Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli,

Shko poshtë

Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli, Empty Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli,

Mesazh nga Agim Gashi Wed Apr 28, 2010 11:41 pm

Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli, 19675_1196923367337_1356061294_30517292_5266291_s
Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli,



Në një restorant të Zyrës Federale në Gjermani: tre kolegë para meje, pas meje rreshti i gjatë. Hebreu:” zonjë, a keni një gjellë pa mish derri, ma ndalon religjioni,” zonja pohoi dhe i tregoi me gishtin tregues dy gjellët tjera me perime. Edhe për mua pa mish derri, tha përkthyesi nga Iraku. Unë buzëqesha. Që të dy më shikuan.
“ Ju do ta hanit njëri tjetrin në tigan, pa pritur të vihet në pjatë, e ja që të dy nuk hani mish derri!” i pëshpërita arabit para meje. Ai më shkeli në këmbë. Hebreu tundi kokën në shenjë pohimi...
Madje edhe që të dy bëhen synet, thash me vete; kanë aq shumë ngjashmëri sa edhe urrejtjen e kanë identike, të barabartë, të pakufishme dhe reciproke...
-Për mua pa mish lope, tha përkthyesi nga India, ma ndalon religjioni. Zonja e shërbeu edhe atë.
-“E ju, çka nuk guxoni të hani, çka ju ndalon religjioni juve?”, m´u drejtua mua, si në tallje, duke menduar se befasitë, religjionet dhe rregullat përfunduan.
“ Unë mund të ha mishin e lopës dhe të derrit, zonjë, por nga karotat, që shërbeni si kontorno, hiqni bizelet ju lutem. Ma ndalon feja ime.”
Të gjithë m´i zgurdulluan sytë dhe më shikuan me habi...
" Hah", përshpëriti ajo duke tundur kokën.
-“ Këtë nuk e kam dëgjuar kurrë!”, tha zonja pas banakut, herë duke më shikuar mua, herë duke mbushur pjatën.
“Zonjë, Enver Hoxha, diktatori jonë, na kishte ndaluar religjionet, ose besoje diktatorin ose përfundoje në burg. Dhe ne, disa të rinj, për ta sfiduar atë, zbuluam një fe të re, sepse nuk mund te ndalohej, ajo qe nuk ekzistonte publikisht. Dhe kështu krijuam bizelizmin.
Ne, dmth. bizelistët besonim se krejt universi para miliarda vitesh ishte një bizele apo i madh sa një bizele dhe rastësisht shpërtheu dhe kështu u krijua ajo që kemi sot. Nga çdo atom i bizeles u bënë planeta dhe ky proces vazhdon akoma dhe, meteoritet që notojnë sot nuk janë tjetër, pos mbetje të bizeleve të dikurshme... Pra nëse unë ha bizelen, ha universin, me gjithë njerzit dhe këtë mëkat nuk dua ta bëj...Këtu derri dhe lopa dalin qesharake! Lopa dhe derri janë dogmë, jo bizelizmi!
Ajo zgjodhi tri karota dhe më lëshoi pjatën në dorë duke më shikuar e habitur...Interesante, shtoi ajo. Njeriu nuk pushon së mësuari...
Jo zonjë, nuk keni mësuar ju sot gjë të re, por keni kuptuar peshën e materies, derrit dhe lopës! Urrejtjen e njërit dhe dashurinë ndaj tjetrit.
A është kjo agnosticizëm, më pyeti kolegu me origjinë hebraike. Jo, i thash shkurt e gjermanisht. Ne bizelistët e konsiderojmë panteonizëm i butë, edhe pse Schopenhauer e konsideron angosticizem decent.
Atëherë kush është krijuesi, ne apo Zoti?, tha kolegu gjerman.
As ne, as Ai, i thash. Kryezoti urdhëroi krijimin e programeve gjenetike. Zoterat e shkruan. Sapo u rritëm pak, në shenjë falenderimi, krijuam Zotin. Pra ai neve, ne Atë. Mirëpo këtë nuk e kuptojmë, sepse na mungon një shqisë për të kuptuar trascendetalen. E dini pse?
Te gjithë së bashku: Jo.
Sepse në fillim nuk ishte fjala, por Kryefjala, jo Zoti, por Kryezoti dhe neve na mungon Kallëzuesi, sepse nuk e shkruan në programin tonë gjenetik!, thash unë me plot seriozitet!
Po religjionet, më pyeti kolegu arab.
Ato patën qëllime humane dhe u zbuluan për njeriun primitiv, për homo sapiensin minus. Sot i shpallin libra shkencor, të shkruara për shencëtarë. Shqyrtimit shkencor nuk i rezistojnë, rrëzohen si kështjella prej rëre, të gjitha! Aq sa më shumë mësoi njeriu, aq më shumë i shndëroi në ideologji luftarake. Janë kujtime të mira për curriculumin e njeriut, por të pa përdorshme për kohën tonë. Dogma nuk mund të rezistojë, por bizelja në lëvizje, po!, i thash unë.
Kolegët e mi duartrokitën. Nuk mbarova, thash. Toka nuk është shkollë, ku notohen njerzit! Zoti nuk ka dobi dhe nuk përfitoni nga nënshtrimi i njeriut. Njeriu fiton! E si? Iluzionet e qetësojnë, thash unë krenar se po u mbaja leksione prodhuesve të vetmashtrimit!
E ç´ka thotë Zoti juaj për qametin - apokalipsin, m´u drejtua përsëri kolegu nga Iraki duke lëshuar pjatat në tavolinë.
“ Kur nuk rriten më bizelet, përfundon jeta në Tokë, ajo dëshmon për ekuilibrin dhe vitalitetin e evolucionit, por jeta vazhdon jashtë...!”, i thashë unë.
Sidoqoftë më duket se bizelizmi qenka feja më e vjetër në botë, tha kolegu gjerman. Hebreu dhe arabi kundërshtuan...ne u shikuam në mes vete dhe vazhduam me drekën duke qeshur me të madhe. U bashkuan një herë thash me vete, së paku një herë, në fakt dy herë, edhe në rastin e Kosovës!



Pas nja dyzetë minutave dolëm nga restoranti me një bisedë të ndezur plot temperament. Kolegu gjerman propozoi që në orën shtatëmbëdhjetë të takohemi në shtëpinë e tij për të vazhduar kacafytjen hyjnore. Të gjithë pranuam ftesën. Ranxhi hindus nga India. Ngoc Diep budist nga Tajlanda. Zadek me origjinë hebraike. Walidu arab, Stefani gjerman, jo praktikues dhe unë shqiptar. Domethënë qytetar i lirë dhe i pauatoritet. I lirë si liria, i lirë në mendime, tolerant, konkret dhe direkt si shqiptari i pa komplekse; kategorik dhe i palidhur për një dogmë. U ulëm rreth një tryeze të madhe. Stefan na solli nga një pije, në mes të tjerash: verë të kuqe, birra dhe pije joalkoolike. Unë mora verë të kuqe, e rekomandojnë kardiologët.
Mirë, më tha Ranxhi, ç' mendon bizelistët për vdekjen? Shikoni, bizelizmi ishte vetëm një metaforë empirike, e çastit, simbolike, ajo që është bërë e madhe, në fillim ka qenë e vogël. Këtë nuk mund ta kundërshtojë njeri. Asgjë nuk lindet e madhe. Pikë. Madhësia dhe mungesa e hapësirës, reaksioni i brendshëm e detyron të pëlcasë, implozion. Vdekja për ne është përfundim i jetës fizike. Trupi edhe pa shpirtin jeton, por ka një zhbërje tjetër, tjetër jetë! Kur gjenet tona ta zhvillojnë shqisën e shtatë dhe të tetë, do ta perceptojmë Kryezotin, tani jo, as Zotin. Tani kuptojmë vetëm shpresat...
Mirëpo, Zoti vendosë kur vdes njeriu, më tha Zadek. E vërtetë pohoi Walidu dhe Stefan.
Unë buzëqesha. Ranxhi dhe Ngoc Diep u qeshën duke sjellë kokën. Shikoni ju lutem: Monoteizmi i caktoi këtë kompetencë Perëndisë për ta trishtuar njeriun, por njeriu vdes, sepse qelizat e tij nuk ndahen e ripërtërihen më. Jeta përfundon aty. Ju shihni vetëm të jashtmen, por jeta pikësëpari përfundon brenda, në mikrounivers. Nëse i heqim këtë monopol Zotit, monoteizmit i dridhen këmbët, sa mezi mbahet, apo më qartë, nuk mbahet dot. Nëse u sjell unë prova, se nuk vendosë Zoti, a jini të gatshëm të distancoheni lehtë nga besimet tuaja dhe mos të konsideroni librin Tuaj si Kryelibër dhe mos të urreni tjetrin, pse nuk është si Ti? Së paku ta pranoni diferencën si ekuivalente. Kryezoti e din mirë se këtu kemi shumë religjione. Ai e din se ne po përpiqemi ta kuptojmë fillimin, por deri tani e kemi përrallëzuar tepër. Mos harroni se në fillim ishte Kryefjala, Kallëzuesi e ka radhën!


Naser Aliu: Bizelizmi - Shekulli, 31201_1273209994455_1356061294_30687465_6944112_n




Ranxhi dhe Ngoc Diep ngritën supet. Monoteistët heshtën. Heshtjen e kuptova si pajtim. Këtu është fjala për Kryezotin, thash unë. Ata përsëri heshtën. Ja ku i kemi faktet: monoteistët kanë frikë! Çka domethënë kjo? Ky qëndrim është tregues se ata e kanë të fikur llambën: lirinë e perceptimit, lirinë sintentike të menduarit dhe antitezën për t´ arritur deri te struktura dhe probabiliteti më racional dhe i pakundërshtueshëm en bloc! Zakonisht aty ku ka edukatë fetare nga fëmijëria, u fiket apo u mbyllet dera e guximit, e të menduarit alternativ. Kërkimi sistematik ndalohet. Zbërthimi dhe përimtimi përjashtohet. Nuk është me rëndësi, a është besimtari gjeni apo jo, sjelljen e tij në jetë do ta determinojë trishtimi i instaluar në fëmijëri! Paniku! Njeriu nuk është njeri vetëm pse ecën me dy këmbë e vertikalisht, por kundërshtimi racional e bënë homosapiens! Horaci thoshte :“ Sapere aude”, ki guxim ta përdorësh mendjen tënde! Monoteizmi është një dogmë, domethënë një dhomë e vogël, shumë e vogël dhe nëse futesh brenda, të mbyllet dera pas. Besimtari i devotshëm është njeri që futet në atë dhomë. Në atë dhomë është terr dhe ftohtë, por ka edhe një dritare të vogël nga shihen yjet. Te yjet është Përgjigja e Madhe. Në dhomë gjendet edhe një stufë. Ai nuk ka guxim ta ndezë stufën apo dritën apo të dalë jashtë, kur ndjehet ngushtë. Ai mendon se dikush e vështron ditë e natë. Dikush mban kujdestari permanente. Tutori dhe Ekzekutori. Ai është i bindur se dikush ka kohë ta mbikqyrë vetëm atë. Ky është monoteisti i devotshëm, që ndjehet i përcjellë nga Zoti apo se ka krijuar një aleancë me të. Po flasim për besimtarin e devotshëm. Viktimizimin, sakrificën, ftohjen, dridhjen dhe qëndrimin në terr e mëson; vuajtja është ngritur në nder, në krenari, është sublime: sa të vuash më shumë, aq më afër parajsës. Kjo ka ndikuar në ngadalësimin e përparimit njerëzor. Ka pasivizuar njeriun. Në atë dhomë gjenden dhe dridhen monoteistët. Ata luten e nuk veprojnë! Ata nuk janë subjekt të veprimit, por objekt të evolucionit! Asnjëri prej tyre nuk ka guxim të hapë Dritaren e të dalë jashtë. Dera është e mbyllur. Nga Dritarja mund të dilet, por mungon guximi nga pasojat e imponuara, imagjinare. Kërcimin dhe vetëdijesimin e konsiderojnë tradhti. Tradhtia ndëshkohet. Kërcim = Pasojë! Monoteizmit nuk i pëlqen njeriu i ditur. Me integritet të vetin. Injorancën dhe dogmën parapëlqejnë! Jo pyetja, por përgjigja kategorike, pa pyetje shtesë! Për ne, jo. Si sillemi ne? Ne ndezim dritën, kur vuajmë nga klaustrofobia, kërcejmë përjashta për t´i vështruar yjet dhe falënderojmë Kryeperëndinë, që na ka dhënë mundësinë racionale të alternativës. Domethënë për ta kapur, perceptuar rrethin. Për ta sfiduar klaustrofobinë dhe akrofobinë! Sepse dhoma është e vogël për njeriun! Shumë e vogël. Tepër e vockël për njeriun! Monoteizmi nuk e ngopë njeriun! Njeriu ka uri, ka etje, ka kërshëri...
E patë fjalën për vdekjen, më ndërpreu Walidu.
Po, më fal i dashur, dhe u ngrita në këmbë...
Për vdekjen, si në kor u dëgjua zëri i tyre.
Dëgjoni, thash, Librat Tuaj ju mësojnë se njeriun e vdes Zoti. Unë druaj tua them të vërtetën, sepse kjo i heq shtyllën kryesore monoteizmit. Po ju tregoj një shembull nga Lufta e Kosovës. Serbët ushtrojnë masakër ndaj popullsisë civile shqiptare. Aty vriten: fëmijë, gra, pleq dhe shpëton një djalosh rreth njëzet vjeçar. Ky djalosh, kur kupton se sa veta janë masakruar atë ditë, bind veten se Zoti personalisht i ka shpëtuar jetën dhe shndërrohet në besimtar të devotshëm. Lëshon mjekrën dhe shpëtimin e jetës e ka bërë ide fikse dhe mendon se Zoti është mik personal i tij. Çka tregon kjo? Zoti i tij ishte i pafuqishëm, ishte irracional, që shpëton një djalosh dhe toleron vrasjen e fëmijëve: të pafuqishmëve! Ky rast tregon se shpëtoi ai që kishte fuqi. Nuk është në pyetje fati ( le destin, il destino, das Schicksal ), por shkathtësia dhe rrethanat e favorshme. Jo për fëmijët, jo për gratë, jo për pleqtë! Këtu kemi pra, Rrethanë+ Pafuqi=Pasojën! Në rast të favorshëm, si te rasti jonë: Rrethanë+Reaksion=Zgjidhje! Ata më vështronin të hutuar dhe herë pas here lëviznin në karrige. I vështrova një nga një dhe vazhdova. Për juve monoteistët kam edhe një pyetje: Kë donë Zoti më shumë: të varfrin apo të pasurin?
Natyrisht të gjorin, të mjerin,skamësin, thanë monoteistët një zëri.
Ju lumtë! Ata ngritën kokën dhe më shikuan me habi.
Ja e vërteta: Të pasurit jetojnë më shumë se të varfrit; ata kanë medikamente më të mira, jetë më të mirë dhe më të gjatë. A domethënë kjo se Zoti Juaj sprapset, kur sheh medikamentet dhe pezullon vendimin? A mund të thuhet se Zoti nuk vepron te të pasurit apo së paku jo deri sa ndikojnë barërat?
Po, mirëpo i pasuri jeton këtu mirë, e atje shkon në ferr!, tha Stefan. E përkrahën me tundje koke edhe Walidu dhe Zadek.
Bukur shumë!, i thash. Mu kjo na nevojitej. Këtu qëndron motivi i lindjes së monoteizmit. T´i shërbej të pasurve dhe t´i pasivizojë njerëzit e mjerë duke u përgatitur varrin për së gjalli! Kujt i konvenonte ky iluzion? Atyre, që pasuroheshin duke përfituar nga të gjorët! I varfëri shpreson parajsën, i pasuri e jeton këtu dhe ndoshta edhe atje. Pse ndoshta? Sepse, nëse është njeri i mirë, Kryezoti nuk e konsideron pasurinë mëkat. Me rëndësi është të mos ketë përvetësuar pasurinë në mënyrë jo të drejtë! Të dashur miq, gjatësia mesatare e jetës në Gjermani është kjo: pak më shumë 75 vjet te burrat, pak më shumë 81 vjet te gratë. Bocuana gati 37 vjet burrat, gati 38 vjet gratë.
A dini kush ndikon në zbritjen dramatike të jetëgjatësisë në vendet e varfra?
Jo, thanë.
Mortaliteti i madh i fëmijëve në Bocuan, thash unë. A vdes Zoti Juaj foshnjat me kënaqësi? Jo, më thanë.
E dini ku jeton njeriu më shumë. Jo nuk i dini, ule dorën, i thash Ranxhit! Në vendet e pasura jeton njeriu më shumë se në vendet e varfra, sepse ai ka kushte më të mira dhe din të kujdeset për shëndetin e vet! Atëherë pse besoni se Zoti vdes njeriun? Ata heshtën! Pse besoni se Zoti vdesë njeriun, thash me zë të lartë duke iu ngulur shikimin njërit pas tjetrit. Ata heshtën përsëri. Ju besoni se Zoti vdes vetëm të varfrit me pasion, të gjorët me zell, të pafuqishmit me kënaqësi e te të pasurit dhe aty ku ka shërbim mjekësor të mirë, me përtaci!!! Kjo është blasfemi zotërinj!
Ngoc Diep dhe Ranxhi u pajtuan. Monoteistët heshtën. Mos nxitoni, i thash Ngoc Diepit dhe Ranxhit, probleme kam edhe me ju dhe me reinkarnimin! A keni vënë re një fakt: kudo në botë gratë jetojnë më shumë se burrat! I donë Perëndia gratë apo i urren?
Nuk i urren, tha Stefan dhe Walidu.
Atëherë pse i shtypim gratë? Më tregoni pse në planetin Tokë gratë diskriminohen? Heshtje mortore në dhomë. Bëra disa hapa në dhomë dhe u ndala. Pse diskriminohen gratë në planetin tonë?, bërtita. Heshtje! Kryezotit nuk i pëlqen diskriminimi! Meqenëse është kështu, provat flasin madje për favorizim e grave, atëherë diskriminimi i femrës është njëri nga kryemëkatet më tragjike të njeriut! Edhe këtë mësim na e dhuroi monoteizmi! Juve ju lidh dhe ju afron baza e njëjtë: “ Sy për sy, dhëmbë për dhëmbë.” Sipas këtij rekomandimi një ditë njerizimi do të mbetej pa dhëmbë dhe pa sy, i verbët! Gabimin e keni të përbashkët, si edhe burimin. Meqë keni rrënjë të përbashkëta. Së bashku jeni mëkatarë dhe akuzoni Zotin për vepra që nuk i bën Ai! Unë do të kisha pasur frikë të akuzoj të pafajshmin. Ju vegjetoni me gabimin! Religjionet monoteiste nuk i ka imponuar kurrë arsyeja, por pushteti, dhuna! Ka njerëz që nuk i besojnë racionales, por i beson asaj që i pëlqen më shumë, iluzionit, prandaj nuk mund të pritet se ju brenda natës ndryshoni. Luan rol të madh edhe egocentrizmi, narcizmi dhe dëshira për epërsi. Monoteizmi me sublimimin e varfërisë, ka penguar qindra revolucione dhe ka ndihmuar në pasurimin e pa drejtë. Njeriu si një qenie me përafërsisht 100 bilion qeliza, vdes kur pushon ndarja e qelizave nga shkatërrimi i genomit. Kryeperëndia dhe Zotërat kujdesen për ndërtimin e planetëve të reja, për universin, jo për të mbikëqyrur jetën e njeriut. Këtë po e shohim çdo ditë me teleskop. Këtë e përjetojmë çdo ditë në Tokë. Njeriu është mikrob në krahasim me rëndësinë e Universit! Zoti ka vënë në lëvizje evolucionin dhe ky posedon një automatizëm dhe reaksion të vet, ligjete e veta, thash dhe u ula përsëri.
Më thoni ju lutem, a mund të programoj që kompjuteri im të fiket pas tri orëve apo duhet të kthehem domosdoshmërish unë nga qytetit për ta fikur?
Po, mundet, më thanë ata. Pse nuk besoni se jeta e njeriut në masë të madhe zgjatet ose shkurtohet nga mënyra e jetës, ushqimit, që konsumojmë dhe lëvizjes? Pse unë si njeri mund t´i përcaktoj automatizmin kompjuterit tim e nuk mundet Kryezoti? Shkova, thash, ju keni frikë të përimtoni racionalen
Ndalu, nuk jemi te bindur, thai Zadek. Natyrisht se nuk jeni. Ju mendoni se Zotin e keni mik dhe aleat. Unë mendoj se kjo është arrogancë dhe vetëmashtrim...Blasfemi! Të ecim se u bë vonë...
E kotë ishte, tha Walidu.
E kotë?, përsërita. Uluni ju lutem. Uluni, kam vetëm edhe dy fjalë për monoteistët: A e ndalon Zoti vetëvrasjen?
Po! thanë përfaqësuesit e monoteizmi njëzëri.
Ulu Ngoc Diep, dua ta përfundoj edhe këtë. Ngoc Diep i futi duart në xhepa dhe mbeti në këmbë. A ndalohet vetëvrasja?
Po!,thanë. Zoti ndalon vetëvrasjen, por monoteizmi ndalon vetëdijesimin. Pse po ndaluaka Zoti atë që mund ta zbatojë, ekzekutojë vetëm Ai. Njeriu mund të provojë vetëvrasjen, por Zoti nuk i falë vdekjen dhe këtu mbaron! Te ju Zoti ka monopolin e vdekjes apo jo?! A vendos Zoti kur vdes njeriu?, pyeta me zë të ulët.
Po, tha Zadek. Po, tha Stefan. Pa dyshim, tha Walidu. Nëse është kështu, si mund njeriu ta vrasë veten? Sipas jush njeriu gjatë vetëvrasjes shndërrohet në Zot dhe ka fuqi t´i marrë shpirtin vetes. Në luftë edhe tjetrit! Tragjike! Pra Zoti ndalon atë që nuk mund ta bëjë njeriu! Mrekulli! Kur tjetri vret njeriun, Zoti ulet për t´i marrë vetëm Shpirtin!!! Apo jo? Mirëpo, meqë Zoti nuk kishte ndërmend ta vdesë, ai edhe i pushkatuar, mund të jetojë, sepse Zoti ka këtë kompetencë!? Apo jo!? Ju kërkoj ndjesë nëse kam dridhur bindjet dhe idetë fikse. Qëllimi ishte te hapet Dritarja e asaj dhome ku jeni ngujuar, nga furnizoheni me urrejtje e mosdurim reciprok, tragjik. E drejta Juaj është të mbeteni sa të doni në atë dhomë! Askush nuk duhet të ju shqetësojë! Askush nuk ka të drejtë të ju nxjerrë me dhunë. Por, Dritaren mos e harroni!

Nuk kisha iluzion se ata do të ndryshonin paradigmat e tyre, por isha i bindur se kisha hapur pakëz Dritaren dhe në dhomë ishte futur pakë ajër i freskët. Për ditën e parë mjaftonte kjo!
Pse nuk pranon monoteizmin?, bërtiti Zadek derisa po futej në makinë. Zadek i dashur, është diskredituar deri në palcë. Shumë gjak...shumë cytje...shumë urrejtje e mosdurim reciprok. Shumë i cekët për shekullin tonë. Ka shërbyer edhe si ideologji ushtarake... Kryeperëndia nuk e donë më!, i bërtita nga larg! Ju i luteni të njëjtit Zot për ta eliminuar njëri tjetrin. Kryezoti është përsosmëria, jo gabimi!
Po a toleron Kryezoti poligaminë?, më pyeti ai
Po, por për këtë herën tjetër, i thash.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi