Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu

Shko poshtë

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu Empty Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 22, 2010 9:20 pm

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon…

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu U1_ThaniNaqo

Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu 41390_1208896826_5194675_n
Bisedoi:Raimonda Moisiu
Pasioni, etja dhe dhuntia për të shkruar kanë qënë të herëshme për shkrimtarin dhe poetin Thani Naqo. Gjithashtu, talentin dhe aftësitë e tij I lidh me lirinë, me gëzimin, me besimin se cdo gjë duhet të shprehet, për t’I kthyer njerëzimit të qeshurën, për vazhdimësinë e jetës e mbrujtur me shënjtërinë e mirësisë dhe humanes. Të intervistosh sot njerësit e letrave shqipe është një nder dhe vlerësim, rëndësi e vecantë, është transmetimi I mesazhit krijues, embrionit të shkrimtarit, ndërgjegjësimit, pasurimit dhe përjetimit të identitetit të kulturës e dashurisë për kombin e atdheun. Në këtë vorbull të mirësisë, qytetarisë e humanes së kësaj interviste, shkrimtari dhe poeti Thani Naqo rrëfehet për krijimtarinë e tij në botën e letrave, në gjinitë e saj, veprat e tij të botuar dhe në proces, dhe cfarë do të thotë t’I përkushtohesh gjithë jetës letërsisë dhe artit, të jesh shkrimtar e poet – në kuptimin shpirtëror dhe filozofik.

Cili ka qënë libri tuaj I parë? Në cilin vit e keni botuar?

Libri im i pare me tregime, “Shtëpia e përgjumur”, është botuar në vitin 1977, kur isha student në Fakultetin Ekonomik. Njëri nga recezentët ka qënë Dritëro Agolli dhe, në kapakun e dosjes ku qe dorëshkrimi, ai kishte shkruar : të botohen kështu siç janë. Gjithashtu dhe dashamirësia e Sami Çabejit ishte e tejskajshme me mua. Sidoqoftë, botim të parë për publikun unë mbaj tregimin “Duke kërkuar manarin”, i cili fitoi çmimin e parë në konkursin e lerarëve në Korçë. Gazeta Bashkimi e botoi atë. Mbaj mend se ka qenë pragdimri i vitit 1972. Isha gjimnazist, mustaqe porsadirsur dhe ende nuk kisha vënë brisk në faqe.

Të shkruarit ka qënë një pasion I hershëm I juaji? E ndjeje se duhej të shkruaje?

Të shkruarit ka qenë pasion i hershëm. Kam qene fatlum sepse në shtatëvjeçare kisha mësues gjuhe shkrimtarin Petraq Zoto, i cili më jepte lirinë e plotë në dy orëshin e hartimit që unë të shkruaja çfarë të dëshiroja, jashtë temës që ai shkruante në dërrasën e zezë. Unë atëherë nuk e kuptoja përse ai ma jepte këtë liri krijuese. Në fshat vinte shpesh shkrimtari Sotir Andoni. Ai më lëshoi në dorë një libër të mahnitshëm të Pier Gamarës, me titull “Aventura e gjarpërit me pendë”, libër që më nxiti të mendoj në rininë e hershme se unë duhej të bëhesha shkrimtar. Për shembull, novelën “Lulet e mollës” të Gollsuorthit e kam lexuar në një strehim nga ato të luftës italo-greke, në majë të kodrës, sipër fshatit, mes fjerishtave dhe, edhe sot habitem si nuk e mora vesh që më iku dita pa ngrënë dhe pa pirë ujë, por u mjaftova me luleshtrydhe. Mirëpo fëmijëria është mosha më e çuditshme dhe më e lëkundura. M’u shkrep të bëhesha boksier dhe, kur shkova në klasën e gjashtë, ëndërroja ditë e natë të bëhesha kompozitor. Prifti i fshatit, At Konomi, më mësoi mandolinën, Ilo Kotja fizarmonikën dhe Thanasi, dyqanxhiu i fshatit, kitarën. Harmoninë e lidhjen e akordeve ma ka mësuar kompozitori i famshëm korçar i serenatave, Abas Hajro. Kur unë erdha në mëntë e mia rinore kitarën nuk e ndaja nga dora. Më pranonin në shoqëri djemtë e rritur, nga të cilët mësova këngët e serenatave dhe, mos e fsheh, nga ata mësova edhe si t’ua shkelja syrin vajzave dhe si duhej dashuruar. Përfytyroje Ziçishtin në ato kohëra të moshës time rinore: fshati më i bukur në botë! Sot, i thinjur rrugëve të mërgimit, me spirancën e lëshuar në Florida, vendlindja ime, Ziçishti, ka mbetur strumbullari i të gjitha ndjesive të mia. Do ta vërtetoj pse Ziçishti është fshati më i bukur në botë: njëqind shtëpi, tri lagje, me lumë në mes, fusha pjellore dhe pyllin e ahut si shall pas qafe. Me urë guri me hark, katër kisha, njëzet kitara dhe vajzat më të bukura të Devollit i gjeje aty. Ato ishin çapkëne dhe të linin pa gjumë. Nëse Nju Jorku quhet Qyteti i Pagjumë, Ziçishti ka qenë fshati ku edhe në netët e gjata të dimrit, nuk flinte kurrë. Atyre viteve kishte tre mullinj me ujë, kadet e mullinjve lëshonin spërka uji, njëlloj si në fëmijëri, kur ne mburreshim cili do ta hidhte shurrën më larg. Tek sfratet e mullinjve graria dhe vajzëria kopanisnin rrobat dhe qeshnin e argaliseshin dhe shkriheshin si në asnjë fshat tjetër të botës. Nga Ziçishti kanë dale mbi njëqind intelektualë me shkollë të lartë. Dëgjon emra të shquar në lëmin e letrave duke filluar me patriarkun Evllogjio Kurila, Kosta Çekrezi, Vasil Xhaçka, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Llaqi Zoto dhe…dhe kush tjetër? Po shtoj edhe emrin tim në këtë listë krijuesish. Ju më pyetët se e ndjeja që duhej të shkruaja? E ndjeja që ç’ke me të sepse ëndërroja çdo çast të bëhesha shkrimtar e poet, sepse rrushi sheh rrushin dhe piqet, mbasi asnjë fshat në botë nuk ka nxjerrë kaq shumë shkrimtarë e poetë sa fshati im Ziçisht. Strumbullari im do të mbetet Ziçishti, maja e Devollit, pasi e kam kuptuar qysh herët se edhe në një vend të vogël ndodhin ngjarje të mëdha dhe tani vonë pohoj se treva jonë, që nga Nikolica gjer në Shën Naum dhe gjer në Kolonjë, është treva më lirike e trojeve shqiptare. Nuk u bëra kompozitor, por nuk hoqa dorë nga kënga. Jeta është luftë, vështirësi, trishtim, dhimbje, pabesi, urrejtje, triumf, por ajo, mbi të gjitha, është edhe këngë.
Ju sapo kini botuar romanin “Murmashët”. Përse keni zgjedhur këtë titull, dhe si ja kini arritur ta realizoni botimin e tij?

Romani “Murmashët” është sprova ime e dytë në këtë gjini. Deri para vitit 1990 kisha botuar tre libra me tregime e novela, kisha edhe eksperiencën e skenarit të filmit artistik dhe, kur u shtrova për të shkruar romanin e pare Përgjumje Iluzionesh, e ndjeva se kjo gjini kërkonte jo vetëm kohë në dispozicion, por dhe karrigen të fortë dhe nerva të argasura, studim dhe diapazon kulturor. Romani kërkon gjithashtu material letrar të bollshëm. Qindra dhe mijra detaje artistike. Hejbet dhe xhepat e kujtesës ishin mbushur plot dhe ato duhej të zbrazeshin. Romanin e konceptoj si një ndërtesë shumëkatëshe me konstruksion të fortë, sepse mban me dhjetra dhoma dhe personazhe. Romani, në konceptin tim, është kompleksitet karakteresh të cilët duhet të qëndisen artistikisht deri në fund. Ky mendim rrjedh nga tradicionalizmi dhe eksperienca botërore, sepse asgjë nuk lind nga hiçi. Pas një dekade e gjysmë, pasi i vura në vend me mund e djersë problemet ekonomike familjare, iu riktheva edhe njëherë bibliotekës time të vjetër dhe çuditërisht zgjodha të preferuarin e rinisë, gjigandin Nikollai Gogol. Pse pikërisht Gogolin? Sepse zbulova se botës së sotme moderne ia kishin rrëmbyer të qeshurën. U betova në heshtje: e qeshura duhet t’i rrikthehet përsëri njerëzimit. Jam i ndërgjegjshëm se ky përkushtim është barë shumë e rëndë, por unë nuk jam i vetëm. Ka edhe të tjerë shkrimtarë që e ndjejnë këtë mungesë. Murmashët në romanin tim janë personazhe të cilët kanë harruar të qeshin dhe kjo nuk është për faj të tyre. Streset, pasiguria dhe çorroditja nga mospërshtatja me morale të pa njohura, plak njerëzimin para kohe. E qeshura çiltëron jetën, sado e vështirë që të jetë ajo.

Kur e keni filluar të shkruani këtë libër, jeni frymëzuar nga jeta reale e përditshme apo dicka tjetër, e fantazuar nga ana e juaj?

Fantazinë time unë nuk e vë dot në fre, por atë asnjëherë nuk e kam shkëputur nga bota reale. Nuk kam qënë dhe nuk jam tifos mbas letërsisë që bazohet mbi të dhëna shkencore, për shembull si ajo e Dan Braunit, gjithashtu nuk jam as simpatizant i kinematografisë apo letërsisë policeske e cila ka pushtuar sot ekranin dhe letërsinë perëndimore. Të njëjtin gjë pohon edhe shija ime për vargëzimet poetike ku renditen mekanikisht detaje. Është tjetër gjë të renditish detaje dhe tjetër gjë t’i kthesh ato në art. Parapëlqej shkollën e konsoliduar të vargut tradicional. Kombinoj metrika të ndryshme, rritëm nën temp muzikor, pasi poezia, në konceptin tim, është së pari këngë, pastaj ajo, kënga, përcjell idetë filozofike. Çuditem sepse shumë krijues me emër nuk shkruajnë për epokën që përjetojnë, por zhyten në labirinthet e mykura të sulltanatit apo edhe në rrathet e ferrit dhe djegin talentin e tyre. Në krijimtarinë time do të gjeni sfonde të cilat unë i kam njohur deri në imtësi. Imtësira të mrekullisë natyrore, sinonime tingëlluese të dialekteve dhe ato i përshtat me psikologjinë bashkëkohore. Personazhet më lodrojnë para syve dhe i përzgjedh nga ata që janë të formuar plotësisht, nga ata që kam njohur dhe i vendos në ambjente po të njohura. Nuk e ndjej të nevojshme të shpik karaktere, sfonde apo ambiente që nuk i kam takuar apo parë në jetë. Karakteret nuk i ndryshoj sipas qejfit tim, por i jap sikundër ata janë në realitet, të kushtëzuar nga rrethanat politiko-ekonomike dhe i le të flasin e veprojnë ashtu siç janë formuar. Nuk parapëlqej monologimet. Kam krijuar përshtypjen se monologimet e stërgjatura dëmtojnë artin edhe kur vepra shkruhet në vetën e parë. Personazhet e mi flasin pak, aq pak sa mund të themi hiç fare. Janë të tjerë elementë letrarë që plotësojnë monologimin. Unë kam zgjedhur këtë mënyrë të të shkruari. Siç shprehet kritiku Fatmir Terziu, për mua ka rëndësi së pari narativiteti i ndërthurrur me karakterin dhe gjallërimi i sfondit ku zhvillohet ngjarja. Kam zili penelimin e gjallërisë në peisazhet e Vangjush Mios dhe ndjenjat metaforike të këngëve të serenatave. Jam pasionant i botanikës, biologjisë, folklorit, ekonomisë dhe financave. Historinë e lexoj më shumë për diapazon kulturor, por nuk rëndoj trurin me data dhe shekuj. Më mjafton thelbësorja e historis dhe legjendave. Tani jam në atë stad krijimi kur ndjej përgjegjësinë e të shkruarit dhe autocensurohem që ndjesitë e mia mos mbeten vetëm për mua. I përkas përjetimit të dy shekujve dhe s’kam përse të shkoj më larg tyre. Parapëlqej natyralitetin dhe besueshmërinë e karaktereve.

Murmashët" nuk është aq shumë fantazi, sepse ajo është bota e brendëshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave të njerësve, të vëndeve në ndërtimin e një “bote të re”, me tipikë burim-rrëfim-frymëzim -kulturë?

Mos e dhëntë perëndia t’i përgjigjem kësaj pyetje si akademik, mbasi asnjëherë nuk kam dëshiruar të jem i tillë. Në shkrimin ese “Eksplorimi i art-vetes” unë shpreh pikëpamjet e mia duke kundërshtuar idenë e hedhur nga kritikë dhe eseistë se “arti po vdes”. Lexuesi i kualifikuar e ndjen se bota e artit të të shkruarit dhe ai vizivo-perëndimor sot po kalon gjëndjen e komës, mbasi mbizotëron mediokriteti. Në romanin Murmashët i kam mëshuar më tepër realitetit të përjetuar dhe fantasia letrare mbështet qëllimin tim. Realiteti në këtë libër është konceptuar nga këndvështrimi një emigranti të rregjur në botën Perëndimore. Ndjesitë dhe subkoshiencën e tij ia përcjell lexuesit shqiptar. Ky pozicionim në këtë vepër është krejt i ndryshëm nga pikpamja tradicionale shqiptare dhe kjo do ta bëjë që lexuesi të përdredhë vetullat i habitur. Pra, lexuesi do të ndodhet midis përplasjesh moralesh tradicionale të nacionaliteteve botërore. Ajo, që për botën e zhvilluar Perëndimore është e natyrshme, për tradicionalizmin shqiptar shfaqet me nuanca dramatiko-tragjike. Jam pozicionuar si krijues nga këndvështrimi i të ardhmes, pavarësisht se kjo mund të vonojë në trojet shqiptare. Nëse do të ketë polemikë apo dhe vonesë vlerësimi për artin tim, kjo mua nuk më shqetëson aspak. Shëmbull kam tregimet e mia të hershme, të cilat pas tridhjetë vjetëve, po bëhen objekt diskutimi. Për mua koha dhe zhvillimi ecën shumë shpejt, por kjo nuk do të thotë se s’do të jem gjallë dhe të dëgjoj kumbimin e vonuar.

Sa kohë keni shpenzuar për të shkruar këtë roman, me shumë bagazh për lexuesit. Cili është koncepti juaj që ju dëshironi të thyeni, për lexuesit e mundshëm?
Të them të drejtën në dekadën e fundit kam punuar gati çdo ditë, zakonisht pas punës së rëndomtë për të mbijetuar. Shkruaj më shpejt në kompjutër se sa me shkrim dore. Pyetja juaj korespondon me një bisedë që bëra sot me shkrimtarin Kristaq Turtulli. Kristaqi është tejet prodhimtar dhe unë respektoj artin e tij. Më mahnit Fatos Kongoli. Sipas një llogarie matematikore, romani Murmashët, shkruar, korigjuar dhe redaktuar nga unë vetë, korespondon me një rendiment prej dy faqesh në ditë. Pra, gjashtëdhjete rreshta të përfunduara në ditë. Jam huqli sepse nuk mund të vazhdoj më tej, pa rilexuar të paktën dy apo tre kapitujt e fundit. Atëherë ndodh që zhytem në të shkruarat e kaluara dhe mezi dal për të vazhduar më tej. E përmenda edhe pak më pare, duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, për konceptin tim në teknikën e të shkruarit: para se të shkruaj fjalën e parë këshilloj veten të mos humbas kohë për të shpikur ambiente, karaktere dhe sfonde të panjohra nga ana ime. I qëndroj besnik kësaj dëshire rinore në krijim: çdo gjë nga realiteti, që nga tërfili e zhumbrica shqiptare dhe deri tek bari i kripës në Florida. Heminguej më ka këshilluar të mos harroj motin. Moti është i pandashëm në cdo hap. Gogoli më ka këshilluar të mos bëj moral, sepse është arti ai që përcjell idetë filozofike dhe jo e kundërta. Ky eshtë koncepti dhe teknika ime. Se sa sa kam mundur ta vë atë në jetën time krijuese, e lë në dorën e lexuesit dhe të kritikës. Unë nuk shkruaj për vete. Përpiqem të përmirësoj jetën e të tjerëve dhe, pas përfundimit të çdo libri, çuditem, sepse ndjehem edhe vetë i përmirësuar. Këto që thashë pak më lart janë receta që ia jap vetes time dhe jo krijueve të tjerë.

Jeni tregimtar apo poet, apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?

Krijuesi është qenia humane më komplekse në botë. Shokë dhe miq artadashës më thonë se jam poet lirik. Kjo më shtyn padashje të përjetoj delirin për disa çaste, sepse fjala e tyre më ngroh. Edhe brumin e bukës apo dhe kosin po nuk i mbajte ngrohtë, nuk zhvillohen enzimat. Mirëpo unë jam fshatar i rregjur, njëkohësisht dhe kokëngjeshur nga eksperienca: Deliri i Madhështisë më sjell ndër mend mizën shumëkëmbëshe që jeton nën bishtin e kalit. Pas tridhjetë vitesh krijimtarie, i pari njeri dashamirës, kritiku Fatmir Terziu, shkruan për mua, për tregimin “Vdekja e kulakut” botuar në vitin 1987. Pastaj ishte po Fatmir Terziu ai që analizon krijimtarinë time të viteve të fundit. Më pas enciklopedisti i diplomacisë dhe gazetari Alfred Papuciu, u befasua kur lexoi romanin Përgjumje Iluzionesh, të cilin e gjeti rastësisht mbi një komodinë në dhomën ku flinte. Vangjush Zikoja e quan atë roman epope. Endri Fifo e quan depo e madhe nga do të dalin shumë romane të tjera, sikundër doli edhe romani Murmashët. Skënder Demolli thotë se, pas njëzet vjetësh katrahurash politike, qesha. Teodor Laço thotë se unë vallë do të shkruaj në të ardhmen një roman tjetër si Përgjumje Iluzionesh. Ju po më pyesni jam prozator apo poet. S’mund ta ndaj qenien time në dy pjesë. Zakonisht poetët firojnë shpejt, por unë e ndjej se poeti dhe prozatori ecin paralel dhe mbajnë njëri tjetrin mos humbasin ekuilibrin. Po të lë në harresë vargëzimin, më duket se diçka do të çalojë në prozën time. Njëlloj si samari mbi shpinën e kalit. Të dyja anët duhen ekuilibruar. Koçi Petriti, Musa Vyshka, Skënder Rusi, Perparim Hysi, Ligor Prifti, Tahir Bezhani, Ziko Kapurani, thonë se jam poet. Sotir Andoni, Sami Çabej, Moisi Zaloshnja, Tedor Laço, Petraq Zoto, Andon Andoni, thonë se jam shkrimtar. Ndryshimi midis poezisë dhe prozës është shumë i madh, por kjo nuk më ka penguar në krijimtarinë time. Kur lodhem me prozën, ja marr këngës me poezi. Pastaj kaloj në internet dhe ballafaqohem me kolegët. Mbush goten me verë dhe hedh nxitimthi esera, më shumë për t”u çliruar nga ethet e krijimit dhe lodhja e ditës. Kohët e fundit më pëlqen vetmia, por për inerci rinore shpërthej dhe kërkoj ambiente të reja. Për atë që jam i sigurt, këmbëngul si mushka: nuk bëj prapa. Poezia për mua është këngë dhe kërraba e saj më rrëmben dhe nuk i zemërohem, sepse unë nuk jetoj dot pa të.

Si një burrë, kush janë anët e mira dhe jo të mira, të një martese, si do ta përshkuani ju një burrë ideal?

Fatmirësisht, në short më ka rënë një grua e mrekullueshme që e përzgjodha midis vajzave që kam njohur. Por kjo përzgjedhje nuk më pengon që unë të kthej kokën dhe të shikoj femrat e tjera. Mos e dhëntë perëndia të verbohem apo shurdhërohem një ditë. Kam tridhjetë e dy vjet me të dhe sot nuk dalloj dot ku ndahet dashuria: ime shoqe është kthyer për mua edhe bashkëshorte edhe nënë. Çudi e madhe e shekullit! Shpesh me bëhet se ime shoqe është gruaja ideale, ndërsa për veten time akoma dyshoj se, edhe kur të vjetërohem, s’kam për t”u bërë plak ideal. Martesa, si fjalë konceptuale, mendoj se ështe tejet e vjetëruar. Bashkëjetesa me të njëjtën femër për gjithë jetën nuk varet nga kartërat dhe as nga rregjistri i gjëndjes civile që vërteton celebrimim e bashkimit trupor dhe psiqik. Nuk më kujtohet të kem vënë kurorën tradicionale kishtare me gruan time. Kurora jonë ka qenë dashuria. Ekuivalenti që ndikon në jetëgjatësinë e shtatit bashkëshortor ështe ndjenja reciproke e dashurisë dhe jo betimi martesor nën kapakët e bibles apo kuranit. Të them të drejtën nuk më ka shkuar kurrë ndër mend që një ditë të përshkruaj në librat e mia një burrë ideal, ose një grua ideale. Aq më shumë se një burrë i tillë, mendoj se nuk egziston. Idealiteti në qënien njerëzore është tejet i ngatëruar. Janë për të patur zili instinktet e lejlekëve dhe nuselalave, për sa i përket besnikërisë. Idealiteti nuk është në dorën e qënies humane, por i ndërvarur nga shumë faktorë psiko-analitikë dhe ekonomikë . Pikërisht tek romani Murmashët demonët e fshehur në qënien e njeriut të mirë heshtin dhe nuk bëzajnë, por ata bëjnë sikur flenë dhe hovin befas në caste kritike dhe dërmojnë edhe karakteret që të linin përshtypjen se janë idealë.

Është krijuesi e lirë në ditët e sotme?

I lirë të shkruajë si të dojë dhe për çfarë t’i shkrepet. Për veten time nuk shoh censurim në art, por autocensurim, që ështe domosdoshmëri në publikimin e ndjesive vetiake. Ato duhet të përzgjidhen me formulën e probabilitetit që të përputhen me ndjesinë e lexuesit. Jo çdo ngjarje bëhet art. Kjo është motoja ime përzgjedhëse.

Keni shkruar edhe tregime, dhe ju e konvertoni shumë ndjeshëm e me talent, që në titull. Është kjo efikase për të nderuar kujtimin e atyre që largohen nga kjo botë, dhe fjalët duken sikur përcjellin ndjenjën e paqes shpirtërore?

Titullin e çdo shkrimi e konceptoj si bërthamë. Veshja e titullit me elementë letrarë formon frutin krijues. Jam ndjerë i shokuar dhe tejet i tronditur kur shkova për here të parë në vendlindje pas një dekade. Brezin e atyre pleqve e plakave të dikurshme nuk i gjeta. Gjeta një brez tjetër të plakur. Brezin e atyre vajzave e djemve me të cilët unë isha rritur, thinjur e thinjuar As në dimrin më të ftohtë të Devollit nuk më kishin zënë drithërima të tilla. Një javë të tërë e ndjeja trupin edhe nën lëkurë të mbushur me mornica. Një shoku im i ngushtë qau kur më pa dhe iku dhe u fsheh si fëmijë pas qoshes së murit. Kjo ndodhi në gushtin e 2006-ës. Që nga ai çast u betova se do të shkoj në Shqipëri çdo vit që të njohurit e mi mos më trondisin më. Ta di se me not do të çaj oqeanin dhe në vendlindje do të jem çdo vit. Nuk paska plagë më të gjakuar se mërgimi.

Ju shkruani poezi, lirika dashurie “ të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur”, dhe jeni nga poetët e rrallë, që me anë të vargjeve shpërthyese,”ilustroni”, ndjenjat dhe karakterin e të qënit një mashkull i ndjeshëm dhe i dashuruar ?? P.sh. te poezia “Polen dhe nektar”, që mund ta quaj një deklaratë dashurie? Përse një gjë e tillë?

Ndjej keqardhje për atë që nuk ka dashuruar. Jeta jepet njëherë dhe ajo duhet jetuar, sado e vështirë të jetë. Nuk jam tifos i vargjeve që vijnë nga nëntoka. Pikpamjet e mia bazohen mbi shkencën dhe jo mbi verbërinë e trashëguar nga lashtësia. Në çdo moshë ka ndjenja dashurie. Në këtë aspekt kam mbetur shqiptar kokëngjeshur dhe nuk mund ta konceptoj dashurinë të shpërfytyruar. Të përdhosësh bukurinë femërore që e ka formuar natyra, më duket e pafalshme. Të braktisësh dashurinë femërore dhe të kalosh qorrazi në instinktet kafshore, do të thotë të kthehesh në mostër. Jetojmë epokën e konspiracive dhe shpesh viruset kthehen në epidemi. Dashuria midis femrës e mashkullit është njëlloj si bashkëjetesa e polenit me nektarin. Poleni pllenon dhe nektari është mjalti. Poleni dhe nektari në art përmirëson jetën e njerëzve. E bën atë të natyrshme, të gëzueshme. Dashuria duket e pa prekshme, por për mua është e prekshme. Dashuria shijohet, aromon natyrë, pllenon lulen femërore, përndryshe jeta mbaron. Në konceptin tim është rrënjosur mendimi i vazhdimësisë së jetës. E konceptoj pikërisht kështu sepse i tillë jam formuar. Prandaj sarkazma ime nuk njeh kufij. Le të qeshim e tallemi me viruset që shpërfytyrojnë natyrën njerëzore. Pra, të dashurojmë, njëlloj si lulet, njëlloj si bimët, njëlloj si shpezët, me shënjtërinë e qënies humane, por jo me instinktin e derkucëve.

Shumë poezi dashurie…C’është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se është i dashuruar? Si ia arrini ju ta reflektoni në poezitë tuaja?

Ka teoricienë që thonë se poezi dashurie shkruajnë më shumë ata kur ajo u ka munguar. Ndjenja e dashurisë nuk egziston vetëm tek femra dhe mashkulli i bukur. Ajo, dashuria, egziston shpesh më e fuqishme edhe tek femra e shëmtuar dhe mashkulli jo simpatik. Unë s’kam qenë asnjëherë i bukur në pamje, por kjo nuk më ka penguar të mos dashuroj. Në çdo kohë, edhe në caste kritike, ndjehem i dashuruar. Edhe tani që po flas me ju. Krijuesit, shkallën e përjetimit e kanë shumë të lartë dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të ankohet se i mungon dashuria. Neve, krijuesve, kur na mungon diçka, krijojmë çdo gjë që na mungon. Edhe në ekstremin e diktaturës, krijonim lirinë. Thonë se dashuria është ëndërr. Dashuria për mua nuk është ëndërr. Ajo është e prekshme, reale, që nga thonjtë e pulpët e femrës dhe deri në labirinthet e zemrës. Që nga fustankat me lule, gjunjët e zbuluara si shugje dëbore Gramozi dhe gjer tek gjinjtë si shegë apo dardha Devolli. Që nga e qeshura e çiltër vajzërore, që më ngjason me kakaritjen e jariçkës kur bën vezën e parë dhe deri tek kordelja që mbledh flokët dhe zbulon zverkun femëror kur vajza ka kuptuar se është rritur. Kam patur guximin të nder dorën dhe ti prek të gjitha këto. Megjithëse po mbush gjashtë dekada, nuk kam ndrojtje t’i këndoj dashurisë edhe të femrës së shëmtuar edhe asaj më të bukurës. Nuk jam trishtuar kur më kanë flakur ujë nga ballkoni. Biles njëherë, së bashku me mikun tim të paharruar, poetin e fabulistin Piro Visari, na u shkrep t’i këndonim vajzës më të bukur korçare dhe ishte dimër dhe ajo na lagu me ujë dhe ne kemi qeshur gjersa zbardhi dita. Nuk ka gjë më të bukur se sa të të gjejë lindja e diellit duke qeshur! Këmbimin e frymës në puthjen e dashurisë unë e quaj magji të jetës. Puthja nuk falet, ajo rrëmbehet. Nëse dikush ndjehet i ndrojtur akoma para dashurisë, e këshilloj të lexojë lirikat e mia dhe ai do të zgjohet nga gjumi iluziv i pesimizmit.

Ju thatë se frymëzimi ju vjen nga bota e brendëshme njerëzore, Poezitë, tregimet, essetë tuaja, publicistika, analizat fantazohen apo krijohen ashtu si ishin? Kam përshtypjen se ato ndikojnë…

Në poezi realitetin e zbukuroj më shumë nga ç’duhet. Dhe kjo nuk prish punë, pasi poezinë e përfytyroj here si nuse e veshur në të bardha here si dhëndërr i prapë që edhe natën e dasmës shkel pellgashet ku është shumuar hëna. Në prozë më ndodh e kundërta: ndaj fenomeneve negative bëhem më hidhnak nga sa duhet. Ndryshe s’kemi për të qeshur.

-Pse shkruani?

Oh, kur unë të iki, t’ua dhuroj zemrën dhe të shihni si e pata zbukuruar.

A e konsideroni veten publicist?

Nuk kam provuar kurrë të merem me publiçistikë të mirëfilltë. Sidoqoftë, arti i të shkruarit të letërsisë është një mënyrë publiçistike në shkallë më të lartë ndjesore. Mendoj se edhe kjo intervistë hyn në publiçistikë.

Si ka mundësi që ju paraqisni veten tuaj në të treja këto gjini.Si ia dilni? Kjo zgjuarësi vjen nga diku në gjenezën e familjes tuaj?

Shiko, Monda. Po të më pyesish çfarë di të bëj, do të shtoj se kam përjetuar zanatin e bujkut, të bariut, të druvarit, orkestrantit, futbollistit, ekonomistit, financierit, suvaxhi kam punuar, pllakaxhi, marrangoz, dhe shumë zanate të tjera, por mbi të gjitha, më mire di të shkruaj libra. Në të njëjtën ditë shkruaj prozë edhe poezi. Në kohën e krijimit dëgjoj muzikë. Më qeton zëri i Eli Farës, i Mariah Kareit, i gjigantit Denis Rusos, i Jani Parios. Dëgjoj muzikë klasike, më mahnit muzika braziliane dhe ajo napolitane. Fizarmonika më gjallëron si asnjë vegël tjetër muzikore. Nga fisi im është shkrimtari Sotir Andoni dhe folkloristja Ollga Papa. Sa përralla dhe historira kam dëgjuar unë nën dritën e llambës me vajguri, apo në sofatet e portave të Ziçishtit, mbushur dikur me pleq e plaka, nuk besoj të ketë degjuar as Gabriel Markesi nga nënokja e tij.

Mendoni se kini arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet në të ardhmen?
Oh, e ndjej se ndryshoj çdo ditë! Pa kaluar mirë java, korrigjoj ose gris atë që kam shkruar më parë. Kam maninë e Floberit në teknikën e frazës. Prandaj dhe nuk jam shumë prodhimtar. Mjaftohem me dy faqe në ditë. Së shpejti do të shohë dritën e botimit romani tjetër të cilin akoma nuk e kam pagëzuar, por që i kam vënë nofkën si nëntitull “Demonët bëjnë sikur flenë.” Besoj nga behari që vjen do të nxjerr librin e katërt me poezi lirike. Projekte kam shumë, por ato duhen hedhur në letër. Më duhet t’u rikthehem edhe njëherë vëllimeve me tregime të botuara para viteve 90-të dhe të botoj përmbledhjen e tyre. Më duhet t’i rikthehem edhe njëherë letërsisë për fëmijë sepse asaj moshe i jam shumë borxhli.

Thua kjo ka të bëjë me moshën?
Siç e sheh, kam shumë për të bërë. E parandjej se do të më duhet të gjymtoj orarin e gjumit.

A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

Kritikë letrare ka, ashtu sikundër ka edhe shkrimtarë dhe poetë të mirë, të admiruar. Mirëpo shumica e kritikëve harxhojnë kohën me librat e miqve dhe ata, për inerci, akoma nuk heqin nga mendja idhujt e trasheguar nga sistemi komunist. Kjo tregon se kritikët tanë nuk lexojnë letërsinë bashkëkohore, letërsinë që është mbi mesataren, por meren me librat e pluhuruara nëpër raftet e librarive.

Dicka që dëshironi të shtoni…
Jam i sigurt, se kur të zë shtratin e gjumit, do të shkelmoj veten pse nuk munda të them gjëra më të mënçura në këtë intervistë. Por mos mendoni se do të pendohem për të vertetat që parashtrova në bisedën me ju. Ju jam mirënjohës për kohën që harxhuat me mua
Ju Faleminderitedhe Ju!
Bisedoi: Raimonda Moisiu
Shtator 2010
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon,Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo,Bisedoi:Raimonda Moisiu Empty Thani Naqo: Një përrallëz e vërtetë për dy kunata...

Mesazh nga Agim Gashi Fri Oct 22, 2010 9:32 pm

Nga libri FATE PARALELE, 2007
Thani Naqo


NJË PËRRALLËZ E VËRTETË

PËR DY KUNATA...


Na ishin njëherë dy kunata,

me burrat larg në kurbet,

e Madhja shpirterrët si nata,

e Vogla, Dritë dielli, vërtet.



Të dyja lindën në një kohë fëmijë,

secila prej tyre bëri djalë,

e Vogla s'kursente asnjëherë gjinë,

kur nipin dëgjonte duke qarë.


E Madhja kunatë djalin mallkonte,

me gjuhën grifshë: "Mos u bëfsh!",

e Vogla kunatë kur e dëgjonte,

e tmeruar mblidhej lëmsh.


Një natë dimri, në errësirë,

djali i t'Madhes qante shumë,

shpirterrëta i dha gji shtrirë,

përçartur, zemëruar, nëpër gjumë.



Veç kur u zgjua herrët në mëngjes,

prek foshnjën, gjumashja e tmeruar,

djal'i gjorë më frymë s'mer,

nën trupin e saj kishte mbaruar.



Djalin e vdekur mori në krah,

fshehur shkoi në dhomën e kunatës,

këmbeu fëmijën, Shpirterrëta,

dhe iku me hapin vjedhës të natës!



Pak më vonë plasi kuja,

dridhej kunata Shpirtdritë:

"O-bobo, ka vdekur djali juaj,

e mjera unë mbeta pa nip!"



Shpirterrëtën ky lajm s'e çuditi,

fëmijë të gjallë kish djep'i saj,

të Voglës kunatë i bërrtiti:

"Djalin tim, ja ku e kam!"



Lajmi shpejt u përhap në fshat,

një nga një njerëzit po vinin,

e Vogla kunatë zuri shtrat,

pa filluar këmbanat të binin.



Dëgjonte të qarën e djalit të saj,

duart nënore drejt tij i vanë,

"Atje është im'bir- thoshte në vaj-

e ka kunata në dhomën matanë".



Shtangën njerëzit të habitur,

si ta zgjidhnin këtë problem?

Kërkuan mendjen e plakut të ditur,

veç Babaplaku zgjidhje gjen.



I mençuri plak ri menduar,

ngjesh llullën me duhan,

-Një gjë e tillë-tha-s'është dëgjuar,

qysh kur toka njerëz mban!



-Mirë-tha plaku babaxhan-

të dyja kunatat i dua në oborr,

sillni e djalin që është gjallë,

e gjej unë, kujt nëne i takon!



Kërkoi një trung e sëpatë,

mori pamjen më të rreptë,

iu drejtua të Madhes kunatë:

-Këtë gjë, unë e zgjidh lehtë!



Djalin e gjallë do ta ndaj në mes,

gjasmën ti e gjysmën ajo!...

-Ndaje!-thirri Shpirterrëta- sa më shpejt,

për një djalë s'më bëhet vonë!



Klithma nënore u dëgjua: - Amani!

Shpirtndriturës i vjen të fikët,

-Ju lutem djalin mos e ndani,

ta mbajë kunata dhe të rritet!



Kur u përmend pa birin e saj,

babaplaku kokën tund,

djalin i vunë në gji, pastaj,

mbi bishtin e sëpatës llulla u shkund...



1974
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi