Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Koha për dorëheqje

Shko poshtë

Koha për dorëheqje Empty Koha për dorëheqje

Mesazh nga Agim Gashi Thu May 13, 2010 10:56 pm

Koha për dorëheqje





Koha për dorëheqje Flaka_surroi4
Personi, i cili, absolutisht, qe më i përfoluri javën që po e lëmë pas, ishte ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, holandezi Vreeswijk (Freesvajk). Në një intervistë dhënë të përditshmes sonë, reagoi me një sërë argumentesh kundër fjalëve euforike, patetike dhe të recituara nga kryeministri në RTK, e që zgjatën nja tridhjetë minuta.

Do të mund të thuhej se rreth tetëdhjetë për qind të asaj që u tha në këtë intervistë, tashmë e kemi mësuar përmendsh, ngase e dëgjojmë nga goja e kryeministrit sa herë që del para mikrofonave: Kjo qeveri është e vetmja me legjitimitet të plotë që rrjedh nga zgjedhjet e lira dhe demokratike; Unë them me përgjegjësi të plotë shtetërore dhe kryeministrore (kjo e fundit është risi në diskurs!) dhe qëndrimi i ministrit Limaj është qëndrim shtetëror dhe i qeverisë; në këtë proces kërkohet transparencë, përkushtim dhe mosprejudikim; Askush nuk ka ardhur te unë dhe nuk ka kërkuar shkarkimin e askujt – këto janë shpifje, manipulime, akuza dhe të vjen me të ardhë shumë keq që ndodhin e prezantohen në opinion shpifje të thella të paargumentuara; Përcaktimi ynë është sundimi i ligjit, luftimi i dukurive negative, vazhdimi i qeverisjes së mirë, vazhdimi i të gjitha projekteve për zhvillim ekonomik, natyrisht krijimi i vendeve të punës dhe rritja e mirëqenies se qytetarëve; jemi të përkushtuar ta çojmë përpara Republikën e Kosovës drejt perspektivës së integrimeve euroatlantike...

Këtyre deklamimeve iu shtuan edhe dy deklarata të thëna me një ton pak më të sertë – e para që shkaktoi reagimin e kryeprokurorit: ky është një pretendim linçues i prokurorit (risi!) dhe këto janë akuza pulitike. E dyta, se nuk mund të luftoheshin dukuritë negative dhe krimi i organizuar pa reformimin e plotë të sistemit të drejtësisë...

Prokurori nuk priti shumë për t’ia kthyer përgjigjen kryeministrit, njësoj publikisht. Dhe nuk ka dyshime se kjo intervistë duhet të ketë shkaktuar pakënaqësi në Qeveri, ashtu siç sot do të shkaktojnë informatat shtesë, se te Ministria e Transportit bëhet fjalë për keqpërdorimin e madje 80 milionë eurove – 80 milionë që thuhen shpejt, e që janë shumë, shumë para që kishin mundur ta zgjidhnin bile pjesërisht problemin e sigurimeve shëndetësore që nuk kalojnë si ligj, sepse s’ka para në buxhet. Apo edhe nga informata tjetër shokuese – se serveri i sekuestruar i MTPT-së nuk e ka asnjë shënim të vetëm në të. Shumë e dyshoj që dokumentet elektronike t’i ketë shkatërruar ndonjë virus tjetër që nuk është hajnia e orkestruar.

E përderisa është e vërtetë se ndjekja e dukurive negative dhe e krimit të organizuar nuk mund të bëhet pa e pasur funksional një sistem drejtësie, është gjithashtu shumë e vërtetë se ky sistem nuk të nevojitet nëse dukuritë negative dhe krimi i organizuar janë pjesë e strukturës udhëheqëse shtetërore e politike. Sepse, nëse është e vërtetë se kryeministri nuk e ka pasur idenë për keqpërdorimet eventuale në MTPT, e për këtë shkak nuk ka intervenuar deri tani, tash e di se i është bastisur një hapësirë sovrane shtetërore dhe se prokurori thotë se ka fakte për shpërdorimin e shumë milionëve publikë. Prandaj, siç e ceku edhe vetë në RTK, ai e ka të drejtën ekskluzive ta shkarkojë këtë dhe cilindo ministër tjetër që mund të jetë i dyshuar për keqpërdorimin e parasë publike. Sepse nëse nuk e bën këtë, tashmë rrezikon që ky dhe ndonjë zyrtar i lartë të mund të arrestohen derisa e kryejnë detyrën qeveritare, shtetërore apo ministrore.

Të kujtojmë se në katër muajt e fundit dy qeveri evropiane kishin rënë – holandezja, ngase partnerët e koalicionit nuk mund të pajtoheshin nëse do t’i tërhiqnin trupat nga Afganistani apo jo dhe - belgjiania, ngase partnerët nuk mund të përcaktoheshin për gjuhën zyrtare në rajonin e Brukselit. Dikush do të thoshte – po ku shkove me na krahasu me ata, të zhvillumë dhe shtete me traditë? – e përgjigjja do të ishte se kjo s’ka të bëjë me zhvillimin (mirëpo ka të bëjë me traditën), sepse qeveria po bie për shkak se nuk po e realizon premtimin dhe për shkak se është punë edhe etike e edhe parimi që të mbahet fjala. Te ne është situata e njëjtë – nuk po realizohet premtimi (ne do të jemi transparentë dhe do të punojmë në interes të popullit që na e dha legjitimitetin) dhe është çështje parimi të bjerë qeveria, sidomos nëse bie për hajni të dyshuar. Për këtë të fundit, mbase mbi të gjitha, është edhe çështje etike.

Nëse prokurori merr masa kundër së paku katër personave të lartë zyrtarë derisa janë nëpër funksione, nuk e di se si mund të mbahet në këmbë një qeveri e këtillë. Për më tepër, nëse në mesin e të dyshuarve të prokurorit del se edhe dikush nga rrethi i afërt familjar e partiak i kryetarit të Kosovës është i përfshirë në afera korruptuese, në fakt do të duhej pritur që edhe ky të ndërmerrte hapin moral e të jepte dorëheqje, sepse kronika e një skandali të paralajmëruar në fakt po zhvillohet brenda një koalicioni politik, bashkënënshkrues i të cilit, është edhe ai.

E se zhvillimi i gjërave e ka zënë komplet garniturën udhëheqëse të Kosovës të papërgatitur – mbase kanë pasur sigurinë absolute se një gjë e këtillë nuk do të mund të ndodhte kurrë, sepse, siç do ta thoshte një mik imi, këta janë si ajatollahët “të paprekshëm” -- e dëshmon mënyra sesi po sillen ndaj opinionit publik kosovar. Kryetari zgjedh të mos i takojë gazetarët në Kosovë dhe të mos u përgjigjet pyetjeve “provokuese” gjatë udhëtimit në Gjermani, në të cilin duket se ka shkuar më shumë për ekskursion, nëse duhet mbështetur në raportet që vijnë prej atje – sepse pas takimeve ultra të shkurtra me zyrtarët, kryetari kishte vizituar pallatin, muzeun, etj., etj., si objekte shumë të rëndësishme që, me siguri, do të na e sqarojnë lëmshin me të cilin po merremi qe një javë. Kryeministri zgjedh të dalë në RTK dhe të mos i përgjigjet asnjë pyetjeje që nuk i pëlqen (e jo që pati shumë këso pyetjesh, po nejse), kurse kryeparlamentari kalimthi na tregoi se kjo çka bën EULEX-i është show mediatik – pa e shqyrtuar asnjëri dhe për asnjë çast mundësinë e dorëheqjes së ministrit apo edhe të qeverisë për shkak të këtij skandali. Kjo, pa paragjykuar asnjë gjë, por duke vepruar kështu për nevoja të përfundimit hetimeve dhe procedurave në afat sa më optimal.

Nëse qeveria detyrohet të bjerë si rezultat i këtij skandali, e përmenda edhe herën e shkuar, kryetari ose duhet ta mandatojë dikë që të krijojë qeveri teknike, ose të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme apo t’i bëjë të dyja, e që qeveria teknike ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare para kohe. Mbase deri atëherë do të ketë konsolidim forcash të reja politike e që nuk janë komprometuar me hajni apo veprimtari të tjera kriminale dhe njëkohësisht do të hapet rruga për konsolidimin edhe të sistemit të gjyqësisë, i cili duhet të nisë së funksionuari për shkak se EULEX-in nuk do ta kemi këtu përjetë. Sepse duhet rikujtuar kryeministrit se mu për shkak se nuk ka sistem të mirëfilltë gjyqësor në Kosovë është se ai së bashku me kryetarin e kanë ftuar EULEX-in të na vijë në Kosovë. E derisa nuk formohet ai sistem, EULEX-i do të merret me krimin e organizuar dhe atë ordiner në Kosovë – qoftë nëse edhe kjo do të nënkuptojë dërgimin e peshqve të paketuar për në Dubravë.


flaka@koha.net
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi