Vullnet Mato: TELEFONATA DHE TAKIMI I FUNDIT
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: TELEFONATA DHE TAKIMI I FUNDIT
Vullnet Mato
TELEFONATA DHE TAKIMI I FUNDIT
Fragmenti i – 9 – nga romani “MARRËZIA E MADHE”
Ra shi tri ditë resht. Të katër horizontet ishin mbyllur nga shtresat e reve bojë hiri e diku si të lara me argjend, që dyndeshin me nxitim. Ndërkohë në faqet e malit të Dajtit la gjurmë të lehta një borë e imët, nga ato që shkriheshin brenda ditës. Kishte shumë lagështirë nëpër udhët e Tiranës. Në sipërfaqet e ndritshme të pellgjeve pasqyrohej vetëm qiell i murrët dhe rrugicat ishin gjithë llucë. Shto këtu, edhe shiun e plumbave qorr, që, duke u përzier me shiun natyral, e bëri akoma më të pamundur daljen e njerëzve përjashta.
Ditën e katërt, Reiti u kujtua se gjatë ditëve të fundit e kishte harruar Almën, ndonëse i dhënë i tëri pas punës kishte harruar edhe vetveten. Ai s’kishte pasur asnjë sinjal nga ajo. Po as vetë nuk i telefonoi, duke menduar se mund të kishte ende probleme kurimi, apo ndonjë kontroll mjekësor pas dështimit. Ndoshta ajo edhe mund të rezervohej, për të mos rënë në kontakt, derisa të stabilizohej plotësisht. Megjithatë, ai sot bëri mend t’i telefononte patjetër, sapo të afrohej koha kur ajo dilte nga mësimi.
Por shqetësimi i Reitit i davarit para kohe. Rreth orës një e gjysmë Alma i ra celularit përpara tij.
- Më ka marrë malli shumë, shumë... – përcolli ajo fjalët e para plot pasion. – Më është dukur sikur ka kaluar një shekull që nuk jemi parë. Po nuk jam bërë e gjallë, se nuk më ka tepruar kohë fare. Kemi pasur punë të ngjeshur me nxënësit mbetës dhe me përgatitjen e dokumentacionit për mbylljen e semestrit.
Atë çast, ankthi për shëndetin e saj, që e pati munduar deri pak më parë, iu duk Reitit krejt qesharak.
- Malli ka qenë i dyanshëm dhe gëzohem që nuk ke pasur probleme të tjera, – ia ktheu ai shkurt paksa i lehtësuar.
Alma qeshi. Tingëllimi gazit të saj në membranën e celularit pati një kërcëllimë të fortë te veshi i Reitit.
- Andej nga të ka shkuar mendja ty, jam “Grand form”dhe e gatshme sapo të lirohem nga punët...
Reiti qeshi me intuitën femërore të saj. Ndonëse nuk ia tha me atë qëllim, ajo la të kuptohej se i punonte truri, si e si të vihej sa më parë në funksionin e gruas.
- Ky është edhe një gëzim tjetër, – ia bëri qejfin ai.
Ajo heshti një grimë.
- Ti vërtetë më ke pritur ?...
- Vetëkuptohet.
Një e qeshur e largët.
- Atëherë, do të kesh mirësinë të më thuash ditën dhe orën kur mund të jesh i lirë këtë javë, - e pyeti ajo me atë gatishmërinë dhe vendosmërinë e saj agresive.
Reiti mbeti mëdyshas dhe heshti një grimë. Sa e shkathët që është, mendoi... Ai ndjeu befas varësinë e mëtejshme nga pushteti i saj femëror, duke ditur se kur një burrë dashuron një të re, është ajo që e komandon verbërisht dhe pati një stepje paksa të çuditshme. Arsyetoi në çast, se pas asaj që ndodhi, ishte rasti më i mirë që të frenohej. Për të mos pasur kontakte intime të mëtejshme, me të cilat ajo mund t’i hidhte çengelët dhe të arrinte ta vinte përfund. Ndoshta mund ta shtynte takimin nga dita në ditë, derisa ajo pak nga pak të prapësohej me lezet. Dhe kjo melodramë dashurie midis moshave ekstreme, të mbyllej me ndjenjën e butë të nostalgjisë së harresës.
- Do të telefonoj vet, sapo të më bëhet mbarë. Se edhe unë kam qenë dhe jam tejet i ngarkuar me ca punë të ngutshme, – i tha ai kot fare. Por u pendua aty për aty, që po nxitonte për të vepruar kundër ndjenjave. Ndërkohë që dëshira e brendshme i thoshte, se Alma i qe bërë tani e domosdoshme si krevati, të cilin e braktiste në mëngjes, por i duhej prapë të kthehej në të.
Alma e kuptoi nga mënyra hezituese me të cilën foli, se ai po lëkundej.
- Ah, o zot i madh, jam e detyruar të pres me padurim, se s’kam ç’bëj. Po vetëm kujtohu, i dashur, e mos u harro pas redaktimeve, se pa ty mbetem e terrorizuar nga vetmia. Dhe jo vetëm që nuk mund t’i bëj ballë acarit të mërzisë, po as nuk mund ta përfytyroj dot që s’do të jemi bashkë edhe ca ditë të tjera... – lëshoi ajo një duhmë fryme në membranë.
Reiti ndjeu përngjitjen ngulmuese të saj dhe e pa të udhës t’i jepte edhe një këshillë të çastit.
- Alma, të lutem mos u rrëmbe sërish, se asgjë e mirë nuk vjen nga nxitimi...
Pas kësaj fraze moralizuese, me ata tinguj frenues të paqartë që mbërritën në veshin e saj dhe e goditën në gjoks si shigjetë, u ndie menjëherë psherëtima e saj e thellë.
- Oh, o perëndi, ça po flet kështu, o Reit?!... Ç’më pandeh ti mua? Ndonjë skulpturë të ftohtë prej mermeri? Si mund të ndalësh vrullin e zjarrtë të ndjenjave të mia, për shkak të asaj dëshire, të cilën unë e lejova dhe e shmanga vetë!? – i tha ajo me patos të mahnitshëm teksa zëri i vinte fare i qartë.
- E kam hallin vetëm te kujdesi...
- Kujdesi duhet edhe me lugën, se mund të spërkatesh. Por kjo s’do të thotë se nuk duhet të ushqehesh...
Reiti mendoi se sa e brishtë ishte në pamje, ajo aq e mprehtë dhe e pathyeshme ishte në arsyetime. Duheshin matur mirë fjalët, për tu përballur me logjikën tepër precize të kësaj femre të çuditshme.
- Ke të drejtë, – i tha gati si i kapur mat. - Tërhiqem. Desha ta ngre bisedën tonë në nivelin e një kujdesi intim, por mënyra si u shpreha ishte një lapsus spontan.
Kjo përgjigje dhe mënyra hezituese për t’u takuar e vunë në dyshim Almën.
- Më thuaj të vërtetën, a je i sigurt se nuk ke ndonjë hall tjetër?...
- Halle ka shumë në këtë kohë, po ato s’kanë lidhje me ty, - u gjegj ai në çast.
- Atëherë mos paç halle kurrë, po s’ka pse të vihesh në siklet për kohën.
- Nuk ka si bëhet ndryshe, përderisa ne jetojmë në një kohë dhe hapësirë të caktuar.
- Jo, i dashur, e kemi biseduar një herë, se ne do të qëndrojmë të shkëputur nga koha dhe hapësira tokësore. Tamam si dy njerëz të bashkuar në një planet tjetër. Larg sistemit të rrotullimit të kësaj bote që vërtitet rreth marrëzisë së madhe të marsit...
Reitit iu duk diçka paradoksale të bëje një jetë të tillë edhe sikur të ishe i martuar. Jo më i dashuruar në këtë mjedis të dallgëzuar me opinione dhe ngjarje të tmerrshme.
- Mirëpo, nuk e kemi gjetur ende raketën kozmike që do të na shpinte në një planet tjetër...
Alma psherëtiu sërish. U ndie qartë frymëmarrja e saj e dridhshme dhe tha pas pak:
- Raketa jonë është dashuria jonë. Një raketë tepër e fuqishme e furnizuar me gjakun e ndezur të dy zemrave tona, që na ka shpënë me kohë në kozmosin e lumturisë. Për t’i prerë përfundimisht lidhjet shpirtërore me truallin e marrëzisë...
- Ti, Alma, e di fort mirë, që fantazitë e tua poetike, mua më kanë pëlqyer gjithmonë dhe t’i kam lavdëruar. Por duhet që herë pas here t’i kthehemi edhe realitetit konkret. Se shkëputja totale prej tij, mund të na bëjë të dukemi si Ufo në sytë e të tjerëve...
Alma qeshi me zë të zgjatur.
- Besoj se edhe Ufot dashurojnë dhe ma merr mendja me një dashuri kozmike supermoderne, me të cilën duhet të jetojmë tashmë edhe ne të dy...
Kishin kaluar disa minuta dhe biseda me kosto të lartë në celular e bëri Reitin të mendoje se duhej ndërprerë shpenzimi i Almës.
- Bukur fort, moj poetesha ime. Dhe besoj nuk kemi ç’themi tjetër më të rëndësishme, se kjo që sapo the në minutat e celularit tënd. Nëse ke diçka tjetër, mbylle se të marr unë!... - kuturisi e tha ai më në fund.
- Nuk dua të di për minutat dhe për paratë e shpenzuara, – ia preu ajo. – Për mua vlera e fjalëve të tua nuk llogaritet me para. Megjithatë, po i jap fund për sot, por jam gjithnjë në pritje të telefonatës tënde, për ditën dhe orën... Pafshim, të puth njëmijë herë. Të dua shumë, shumë... Këtë mos e harro!...
Reiti vështroi orën. Kishin folur plot shtatë minuta. Ai u ndërmend për ç’ka folën dhe tha me vete: Kjo telefonatë ishte edhe një testim tjetër për Almën dhe për veten time. Nuk kam qenë asnjëherë hipokrit me veten, që të dëshiroj diçka me pasion dhe të flas krejt ndryshe. Por kjo vërtetoi se njeriu sado i ndershëm të jetë me vetveten, dashuria tejskajshme e bën të pandershëm. E ndjej thellësisht se nuk mund të shmangem prej saj aq thjeshtë, sa e mendoj përciptazi. Sa më shumë ngushtohen raportet e mia me të, aq më tepër ndjej nevojën e saj. Alma është një femër me stuhi dhe uragane gjaku të atilla, që sa herë e kujtoj më shkakton edhe mua trazira në gjak. Tërheqja e saj është tmerrësisht e fuqishme dhe çuditërisht e magjishme. Kot nuk thonë, jep një grosh për të hyrë në vorbullën e kësaj valleje, pastaj jep dhjetë e s’del dot. Aq më tepër me femrën e re, nuk mund të sillesh si me veturën e re, që i hipën për një shëtitje dhe ndalon të zbresësh ku të duash. Po e ndeze motorin e shpirtit të saj, duhet të shkosh deri në fund të udhëtimit pa u ndalur. Se përndryshe mund të bësh ndonjë aksident skandaloz...
Ai futi celularin në xhep dhe çeli radion e dorës. Një stacion në bandën FM po jepte njoftim për një tragjedi të re, që i tërhoqi vëmendjen. Një çift nga Jugu, që sapo kishte marrë vizat për në Greqi ishte sulmuar nga një bandë e armatosur te kthesat e Qafës së Muzinës. Burri, një biznesmen i ri, kishte mbetur mbi timon me trutë të derdhur mbi supet e gruas me fëmijë të vogël në duar. Ajo bashkë me foshnjën, për fat, kishin shpëtuar nga vdekja të tmerruar për vdekje. Më pas, tre vëllezërit e djaloshit të vrarë, të zemëruar rëndë, i kishin gjetur dy banditët kryesorë dhe i kishin detyruar të vrisnin veten me automatikët që kishin në duar...
Dhe më thotë Alma të jetojmë si në një planet tjetër, me dashuri kozmike supermoderne, duke i pasur këmbët dhe kokën në torbën e këtij planeti primitiv, ku ende mbijeton egërsia e lashtë njerëzore, tha me vete Reiti i trishtuar...
* * *
Pas kyretazhit te mamia private, Alma, në gjendje fizike krejt e normale, u takua sërish me Reitin te apartamenti i tyre i dashurisë së fshehtë.
Ajo hyri te dera me një pamje të ekzaltuar, ku i lexohej fare qartë në sy gazi dhe lumturia e ripërtërirë.
Ndërkohë Reiti me ca hapa të lehtë e të butë i zgjati krejt papritmas kopjen e parë të vëllimit poetik. Dhe qëndroi i heshtur një grimë herë, për të ndjekur reagimin e saj.
Sytë e Almës u përshkënditën pak çaste mbi kopertinën, ku titulli “Marsi brenda meje” ishte shkruar me varak të verdhë në një sfond të lulëzuar. Dhe emri “Alma Visha” ishte vendosur në dy reshta të kaltër, ku A-ja dhe V-ja sipër njëra tjetrës, dukeshin si një mal i reflektuar në ujëra. Pastaj fytyra e saj e përskuqur nga rruga, shprehu një kënaqësi të atillë, që u duk sikur shpërtheu befas një lulëkuqe e madhe.
- Uaaa, çfarë mrekullie ! - klithi ajo dhe iu hodh në qafë vrulltas. – Dale të të puth një herë fort, vetëm për këtë gjë kaq të bukur që ke sajuar për mua!
Gjoksi i saj i ngrohtë u mbështet shtrënguar mbi kraharorin e tij. Reiti ndjeu rektimat e forta të zemrës vajzërore që ia rrihnin gjoksin pareshtur. Dhe iu duk sikur një dorë e fshehtë i binte çokut për hapjen e shpejtë të zemrës së tij. Teksa thithi erëmimin e parfumit të njohur që e trazoi keqas, ai e pushtoi të tërën me krahët e tij të fuqishëm dhe puthi me një erupsion erotik të shpërthyer befas. Tani mjaftonte vetëm një çikje e lehtë mishi, që ata të ndizeshin si shkrepësja me barutin e thatë. Ishin bërë dy krijesa epshore të papërmbajtura.
Pasi puthja e zgjatur ua flakëroi gjakrat deri në përvëlim, ata shkuan te shtrati i dashur, i sa e sa gufimeve shpirtërore. Dhe duke u dridhur nga padurimi, u zhveshën krejt instinktivisht. Sikur të gjitha veprimet, të ishin pjesë e një programi elektronik, të instaluar prej kohësh në hardiskun e trurit të secilit. Duke filluar që nga përkëdheljet më të ëmbla të lëkurës, deri te tërbimi i dy trupave, në dyluftimin e egër të ariut me shqerrën manare.
Reiti nuk i tha gjë asaj për makthin e ditëve të fundit, me gjumin e tronditur dhe me pistoletën e mbushur plot te koka. Por nga frika e një shtatzënie tjetër, edhe kontaktin me vajzën e rinovuar plotësisht në kanalet e pjellorisë femërore, e bëri duke e zbrazur në ajër të gjithë karikatorin e pistoletës së vet mashkullore. Pastaj duke mbështetur kryet te gjoksi i saj i përmalluar, i tha buzagaz e pakëz i ngjirur:
- Me ato llastikat e holla mund të vrasin zogj djemtë e ri. Po mua nuk më pëlqejnë, se më duket sikur bëj dashuri artificiale...
- As mua nuk më pëlqejnë, – pohoi ajo pa nguruar. -Femra ka nevojë të ndjejë burrin brenda vetes, jo shpikjet e ftohta.
- Unë do të praktikoj në çdo rast metodën e sotme, që i ngjan paksa shkrehjes së armëve drejt qiellit...
Pa mbaruar Reiti së foluri, Alma kujtoi çastin që i zunë sytë, kur ai e zbrazi si shatërvan në anë të krevatit dhe u shkri gazit me të gjithë harlisjen bujare të buzëve të saj..
- Bëj si të duash, veçse është pak me vuajtje. Sidomos për ty, që me armën tënde je stërvitur të godasësh shenjën, jo hapësirën... - shpotiti ajo, duke qeshur lirshëm, fare pa druajtje tani që ishin eksploruar të gjitha të fshehtat e saj.
- Vërtetë është paksa me vuajtje, por është e sigurt, – u shpreh ai me bindje.
- Megjithatë, vuajtjet e fisnikërojnë njeriun, – filozofoi Alma.
- Varet se nga cilat vuajtje ndodh fisnikërimi, - kureshti Reiti.
- Nga këto vuajtjet e sotme paçim gjithmonë unë me ty, e ti me mua, dhe jemi tamam ashtu siç duhet...
- Për këto po, mund të thuhet se e fisnikërojnë njeriun. Po më shumë e bëjnë me shpirt njerëzor, duke e larguar nga bëmat agresive si vjedhjet dhe vrasjet...
Dhe Reitit iu kujtua padashur gatishmëria agresive, për të shtirë plumba kundër atyre që i kishin çuar gjobën pesë milionëshe. Eh, si ndodhi kështu këtë vit, siç nuk më shkonte mendja kurrë, tha ai me vete. Pistoleta ushtarake plot me fishekë, që mora për herë të parë në dorë gjatë këtij marsi, më mbeti pa shkrehur asnjë plumb. Por, të paktën, këtë pranverë të çakërdisur, shkreha plotësisht pistoletën timen të ndryshkur dhe nuk më ka mbetur asnjë merak tjetër luftarak në këtë jetë. Në kuptimin më të ngushtë të atyre që më ndodhën gjatë këtij marsi, unë bëra një marrëzi për moshën time. Por në një kuptim më të gjerë, shmanga pjesëmarrjen vetjake në marrëzinë e madhe të shqiptarëve. Dhe kjo nuk mund të quhet pak...
Teksa kishin mbetur të shtrirë në shtrat, krejt të zbuluar, si dy shpirtra të zhveshur, në atë intimitet të thellë e të ëmbël muzgor, Reiti krejt i lumturuar soditi me vëmendje trupin e lëmuar të Almës me atë hijeshi të brishtë. Ndërsa ajo qëndronte krejt e qetë në bukurinë e lakuriqësisë së saj, si një femër që jo vetëm e din se e dëshirojnë, por edhe e ka dëgjuar vlerën e saj trupore. Dhe atë çast, me fantazinë e tij bredharake, ai përfytyroi se si majmuneshat e mbuluara me lesh të zi që dolën nga xhunglat, kaluan nëpër mijëra e mijëra breza femrash, nga egjiptianet e hajthme të piramidave, te greket plot stoli të tempujve, për të arritur deri te kjo amazonë e njomë shqiptare, me bardhësinë qumështore të lëkurës së saj të butë si pellushi.
Almës i pëlqente ta përfytyronte veten sikur ishte martuar me Reitin dhe sillej e vepronte fare pa teklif. Sidomos tani që kishte provuar me të edhe mbarsjen. Ajo, si gjithnjë e kënaqur nga partneri i moshuar, i tha Reitit:
- Ne të dy jemi prerë nga natyra për njëri-tjetrin...
- Më shumë se një prerje e përpiktë, ne i jemi përshtatur njëri-tjetrit, – u rrek ta korrigjonte ai dhe mendoi: Kjo, ose është verbuar nga dashuria, që nuk sheh se përballë vetes ka një babush, i cili bën të pamundurën për të përmbushur pasionet e moshës së saj, ose është marrosur më keq se unë...
- Mua me ty më përshtatet jo vetëm karakteri poetik i dashurisë, po edhe karakteristikat fizike... – vijoi ajo të shprehej e kënaqur edhe në pamje.
- Për çfarë e ke fjalën me këtë të dytën? - e pyeti ai vrulltas duke e kundruar brinjazi.
- Për faktin se ty të duhej një femër e re, kurse mua më nevojitej një mashkull i fuqishëm...
Ai vetëtiu sytë një grimë me habi.
- Dhe tek unë, ti sheh fuqinë e mashkullit të vërtetë?!...
- Jo vetëm kaq, por ke edhe të gjitha tiparet themelore mashkullore. Me të cilat unë i bëj të gjitha ato që kam ëndërruar të bëj me burrin tim. Pa më mbetur merak për asgjë, tani që jam e martuar me ty, – e theksoi ajo fjalën e fundit edhe një herë, si për ta sugjestionuar.
- E dashuruar me mua, – e korrigjoi ai sërish.
Alma buzagaze e vështroi me dinakëri.
- Pse, çfarë ka martesa më tepër se kaq? Ti më ke fekonduar mua në të gjithë perimetrin dhe vëllimin e trupit tim. Ushtria shumëmilionëshe e spermatozoideve të tu ka depërtuar jo vetëm te vezoret e mia, po edhe te të gjitha membranat e qelizave femërore, dhe është ulur në to këmbëkryq, duke më pushtuar tërësisht deri në mbarsjen e plotë.
Reiti qeshi padashur me fantazinë e shfrenuar të kësaj poeteshe të re. Megjithatë u detyrua t’i japë vetes një seriozitet kuptimplotë.
- Me atë veprim të pamenduar kam vepruar keq. Dhe më ka vrarë ndërgjegjja që të shkaktova dhimbje të panevojshme, - i tha i penduar.
- Nuk ishin aspak dhimbje të panevojshme, – nxitoi t’i përgjigjej ajo ngrohtësisht. – Kot kërkon ta dramatizosh aktin e zakonshëm të natyrës. Gruaja ka shumë nevojë t’i provojë ato lloj dhimbjesh. Sepse ato janë dhimbjet e dashurisë.
- Ajo lloj dashurie, ishte njësoj si pleksja e trëndafilit me një degë murrizi plot gjemba...
Alma ia preu fjalën, se diçka solli në përfytyrimin e saj.
- Veçse trëndafili, po ta kesh vënë re, i ka vet gjembat e dhimbjes të përziera bashkë me gjethet dhe pa to nuk lulëzon dot. Edhe unë nuk do ta ndjeja veten të martuar me ty pa ato dhimbje. Pavarësisht nga kushtet, unë jam pothuajse e martuar me ty...
Tingëllimi i përsëritur prej saj qëllimisht, nuk i pëlqeu aspak Reitit. Por ai u prapsua nga mendimi për ta korrigjuar sërish. Për shkak se kishte kohë pa u takuar me të dhe do të ishte sjellje e padenjë për karakterin e tij, ta rëndonte shpirtërisht. Ndaj e ktheu mohimin e vet në pohim.
- Ashtu vërtetë, sepse në kushtet tona, vetëm ana formale na mban të jetojmë në dy përmbajtje të veçanta. Mbasi trupat tanë e sigurojnë bashkimin edhe pa na pyetur. Dhe me kaq, ne nuk ndjehemi keq, apo jo?...
- Madje ndjehemi mjaft mirë, bëjmë dashuri shumë mirë dhe i përgjigjemi njëri - tjetrit si jo më mirë, – bëri ajo shkallëzimin e kënaqësisë së saj.
Reiti qeshi nën hundë lehtas.
- Superlativat e tua po më kënaqin edhe mua, – i tha për t’i bërë qejfin. Ndonëse në thellësi të vetvetes ndjente se kishte mjaft mangësi, të cilat i përmbushte me mundim.
Alma ktheu kryet dhe e vështroi një copë herë në sy me një ngulm të zjarrtë. Sikur donte të zbrazte prej syve të gjithë afshin e krijuar prej ditësh brenda trupit të saj.
Ah, këta sy! mendoi Reiti. Ndoshta nga shkreptimat e tyre të përshkënditura do të vdes para kohe një ditë...
Rrezet e hënës që sapo kishte dalë, depërtonin nga vrimat e holla të grilave dhe e bënin dhomën të dukej sikur gjendeshin të zhytur thellë në fundin kaltërosh të detit. Në tufën e rrezeve të zbehta të perëndimit, sytë e Reitit ngjanin krejt të tejdukshëm. Alma e shtrirë pranë tij dukej si një najadë oqeani, me aromën e ujit, me lëkurën e bardhë e të lëmuar gjithë shkëlqim vezullues dhe me flokët e shpërndarë mbi jastëk, që i valëzonin si një tufë leshterikë të zinj mbi një dunë ranore të nënujshme.
Ajo kaloi dorën ledhatare mbi gjoksin e tij leshtor, sikur t’i përkëdhelte shpinën e butë të një delfini të madh.
- Vetëm se, në këtë kohë që unë të dua të tërin, ti s’mund të më duash të tërën. Prandaj unë duhej të kisha lindur ca vjet më përpara, që ti të ishe i gjithë i imi. – vijoi ajo, teksa pushonte nga lodhja dashurore me gjinjtë e rrumbullt të lëshuar fare lirshëm.
Reiti i shkuan sytë te dy thithkat, që kishin mbetur krejt të përskuqura. Ngaqë kishte pirë në to si fëmijë gjashtëdhjetëvjeçar, i frymëzuar nga vargu i librit të saj “Me gjirin e përflakur të poezisë sime do mëkoj dashurinë tënde”. Pamja e të cilave ngjante tani si dy kokrra të vogla luleshtrydhe, që skuqnin përsipër gjoksit bardhosh.
- Jo, moj zogëza ime, duhej të kisha lindur unë dyzet vjet më vonë. Sepse këto luleshtrydhet e tua të shijshme, nuk do i bëj dot të piqen edhe për shumë kohë, – u shpreh ai në mënyrë figurative, i detyruar të zbulonte të fshehtën e tij padashur.
- Mos u bëj merak, o skifteri im, se ashtu si me flokët biond e sytë gri, ti edhe nga zemra do mbetesh gjithmonë ri ! - ia ktheu poetesha me rimë, duke vijuar të shprehte besimin e plotë të saj.
- Nuk janë sytë dhe flokët që më mbajnë të ri, po ajo gjëja, pa të cilën nuk bëjmë dot dashuri...– qeshi Reiti me gërgamë, duke ndjerë se fishekët po i mbaroheshin dhe pistoleta e zbuluar i kishte mbetur krejt e shkrehur e kokëvarur.
Por Alma, që bënte matjen e saktë për vlerësimin potencial të tij e befasoi në çast:
- Nga pozicioni femëror, unë di të them, që ti je shumë i fortë, o bandill dhe o imzot...
Reiti qeshi padashur, por edhe mendoi se ndoshta shumë shpejt do të vinte koha, kur ajo do të konstatonte rënien e tij dhe do të rrëshqiste si era nëpër hapësira të tjera, duke sajuar për të vargje të dhimbshme.
- Ashtu qoftë, si deri tani, përderisa e thua ti, moj bukuri! – ia ktheu ai pa vonesë me varg poetik.
- Edhe pse mohon shpesh vlerat e vetvetes, unë kam shumë besim të vitaliteti yt. Ti je fundi i horizontit tim, ku të gjitha dëshirat e mia përfundojnë e mbyllen te ti dhe ndjehem tejet e lumturuar që të përkas ty, – u shpreh ajo në një shkallë dashurie më të lartë.
Duke lënë të kuptohet, se besnike dhe e ndjeshme porsi një lule marsi drejt diellit, ajo do të kthehej ndaj tundimit joshës të tij gjithmonë gazplote. Si drejt një qëllimi të ndritshëm, me shpresa të sigurta për të ardhmen e saj, teksa në fakt aty nuk ndodhej asgjë. Kurse gjithçka që mund t’i dhuronte ai, ishte vetëm kjo pakëz e tashme.
Reiti u ndie përnjëherësh i mallëngjyer dhe i mbushur gjer në grykë me dhembshuri e keqardhje përvëluese, për pafajësinë e çuditshme të dashurisë së saj të sinqertë. Sepse, duke qenë i detyruar ta shihte veten jashtë kohës për një dashuri të vërtetë, ai kishte dashuruar shumë vetëm stuhinë e gjakut të saj të prushtë. Dhe në ato çaste dobësie shpirtërore, i fali së pari një buzëqeshje mirënjohëse, pastaj ia mori duart në të tijat, ia ledhatoi dhe ia puthi sikur të ishin të një vogëlusheje foshnjore.
- Ky pohim i bukur që bëre së fundi, vlen për mua më shumë se mijëra fjalë dashurie. Dhe po të them, se edhe ti, Alma, ke qenë deri tani lumturia ime më e madhe. Një lumturi pa degë e pa fruta. Por një lumturi zemërtrokitjesh, buzëqeshjesh, gjakndezjesh. Fryma jonë, lëkura jonë, mendimet tona, na kanë ngjitur me njëri-tjetrin mrekullisht. Dale të të puth edhe një herë, se kurrë nuk ke qenë kaq e shtrenjtë për mua sa sot!... – i tha ai dhe e puthi fort në buzë.
Batutat poetike të lëshuara plot frymëzim, po i nxitnin pak nga pak të dy njerëzit e fushës letrare për të rendur nëpër shtigjet e bukur të mendimit figurativ.
- Sidoqoftë, ne i shijuam frutat e ëmbla të njëri-tjetrit me plot kënaqësi në këtë fragment të jetës, - i tha ajo krejt gazmore me vështrimin ëndërrimtar nga tavani.
- Veçse u takuam në një mars të acartë!... - ia ktheu ai në çast.
- Acari i këtij marsi ishte për ne një verë e ngrohtë plot me lule, - ia priti Alma.
- Nuk duhet harruar se ky mars pati dy lloj lulesh. Lule puthjesh dhe lule gjaku për shumë zemra. Po ta kesh vënë re, edhe trëndafilat e këtij marsi kishin ca petale të çrregullta, që shëmbëllenin me plagët dhe binin era gjak... - shtoi Reiti i menduar, duke fiksuar sytë në boshllëk.
Alma bëri një pauzë për të nxjerrë nga thellësia e trurit një mendim poetik të atij niveli, që mund ta emociononte redaktorin e saj të dashur.
- Në fund të fundit, ne të dy bëmë gjithçka që kishim mundësi të bënim në këtë situatë. Dhamë një shembull pozitiv, se si njerëzit e këtij trualli, në vend të plumbave shfarosës, që na pakësojnë si popull i vogël, duhet të aplikojmë puthjen që na shumon.
- Ky përkufizimi yt, se gjithçkaje e kësaj toke mund të arrihet vetëm nëse njerëzit dashurohen, mund të ishte thelbi i humanizmit që na duhet ne shqiptarëve, për të shtuar më tej demografinë tonë. – shprehu ai vlerësimin e vet.
Ajo ia nguli sytë me një nënkuptim të dyfishtë.
- Bukur fort. Edhe unë pasi të pastrohet atmosfera nga krismat e të bjerë qetësia, do të jap ndihmesën time të shtimit, duke sjellë në jetë një Reit të ri, ose një Almë vogëlushe, – premtoi ajo, duke qenë krejt e sigurt, se kur kalëronte sipër Reitit, mund ta zotëronte në çastin delikat, qoftë edhe në grimasën e sekondës, që ai të mos e përmbante dot shpërthimin e shatërvanit të tij. Dhe me trillin e saj të guximshëm, ajo do t’i rrëmbente atij qoftë edhe njërin nga miliona qelizorët bishtgjatë, me të cilin ishte krijuar i tërë njerëzimi i madh që populloi globin. Duke arritur kësisoj plotësisht dëshirën e amësisë së saj në të ardhmen. Pastaj duke u kthyer brinjazi, ajo e puthi fort e me pasion të ringjallur.
Reiti i hodhi një vështrim mosaprovues për atë premtim me dy presa. Por i vënë plotësisht nën pushtetin e rindezur të epshit të saj të zjarrtë, që kërkonte me ngulm “konsensus” të heshtur, nuk foli dot asnjë fjalë kundërshtuese. Sikur donte me atë rast të grumbullonte të gjitha forcat e tij. Për të përshëndetur edhe një herë me një brohoritje rënkimtare e me një fishekzjarr të lëngshëm në ajër, konsensusin e vonuar pozitë – opozitë. Marrëveshje, e cila ishte kurorëzuar atë ditë me një dokument të thjeshtë prej nëntë pikash. Të pranuar pas një muaji e ca debatesh të gjata dhe kundërshti gati armiqësore. Pas një disfate të turpshme kombëtare. Kur kishin humbur qindra jetë të pafajshme dhe ishin tronditur deri në themele të gjitha trojet njerëzore, nga ai tërmet shumëballësh i panevojshëm. Vetëm e vetëm për të ndërruar karriget e buta disa zyrtarë. Sepse paratë e shqiptarëve në firmat piramidale ishin zhdukur si uji në shkretëtirën e piramidave egjiptiane.
Të nesërmen mjetet e informimit publik njoftuan fundin e marrëzisë së madhe. Me aktin përmbyllës, kur pas dorëheqjes së qeverisë, kishte dhënë dorëheqjen edhe presidenti. Dhe në vorbullën e trazuar të politikës së kohës, ishte formuar qeveria e pajtimit kombëtar me mandat provizor, derisa të bëheshin zgjedhjet.
Por edhe Alma, e ngazëllyer nga ky lajm i beftë i pajtimit kombëtar, do t’ia punonte Reitit rrengun e heshtur të pajtimit të vezores së saj me qelizorin e tij, që i nevojitej pikërisht me rastin e këtij gëzimi.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Vullnet Mato: TAKIMI TE APARTAMENTI I MBYLLUR
» Vullnet Mato: MOS MË IK !...
» Vullnet Mato:B U K U R I A
» Vullnet Mato
» Vullnet Mato: S Y R I
» Vullnet Mato: MOS MË IK !...
» Vullnet Mato:B U K U R I A
» Vullnet Mato
» Vullnet Mato: S Y R I
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi