Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pesëvjetori i rënies së heroit të fjalës së lirë - Bardhyl Ajetit

Shko poshtë

Pesëvjetori i rënies së heroit të fjalës së lirë - Bardhyl Ajetit Empty Pesëvjetori i rënies së heroit të fjalës së lirë - Bardhyl Ajetit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 25, 2010 4:50 pm

Pesëvjetori i rënies së heroit të fjalës së lirë - Bardhyl Ajetit

Editoriali
Pesëvjetori i rënies së heroit të fjalës së lirë - Bardhyl Ajetit Bardhyli_255

Në redaksinë tonë, edhe më tutje po e ruajmë një vend për Ty!
Po na mungon shumë fjala jote, pena jote e guximshme.
Malli nuk na tretet siç po rrokullisen vitet.
Të patëm kolegë, do të jesh kolegë i paharruar! Përgjithmonë me Ty Bardhyl!
Të kujtojnë me mall stafi dhe kolegët redaksisë...

Pesë vjet më parë, pikërisht më 25 qershor 2005, në një spital të Milanos ndërronte jetë gazetari i "Botës sot", Bardhyl Ajeti. Më 3 qershor 2005 Bardhyl Ajeti ishte qëlluar në pritë nga dora e zezë gjakatare e krimit. Lexuesit e panumërt të gazetarit të talentuar, të gjithë adhurues të zjarrtë të tij, miq e dashamirës të gazetës, personalitete të përkushtuara ndaj fjalës së lirë, institucione perëndimore e ndiqnin pa pushim situatën shëndetësore të gazetarit, e cila, mjerisht, nuk jepte shpresa. Ankthi kaplonte çdo sekondë kolegët dhe stafin e gazetës "Bota sot". Kosovën e pllakoste trishtimi, e pllakoste zija. Kosova kishte pritur dasmën e Bardhylit, Bardhyli bëhej dhëndër i vdekjes. Kosova kishte pritur të vishej me të bardha për dasmën e Bardhylit, Kosova vishej me të zeza për vdekjen e Bardhylit. Ishte vetëm 28 vjeçar dhe, pa mëshirë, ia merrnin jetën, që, bashkë me Bardhylin, të varrosej edhe fjala e lirë. Mediat perëndimore i bën jehonë rënies së Bardhylit, dënuan aktin kundër tij, kërkuan drejtësi, institucionet perëndimore dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së gazetarëve, të mbrojtjes së fjalës së lirë reaguan fuqimisht. Emri i Bardhyl Ajetit, krahas emrit të Bekim Kastratit, gdhendej me germa të arta në obeliskun e heronjve të fjalës së lirë në Amerikë. Prishtina, mjerisht, mbeti e mpirë. Lajtmotivi i shkrimeve të gazetarit të talentuar ishte Kosova e pavarur dhe sovrane, Kosova e sundimit të ligjit, Kosova shtet i së drejtës. Prandaj kërkonte ligjin, kërkonte drejtësinë, i kundërvihej krimit, antiligjit, padrejtësisë. E donte pa masë të ardhmen, e donte përparimin, e donte ecjen përpara të Kosovës. Prandaj nuk pajtohej me regresin, me kthimet mbrapa, me reminishencat e së kaluarës. Bardhyli donte dhe ëndërronte shkëlqimin e vendit të tij, të shoqërisë, të bashkëqytetarëve, donte dhe ëndërronte që Kosova të lartësohej sa më shpejt duke fituar në liri kohën e humbur në pushtim, duke shëruar në liri plagët e marra në luftë, duke lehtësuar në liri traumat e marra në robëri. Një djaloshi në moshë të re i falet ëndërrimi, i falet përkushtimi sado ngulmues i tij për një Kosovë sa më të lartësuar, për një Kosovë sa më krenare, për një Kosovë sa më shembullore, për një Kosovë që të shkëputet sa më fuqishëm dhe sa më vendosmërisht nga e shkuara dhe ta përqafonte sa më plotësisht e sa më vrullshëm të ardhmen, ashtu siç e meritonte. Bardhyl Ajeti e fillonte karrierën në gazetën "Bota sot", merrte emër nga kjo gazetë, shumë shpejt i jepte emër gazetës, duke u bërë gazetari më i shquar shqiptar i kohës, me kërkesat më të larta e më profesionale të kohës, me guximin e pashoq. Kosova do të donte t'i dilte përkrah, t'i gjendej pranë, ta mbronte nga çdo e keqe dhe e ligë Bardhyl Ajetin, në mënyrë që ai të vazhdonte ta thoshte të vërtetën, në mënyrë që, bashkë me Bardhyl Ajetin të vazhdonte të jetonte fjala e lirë në Kosovë. Kosovës ia morën nga jeta birin e saj, Kosova me dhimbje që nuk shterojnë kurrë e mori në gji përfundimisht birin e saj. Kështu Bardhyl Ajeti, bashkë me kolegët gazetarë e bashkëpunëtorë të "Bota sot" Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati do të prehej në altarin e lirë, atje ku janë kryekomandanti Adem Jashari dhe të gjithë heronjtë e dëshmorët e tjerë të lirisë kombëtare të Kosovës, të cilët e dhanë jetën për Kosovën e lirë, për Kosovën e pavarur dhe sovrane, për Kosovën demokratike, ku të mbretërojë fjala e lirë, mendimi i lirë, në shoqërinë e lirë dhe të hapur, të integruar me Evropën dhe me Perëndimin, hapësirë së cilës gjithmonë i ka përkitur, gjithmonë i përket.

Bota Sot
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi