Naser Aliu: Meritokracia - sot në gazetën Shekulli
Faqja 1 e 1
Naser Aliu: Meritokracia - sot në gazetën Shekulli
Naser Aliu: Meritokracia - sot në gazetën Shekulli
-Prolog-
Një plak kishte dërguar dy qe për t' i shitur në treg. I afrohet një blerës dhe e pyet për veset e tyre. Plaku i thotë: Ky i trashi është i fortë, mund të lërojë shumë, por nuk i pëlqen aspak puna. Ky i holli, i dobëti, ka shumë dëshirë, por nuk mundet, nuk ka fuqi fare. Në rastin e parë përtacia kronike, në të dytin, ambicia e madhe dhe pamundësia e madhe. Vetëm dëshirë. Asgjë më shumë. Duket se në skenën politike shqiptare kemi demin e hollë.
Çudia mirëpo është se politikanëve shqiptarë qetë u pjellin viça... Në shtypin perëndimor nuk ka lajme të mira, me përjashtim të ndonjë libri të përkthyer, ndonjë sportisti apo këngëtari. Para disa viteve mbushte faqet e gazetave kriminaliteti shqiptar jashtë. Viteve të fundit mbushin faqet qeveritë tona; me korrupsion, me vjedhjen e buxhetit dhe moskryerjen e detyrave, që u cakton BE për pezullimin e vizave, respektivisht për integrim.
Më shumë lajme të dëmshme prodhojnë Shqipëria dhe Kosova se sa krejt vendet e Europës veriperëndimore apo Kina. Imazhi shqiptar tani dëmtohet edhe nga Qeveritë shqiptare. Te qetë tona nuk është vetëm problemi i pafuqisë, por edhe i paaftësisë brengosëse, mosdijes, me një gravurë diletantizmi dhe përkulje të pashoqe në Ballkan. Këto dukuri kanë nxjerrë opozitën nga Kuvendi në Shqipëri. Këto dukuri bënë të domosdoshme daljen e Albin Kurtit në skenë. Këto dukuri po nxjerrin në mal shqiptarë të armatosur në Maqedoni. Meritokracia në falimentim e sipër. Situata e re kërkon personazhe tjera, vizionarë tjerë, sepse në politikë mosdija e Qeverisë krijon hapësirë, mundësi dhe domosdoshmëri për liderë të rinj, që dinë të ndërtojnë rend demokratik dhe të drejtë. Nuk është koha e komunizmit dhe qëndrimeve statike, por e rrotullimeve, dinamizmit, lëvizjeve permanente të vlerave, botëkuptimeve, gjykimeve dhe bindjeve të reja, që e bëjnë të pamundur dhe të padurueshme mbijetesën e matrapazit politik.
Shqipëria
Sali Berisha ka shpallur veten tribun dhe vetja, që solli demokracinë në Shqipëri. Meritat i ka sekuestruar, ashtu si Enveri dikur. Bërtet dhe çirret thua se nuk ka qenë kurrë stalinist. Shanë opozitën, ashtu si shante Partia e Punës revizionistët. I kanoset opozitës, ashtu si kërcënonte Enveri mikroborgjezët. Mendon, gjykon dhe flet si baza e dikurshme dhe përdor të gjitha makinacionet, të gjitha mekanizmat në dispozicion për ta ngulfatur demokracinë. Krejt kjo me një qëllim: Shpërkoqjen e popullit dhe zaptimin e pushtetit. Kryeministri shqiptar në Perëndim paraqitet si qengj, kur kthehet brenda bëhet ujk. A thua mendon se Perëndimi nuk dinë si sillet ai brenda? Shkon në Itali dhe atë që duhet t' i premtojë mikut të vet në një bisedë me dyert të mbyllura, i deklaron publikisht, thua se për të do të votohet edhe në Itali. Me një italishte plot gabime, u premton italianëve se nuk do të vijnë kurrë më gomone me klandestinë shqiptarë në brigjet e Italisë. Thua se gomonet ishin gati dhe duhej qetësuar romakët nga kanibalët e Ilirisë.
Për italianin e rëndomtë kjo deklaratë ka këtë kuptim: " Vetëm ky mund të pengojë shqiptarët, ndryshe do të vinte e tërë Shqipëria te ne, e tha edhe Kryeministri..."
Për të fituar simpatinë e Kosovës, autostradën, që i kushtoi më shumë se në RFGJ e pagëzoi "Rruga e Kombit". Thua se komb ka vetëm drejt Kosovës, e jo edhe drejt Greqisë, drejt Malit të Zi dhe drejt Maqedonisë. Akoma pa mbaruar festa dhe mburrja me Kryeministrin në Kosovë, u dhuroi serbeve të Kosovës 400.000 €. Shkrimtarët e rinj shqiptarë nuk kanë mjete për t' i publikuar veprat e veta. Me ato lekë, kulturës shqiptare do t' u kishin shtuar së paku 400.000 kopje të librave për brezat e ardhshme.
Ato para kanë përfunduar te serbet, që luftojnë sovranitetin e Kosovës. Serbia pranë kufirit me Kosovën, në jug, ku jetojnë shqiptarët, ka ndërtuar kazermën më të madhe në Serbi. Serbet shpresojnë se një ditë në SHBA arrin një pro serb, ndryshon politika e tyre dhe ata për dy orë arrijnë në Prishtinë. Shqiptarët jetojnë me iluzione. Serbet përgatiten. Shtetet kanë fatin e njerëzve, lindin dhe vdesin! Ashtu si edhe miqësitë në mes popujve. Serbia e dinë këtë dhe përgatit varrin e nesërm për Kosovën, akoma pa i zhvarrosur shqiptarët e djeshëm nëpër Serbi...
Para disa ditëve Kryeministri nxori lepurin nga xhepi si David Copperfield. Akuzoi Ramiz Alinë për masakra. Kush fajëson Ramiz Alinë? Ramiz Alinë akuzon njeriu, që nuk hapë dosjet e Ramiz Alisë!!! Kolegu i Ramiz Alisë. Pse Kryeministri shqiptar merret me kallëzime penale e jo prokuroria? Pse ky Kryeministër ka kohë të merret me punë të tilla? Mosveprimi i prokurorisë tregon se fjalët e Kryeministrit nuk i merr askush seriozisht. Ec e merre vesh këtë rend, këtë Kryeministër, çekanin e tij dhe gozhdët, që përdorë ai dhe arsyen! A mund të paditet Kryeministri për fshehjen e krimit për 20 vjet? Po, duhet. Në demokraci, po. Ka fshehur gjenocidin e Ramiz Alisë!
Nëse shikohen zullumet e tij, atëherë mund të diktohen dhe shquhen veprat e tija antikombëtare: Pasi me sukses rrëmbeu meritat e demokracisë, solli peshkopin grek në Shqipëri për të fituar simpatinë e tyre dhe të Qeverisë greke. Thua se do të kandidohej edhe në Greqi. Akoma pa u kapërdirë mirë kjo, popullin që kishte dalë nga ateizmi, e anëtarësoi në një konferencë fetare pa e pyetur. Thua se për të do të votohej edhe në Azi, edhe në Afrikë. Edhe pse shihet qartë se aty Serbia ka më shumë ndikim, se sa anëtari me emrin Shqipëri! Akoma pa përfunduar kjo çudi, e shndërroi Shqipërinë në Egjipt me piramida dhe faraon të rinj. Këtu ia doli ta rrënojë edhe shtetin.
Kjo nuk mjaftoi dhe hodhi Gërdecin në ajër. Kjo ishte pak dhe u zu në corpus delikti duke falur detin, si mbreti dikur tokën. Mbretin shumë e konsiderojnë tradhtar, Saliun demokrat dhe patriot. Çrregullim i plotë i vlerave, vlerësimit dhe botëkuptimit. Pa pikë koherence. Dërgoi ministrin Meta në Beograd për t' i treguar botës se ne ia falim Serbisë tmerret dhe gjenocidin dhe për të dhënë prova se e ka përnjëmend, fton edhe Tadiçin, që kontrollon një të tretën e Kosovës dhe financon struktura paralele...Ky, mirëpo, për karrigen nuk do të ngurrojë ta rrënojë edhe një herë shtetin, e as t' i prishë marrëdhëniet me BEE apo me SHBA-të, sepse La loi c' est moi!L'état c' est moi, mendon ai.
Kosova
Kryeministri Thaçi pranon gabimet dhe betohet se do të punojë më mirë. Pse deri tash nuk u punua mirë, nuk dihet, mirëpo ata janë paguar edhe për punën e keqe. Për punë të keqe paguheshin komunistët, në demokraci për punë të keqe rrëzohen Qeveritë. Në Europë ku dëshiron integrimin, nuk mund të merret me mend një ministër nën hetime dhe të mbetet në pozitë gjatë procedimit penal. Së paku jo gjatë hetimeve, sepse në demokraci nuk ka hetime pa prova. Nuk mund të merret me mend një gazetar në televizionin publik, si ai në Kosovë, që ofendoi gazetaret, dy zonja, në mënyrë aq të ulët dhe të mbetet moderator në një televizion publik. Në shprehjet e tija nuk shihej gjurmë se moderatori i RTK-së ka mbaruar shkollën fillore. Fliste protoshqipen, madje tingëllonte edhe si Pal Engjëlli dhe "Formula e Pagëzimit".
Nuk mund të imagjinohet një moderator në televizion publik perëndimor, që nuk zotëron gjuhën standarde të kombit të vet. Pse te ne është e mundur kjo? Pse një moderator i tillë nuk mund të largohet nga puna kur nuk plotëson as cilësitë morale, as përgatitjen profesionale? Nuk është vetëm ky. Kemi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, që kur ishte dekan i Universitetit shau "nanën" me sms një njeriu. Ndoshta gegërishtja i tingëllon më e efektshme për shantazh ashtu si kërcënohen mafiozët, në dialekt, si napolitanët për shembull apo siqelianët e Palermos.
Pas sharjeve dekani bëhet kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Ky ndoshta edhe nuk mund të largohet, sepse deri sa ishte dekan i universitetit thuhet se doktorët e shkencave prodhoheshin në tre turne, pa pra dhe shumë prej tyre me plagjiatura. As prokurori publik, që nuk arrestoi njeriun edhe pse deklaroi se ka vrarë dhjetëra veta, as ai nuk mund të përjashtohet nga puna. Nëse rrëzohet njëri, rrëzohen dhjetëra tjerë pas. Rrjeti në rrezik. Nuk përjashtohet kryetari i Kushtetueses, nuk mund të përjashtohet moderatori, nuk anulohen doktoraturat e vjedhura dhe në fund ministri në hetime!
E kush është drejtoreshë e teatrit në Prishtinë? Zonja, që deklaroi se nuk dinte kush ishte Bekim Fehmiu. Nëse kemi edhe kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve, që nuk njeh Kadarenë apo Qosen, atëherë kjo flet për shtetin me paterica, që po ndërtojmë. Shtet i retarduar dhe administrata e ndërtuar me lidhje tribale, bazuar në gjak dhe gjene dhe ajo nuk mund ta çojë vendin para, por vetveten para, popullin prapa!
Mbetja në punë e atyre njerëzve të lartpërmendur flet edhe për qeverinë. A thua nuk mendon kjo Qeveri se ajo po i jep mjaftë material Serbisë për ta luftuar njohjen? Si mund të jetë funksionale ajo Qeveri e të ndikojë në pranime të reja, të vejë kontakte me qeveri në botë, të ftojë investues, kur ajo ka ministrì nën hetime apo në vende kyçe njerëz pa veti morale, pa përgatitje të mirë profesionale? A thua mendon kjo Qeveri se çka flet Serbia për demokracinë e suksesshme kosovare?
A nuk sheh kjo Qeveri se e mbushi me argumente Jeremiçin kundër pavarësisë? A thua mendon kjo Qeveri se bota nuk sheh çka po ndodh te ne? A thua bleu kjo elitë rehati dhe pozita me sakrifikimin e flamurit, himnit dhe identitetin shqiptar të Kosovës? Pse u denacionalizua elita politike në Kosovë? Pse u denacionalizua Kosova? Pse Kosova gënjen veten, ndërton ardhmëri mbi gënjeshtra dhe shpall veten shtet multietnik me pesë për qind pakica? Pse iu nënshtrua këtij urdhri antidemokratik? Pse nuk janë vende multietnike Maqedonia dhe Serbia, për shembull? A domethënë se sakrifikimi i flamurit, me të cilin u luftua, himni, emblema në Prizren dhe gegërishtja në televizor, janë shenja dëftuese se elita, që luftoi për ta bashkuar vendin, ka marrë urdhër apo vendim ta kultivojë dhe ndërtojë kombin kosovar, deri sa identiteti serb në Bosnjë e Kosovë financohet, mbrohet e kultivohet? Kjo neglizhencë, ky menefregizëm politikë, nuk mund të arsyetohet. Radhën e ka Albin Kurti.
Elita e viteve të 90 po shfronëson veten. Albin Kurti është institucion, që nuk mund të manipulohet, nuk mund t' i bëhet presion, nuk mund të korruptohet! Të tjerët duket se kanë përfunduar misionin e tyre. Radhën e kanë ata që nuk lejojnë t' u imponohen ndjenja inferioriteti. Albin Kurti ka një vizion, elita e tashme ka histori, dikur punoi për vendin, tani punon për veten dhe sa herë zihen me presh në dorë, deliktin e përligjin me meritat e kaluara, thua se populli jeton dje, e jo sot! Thua se merita e djeshme të njehë apriori të drejtën e kleptomanisë sot! Nëse Kryeministri e ka seriozisht, ai për një javë mund të tregojë rezultate të mëdha. Nëse jo, në zgjedhjet e ardhshme do ta shfuqizojë veten...
Maqedonia
Marrëveshja e Ohrit u harrua, nuk zbatohet. Në Maqedoni nuk dihet akoma sa shqiptarë janë e sa maqedon. Shumica duhet të jenë shqiptarë, rreth 35 e ca maqedon, pastaj bullgarë e pakica tjera. Ne, mirëpo, nuk dimë numrin tonë të saktë, edhe pse jemi në Kuvend, por dihet se në Maqedoninë Lindore qytet janë vogla dhe nuk ka aq banorë sa në atë perëndimore, ku jetojnë shqiptarët. Mirëpo, edhe këtu kemi meritokraci, që ka blerë pozitat me kompromis në kurriz të popullit. Belgjika është në ndarje e sipër pas zgjedhjeve të fundit. Shqiptarët edhe pse të diskriminuar në Maqedoni, luftojnë për ta mbajtur gjallë këtë shtet dhe nuk mësojnë nga serbet e Bosnjës dhe të Kosovës.
Ata edhe pse të diskriminuar deri në palcë, edhe pse dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë janë pa shtetësi, dmth. pa të drejta qytetare, por me obligime, ata përsëri luajnë "demokracish" me maqedonët dhe marrin pjesë edhe në Kuvend, gjersa ata na e shkruajnë historinë sipas dëshirave politike të tyre. A thua pranuan diskriminimin e ri për rehatinë e vetjake?
Sa për krahasim: Afrika e Jugut ka njëmbëdhjetë gjuhë zyrtare dhe shteti ka njëmbëdhjetë emra. Aty ku sundoi apartheidi, gjuhë zyrtare janë edhe ato që fliten nga dy, tre e katër për qind të popullsisë. Përafërsisht 23 % flasin isiksoza, 30%, isizulu, 11,9 sepedi, 10% secuana, 3,4 sisvati, 2,9 çivenda dhe 5,6 % ksiconga, etj. Në Maqedoni shqipja nuk është zyrtare, aty ku jetojnë më pak se 20 për qind shqiptarë. Në Afrikën Jugore gjuha me 2,9 për qind është gjuhë zyrtare. Në Kosovë gjuhë zyrtare janë edhe ato, që fliten me më pak se një për qind. Dhe, kjo është mirë. Shteti nuk duhet të ketë të drejtë ta çzyrtarizojë gjuhën e qytetarëve të vet. Republika e Maqedonisë diskriminon shqipen dhe shqiptarët dhe shpërblehet me pezullimin e vizave, sepse politikanët shqiptarë heshtin. Në webfaqen zyrtare të Qeverisë maqedone mund të gjenden informacione në gjuhën maqedone dhe angleze, por jo shqipe. Në webfaqen gjendet vetëm flamuri maqedon, e jo edhe ai shqiptar. Emrat e ministrave shqiptarë, edhe pse u luftua për barazi, shkruhen me alfabet maqedon. Kjo ministrat nuk i pengon, me rëndësi rrogat, pozitat e tyre. Gjuha shqipe nuk ka rëndësi. E kush na i ka fajet? Askush, vet ne. Vetëm ne, mirëpo shtrohet pyetja pse u luftua?
Deri sa ne vazhdimisht t' i kërkojmë fajet diku tjetër, deri atëherë do t' i përligjim dështimet tona dhe nuk do të ecim para. Skena jonë e sotme politike ka merita të mëdha për të kaluarën, tani shihet se i ka dalë afati! Nuk ka më ide dhe sillet rreth vetvetes dhe merret me vetveten. Është njerëzore, programin që patën i ka shërbyer një epoke tjetër, tani duhet program tjetër, vizion tjetër dhe përkushtim tjetër.
Lugina.
Harrojeni këtë! Ata edhe pse luftuan, nuk fituan gjë. Ka 60 vjet që nuk ndjehen keq me dërgimin grave në Vranjë për lindje. Nuk ia vlen të merremi me njerëzit, që kanë fuqi shtatzënat t' i dërgojnë 50 kilometra larg. Ata tjerrin iluzione! Le të tjerrin, le të vegjetojnë se kështu ndjehen të lumtur...
Epilog
Pas Luftës së Dytë Botërore, meritokracia rrëmbeu pushtetin dhe e mbajti me gjak deri sa gati i doli shpirti popullit dhe shtetit. Meritokracia e sotme shqiptare nuk mund të mbijetojë aq shumë, por ka shpresa. Ajo po dëmton vetveten dhe shtetin.
Në krejt trojet shqiptare kemi në krye meritokratë, që para çdo dështim i referohen të kaluarës dhe me veprat e tyre në të kaluarën, ata i japin vetes të drejtë ta mashtrojnë, ta vjedhin dhe ta shkatërrojnë imazhin e shqiptarit, sot, sepse dje kanë qenë të mirë dhe tani mund t' i lejojnë vetes edhe vjedhjen e shtetit, që ndihmuan në lindje, por nuk e ndërtojnë si duhet. Ata në një çast historik u treguan të mirë. Ata ditën ta ndihmojnë vendin në kohë krize, por nuk mund të kërkohet prej tyre në çdo kohë të jenë të mirë e të aftë.
Komunistët dështuan me rendin komunist, sepse duke iu qasur së kaluarës, trimërisë, sakrificës dhe çlirimit të vendit, qerasën me pozita, jo ata që dinin, por besnikët, injorantët dhe ata që meritonin në bazë të veprave në të kaluarën, kështu zaptuan shtetin dhe ekonominë duke e shndërruar në monopol sui geniersi. Sot, meritokracia, në Shqipëri, në Kosovë dhe Maqedoni do të dështojë edhe kjo, sepse cilësi tjera nevojiten në kohë lufte dhe aftësi tjera në kohë paqeje. Populli jeton sot, jo dje, meritat e djeshme nuk e ngopin atë sot. Puna e Qeverive matet me ndryshimin e standardit të jetës së popullit. Puna e Ministrit të Brendshëm matet me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit. Nëse nuk ka çdo javë rezultate, le të ndërrohet. Puna e Ministrit të Jashtëm të Kosovës matet me njohjet e reja. Nëse nuk ka çdo muaj njohje, le të ndërrohet. Çdo ministri, çdo muaj duhet t' i paraqesë rezultatet e vet, kush nuk ka, duhet ndërruar...
Meritokracia e shty gurin deri këtu, më shumë nuk mundet. Trimëria e djeshme i shërbeu lindjes së shtetit, i duhet historisë dhe historianëve. Transparenca, objektiviteti, ndërtimi i shtetit ligjor dhe demokracisë kërkon njerëz të ditur, jo trima!
Arsyetim: Mahatma Gandhi, që ishte gjenial për kohën e vet dhe mbetet i tillë për gjithmonë, me filozofinë e vet arrit ta çlirojë vendin, por pas çlirimit duheshin aftësi tjera, që edhe Gandhi i madh nuk i posedoi. Ai deri në çastin fundit ishte kundër ndarjes së Pakistanit, sepse ishte i bindur se njerëz me kultura dhe religjione të ndryshme, mund të bashkëjetojnë. Ai deshi të krijojë vetëm një shtet, u lindën dy. Me Indinë lindi edhe Pakistani. Gandi me filozofinë e vet diti ta çliroj vendin, por jo ta mbajë atë që çliroi. Kjo dëshmon katërçipërisht se njeriu nuk ka aftësi për çdo periudhë historike, sepse në një fazë të caktuar dinë të ndërtojnë, por pasi të pushojnë shkaqet e lindjes, nisë rrënimi sepse mungon filozofia e re për periudhën re. Njerëzore është kjo! Këtë po e shohim në Shqipëri, këtë po e shohim në Kosovë, këtë po e shohim në Maqedoni e Luginë. Koha po punon për protagonistë të rinj, përndryshe do të bëhemi gazi i botës dhe do të vendnumërojmë si në kohën e komunizmit. Serbia e kapërceu Shqipërinë edhe pse luftoi me vite. Ajo arriti të konsolidohet, t' i pezullojë vizat, ta copëtojë Kosovën dhe ta meritojë ftesën e Sali Berishës...
Nëse unë jam katolik, para altarit dua ta shoh priftin, jo hoxhën. Nëse unë jam mysliman, në xhami dua ta shoh hoxhën, jo popin. Nëse unë jam demokrat, në krye dua ta kem demokratin, jo stalinistin. Popi në xhami ta prishë muslimanizmin. Hoxha në altar ta prishë krishterimin. Stalinist në krye të Partisë Demokratike, ta prishë demokracinë! Siç e ka prishur. Ai nuk e prishi demokracinë pse vërtetë e dëshironte këtë, por nga dëshira e madhe për t' u dëshmuar si demokrat, për ta korrigjuar të kaluarën e vet, për t' u ekspozuar ndryshe, me orientim të ri, për të krijuar bindje të reja. Ai nuk e bën këtë me vetëdije, ai mendon se po bën mirë, por ai drejtohet nga nëndija dhe urrejtja e biografisë së vet. Kryeministri e din se i ka vjedhur votat, por ai është i bindur se vjedhjen e ka bërë për të mirën e popullit. Ai pos metodave komuniste, tjera nuk njeh. Pra, ai ka dëshirë, por nuk mundet. Ky mund të quhet: ka-i-hollë-sindromë! Dëshirë po, dije jo! Kjo përshtypje fitohet nga skena jonë politike.
Me qetë e hollë e të dobët nuk lërohet ara! As me një ka të trash e të fortë dhe me një të dobët e me ambicie. Partitë tona nuk kanë potencial për t' i mbuluar vendet kyçe me njerëz të aftë e profesional, ato duhet të marrin njerëz edhe jashtë partisë.
Elita e sotme duhet ta shlyejë nga mendja se me meritat e djeshme meritohet, zaptohet, monopolizohet dhe privatizohet shteti si në kohën komuniste...
Me largimin e Kryeministrit shqiptar nga skena politike, ikën stalinisti i fundit në Europë, përfundon tranzicioni dhe nisë kultura demokratike dhe përparimi i vendit. Partia Demokratike ka dhjetëra njerëz, që mund ta bënin punën e Kryeministrit më mirë dhe me më përgjegjësi se sa ai.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli,
» Naser Aliu: Sa për dijeni
» Naser Aliu: Esse, Orgjite e pergjakshme mashkullore - dje në Gazetën Shqiptare
» Naser Aliu: Lindja ime
» Poezi nga Naser Aliu
» Naser Aliu: Sa për dijeni
» Naser Aliu: Esse, Orgjite e pergjakshme mashkullore - dje në Gazetën Shqiptare
» Naser Aliu: Lindja ime
» Poezi nga Naser Aliu
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi