Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Monda Korca: NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME NDJENJË DHE PËRKUSHTIMIntervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli,Bisedoi: Raimonda Moisiu

Shko poshtë

Monda Korca: NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME NDJENJË DHE PËRKUSHTIMIntervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli,Bisedoi: Raimonda Moisiu Empty Monda Korca: NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME NDJENJË DHE PËRKUSHTIMIntervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli,Bisedoi: Raimonda Moisiu

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 14, 2010 1:57 am




Monda Korca: NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME NDJENJË DHE PËRKUSHTIMIntervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli,Bisedoi: Raimonda Moisiu 20757_1337255830655_1208896826_31044304_3766319_n





Monda Korca: NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME NDJENJË DHE PËRKUSHTIMIntervistë me shkrimtarin Kristaq Turtulli,Bisedoi: Raimonda Moisiu


Bisedoi: Raimonda Moisiu

Kristaq Turtulli beson në fuqinë njerëzore; është ky parim që e ka mbështetur në formimin e tij si shkrimtar, si gazetar, por edhe në vitet kur ka punuar si mësues. Këto aftësi shkrimtari i sheh si profesione të bukura, të ndjeshme shpirtërisht. Janë 'këshilltarë besnikë' të ngjarjeve, karaktereve, fakteve, të profesioneve, në krijimtarinë e tij të pasur, të talentuar, produktive, gjithmonë me besimin se çdo libër ka rëndësinë dhe mesazhin e kujtimeve, dhimbjes, mallit, dashurisë njerëzore, nostalgjisë, universin jetësor të botës shqiptare dhe individuale, të cilat bashkohen në një emëruës të përbashkët: ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkushtimin për ato që shkruan dhe misionin që i ka vënë vetes.

Kristaq Turtulli është një shkrimtar bashkëkohor i letërsisë shqipe që krijimtarinë e tij e shtrin midis dy kontinenteve, dy vendeve, dy kulturave të ndryshme: Kanadasë dhe Shqipërisë. Në krijimet e tij ai sjell muza e frymëzime që e kanë bërë një autor të vlerësuar, jo vetëm nga kritika letrare shqiptare, por edhe nga kritika amerikane, në kontinentin ku ai jeton dhe punon tashmë. Të qenurit mes Kanadasë e Shqipërisë nuk e kanë penguar aspak që librat e shkrimtarit të lexohen me ëndje nga lexues të shumtë dhe bëjnë vlerësime për tematikat e larmishme që autori trajton në to. Bile disa libra të Turtullit janë përkthyer në anglisht dhe pritur shumë mirë nga audienca amerikane e lexuesve.

Për më shumë unë po ju lë nën shoqërine e bisedës me shkrimtarin, poetin dhe publiçistin Kristaq Turtulli.


1-Ç kupton për ju të jesh shkrimtar shqiptar në Perëndim, konkretisht, në Kanada?

Të jesh shkrimtar është diçka e mirë, e respektuar, edhe në perëndim, në Kanada, së paku nga ana morale. Por ta mbash këtë, duhet të punosh shumë, ta justifikosh, tu imponohesh, sepse ndryshe mbetesh shumë shpejt mënjanë. Jam anëtar i shoqatës së shkrimtareve Kanadezë (The Writers’ Union of Canada). Ti e di mirë të bësh letërsi është një akt vuajtjeje dhe vetmie.
2-Kush është Kristaq Turtulli, diçka nga fëmijëria Tuaj?
U linda dhe hodha hapat e para në një nga rrugicat karakteristike me kalldrëm të qytetit të Korçës, diku pranë çezmave të reja dhe rrugës së përpjetë të Shën Thanasit. E përmend këtë fakt mbasi gjunjët dhe çorapet e mia asnjëherë nuk u thane nga çapkënllëqet fëmijërore duke shkarë në dëborë me skinë e vogël prej dërrase përgatitur me dy këmbëza karrige të vjetër. Jam fëmija më i vogël i familjes dhe prindërit e mi u munduan të më pajisnin me njohuri, kuptohet aq sa ju a lejonin kushtet e vështira të jetesës.

3-Mbiemri "Turtulli", një vlerë qytetare dhe historike e Korçës sonë? Ç' mund të na thoni për këtë familje të fisme, autoktone korçare.

Ndjehem krenar që i përkas familjes se fisme “Turtulli”. Familja Turtulli zbriti në Korçë rreth mesit të shekullit 18 fill mbas djegies së parë të qytetit të Vithkuqit. I cili aso kohe sipas të dhënave kishte rreth 30,000 mijë banorë, 26 lagje dhe një tregti të zhvilluar. Kjo familje luajti rol të rëndësishëm ne zhvillimit e qytetit të Korçës, bamirësia e tyre ka përmasa ballkanike. Ne i dhuruam qytetit të Korçës; tre pikat kyçe të domosdoshme për një qytet me fytyrë evropiane; spitalin, liceun e famshëm ku u arsimua inteligjenca e saj kohe, bibliotekën, ku studiuan dhe morën njohuri rinia korçare, pa përmendur këtu bamirësinë për ndërtimin e shtëpisë se jetimores, ndihmën monetare për ndërtimin e mitropolisë e shumë të tjera bamirësi.

Po sa vlenin të gjitha të këto bamirësi në vitet e gjata të diktaturës. Po ju tregoj një shembull që me ka lënë gjurmë në kujtesë. Isha në klasën e tretë të shkollës fillore. Mësuesja e klasës Julia, një grua e dashur mori lejen e lindjes. Një mëngjes na hyn në klasë sekretarja e shkollës së cilës nuk dëshiroj ti a përmend emrin. Ajo do të zëvendësonte Julian e ëmbël. Filloi të lexonte emrat e nxënësve, përmendi emrin tim, ngriti kokën. Ngihu në këmbë, më tha ftohtë. Unë u ngrita. Më hodhi vështrim të akull, të gjatë. Ulu, më tha, unë u ula. Në orën e tretë kishim lexim. Një tregim të Migjenit. Ngrihu Turtulli, dëgjova zërin e saj të mprehtë. U ngrita ngadalë, i mpirë, ndjeja diçka e keqe do të fshikullonte mbi mua. Pa më thuaj ti Turtulli, si e shfrytëzonin borgjezët, tregtarët popullin e shumëvuajtur shqiptar, konkretisht Ju Turtullit, e sa gjakpirës ishit ju? Unë nuk kisha idenë për se bëhej fjalë, kaq të tmerrshëm të ishin këta borgjezë? Unë isha lindur dhe rritur me kothere. Babai e nëna rropateshin gjithë ditën për të na ushqyer, ku dreqin ishte gabimi i tyre! Përgjigju, dëgjova zërin e çjerrtë saj. Unë u drodha. Në gjoks kisha një lëmsh të madh sa një mal. Qenke nxënës i mirë hë, nëse nuk më përgjigjesh do të vë njësh të madh. Unë nuk u përgjigja, e ç’mund të thosha, ne me zi ngopeshim me bukë, çfarë borgjezë ishim ne! Ajo më vuri njësh. Ajo donte të qaja, të qullosesha aty në klasë. Nuk qava. Shkova me vrap në banjë dhe qava me dënesë.

4-Kini mbaruar studimet për gjuhë letërsi. Çfarë iu shtyhu te studioni ne këtë degë?
Në fëmijëri babai im më tregonte shumë ndodhi, ai ishte njeri i bredhur i shkolluar. Ndjeja një forcë të brendshme të shprehja të pathënat e babait tim të mrekullueshëm, e te gjitha ato qe përjetoja. Shkollimi im nuk ka qenë e lehtë, nuk më jepej e drejta e studimit për arsye të biografisë. Mbas shumë vite kërkesë më dhanë të drejtë e studimit, në Tiranë, gjuhë letërsi.

5-Kini punuar mësues dhe gazetar. Ç'kuptim kanë për Ju këto fjalë, dhe a kanë lidhje mes tyre?
Mësuesia dhe gazetaria janë profesione të bukura, të ndjera, ke të bësh direkt me njerëzit, në mësuesi me moshën e brishtë, të papërsëritshme fëmijërore dhe rinore ndërsa në gazetari je në kontakt me të gjitha moshat, mëson, ngjarje, fakte dhe karaktere, të cilat të ndihmojnë shumë në krijimtari. Për mendimin tim të dyja këto profesione kanë shumë gjëra të përbashkëta, mbi të gjitha duhet të jesh i përgjegjshëm për detyrën qe kryen.

6-Ç’ka keni shkruar ndër vite? Cila është gjinia Tuaj e preferuar?
Më pëlqen të shkruaj poezi, tregime, letërsi për fëmijë, para do kohe botova edhe një novelë për fëmijë në anglisht (Friends) ‘Shokët.’ Nuk e di, por kohët e fundit çuditërish më tërheq romani. Ndoshta është zëri i fshehtë i tim ati që më cytën së largu të them ato që nuk mundi ti thoshte ai. Janë pa rëndësi kilometrat tokësore, përpara zërave të zëmrave që u tretën brigjeve të vuajtjes.

7-Jeni autor i disa librave, sidomos të romaneve: Hija e Ariut, Hani me dy porta, Ç’është jeta e një njeriu, Vetmia e Zërave, Dëgjo floriri im. Ripunimi, përkthimi dhe botimi i suksesshëm i romanit Hani me dy porta etj. Çfarë kini bërë Ju, për të marrë kaq shumë frymëzim e dashuri nga jeta?
Për mendimin tim, artistit, shkrimtarit i bën mirë të ndeshet me dallgët e jetës, ai mëson, kalitet. Po ta vësh re ciklin e dallgës, vjen me tërsëllëm, si një mal për të gllabëruar gjithçka që gjen nën vete. Pastaj tërhiqet si me trishtim, me dhembje. Dikur në fëmijëri kam parë një njeri që luante me dallgën, ai ishte artist dhe donte jetën, por njëherësh donte të pikturonte dallgën me të gjitha të fshehtat e saj. Përgjatë rritjes të ngritjes, apo të ringritjes së njeriut duhet ta duash jetën ashtu siç të jepet, të mos bësh kompromis, atëherë e kupton së thelli dhe nxë gjithnjë e më tepër nga jeta.

8-Kur filluan hapat e para letrare, prozë, poezi apo publicistikë?
Fillova te shkruaj poezi në moshe shume te re, frytin e botimit e ndjeva shpejt bile dhe çmimet, se bashku me zhgënjimet. Vinin sinjalizimet nga Korça. Mbiemri Turtulli u shkaktonte pështjellim pushtetarëve dhe shërbëtoreve te tyre, paçka se isha akoma fëmijë. Unë nuk u tërhoqa asnjëherë isha i dashuruar mbas letërsisë.

9-Fjala dashuri është aq e virgjër, e bukur dhe universale. Ku qëndron forca e saj, që ju frymëzon ta jetoni apo ta shkruani?
Dashuria është vërtet e virgjër, e bukur, universale. Dikur kam njohur xha Tolen, burrë plak, rreth të tetëdhjetave, i cili jetonte një rrugë më poshtë se shtëpia ime. Ai ishte plak fjalë-pakët, ngjiste çdo ditë të përpjetën e Shën Thanasit, shkonte tutje në kodrat e qytetit, mbarte një trastë të vjetër me vegla të thjeshta. Ai donte qytetin, pyllin, natyrën, ujërat e kaltra të burime, ndërtonte së bashku me pleq të tjerë çezma të thjeshta pranë monopateve të kodrave dhe maleve. Ai mbarte dashurinë për të tjerët, jepte ujë për të papirët. Është dashuria ajo që e bën njeriun të japë diçka nga vetja, dashuria për prindërit, për fëmijët, njeriun e thjeshtë, e të gjitha këto bëjnë dashurinë e madhe. Nëse di të duash gjithçka e bën me ndjenjë dhe përkushtim.

10-Jeni një krijues i mirëfilltë në gjininë e romanit. I vlerësuar nga kritika letrare dhe lexues të shumtë. Sa qëndron kjo te krijimtaria Tuaj?
Mbase romani është dashuria ime e madhe, më pëlqen të merren me personazhet e mia të krijoj me dashuri, ti bëj sa më bindësh, të pasqyroj shtresat e ndryshme të shoqërinë, me të mirat dhe të këqijat e saj. Romani është një arenë e vërtetë, je gladiator dhe spektator njëherësh. Romani të lodh, të sfilitën, të shkakton strese, të drithëron, të than gjuhën. Të duket sikur kap horizontet, krijon një mikrobotë më vete. Por nëse krahët e tua janë prej dylli, shkrihen menjëherë nga kontakti i parë, të jep zhgënjimin më të madh, goditesh brinjë më brinjë, nuk ke qullosur gjë, është një dokument i keq ku tregon mëndje shkurtësinë tënde.

11-Ju sapo botuat romanin "Dëgjo floriri im", stili dhe mënyra e të shkruarit, të shprehurit mjaft të goditura e të bukura. Ç'mund të na thoni për këtë? Si ju lindi ideja për ta shkruar?
Dikur në klasën e shtatë kam pasur fatin të kem mësuese Olenën flokë arte, një ruse bardhoshe, bukuroshe, e cila ishte martuar me një inxhinier shqiptar. Ne shpesh herë qeshnim nën zë me shqipen e saj të lodhur. Të gjithë një zëri e quanim ‘Helena e Trojës’. Herën e parë ajo qeshi dhe luajti kokën lehtë. Kur shakaja u përsërit, ajo e gjente të shkuar me germa të mëdha në dërrasën e zezë ‘Helena e Trojës’, skuqej, nervozohej, e fshinte dërrasën e zezë duke na vështruar me bisht të syrit. Na dukej e çuditshme, ruska e bukur ishte degdisur mësuese në shkollë tetë-vjeçare të qytetit jug lindor. Ajo ishte shenjtëria vetë. Disa vite më vonë të shoqin e futën në burg, ndërsa Olenën mësuesen time të mrekullueshme e internuan. Ne nuk kuptonim, ishim fëmijë, të duash është një gjë madhështore, paçka se mbart vështirësi të panumërta. Vonë more vesh se ajo nuk pranoi të largohej nga Shqipëria.

Ngjarja e Olenës ishte unike ajo dinte të jepte dashuri dhe të sakrifikonte. Më dukej se ndjenja detyrim për atë grua të përsosur dhe jeta e saj. Por arti ka mision më të madh, ka përgjithësimin.

12-Duket sikur gjinia tuaj e preferuar është proza, tregimi, romani. Por ju keni shkruar edhe poezi, bile edhe poemë, publicistikë. Ku e ndjeni veten më mirë në këto gjini?
Mendoj se ndjehem më mirë tek romani, por sidoqoftë edhe kur shkruan poezi të ndjerë me katër rreshta dhe thua shumë, provon kënaqësi.

13-Kini botuar romanin dygjuhësh ;shqip & anglisht Hani me dy porta. I vlerësuar nga kritika amerikane. Si ju lindi ideja për ta shkruar në të dyja gjuhët? Ç'mund të na thoni?
Romanin Hani me dy porta e kam botuar ne mesin e viteve 90 aso kohe pati sukses për mënyrën e trajtimit të temës, dhe skalitjen e personazheve, në qendër të librit kam vënë një plakë dhe një vajzë, vuajtjet e tyre. Djali im Virgjili e lexoi librin e pëlqeu dhe shfaqi dëshirën për ta përkthyer. Nisën të punonim së bashku, mu duk sikur libri kishte nevojë për me shumë frymëmarrje, njëkohësisht më duhej të bëja më të komunikueshëm për lexuesin anglishtfolës. Shtova disa kapituj funksionalë, ndryshova fundin e librit, u mundova ti jepja diçka shprehëse. Në variantin e parë mbyllja ishte tejet e dhimbshme, rrëqethëse. Libri u botua u prit shumë mirë.

14-Si iu duket kritika letrare sot? A ka kritikë të mirëfilltë letrare? Ç'mund të na thoni për këtë temë që shqetëson njerëzit e letrave shqipe?
Arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti ka nevojë për një kritikë të kualifikuar, të mirëfilltë, të përgjegjshme. Kritika letrare sot me duket e plogët, e njëanshme, pasiononte, duke u nisur nga arsye pozite ose paraje dhe jo letrare, prandaj lexuesi shqiptar është larguar nga libri artistik shqiptar dhe rend mbas letërsisë së huaj. Kur botova librin ‘Dëgjo floriri im’ bisedova me botuesin tim ta çonte sa më parë në librari, kisha telefonata nga miqtë e shumtë në Shqipëri, ata kërkonin ta lexonin. Ai më tha; libraritë janë të mbushura dingë me letërsi të huaj. Nuk ble sot njeri letërsi shqipe, me ndonjë përjashtim të vogël. A është libri im i mirë, i thashë. Shumë i mirë, mu përgjigj ai. Po atëherë? Ai ngriti supet. Duhet të punojë shtypi, reklama, kritika e mirëfilltë, në mënyrë të ndajë shapin nga sheqeri. Dua të përmend krijuesin dhe kritikun Fatmir Terziun, i cili po bën një punë të lavdërueshme në fushën e kritikës letrare.

15-Në prozën tuaj, kini trajtuar nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë, familjes shqiptare, brenda kornizave të mentalitetit shqiptar. Si ndjeheni kur dëgjoni, për krimin në familje, veset e tjera, që kanë përfshirë rininë, droga, prostitucioni, etj? Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Droga, prostitucioni, krimi, korrupsioni dhe veset e tjera janë fenomene që hynë vonë dhe rrëmbyeshëm në jetën shqiptare. Ne u gjendëm të papërgatitur, naivë në këtë mjedis të rrëqethshëm, të veshur me petk të shndritshëm. Si zakonisht më provuese është negativja për tu thithur më shpejt se sa pozitivja. Kuptohet si gjithnjë rinia mosha më e bukur dhe më e brishtë, preket shumë shpejt nga këto viruse të rrezikshme. Të luftosh këto vese nuk është e lehtë, mbasi janë shumë hallka zinxhiri të cilat të mbajnë të tendosur në kahun e kundërt, por përsëri nuk ka asgjë të pamundur, shteti, shoqëria shqiptare, shoqatat ndryshme, duhet të bëhen barrierë. Të parandalojë rreziqet dhe ti dënojnë ato. Letërsia e vërtetë, e fuqishme luan një rol të rëndësishëm në pasqyrimin me vërtetësi të rrezikshmërisë në jetën shqiptare të këtyre veseve.

16-A ka ndonjë ngjarje të tillë në letërsinë tuaj?
Porsa përfundova romanin ‘Në trenin e linjës’. E prek me kujdes dhe përgjegjësi problemin e drogës dhe të prostitucionit, pasojat që lë ajo në jetën e një familje të vuajtur shqiptare. Nuk e vuan vetën njeriu që merr drogë apo bëhet prostitutë. Gjithë familja e vuan këtë sëmundje,gjithë shoqëria, pasojat e mëtejshme vazhdojnë. Shpesh herë bëhesh aksidentalisht fajtor sepse të ka rrëmbyer vala e euforisë së mosnjohjes, e kur gjendesh në mes të qerthullit të fajit kërkon të dalësh por nuk del dot.

17-Cili autor ju inspiron?
Në letërsinë botërore ka shumë shkrimtarë të mëdhenj, që kanë bërë epokë, mua më pëlqen Ken Follet. Është shkrimtar bashkëkohor shumë i talentuar anglez, mënyra e të shkruarit të tij është intriguese. Ai është njohës i thellë i jetës angleze. Edhe ne kemi nevojë për shkrimtarë të jenë njohës të thellë të jetës shqiptare.

18- Nga letërsia shqipe?

Edhe në letërsinë shqipe kemi shkrimtarë shumë të mirë, por unë do të veçoja Mitrush Kutelin dhe Petro Markon. Të dy këta për mendimin tim mbeten shkrimtarë të mëdhenj dhe njerëz të mëdhenj.

19-Sa jeni integruar në jetën kanadeze?
Jam përpjekur të integrohem në jetën kanadeze si të gjithë emigrantët e tjerë, të mësoj gjuhën, të gjej një punë, tu përshtatem rregullave të lojës së vendit ku jetoj. Në tërësi mendoj dhe veproj njësoj, ushqehem sikur jam në Shqipëri. Më duket diçka artificiale të veproj ndryshe.

20-Cilat janë marrëdhëniet me fëmijët Tuaj? Sa ju mbështet bashkëshortja dhe fëmijët në aktivitetin Tuaj krijues, letrar, artistik?
Shumë të mira. Gruaja dhe fëmijët më kanë mbështetur dhe më mbështetin në krijimtarinë time. Ata janë lexuesit dhe kritikët e parë të krijimtarisë sime.

21-Diçka për krijimet Tuaja në të ardhmen?
Ju thashë posa përfundova romanin ‘Në trenin e linjës.’ I cili trajton temë sociale. Gjithashtu kam në tavolinë duke punuar një roman voluminoz, me titull’ Hidhësia e puthjes’ me shtrirje kohore në tre shtete, në Korenë e veriut, në Greqi, dhe kuptohet në Shqipëri.

22-Si një ndër shkrimtarët e talentuar, plot larmi temash e në zhanre te ndryshme, cili është mesazhi për talentet e reja?
Vendosmëri, punë, përpjekje, kritikë të thellë vetvetes.

23-Çfarë do dëshironit të kishte Shqipëria nga kultura demokratike e Kanadaze?
Respektimin e së drejtës, shmangie nga pasionet e sëmura.

24-A do te kthehet Kristaqi në atdhe?
Nuk e di, ndoshta.

Ju faleminderit
Edhe juve faleminderit!

Bisedoi :Raimonda Moisiu
Kristaq Turtulli ka botuar një seri me tregime, novela, poezi, poema dhe romane; disa prej të cilave janë vlerësuar me çmime kombëtare:


· "Nëna", novelë, 1981

· "Aventurat e Arushit Topic", përrallë për fëmijë, 1988

· "Zogjtë", tregime dhe novelë për fëmijë, 1989

· "Ana", novelë, 1989

· "Hija e Ariut", roman, 1996

· "Hani me dy porta", roman, 1997

· "Ç’është jeta e një njeriu", roman, 2004

· "Vetmia e Zërave", roman, 2007

· "Friends ", novelë për fëmijë, (botim në anglisht), 2008

· "The Inn with Two Doors", ribotim në anglisht, 2009

· "Dëgjo, floriri im", roman, 2009



Së afërmi:



· "The Last Child", novelë

· "Në trenin e linjës", roman

· "Hidhësia e puthjes", roman
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi