjaft arsyetimet e saj të pjekura dhe e kundroi me sy të zmadhuar tej masës. Duke konstatuar se ajo ruante rrjedhshmërinë logjike, ndonëse kishte pirë pak si tepër për një femër.
- Bukur fort. Fjalë tejet të mençura nxore sot nga goja jote. Por desha edhe të di, ti, Alma, e quan diçka të drejtë të rritësh një fëmijë të paligjshëm? - u interesua enkas për problemin, ku atij i kishte mbetur shigjeta e trurit.
Alma heshti një copë herë, për ta formuluar përgjigjen e saj së pari në tru. Dhe tha pas pak:
- Një grua s’e ka të lehtë të mbajë në krahë një “kopil” apo “doç”, siç e quajnë me përçmim njerëzit. Në këtë vend është e pamundur të bësh një jetë personale të lirë. Çdo gjë intime personale këtu shkelet me këmbë, shkatërrohet pa mëshirë. Por unë tani e tutje dua të jetoj duke e shpërfillur opinionin e vjetruar. Dhe gjykoj me kënaqësi, se një kopja jote e freskët, do t’i jepte jetës sime të gjithë kuptimin e vërtetë të ekzistencës, si krijesë femërore krejt e pavarur nga realiteti ku jetojmë.
- Po më habit, ky pasioni yt i zjarrtë për të bërë fëmijë patjetër! – i tha Reiti duke ruajtur gjithnjë maturinë e vet.
- Nuk është vetëm i imi. Por i të gjitha krijesave femra të kësaj bote. Te dritarja ime ka thurur fole thuprash mbi antenën e televizorit një kumuri e bukur. Ajo qëndron gjithë ditën e gjithë natën sipër vezëve për të nxjerrë zogjtë e saj. Shiu binte para dy ditësh me rrëmbim. Ajo lagej dhe dridhej nga të ftohtit, por nuk largohej nga vezët e veta. Shpendët e tjerë fluturonin gjithë ditën, cicëronin me hare dhe endeshin nëpër pallate në kërkim të ushqimit. Por kumria qëndronte aty, sipër krijesave të saj të ardhshme. Cila forcë është ajo që e bën femrën të sakrifikojë deri në vetëmohim për të nxjerrë në dritë krijesat e veta?... Natyrisht, urdhri i krijuesit të përgjithshëm i shkruar në gen. Shumë njerëz e harrojnë këtë mision të përjetshëm të femrës tek të gjitha qeniet e gjalla. Dhe habiten pse ajo e dëshiron me pasion të zjarrtë dashurinë që sjell pjellorinë dhe bën çmos të thyej pengesat...
- E marr me mend, – i tha Reiti
- Asgjë s’mund të marrësh me mend, kur si të gjithë burrat, nuk i ndjen me atë ngasje të brendshme që i ndjen e i dëshiron femra. Për ne kjo është një dëshirë që vjen vetiu. Një mëngjes çel sytë dhe ndjen se diç s’të lë rehat përbrenda. Sheh veten në pasqyrë dhe krejt befas tronditesh, sepse shëmbëlltyra jote të ngjan e huaj. Një trup e një fytyrë që e ke parë tërë jetën, e që nuk e ke parë asnjë herë me të vërtetë. E prek veten me dorë dhe ajo gjithnjë vazhdon të jetë e huaj, sepse nuk je gruaja që duhet të jesh gjenetikisht. Atëherë arrin të marrësh me mend se me trupin tënd, tërë jetën s’ke bërë gjë tjetër, veçse ke pritur duarlidhur të ndodhë diçka e madhe. Diçka që ia vlen vërtetë të jetosh. Dhe kur kupton se koha ecën pa u ndalur, papritmas të lind një dëshirë e shfrenuar, e çmendur. Dëshira që të dalësh në rrugë krejt lakuriq, të takosh një mashkull e të lindësh me të një fëmijë. Pra, të lindësh në këtë botë tërë qëllimin dhe gëzimin e plotë të jetës tënde si femër...
- Me çdo person që mund të gjesh në rrugë? – e qesëndisi Reiti enkas, duke e vështruar në sy me habi.
- Fjala vjen. Se edhe po të të kenë mallkuar “Mos i zbërtheftë pantallonat mbi ty asnjë mashkull në botë”, siç i tha njëra që u grind me një fqinjën tonë të kaluar në moshë, prapë burra në rrugë nuk mund të kapësh kurrë.
- Thashë se mos kushedi !...
- Eh, po të ishte për të bërë fëmijë me çdo mashkull, unë e kisha bërë menjëherë edhe me atë që më la në mes të rrugës. Por u frenova me qëllim që ta testoj për ca kohë, nëse e meritonte vërtetë të ishte babai i fëmijëve të mi. Po ta lëmë mënjanë dezertorin e martesës sime të parakohshme. E patëm fjalën te domosdoshmëria e femrës për të qenë në lartësinë ku e ka vendosur krijuesi i saj. Se vetëm atëherë ajo mund të arrijë të ndjejë edhe vetë thelbin e kuptimit të asaj që është si qenie. Kjo është dhe arsyeja, që kohët e fundit unë kam ndier ethshëm nevojën për të pasur një fëmijë. Për të pasur privilegjin e madh të të qënurit nënë...
- Pra, sipas teje, unë meritoj të jem babai i fëmijës tënd, edhe duke qenë ilegal?... - shqeu sytë ai.
- Ti dhe vetëm ti, - shpërtheu ajo me një vendosmëri të paepur dhe me një vështrim plot adhurim. -Askush tjetër nuk mund të bashkojë zinxhirin e ADN-së së tij me timen. Sepse askënd tjetër nuk lejoj të arrijë deri te zemra ime, që vendos krijimin e frytit të dashurisë... Pastaj ilegal apo legal, krijesa do të jetë një fakt i gjallë i dashurisë sime të madhe për ty, një monument i përjetësimit të saj. Të tjerat kanë pak rëndësi për mua...
- Dhe këtë e thua me bindje të plotë e të peshuar mirë?
- Ndoshta ti më quan një femër mendjelehtë. Po asnjë vajzë nuk do ta kishte bërë atë që bëra unë, të merrte guxim për të ringjallur një dashuri nga thellësitë letargjike të adoleshencës. Por kjo ndodhi sepse gjatë gjithë shtegtimeve të mia nëpër vite, unë nuk kam pushuar as dhe një ditë së menduari për Reit Radomin. Dhe kurrë ndonjëherë s’kam qenë e lidhur pas dikujt dhe kurrë s’kam për të qenë ndonjëherë kësisoj.
Reiti vijoi ta kundronte me sy të shajnitur, këtë përfaqësuese të mençur të seksit femëror. Për ndjenjat e fuqishme të saj dhe mendimet e sakta që ajo nxori nga një kënd i pa vënë re më parë prej tij, e frymëzuar sot nga vera. Dhe mendoi: U duk kjo punë dreqi, mua do të më marrë historia e turpit me kapakë të zinj. Si prototipin e profesorit të marrosur që bëri fëmijë të paligjshëm në pleqëri... Por nuk ishte e lehtë t’i shmangesha, sepse isha kali që u kapa me lakun biologjik të dashurisë dhe duhej patjetër të shija në lëmin e saj...
Pastaj pak nga pak, duke e soditur Almën në profil, ai e puthi dhe nxitoi t’i thotë me një nënqeshje vlerësuese:
- Ti, Alma, je personalitet!
- Jo, jam vetëm femër e vërtetë, – ia ktheu ajo me ton të prerë.
- Si femër je absolute, por është tjetër të jesh femër e vërtetë dhe tjetër të jesh femër e mençur, me të cilën ke dëshirë të bisedosh.
- Meqë e thua ti, atëherë ndjehem tejet e vlerësuar, mbasi me ty nuk e ka të lehtë të bisedojë çdo femër.
Ai u zgjat e puthi sërish dhe duke e vështruar ngultas, i tha ëmbëlsisht:
- E di ti, Alma, që je edhe shumë e bukur?
Ajo gazmoi e tëra dhe iu ndriçua krejt fytyra.
- Edhe ti je burrë i bukur, je artist filmash. As më thua, sa vajza të bukura ke lënë me barrë?
Reiti shqeu sytë.
- Asnjë.
- S’ka mundësi, të jesh kaq i pashëm dhe kaq hamshor si ti, e të mos ua kesh mbushur barkun ca vajzave të reja, që të kanë lakmuar gjithmonë! – i dha gojës më tej ajo e nxitur nga pija.
- Asnjë për be.
- As mua?!...
- Ti po thua, unë s’di gjë.
- Do që të ma shohësh barkun sa një fuçi, pastaj të besosh? – qeshi me kërcëllimë ajo.
- Tani dua të shoh vetëm ty.
- Ja ku më ke, më shih dhe ngopu!
- Të shoh dhe je shumë e bukur!...
- Varet nga syri yt që më sheh me dashuri, – ia ktheu ajo me një shpërthim të beftë pasioni.
- Të shoh dhe s’kam të ngopur, – foli ai thjesht për inerci të fjalëve.
- Ngopu, pra, të them! – i thirri ajo me ton urdhërues dhe iu hodh sërish përsipër, si shqiponja që sulmon prenë e saj nga lartësitë qiellore. Dhe e lëshoi vetëm pasi e kishte shpupluar të tërin.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Vullnet Mato: N Ë S E ...
» Vullnet Mato: Z E M Ë R G U R I
» Vullnet Mato: G A F O R R J A
» Vullnet Mato: L O D Ë R T A R I
» Vullnet Mato: MOS MË IK !...
» Vullnet Mato: Z E M Ë R G U R I
» Vullnet Mato: G A F O R R J A
» Vullnet Mato: L O D Ë R T A R I
» Vullnet Mato: MOS MË IK !...
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi